Pastrohen nga mbishkrimet afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës
TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi në rrjetet sociale pamje nga pastrimi i afreskeve të Kishës së Shën Kollit në Voskopojë.
Në kuadër të ndërhyrjeve restauruese, specialistët e DRTK Korçë po bëjnë të mundur pastrimin e mbishkrimeve të dëmshme mbi afresket në hajatin e Kishës së Shën Kollit.
“Këto shkrime jo vetëm që kanë cenuar vlerën artistike të afreskeve, por përbëjnë edhe një formë dëmtimi të trashëgimisë sonë të përbashkët”, shkruan DRTK Korçë.
Kisha e Shën Kollit në Voskopojë është nga kishat më të rëndësishme të stilit post-bizantin.
Ajo përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Kisha ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren.
Kisha është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi i fundit të saj është bërë rreth vitit 1936. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike.
The post Pastrohen nga mbishkrimet afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.