Nga model për Trumpin, në një udhëheqës në krizë / Si po shpërbëhet pushteti i Viktor Orbán
Nga Nick Thorpe – Hungarezët kanë një shprehje popullore: “Visszanyal a fagyi”, që përkthehet: “Akullorja lëpin mbrapsht”. Me fjalë të tjera, bëj kujdes, sepse ajo që të pëlqen ta shijosh, mund të kthehet të të përpijë.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme botëkuptimin liberal për më shumë se dy dekada, duke e shndërruar vendin në atë që ai vetë e ka përshkruar si një “demokraci joliberale” dhe një komb të “lirisë së krishterë”.
Ndërkohë, ai ka fituar simpatizantë në mbarë botën që nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e deri te kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze. Presidenti Donald Trump e ka cilësuar Orbánin si “të zgjuar” dhe “njeri të fortë”.
“Nga burrat më të respektuar . Një lider i hekurt”, deklaroi Trump në shtator të vitit 2024.
Para zgjedhjeve të ardhshme në Hungari, të parashikuara për prillin e vitit 2026, komuniteti LGBTQ duket se është bërë shënjestër e re e Orbánit. Partia e tij, Fidesz, miratoi një ligj të ri për ndalimin e Paradës së Krenarisë. Megjithatë, midis 100,000 dhe 200,000 vetë morën pjesë këtë vit, nga vetëm 35,000 që ishin vitin e kaluar.

Duke parë turma të mëdha që marshojnë nëpër rrugët e Budapestit për të mbrojtur të drejtën e fjalës, të drejtën për të protestuar dhe për të afirmuar identitetin e tyre, shumë vetë shtrojnë pyetjen: A po i kundërvihet më në fund liberalizmi qeverisjes së Orbánit?
Por në të vërtetë, kjo mund të mos jetë pyetja e duhur. Sepse sfida më serioze ndaj pushtetit të Orbánit nuk vjen nga e majta liberale por nga qendra e djathtë.
Një sfidant i papritur nga brenda kampit të tij
Peter Magyar, 44 vjeç, një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Orbánit, u shfaq në skenën politike si sfidues në shkurt 2024. Kjo pasoi një skandal që shpërtheu pas faljes së një burri të dënuar për fshehjen e abuzimit seksual ndaj fëmijëve, një vendim që detyroi Presidenten Katalin Novak të japë dorëheqjen drejtpërdrejt në televizion. Edhe Ministrja e Drejtësisë, Judit Varga (ish-Zonja e Parë e Hungarisë), u tërhoq nga posti.
Në një intervistë për Partizán, kanali kryesor opozitar në YouTube, Magyar e akuzoi Fideszin për nepotizëm dhe korrupsion.
Robert Puzser, aktivist dhe drejtues i një nisme jopartiake të quajtur “Rezistenca Qytetare”, thotë se elita politike hungareze po ecën me kujdes, ndërkohë që disa përpiqen ta etiketojnë Magyarin si liberal apo të majtë, për ta diskredituar para bazës konservatore të vendit.
Sipas Puzserit, Magyar ka formësuar një narrativë të re: atë të një vendi që po shembet nga brenda. Dhe shumë duket se po e besojnë. Partia e re e Magyarit, Tisza, në shumicën e sondazheve del mes 9% dhe 18% përpara Fideszit. Vetëm një institut i afërt me qeverinë, Viewpoint Institute, vazhdon ta rendisë Fideszin si forcën më të votuar.

Gjendja alarmante e spitaleve publike, shkollave shtetërore dhe infrastrukturës hekurudhore është kthyer në armë kundër qeverisë. Strategjia e Orbánit, që për shumë kohë është admiruar nga jashtë, po has gjithnjë e më shumë rezistencë në vend.
Një strateg i vjetër
Orbán ka qenë në pushtet për 19 nga 35 vitet që nga rënia e komunizmit më 1990, duke e kthyer atë në një prej liderëve më të qëndrueshëm të Bashkimit Evropian. Në vitet ’90, ai e shkëputi Fideszin nga rrënjët e saj liberale dhe e riktheu në një formacion nacionalist dhe konservator të djathtë.
Në krizën e emigrantëve të vitit 2015, ai e përshkroi lëvizjen drejt Evropës si një “migracion të përzier me azilkërkues dhe luftëtarë të huaj”. Ai ka refuzuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe kundërshton pranimin e saj në BE.
Fitorja në zgjedhje ka qenë gjithmonë e lidhur me një aftësi të mprehtë për të identifikuar frikërat e elektoratit. Që nga viti 2010, Orbán ka fituar zgjedhje me mesazhe të thjeshta dhe të fuqishme, shpesh të nxitura nga sondazhe të brendshme dhe të papublikuara.
Ligji zgjedhor i vitit 2011, që uli numrin e deputetëve dhe hoqi balotazhin, ka ndihmuar Fideszin të dominojë skenën. Në vitin 2014, me 45% të votave, Fidesz mori 67% të vendeve në Parlament.
Orbán ka ndikuar edhe në drejtësinë e vendit, duke emëruar gjyqtarë miqësorë me Fideszin në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Goditje dhe gabime
Referendumi i vitit 2022 për “mbrojtjen e fëmijëve”, që përkoi me zgjedhjet, u përdor si një instrument për të mobilizuar elektoratin konservator. Shumica dërrmuese votuan kundër “orientimit seksual pa pëlqimin e prindërve” dhe “promovimit të ndërrimit të gjinisë për të mitur”.
Por sot, rrëshqitjet janë të dukshme. Orbán nuk arriti ta ndalojë Paradën e Krenarisë, ndonëse e premtoi. Ai gjithashtu gaboi rëndë kur mbështeti kandidatin ultranacionalist rumun George Simion, i cili ka bërë deklarata anti-hungareze dhe humbi befas raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Nga ana tjetër, ekonomia hungareze është në stanjacion dhe e varur nga industria gjermane e automjeteve, ndërkohë që Orbán nuk mund të premtojë më rritje ekonomike.
Në udhëkryq
Peter Magyar është kthyer në një simbol të shpresës për shumë qytetarë. Ai udhëton nëpër vend, viziton spitale e shkolla dhe shpesh transmeton gjithçka drejtpërdrejt në Facebook.
“Do ta ndërtojmë sërish këtë vend, tullë pas tulle,” përsërit ai. Turmat i përgjigjen: “Tullë pas tulle!”
Ndërkohë, analistët politikë si Zoltán Kiszelly paralajmërojnë se zgjedhjet e vitit 2026 do të vendosen nga afro një milion votues të pavendosur. Orbán mund të luajë kartën e “paqes” siç bëri në vitin 2022 duke akuzuar opozitën se do ta fuste Hungarinë në luftë përkrah Ukrainës.

Nëse lufta përfundon deri atëherë, Orbán mund të pretendojë se kishte të drejtë. Nëse vazhdon, ai do të mund të përforcojë mesazhin kundër Perëndimit dhe të pozicionohet si garant i stabilitetit energjetik përmes lidhjeve me Rusinë.
Por kundërshtarët e tij nuk heqin dorë. “Hungaria ndodhet në një udhëkryq,” thotë Puzser. “Ka një rrugë drejt një tranzicioni demokratik dhe një tjetër që të çon drejt një diktature.”
Orbán vetë thotë se kjo është një betejë “për shpirtin e botës perëndimore”. Por për shumëkënd, zgjedhjet e prillit 2026 janë mbi të gjitha një betejë për shpirtin e Hungarisë.
Burimi: BBC; Përshtati: Gazeta “Si”
The post Nga model për Trumpin, në një udhëheqës në krizë / Si po shpërbëhet pushteti i Viktor Orbán appeared first on Gazeta Si.