UEFA ia ndalon stadiumit të presë finalen, ndërsa PSG përgatitet të përballet me Tottenhamin në Superkupë
UEFA ka përjashtuar stadiumin legjendar “San Siro” nga gara për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2026/27, për shkak të pasigurisë mbi planet e rinovimit.
Fillimisht, institucioni evropian dukej se kishte vendosur t’ia besonte Milanos organizimin e finales më të madhe të klubeve, por vendimi u pezullua pasi Bashkia e Milanos nuk mund të garantonte që punimet e planifikuara nuk do të ndikonin në stadium dhe zonën përreth gjatë ngjarjes.
Planet për rinovimin e San Siros mbeten të paqarta, megjithëse si Milani ashtu edhe Interi kanë shprehur skepticizëm mbi realizimin e tyre.
Sipas Reuters, këto punime mund të lidhen me përgatitjet për Euro 2032, që do të organizohet nga Italia dhe Turqia, si dhe me Lojërat Olimpike Dimërore 2026.
“The Athletic” raporton se UEFA është e shqetësuar për “mungesë qartësie” rreth afateve dhe ndikimit të rinovimeve, sidomos nëse ato do të vazhdojnë gjatë vitit 2027.
Dy kandidatë për finalen
Për momentin, finalja e vitit 2027 mbetet mes dy alternativave: Stadiumit Olimpik të Bakusë (Azerbajxhan) dhe “Wanda Metropolitano”-s në Madrid (Spanjë).
Baku priti finalen e Ligës së Evropës 2019 midis Chelseat dhe Arsenalit, ndërsa “Metropolitano” ishte skena e finales së Ligës së Kampionëve 2019 midis Tottenhamit dhe Liverpoolit.
Superkupa në Udine
Ndërkohë, Paris Saint-Germain dhe Tottenham do të përballen këtë të mërkurë në Superkupën e UEFA-s, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Bluenergy” të Udineses, me kapacitet rreth 25 mijë vendesh.
PSG vjen si fituese e Ligës së Kampionëve 2024/25, pasi mundi 5-0 Interin, ndërsa Spurs fituan Ligën e Evropës duke mposhtur 1-0 Manchester Unitedin. /Telegrafi/
The post UEFA ia ndalon stadiumit të presë finalen, ndërsa PSG përgatitet të përballet me Tottenhamin në Superkupë appeared first on Telegrafi.