Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Amerika iku, po tani?/ Çupi: SHBA është me drejtësinë në pjesën esenciale. Berisha grumbulli i krimit, çështja e tij do të zgjasë

Në një intervistë në programin “Real Story”, analisti Frrok Çupi ka komentuar situatën e demokracisë dhe të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se ndërhyrja e SHBA-ve në këto çështje është më shumë në fushat esenciale, si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai gjithashtu ka folur për ngërçin që ka përfshirë çështjen e Sali Berishës, duke theksuar se lideri i PD është grumbulli i krimit në vend dhe se çështja ndaj tij do të zgjasë në kohë.

“Vendet e vogla kanë krijuar demorkaci dhe nuk është më aq foshnje. Ka ndryshuar demokracia që mbulonte USAID, nuk ka para më. Sikur të ndodh që në Shqipëri të binte demokracia do të ishte shqetësim. Edhe me drejtësinë, nuk ka ndodhur që SHBA të ndërfutet në këtë gjë, zgjidhe kështu.

SHBA do të jetë me drejtësinë aq sa kanë qenë, në pjesën esenciale. Esenciale është raporti me FBI, me drogën krimin e organizuar. Drejtësia zgjat, edhe drejtësia ndaj Sali Berishës do të zgjasë shumë por nuk është vetëm ai, ai është grumbulli i krimeve në Shqipëri. Pse SHBA është marrë me korrupsionin më shumë, sepse është çështje sensitive e popullit dhe e kanë fushë që dëgjohet nga populli. Pse është zvarritur çështja e Berishës, është për shkak të parave të shumta, të kapjes së drejtësisë, është se dosjet duhet të jenë të kopsitura. Nuk është i thjeshtë 21 janari, emocionalisht është i thjeshtë. Vrasja zgjat më shumë se korrupsioni.”

I moshuari rrezikohej nga flakët, shpëtohet nga policia/ Proda: Akt fisnik! Të jesh pjesë e Policisë së Shtetit, mision i shenjtë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesazh falënderimi për punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët, me guxim, profesionalizëm dhe ndjenjë të thellë humane, rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda:

Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari,

Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej.

Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës.

Për ne, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira.

Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë.

Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia.

Suksese në përmbushjen e misionit tonë, sa të vështirë, aq edhe fisnik! / abcnews.al

BE, fond për energjinë e pastër/ Mbi 87 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë

Një fond prej 87.8 milionë eurosh për investime në energjinë e rinovueshme është vënë në dispozicion të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë nga Bashkimi Europian, në kuadër të planit të rritjes në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, fondet do të përdoren për të përmisuar sistemin e transmetimit të energjisë, digjitalizimin e nënstacioneve për rritjen e kapacitetit dhe uljen e humbjeve në rrjet. Po ashtu, nga këto financime do përmisohen edhe sistemet e HEC-it të Fierzës ndërsa investime do të ketë edhe në linjën ajrore  Rrashbull- Unaza e Tiranës.

Në Mal të Zi, fondet do të përdoren për ndërtimin e linjës ajrore të Transmetimit Herceg Novi-Vilusi, instalimin e matësve inteligjentë dhe sistemit të përparuar të menaxhimit për përmisimin e efikasitetit të energjisë.  Ndërsa në Serbi, për investime në HEC-in e Potpec dhe Termocentralin Diellor të Novi Sadit.

Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion të shteteve të Ballkanit Perëndimor 6 miliardë euro, në kuadër të planit të rritjes.  Këto fonde përfshijnë investime dhe reforma për vendet e rajonit, si pjesë e axhendës reformuese për periudhën 2024-2027.

Shqipëria përfiton në total 922 milionë euro. Në 2026-ën vendi jonë pritet të marrë shumën më të lartë në kredi dhe grante, konkretisht 314 milionë euro, ndërsa në 2027-ën, 251 milionë euro.

/ abcnews.al /

Kërkohet dëshmia e Maxwell/ Rihapen hetimet për Epstein, kërkohen emra të rinj të përfshirë

Departamenti amerikan i drejtësisë ka kërkuar një takim me Ghislane Maxwell, bashkëpunëtore e e Jeffrey Epstein, për ta pyetur në lidhje me ccështjen që ka trazuar politikën amerikane javët e fundit.

Maxëell aktualisht po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim seksual të fëmijëve dhe krime të tjera.

Zëvendësprokurori i përgjithshëm Todd Blanche tha se departamenti ka kontaktuar avokatin e Maxeell dhe mendon të takohet së shpejti me partneren e Epstein, për ta pyetur nëse ka informacion në lidhje me dikë që ka kryer krime kundër viktimave.

Avokati i Maxeell, David Oscar Markus, i tha CNN se ka diskutime me qeverinë dhe se Ghislaine do të dëshmojë gjithmonë me të vërtetë.

Maxëell u dënua në vitin 2021 për krime që lidhen me rekrutimin dhe trafikimin e vajzave adoleshente për t’u abuzuar seksualisht nga Epstein.

Administrata e Donald Trump është përballur me reagime gjithnjë e më të ashpra për trajtimin e dosjeve të Epstein. Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi kishte premtuar prej kohësh të publikonte sa më shumë dokumente që ishin në zotërim të Departamentit të Drejtësisë, por e hoqi dorë nga ky premtim në fillim të këtij muaji duke njoftuar se nuk ka prova që Epstein mbante një listë klientësh ose ishte vrarë.

Për vite me radhë, figura politike të krahut të djathtë dhe jo vetëm kanë pretenduar se politikanë dhe figura të tjera publike ishin të përfshirë në krimet e Epstein.

Samiti mes liderëve të BE dhe Kinës, fokus lufta në Ukrainë dhe mineralet e rralla

Pritshmëritë janë të ulëta për samitin e BE-Kinë që do të mbahet të enjten, një ngjarje që do të testojë forcën dhe unitetin e Bashkimit Evropian, ndërsa blloku përballet me presion të fortë tregtar nga Pekini dhe Shtetet e Bashkuara, thonë analistët.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, planifikojnë të shtrojnë çështje të ndjeshme për liderët kinezë, siç janë minerali i rrallë dhe lufta në Ukrainë, dy fusha të tensionuara, gjatë samitit në Pekin.

Shanset për arritjen e ndonjë marrëveshjeje janë të pakta, në një kohë kur të dyja palët përballen me sfida të mëdha për të mbajtur rritjen ekonomike dhe Europa po përpiqet të forcojë mbështetje për Ukrainën.

Samiti u shkurtua nga dy ditë në një për shkak të një “përplasje orari” të ngritur nga autoritetet kineze, thanë dy burime të njohura me planifikimin. Një tavolinë e biznesit që ishte parashikuar të mbahej ditën e dytë në qytetin Hefei tani do të zhvillohet në Pekin, tha një nga burimet.

Të dyja palët mund të arrijnë një deklaratë të përbashkët modeste për klimën, tha një burim, por nuk priten arritje të tjera konkrete.

Në disa fjalime të fundit, von der Leyen ka rritur retorikën e saj kundër Kinës, duke e akuzuar Kinën për “mundësimin e ekonomisë së luftës të Rusisë” dhe për mbushjen e tregjeve globale me kapacitete të tepërta.

“Ne e dimë që nuk pajtohemi me Kinën për shumë çështje, por besojmë se është e rëndësishme të kemi një bisedë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe konstruktive,” tha një zyrtar i BE-së.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian iu referua një deklarate që njoftonte samitin, e cila thoshte se liderët do të diskutojnë mënyra për të siguruar një “marrëdhënie tregtare më të balancuar, reciproke dhe të dobishme për të dyja palët”. / abcnews.al /

Lokalet në RMV, shqiptarët ‘të ndarë’/ Selimi: Mickoski po tenton të asimilojë shqiptarët

Analisti Sefer Selimi komentoi fazën përgatitore për zgjedhjet lokale në RMV, të cilat do të mbahen në tetor. Sipas Seferit, këto zgjedhje duhet të jenë për problemet që shqetësojnë shqiptarët. Në vijim  të fjalës së tij, Selimi përmendi se qeveria aktuale po tenton të bëj revizionisëm politik dhe po tenton të asimilojë shqiptarët.

“Këto zgjedhje vijnë në një situatë të jashtëzakonshme, ashtu siç e dëshmojnë anketat ka një pakënaqësi ndaj qeverisjes aktuale që po tenton të bëj një revizionisëm politik dhe po tenton të asimilojë shqiptarët. Kjo ka polemizuar situatën, kemi partitë politike në opozitë që i quajnë zgjedhjet një referendum. Në këto zgjedhje kemi kandidatë të pavarur por që mbështeten nga zoti Mickoski.

Këto zgjedhje duhet të jenë për problemet që shqetësojnë shqiptarët. Ahmeti do t’i hedhi të gjitha kandidaturat e tyre të rëndësishme në lojë, por edhe për të qenë të sigurt që do të marrin sa më shumë vëmendje. Po hyjnë në lojë të gjithë politikanët me kalibër të madh.” / abcnews.al

Rama ndan pamjet: Thethi, pas kancerit të paligjshmërisë

Pas nderhyrjeve në Theth për prishjen e objekteve të paligjshme, kryeministri Rama ndau pamjet nga fshati turistik.

Rama e cilësoi pamjen e re të Thethit si operacioni pas kancerit të paligjshmërisë. Ndërkohë që në të gjithë vendin, vijojnë operacionet me në fokus prishjen e objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Presidenti Trump tërheq SHBA-në nga UNESCO për herë të dytë

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen përsëri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO). Ky vendim përsërit atë që ai mori gjatë mandatit të tij të parë, i cili u anullua më pas nga Presidenti Joe Biden. Tërheqja e SHBA-së nga kjo agjenci me qendër në Paris do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2026.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se vendimi i Presidentit Trump është marrë pasi UNESCO, sipas tij, mbështet çështje “woke” dhe ndarëse që janë në kundërshtim me vlerat që ka votuar populli amerikan. Ajo gjithashtu e kritikoi agjencinë për promovimin e një agjende globaliste që është në kundërshtim me politikën e jashtme “Amerika e Para”.

Në përgjigje, Drejtoresha e UNESCO-s, Audrey Azoulay, shprehu keqardhjen për vendimin, por theksoi se ky hap ishte i pritshëm dhe agjencia kishte bërë përgatitjet e nevojshme. Pavarësisht humbjes së financimeve nga SHBA, e cila ka kontribuar tradicionalisht me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, UNESCO ka diversifikuar burimet e saj financiare dhe tani mbështetet në kontribuime nga shtete të tjera dhe donatorë privatë.

Ky është një tjetër rast ku Presidenti Trump ka distancuar Shtetet e Bashkuara nga organizata ndërkombëtare gjatë udhëheqjes së tij, pas tërheqjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së. Edhe pse mandati i dytë i Trump ka vijuar me tërheqje nga disa iniciativa globale, e ardhmja e UNESCO-s pa pjesëmarrjen e SHBA-së mbetet e pasigurt. / abcnews.al

Zhvillimet e fundit në Sarandë/ Përfaqësues të Ministrisë dhe Policisë takim me drejtuesit e komisariatit

Ngjarjet e fundit,,mbërrijnë në Komisariatin e Sarandës përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Vlorës

Përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtues të lartë të Drejtorisë së Policisë  Qarku Vlorë, kanë mbërritur në Komisariatin e Sarandës në një mbledhje urgjente me drejtues të saj. Në fokus të takimit ka qenë analiza e situatës të ngjarjeve të fundit në Sarandë e Ksamil.

Gjithashtu mësohet se gjatë orëve të para të mëngjesit, forcat RENEA në bashkëpunim me FNSH dhe repartin “Shqiponja”, kanë zhvilluar kontrolle nga toka dhe deti në një siplrfaqe të gjerë. Kontrolle janë ushtruar nëpër male, tunele e bunkerë të braktisur, por pa rezultat.

BE-ja do ta bëjë Britaninë të paguajë, nëse do të bashkohet me fondin europian të mbrojtjes

Mbretëria e Bashkuar do të duhet të paguajë një përqindje të vlerës së çdo arme të blerë nga kompanitë britanike përmes një fondi të ri europian të udhëhequr nga Brukseli, si pjesë e planeve të BE-së për të përballuar kërcënimin në rritje nga Rusia.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në maj se Britania do t’i bashkohet projektit të ri prej 150 miliardë eurosh të quajtur “Security Action for Europe” (Safe), i cili synon të rrisë shpenzimet ushtarake në të gjithë kontinentin si pjesë e një “rivendosjeje” të marrëdhënieve dypalëshe me BE-në.

Starmer e cilësoi pjesëmarrjen në këtë fond si një mundësi të re për industrinë e mbrojtjes në Britani, që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenien ekonomike.

Megjithatë, sipas dy diplomatëve të BE-së që folën për Financial Times, Londra do të detyrohet të kompensojë Brukselin për të drejtën e pjesëmarrjes në këtë skemë të mbështetur nga BE-ja, e cila synon të blejë dronë, sisteme mbrojtjeje kundërraketore dhe pajisje të tjera.

Një diplomat tha se: “Rregullorja e projektit Safe parashikon një balancë të drejtë mes kontributit dhe përfitimeve të vendeve të jashtme, si Britania.”

Fondi Safe është pjesë e përpjekjes së BE-së për të mobilizuar 800 miliardë euro në shpenzime të reja ushtarake deri në vitin 2030, përballë rrezikut të shtuar nga Rusia dhe kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump që Evropa të mbulojë më shumë nga siguria e saj.

Fondi, i nisur në maj, do të ofrojë kredi për shtetet anëtare dhe vendet e “palëve të treta” si Britania, për të mundësuar blerje të përbashkëta armësh. Qëllimi është të rritet fuqia blerëse përmes forcës kreditore të BE-së dhe të bëhet më efikas bashkëpunimi ushtarak europian, i cili sot vuan nga fragmentimi dhe mungesa e koordinimit.

Hakerat sulmojnë “Microsoft”

Gjiganti amerikan i kompjuterëve Microsoft jep alarmin se platforma e tij SharePoint po përballet me një sulm të vazhdueshëm nga hakerët.

Sulmet po godasin serverët e këtij aplikacioni që përdoret gjerësisht nga qeveri, kompani dhe organizata në mbarë botën për shpërndarjen dhe përdorimin në rrjete të brendshme të dokumenteve dhe mesazheve të komunikimit. Në shënjestër janë organizma në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, por ende nuk janë dhënë emra specifikë.

Hakerët kanë shfrytëzuar një dobësi të sistemit, e njohur si “zero-day”, që nuk ishte konstatuar deri më tani, për të penetruar brenda kësaj platforme. Kjo lejon sulmuesin të hyjë me identitet të rremë, duke u shtirur si një person apo sistem i besuar.

Përdoruesve mund t’u vidhen të dhëna konfidenciale, mund t’u falsifikohen dokumentet, ndërsa dëmet mund të çojnë deri në ndërprerje të funksioneve te brendshme te institucioneve.

Microsoft u bëri thirrje përdoruesve të instalojnë disa mekanizma të sapopublikuar për t’u mbrojtur nga këto sulme. Për disa versione, si ato të viteve 2016 dhe 2019, rekomandohet që serverët të shkëputen nga interneti. FBI ka nisur punën për hetimin dhe parandalimin e rrezikut. Në mbarë botën, dhjetëra mijë serverë mund të jenë në rrezik.

 

Turqia rrit ambiciet detare në Mesdhe, prezanton ‘Anijen Sulmuese Kombëtare’

Turqia po rrit në mënyrë dramatike ambiciet e saj detare në Mesdhe, duke investuar në një anije të re kërcënuese që mban emërtimin “Anije Sulmuese Kombëtare”

Kjo anije raketore, tërësisht me dizajn dhe ndërtim turk, është pjesë e një plani më të gjerë që synon forcimin e vazhdueshëm të pranisë dhe ndikimit turk në zonat detare të Egjeut dhe Mesdheut Lindor.

Zgjedhja e emrit të anijes nuk është aspak e rastësishme, pasi është një mjet sulmi i shpejtë i projektuar pikërisht për të demonstruar vendosmëri dhe fuqi në zonat e tensionit dhe konkurrencës.

Kjo anije e re u zhvillua nga industria turke e mbrojtjes STM, si pjesë e një programi që filloi në vitin 2020 nën mbikëqyrjen e Presidencës së Industrive të Mbrojtjes të vendit. “Prerja e parë e fletëve metalike” u zhvillua më 8 korrik 2025, dhe projekti përfundimtar pritet të prezantohet në ekspozitën e mbrojtjes IDEF, e cila është platforma më e madhe ndërkombëtare për shfaqjen e pajisjeve ushtarake turke. Projektimi i saj u bazua në standardet e përparuara të ndërtimit të anijeve, duke theksuar shpejtësinë, shkathtësinë dhe fleksibilitetin brenda një konteksti operacional me intensitet të lartë.

Anija karakterizohet nga një aftësi e fortë ofensive, pasi është e pajisur me tetë raketa anti-anije ATMACA, një top kryesor 76 mm, si dhe një sistem raketash mbrojtëse ajrore Point Defense, i ngjashëm me RAM-in që kanë shumë anije luftarake greke. Ajo gjithashtu integron një radar të përparuar të kontrollit të zjarrit AKR-D me një rreze veprimi prej 120 km, si dhe një radar navigimi ALPER. Përveç sistemeve të armëve, ajo ka sensorë dhe aftësi të përparuara për misione zbulimi dhe kontrolli të sovranitetit detar në zona me tension të shtuar gjeopolitik.

Sipas asaj që është bërë publike nga mediat teknike turke, platforma bazohet në klasën STM-MPAC, me një gjatësi prej afërsisht 66 metrash, një zhvendosje prej 620 tonësh dhe një rreze veprimi mbi 1,000 milje detare me shpejtësi të ulët. Vlerësohet se shpejtësia e saj do të kalojë 40 nyje, ndërsa ekuipazhi do të arrijë 40 persona. Është projektuar të jetë në gjendje të mbajë një RHIB të fryrë për operacionet e forcave speciale dhe misionet e zbulimit në bregdete ose ishuj.
Retorika turke rreth kësaj anijeje të re po promovohet në mënyrë agresive. Mediat e vendit flasin për një “forcë të re” që po përgatitet të dominojë Mesdheun Lindor, duke vënë në dukje se kjo do t’i vërë forcat greke dhe qipriote në një pozicion të vështirë. Madje bëhet referencë për shqetësimin e supozuar të Greqisë në lidhje me rrezen e veprimit dhe armatimin e anijes, me narrativën turke që nënvizon vendimin e Ankarasë për të imponuar pretendimet e saj detare, jo vetëm përmes diplomacisë, por edhe me mbështetjen e mjeteve ushtarake.

“Anija Kombëtare e Sulmit” nuk vjen vetëm si vazhdim i programit MILGEM ose i fregatave ISTIF, por si një mjet i ri për Marinën Turke që do të operojë në zona gri dhe në zona të karakterizuara nga mungesa e një demarkacioni të qartë. Në të njëjtën kohë, përdorimi i teknologjive vendase dhe shmangia e varësisë nga furnizuesit perëndimorë forcon vetëmjaftueshmërinë e Turqisë dhe funksionon si një mjet politik në kohë krize ose embargoje.

Prania e saj në të njëjtat dete me ishujt grekë përbën një episod tjetër në militarizimin e vazhdueshëm të aspiratave turke dhe krijon një dhimbje koke tjetër për stafet që janë të thirrura të menaxhojnë një sfidë në rritje me mjete të përmirësuara vazhdimisht. / abcnews.al

Rasti Veliaj/ Sufaj: Nuk pengohen të burgosurit për t’u vizituar. Policët, nuk lejohet brenda vizitës mjekësore

Femi Sufaj, zëvendes drejtor i përgjithshëm i burgjeve dha më tepër detaje lidhur me eksponentë të politikës që qëndrojnë pas hekurave, konkretisht për rastin Veliaj.

Pas aludimeve në media mbi gjendjen e tij shëndetësore, Sufaj tha se të shtunën kryebashkiaku i Tiranës ka paraqitur kërkesën, ndërkohë që të mërkurën është realizuar vizita. Sufaj theksoi ndër të tjera se brenda vizitës mjekësore nuk janë lejuar policët, ashtu siç e parashikon rregullorja në fuqi.

“Çdo i burgosur që ka një problem shëndetësor stafi duhet të bëj referimet, ta çojë në spital publik ose nëse nuk bëhet në atë privat. Të shtunën Veliaj ka bërë një kërkesë dhe me konsensusin e tij është bërë të mërkurën, nuk ka pasur vonesë. Dëgjova se kanë shkuar 30 policë, është marrëzi.

Nuk i dërgojmë tek personat me rrezikshmëri kriminale. Kanë qenë 2 makina policie me 8 veta. Është paramenduar se mund të shtrohet. Stafi i policëve nuk kanë ndenjur brenda vizitës mjekësore, nuk ta lejon mjeku. Në mënyrë kategorike, janë standarte vendore që të qëndroj mjeku në vizitë.”

 

Turistët holandezë bllokohen në liqenin e Pogradecit, Policia Kufitare iu vjen në ndihmë

Pogradec : Turistët hollandezë kërkojnë ndihmën e policisë kufitare, nxirren në breg me jet ski.

Vetëm pak minuta më parë, në zonën e Tushemishtit, policia kufitare i ka ardhur në ndihmë dy turistëve hollandezë, babë e bijë, pasi kishin dalë në liqen me kanoe dhe kishin kërkuar ndihmën e policisë në momentin që i kanë parë. Duket se turistët kanë patur probleme me lëvizjen e tyre në liqen, ndërsa mësohet se janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe po dërgohen drejt hotelit ku do të kalojnë disa ditë pushimi në Pogradec.

Policia kufitare vazhdon çdo ditë monitorimin në gjithë zonën e Pogradecit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ndryshme që mund të ndodhin në ujërat e liqenit të Pogradecit. / abcnews.al

❌