Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Koncert dedikuar fëmijëve, Rame Lahaj dhe Kori i Fëmijëve dhe Orkestra “Amadeus”

Edhe këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Operas Rame Lahaj, hap dyert e muzikës klasike brezit më të ri në Prishtinë, atyre që dëgjojnë me zemër dhe ëndërrojnë pa kufi.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operas Rame Lahaj, organizohet  një koncert i veçantë dedikuar fëmijëve, në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus”. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur edukimin kulturor të brezave të rinj, duke i afruar ata me bukurinë dhe emocionet e muzikës klasike.

Një nga shtyllat themelore të rrugëtimit të festivalit mbetet edukimi i brezave të rinj përmes artit dhe kulturës duke krijuar hapsira për pjesëmarrjen e femijëve jo vetëm si spektatorë por edhe si pjesëmarrës.

Pse muzika klasike për fëmijët?

Sepse ata janë publiku dhe artistët e së ardhmes. Përmes kësaj nisme, dëshirojme t’u japim fëmijëve mundësinë të përjetojnë tinguj dhe ngjyra të reja të muzikës dhe të nxisim pasionin për artin në një moshë të hershme.

Ejani më 27 korrik bashkë me fëmijët tuaj, në Hyperactive, Prishtina Mall ora 13:30, sepse muzikantët e së nesërmes, rriten sot!/ KultPlus.com

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj, pesë ditë para se të shuhej

Albert Vataj

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare.

Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.

Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.

Martin Camaj

7 Mars 1992./ KultPlus.com

Me moton #MitroLove, Mitrovica International Jazz Days vjen prej 8 deri më 10 gusht

Festivali Mitrovica International Jazz Days rikthehet nga data 8 deri më 10 gusht 2025, duke sjellë përsëri në qytet tingujt e mrekullueshëm të muzikës xhaz, performanca të shkëlqyera nga vende të ndryshme të botës dhe momente të paharrueshme.

Me moton #MitroLove, festivali vazhdon misionin e tij për të promovuar muzikën cilësore dhe për të fuqizuar të rinjtë dhe gratë në skenën lokale dhe ndërkombëtare të xhazit.

Këtë vit hapet edhe një mundësi e veçantë: Mitrovica International Jazz Days fton muzikantë të rinj 18-30 vjeç që luajnë jazz, rock, alternative, hip-hop, punk, metal, new wave, fusion, pop dhe zhanre të tjera moderne, të aplikojnë për performancë si solistë ose si grup deri në pesë muzikantë. Aplikimi është i hapur deri më 25 korrik 2025.

Të rinjtë e talentuar janë të mirëpritur të performojnë në skenat alternative të festivalit! Ju rikujtojmë se në pranverën e këtij viti, MIJD prezantoi për herë të parë Serinë e Muajit të Xhazit me emra të mëdhenj si muzikantja ikonike Aziza Mustafa Zadeh, Elina Duni dhe Nils Kugelmann Trio (promovuar nga stenda gjermane në panairin më të madh të xhazit në Europë, JazzAhead). Me dashuri, Mitrovica mirëpret të gjithë adhuruesit e muzikës në vendin tonë! #MitroLove/ KultPlus.com

Ali Podrimja në detaje e përshkroi vdekjen buzë lumit

Ali Podrimja

E nata ka mbuluar gjurmët dhe klithjet

Je shtrirë buzë lumit i sëmurë
lumit i ke folur në veshin guaskë
ai të ka bartur
dikah të ka bartur
kah vedi
e ti i ke folur me zemër
e dhimbje e të rëna ke ndjerë
në shpirt
në trup

e ti i ke folur lumit të thellë
ai ka ikur kah brigjet e humbura
prej sëmundjes sate ka ikur

e ti je shtrirë buzë lumit të gufuar

lumi ka përgjuar jetën tënde tërë kohën
të ka pushtuar si magjia të ka mashtruar pastaj
lumi të ka vënë në gjumë pas nëntëdhjetenëntë
vjet pagjumësie
dhe ka ikur kah brigjet e humbura

ti ashtu me shpirt në hava i shtrirë
ke soditur sytë e zgurdulluar të heshtjes

e nata i ka mbuluar gjurmët dhe klithjet./KultPlus.com

Trump firmos vendimin: SHBA nuk do ndërhyjë më në zgjedhjet e vendeve të huaja!

Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë reagimet mbi besueshmërinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet e tjera, një ndryshim rrënjësor nga ‘tradita’ shumëvjeçare e promovimit të zgjedhjeve demokratike nëpër botë.

Një udhëzim i ri, i nënshkruar të enjten nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, urdhëron që deklaratat për zgjedhjet e huaja të përqendrohen vetëm në përgëzimin e kandidatit fitues dhe “të shmangin shprehjen e mendimeve mbi ndershmërinë apo integritetin e procesit zgjedhor, legjitimitetin e tij apo vlerat demokratike të vendit përkatës.”

Në thelb, SHBA nuk do të shërbejë më si ‘gjykatës’ për proceset zgjedhore jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, ku gjithmonë para dhe gjatë zgjedhjeve, lëshohen deklarata nga Ambasada Amerikane në Tiranë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Departamenti i Shtetit do të bëjë deklarata publike për zgjedhjet vetëm kur “ka një interes të qartë dhe të fuqishëm të politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë”, thuhet në memorandum, i cili thekson rëndësinë që administrata i jep “sovranitetit kombëtar.” Një kopje e dokumentit është parë nga “The Ëall Street Journal”./ KultPlus.com

Kur je kurvë me mandat!

Ata që dikur bërtisnin në protesta, sot bëjnë pazare në zyrë.
Ata që dikur ishin “opozitë e moralit”, sot janë seks politik me rrotacion.
Të gjithë kanë nga një dosje, nga një bombë, nga një partner të fshehtë në koalicion e jashtë tijë, hynë bashkë e mandej përçahen e shajnë njëri tjetrin, ama kurvërinë institucionale e mbulojnë para kamerave televizive me buzëqeshje false.

Nga Dijana TOSKA

Na kanë lodhur me krenarinë tonë të lashtësisë.
Çdo krizë politike e morale e përballojmë me një fjali të vetme: “Jemi një ndër popujt më të lashtë në botë!”
Ne lindëm bashkë me diellin, tokën, Evën e Adamin i dhamë botës alfabetin, pastaj  i rrezistuam të gjitha furtunave historike ngase ishim trima legjendarë, pastaj na doli se gjatë studimit të evoluimit të specieve dhe njerëzimit në përgjithësi në ADN tona, informacioni gjenetik (te një pjesë e jona) na veçon për Kurvëri.

Prandaj,  sot  “të jesh kurvë” nuk është më ofendim, është strategji.
Është formulë për mbijetesë politike, për karrierë multiinstitucionale e shvaleraj mediatik.

Kur i shet idealet për një karrige, kur i ndërron bindjet si çorapet e bardha sipas sondazheve, kur nënshkruan marrëveshje e nuk i respekton kurrë, kur ligjet trajtohen si oferta, e drejtësia si monopol, kur postet kalkulohen me monedha brenda një martese qeveritare, atëherë nuk je më politikan.

Je kurvë me mandat.

Sot, nuk ka më ideologji, bindje, program apo profesionalizëm e meritokraci.
Sot, ka treg, ka klientë dhe ka çmime, varësisht nga aftësia për tu shitur.
Dhe kush nuk e shet veten,  mbetet jashtë tregut, pa çmim, pa vlerë dhe mbetet kërkushi.

Ata që dikur bërtisnin në protesta, sot bëjnë pazare në zyrë.
Ata që dikur ishin “opozitë e moralit”, sot janë seks politik me rrotacion.
Të gjithë kanë nga një dosje, nga një bombë, nga një partner të fshehtë në koalicion e jashtë tijë, hynë bashkë e mandej përçahen e shajnë njëri tjetrin, ama kurvërinë institucionale e mbulojnë para kamerave televizive me buzëqeshje false.

Dhe qeshin me zë të lartë kur i pyet kush se cili është  çmimi i shërbimeve të tyre në një shtëpi publike me emrin Shtet.
Dhe ne, populli i lashtë pellazgo-ilir, nuk reagojmë, kemi bërë kompromis me moralin duke e pranuar kurvërinë si kulturë shtetërore. Por, edhe nëse ndodhë të reagojmë  e protesojmë, këtë nuk e bëjmë pse udhëhiqemi nga idealet etike e qytetare, por pse ende mundohemi t’i mbrojmë standardet false që  na i imponon kjo kurvëri politike. Si klientë të rregullt, të përdorur e të heshtur në vazhdimësi kemi paguar çmimin më të shtrejtë, herë me djersën e ballit e diku edhe me ate të shpinës pa kërkuar hesape e as kusur.
Në këtë bordello moderne që quhet qeverisje demokratike, ne  kemi mbetur të vjetër, jo të mençur.
Kurvëria na është bërë pjesë e mendësisë!

Shkup, 18 korrik 2025/ KultPlus.com

Ka vdekur Luljeta Kujtim Goranci, karikaturistja e parë grua në Kosovë 

Ka vdekur pionierja e karikaturës Luljeta Kujtim Goranci  (1951-2025), dhe për vdekjen e saj është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Galerisë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.  

Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Luljeta Gorancit, karikaturistja e parë grua në Kosovë, një figurë e rëndësishme e arteve pamore në vend. Për më shumë se pesë dekada, ajo i kontribuoi skenës artistike me një praktikë multidisciplinare, duke i dhënë formë dhe ngjyrë realitetit ku vepronte, dhe zërit të grave përmes karikaturës, ilustrimit, qeramikës dhe pikturës. Lindur dhe rritur në Prizren, qytet që mbeti frymëzim i përhershëm për krijimtarinë e saj, Luljeta shprehej: “Prizreni është motivi im i përjetshëm. Sa herë mendon që e ke kapur tërësinë e tij, hapen edhe dhjetëra rrugë e motive të reja.” 

Veprat e saj trajtojnë tematika feministe, politike dhe shoqërore, e përfshijnë edhe reagime të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale si pandemia apo ngrohja klimatike ndër të tjera. Goranci ka ekspozuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Vojvodinë dhe më gjerë, duke prezantuar një praktikë që ishte përgjigje ndaj kohës dhe sfidave të saj.

Përveç kontributit të saj si artiste, Goranci ishte edhe një mentore dhe aktiviste e përkushtuar. Ajo mësoi vullnetarisht për shumë vite fëmijët me aftësi të veçanta, duke vepruar gjithmonë me frymën e Nënës Terezës, të cilën e kishte udhërrëfyese jetësore. Ajo besonte thellësisht se arti nuk duhet të ushqejë urrejtje, por të ngjallë tolerancë, dashuri dhe frymëzim. 

Duke mos u ndalur së krijuari asnjëherë, Luljeta Goranci u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar kulturore e shpirtërore në kujtesën kolektive të një shoqërie që ajo e sfidoi dhe e preku përmes artit.

(1) Luljeta Goranci, Nëna Terezë, 2005. Qeramikë, 33 × 33 cm. Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

(2–5) Karikatura dhe shtojca shtypi nga arkivi personal i artistes, të dokumentuara gjatë një vizite në studion e saj në nëntor të vitit 2024 nga ekipi i Galerisë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com 

Baritoni Gëzim Myshketa sonte debuton në Spanjë, ndanë skenën me emra të mëdhenj të skenës operistike 

Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa sonte do të debutojë në “Teatro Real” të Madridit në Spanjë, dhe në këtë debutim do të prezantohet me shfaqjen operistike “La Traviata”, shkruan KultPlus. 

Baritoni Myshketa do të prezantohet më 17, 20 dhe 23 korrik, dhe në këtë shfaqje operistike do ta ndajë skenën me artistë të mëdhenj të skenës operistike botërore si: Nadine Sierra, Diego Florez dhe Xabier Anduaga.  

Kjo shfaqje operistike do të prezantohet nën përcjelljen e korit dhe orkestrës së “Teatro Real Madrid”, nën dirigjimin e Henrik Nanasi. 

Gëzim Myshketa është një prej baritonëve më të suksesshëm shqiptar që është prezantuar në skena të ndryshme të Evropës, duke u rikthyer shumë shpesh edhe në Shqipëri dhe Kosovë./ KultPlus.com / KultPlus.com 

Libri me poezi i Sali Bashotës botohet në gjuhën malazeze

Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) në Podgoricë, këto ditë botoi librin me poezi të poetit, Sali Bashota, me titullin “Legenda sna” (“Legjenda e ëndrrës). Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Qazim Muja, me parathënie të shkrimtarit të njohur malazez, Mirash Martinoviq. 

Bashota deri më tani ka botuar mbi pesëdhjetë vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, duke përfshirë vepra me poezi, prozë poetike, ese, studime letrare, publicistikë. Libri i botuar në gjuhën malazeze është një përzgjedhje nga krijimtaria e tij letrare me poezi.

Librat e Bashotës me poezi janë: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) “Bukuri e nëmur” (2006), “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017), “Asnjë zë tjetër” (2018). “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020), “Matanë dashurisë është një lumë” (2023), ndërsa me prozë poetike ka botuar këto vepra: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), “Mëkati i buzëqeshjes” (2023).

Në fushën e studimeve letrare, Bashota ka botuar veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018), “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).

Poezia e Bashotës është përkthyer dhe botuar në libra të veçantë në vende të ndryshme të botës, si në Francë, Zvicër, Rumani, Bullgari, Çeki, Hungari, Greqi, Suedi, Finlandë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Veprat e tij të përkthyera deri më tani janë: “Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “Ako stanam angel” (2006), Ploaia fara Tine” (2008), “Beauté Maudite” (2010), “Прокълната красота” (2012) , “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Ηάλλη όψη του” (2016), “Albán éjzaska” ( 2017), “La ŝtono de la amo” (2017), “Whispering Agony – a quarantine book” (2020), “Musta sade” (2025), “Legenda sna” (2025) etj.

Gjithashtu, në Prishtinë, Tiranë, Tetovë etj., nga botues të ndryshëm janë botuar me dhjetëra vepra të zgjedhura të autorit, kryesisht me poezi, ndërkaq në vitin 2023, Shtëpia Botuese Logos- A në Shkup, botoi kompletin e veprave të Bashotës në gjashtë vëllime, në të cilin përfshihet krijimtaria e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare.

Sali Bashota është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë çmimet letrare “Pjetër Bogdani”, “Serembe”, “Ibrahim Rugova”, “Ali Podrimja”, “Pena e Artë”, “Menada” etj. 

Në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, ndërkaq në Festivalin Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”, u shpall Poeti Laureat i vitit 2024.

Parathënia e librit:

Mirash Martinoviq

PALLATI POETIK ME PORTA TË PANUMËRTA

(Sali Bashota: “Legenda sna”, CEKUM, Pogdoricë, 2025)

Jam i befasuar. Në kuptimin më të bukur dhe me ndjenjën më të bukur. Nuk e besoja se ekziston një poet i tillë. Duke lexuar “Legjendën e ëndrrës”, u binda. Poeti quhet Sali Bashota. Ndihem i privilegjuar që mund të shkruaj disa fjalë hyrëse për këtë libër. Një çelës i vogël për Pallatin e Madh të Poezisë, çdo poezi e të cilit është një portë që duhet shkyçur në mënyrë që bota ta gjejë veten në Univers.

Nëse do ta lidhja me ndonjë nga poetët botërorë, edhe pse ai është autentik dhe vetvetja, do të ishte Cesare Pavese (“Vdekja do të vijë dhe do të ketë sytë e tu”). Dhe, nëse një ose më shumë nga poezitë që përbëjnë këtë libër, do t’i zgjidhja për një antologji të mundshme, do të ishte një detyrë shumë e vështirë. Secila prej tyre është për një antologji, dhe atë evropiane dhe botërore, të poetëve të mëdhenj, e më të mëdhenjve. Megjithatë, njërën do ta veçoj për këtë rast, për shkak të poetit të madh, mikut tonë të përbashkët.

MËSOHU ME VDEKË SI ALI PODRIMJA

Këpute edhe këtë degë druri

Këpute si litarin

Hap shteg derisa të dalë shpirti 

Shteg në majë të bregut

Merre me vete simfoninë e heshtjes

Merre nëse zbardhet qielli

Vraje shpendin e zi të natës

Vraje nga pabesia

Beso në simbolin e fjalës së dhënë

Beso aty ku fle malli

Digju brenda syrit të mirë

Digju vetëm për afshin

Mësohu me vdekë si Ali Podrimja

Mësohu me vdekë afër një lumi

Edhe unë personalisht, me të dëgjuar lajmin e vdekjes së Aliut, shkrova një cikël me poezi, “Bari i tufave të yjeve”, duke ia kushtuar atij.

Libri “Legjenda e ëndrrës” më mahniti. Poeti i saj më magjepsi, ma ktheu shpresën te Poezia, më bindi se sa është fuqia e saj. Bashota di t’i shndërrojë çastet në përjetësi. Çdo poezi e tij është një jetë mbas jetës. Edhe pse ai këndon për vdekjen – vdekje nuk ka. Jam i lumtur që kjo poezi, përveç që jeton në disa gjuhë evropiane, tani jeton edhe në gjuhën time – malazeze. Kam besuar se Ali Podrimja ishte poeti më i madh shqiptar që kishte nxjerrë Kosova. Për gëzimin e të gjithëve, ja këtu është një tjetër – që është i vetvetes dhe i madh.

I jam mirënjohës Qazim Mujës, i cili e përktheu librin nga shqipja në gjuhën malazeze. Ai përktheu një korpus librash të shkrimtarëve shqiptarë dhe malazezë, duke krijuar kështu ura të qëndrueshme midis dy popujve dhe dy letërsive.

Respekt i madh për të dy, Poetin dhe Përkthyesin! Si do të ishte bota pa poetë, si do të ishin gjuhët pa përkthyes?!

Në Herceg Novi, 3 mars 2025/ KultPlus.com

Ambasada e Malit të Zi në Kosovë sjell filmin “Kisha dhjetë vjet”, premiera në Pejë 

Ambasada e Malit të Zi në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Pejës, do të prezantojë premierën kosovare të filmit dokumentar “Kisha dhjetë vjet” të autorit Velibor Čović. 

Kjo premierë e filmit të Malit te Zi do të prezantohet më 23 korrik 2025, në kino Jusuf Gêrvalla në Pejë, në ora 19.00. 

Ky dokumentar përcjell një mesazh të fuqishëm human dhe evokon një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë moderne të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës. 

ilmi është vlerësuar me Çmimin Special për kontribut të shquar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Nju Jork, me arsyetimin se “jep shembuj të vlerave universale njerëzore në trashëgiminë e luftës”./ KultPlus.com 

Opera dhome, shfaqet për herë të parë në kishën Shën Lucia në Durrës

Kompozitori Red Radoja krijoi veprën “Ëndrra e Gotfridit” që u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.

Radoja, që jeton dhe krijon prej vitesh në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani, për herë të parë, ajo vjen në versionin shqip, duke sjellë një premierë unike për skenën shqiptare, ku muzika klasike, elementet shqiptare, ëndrrat dhe realiteti bashkohen në një akt të vetëm.

Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës lirike, si tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental, i cili u dirigjua në piano nga vetë autori.

“Ëndrra e Gotfridit” u prit me entuziazëm nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që lidh krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës./ KultPlus.com 

Publikohet fotografia e parë nga seriali i ri “Harry Potter”, HBO zbulon kastin e ri

Magjia rikthehet me pamjen e parë nga adaptimi televiziv i shumëpritur i sagës “Harry Potter”. HBO publikoi sot fotografinë e parë zyrtare nga seriali, ku shfaqet aktori i ri Dominik McLaughlin në rolin e magjistarit të famshëm, duke mbajtur syzet karakteristike dhe veshjen klasike të shkollës së magjisë, Hogwarts. Në dorë ai mban një klaketë xhirimi, duke sinjalizuar fillimin e një epoke të re për fansat e kësaj bote të dashur.

Dominik McLaughlin do të pasojë Daniel Radcliffe në rolin që e bëri atë një ikonë globale, teksa HBO premton një “adaptim besnik” të librave të J.K. Rowling. Seriali do të publikohet në vitin 2027 në HBO dhe HBO Max, si dhe në disa tregje ndërkombëtare përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Produksioni ka zbuluar disa emra të rinj të kastit, si Rory Wilmot (Neville Longbottom), Amos Kitson (Dudley Dursley), Louise Brealey (prof. Rolanda Hooch) dhe Anton Lesser (Ollivander). Ndërkohë, emra të njohur që janë konfirmuar më herët përfshijnë John Lithgow si Albus Dumbledore, Paapa Essiedu si Minerva McGonagall, Janet McTeer si Severus Snape dhe Nick Frost në rolin e Hagridit.

Në qendër të serialit do të jetë treshja e re e protagonistëve: McLaughlin si Harry, Alastair Stout si Ron dhe Arabella Stanton si Hermione. Të tre aktorët e rinj pritet të udhëheqin projektin për të paktën një dekadë, sipas planeve afatgjata të HBO.

Autorja J.K. Rowling do të jetë vetë pjesë e ekipit si producente ekzekutive, duke garantuar që seriali do t’i qëndrojë sa më afër origjinalit letrar që ka magjepsur breza të tërë. Fansat anembanë botës tashmë janë në pritje të këtij udhëtimi të ri drejt Hogwarts-it./ KultPlus.com

Gërmime në sitin arkeologjik ku ndodhen 400 varre nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit: Tuma ilire e Kamenicës

Një grup arkeologësh dhe filologësh nga Austria i janë drejtuar sitit ku gjenden mbi 400 varre që datojnë nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit si dhe objekte, stoli, armë dhe vegla që tregojnë shumë për jetën, zakonet, strukturat shoqërore dhe besimet e popullsisë ilire.

Për arkeologun Olsi Lafe, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve në vitin 2000, Tuma Ilire e Kamenicës ka rëndësi të jashtëzakonshme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike.

Një grup vizitorësh nga Austria, të përfshirë kryesisht në fushën e arsimit dhe arkeologjisë, kanë zhvilluar një tur kulturor në Shqipëri, duke vizituar Tiranën, Shkodrën dhe disa site arkeologjike me rëndësi historike. Ata janë shprehur të impresionuar nga pasuria arkeologjike dhe prezantimi profesional i trashëgimisë kulturore shqiptare. Një pjesë e tyre janë mësues nga Vjena, të interesuar për arkeologjinë e Ballkanit, pasi kanë studentë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, dhe e konsiderojnë të vlefshme këtë eksperiencë për të kuptuar më mirë prejardhjen e tyre. Një vizitor tjetër, i specializuar në arkeologjinë nënujore dhe punonjës në universitetin e Salzburgut, ka vlerësuar rëndësinë unike të Tumës Ilire të Kamenicës dhe lidhjen e saj të veçantë me vendndodhjen gjeografike. Në përgjithësi, ata e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend shumë interesant me potencial të madh arkeologjik. Vizitorët austriakë e kanë vlerësuar Tumën Ilire të Kamenicës si një destinacion me rëndësi të veçantë dhe vlera të jashtëzakonshme kulturore.

Tuma e Kamenicës, e vendosur vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës, përbën një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. E njohur për përmasat e saj mbresëlënëse dhe për ruajtjen e jashtëzakonshme të strukturës, ajo konsiderohet si një nga tumat më të mëdha të periudhës ilire.

Kjo pasuri arkeologjike është shumë më tepër sesa një varrezë prehistorike, ajo është një dëshmi autentike e vazhdimësisë kulturore, sociale dhe shpirtërore të ilirëve. Përveç vlerës shkencore dhe historike, ajo përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në rajon, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve të rëndësishme për trashëgiminë iliro-ballkanike.

Dhembja e ‘lumshme’ e Podrimjes

Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë, ku përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Me shkrime Podrimja filloi të merret qysh si gjimnazist. Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e Re”, nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi edhe librin e tij të parë “Thirrje”. Krijimtaria e tij përfaqëson një kontribut të thellë në zhvillimin e poezisë shqipe, si në aspektin tematik, ashtu edhe në atë stilistik e gjuhësor, një kulm të poezisë shqipe moderne dhe është e njohur për fuqinë shprehëse, përthyerjet stilistike dhe thellësinë emocionale.

Veprat kryesore të Ali Podrimjes janë:

“Thirrje” (1961);

“Dhimbë e bukur” (1967);

“Sampo” (1969);

“Credo” (1976);

“Lum Lumi” (2003).

Përmbledhja më prekëse kushtuar humbjes së djalit të tij, që mbetet një nga veprat më kulmore, emocionale dhe letrare të tij është “Lum Lumi”.

Humbja tragjike e djalit, Lumit, për Podrimjen shndërrohet në një shtysë për të krijuar ‘elegjinë’ për të birin, si krijimi i tij më i thellë, më i ndjeshëm e më filozofik i gjithë krijimtarisë.

Kryesisht “Lum Lumi” si tërësi poetike shpërfaq tri periudha:

-para vdekjes së Lumit;

-në vdekjen e Lumit;

-pas vdekjes së Lumit.

Në të tri periudhat para del një Ali i dërrmuar dhe skajshëm i pashpresë. Përpos një lidhjeje prind fëmijë dhe një dashurie prindërore, vepra përçon kryesisht një vuajtje, e cila herë-herë edhe e plotëson idenë e fundit shpirtëror të poetit. Në heshtjen e vargut, poeti mban dritën e tij të thyer, Lumin. Jo vetëm si emër, por si plagë e hapur, jo si fëmijë por si dhembje që flet.

Në një gjendje të tillë deliriumi, mërzie e krijimi njëherësh, dhembja e Podrimjes kthehet në një dhembje të “lumshme”.

Poeti e lumnon qysh në titull të veprës Lumin, por Lumi për të është humbja e rrëzimi, dhembja e silueta e një distopie. E ardhmja ideale e Podrimjes rrënohet, por e rrënuar lumnohet.

Në një rrënim të tillë ekzistencial qenia poetike është përherë në një kërkim, kërkim ky që çon drejt një instance më të madhe e më të fuqishme se vetë njeriu. Podrimja nuk kërkon shkas për vdekjen e Lumit, por vdekjen e kthen në një paradoks, aty ku jeta mbaron, poezia rilind, vdekja lumnohet, vepra kthehet në një tempull për të birin.

Në thelb të “Lum Lumit” pra, shohim se si mungesa bëhet lëndë ndërtuese dhe dhembja bëhet formë e përjetësisë. Ai nuk shkruan poezi për të vajtuar, por për të gdhendur në gjuhë një përballje ekzistenciale, gjë që e pohon edhe vetë ai në parathënien e veprës: 

“Nuk i kam respektuar disa trajta të gjuhës standarde. Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin.”

 Poezia e këtij vëllimi poetik, si akt krijimi, është një manifest poetik mbi qenien, humbjen.

Podrimja nuk i gjen e as nuk arrin t’i jap përgjigje pyetjes përse vdes Lumi por ia mvesh një domethënie poetike vdekjes së tij. Ai e lumnon Lumin jo përmes iluzioneve, por përmes artit dhe e bën atë të mbetet i gjallë në një mënyrë më të thellë se sa do ta lejonte vetë jeta. Në këtë përballje, poezia fiton ku jeta dorëzohet./ KultPlus.com

Pashko Vasa: Ty, o Muzë, po ta kushtoj këtë grumbull vjershash

Talia e Pashko Vasës, frymëzimi vjershëtor i tij

Parë jashtë domenit ideologjik të kohës, rilindasit shqiptarë, përpos krijimit të një letërsie fund e krye misionare, binin pre edhe të ndjenjave të brishta njerëzore. Qenia e tyre, krahas një strukturimi jashtëzakonisht kombëtar e politik, preket edhe prej ndjenjës së dashurisë, si një ndër ndjenjat më sublime si te njeriu, njëlloj edhe te krijimet letrare.

Pashko Vasa, i njohur si një ndër figurat kyçe të romantizmit shqiptar, krahas krijimeve letrare me karakter plotësisht patriotik, gjithëherë me idealin për zgjimin e vetëdijes kombëtare, la pas edhe krijimtari poetike jashtë kontekstit idealist kombëtar.

Në veprën “Trëndafila e gjemba” (Rose e Spine), qysh në nisje hasim dedikimin e dashuruar të poetit.

Njihemi me një Tali, një Ajo e shkrirë në poezi e vargje, një Ajo që lë në hije atdheun, popullin, idealin për të hedhur dritë kah njeriu, kah ndjenja. Talia e Pashko Vasës e krijon poetin, e formon atë, i zgjon veten tjetër, atë poetike. Një ndërdije që është më e lartësuar se vetëdija, një Unë i dytë që kërkon me patjetër një shkas për të Qenë. E te Vasa, shkasi, Ajo, është Talia, muza e frymëzimeve rinore, krijuesja e ëndrrave të munguara, e një bote krejtësisht jashtë të zakonshmes.

Talisë

Ty, o Muzë, po ta kushtoj këtë grumbull vjershash, fryt i zgjimeve të mia rinore dhe jehonë e vuajtjeve të shpirtit tim. Dhe në të vërtetë ty ta kisha borxh këtë tribut mirënjohjeje, sepse me frymëzimet e tua ti me mua bëre një mrekulli të tillë, që ishte marrëzi ta shpresoja; ti më dhe një kurajë krejt të re, e cila më mungonte.

Duke t’i blatuar këto vargje, unë nuk synoj të parashtroj diçka që në realitet t’ia vlejë, apo që të jetë e denjë për ty; desha që ky libërth të dilte në dritë vetëm e vetëm, sepse, pajisur me emrin tënd të bukur, të ma kujtonte rininë time të kaluar dhe ato ditë të lumtura, në të cilat jeta është plot me ëndërrime të ëmbla dhe me shpresa të këndshme; desha që ndokush, duke e lexuar, të mund të thoshte: “Ky paska qenë me të vërtetë i ri kur i ka shkruar këto vjersha”.

                                                                                                                   Stamboll, 2 janar 1873/ KultPlus.com

“Amadeus” ngre flamurin kulturor në Vjenë: Fëmijët shqiptarë mahnitin me muzikë dhe veshje tradicionale nga të gjitha krahinat e Kosovës



Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘’Amadeus’’, ka ngritur lart identitetin shqiptar në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare në Vjenë, përmes një përformance unike ku muzika dhe trashëgimia kulturore janë ndërthurur në mënyrë autentike. Në qendër të këtij koncerti që mbledh orkestrat e reja nga e gjithë Evropa, ‘’Amadeus’’ jo vetëm që është shpërblyer me cmimin e argjendtë, kjo orkestër ka spikatur për talentin muzikor, por edhe për pamjen e jashtëzakonshme me veshjet tradicionale të realizuara me dorë nga kreatorja Tolinda Gojani Asani, shkruan KultPlus. 


Kjo është hera e parë që një orkestër fëmijësh nga Kosova paraqitet në një garë ndërkombëtare të nivelit të tillë, e veshur me kostume që përfaqësojnë të gjitha krahinat e vendit. Nga Dukagjini në Medvegjë, nga Rugova në Has e Gollak, çdo pjesëtar i orkestrës ka mbajtur mbi supe një fragment historie, të qëndisur me kujdes dhe dashuri përmes teknikave artizanale që po rrezikojnë të zhduken.
Të krijuara nga kreatorja dhe artizanja Tolinda Gojani Asani, veshjet janë realizuar për secilin instrumentist në mënyrë që të përfaqësojnë laramaninë kulturore dhe identitare të të gjitha krahinave të Kosovës. Kjo përzgjedhje e kujdesshme i ka dhënë koncertit jo vetëm një dimension artistik, por edhe një përmasë të thellë simbolike dhe historike.

Përfaqësimi i krahinave në këtë koncert është bërë si më poshtë:

Flauta – me veshjen e Medvegjës, që ruan motivet e lashta të kësaj krahine të lashtë shqiptare.

Klarineti – me veshje tradicionale shqiptare që përfaqëson motive të hasura në të gjitha trevat shqipfolëse.

Violina 1 – me veshjet e Dukagjinit, Rugovës, Anamoravës dhe Llapit, duke bashkuar elemente nga perëndimi dhe lindja e Kosovës.

Violina 2 – me veshjet e Dukagjinit, Hasit, Gollakut dhe Drenicës, që përçojnë një mozaik unik simbolesh dhe ngjyrash.

Violonçeli – me veshjen aristokratike të qytetit, që ruan finesën dhe elegancën e shtresave të mesme të shekujve të kaluar.

Perkusionet – vajzat kanë veshur kostume të Drenicës, ndërsa djali veshjen aristokratike të qytetit, duke reflektuar ekuilibrin mes ruralitetit dhe urbanitetit në traditën tonë.Piano, fizarmonika dhe kontrabasi – gjithashtu me veshje aristokratike të qytetit, që përfaqësojnë stilin klasik shqiptar të qyteteve si Prizreni, Gjakova e Peja.

Interpretimi i veprës ‘’Malësorja’’ nga kompozitori Lorenç Antoni ka marrë dimension të ri emocional, ndërkohë që publiku ndërkombëtar në Vjenë është bërë dëshmitar i një ringjalljeje të kulturës shqiptare përmes muzikës dhe veshjes. 

Veshjet janë konceptuar jo vetëm si dekor apo element skenik, por si pjesë e rrëfimit. Siç  thekson kreatorja Gojani Asani, çdo motiv, çdo fije ari apo grep i dorës është një formë komunikimi pa fjalë, një ‘’dorëshkrim i heshtur’’ që lidh brezat dhe ruan kujtimin kulturor në një kohë kur globalizmi rrezikon t’i minimizojë veçantitë lokale. 


Ky koncert ka dëshmuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është një akt nostalgjik, por një mënyrë për të treguar se edhe popujt e vegjël kanë storie të mëdha për të ndarë me botën. ‘’Amadeus’’ nuk ka shkuar në Vjenë vetëm për të konkurruar, por për të përfaqësuar një popull, një histori dhe një trashëgimi që flet përmes artit./ KultPlus.com 

Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve: Fuqizimi i të rinjve përmes inteligjencës artificiale dhe aftësive digjitale

Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 Korrikun si Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve, për të theksuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Më 15 Korrik 2025 shënohet 10-vjetori i kësaj dite të rëndësishme. Tema e këtij viti është: “Fuqizimi i të rinjve përmes inteligjencës artificiale dhe aftësive digjitale”.

Në epokën e katërt industriale, ku inteligjenca artificiale (IA) po transformon ekonomitë, shoqëritë dhe mënyrën sesi jetojmë, mësojmë dhe punojmë, Arsimi dhe Trajnimi Teknik dhe Profesional (Technical and Vocational Education andTraining – TVET) duhet të përshtatet për të pajisur të rinjtë me aftësi të përgatitura për të ardhmen. Inteligjenca artificiale ofron mundësi të mëdha, por edhe rreziqe serioze nëse nuk zbatohet në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Në këtë Ditë Botërore të Aftësive të të Rinjve, kërkohet bashkimi për të njohur rolin jetik të tyre si force e ndryshim dhe kërkohet angazhimi për t’i fuqizuar ata me aftësi në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale, në mënyrë që të përballen me sfidat e sotme dhe të ndërtojnë një të ardhme më paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme./ KultPlus.com

Elon Musk prezanton një hartë për natalitetin në Evropë, Kosova “rekordmbajtësja absolute evropiane”



Miliarderi amerikan dhe ish-bashkëpunëtori i Donald Trump, Elon Musk, ka ndarë së fundmi në profilin e tij në rrjetin social X një hartë që tregon situatën e natalitetit në vendet evropiane. Harta, e cila ka ngjallur vëmendje të gjerë në rrjet dhe në media ndërkombëtare, klasifikon vendet sipas numrit mesatar të pritur të fëmijëve për familje, duke nxjerrë në pah një rënie alarmante të lindshmërisë në pjesën më të madhe të kontinentit.

Sipas kategorizimit në hartë, nën 1 fëmijë për familje konsiderohet “shkallë jashtëzakonisht e ulët”, deri në 1 si “shkallë e ulët”, deri në 1.5 si “pamjaftueshme”, deri në 1.9 si “afër shkallës së zëvendësimit”, ndërsa mbi 2.1 fëmijë është “mbi shkallën e zëvendësimit”, që do të siguronte që popullsia të mos bjerë në mënyrë natyrore.

Zona më e kuqe në hartë është Ukraina, me një normë alarmante prej vetëm 1.0, ndër më të ultat në Evropë. Edhe vende si Spanja (1.12), Lituania (1.13) dhe Estonia (1.17) janë ndër më të prekurat nga rënia e lindshmërisë.

Në kontrast me këtë tablo të zymtë, vendet e Ballkanit shfaqen më mirë. Kosova vlerësohet si “rekordmbajtësja absolute evropiane”, me një normë prej 1.9 fëmijë për familje, duke qëndruar në kufijtë e zëvendësimit natyror të popullsisë. Edhe Mali i Zi (1.79), Bullgaria (1.72), Moldavia (1.66), Serbia (1.61) dhe Bosnja dhe Hercegovina (1.58) shfaqin shifra relativisht pozitive në krahasim me pjesën më të madhe të Evropës.

Në Perëndim, Franca është një nga përjashtimet, me një normë relativisht të mirë prej 1.63, që mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërsa vendet e tjera si Gjermania dhe Italia vazhdojnë të përballen me rënie të theksuar të natalitetit.

Musk, i njohur për qëndrimet e tij publike në lidhje me rënien demografike si një nga kërcënimet më serioze të shoqërive moderne, ka komentuar edhe më parë mbi rëndësinë e mbështetjes për familjet dhe lindshmërinë. Postimi i tij i fundit ka ringjallur debatin mbi politikat sociale, migracionin dhe të ardhmen demografike të Evropës.

Europe will cease to exist soon. We need to bring back having HUGE families. pic.twitter.com/86OeFNkFVA

— Giga Based Dad (@GigaBasedDad) July 14, 2025

Tradita e intetpretuar në mënyrë moderne

ETNO FEST 2025
Nata e pestë
Janet Reincek dhe hrpi nga Opoja
Liburn Jupolli Ensamble 
Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës TK Shkup 


Agron Gërguri 

Janet Reincek antropologe amerikane prezantoj grupin e Opojës dhe nevojen e përfshirjes të gjeneratave të reja në përtritjen e valleve të traditës ndër to prezantoj vallen “Kalçoja” e cila në strukturën e saj ka 12 valle. Janet Reincek  në Kosovë ka aktivizuar grupe që vallëzojnë valle të popujve të ndryshëm për me përhapë  paqe përmes vallëzimit. 
Në finale të prezantimit u bë një vallëzim i përbashkët që kulmoj me vibrime të mira emocionale. 

Muzika si shteg për të dalë nga kaosi
Liburn Jupolli Ensemble  performuan muzikë e cila përkufizohet post-zhanër, që për bazë ka folklorin shqiptar ngjyrat muzikore të instrumenteve dhe zërave që Ansambli i ekzekuton me instrumenta tradicionale me tone të ripërpunuara me një qasje moderne dhe elektronike. Paraqitja e Liburnit ishte një polifoni zërash me ngjyrime folklorike me kontributin e efektshëm të  instrumenteve frymore dhe perkusione, që nxirrnin tinguj unik që prekin të kaluren si kujtesë dhe të tashmen si pretendim i arritshmërisë në komunikimin muzikor.  E tëra tingëllonte si një kërkim identiti në shumësinë kaotike të  zërave që ofrohen si  mundësi identifikimi me përkatësinë. Brenda muzikës së Libunit ka dramë, kërkim, frikë, emocion që është në proces të artikulimit. Muzikë jo e popullarizuar por që cyt në meditim dhe shtron pyetje se ku nis e ku mbaron tingulli. I kujt është dhe sa ne jemi pjesë e tij. Ai jo vetëm se luanë në instrumenta por interpreton gjendje kaotike të galaktikes ku jemi apo nuk jemi por ka disa tinguj që na thërrasin dhe nusja me vello të zezë nis të artikuloj zëra që bëheshin thirrje shpirtnore apo si lexim kodesh kosmike.
Shfaqje muzikore e jashtëzakonshme që të shqetëson kënaqshëm. 



Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës 

Shfaqje me energji, temë, probleme e dilema rinore. 
  Në një atmosferë ku disa të rinjë mundohen të fshehin një vdekje e cila duket se ka lidhje me ta….pastaj në fragmente apo pamje që ndërrohen shpesh ku ata debatojnë, planifikojnë, gjykojnë dhe shtiren, ekzaltohen e stërkeqen bulizojnë por ku një vajzë thërret për dashuri derisa partneri i saj heshtë…ajo rrëfen, flet sa për të folur, qesh, improvizon edhe varjen, qanë por partneri i saj nuk flet se nuk flet.
Një fakt kjo i jep frymë njerëzore një ambienti të kontaminuar ku bëhet një lojë me krimin që duan ta fshehin por që nuk duanë  dikush tjeter të akuzohet pa faj.
Si kontrapunkt i qiftit një qift tjeter drogohet dhe për ta shqetësimi është krejt i relativizuar.
Në përgjithësi rrëfimi tingëllon si një trillë që edhe mund të mos ketë ndodhur, e tëra është një mospërfillje e rregullave të jetës ku duket se gjithçka ka rënë përtoke si kur bien gjethet e vjeshtës në pranëverë. Një jetë virtuale ku provokohen edhe gjëra me potencial tragjik duke menduar se me një status a klikim në aparat lojërash gjërat kthehen aty ku ishinë.
Eli lufton të mbetet  normale, reagon përpëlitet që të ruaj adn-në njerëzore derisa 
Timi i dashuri i saj kryesisht heshtë dhe nuk dihet a po reflekton për gjendjen apo po planifikon diçka që do ta pëlcas shkaku i veprimeve që nuk e kanë menduar pasojën. Një gjendje krejt e pakuptimit ku secila fjalë i drejtohet moskuptimit ngjashëm si kur hamendsojmë për kosmosin dhe mundësinë e jetës atje..Një gjendje e përzier mendimesh të pasistemuara që mbesin në provë. Rotuali i heshtjes  Timin e dërgon në vetëvrasje të “pakuptimit” vrasje e cila e forcon dilemën deri në ç’masë është dëmtuar  ADN e njerëzores.  Shfaqja sikur na dërgon rrugës njëdrejtimëshe me sinjalistikë të prishur, ku ka hyrje pa dalje shkaku se e gjelbërta nuk ndizet…E gjitha sikur e pret që  personazhi Elit në interpretim të Sara Bajramit ta thonte fjalën “të dua Tim” si një litar shpëtimi nga gjendja e zvetnimit dhe tjetërsimit apo ndoshta bota njerëzore(lexo rinore) po shkon dikah që nuk ka më frikë motivuese por vetëm udhëtim pa adresë. 

Regjisori Berisha ka “shfrytëzuar” mirë energjinë e moshës së personazheve dhe ka mizenakenuar me një tempo-ritëm i cili i korespondonte me temën. Hyrje daljet e shpeshta e përshpejtonin rrëfimin dhe dukej sikur nuk kishte nevojë për ato errësime të shpeshta ndarje në tabllo meqë ambienti ku zhvillohej ngjarja ishte gjithëherë i njëjët. 

Interpretimi i Visar Ademit, Sabina Memishit, Fisnik Zeqirit, Mentor Kurtit, Gentiana Ramadanit, Genci Mrizos, Arben Rasimit, Hetem Etemit, Abedin Alimit ishte shprehje e një loje kolektive harmonike 

Skenografia e verfër por funksionale  e Bujar Muçës dhe kostumet e Alma Krasniqit ishin në funksion të rrëfimit teatror. 

Në Etno nejë sonte  mysafirët e shumtë të festivalit i kënaqi me këngë grupi Strings Stings. 

Tradita e interpretuar në mënyrë moderne po ndodhë fuqishëm e përmbajtshëm në Etno Fest 2025./ KultPlus.com

“Pirates of the Caribbean” drejt një rikthimi spektakolar me kastin origjinal – Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley



Franshiza legjendare “Pirates of the Caribbean”, një nga më të suksesshmet në historinë e kinemasë, duket se është gati për një rikthim të madh. Sipas raportimeve të fundit nga The DisInsider, kompania Disney është në diskutime për të rikthyer kastin origjinal, përfshirë yjet Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley, në kapitullin e gjashtë të sagës që ka magjepsur miliona shikues në mbarë botën.

Rikthimi i personazheve ikonikë Jack Sparrow, Will Turner dhe Elizabeth Swann do të shënonte një kthim në rrënjët e sagës, e cila që në fillim u mbështet te dinamika unike e këtij treshi. Prodhuar nga Jerry Bruckheimer, aventurat në det të hapur morën përmasa të jashtëzakonshme që nga debutimi i filmit të parë në vitin 2003.

Pas largimit të Bloom dhe Knightley në filmat pasues, Depp mbeti qendra e serisë përkrah emrave si Geoffrey Rush, por mungesa e kastit origjinal u ndje fort nga fansat. Skena pas titrave e filmit të fundit, ku shfaqen Will Turner dhe Elizabeth Swann bashkë, ka ndezur spekulimet se Davy Jones mund të rikthehet si antagonisti kryesor, duke hapur rrugën për një vazhdim që përfshin gjithë linjën origjinale të historisë.

Sipas burimeve, projekti i ri mund të drejtohet nga Joachim Rønning, ndërsa skenari është në duart e Jeff Nathanson, i njohur për punën në “Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales”.

Ndërkohë, fansat e sagës presin me padurim një konfirmim zyrtar, i cili mund të vijë gjatë D23 Expo -eventi më i madh i Disney që zhvillohet nga 29 deri më 31 gusht 2025. Nëse këto lajme bëhen realitet, ky do të ishte një nga rikthimet më të bujshme në kinemanë e aventurës, duke rilindur një univers që prej vitesh ka qenë në pritje të ringjalljes./ KultPlus.com

❌