Filloi pastrimi i hapësirës ku do të ndërtohet Parku Memorial për viktimat e zjarrit në spitalin modular në Tetovë
Ka filluar sot pastrimi i vendit ku do të ndërtohet Parku Memorial në Tetovë, në shenjë përkujtimi për 14 viktimat e zjarrit tragjik në spitalin modular në vitin 2021.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërsa ka informuar se Parku Memorial do të jetë një kujtesë se sistemi duhet të mësojë nga gabimet e veta.
“Në këtë vend ndodhi një tragjedi që e tronditi tërë shoqërinë, një tragjedi që mori jetë njerëzish dhe la boshllëk të madh në familjet e viktimave. Por padrejtësia më e madhe ishte fakti që institucionet zgjodhën të heshtin, të presin dhe të mos reagojnë. Ajo heshtje ishte një nënçmim i ri për të gjithë ata që kërkonin drejtësi. Parku Memorial do të jetë një kujtesë se sistemi duhet të mësojë nga gabimet e veta dhe se qytetarët kanë të drejtë të kenë institucione që do të jenë pranë tyre kur u është më vështirë. Ky projekt është dëshmi se politika mund të ketë edhe një fytyrë tjetër – fytyrën e përgjegjësisë dhe respektit, e jo të heshtjes dhe harresës”, ka shkruar në profilin e tij, ministri Aliu.
The post Filloi pastrimi i hapësirës ku do të ndërtohet Parku Memorial për viktimat e zjarrit në spitalin modular në Tetovë appeared first on Telegrafi.