Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Skandal në Shkodër/ Gurorja ndot lumin, banorët pa ujë të pijshëm

Banorët e Postribës në Shkodër kanë dalë sot në protestë. As investimi i ujësjellësit një vit më parë nuk ka zgjidhur problematikën e ujit të pijshëm për ta. Ata theksojnë se investimi ka dalë i kotë, pasi përsëri nuk ka ujë të pijshëm dhe është bërë për t’u mbyllur gojën për guroren në zonë.

“Kemi bërë ankesën për guroret qysh në 2018 që kanë hyrë pa leje dhe lejet i kanë marrë në mënyrë korruptive. Një vit më parë kanë bërë një investim duke bërë kaptazhin në ujëra sezonal që humbin në mars dhe dalin në fund të shtatorit. Ne i kemi kërkuar që të vendosin një filtër që të shkojë uji pak më i pastër tek banorët për shkak të ndotjes nga banorët. Nisur nga protestat tona, i kanë shfrytëzuar për të nxjerrë fondin për këtë investim që ka kushtuar 165 milion lekë duke ndërtuar kaptazhin. Ky kaptazh ka shkatërruar atë të parin. Këto janë ujëra sezonal që dalin mbi burime dhe burimet janë në mes të lumit. Kur guroret ulin ndotjen, lumi e merr atë ndotje dhe pluhurin e imët dhe i shkon fëmijëve tanë. Tubi që kanë vendosur nuk e nxjerr asnjë pikë ujë. Ky investim është bërë i kotë”,-thotë një banor.

Banorët e Postribës në protestë: Duam ujë, shteti

“Si mund të vendoset interesi i një personi përpara banorëve për të shfrytëzuar gjithë këtë mal, gjithë këtë pasuri natyrore. Nuk mund të vihet interesi i një personi ndaj interesit të 8 mijë banorëve që ushqehen nga ky ujë. Kemi 8 vite që i kërkojmë shtetit vetëm drejtësi. Ne kërkojmë largimin e dy guroreve nga këtu. Kam ndërtuar shtëpinë me bimë medicinale të malit, tani nuk mund ta nxjerr gruan e vajzën më në mal sepse janë kurdistanët e gurores dhe të na bllokojnë në këtë mënyrë nuk është e mirë”,-shprehet një nga banorët.

Banorët e Postribës në protestë: Duam ujë, shteti

Banorët i kërkojnë Qeverisë që të ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes.

“Shteti nuk funksionon. I kemi shkruar një mesazh Edi Ramës dhe na ka sjellë drejtorin e policisë këtu, por asgjë. Do ta kërkojmë deri në Hagë të drejtën tonë. Disa fshatra nuk kanë ujë dhe disa të tjera e kanë të reduktuar. Uji nuk është i pijshëm. Është shtet hajn. Do të na detyrojnë që të bëjmë skandal dhe do ta bëjmë. Do t’i zhdukim ne nëse nuk vendos dorë shteti dhe ligji. Sa më parë firmat e gurores të tërhiqen ose do t’i heqim ne”,-shprehet një banor.

Ankesat për ujin e pijshëm janë prej rreth 8 vitesh nga banorët e zonës, kjo për shkak të punës që kryen gurorja në këtë zonë. Pavarësisht çështjeve gjyqësore, ende nuk kanë marrë asnjë zgjidhje./e.t

Përplasen dy avionë në pistë, anulohen përkohësisht fluturimet

Një incident ka ndodhur në aeroportin e Mançesterit të premten mëngjes, kur dy avionë të linjës easyJet u përplasën në pistë, duke rezultuar në pezullimin e përkohshëm të fluturimeve. Sipas mediave të huaja incidenti ndodhi rreth orës 6:30 të mëngjesit kur dy aeroplanët, me destinacion Parisin dhe Gjibraltarin, prekën krahët ndërsa po shkonin drejt pistës. Më pas ata u kthyen në vendet e tyre të parkimit, ku pasagjerët zbritën pa lëndime.

Një pasagjere në fluturimin për në Gjibraltar e përshkroi incidentin si ndjenjën e të gjithë aeroplanit duke u dridhur, duke e krahasuar përplasjen me një aksident me makinë. Ajo tha se zjarrfikësit dhe ekipet e sigurisë ishin në vendngjarje, ndërsa pasagjerët prisnin brenda derisa të përfundonin kontrollet e nevojshme.

EasyJet tha se kishte nisur një hetim të menjëhershëm për incidentin. Kompania tha se pasagjerët zbritën në mënyrë të sigurt, u morën kuponë për pije freskuese dhe se avionë të tjerë ishin planifikuar të operonin fluturimet./e.t

Spanja në “luftë” me flakët, raportohet për 7 viktima nga zjarret

Spanja është duke u përballur me 14 zjarre të mëdha dhe autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e bëjnë më të vështirë luftimin tyre.

Si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën shtatë njerëz këtë muaj në Spanjë.

Vala e të nxehtit, që ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat nga jugu, e kanë bërë edhe më sfiduese punën e zjarrfikësve në një nga verat më të vështira për zjarret në 20 vjetët e fundit, tha Virginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës.

“Në pjesën perëndimore të vendit, situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones për RTVE.

Në Galicia, disa vatra zjarri u bashkuan duke formuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense në Galicia u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.

Derisa shumë banorë u evakuuan, disa qëndruan për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre.
Agjencia kombëtare e motit AEMET paralajmëroi për rrezik ekstrem zjarri në veri dhe perëndim të vendit, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius në bregun verior.

“Sot do të jetë një tjetër ditë shumë e vështirë, me rrezik ekstrem për zjarre të reja”, shkroi në X kryeministri Pedro Sanchez.

Një zjarr pranë Molezuelas de la Carballeda në rajonin Castile dhe Leon, që është një nga më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, nuk kishte avancuar që nga e enjtja, tha Angel Sanchez, kreu i shërbimit të zjarreve pyjore në rajon.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta vënë nën kontroll atë”, shtoi ai.
Kushtet po shkaktojnë përhapjen e zjarreve me shpejtësi të tillë, sa që zjarrfikësit mund të humbasin kontrollin brenda pak kohësh.

Dy persona u arrestuan në Costa da Morte në Galicia për shkaktim të zjarreve, pasi dogjën jashtëligjshëm kabllo bakri për të nxjerrë metalin dhe për ta shitur, sipas Ministrisë së Brendshme.

Zjarret këtë vit kanë djegur mbi 157.000 hektarë, pothuajse dyfishin e mesatares vjetore që nga viti 2006, sipas Shërbimit të Informacionit mbi Zjarret Pyjore të Bashkimit Evropian./REL/

“Rreziqet janë të larta” Trump niset drejt Alaskës

Trump është nisur me aeroplanin qeveritar në Bazën e Përbashkët Andreës pranë Uashingtonit. Bëhet e ditur se Trump është nisur për në Alaska.

Trump postoi në Truth Social dy fjalë: “Rrezik i lartë!!!” që do të thotë, përafërsisht, “Rreziku është i lartë”. Sipas orarit të qeverisë amerikane, Trump do të ulet në vendin e takimit në Alaska, në orën 21:00 me orën lokale.

Udhëtimet e Trump në Alaska përfshijnë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe Sekretarin e Tregtisë Hoëard Lutnick. I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, do të marrë pjesë gjithashtu./e.t

Sa zjarrvënës jemi?

Fatos Çoçoli

Sikur të mos mjaftonte korriku 2025 me zjarret e shtuara 15 herë në krahasim me korrikun 2024, po kalojmë edhe në këto dy javët e para të gushtit një nga periudhat më të vështira të këtij viti, për sa i përket emergjencave nga zjarret në pyje dhe kullota.

Zonat malore e Mirditës, Pukës dhe Tropojës kanë qenë ndër më të prekurat, kryesisht në sipërfaqe pyjore me pisha dhe dushqe. Terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve të aksesueshme ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Është prekur edhe Tirana nga zjarret, në periferitë e saj, ndërsa rajonet e Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit kanë raportuar disa vatra pranë zonave të banuara, duke rrezikuar banesat dhe infrastrukturën.

Po ashtu, edhe në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë janë regjistruar zjarre në zona me bimësi të dendur, ku ndërhyrja ajrore ka qenë e domosdoshme.

Angazhim i plotë i strukturave civile dhe ushtarake

Forcat e Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit u angazhuan në të gjitha qarqet e prekura nga zjarret, me një rritje të konsiderueshme të numrit të efektivëve në terren. U krijuan shtabe të posaçme emergjence në prefektura për koordinimin e forcave zjarrfikëse, policisë, ushtrisë dhe pushtetit vendor.

Forcat e Armatosura vendosën në dispozicion trupa tokësore dhe mjete logjistike, përfshirë çisterna uji dhe mjete të rënda për krijimin e brezave mbrojtës. Qeveria përdori mjetet ajrore në dispozicion të saj. U angazhuan helikopterët Cougar dhe Black Hawk të Forcave të Armatosura për shuarjen nga ajri në terrene të paarritshme.

Nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së (RescEU), Shqipëria kërkoi dhe përfitoi mbështetje me avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Kroacia.

Tabela 1. Avionë zjarrfikës të marrë nga fqinjët
–              Gusht 2023                        9
–              Gusht 2024                        11
–              01-14 gusht 2025            14

Për herë të parë u përdorën dronë monitorues për identifikimin e vatrave të reja dhe për parashikimin e përhapjes së flakëve. Bashkitë u angazhuan me grupe vullnetarësh dhe mjete të thjeshta zjarrfikëse për të ndërhyrë në fazat e hershme të zjarreve. Falë ndërhyrjes së koordinuar, u arrit të mbrohen shumica e banesave dhe e infrastrukturës kritike në zonat e prekura. Mirëpo temperaturat mbi 40°C në disa ditë të këtij gushti, së bashku me erërat e ngrohta nga veriu, po përhapin me shpejtësi flakët.

Tabela 2. Zjarret gusht 2024-gusht 2025
–              Rritje me 18% e numrit të zjarreve nga 2024 në 2025
–              Sipërfaqja e djegur është rritur me rreth 700 hektarë
•              Ndërhyrjet ajrore janë shtuar, çka tregon për vatra më të mëdha ose më të vështira për t’u kontrolluar nga toka

Ndezim zjarre me qëllim!

Ndryshe nga zjarret në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet e tjera evropiane, ku mbi 70–80 për qind të tyre kanë origjinë rastësore (pakujdesi, etj.), për fat të keq, tek ne, pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se janë të qëllimshme.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Pyjeve dhe Policisë së Shtetit, mbi 60 për qind e zjarreve janë vënë qëllimisht! Kjo është e pafalshme!

Tabela 3. Përqindja e zjarreve të qëllimshëm në rajon korrik-10 gusht 2025
–              Kroacia                 9%
–              Greqia                   12%
–              Mali i Zi                 15%
–              Maqedonia e Veriut         24%
–              Shqipëria                             60%

Zjarrvënësit e qëllimshëm duhet të goditen fort, që të mos u shkojë më në mend të ndezin zjarre, për motive shpesh të dobëta ose edhe të përfitimit ekonomik.

Mbizotërojnë motivet, si mosmarrëveshje për kullota, pronësi toke ose përdorimin e pyjeve, synim për përfitim ekonomik, si pastrimi i tokës për ndërtim, apo shfrytëzim bujqësor, por edhe akte vandalizmi ose motive të dobëta personale.

Tabela 4. Motive e zjarrvënieve të qëllimshme në Shqipëri
–              Mosmarrëveshje për kullota
–              Mosmarrëveshje për pronësi toke
–              Mosmarrëveshje për përdorim të pyjeve
–              Synim për përfitim ekonomik (pastrim toke për ndërtim, etj.)
–              Akt vandalizmi
–              Motive të dobëta personale

Kodi Penal i Shqipërisë parashikon deri në 15 vite burg për zjarrvënie që shkakton pasoja të rënda. Ne duhet medoemos të rrisim vitet e burgimit për dënimet minimale dhe të kërkojmë aplikim më rigoroz të tyre.

Duhet të përdorim dronët, kamerat termike dhe analizat e mostrave të tokës, për identifikimin e pikës së nisjes së zjarrit. Duhet të realizojmë ndjekje penale pa tolerancë për zjarrvënësit e qëllimshëm. Prokuroria dhe gjykatat duhet të trajtojnë me përparësi çështjet e zjarrvënies gjatë sezonit të verës.

Ndërkohë, si masa parandaluese, qeveria njoftoi rritjen e buxhetit për Mbrojtjen Civile për vitin 2026 me mbi 30%, për të shtuar kapacitetet njerëzore dhe pajisjet moderne zjarrfikëse. Parashikohet krijimi i një flote kombëtare të avionëve zjarrfikës brenda vitit 2027, duke ulur varësinë nga ndihma e jashtme.

Do të ndërtohen sisteme të reja të vëzhgimit satelitor dhe paralajmërimit të hershëm, si dhe do të kryhet rikuperimi i zonave të dëmtuara me mbjellje pyjore.

Dhe ai 30 përqindësh i shtimit të buxhetit për Mbrojtjen Civile për vitin 2026 duhet të shkojë një pjesë e mirë medoemos për vendosjen e kamerave të sigurisë në zonat pyjore të rrezikut të lartë, për patrullime të përforcuara nga shërbimet pyjore dhe policore gjatë muajve korrik–shtator të çdo viti, si dhe për sisteme të hershme alarmi, me sensorë të tymit dhe temperaturës, në zonat turistike dhe ato të mbrojtura.

Meteorologët parashikojnë se deri në fund të gushtit temperaturat do të mbeten mbi mesataren sezonale, ç’ka mban të lartë rrezikun e zjarreve.

Duhet të mbrohemi fort nga zjarret. Beteja me to dhe vënësit e tyre nuk ka mbaruar!

Goditje e fortë! Arrestohet kryebashkiaku opozitar dhe 43 zyrtarë të tjerë

Autoritetet turke arrestuan sot kryetarin e një bashkie të rëndësishme të Stambollit, së bashku me rreth 43 zyrtarë të tjerë, duke e zgjeruar fushatën kundër opozitës në vend.

Inan Guney, kryetar i bashkisë së Beyoglut në Stamboll, u dërgua në paraburgim si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Komuna e Beyoglut drejtohet nga partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP). Bashkitë nën kontrollin e CHP-së janë përballur me valë arrestimesh këtë vit, duke filluar me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në muajin mars.

Imamoglu, një figurë e njohur opozitare, shihet gjerësisht si sfiduesi kryesor ndaj sundimit dydekadësh të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe është kandidati i CHP-së për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Stambolli dhe disa qytete të tjera të mëdha kaluan nën drejtimin e CHP-së në vitin 2019, pasi opozita e zgjeroi më tej kontrollin e saj në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar./e.t

Pesë gjëra që duhet t’i dini para takimit Trump – Putin

Këto janë gjërat kryesore që duhet t’i dini para takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin ballë për ballë.

Çfarë dëshiron Putini?

Shumë analistë e shohin takimin me Trumpin si fitore për Putinin, teksa lideri rus tenton t’i japë fund izolimit ndërkombëtar.

“Asnjë lider perëndimor nuk është takuar me Putinin prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë. Tani ai e zhvillon një samit me presidentin amerikan, pa ndonjë koncesion paraprak”, ka thënë Jana Kobzova, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme për ish-presidenten sllovake, Zuzana Çaputova.

Përtej kësaj, synimi i Putinit vazhdon të mos ndryshojë qysh prej fillimit të luftës.

“Kremlini beson se është në epërsi në fushëbetejë, prandaj nëse nuk mund të bëjë lëshime diplomatike, ai vetëm vazhdon misionin në terren”, ka thënë Kobzova.

Për këtë arsye, Putini pritet t’i rezistojë idesë së pranimit të armëpushimit.

Çfarë dëshiron Trumpi?

Trump ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë këtë samit për ta shtruar rrugën për një takim tjetër që do ta përfshinte edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Besoj që do të jetë takim i mirë, mirëpo edhe më i rëndësishëm do të jetë takimi i dytë që do ta kemi. Do ta kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do t’i ftojmë edhe liderët evropianë, ndoshta jo”, ka thënë Trump më 14 gusht.

Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare. Mirëpo, disa analistë kanë thënë se Putini do t’i trazojë ujërat duke bërë propozime tjera.

Jim O’Brien, zyrtari që ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështje evropiane në administratën e Joe Bidenit, ka thënë se ka shumë mundësi që në propozimet e Putinit të dominojë aspekti financiar, si mundësi për t’i shmangur hollësitë konkrete të ndonjë armëpushimi.

“Mund të ketë marrëveshje bilaterale, sidomos për marrëveshje tregtare prej të cilave përfitojnë bizneset amerikane”, ka thënë ai.

Çfarë kërkon Zelensky?

Presidenti ukrainas dëshiron ta ketë një ulëse në tavolinë. Zelensky është përjashtuar nga bisedimet dhe ka paralajmëruar se vendimet që merren në mungesë të tij do të jenë pa asnjë kuptim.

Çështja e koncesioneve territoriale është diçka që Zelensky e ka hedhur poshtë vazhdimisht. Trump ka thënë para samitit se nuk do ta detyrojë Kievin të dorëzojë tokë, mirëpo sugjerimi i tij se Putini dhe Zelensky “mund t’i ndajnë gjërat”, e ka rritur alarmin në Kiev.

Kërkesa të tilla janë të papranueshme jo vetëm për Zelenskyn, por edhe për të gjithë ukrainasit.

Ai shpreson që Trumpi dhe Putini nuk do të pajtohen për diçka që për të është e papranueshme, sepse nuk dëshiron të duket në sytë e Shtëpisë së Bardhë si njeriu që po e pengon procesin e arritjes së paqes.

Si është situata në fushëbetejë?

Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.

Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit.

Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria koncentrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut.

Moska vazhdon ta çojë përpara strategjinë që analistët ushtarakë e kanë parë si tregtim të shumë viktimave në luftë, në këmbim të një pjesë të vogël të tokës.

Çfarë ndodh tani?

Trump ka propozuar një takim të dytë trepalësh brenda pak ditësh, i cili mund të mbahet sërish në Alaskë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur më shumë më 14 gusht për kushtet që duhet të plotësohen për të arritur te paqja e qëndrueshme.

“Besoj se të gjithë jemi në dijeni që do të ketë diskutime për garanci të sigurisë. Duhet të diskutohet edhe për kontestet territoriale dhe pretendimet për të cilat luftojnë të dyja palët”, ka thënë Rubio.

Rusia do të vazhdojë të insistojë në diskutimin e asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase.

Secila palë i ka vijat e kuqe, prandaj rruga deri te arritja e paqes nuk është e lehtë.  /REL

Zjarri në pyjet e Mirditës, avioni italian ‘Canadair’ vjen në ndihmë

Zjarret në Shqipëri kanë vijuar edhe ditën e sotme, edhe pse me intensitet më të ulët nga ditët e mëparshme.

Një nga vatrat e mëdha të zjarrit është ajo e evidentuar në malësinë e Mirditës, ku po digjen masivi pyjor dhe bimësi në sipërfaqe të tëra.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në Mirditë, prej disa orësh po operon edhe avioni italian “Canadair”, duke ardhur në ndihmë të shuarjes së flakëve.

Deri tani nga operacionet e shuarjes avionët Canadair kanë rezultuar shumë efektivë, pasi janë edhe të specializuar për këtë lloj fenomeni natyror./e.t

24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut

Nga Sali Berisha 

24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut

Miq, 24 orët që kaluan ishin një udhëtim në rininë time.

Në Istog shkova i ftuar nga një mik i imi, Gani Dreshaj, politikan dhe biznesmen i Kosovës, ish-luftëtar i lirisë, për të marrë pjesë në festën e 60-vjetorit të lindjes së tij.

Pas një ndalese të shkurtër dhe takimit me miqtë e përbashkët gjermanë ,deputetin e Bundestagut Peter Beyer, politikanin e shquar Elmar Brock, ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë gjeneralin Bühler, si dhe gazetarë e biznesmenë gjermanë, u nisëm për në zemër të bjeshkëve të Istogut, në Lugun e Butë.

Në mesin e një bredhishtë madhështore ndodhej shtëpia e Ganiut, në oborrin e së cilës u organizua festa. Në rrethimin e shtëpisë ngrihej një muranë në kujtim të gjyshit të tij, mjekut Syl Dreshaj, gjyshes dhe xhaxhait të ekzekutuar nga ushtria serbe gjatë bombardimeve të NATO-s.

Në Lugun e Butë na pritën me shumë përzemërsi i ati i Ganiut, bashkëshortja, vëllezërit, motrat, fëmijët dhe rrethi i tyre familjar. Familja Dreshaj është një familje e madhe atdhetare me kontribute të veçanta në të gjitha kohërat e luftërave për liri. Në këtë traditë, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, edhe në luftën e fundit, në radhët e UÇK-së, firmosën me trimërinë dhe gjakun e tyre lirinë që gëzojmë sot në Kosovën e pavarur.

Darka ishte vërtet magjepsëse, jo vetëm për vendin, logun e zanave ku shtrohej, por edhe për atmosferën festive të miqve e të ftuarve, këngët e artistëve dhe shërbimin e përkryer. Ishte një mbrëmje frymëzuese dhe mund të shkruaja gjatë për të, por po e mbyll duke i uruar edhe një herë Ganiut edhe 120 vite të tjera plot shëndet, gëzim dhe suksese me më të dashurit e tij.

Spanja përballet me zjarre katastrofike, digjen 1.5 milion hektarë dhe 7 viktima (VIDEO)

Spanja po përballet edhe sot me zjarre të mëdha, ku zjarrfikësit po luftojnë me 14 vatra aktive. Numri i viktimave nga zjarret ka shkuar në shtatë, ndërsa më shumë se 1.5 milion hektarë janë djegur.

Vala e të nxehtit gjithashtu ka përfshirë vendin dhe ka vështirësuar punën e zjarrfikësve, ndihmuar edhe nga era e fortë, flakët kanë qenë të vështira për t’u neutralizuar.

“Në pjesën perëndimore të vendit situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones në RTVE.

Në Galici, disa fronte zjarresh janë bashkuar, duke formuar një flakë edhe më të madhe, që detyroi mbylljen e autostradave dhe shërbimeve hekurudhore në rajon.

Agjencia kombëtare e motit AEMET paralajmëroi për rrezik ekstrem nga zjarri në veri dhe perëndim të vendit, pasi temperaturat që pritej të arrinin deri në 40 gradë Celsius (104 Fahrenheit) në bregdetin verior pritet t’i shtojnë flakët.

“Sot do të jetë një ditë tjetër shumë e vështirë, me një rrezik ekstrem të zjarreve të reja”, shkroi kryeministri Pedro Sanchez në X.

Zjarrfikësit po luftojnë për të shuar zjarret në të gjithë Evropën Jugore, ndërsa flakët janë nxitur nga vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë rajonin./e.t

Trend i ri në Francë, shesin biletat e dasmave për njerëzit që nuk i njohin

Një trend i ri po përhapet në Evropë: çifte që po shesin bileta për dasmat e tyre te të huajt për të mbuluar shpenzimet e ngjarjeve. Kjo ide ka lindur nga një startup në Paris, i quajtur Invitin, i themeluar nga Katia Lekarski.

Ajo e pati këtë mendim kur po jepte shtëpinë e saj me qira në juglindje të Francës për disa njerëz që po merrnin pjesë në një dasmë.

Kur vajza e saj pesëvjeçare pyeti “Pse ne nuk jemi të ftuar në dasma?”, ajo e kuptoi se ndoshta ka njerëz që dëshirojnë të përjetojnë një dasmë, por nuk janë të ftuar shpesh.

Kështu, ajo krijoi një platformë ku çiftet mund të shesin bileta për dasmat e tyre dhe të ndihmojnë në mbulimin e kostove, duke fituar një komision për shërbimin.

Në këtë platformë, çiftet mund të shesin bileta për dasmën e tyre, duke lejuar të huajt të marrin pjesë në ngjarje dhe të përjetojnë traditat dhe atmosferën e një dasme.

Çiftet mund të kontrollojnë profilin e të ftuarve të mundshëm dhe të vendosin kush mund të marrë pjesë. Të ftuarit duhet të respektojnë rregulla të caktuara, si veshja e përshtatshme, mbajtja e sjelljes së duhur dhe ndalimi i ndarjes së fotove pa leje.

Ky model është ende në fazë të hershme në Francë, me rreth gjashtë dasma të regjistruara deri tani. Çiftet që kanë shprehur interes për këtë mundësi janë kryesisht të moshës 25 deri 35 vjeç, dhe të ftuarit që paguajnë janë të gatshëm të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në atmosferën e ngjarjes.

Ky trend ka tërhequr vëmendjen e disa çifteve dhe individëve që dëshirojnë të përjetojnë një dasmë, por nuk kanë mundësinë të ftohen shpesh. Për më tepër, disa kompani në Itali po ofrojnë mundësinë për të marrë pjesë në dasma tradicionale si një përvojë luksoze, duke u mundësuar të huajve të përjetojnë traditat dhe ritualet e dasmës italiane.

Ky fenomen po ndryshon mënyrën se si njerëzit shohin dhe përjetojnë dasmat, duke ofruar mundësi të reja për ata që dëshirojnë të jenë pjesë e këtyre ngjarjeve speciale./e.t

Lewandowski refuzoi një pagë “të çmendur” nga Sauditët, për të qëndruar te Barça!

Agjenti i Lewandowskit zbuloi se sezonin e kaluar, sulmuesi refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite për të qëndruar te Barcelona. Ndërkombëtari polak pritej të merrte 100 milionë euro në sezon.

“Një vit më parë, Lewandowski mori një ofertë nga Arabia Saudite, që i ofronte 100 milionë euro në sezon. Për sezon! Dhe ai nuk donte të largohej. Ai donte të luftonte për tituj të rëndësishëm, Ligën e Kampionëve me Barcelonën”, shpjegoi Pini Zahavi, i cituar nga ‘Sport’, pa zbuluar emrin e klubit që donte të nënshkruante me lojtarin.

Ai shtoi: “Lewandowski interesohet shumë për vendin ku jeton. Dhe është i kënaqur që jeton në Barcelonë dhe luan për Barçën. Përveç kësaj, klubet saudite janë plot me lojtarë dhe mezi dinë çfarë të bëjnë me ta. Ka një kufi për numrin e lojtarëve të huaj. Sidoqoftë, Lewandowski nuk donte të shkonte në Arabinë Saudite. Mund ta kishte bërë, por nuk e bëri.”

Lewandowski, i cili ka një kontratë me Barcelonën deri në qershor 2026, shënoi 42 gola dhe dha tre asiste për klubin spanjoll sezonin e kaluar./e.t

YouTube prezanton rregulla të reja: inteligjenca artificiale do të gjejë moshën tuaj

YouTube, një nga platformat më të njohura online, po prezanton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si mbron përdoruesit e rinj.

Kompania do të fillojë të përdorë një mjet të bazuar në inteligjencën artificiale në Shtetet e Bashkuara për të vlerësuar moshën e përdoruesve, pavarësisht nga data e lindjes që ata kanë futur gjatë regjistrimit.

Ndërsa qëllimi është të parandalohen të miturit nga anashkalimi i kufizimeve të moshës për përmbajtje të tilla si dhuna ose lakuriqësia, ky veprim ka ngritur gjithashtu shqetësime për privatësinë, shkruan Time.

Si funksionon mjeti i AI-së?

Sistemi i ri, i cili ka qenë në përdorim në tregje të tjera për njëfarë kohe, do të analizojë sjelljen e përdoruesve për të vlerësuar moshën e tyre, transmeton Telegrafi.

James Beser, drejtor i menaxhimit të produkteve për YouTube Youth, shpjegoi se modeli do të “interpretojë një sërë sinjalesh”, duke përfshirë “llojet e videove që një përdorues kërkon, kategoritë e videove që ka parë ose jetëgjatësinë e llogarisë së tij”.

Nëse AI përcakton se një përdorues është nën 18 vjeç, YouTube do të aktivizojë automatikisht masa mbrojtëse.

Kjo përfshin çaktivizimin e reklamave të personalizuara, aktivizimin e njoftimeve për të bërë pushime dhe për të fjetur, dhe kufizimin e rekomandimeve për të zvogëluar ri-ekspozimin ndaj llojeve të caktuara të përmbajtjes.

“Ne do t’u lejojmë vetëm përdoruesve që vlerësohen ose konfirmohen të jenë 18 vjeç ose më të vjetër, të shikojnë përmbajtje të kufizuar sipas moshës”, tha Beser.

Përdoruesit që vlerësohen gabimisht si të mitur nga sistemi do të kenë mundësinë të apelojnë. Ata do të jenë në gjendje të verifikojnë moshën e tyre me një kartë krediti, selfie ose një dokument identifikimi të lëshuar nga qeveria.

Ata që nuk duan ta bëjnë këtë do të ruajnë cilësimet e mbrojtjes për adoleshentët. Ndryshimi do të ndikojë gjithashtu te krijuesit e përmbajtjes, të cilët mund të përballen me një ulje të të ardhurave nga reklamat nëse audienca e tyre përcaktohet të jetë kryesisht e mitur.

Pse po e bën YouTube këtë ndryshim?

Vendimi i YouTube vjen në përgjigje të presionit politik në rritje në SHBA dhe në të gjithë botën, për të bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët në internet. Platformat po përballen me një problem sepse përdoruesit e rinj mund të anashkalojnë lehtësisht kufizimet ekzistuese duke falsifikuar datat e tyre të lindjes.

Në SHBA, një ligj i Teksasit që kërkon verifikimin e moshës në faqet me përmbajtje seksuale eksplicite u konfirmua së fundmi, dhe Kongresi po rishqyrton Aktin e Sigurisë Online të Fëmijëve (KOSA). Trende të ngjashme janë të dukshme globalisht – Australia po shqyrton ndalimin e mediave sociale për personat nën 16 vjeç, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar tashmë një Akt më të rreptë të Sigurisë Online.

Shqetësime për mbikëqyrjen dhe privatësinë

Pavarësisht qëllimit të saj etik, teknologjia e verifikimit të moshës ngre shqetësime serioze. Grupi i të drejtave digjitale Qendra për Demokraci dhe Teknologji paralajmëron se sistemi mund t’i klasifikojë gabim përdoruesit e rritur dhe t’u mohojë atyre qasjen në përmbajtje.

“Nëse një i rritur klasifikohet gabimisht si fëmijë, ai do të duhet të zgjedhë midis apelimit dhe dorëzimit të dokumentit të tij të identifikimit ose heqjes dorë tërësisht nga qasja në shërbim”, tha ai.

Plani i YouTube është kritikuar gjithashtu për shkelje të mundshme të privatësisë. Një peticion në Change.org, i cili ka mbledhur më shumë se 68,000 nënshkrime, paralajmëron për “mbikëqyrje masive dhe kontroll të të dhënave” pasi mosha vlerësohet duke analizuar të gjithë historikun e shikimit të një individi.

“Pasi këto sisteme normalizohen, ato rrallë zhduken – ato përhapen. Nëse nuk flasim tani, rrezikojmë të humbasim aftësinë tonë për të shfletuar, krijuar dhe shijuar lirisht përmbajtje. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me YouTube, ka të bëjë me lirinë digjitale”, thuhet në peticion. /e.t

Gjermanët testojnë teknologjinë që mund të parandalojë mijëra aksidente

Ngarja mbrapsht mbetet një nga rreziqet më të mëdha të aksidenteve rrugore.

Sipas Klubit Gjerman të Automobilave (ADAC), një në katër kontakte me këmbësorët ndodh kur ngasni mbrapsht, dhe sipas të dhënave nga kompania e sigurimeve Allianz, përplasjet gjatë parkimit shkaktojnë dëme prej rreth 4.5 miliardë eurosh në vit.

Shumë nga këto incidente mund të parandaloheshin me teknologjinë moderne.

Klubi Gjerman i Automobilave testoi dhjetë modele të ndryshme automjetesh të pajisura me frenim automatik emergjence (AEB) për kthim mbrapsht.

Me shpejtësi prej 4 dhe 8 km/h, veturat duhej të zbulonin pengesa dhe të frenonin automatikisht para kontaktit.

Testi përfshinte kontaktin me një çiklist që kalonte rrugën me një shpejtësi prej 15 km/orë.

Ndërsa sistemet e prodhuesve po përmirësohen vazhdimisht, siç tregon krahasimi me testin e parë ADAC të vitit 2019, ka ende vend për përmirësim.

Në atë kohë, asnjë automjet nuk mund të përballonte plotësisht të gjitha detyrat.

Sot, situata është e ndryshme.

Katër nga dhjetë automjetet e testuara (BMW X3, Volvo EX30, Ford Puma dhe VW Tiguan) jo vetëm që zbulojnë të gjitha pengesat – falë sistemit automatik të frenimit emergjent, ato gjithashtu parandalojnë me siguri çdo përplasje me një person ose objekt.

Megjithatë, prodhuesit e tjerë kanë ende vend për përmirësim. /e.t

Elon Musk humb një tjetër bashkëpunëtor, jep dorëheqjen bashkëthemeluesi i xAI

Igor Babuschkin, një nga bashkëthemeluesit e kompanisë së Elon Musk, xAI, ka njoftuar largimin e tij prej saj përmes një postimi në X.

Babuschkin udhëhiqte ekipet e inxhinierisë në xAI dhe ndihmoi në ndërtimin e një prej zhvilluesve të modeleve të Inteligjencës Artificiale, pak vite pas themelimit.

“Sot ishte dita ime e fundit në xAI, kompania në të cilën ndihmova të ngrihej në vitin 2023 me Elon Musk.

E kujtoj ende ditën kur takova Elon për herë të parë, folëm për orë të tëra mbi IA dhe çfarë mund të sjellë e ardhmja.

Të dy ndiemë se nevojitej një kompani e re IA me një tjetër lloj misioni.”

Babuschkin tha se arsyeja e largimit është themelimi i kompanisë së tij, Babuschkin Ventures që do të mbështesë kërkimet e sigurisë në IA dhe të mbështesë startup-e që “përparojnë njerëzimin dhe zbërthejnë misteret e universit.”

Ai përshkruan disa nga sfidat me të cilat u përball bashkë me Musk në ndërtimin e xAI.

Ai thekson se veteranët e industrisë e quajtën “të pamundur” synimin e xAI për të ndërtuar brenda tre muajsh superkompjuterin në Memfis, Tenesi.

Largimi i Babuschkin vjen në një periudhë pak të trazuar për xAI pasi kompania është ëprfshirë në disa skandale lidhur me chatbot-in Grok.

Megjithatë, ai shton se ndihet krenar për këtë periudhë të kaluar në kompani duke thënë:

“Mësova dy leksione të paçmueshme nga Elon: 1. Mos ki frikë të përveshësh mëngët që t’u hysh vetë problemeve teknike, 2. Ki një sens maniak emergjence”, tha ai.

Kujtojmë që në korrik, edhe CEO e platformës X, Linda Yaccarino dha dorëheqjen./e.t

Brenda bunkerit për ‘ditën e fundit të botës’/ 15 gjërat që do t’ju mbajnë gjallë

Një çift nga Montana i është drejtuar “përgatitjes” në shkallë të plotë në përgjigje të tensioneve globale në rritje, thonë ata – duke grumbulluar furnizime të mjaftueshme për të mbijetuar një vit jashtë rrjetit në rast lufte, fatkeqësish natyrore ose ndërprerjesh të zgjatura të energjisë elektrike.

Carrie dhe Colton Smith, të dy në mesin e të 30-ve, filluan të përgatiteshin për një të ardhme të pasigurt në fillim të vitit 2023 – pasi një tullumbace balonë kineze u pa duke fluturuar mbi SHBA-në, duke shkaktuar shqetësim kombëtar para se të rrëzohej.

Ngjarja ishte një “thirrje zgjimi” për çiftin, duke i nxitur ata të merrnin mbijetesën në duart e tyre, transmeton Telegrafi.

“Unë u rrita në Kaliforni, ku ka tërmete, kështu që familja ime ishte gjithmonë e përgatitur për fatkeqësi natyrore – por balona i çoi gjërat në një nivel tjetër për ne”, tha për SWNS Carrie, një shtëpiake që tani ndan këshilla për përgatitje me mbi një milion ndjekës nën emrin @housewifeprepper.

“E kuptova se duhej t’i merrja gjërat në duart e mia”, shtoi ajo.

Që atëherë, familja Smith ka grumbulluar një gamë të gjerë furnizimesh, duke përfshirë katër gjeneratorë, tre fuçi uji 55 galonëshe, ushqime të thara me ngrirje me një afat ruajtjeje 25-vjeçar dhe forma të ndryshme mbrojtjeje si armë zjarri dhe armë me elektroshok.

Ata kanë investuar gjithashtu në panele diellore, telefona satelitorë, radio me bosht diellor dhe madje edhe në një gomone shpëtimi – një artikull që ajo tha se dikur i shpëtoi jetën njërit prej ndjekësve të saj gjatë një përmbytjeje.

Familja Smith beson se mund të mbijetonte për një vit pa furnizimet e tyre.

“Çdo amvise duhet ta marrë parasysh këtë. Është një zgjatim i kujdesit për familjen tuaj”, tha Carrie.

Ajo theksoi se përgatitja nuk është vetëm për katastrofa të mëdha.

“Nuk është vetëm fundi i botës ose Lufta e Tretë Botërore; mund të jetë një humbje pune, një fatkeqësi natyrore, çdo gjë”, tha ajo.

Carrie vuri në dukje se ushqimi, uji, strehimi dhe fuqia janë më të rëndësishmet, të ndjekura nga artikujt e vetëmbrojtjes dhe më pas mjetet e komunikimit.

15 artikuj thelbësorë për bunkerin e fundit të botës për ata që përgatiten:

Filtrim dhe pastrim uji (filtër portativ, tableta/pika pastrimi)

Furnizim me ujë të ruajtur (të paktën një galon për person në ditë)

Furnizim me ushqim emergjence (vakte të thara me ngrirje, produkte të konservuara, racione)

Mjete për ndezjen e zjarrit (shkop hekuri, shkrepëse të papërshkueshme nga uji, çakmak)

Kuti e ndihmës së shpejtë (furnizime për trauma, ilaçe, antiseptikë, fasha)

Strehim emergjence (tendë e lehtë, batanije)

Veshje dhe izolim i ngrohtë (çorape leshi, rroba termale, shtresa të papërshkueshme nga uji, doreza)

Thikë shumëfunksionale ose mbijetese (preferohet teh i fiksuar)

Burime drite (llambë + elektrik dore me bateri rezervë ose energji diellore)

Mjete navigimi (busull, harta, rezervë GPS nëse është e mundur)

Burim energjie portativ (karikues diellor, bankë energjie, gjenerator me tre karburante, gjenerator diellor)

Pajisje komunikimi (radio emergjence, bilbil, telefon rezervë, telefon satelitor)

Mjete vetëmbrojtëse (spërkatje me piper, armë zjarri, aty ku është e ligjshme, ose alternative)

Artikuj higjiene dhe sanitare (sapun, peceta, letër higjienike, qese mbeturinash)

Dokumente të rëndësishme dhe para të gatshme (qese e papërshkueshme nga uji me dokument identifikimi, para të gatshme, kontakte emergjence)./e.t

OKB bën thirrje për presion ndaj talibanëve për shkak të shkollimit të vajzave

Kombet e Bashkuara bën thirrje që shtetet të ushtrojnë presion diplomatik ndaj sundimtarëve talibanë në Afganistan, duke thënë se ndalesa që ata kanë vendosur ndaj shkollimit të vajzave, ka lënë miliona fëmijë jashtë klasave shkollore që kur grupi u rikthye në pushtet katër vjet më parë.

“Në një kohë kur disa po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet me talibanët, unë bëj thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mbetet më i mobilizuar se kurrë për rivendosjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtës së grave afgane për arsimim”, tha Audrey Azoulay, drejtoreshë e Agjencisë Kulturore dhe Arsimore të OKB-së, UNESCO.

Afër 2.2 milionë vajzave u ndalohet të ndjekin shkollimin përtej nivelit fillor, sipas UNESCO-s.

“Fatkeqësisht, Afganistani është vendi i vetëm në botë ku arsimi i mesëm dhe i lartë është rreptësisht i ndaluar për vajzat dhe gratë”, tha Azoulay.

“Një gjeneratë e tërë e grave afgane po sakrifikohet”, shtoi ajo, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “mbajë presionin diplomatik”.

Talibanët, të cilët premtuan një sundim më të butë pas marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, kanë vendosur kufizime të mëdha për gratë, duke i ndaluar ato të ndjekin universitetet, të shkojnë në parqe publike, palestra dhe sallone bukurie – masa që OKB-ja i ka cilësuar si “aparteid gjinor”.

Rusia – e cila nuk përmendet në deklaratë – është vendi i vetëm që ka njohur qeverinë e talibanëve që kur ata morën pushtetin më 2021, pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani./E.T

Lindjet/ 1 mijë bebe më pak, qarku i Kukësit i vetmi që ka shënuar rritje

Popullsia e Shqipërisë po vijon tkurrjen. Numri i lindjeve ka një rënie të ndjeshme me 7.4% për tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo që është më shqetësuese është fakti se është ngushtuar edhe më shumë raporti ndërmjet numrit të lindjeve dhe numrit të vdekjeve.

Në këtë tremujor ka pasur vetëm 48 bebe më shumë se numri i personave që janë ndarë nga jeta në të gjithë vendin.

INSTAT raporton se shtesa natyrore është pozitive, kjo për faktin se ka pasur një rënie të numrit të vdekjeve. Dhe pse me rënie nga viti i kaluar, Tirana ka shënuar numrin më të lartë të lindjeve, me 1,982 bebe, dhe kryeqyteti rezulton të ketë shtesën natyrore më të madhe, e cila llogaritet sipas raportit lindje-vdekje.

Në këtë tremujor, Gjirokastra ka regjistruar numrin më të ulët të lindjeve, me vetëm 74, kjo shpjegohet me emigrimin e të rinjve në këtë qark. Ndërsa qarku i Korçës jo vetëm që ka një rënie të theksuar të numrit të lindjeve, por ka një kapërcim të numrit të vdekjeve. Në këtë tremujor, numri i vdekjeve ka qenë 226 më shumë se i lindjeve në këtë qark.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 9,322 lindje (4,340 në tremujorin e parë dhe 4,982 në të dytin), krahasuar me 10,325 lindje në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Kjo tregon një rënie të konsiderueshme, me afro 1,000 bebe më pak. Pothuajse të gjitha qarqet e vendit kanë regjistruar ulje të lindjeve.

Sa i përket shtesës natyrore (lindje-vdekje), vetëm 4 qarqe rezultojnë pozitive, që do të thotë se në këtë tremujor të dytë kanë pasur pak më shumë lindje se numri i vdekjeve, ndërsa në 8 qarqe të tjera shtesa natyrore e popullsisë është negative, pasi numri i vdekjeve është më i lartë se i lindjeve.

Qeveria, për të nxitur lindshmërinë në vend, vendosi që nga viti i ardhshëm të mos ketë më bonus për bebet që do të lindin, por pagesë mujore deri në moshën 5 vjeçare. Është planifikuar pagesë 5,000 lekë në muaj për fëmijën e parë, 7,000 lekë për të dytin dhe 10,000 lekë për të tretin./E.T

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq/ Autori lë spitalin dhe dërgohet në komisariat (VIDEO)

Policia e Korçës ka nxjerrë pas mjekimit në spital autorin e dyshuar të vrasjes me thikë të 14-vjeçarit bashkëmoshatar Erald Xhejo dhe e ka dërguar në paraburgimin e Komisariatit, në pritje të veprimeve hetimore.

Këto janë pamjet që ka siguruar Report Tv nga furgoni i Policisë dhe efektivët para derës hyrëse të spitalit, teksa shoqërojnë të kapur nga krahët të miturin nën pranga, me prezencë të shumtë edhe të familjarëve të tij apo edhe të pacientëve të tjerë përpara godinës.

Mësohet se edhe i dyshuari ka marrë plagë gjatë përleshjes, por pa rrezik jete dhe pritet me interes dëshmia e tij për motivet e krimit dhe rrethanat./e.t

Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania

Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të kontrollojnë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore – Bashkia Tiranë” në portalin unik qeveritar e-Albania. Deri më tani ky shërbim ishte i orientuar kryesisht për bizneset, por tashmë është zgjeruar edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të tjera të përdorura për aktivitet ekonomik.
Ky shërbim u jep mundësinë përdoruesve të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale mbi vlerën e përditësuar të detyrimeve të tyre vendore, përfshirë penalitetet për pagesat e vonuara. Nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike çdo detyrim shfaqet i detajuar sipas vitit, shumës dhe këstit.

Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania

Përveç transparencës mbi detyrimet, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore – Bashkia Tiranë” ofron edhe mundësinë për të shkarkuar dokumentin përkatës që subjekti nuk ka detyrime ndaj Bashkisë Tiranë. Ky vërtetim mund të nevojitet për procedura të ndryshme ligjore, administrative apo tregtare dhe tani merret menjëherë, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportel.
Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokumentacion shoqërues, procedura kryhet me vetëm disa klikime dhe informacioni është i aksesueshëm nga çdo pajisje me internet. Përdoruesit mund të shkarkojnë detyrimet e papaguara në formën e një mandati arkëtimi në çdo moment, apo vërtetimin e likuidimit të këtyre detyrimeve duke kursyer kohë dhe shmangur burokracitë.
Me këtë zgjerim, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës synon të thjeshtojë procedurat, të rritë transparencën dhe t’u ofrojë si bizneseve ashtu edhe qytetarëve një mjet praktik për të menaxhuar detyrimet e tyre vendore dhe për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm në kohë reale./e.t

❌