Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kurbin/Plagosi me thikë, një 50-vjeçar, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari

Kurbin/Plagosi me thikë, një 50-vjeçar, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.

Sekuestrohet thika e përdorur për plagosjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Laçit, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi:

-E. D., alias E. B., 33 vjeç, banues në Laç.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në Laç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), në krah, shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Korçë/ Nëna denoncon e alarmuar, vajza 13-vjeçare më iku nga shtëpia

Një 40-vjeçare ka denoncuar në Policinë e Korçës largimin e së bijës. Policia informon se 13-vjeçarja, sipas kallëzimit të së ëmës, është larguar nga banesa më datë 23 gusht dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej saj.“Në Komisariatin e Policisë Korçë ka kallëzuar shtetasja M. Ç., 40 vjeçe, se më datën 23.08.2025, është larguar nga banesa vajza e saj e mitur 13-vjeçare. Po punohet për gjetjen e saj”, njoftoi policia e Korçës.

Lezhë/ Kundërshtuan policinë, nis hetimi në gjendje të lirë për dy vëllezërit

Policia e Lezhës ka nisur hetimin në gjendje të lirë për dy vëllezër në Lezhë të cilët kanë kundërshtuar efektivët.

Ata kishin ndaluar mjetin e tyre në Shëngjin në shkelje të rregullave, dhe gjatë ndërhyrjes së policisë dy vëllezërit kanë kundërshtar policët. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. K., 26 vjeç, dhe K. M. alias K. K., 24 vjeç, banues në Laç, Kurbin (vëllezër), pasi në qytetin e Shëngjinit shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e tyre të pushuar në shkelje dhe gjatë ndërhyrjes së punonjësve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë”, njoftoi Policia.

Banorët e Çërravës në Pogradec kundërshtojnë projektin për panele fotovoltaike: Nuk do t’i ndalim protestat

Një protestë është zhvilluar këtë të diel në fshatin Çërravë të bashkisë së Pogradecit, ku rreth 40 banorë dhe blegtorë të zonës kanë kundërshtuar një projekt-vendim të këshillit bashkiak që parashikon dhënien me qira të një sipërfaqeje të madhe toke për shfrytëzimin e paneleve diellore.

Banorët theksuan se gjysma e fshatit merret me blegtori dhe se toka në fjalë është e vetmja kullotë që ata kanë në dispozicion.

Ata e cilësuan këtë vendim si një cënim të drejtpërdrejtë të jetesës së tyre dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse projekti nuk ndalet.

Në mbështetje të tyre ishte edhe këshilltari i pavarur bashkiak Arbër Male, i cili u bëri thirrje kolegëve të tij të votojnë kundër. Ai deklaroi se vendimmarrja është e paracaktuar dhe se edhe kompania përfitues e projektit është e përcaktuar paraprakisht. Këshilli bashkiak i Pogradecit pritet të mblidhet të enjten për të vendosur nëse do të japë me qira 35.5 hektarë tokë për vendosjen e paneleve fotovoltaike.

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Presidentja e Kosovës telegram ngushëllimi familjes

Presidentja e Republikës së Kosovës ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta më 23 gusht 2025.

Në mesazhin e saj, Presidentja thekson se Zheji la pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare.

Ajo përmend gjithashtu kontributin e Zhejit në dokumentimin dhe shkruarjen për dhimbjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë së tij mediatike dhe intelektuale.

Presidentja i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit medial, duke u shprehur se kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit do të mbetet i përjetshëm.

Vidhet kasaforta e tyrbes në fshatin Gjonç, asnjë gjurmë nga autori

Mbrëmjen e 23 gushtit është vjedhur kasaforta e tyrbes në fshatin Gjonç ne Erseke. Pasi kanë marrë kasafortën, autori/ët janë larguar pa lënë asnjë gjurmë.

Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin. “Më datën 23.08.2025, ka kallëzuar shtetasi N. B., 67 vjeç, se gjatë natës është vjedhur kasaforta e tyrbes në fshatin Gjonç, ku ky shtetas shërben. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, informoi Policia.

Dogji sipërfaqe pylli në Gramsh, arrestohet zjarrvënësi prokuroria cakton masen e sigurise

Prokuroria e Elbasanit caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për shtetasin F.S. për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Prokuroria njoftoi se “më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative  Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh “Mare” dhe “Cendel””.

“Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë”, njoftoi prokuroria.

Sipas prokurorisë “pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij”.

Prokuroria njoftoi se në deklarim ai tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën  për të pastruar pyllin për të shtrirë një markush uji.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan sekuestroi në cilësinë e provës materiale një çakmak, ndërkohë që shtetasi F.S. po hetohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” që përbën krim të kryer me dashje dhe për të cilin dispozita përkatëse përcakton një maksimum dënimi prej 8 (tete) vite burg.

Fier/ Ndezi zjarr në afërsi të shinave të trenit pranga 51 vjeçarit

Ndezi zjarr në afërsi të shinave të trenit në lagjen “16 prilli”, dhe si pasojë u dogjën 600 metra katror me lëndë drusore të linjave hekurudhore, arrestohet 51-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Romeo Ndreko, 51 vjeç, banues në Fier.

51-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 600 metra katror me lëndë drusore të linjave hekurudhore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Spitali Rajonal i Gjirokastrës, Koçiu: Po transformohet në qendër moderne shëndetësore

Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rikonstruktohet nga themelet me shërbime të shtuara dhe teknologji nga më modernet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e godinës e cila sipas saj “po rilind nga themelet”.

Rikonstruksioni i godinës së këtij spitali do të mundësojë transformimin e ambienteve për mjekët dhe infermierët si dhe do të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për mbi 60 mijë banorë.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “një godinë historike prej 8,600 m² po transformohet në një qendër moderne shëndetësore, që do të shërbejë mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë”.

Spitali “Omer Nishani” përfshin të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia dhe patologjitë.

Dita e Shën Kozmait,besimtarët e krishterë nisin festimet

Me qindra besimtarë të krishterë dhe jo vetëm , kanë nisur mbrëmjen e së shtunës festimet për ditën e Shën Kozmait . Ata i janë drejtuar manastirit në Kolkondas të Libofshës ku dhe kanë nisur pelegrinazhin me besimin te fuqia mrekullibërëse e Shenjtorit Kozma. Festa e Shën Kozmait është një ndër më të rëndësishme të besimit të krishterë në Myzeqe , për shenjtorin jo vetëm martir të besimit , por edhe të arsimit, duke dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen e gjuhës shqipe ka thënë në fjalën e tij, At Jani Tereziu.
Sinkron
Besimtarët kanë ndezur qirinj duke i përcjellë lutje shenjtorit dhe besuar në mrekullitë e tij ndërsa kanë përcjellë edhe urimet më të mira për të gjithë.
Sinkron
Historia dhe gojëdhënat e shumta tregojnë se shenjti Kozma u vra nga Kurt Pasha, në 24 gusht 1779 , në shenjë hakmarrjeje të miqësisë së tij me Ali Pashë Tepelenën, ndërsa trupi i tij u gjet po në të njëjtën ditë në lumin Seman nga një prift i zonës. Një pjesë e madhe e besimtarëve e kaluan natën në manastir , ndërsa mëngjesin e sotëm festimeve iu bashkua dhe kryepeshkopi i Shqipërisë Joani, i cili ka drejtuar edhe meshën e rastit. Nga manastiri i Shën Kozmait Kryepeshkopi Joan ka përcjellë urimet e përzemërta për të gjithë besimtarët. “ Mesazhi im kryesor është që shenjtorët e mëdhenj ne kemi nevojë ti imitojmë , jo vetëm thjesht ti admirojmë. Ne vijmë ti kujtojmë ata, dhe sakrificën e tyre, pasi pa sakrificë nuk përhapet drita. “ ka thënë ndër të tjerash , Fortlumturia e Tij, Joani.

Trafikoi 160 kg droge nga Shqiperia ne Mal te Zi, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari

Një shtetas shqiptar, 41 vjeç, u ekstradua nga Belgjika në Shqipëri, pas një bashkëpunimi ndërkombëtar që mundësoi finalizimin e procedurave ligjore.
Edson Jozwik alias Edson Pjetri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kishte masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të produkteve të veprës penale, dhe pjesëmarrjes në grup kriminal të strukturuar.
Hetimet zbuluan se gjatë periudhës qershor–nëntor 2020, 41-vjeçari në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka trafikuar rreth 160 kg cannabis sativa nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Pjetri iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një mjet kyç për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.

Kërkohej per trafik droge nga policia holandeze, kapet në Belgjikë 56 vjeçari shqiptar! Trafikoi 250 kg kokainë

Arrestohet ne Belgjikë 56-vjeçari Shkëlqim Vokri, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në Holandë për trafikimin e një sasie prej 250 kilogramë lëndë narkotike, e llojit kokainë.
Ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e shtetit holandez, pasi, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), duhet të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 686 ditësh burgim të mbetura, lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat” (trafikim të lëndëve narkotike), të parashikuar nga Kodi Penal Holandez.
Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht me FAST Holandën dhe FAST Belgjikën.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, thotë se mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë.

Fier/ Gjendet pa shenja jete ne rruge 60 vjeçari, policia nis hetimet

Rreth orës 09:40, në fshatin Kallm i Vogël, është gjetur nga familjarët në anë të rrugës i ndërruar jetë në automjet, shtetasi B. B., 60 vjeç, banues në fshatin Kallm i Vogël.

Ky shtetas dyshohet se ka humbur jetën për shk ak të arrestit kardiak.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Bulqizë, aksident i katërfishtë, disa të plagosur

Një aksident i katërfishtë është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin nacional Bulqizë – Peshkopi.

Katër automjete të cilat po lëviznin në drejtim të Bulqizës janë përplasur duke përfunduar në kanal.

Si pasojë u plagosën të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët që ndodheshin në to, disa prej të cilëve janë dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Bulqizës.

Aksidenti ka ndodhur në një segment të dëmtuar ku për shkak të gropave, shpesh automjetet ndryshojnë korsi dhe bëhen burim aksidenti.

Aksidenti në Shkodër/ Gjykata vendos 30 ditë burg për shoferët, nga aksidenti humbi jetën Altin Luli

Një parakalim i gabuar dhe një manovër e rrezikshme në aksin Shkodër-Kryebushat çuan në një tragjedi që i mori jetën 42-vjeçarit Altin Luli dhe la dy fëmijët e tij dhe gruan të plagosur. Ngjarja ndodhi më 18 gusht rreth orës 12:47minuta, kur një parakalim i gabuar nga ana e shoferes Anxhela Hasaj, shkaktoi një përplasje të rëndë që perfundoi me nje aksident te shumefishte.
Sipas hetimeve të kryera nga policia rrugore, Anxhela Hasaj, e cila udhëtonte me një automjet tip “Benz”, kryente një parakalim të gabuar në një aks rrugor me vijat e pandërprera. Manovra e saj e gabuar e çoi në një përplasje me kamionin që drejtohej nga Hilmi Shkrela. Për pasojë, pasi ky i fundit ishte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë, ai humbi kontrollin mbi mjetin dhe rimorkio e ngarkuar me tjegulla ra mbi automjetin e familjes Luli.
Në vendngjarje humbi jetën Altin Luli, ndërsa bashkëshortja e tij, Lizeta Serreqi, dhe dy fëmijët e mitur u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Pas trajtimit të parë, një nga fëmijët, vajza e mitur, u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të frakturës që kishte pësuar. Pas mbërritjes në Tiranë, ajo u nënshtrua një operacioni të specializuar.
Pasi ngjarja shkaktoi një tragjedi të madhe, Anxhela Hasaj dhe shoferi i kamionit, Hilmi Shkrela, u arrestuan dhe iu caktuan masa sigurie. Në seancën gjyqësore të zhvilluar para Gjykatës së Shkodrës, Hasaj kërkoi një masë më të lehtë sigurie, si arresti në shtëpi, duke ofruar garanci pasurore për të mbështetur kërkesën e saj. Mirëpo, gjykata vendosi që ndaj saj dhe Shkrelës të caktohej masa e sigurisë “arrest në burg” për një periudhë 30-ditore, derisa të mbaronin hetimet dhe të zhvillohej procesi gjyqësor.

Pas sherrit në lokalin në Lushnjë, pronari qëllon klientin me armë zjarri

Një 56-vjeçar është shpallur në kërkim në Lushnje pasi ka plagosur me armë zjarri një 58-vjeçar. Konflikti është shënuar gjatë mesnatës në lokalin e 56-vjeçarit Resul Gashi në fshatin Çukas, i cili ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt klientit Ramadan Mënka.

58-vjeçari ka mbetur i plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital, ndërkohë që autori është shpallur në kërkim. Ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë shpallën në kërkim 56 vjeçari pasi gjatë mesnatës, në fshatin Çukas, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin 58 vjeçarin, (klient), i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për kapjen e autorit.”, njoftoi policia.

Kurti mesazh per ndarjen nga jeta te Artur Zhejit. Personalitet i medias se shkruar e asaj televizive

Kryeministri i Kosoves Albin Kurti mesazh per ndarjen nga jeta te gazetarit dhe publicistit Artur Zheji. Nepermjet nje mesazhi ne rrjetet sociale Kurti shprehet se: “Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.
I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.
Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.
Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!

Lindja e diellit në Pogradec, Rama ndan pamjet magjike

Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet ndër më të preferuarit për mijëra vizitorë vendas e të huaj. Pamja mbresëlënëse dhe ujërat e kristaltë që të ofron liqeni e bëjnë Pogradecin një atraksion turistik për t’u vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm një video nga lindja e diellit në Pogradec, teksa e cilëson këtë moment si “pamje magjike”.

Përveç bukurive natyrore që ofron, investimet në infrastrukturë dhe hapësira publike kanë bërë që Pogradeci të jetë një zgjedhje kryesore për turizëm në të gjitha stinët e vitit.

I zgjedhur masivisht për qetësinë dhe freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës, Pogradeci është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore e artistike.

Referendumi i Republikës Serpska, reagon BE: Vendimi i gjykatës kundër Dodik është përfundimtar

Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë ka reaguar pasi Kuvendi i Republikës Srpska miratoi një vendim antikushtetues për mbajtjen e një referendumi, në të cilin qytetarët e këtij entiteti do të duhet të shprehen mbi aktgjykimin e gjykatës dhe KQZ-së kundër Millorad Dodikut, me të cilin iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
“Vendimi i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në çështjen kundër Milorad Dodikut është përfundimtar dhe i detyrueshëm dhe duhet respektuar. Nënshtrimi i një vendimi gjyqësor në votim publik është në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e organeve gjyqësore”, thuhet në reagim.
BE theksoi gjithashtu se pret që autoritetet e RS-së të përmbahen nga provokimi i mëtejshëm i krizave dhe destabilizimit, si dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e BiH-së.
Ne presim që autoritetet e RS-së të qetësojnë situatën dhe të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues dhe ligjor të BiH-së”, deklaroi Delegacioni i BE-së.
Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti. Miratimi i këtij vendimi për referendumin bie ndesh me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.

Ukraina feston ditën e pavarësisë. Kryeministri kanadez vizite ne Kiev: Rrisim mbështetjen

Ukraina nisi një seri sulmesh me dronë në territorin rus të dielën, një ditë kur feston 34-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj, duke shkaktuar zjarre në një central bërthamor në Kursk dhe një terminal nafte në portin e Ust-Lugës. Nuk pati të lënduar dhe zjarri i shkaktuar nga sulmi u shua.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së u ka bërë thirrje vazhdimisht si Rusisë ashtu edhe Ukrainës që të tregojnë përmbajtje maksimale rreth objekteve bërthamore gjatë luftës. Rosaviatsia, autoriteti rus i aviacionit civil, tha se fluturimet u ndaluan për orë të tëra në disa aeroporte gjatë natës, përfshirë aeroportin Pulkovo në rajonin e Leningradit, për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë. Edhe Rusia, nga ana tjetër, raportohet se ka kryer disa sulme në Ukrainë.

Ndërkohë, në Ukrainë në një vizitë që prej ditës së djeshme ndodhet edhe i dërguari special i Donald Trump, Keith Kellogg, i cili do të takohet sërish me Zelenskyn. Ka mbërritur gjithashtu edhe kryeministri kanadez, Mark Carney.

Ëall Street Journal raporton se Pentagoni ka bllokuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina për të goditur Rusinë, duke e penguar Kievin të përdorë një armë të fuqishme në luftën e saj kundër pushtimit të Moskës. Një proces miratimi i nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, i cili ende nuk është bërë publik, e ka penguar Ukrainën të lançojë Sisteme Raketash Taktike me Rreze të

Gjatë Veprimi të Prodhimit Amerikan, ose ATACM, kundër objektivave në Rusi që nga fundi i pranverës, thanë zyrtarët

Ndërkohë, bisedimet midis kryeqyteteve evropiane mbi garancitë e sigurisë vazhdojnë pa ndërprerje, me qëllim që Kievi të ketë një pamje të qartë të asaj që mund të presë nga aleatët e tij, në mënyrë që të mund të hyjë në takimin dypalësh me Vladimir Putinin me një strategji të përcaktuar negociuese. Por samiti është gjithnjë e më i largët ndërsa afati i caktuar nga Trump afrohet.

Edhe Kina ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë nëse arrihet një marrëveshje e negociuar, por vetëm brenda kuadrit të një mandati të OKB-së. Natyrisht, si Pekini ashtu edhe Moska kanë të drejtë vetoje.

❌