VATIKAN – Papa Leone XIV: Angazhim të ripërtërirë diplomatik për të zgjidhur konfliktet
ROMË, 30 korrik /ATSH/ – Papa Leone XIV bëri thirrje sot për një angazhim të ripërtërirë diplomatik për të zgjidhur konfliktet, ndërsa shënoi 50-vjetorin e Marrëveshjeve të Helsinkit, marrëveshja historike e epokës së Luftës së Ftohtë që solli një epokë të re sigurie dhe të drejtave të njeriut, sipas AP-së.
Në fund të audiencës së tij të përgjithshme, papa i parë amerikan në histori tha se ”1 gushti shënon përvjetorin e përfundimit të samitit të 35 vendeve në Finlandë që rezultoi në Aktin Final të Helsinkit, i cili vite më vonë ndihmoi në lindjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”.
Duke ripërtërirë thirrjen e tij për paqe në botë, papa tha se “sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme të çmojmë frymën e Helsinkit, të këmbëngulim në dialog, të forcojmë bashkëpunimin dhe ta bëjmë diplomacinë mënyrën e preferuar për të parandaluar dhe zgjidhur konfliktet”.
Në kulmin e politikës së qetësimit gjatë Luftës së Ftohtë në vitet 1970, presidenti finlandez Urho Kekkonen organizoi një samit mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, ku presidenti amerikan Gerald Ford, udhëheqësi sovjetik Leonid Brezhnev dhe të tjerë nënshkruan një angazhim historik për paqen, kontaktet Lindje-Perëndim, sigurinë evropiane dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon, ai kujtoi se Selia e Shenjtë kishte dërguar një delegacion në samitin finlandez, i kryesuar nga arqipeshkvi Agostino Casaroli, i cili më vonë do të bëhej sekretar shteti në Vatikan dhe njihej për promovimin dhe ndjekjen e një politike të Ostpolitik – pra hapje dhe dialog me Evropën Lindore.
Audienca e përgjithshme e zhvilluar sot shënoi rifillimin e takimit javor të papës me besimtarët pas një pushimi veror njëjavor.
Sheshi i Shën Pjetrit ishte veçanërisht i mbushur, duke pasur parasysh mbërritjen e dhjetëra mijëra pelegrinëve në qytet për një festë njëjavore të Vitit të Shenjtë për katolikët e rinj./ /Ad.Ab./
The post VATIKAN – Papa Leone XIV: Angazhim të ripërtërirë diplomatik për të zgjidhur konfliktet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.