SHBA – Trump: Fëmijët në Gaza po vdesin urie, më shumë ndihma ushqimore
UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi rritjen e ndihmës ushqimore për civilët në Rripin e Gazës duke paralajmëruar se fëmijët atje po vuajnë nga uria.
”Qoftë edhe nëse nuk e pranojnë si uri, ata janë fëmijë që po vdesin nga uria”, tha Trump për gazetarët gjatë udhëtimit të tij me ”Air Force One”, në kthim nga Skocia drejt Uashingtonit.
”Shikon nënat, i duan aq shumë fëmijët e tyre. Por, s’ka asgjë që duket se mund të bëjnë”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse e kishte diskutuar këtë çështje me Zonjën e Parë Melania, presidenti Trump u përgjigj se ”ajo sheh të njëjtat pamje që shihni edhe ju, që i shohim të gjithë. Dhe mendoj se kushdo, përveç nëse është me të vërtetë pa zemër, ose më keq akoma, i çmendur, nuk ka çfarë të thuash tjetër përveçse se është e tmerrshme kur sheh fëmijët në atë gjendje”.
”Duhet t’u çojnë ushqime. Dhe ne do t’u çojmë ushqime”, tha Trump.
Presidenti amerikan ka bërë më parë thirrje për më shumë ndihmë nga Izraeli për popullsinë e uritur në Gaza, duke adoptuar një ton dukshëm më të ashpër mbi këtë çështje.
Ndërkohë, qëndrimi zyrtar i qeverisë amerikane mbetet se grupi islamik palestinez ”Hamas” mban përgjegjësinë kryesore për krizën humanitare në Gaza./ /Ad.Ab./
The post SHBA – Trump: Fëmijët në Gaza po vdesin urie, më shumë ndihma ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.