Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Arabia Saudite njofton investime prej 6.4 miliardë dollarësh në Siri

Arabia Saudite njoftoi të enjten investime prej 6.4 miliardë dollarësh në Siri, duke reflektuar lidhjet e thella të mbretërisë me qeverinë e Presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa, ndërsa kërkon të rindërtojë Sirinë pas një lufte civile 14-vjeçare.

Marrëveshjet, të zbuluara nga Ministri Saudit i Investimeve Khalid Al-Falih në një forum në Damask, janë një nxitje e madhe financiare për Sharaa-n, ndërsa ai përpiqet të vendosë kontrollin mbi Sirinë, e cila u trondit këtë muaj nga dhuna sektare në jugperëndim.

Al-Falih tha se vizita e tij në Siri ishte urdhëruar nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite dhe sundimtari de facto Mohammed bin Salman, duke e quajtur udhëtimin “konfirmim të qëndrimit të fortë dhe mbështetës të mbretërisë ndaj Sirisë motër”.

Marrëveshjet e investimeve përfshinin 2.93 miliardë dollarë për projekte të pasurive të paluajtshme dhe infrastrukturës dhe rreth 1.07 miliardë dollarë për sektorin e telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, tha Al-Falih.

Bizneset e përfshira në plane përfshijnë firmat e telekomunikacionit Saudi Telecom Company (STC) dhe GO Telecom, kompaninë e sigurisë dixhitale Elm, firmën e sigurisë kibernetike Cipher dhe Classera, një kompani e teknologjisë arsimore.

Sekuestrohen disa pasuri në Durrës/ Dyshohet se u përfituan nga veprimtaria kriminale e dy vëllezërve

Disa pasuri janë sekuestruar në Durrës, pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Shtetasit Luan Kërtalli, iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

2 vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./abcnews.al

Kriza me ujë mund të detyrojë zhvendosjen e banorëve të Teheranit

Teherani është duke u përballur me krizë aq të madhe me ujin, prandaj 15 milionë banorët e tij mund të detyrohen të zhvendosen, kanë raportuar të enjten mediat iraniane, duke cituar presidentin e shtetit, Masoud Pezeshkian.

“Situata është serioze dhe Teherani thuajse nuk ka më ujë”, është cituar të ketë thënë Pezeshkian.

Sipas tij, nuk mund të përjashtohet mundësia e zhvendosjes nga qyteti si zgjidhje emergjente.

Irani është duke u përballur me krizë uji në më shumë se 20 prej 31 provincave që ka.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA ka raportuar se njëri prej rezervuarve më të mëdhenj të ujit mund të thahet plotësisht brenda 3-4 javëve.

Nivelet kanë rënë nën 10 për qind në shtatë rezervuarë në këtë shtet, dy diga në janë tharë plotësisht, si dhe 80 për qind e rezervuarve janë pothuajse krejtësisht pa ujë.

Ekspertë për klimën kanë thënë se furnizimet normale me ujë nuk do të jenë të mundshme edhe për dy muaj derisa shiu ta stabilizojë situatën.

Greqia mund t’ia bllokojë Turqisë qasjen në skemën e BE-së për mbrojtje

Greqia e ka paralajmëruar Turqinë se mund t’ia bllokojë qasjen në një fond të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes, nëse Ankaraja nuk ofron garanci se armët nuk do të përdoren për ta shënjestruar Athinën.

Greqia, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Turqia fqinje kanë marrëdhënie të tensionuara me dekada lidhur me të drejtat e sovranitetit në Detin Egje, dhe së fundmi edhe për shkak të çështjeve të energjisë dhe migrimit.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, por jo edhe i bllokut evropian, e gëzon mundësinë që të ketë qasje në programet e BE-së për industrinë e mbrojtjes dhe në programet e përbashkëta për prokurim, në kuadër të Iniciativës së BE-së për Veprim në Siguri, në vlerë të 150 miliardë eurove.

Mirëpo, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se shteti i tij nuk do ta lejojë Turqinë të marrë pjesë në skemën e mbrojtjes, nëse vazhdon të kërcënojë me luftë kundër Greqisë dhe ia vë në pikëpyetje sovranitetin në Detin Egje.

“Greqia nuk do ta lejojë këtë”, ka thënë lideri konservator për televizionin Skai.

Turqia kërcënon shpesh me luftë, në rast se Greqia i zgjeron njëanshëm veprimet në ujërat e Egjeut.

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 34 vatra në 24 orët e fundit, tetë ende aktive

Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë në monitorim. Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.

Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.

Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.

Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:

–           40 automjete zjarrfikëse

–           776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore

Gjatë ditës së djeshme morën pjesë në operacione:

–           345 forca nga Forcat e Armatosura (FA), me 3 mjete dhe 3 helikopterë

–           1 avion Canadair i ardhur nga shteti kroat

–           2 helikopterë për misione rikonjicioni nga Hungaria

Për ditën e sotme, janë në vijim të operacioneve:

–           215 efektivë të FA

–           1 helikopter nga FA

–           1 avion Canadair kroat

–           2 helikopterë hungarezë, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet.

Autoritetet qëndrojnë në gatishmëri të plotë dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe ndërkombëtare për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve. U bëjmë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim qytetarëve, për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar pranë autoriteteve përkatëse.

Parkimet e gabuara/ Tiranë, procedohen penalisht 24 persona

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet intensive kundër parkimeve të gabuara që pengojnë lëvizjen në kryeqytet.

Procedohen penalisht 24 shtetas, të cilët kishin parkuar automjetet në mënyrë të parregullt, duke bllokuar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve.

Automjetet e konstatuara janë tërhequr me mjet ngritës nga Policia Rrugore e Tiranës.

U proceduan penalisht shtetasit:

-R. M., 23 vjeç; E. H., 34 vjeç; I. M., 24 vjeç; F. H., 65 vjeç; S. D., 30 vjeç; K. F., 24 vjeç; E. N., 43 vjeç; R. C., 50 vjeç; E. Sh., 23 vjeç; K. M., 59 vjeç; J. M., 32 vjeç; L. G., 38 vjeç, R. K., 26 vjeç, R. T., 42 vjeç, K. K., 34 vjeç, R. P., 32 vjeç, H. K., 50 vjeç, E. B., 47 vjeç, E. H., 32 vjeç, K. B., 32 vjeç, O. S., 41 vjeç, G. F., 44 vjeç, E. Sh., 27 vjeç dhe R. Z., 23 vjeç.

Aksident në Gjirokastër-Tepelenë/ Përplaset autoambulanca dhe makina, tre persona të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Urën e Kardhiqit në aksin Gjirokastër-Tepelenë.

Si pasojë kane mbetur të lënduar tre persona dy drejtues të automjeteve të përfshira me aksident dhe pacienti i cili transportohej me autoambulancen e përfshirë në aksident.

Bëhet e ditur nga veprimet fillestare hetimore se automjeti tip BMW me targa TR8732L i ka prerë rrugën autoambulancës së Spitalit të Tepelenës me targa AB220AT. Për pasojë autoambulanca pas përplasjes në krahun e djathtë, ka përfunduar anës rrugës ndërsa automjeti BMW është dëmtuar në pjesën frontale.

Kjo e fundit vinte nga drejtimi jugor ndërsa autoambulanca transpoetonte një pacient në Reanimacionin e Spitalit të Gjirokastrës. Pacienti pas përplasjes është dëmtuar edhe më ndërsa kanë ngelur të lënduar lehtë dy drejtuesit e mjeteve respektive. Policia po heton për të zbuuar shkaqet e aksidentit./abcnews.al

VIDEO/ Konflikt me sende të forta në zonën e Lumit të Shalës, dy persona mbeten të plagosur

Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën turistike të Lumit të Shalës, ku dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë pas një përplasjeje fizike me mjete të forta.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 02:00, ku sipas burimeve paraprake, përplasja ka ndodhur mes disa të rinjve shqiptarë që ndodheshin aty si turistë dhe disa personave të tjerë që ushtrojnë aktivitet privat në këtë zonë.

Sherri ka përfshirë përdorimin e sendeve të forta dhe ka zgjatur për disa minuta, duke shkaktuar panik mes pushuesve të pranishëm. Dy prej të rinjve janë lënduar rëndë dhe janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të konfliktit, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Banorë dhe turistë të zonës shprehen të shqetësuar për mungesën e patrullimeve të rregullta të forcave të rendit, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që raportohen përplasje të dhunshme në këtë destinacion turistik gjithnjë e më të frekuentuar./abcnews.al

Mashtrime me apartamentet/ Tiranë, vihen në pranga dy persona, një notere shpallet në kërkim

Dy persona u arrestuan në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Apartamentet”.

Gjatë 24 orëve, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vë në pranga autorët e 2 rasteve të mashtrimit.

Uniformat blu të kryeqytetit vunë në pranga një 31-vjeçar, Marjo Qose që i mori një shtetasi, 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në kryeqytet.

Ndërkaq, u arrestua edhe një 48-vjeçar, Nani Kolovani që shiti 2 herë, apartamentin e tij.

Shpallet në kërkim noterja që përpiloi 2 kontrata shitjeje për të njëjtën pronë./abcnews.al

Ukraina propozon takim mes Zelenskyt dhe Putinit

Ukraina ka propozuar zhvillimin e një takimi në nivel të lartë mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës, bëjnë të ditur burime zyrtare ukrainase.

Lajmi u konfirmua nga Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i cili udhëhoqi delegacionin ukrainas në rundin e tretë të bisedimeve që u zhvillua sot në Stamboll.

Sipas tij, Kievi synon që ky takim të mbahet para fundit të gushtit, ndërsa theksoi se qëllimi kryesor i Ukrainës mbetet arritja e një armëpushimi. Ai gjithashtu u bëri thirrje përfaqësuesve rusë që të paraqiten në tryezën e bisedimeve me qasje realiste dhe konstruktive.

Veliaj, “seancë” në qeli/ Kthupi: Ramës do i vijë momenti që duhet ta shkarkojë Veliajn

Avokati Rezart Kthupi thotë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka betejë të gjatë ligjore, teksa është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kthupi u shpreh se kryeministrit Edi Rama, do i vijë momenti që do duhet ta shkarkojë Veliajn.

“Janë akuza për shpërdorim detyre, janë akuza që kërkojnë fakte. Do jetë betejë interesante ligjore. Unë mendoj që liria e zotit Veliaj, varet nga ekzistenca e funksionit të kryetarit të bashkisë. I ushtrimit të funksionit të kryetarit të bashkisë. Nuk mendoj se zoti Veliaj do e japë dorëheqjen. Për shkak të nevojës që ka Bashkia Tiranë, unë mendoj se kryeministri do vendosë ta shkarkojë zotin Veliaj. Ky është i vetmi moment që zoti Veliaj të ketë shanse. Zoti Veliaj ka përpara tij një betejë shumë të gjatë ligjore. Ka edhe betejë politike dhe publike e mediatike. Unë mendoj që Tirana është e nevojshme të futet në proces zgjedhor për kryetarin e bashkisë.”, theksoi ai./abcnews.al

Greta Thunberg proteston në Tiranë/ Aktivistja e njohur për mbrojtjen e klimës, në tubimin kundër luftës në Gaza

Me pankarta në duar, “dërgoni ushqim, jo bomba” u mbajt protesta e rradhës në Sheshin “Skëndërbej” për të ngritur zërin për vuajtjet e popullit palestinez, si pasojë e luftës me Izraelin..

Siç kishte njoftuar në rrjeter sociale, dhjetërave protestuesve, iu bashkua edhe aktivistja e njohur suedeze me famë ndërkombëtare Greta Thunberg.

Në fjalën e saj, në zemër të kryeqytetit, Thunberg tha se gjendjen humanitare në Gaza është alarmante, ndërsa sipas saj arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjendocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.

Me flamurin e Palestinës në duar, aktivistët kërkuan armëpushim në Gaza.

Protesta zgjati rreth një orë, ndërsa thirrjeve “Liri për Palestinën”, iu bashkua në shqip edhe aktivistja Thunberg./abcnews.al

 

 

 

Rivlerësimi i pronave me 5 përqind/ Ministria hedh draftin për konsultim publik, zbatimi nga 1 janari 2026

Nga 1 janari i vitit te ardhshem nis rivleresimi i pronave. Ministria e Financave ka hedhur per konsultim publik draftin, nisme qe u jep mundesine qytetareve dhe bizneseve te perafrojne vleren e prones se tyre me ate te tregut.

Sipas projektligjit, norma e tatimit do te jete 5% nga 15% qe eshte aktualisht dhe qytetaret do te kene kene mundesi te kryejne kete proces deri me 30 shtator 2026.

Amnistia perfshin edhe rivleresimin e pasurive qe jane ne proces regjistrimi. Nisma ishte propozuar qe prej vitit te kaluar, por konkretizimi zgjati ne kohe edhe per shkak te vendosjes se ccmimeve te references per banesat argumentojne financat. sipas Ministrisë rritja e ccmimeve te banesave nga rivleresimi i fundit e ben dosmosdoshmeri perditesimin e vleres se prones me ate te trefur.

Nga viti 2011 e deri ne vitin 2022 jane zbatuar ne vend tre procese per rivleresimin e pronave, nje nismë qe ka nxitur interes te lartë nga qytetaret dhe bizneset për te përfituar prej saj për shkak te normës së tatimit të reduktuar që duhet te paguajne. Vecc qytetareve, perfituese do te jete edhe vete qeveria pasi permes kesaj nisme rriten te ardhurat tatimore per arken e shtetit./abcnews.al

Aksident në Lezhë-Shkodër/ Makina përplaset me trajlerin me targa serbe, një viktimë dhe 4 të plagosur

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj.

Një autoveturë është përplasur me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak për aksidentin është bërë një parakalim i gabuar nga ana e trailerit me targa serbe, duke shkaktuar përplasjen fatale.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes./abcnews.al

Ligjvënësit izraelitë i kërkojnë Qeverisë të aneksojë Bregun Perëndimor

Më shumë se 70 ligjvënës izraelitë kanë miratuar një rezolutë më 23 korrik, përmes së cilës i bëhet thirrje Qeverisë të vendosë sovranitet mbi Bregun e pushtuar Perëndimor, edhe pse ky veprim simbolik nuk ndikon në statusin ligjor të territorit palestinez.

Votimi i rezolutës në Parlamentin izraelit, që nuk ka fuqi detyruese, u mbështet nga anëtarët e koalicionit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, si dhe nga disa deputetë opozitarë.

Ata thanë se aneksimi i Bregut Perëndimor “do ta forcojë shtetin e Izraelit, sigurinë e tij dhe do të parandalojë çdo vënie në dyshim të së drejtës themelore të popullit hebre për paqe dhe siguri në atdheun e tyre”.

“Sovraniteti në Xhudea dhe Samaria” – emërtimi që Izraeli përdor për Bregun Perëndimor, të cilin e ka pushtuar që nga viti 1967 – ishte “një pjesë përbërëse e realizimit të sionizmit dhe vizionit kombëtar të popullit hebre”, thuhet në tekstin e mocionit.

❌