Janë bërë publike emrat që më së shumti janë shfrytëzuar për të pagëzuar fëmijët e lindur në Angli dhe Uells – Muhammad është emri më i popullarizuar mashkull për vitin e dytë radhazi, ndërsa Noah dhe Oliver kanë zënë vendet e dyta dhe të treta, po ashtu si në vitin 2023.
Sipas BBC-së, Olivia dhe Amelia kanë zënë dy vendet e para ndër vajzat për vitin e tretë radhazi, ndërsa Isla ka rënë nga vendi i tretë dhe është zëvendësuar nga Lily.
Lista është publikuar nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), e cila përgatit listën bazuar në të dhënat nga regjistrat e lindjeve.
Emrat e rinj që kanë hyrë në top 100 për vajzat janë Eloise, Nora, Myla, Rosa, Athena, Sara dhe Zoe. Emrat e rinj për djemtë janë Austin, Nathan, Vinnie dhe Yahya.
Muhamedi ka mbajtur vendin e parë si emri më i popullarizuar mashkull, me 5721 foshnja që morën këtë emër. Ai ishte më i popullarizuar në pesë nga nëntë rajonet e Anglisë, ndërsa në Uells ishte në vendin e 57-të.
Variacione të tjera të këtij emri gjithashtu janë në listë: Mohamed në vendin e 21 me 1760 djem, dhe Mohamad në vendin e 53 me 986.
Rreth 2.61 vajza në Angli dhe Uells quhen Olivia, që është emri më i popullarizuar në shtatë rajonet e Anglisë dhe në Uells.
Emrat e lidhur me natyrën janë gjithashtu në listën e emrave më të njohur, dhe Lily, Poppy dhe Ivy janë ndër 10 më të përdorurit. Green tha se këto emra janë “të përjetshëm” dhe kanë qenë për vite të tëra në top 100.
Emrat për djem që në 2024 janë përdorur më pak se pesë herë përfshijnë Awesome, Cuthbert, Crispin dhe Beckham. Emrat për vajza me më pak se pesë përdorime janë Sicily, Everest, Orchid dhe Poem. /Telegrafi/
Presidenti libanez, Joseph Aoun i bie me shuplakë pas koke komandantit të ushtrisë, në një veprim që ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik.
Ngjarja ndodhi gjatë një takimi zyrtar, ku të pranishmit u befasuan nga veprimi i papritur i presidentit.
Ende nuk dihen arsyet e sakta të këtij gjesti, por mediat lokale kanë raportuar se mund të ketë qenë një shenjë qortimi apo ndoshta një moment humori të papërshtatshëm.
Incidenti ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ku përdoruesit janë ndarë mes atyre që e shohin si një mungesë respekti dhe atyre që e interpretojnë si një veprim joformal pa qëllim ofendues. /Telegrafi/
Në një paraqitje të fundit, presidenti rus Vladimir Putin theksoi se operacioni special i Rusisë në Ukrainë nuk ka për qëllim pushtimin e territoreve të reja, por rikthimin e atyre që ishin pjesë e Rusisë.
Ai shtoi se nuk ka humbje të panevojshme mes ushtarëve rusë gjatë këtij operacioni.
Gjithashtu, diktatori rus bëri me dije se kushtet e vendosura nga Rusia për zgjidhjen e çështjes ukrainase, të shpallura në verën e vitit 2024, mbeten të pandryshuara.
Putin:
Russia is not seizing territory during a special operation, but is taking back what is its own.
Ai nënvizoi se qëllimet strategjike të Rusisë në Ukrainë nuk kanë ndryshuar.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të larta, dhe komuniteti ndërkombëtar ndjek me kujdes zhvillimet në terren.
Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/
Miliarderi afrikano-amerikan, Elon Musk dhuroi gjithsej 15 milionë dollarë në muajin qershor për organizata politike që mbështesin presidentin amerikan, Donald Trump dhe republikanët në Kongres.
Donacione prej nga 5 milionë dollarësh për grupet MAGA Inc., Fondi për Udhëheqjen e Senatit dhe Fondi për Udhëheqjen e Kongresit janë bërë më 27 qershor, në mes të një përplasjeje të ashpër mes Muskut dhe Trumpit për legjislacionin federal të shpenzimeve, dhe vetëm disa ditë para se njeriu më i pasur në botë të shpallte se do të krijonte një parti të vetën politike.
Drejtori ekzekutiv i Teslës u shfaq në raportet si donatori individual më i madh për secilën nga këto grupe, raporton cnn.
Raportet e fushatës të dorëzuara në Komisionin Federal Zgjedhor (FEC) tregojnë se Musk ka investuar këtë vit më shumë se 45 milionë dollarë në America PAC, një grup të cilin ai e drejton, teksa përpiqej pa sukses të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve për Gjykatën e Lartë të Wisconsinit.
Në zgjedhjet e vitit 2024, Musk ka shpenzuar mbi 290 milionë dollarë për të ndihmuar në rizgjedhjen e Trumpit dhe kandidatëve të tij të preferuar për Kongres.
Për disa muaj këtë vit, ai ka shërbyer si këshilltar kryesor i Shtëpisë së Bardhë dhe si drejtor i një Departamenti joformal për Efikasitetin e Qeverisë, përpara se të tërhiqej nga shërbimi shtetëror për t’u fokusuar në kompanitë e tij.
Në atë kohë ai njoftoi gjithashtu mundësinë e zvogëlimit të financimit politik.
Megjithatë, në fillim të muajit korrikut, Musk hyri sërish në përplasje publike me Trumpin dhe republikanët në Kongres rreth politikave të brendshme, për të cilat ai pretendonte se do të rrisnin ndjeshëm deficitin shtetëror.
Ai gjithashtu premtoi se do të krijonte një parti të re, të quajtur America Party, megjithëse deri tani ka pak dëshmi konkrete që ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
Raporti i dorëzuar në FEC të enjten përfshin aktivitetet e super PAC-ut deri në fund të qershorit. /Telegrafi/
Gazeta amerikane, Washington Post ka publikuar emrat e fëmijëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023.
Kjo listë, të cilën mund ta gjeni këtu, është plotësuar me disa rrëfime individuale si dhe me disa fotografi që familjet e fëmijëve të vrarë ia kanë dërguar Washington Postit.
Gjatë shfletimit të listës, pas çdo 500 emrash shfaqet një mesazh që tregon numrin e emrave të lexuar deri në atë pikë.
Në tekst theksohet gjithashtu se fëmijët përbëjnë deri në 31 për qind të viktimave të agresionit izraelit në Gaza, dhe se 900 prej tyre janë vrarë para se të mbushnin një vjeç.
Washington Post gjithashtu shkruan se një numër i madh i fëmijëve janë vrarë në sulmet ajrore izraelite, duke theksuar veçanërisht numrin e madh të fëmijëve të vrarë në radhët për ushqim, ujë dhe ndihmë humanitare.
Përmendet gjithashtu se sa fëmijë kanë vdekur nga uria, dhe Izraeli përmendet qartë si fajtor për shkak të bllokadës ndaj hyrjes së ndihmës humanitare në këtë enklavë palestineze.
Washington Post ka cituar edhe disa zyrtarë ndërkombëtarë, të cilët kanë dënuar qartë vrasjen e fëmijëve në Gaza nga Izraeli. /Telegrafi/
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin Gemona del Friuli, pranë Udines në verilindje të Italisë.
Viktima, Alessandro Venier, 35 vjeç, dyshohet se është vrarë dhe më pas copëtuar nga nëna e tij dhe e dashura.
Venier, i cili punonte në një pozicion të thjeshtë në një spital lokal, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij ditën e enjte. Mbetjet e trupit të tij u zbuluan nga policia brenda një koshi plehrash, të mbuluara me gëlqere të pashuar – një përpjekje për të fshehur erën e trupit.
Të dyshuarat për këtë akt makabër janë nëna e tij, Lorena Venier, 61 vjeç, me profesion infermiere, dhe e dashura kolumbiane 30-vjeçare e viktimës. Sipas hetimeve paraprake, ato dyshohet se e kanë droguar Alessandro-n dhe më pas e kanë copëtuar me një sëpatë.
Alessandro jetonte në të njëjtën banesë me partneren dhe vajzën e tyre gjashtëmuajshe. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë motiv i qartë për krimin, raporton ansa.
Zbulimi i ngjarjes erdhi pas një telefonate anonime – e cila dyshohet të jetë bërë nga njëra prej grave – që çoi në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe arrestimin e tyre. Të dyja ndodhen aktualisht në paraburgim dhe po merren në pyetje nga autoritetet.
Kryetari i bashkisë, Roberto Revelant, u shpreh se komuniteti është i tronditur nga kjo ngjarje e pashembullt “asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur më parë në qytetin tonë. Është një tragjedi që na ka lënë pa fjalë. Jemi të shokuar.”
Ai shtoi se viktima kishte ëndërruar që një ditë të zhvendosej në Kolumbi. Alessandro ishte rritur vetëm nga nëna, pasi babai i tij – një emigrant nga Egjipti – kishte braktisur familjen menjëherë pas lindjes së tij.
Vajza gjashtëmuajshe e çiftit është vendosur nën kujdesin e shërbimeve sociale. “E gjithë bashkia është mobilizuar për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e foshnjës,” theksoi kryebashkiaku.
Ndërkohë, autoritetet kanë urdhëruar autopsinë e trupit të viktimës dhe pritet që së shpejti të ngrihen zyrtarisht akuzat ndaj dy të dyshuarave. /Telegrafi/
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin vendosen tarifa doganore më të larta për dhjetëra vende në mbarë botën, me qëllim që të “ristrukturohet tregtia globale në favor të punëtorëve amerikanë”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Tarifat e reja variojnë nga 10 deri në 41 për qind, me tarifën më të lartë për Sirinë. Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do t’i nënshtrohen një tarife prej 15 për qind.
Gjersa Kosova dhe Shqipëria nuk figuron në listë e të ‘dënuarve’, Serbia do të përballet me tarifa prej 35 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 30 për qind, raporton cnn.
Në dokumentin e publikuar, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se qëllimi i tarifave është “ristrukturimi i tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë” dhe se ato do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht siç ishte paralajmëruar më herët. Tarifat për mallrat kanadeze rriten nga 25 në 35 për qind, por do të hyjnë në fuqi që të premten.
Full List of US Reciprocal Tariffs by Country (Effective Aug 1)
Trump’s new Executive Order enforces country-specific tariff hikes citing trade imbalance & national security. Here’s what each nation faces
“Në përgjigje të mosveprimit të vazhdueshëm dhe hakmarrjes nga ana e Kanadasë, presidenti Trump e ka konsideruar të nevojshme rritjen e tarifave nga 25 në 35 për qind për të adresuar në mënyrë efektive situatën e jashtëzakonshme ekzistuese”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Kanadaja nuk ka bashkëpunuar në luftën kundër fentanilit dhe drogave të tjera ilegale.
Nga tarifat janë përjashtuar produktet kanadeze që përfshihen në marrëveshjen tregtare midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi në qershor se, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në fillim të gushtit, Kanadaja ka gjasa të kundërpërgjigjet me tarifa shtesë për eksportin amerikan të çelikut dhe aluminit.
Tarifat më të larta për mallrat kanadeze bien në kontrast të fortë me vendimin e Trumpit për ta shtyrë rritjen e tarifave ndaj Meksikës për 90 ditë, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje tregtare më të gjerë.
Ndërkohë, Kina ka afat deri më 12 gusht për të arritur një marrëveshje afatgjatë me administratën Trump, pas marrëveshjeve fillestare të arritura në maj dhe qershor mes Pekinit dhe Uashingtonit për t’i dhënë fund tarifave reciproke në rritje dhe për të hequr ndalimin e importit të metaleve të rralla. /Telegrafi/
Rekomandimet “For You” në TikTok kanë qenë prej kohësh një mister për krijuesit në këtë platformë, dhe madje as ata më me përvojë nuk e kuptojnë gjithmonë pse disa video bëhen virale ndërsa të tjerat jo.
Prej kohësh është spekuluar për llojet e përmbajtjes që nuk pranohen nga algoritmi i rekomandimeve të kësaj aplikacioni, por tani kompania synon t’u ofrojë krijuesve më shumë transparencë rreth mënyrës se si funksionon ky sistem.
TikTok po teston një funksion të ri të quajtur “kontrolli i përmbajtjes” (content check), i cili do t’u mundësojë krijuesve të kontrollojnë nëse videot e tyre përmbajnë ndonjë problem që mund t’i pengojë të shfaqen në faqen “For You”.
Gjithçka fillon me një version të thjeshtuar të këtij funksioni, të quajtur “Content Check Lite”, i bazuar në web dhe i disponueshëm për desktop në TikTok Studio.
Ky funksion do të kontrollojë nëse videot e ngarkuara përmbushin kushtet për t’u rekomanduar në “For You” dhe do të theksojë problemet e mundshme përpara publikimit. Kompania thotë se është në “fazat e hershme” të eksperimentimit me një funksion më të zgjeruar të kontrollit të përmbajtjes, i cili do të tregojë nëse një përmbajtje është në përputhje me të gjitha udhëzimet përpara se të publikohet, si dhe do të ofrojë komente konkrete për përmirësimin e përmbajtjes që nuk është e pranueshme. Aktualisht, një grup i vogël krijuesish po merr pjesë në testim.
TikTok tashmë e ka testuar një version të këtij funksioni për shitësit në TikTok Shop dhe thotë se kjo ka sjellë një ulje prej 27 për qind të “përmbajtjes me cilësi të ulët”. Ky funksion mund ta ndihmojë kompaninë të fitojë më shumë besim nga krijuesit, të cilët shpesh spekulojnë për “ndalime të fshehta” dhe pyesin pse disa video nuk marrin aq shikime sa presin.
Kompania gjithashtu ka shtuar disa risi të tjera për krijuesit, duke përfshirë kontrolle të reja për heshtjen dhe filtrimin e komenteve, të cilat e bëjnë më të lehtë heqjen e fjalëve të caktuara nga komentet në transmetimet live dhe postimet e tjera.
Aplikacioni do të ketë gjithashtu një “kuti mesazhesh për krijuesit”, për të lehtësuar menaxhimin e komunikimit në aplikacion. Krijuesit që duan një hapësirë të veçantë për të ndërvepruar me ndjekësit e tyre do të mund të përfitojnë nga “dhomat e bisedës për krijuesit”, të cilat u lejojnë profileve të aprovuara të krijojnë një hapësirë të dedikuar për biseda me deri në 300 ndjekës. /Telegrafi/
Çmimet e produkteve evropiane pritet të rriten në Shtetet e Bashkuara.
Në anën tjetër, marrëveshja tregtare nuk duhet të shkaktojë inflacion në Evropë, pasi Bashkimi Evropian nuk ka vendosur tarifa kundërprodukteve amerikane.
Ekspertët thonë se ndikimi i një marrëveshjeje të përkohshme tregtare të arritur midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mbi konsumatorët evropianë do të jetë i kufizuar, raporton euronews.
Të dielën, SHBA-ja dhe BE-ja ranë dakord për një marrëveshje për të shmangur një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, duke parandaluar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump për tarifa prej 30 për qind mbi shumicën e mallrave evropiane nëse nuk arrihej marrëveshje deri më 1 gusht.
Nën marrëveshjen paraprake, rreth 70 për qind e eksporteve të BE-së për në SHBA tani do të jenë subjekt i një tarife prej 15 për qind ndërsa 30 për qind e mbetur për mallrat janë të hapura për negociata të mëtejshme.
BE-ja nuk ka vendosur barriera tarifore ndaj produkteve amerikane, kështu që çmimet e tyre nuk do të rriten në Evropë, transmeton Telegrafi.
“Ndikimi mbi konsumatorët evropianë do të jetë i kufizuar”, tha Agustín Reyna, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Evropiane të Konsumatorëve (BEUC).
“Tarifat doganore paguhen nga importuesi. Në këtë rast, taksa 15 për qind që Shtetet e Bashkuara vendosin mbi produktet e BE-së aplikohet për importuesit amerikanë. Kjo do të thotë se disa produkte mund të bëhen më të shtrenjta për qytetarët amerikanë”, tha Reyna për Euronews.
Rritja e produkteve kineze
Në afat të gjatë, produktet kineze që aktualisht eksportohen në Shtetet e Bashkuara mund të gjejnë rrugën e tyre në tregun evropian, gjë që mund të çojë në çmime më të ulëta në Evropë.
“Efekti kryesor do të jetë një ulje e kërkesës për produktet evropiane në Shtetet e Bashkuara, më pak kërkesë për produktet kineze në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo do të thotë që këto produkte më pas do të përpiqen të gjejnë një treg në Evropë, çka përgjithësisht do të çojë në çmime më të ulëta”, tha Niclas Poitiers, studiues në Bruegel, për Euronews.
Megjithatë, këto çmime më të ulëta për konsumatorët evropianë do të ishin lajm i keq për disa biznese të caktuara.
“Ekzistojnë disa kompani që janë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me konkurruesit kinezë. Dhe për këto kompani, ato mund të përballen me një konkurrencë më të fortë dhe gjithashtu mund të kenë vështirësi me këto çmime më të ulëta. Pra, ka një efekt negativ,” tha Poitiers.
Ulje e kërkesës për produktet e BE-së në SHBA?
Kompani evropiane që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përballen me një ulje të kërkesës në anën tjetër të Atlantikut, pasi produktet e tyre mund të bëhen më të shtrenjta.
Kjo mund të çojë në një rënie të të ardhurave të tyre dhe potencialisht humbje të vendeve të punës në Evropë.
“Ekzistojnë disa kompani në sektorë të caktuar, si për shembull industria farmaceutike, ku ka një pjesë të madhe të eksportit dhe punësimit për gjëra që shkojnë në Shtetet e Bashkuara. Por, për shumicën e sektorëve, kjo përbën një pjesë të vogël të prodhimit,” tha Niclas Poitiers.
Si rezultat i marrëveshjes, Trump ka shprehur shpresën se kompanitë e huaja do të inkurajohen të hapin fabrika në SHBA për të shmangur pagesën e taksave doganore.
Megjithatë, papritshmëritë rreth marrëveshjeve dhe pasiguria rreth kohëzgjatjes së këtyre barrierave tarifore mund, përkundrazi, të dekurajojnë kompanitë evropiane nga investimi në SHBA.
“Kundërproduktive”
Në Bruksel, banorët që u intervistuan për kushtet e marrëveshjes së re thanë se mendonin se marrëveshja do të ketë pak ndikim në fuqinë e tyre blerëse.
“Nuk mendoj se do të ndikojë në jetën time të përditshme, ndoshta pak, por do të ndikojë më shumë tek amerikanët”, tha britaniku, Ian.
Ai shtoi se “mendoj se tarifat janë kundërproduktive. Mendoj se do të preferoja tregti të lirë dhe mendoj se është dëmtuese për amerikanët të vendosin tarifa për të gjithë”.
Carolina, shtetase italiane, beson se marrëveshja tregtare “do të ketë ndikim tek të gjithë në mënyra të ndryshme, varësisht nga fushat në të cilat punojmë dhe jetët që jetojmë.”
BE-ja është tepër e varur nga SHBA-ja dhe duhet të ketë më shumë autonomi ekonomike, tha ajo. /Telegrafi/
Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me lidhjet e mëparshme me miliarderin, Jeffrey Epstein, i cili është akuzuar për trafikim seksual të vajzave të mitura dhe skandale të tjera të rënda.
Në një konferencë të fundit për shtyp, ai tha se nuk kishte dijeni për motivet e Epstein dhe për arsyet pse ai ishte i përfshirë me vajza të reja.
“Nuk e kuptoja dot pse Epstein po merrte vajza të reja,” u shpreh 79-vjeçari, duke shtuar se nuk kishte asnjë informacion që të lidhej me aktivitetet e dyshimta të Epstein dhe se kjo sjellje i dukej krejtësisht e paqartë dhe e papranueshme.
Jeffrey Epstein, emër i njohur në qarqet e larta politike dhe financiare, është përballur me akuza serioze për trafikim seksual dhe shfrytëzim të vajzave të mitura. Ai u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në burg në rrethana të diskutueshme, duke nxitur teori dhe spekulime të shumta.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur hetimet për rrjetin e Epsteinit dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të jenë në fokus të mediave dhe organeve të drejtësisë në mbarë botën. Disa nga figurat më të fuqishme politike dhe biznesi janë përmendur në këto hetime, duke krijuar një skandal ndërkombëtar me pasojë dramatike për imazhin e tyre publik.
Trump ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të lidhjeve të kaluara me Epstein, por sipas tij, ai nuk ka pasur asnjë dijeni për veprimet kriminale të miliarderit. Ai ka mohuar çdo përfshirje personale në aktivitetet e dyshimta të Epstein.
Publiku dhe mediat vazhdojnë të ndjekin me kujdes zhvillimet e mëtejshme, duke kërkuar transparencë dhe drejtësi për viktimat e këtij skandali që ka tronditur botën. /Telegrafi/
Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë rënë dakord të zgjasin për 90 ditë një marrëveshje tregtare ekzistuese, me synimin për të arritur një marrëveshje më të qëndrueshme dhe afatgjatë gjatë kësaj periudhe.
Lajmi u konfirmua nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve fqinje.
“Ne kemi rënë dakord për një zgjatje 90-ditore dhe do të punojmë drejt një marrëveshjeje të përhershme që do të sjellë përfitime të ndërsjella,” shkroi ai në Truth Social.
Në kuadër të marrëveshjes së përkohshme, Meksika ka pranuar të heqë menjëherë barrierat jotarifore tregtare, duke lehtësuar shkëmbimet ekonomike dhe hapur rrugën për një treg më të lirë mes dy vendeve.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, komentoi në lidhje me zhvillimet e fundit, duke vlerësuar marrëdhënien me liderin amerikan.
“Trump na trajton me respekt,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e një dialogu të barabartë dhe konstruktiv ndërmjet dy vendeve.
Zhvillimet priten të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dy vendeve, sidomos në sektorët e bujqësisë, industrisë dhe tregtisë së lirë.
Analistët e shohin këtë si një hap pozitiv drejt forcimit të lidhjeve ekonomike mes SHBA-së dhe Meksikës. /Telegrafi/
Gjatë një bisede me investitorët e kompanisë Meta, drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg tha se “beson që njerëzit që nuk do të kenë syze me inteligjencë artificiale do të jenë në një disavantazh në të ardhmen”.
“Vazhdoj të mendoj se syzet do të jenë forma ideale për AI-në, sepse mund të lejoni që inteligjenca artificiale të shohë dhe të dëgjojë të njëjtat gjëra si ju, dhe të komunikojë me ju,” theksoi Zuckerberg.
“Shtimi i një ekrani në syze do t’i bëjë ato edhe më të vlefshme, qoftë përmes një fushe pamjeje holografike si ajo e syzeve AR të gjeneratës së ardhshme ‘Orion’ nga Meta, apo përmes një ekrani më të vogël që mund të përdoret në syzet e zakonshme me AI,” shtoi ai.
“Mendoj se në të ardhmen, nëse nuk keni syze që përmbajnë inteligjencë artificiale, apo ndonjë mënyrë për të ndërvepruar me të, ndoshta do të mbeteni dukshëm prapa në aspektin kognitiv krahasuar me njerëzit e tjerë,” përfundoi drejtori i Metës.
Meta është përqendruar në zhvillimin e syzeve të zgjuara dhe në këtë drejtim ka bashkëpunuar me kompani si Ray-Ban dhe Oakley.
Këto syze u mundësojnë përdoruesve të dëgjojnë muzikë, të bëjnë fotografi ose video dhe të bëjnë pyetje për Meta AI-në, përfshirë pyetje mbi ato që shohin.
Këto pajisje janë kthyer në një sukses të papritur për kompaninë, pasi të ardhurat nga shitja e syzeve Ray-Ban Meta janë më shumë se trefishuar krahasuar me vitin e kaluar. /Telegrafi/
Përdoruesit e TikTok-ut u hutuan dhe u argëtuan nga një video që u shpërnda më 26 korrik nga përdoruesi @kanem10.
Videoja, e cila ka mbledhur mbi 11 milionë shikime, tregon momentin kur qeni kërcen në një liqen të vogël për të rikthyer topin, vetëm për t’u përballur me një skenë të pazakontë.
Qeni, i quajtur Ottis, po notonte drejt topit që i kishte hedhur pronari i tij, por pak para se ta kapte, nga uji doli një peshk i madh që u përpoq ta gëlltiste topin.
Sipas pronarit, bëhet fjalë për një peshk të llojit troftë. Ottis nuk u hutua aspak dhe thjesht mori topin, edhe pse ai ishte ende në gojën e peshkut.
Kur arriti në breg, e lëshoi topin, dhe peshku filloi të kthehej drejt ujërave më të thella me topin në gojë.
“Nuk besoj se do ta përjetoj më ndonjëherë këtë gjë,” shkroi pronari i Ottisit. /Telegrafi/
Brabus, kompania e njohur gjermane për modifikimet luksoze dhe performancën ekstreme të veturave Mercedes, ka zbuluar modelin më të fuqishëm në historinë e saj – një coupe katër-dyersh hibrid që bashkon luksin, teknologjinë dhe fuqinë brutale.
I bazuar në Mercedes-AMG GT 63 S E-Performance, modeli i ri vjen me motor të dyfishtë: një V8 4.0-litërsh i zgjeruar në 4.5 litra dhe një motor elektrik prej 204 kuaj/fuqi.
Fuqia totale e makinës arrin në rreth 1000 kuaj fuqi dhe momenti rrotullues arrin 1820 Nm – megjithatë, për shkak të kufizimeve teknike, transmisioni automatik me 9 marshe është i limituar në 1620 Nm.
Pavarësisht statusit si hibrid plug-in, autonomia elektrike është relativisht modeste – vetëm 12 kilometra, falë baterisë prej 6.1 kWh.
Brabus ka njoftuar se modeli do të prodhohet në vetëm 25 njësi, me një çmim fillestar prej 450 mijë euro.
Ky është një model i dizajnuar për koleksionistët dhe entuziastët më të pasionuar të veturave luksoze dhe të fuqishme.
Në krahasim me modelin standard AMG, emetimet e CO₂ janë më të larta – 218 g/km, krahasuar me 180 g/km të versionit bazë.
Performancë e jashtëzakonshme:
Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h realizohet për vetëm 2.6 sekonda
0 në 200 km/h për 9.7 sekonda
0 në 300 km/h për 23.9 sekonda
Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 316 km/h /Telegrafi/
Në zemër të kryeqytetit kroat u zhvillua një nga paradat më të mëdha ushtarake të dekadës, në nder të 30-vjetorit të operacionit ushtarak “Oluja” (Stuhia), që shënon përfundimin e luftës së Kroacisë në vitin 1995.
Rreth 3100 pjesëtarë të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të tjera marshuan në bulevardet kryesore të Zagrebit, ndërsa mbi 450 mjete luftarake, duke përfshirë tanke Leopard, sisteme të blinduara Bradley, obusë modern, dronë luftarakë FPV, si dhe helikopterë Black Hawk u paraqitën në publik për të demonstruar fuqinë ushtarake të vendit.
Kulmi i paradës ishte fluturimi spektakolar i aeroplanëve të avancuar Rafale, të cilët Kroacia i ka blerë së fundmi nga Franca, raporton index.hr.
Pjesë e shfaqjes ajrore ishin gjithashtu grupi akrobatik, “Krila Oluje”, si dhe mbi 40 aeroplanë dhe helikopterë ushtarakë e policorë, të cilët dhuruan një spektakël të vërtetë për qytetarët e mbledhur në sheshet e qytetit.
Një risi e këtij viti ishte përfshirja e flotës detare kroate përmes transmetimeve të drejtpërdrejta në ekrane gjigante, ku u prezantuan 13 anije luftarake nga brigjet e Adriatikut.
Organizatorët deklaruan se parada kishte për qëllim jo vetëm nderimin e forcave kroate dhe të rënëve në luftë, por edhe dërgimin e një mesazhi të qartë për përgatitjen dhe kapacitetin mbrojtës të Kroacisë në një kohë tensionesh të reja ndërkombëtare. /Telegrafi/
Të paktën 30 palestinezë që po prisnin ndihma humanitare në veri të Gazës u vranë të mërkurën gjatë sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj civilëve të mbledhur.
Zëdhënësi i mbrojtjes civile në Gaza, Mahmud Bassal, tha se të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 300 janë plagosur në sulmin e ushtrisë izraelite.
Sulmet e përditshme të ushtrisë izraelite ndaj qendrave ku shpërndahen ndihma humanitare justifikohen me pretendimet për shitje të ndihmave dhe vjedhje nga ana e Hamasit, për të cilat pala izraelite nuk ka paraqitur prova.
Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, njoftoi se katër ditë pas fillimit të “pauzave taktike” të shpallura nga Izraeli, njerëzit ende po vdesin nga uria dhe kequshqyerja, dhe ka edhe viktima mes atyre që kërkojnë ndihmë, raporton aljazeera.
Nga ana tjetër, Mohammed Abu Salmiya, drejtor i spitalit Al-Shifa në Gaza, tha për mediat arabe se në institucionin e tij kanë mbërritur 35 të plagosur pasi ushtria izraelite hapi zjarr rreth tre kilometra në jugperëndim të kalimit kufitar Zikim.
Në mes të krizës humanitare dhe ngecjes së negociatave për armëpushim, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pritet të mbërrijë të enjten në Izrael.
Witkoff ka qenë i përfshirë në negociatat indirekte për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, të cilat u ndërprenë javën e kaluar kur Izraeli dhe SHBA tërhoqën delegacionet e tyre nga Doha.
Vizita e tij vjen pas njoftimit të Kanadasë, e cila duke ndjekur shembullin e Francës dhe Britanisë së Madhe, ka shpallur planet për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator. /Telegrafi/
Israeli forces opened fire on civilians as they reached humanitarian aid distribution points, resulting in numerous deaths and injuries. pic.twitter.com/iTbOQC8H6M
Trump dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë deri më 8 gusht.
Këtë e bëri të ditur diplomati i lartë amerikan, John Kelly, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se është koha të arrihet një marrëveshje paqësore mes palëve në konflikt.
Ai përmendi se presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë shumë i qartë në qëndrimin e tij, duke kërkuar që përfundimi i luftës të realizohet brenda afatit të caktuar deri më 8 gusht. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin masa shtesë dhe hapa konkretë për të siguruar që paqja të vendoset sa më shpejt.
Pak ditë më parë, lideri amerikan shprehu zhgënjimin me presidentin rus, Vladimir Putin, për mënyrën se si po trajtohet konflikti dhe refuzimin e Rusisë për të bërë kompromis.
Trump wants the war in Ukraine to end by August 8
This was stated by senior U.S. diplomat John Kelly at the UN Security Council meeting:
“It’s time to reach an agreement.President Trump has made it clear that this must be done by August 8.The United States is ready to… pic.twitter.com/NE8YkQOxqz
Ai gjithashtu shkurtoi ndjeshëm afatin që i kishte dhënë Moskës për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, nga 50 ditë në vetëm 10 deri në 12 ditë, duke treguar kështu seriozitetin e tij dhe urgjencën për zgjidhje.
Ndërkohë, Presidenti Putin vazhdon të qëndrojë i heshtur ndaj këtyre thirrjeve dhe nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete.
Ai vazhdon me sulmet ajrore mbi qytetet dhe fshatrat ukrainase, duke hedhur bomba mbi civilët e pafajshëm dhe duke shkaktuar viktima të panumërta.
Kjo vazhdimësi e dhunës dhe vrasjeve ka sjellë një situatë dramatike humanitare, ku mijëra njerëz janë lënë pa strehë dhe me pasiguri të madhe për jetën e tyre.
Ky konflikt i zgjatur dhe dhunues ka nxitur reagime dhe thirrje nga komuniteti ndërkombëtar për të ndalur gjakderdhjen dhe për të nisur bisedimet e paqes me një qëllim të vetëm: të rikthehet stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ukrainës dhe më gjerë. /Telegrafi/
Me vendim të Gjykatës së Qarkut të Sisakut, ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili po vuan dënimin në burgun e Lipovicës, është liruar me kusht.
Kjo është konfirmuar nga Gjykata e Qarkut në Sisak, dhe vendimi është marrë sot në një seancë të këshillit gjyqësor, raporton jutarnjilist.
Kujtojmë se Ivo Sanader ishte dënuar me një dënim prej 18 vitesh burg. Deri tani, ai është parë edhe në Zagreb dhe në Kutina, duke përfituar nga lehtësitë që i ofron Ligji për Ekzekutimin e Dënimeve me Burg.
Sot në Gjykatën e Qarkut në Sisak u mbajt gjithashtu një seancë gjyqësore, në të cilën, sipas informacioneve të mediumit kroat, është vendosur se ish-kryeministri i plotëson kushtet për t’u liruar nga burgu para se të vuajë të gjithë dënimin.
Dy vite më parë kishim shkruar se atëherë, 69-vjeçari Sanader, mund të qëndronte pas hekurave deri në moshën 80-vjeçare nëse gjykata nuk do t’i aprovonte lirimin e parakohshëm, për shkak të tre vendimeve të formës së prerë.
Për nxjerrjen e parave nga ndërmarrjet publike për fondin e zi të HDZ-së dhe për donacionet e paregjistruara në arkën e partisë, Sanader është dënuar me 7 vjet burg.
Për kërkimin dhe marrjen e 17.5 milionë kunave (rreth 2.3 milionë euro) nga Stjepan Fioliq në këmbim të favorizimit për shitjen e një ndërtese për Ministrinë, ai mori 6 vjet burg.
Për dorëzimin e të drejtave menaxhuese mbi kompaninë INA kompanisë hungareze të naftës në këmbim të një ryshfeti prej dhjetë milionë eurosh, është dënuar me 6 vjet burg. /Telegrafi/
Sa shpesh përdorni skanerin e integruar të QR kodeve në Android?
Mund ta shtoni lehtësisht në panelin e Cilësimeve të Shpejta (Quick Settings), dhe tani që është përmirësuar, më në fund mund t’ju shërbejë mirë. Nëse nuk doni ta shtoni në Quick Settings, skanerin e QR kodeve mund ta hapni edhe nga shkurtorja në ekranin e kyçur.
Shkoni te Cilësimet > Ekrani dhe prekja > Ekrani i kyçur > Shkurtoret, që do t’ju lejojë të ndryshoni dy shkurtoret në ekranin e kyçur që ndodhen në qoshet e poshtme majtas ose djathtas të ekranit.
Zgjidhni skanerin e QR kodit dhe vendoseni si shkurtore majtas ose djathtas, pastaj shtypni butonin “Zbato” në këndin e sipërm djathtas. Kjo është e gjitha! Nëse përdorni shpesh skanerin e QR kodeve, shkurtorja në ekranin e kyçur është opsioni më i mirë për ju.
Google kohët e fundit përditësoi skanerin e QR kodeve pas njoftimeve të muajit maj. Kur e hapni, do të vini re se Google ka shtuar një animacion të vogël që tregon se si katër qoshet e një katrori të rrumbullakosur bashkohen së bashku.
Para përditësimit, nëse QR kodi i skanuar identifikohej, URL adresa e faqes që kodi drejtonte shfaqej bashkë me një buton me tekstin “Hap”.
Tani, QR kodi shfaqet në qendër të ekranit. URL-ja ndodhet pranë fundi të faqes me tre butona në formë pilule që ju mundësojnë veprimet e mëposhtme:
Hap – Ju çon në faqen për të cilën është krijuar QR kodi
Kopjo tekstin – Kopjon URL-në që ta ngjisni më vonë diku tjetër
Ndaj – Hap funksionin e ndarjes së Android-it, duke ju mundësuar të ndani URL-në direkt përmes WhatsApp-it, email-it etj. /Telegrafi/
Në botën e sizmologjisë, tërmeti që goditi së fundmi zonën e Kamchatkës, Rusi është cilësuar si një prej më të fuqishmëve që janë regjistruar ndonjëherë.
Me një magnitudë prej 8.8 ballësh sipas shkallës së Rihterit, ai futet në kategorinë e tërmeteve monstruoze – ngjarje të rralla që kanë potencialin të shkaktojnë shkatërrim masiv dhe humbje të mëdha në njerëz, raporton skynews.
Megjithatë, ndryshe nga ç’pritet zakonisht nga një tërmet i këtij kalibri, ky episod sizmik kaloi me pasoja dukshëm më të lehta se ç’do ishte supozuar.
Pyetja që lind natyrshëm është – Pse ndodhi kjo? Pse një tërmet kaq i fuqishëm pati një ndikim relativisht të kufizuar?
Një tërmet i parashikuar nga shkencëtarët
Në fakt, ky tërmet nuk ishte plotësisht i papritur për komunitetin shkencor.
Disa sizmologë kishin kohë që paralajmëronin për rrezikun e një tërmeti të madh në këtë rajon.
Ai ndodhi përgjatë kanionit Kuril-Kamchatka, një vijë e thellë zhytjeje në fundin e oqeanit, ku pllaka tektonike e Paqësorit zhyten nën pllakat e Amerikës së Veriut dhe Okhotsk.
Kjo zonë njihet si një nga segmentet më aktive të “Rrethit të Zjarrit të Paqësorit” – një brez sizmik që përfshin një pjesë të madhe të oqeanit Paqësor dhe është i njohur për tërmetet e fuqishme dhe shpërthimet vullkanike që shkakton.
Këto zona zhytjeje krijojnë tension të madh tektonik, që kur lirohet në mënyrë të papritur, prodhon tërmete masive dhe shpesh cuname të fuqishme.
Një ngjarje që ka pritur dekada për t’u ndodhur
Tërmeti i fundit i madh në këtë pjesë të Gadishullit Kamchatka ishte regjistruar në vitin 1952, rreth 30 kilometra larg epiqendrës së kësaj goditjeje të fundit.
Që nga ajo kohë, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, është akumuluar një sasi e konsiderueshme tensioni tektonik – rreth gjashtë metra zhvendosje e pritshme përgjatë kësaj vije përplasjeje, transmeton Telegrafi.
Në javët para tërmetit, janë regjistruar disa “paratërmete”, përfshirë një tërmet me magnitudë 7.4 më 20 korrik.
Kjo seri ngjarjesh sugjeroi se presioni i grumbulluar prej dekadash po fillonte të çlirohej, duke sinjalizuar se një tërmet edhe më i madh mund të ishte afër.
Megjithatë, edhe me gjithë këto shenja, parashikimi i saktë i momentit kur ndodh një tërmet, fuqisë së tij reale dhe nëse do të shoqërohet me cunami mbetet një sfidë për shkencën.
Asnjë teknologji aktuale nuk është në gjendje të japë një paralajmërim të saktë dhe në kohë reale për tërmetet.
Tërmet i madh, por pa cunami katastrofik
Një nga arsyet kryesore pse ky tërmet nuk solli pasoja shkatërrimtare ishte mungesa e një cunami gjigant.
Nuk është gjithmonë e thënë që një tërmet i madh të çojë automatikisht në një cunami katastrofik.
Faktorët që ndikojnë në krijimin dhe fuqinë e një cunami përfshijnë:
sasinë e lëvizjes së funddetit,
zona gjeografike ku ndodh kjo lëvizje,
thellësinë e ujërave mbi të.
Deri më tani, informacionet sugjerojnë se edhe në zonat më pranë epiqendrës, vala e cunamit ishte e qëndrueshme dhe shumë më e vogël në krahasim me cunamin shkatërrues që goditi Japoninë në vitin 2011.
Atëherë, tërmeti me magnitudë 9.1 shkaktoi valë detare që arrinin deri në 40 metra lartësi dhe morën rreth 20 mijë jetë njerëzish.
Më pak viktima për shkak të vendndodhjes dhe paralajmërimeve
Një tjetër faktor thelbësor që ndihmoi në kufizimin e pasojave tragjike është se kjo zonë e Kamchatkës është shumë pak e populluar.
Sipas autoriteteve ruse dhe raportimeve nga Kremlini, deri më tani nuk janë raportuar viktima në Rusi.
Ky është një dallim i madh në krahasim me tërmetet që kanë ndodhur në vende si Japonia apo Indonezia, ku dendësia e popullsisë është shumë më e lartë dhe rreziku për humbje të jetës është gjithmonë më i madh.
Një rol të rëndësishëm mund të kenë luajtur edhe tërmetet paraprake. Pas tërmetit të 20 korrikut, u aktivizuan menjëherë alarmet për cunami, duke u dhënë banorëve kohë të ngjiteshin në vende më të sigurta, më të larta.
Në momentin kur ndodhi goditja kryesore, e cila ishte mbi 10 herë më e fuqishme se ajo paraprake, shumë prej njerëzve mund të kenë qenë tashmë në lëvizje, ose të paktën më të ndërgjegjësuar për rrezikun.
Edhe pse tërmeti në Kamchatka ishte një nga më të fuqishmit që është regjistruar ndonjëherë, një kombinim faktorësh – vendndodhja e largët, paralajmërimet paraprake, mungesa e një cunami të madh dhe dendësia e ulët e popullsisë – ndihmoi që kjo fatkeqësi natyrore të mos shndërrohej në një tragjedi të përmasave masive. /Telegrafi/