Duke folur mbi zhvillimet në këtë sektor, eksperti i turizmit Isa Krasniqi theksoi se përveç pushimeve tradicionale, në Shqipëri ekziston edhe një segment i turizmit të luksit, ku sipas tij, zona më përfaqësuese mbetet jugu i vendit.
Krasniqi solli edhe një shembull konkret, duke përmendur një rezervim që e kishte bërë vetë në jug, ku çmimi për një natë në hotel arrinte deri në 2,500 euro.
“Te pjesa e jugut të vendit, dashje pa dashje, është pjesa më e shtrenjtë e Shqipërisë. Në Shqipëri ka pushime luksi dhe ka pushime të tepruara, po themi. Unë i ndjek të gjitha kategoritë e turistëve. Ka kategori të caktuara që vijnë për të shpenzuar. Mund të them që në vendin tonë ka edhe 2,500 euro nata – kam rezervuar unë vetë, është zonë në jug. Ka turistë që shpenzojnë dhe vijnë për të shpenzuar. Te Gjiri i Lalzit ka hotele që shkojnë nga 500 deri në 700 euro nata dhe ka turistë që nisen posaçërisht për atë hotel dhe ai është nisur të shpenzojë,” u shpreh Krasniqi.
Deklarata e tij erdhi si një kundërpeshë ndaj një qëndrimi të shprehur më herët në emision nga një operator turistik në Theth, i cili theksoi se turistët e huaj zgjedhin Shqipërinë për bukuritë natyrore dhe jo për luksin.
Në përfundim të bisedës, Isa Krasniqi pranoi se, pavarësisht çmimeve të larta në jug, mund të ketë ende raste me shërbim të pakënaqshëm. Megjithatë, sipas tij, pas dy skandaleve të ndodhura para dy vitesh, situata është përmirësuar ndjeshëm.
The post Turizmi luksoz ‘shkund’ xhepat në jugun e Shqipërisë/ Eksperti zbulon shifrat e çmendura appeared first on Sot News | Lajme.