Superliga e Arabisë Saudite përgatit një goditje të re për futbollin evropian sa i përket blerjeve
Liga Profesionale e Futbollit e Arabisë Saudite po planifikon të rrisë ndjeshëm numrin e lojtarëve të huaj për ekip – nga tetë në dhjetë – duke paralajmëruar një valë të re transferimesh me shuma të mëdha parash në skenën globale.
Ky veprim, i nxitur nga suksesi i Cristiano Ronaldos, pritet të trondisë më tej tregun e futbollit dhe ta bëjë ligën edhe më konkurruese në nivel ndërkombëtar.
E gjitha filloi me mbërritjen e Cristiano Ronaldos te Al Nassr në janar të vitit 2023, transferim që u shndërrua në pikë kthese për gjithë futbollin saudit. Ardhja e tij shkaktoi menjëherë ndryshime në rregullore, kur numri i të huajve u rrit nga shtatë në tetë, me synimin e qartë për të tërhequr emra të mëdhenj nga bota në Lindjen e Mesme.
Rezultati nuk vonoi të vinte. Ronaldo u pasua shpejt nga fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema, nga superylli brazilian Neymar, kampioni i botës N’Golo Kanté, si dhe nga emra të njohur të futbollit europian si Sadio Mané, Riyad Mahrez, Sergej Milinković-Savić, Rúben Neves dhe shumë të tjerë.
Revolucioni i tregut: Numri i të huajve rritet në 10
Tani liga është gati për një hap tjetër të madh. Sipas gazetarit me ndikim në futbollin saudit, Alshenaif, të cilin e citon gazeta spanjolle AS, federata po përgatitet ta zyrtarizojë rritjen e numrit të të huajve në 10 për çdo skuadër.
Rregulli i ri, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të gushtit, do të lejojë që tetë lojtarë të huaj të jenë në fushë në çdo moment, ndërsa dy të tjerë të jenë në stol – pa kufizime moshe.
Ky është një sinjal i qartë se klubet po përgatiten për një tjetër “sulm” gjatë afatit kalimtar të verës, i cili në Arabinë Saudite zgjat nga 20 korriku deri më 10 shtator.
Një klub i ri me ambicie të mëdha
Valës së re të investimeve i është shtuar edhe një prurje interesante në elitën saudite: klubi NEOM SC. Bëhet fjalë për një ekip të sapoformuar që vjen nga një projekt futurist – një qytet inteligjent që po ndërtohet në bregdetin e Detit të Kuq. Klubi ka ambicie të qarta për të qenë konkurrues që nga viti i parë dhe po ndërton një skuadër me emra të rëndësishëm.
NEOM ka konfirmuar tashmë dy transferime të forta: Alexandre Lacazette nga Lyon dhe portierin Marcin Bulka nga Nice. Po flitet edhe për një transferimit të Granit Xhakës në këtë klub.
Ndërkohë, mediat raportojnë se Theo Hernández ka arritur marrëveshje me Al Hilal, ndërsa Mateo Retegui, sulmuesi i kombëtares italiane, përmendet si ylli i radhës që mund të transferohet në Arabinë Saudite. /Telegrafi/
The post Superliga e Arabisë Saudite përgatit një goditje të re për futbollin evropian sa i përket blerjeve appeared first on Telegrafi.