Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Janevska: Arsimi i mesëm profesional nuk është më alternativë tek të rinjtë, por zgjidhje e parë

3 July 2025 at 14:46

“Arsimi i mesëm profesional në Maqedoni është një model i suksesshëm që kombinon në mënyrë efektive mësimin teorik me punën praktike. Nxënësit kanë mundësinë të fitojnë njohuri të zbatueshme me të cilat mund të hyjnë shpejt në tregun e punës ose të vazhdojnë avancimin e tyre akademik. Të rinjtë e dinë këtë dhe për këtë arsye arsimi profesional nuk është më një alternativë, por zgjedhja e parë midis tyre”.

Këtë e theksoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në një konferencë kushtuar zhvillimit të arsimit dhe trajnimit profesional në Maqedoni, të organizuar nga Ambasada Zvicerane dhe projekti E4E – “Arsim për Punësim”.

“Ne synojmë përsosmëri në arsimin e mesëm profesional. Kemi miratuar ligj të ri që rregullon konceptin e arsimit të dyfishtë, po rrisim numrin dhe po forcojmë qendrat rajonale për arsimin e mesëm profesional. Në bashkëpunim me dhomat, po rrisim numrin e kompanive të përfshira në trajnimin praktik dhe po prezantojmë profesione të reja në përputhje me nevojat e ekonomisë. Kemi siguruar buxhet prej 50 milionë denarësh për 1,570 bursa për studentët që do të regjistrohen në klasa të dyfishta në vitin e ri shkollor”, tha Janevska.

Ministrja theksoi se përpjekjet e institucioneve dhe organizatave partnere kanë një ndikim të shkëlqyer. Trendi i rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve vazhdoi edhe në periudhën e regjistrimeve të qershorit në arsimin e mesëm, me më shumë se dyfishin e numrit të nxënësve të regjistruar në shkollat ​​e mesme profesionale, krahasuar me shkollat ​​e mesme.

Konferenca promovoi gjithashtu anëtarësimin e Maqedonisë në rrjetin World Skills Europe, i cili mundëson lidhjen dhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave pozitive midis vendeve dhe institucioneve në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, dhe në kuadër të tij, organizohen gara ndërkombëtare studentore. Sipas Janevskës, kjo do të mundësojë përparim të mëtejshëm në cilësinë e arsimit profesional në vend.

The post Janevska: Arsimi i mesëm profesional nuk është më alternativë tek të rinjtë, por zgjidhje e parë appeared first on Telegrafi.

Afati i dytë i regjistrimit në shkollat e mesme më 30 qershor, të lira janë 16 000 vende

27 June 2025 at 09:45

Gjysmëmaturantët të cilët në afatin e parë në qershor para dhjetë ditëve nuk u regjistruan në shkollat e mesme për vitin shkollor 2025/2026, do të kenë mundësinë e dytë për t’u regjistruar në paraqitjen e dytë elektronike këtë muaj – të hënën, më 30 qershor. Dokumentacioni i nevojshëm në shkolla do të dërgohet ditën e ardhshme (1 korrik), ndërsa ranglista e nxënësve të regjistruar do të kumtohet më 2 korrik deri në orën 12:00.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga shkollat, për paraqitjen e dytë të qershorit, të lira janë 16 034 vende – 10 758 për mësim në gjuhën maqedonase, 4781 në gjuhën shqipe, 474 në gjuhën turke dhe 21 vende të lira për mësim në gjuhën serbe. Për arsim të mesëm gjimnazial ka 3727 vende të lira dhe 12 307 për arsim profesional.

Pas aplikimit të parë, të mbajtur nga 14 deri më 17 qershor, gjithsej u regjistruan 13 712 nxënës nga 16 601 të paraqiturit. Prej tyre, 10 172 nxënës janë regjistruar për mësim në gjuhën maqedonase, 3 248 në gjuhën shqipe, 279 në gjuhën turke dhe 13 nxënës në gjuhën serbe.

Si edhe në disa vitet e fundit, arsimi profesional është më tërheqës për nxënësit, kështu që në afatin e parë të regjistrimit më shumë se dyfishi i nxënësve u regjistruan në shkolla profesionale (9469) se sa në gjimnaze (4243).

Për arsimin gjimnazial konkursi për regjistrim të nxënësve tashmë ka përfunduar në gjimnazet “Josip Broz Tito” në Manastir dhe “Nikolla Karev” në Shkup. Në paraqitjen e parë, MASH-i kumtoi informatë edhe për shkollat të cilat në Konkursin për regjistrim të nxënësve ka përfunduar në arsimin profesional për sektorë/kualifikime të caktuara.

Sipas kritereve nga Konkursi i MASH-it, u mbajt testim i kualifikuar për shkak të numrit më të madh të nxënësve të paraqitur me pikë të njëjta nga vendet e lira të parapara – në SHMQSH “Dr. Pançe Karagjozov” – Shkup për profilet arsimore infermiere dhe teknik dhëmbësh në gjuhën mësimore shqipe, në Shkollën e mesme “Gostivari” – Gostivar për infermiere në gjuhën mësimore shqipe dhe në gjimnazin “Georgi Dimitrov” – Shkup në gjuhën mësimore maqedonase.

Pas reagimeve të prindërve se në këto shkolla ka pasur provim “të jashtëzakonshëm” përkatësisht “pranues” për fëmijët e tyre, minsitrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska deklaroi se testimi kualifikues është ligjit dhe është paraparë në Konkursin e shpallur nëse ka më shumë nxënës me sukses të njëjtë (të shkëlqyeshëm) nga numri i paraparë i vendeve të lira.

Ajo tha se problem në vendin tonë është vlerësimi dhe suksesi “me të gjitha pesëshe” dhe se shpesh mësimdhënësit i nënshtrohen presionit nga prindërit që fëmijët e tyre të jenë “të shkëlqyeshëm”. Kjo, tha Janevska, çon drejt jo-cilësisë në arsim dhe porositi se vlerësimi duhet të ndryshojë, ndërkaq një prej veglave është risia në ligjin e ri – këshilli i mësimdhënësve të mos ketë kompetenca për përmirësim të notave.

Testimi kualifikues në paraqitjen e dytë në qershor, nëse ka nevojë, do të organizohet në shkolla më 4 korrik dhe ditën e njëjtë do të kumtohen ranglistat përfundimtare me rezultatet.

Për nxënësit të cilët në afatin e qershorit nuk do të regjistrohen në arsim të mesëm, mundësia e ardhshme është afati i gushtit në shkollat ku do të ketë vende të lira. Paraqitja elektronike do të jetë më 21 gusht, ndërsa ditën e njëjtë do të duhet të dërgohet edhe dokumentacioni i nevojshëm në shkolla. Ranglista përfundimtare me rezultatet nga regjistrimi do të shpallet më 22 gusht.

The post Afati i dytë i regjistrimit në shkollat e mesme më 30 qershor, të lira janë 16 000 vende appeared first on Telegrafi.

Ivanovska: Me rritjen e proaktivitetit të MASH-it, rritet edhe mbështetja e BE-së për zhvillimin e arsimit

20 June 2025 at 14:07

“Me rritjen e proaktivitetit të MASH-it realizohen edhe qëllimet e programit, kështu në mënyrë proporcionale rritet edhe mbështetja nga Bashkimi Evropian për zhvillimin e sistemit kombëtar të arsimit dhe për ndërtimin e potencialit njerëzor cilësor. Pres që bashkëpunimi ynë i mirë të vazhdojë edhe në të ardhmen, për të ndërtuar shoqëri nga e cila të rinjtë nuk largohen, por mbesin, kontribuojnë dhe udhëheqin”.

Këtë e theksoi sekretari shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, në konferencën e sotme përfundimtare të projektit gjashtëvjeçar “BE për të Rinjtë”, e cila ka kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit profesional dhe trajnimit në vend.

“Projekti ka dhënë rezultate jashtëzakonisht të rëndësishme dhe pikërisht ato janë baza për veprim të ri në të cilin të rinjtë sërisht do të jenë fokusi ynë. Ndjeshëm është rritur cilësia e arsimit profesional dhe trajnimit dhe është rritur numri i nxënësve në shkollat profesionale, ndërsa është përforcuar dhe avancuar rregullativa ligjore. Janë themeluar tre qendra rajonale për arsim profesional dhe trajnim, të cilat janë të pajisura në mënyrë moderne dhe funksionojnë me sukses, gjithashtu ka filluar procesi transformues në katër shkolla të tjera të cilat duhet të rriten në qendra rajonale”, tha Ivanovska, duke shtuar se janë përmirësuar edhe kapacitetet e institucioneve për analizë, planifikim dhe krijim të politikave të orientuar drejt të rinjve.

Ivanovska theksoi se një numër i madh i të rinjve, personalisht i kanë ndjerë përfitimet e projektit. Kanë fituar njohuri dhe aftësi me të cilat janë konkurrues në tregun e kapitalit njerëzor, lehtësisht gjejnë punë dhe integrohen në proceset shoqërore.

“Sigurisht se ne i kemi mbështetur edhe nga shumë aspekte të tjera, për shembull përmes pranimit të dhjetrave kërkesave të tyre vetëm në periudhën e fundit të një viti, të cilat një pjesë e madhe i referohen përmirësimit të standardit të nxënësve dhe studentëve. Ne i kemi përfshirë në krijimin e politikave dhe ligjeve. Kemi përmirësuar infrastrukturën në të cilën ata arsimohen dhe do të ndaj me ju se aktualisht kemi investime aktive me vlerë prej mbi 32 milionë euro”, informoi sekretari shtetëror.

Sekretari shtetëror shprehu kënaqësinë se BE-ja vlerëson arritjet kombëtare duke ofruar mbështetje edhe më të madhe dhe pritjet se bashkëpunimi do të vazhdojë për integrimin e përshpejtuar të Maqedonisë në familjen evropiane.

The post Ivanovska: Me rritjen e proaktivitetit të MASH-it, rritet edhe mbështetja e BE-së për zhvillimin e arsimit appeared first on Telegrafi.

Janevska siguron: Në shtator do të ketë libra për çdo nxënës

10 June 2025 at 15:30

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, gjatë vizitës së sotme të punës në Tetovë, tha se vitin e ardhshëm shkollor do të ketë tekste shkollore për çdo fëmijë dhe se deri atëherë do të tejkalohen disa keqkuptime që ekzistojnë në marrëdhëniet mes ministrisë, komunave dhe shkollave.

Në pyetjen e një gazetari se pse nuk ka mësimdhënës të gjuhës shqipe në diasporë, Janevska tha se ka mungesë për të dyja gjuhët (maqedonisht dhe shqip) dhe se po punohet për të gjetur një zgjidhje.

“Ka disa keqkuptime mes udhëheqjes së shkollave por edhe mes disa komunave dhe pushtetit qendror. Libra duhet të ketë për çdo fëmijë, ministria do të siguroj libra për çdo fëmijë. Ka disa keqkuptime ku kërkohet libra që realisht nuk janë dhe realisht nuk ka pas libra se shkollat nuk i kanë kërkuar nga ministria. Këtë vit do të mundohemi që këtë sfidë ta tejkalojmë dhe pikërisht për këtë do të kemi pres dhe ju tutem që ta ndiqni”, u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

The post Janevska siguron: Në shtator do të ketë libra për çdo nxënës appeared first on Telegrafi.

Janevska uron nxënësit për përfundimin e vitit shkollor: Së bashku vazhdojmë me ndryshimet për arsim më cilësor

10 June 2025 at 11:09

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, i ka uruar nxënësit për përfundimin e vitit shkollor. Ajo i përkujton ata se pushimet verore duhet t’i shfrytëzojnë edhe për të lexuar.

“Nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të cilët sot e përfundojnë vitin shkollor, i përgëzoj për punën e tyre të palodhur dhe suksesin e merituar. Pushimet verore janë përpara jush, pushoni mirë, por mos harroni se ka kohë për lojë dhe për të lexuar libra, për t’u argëtuar dhe për të zotëruar aftësi të reja, për t’u shoqëruar dhe për të përdorur kompjuterin për kërkime”.

“Urime të gjithë mësuesve, mësimdhënësve dhe profesorëve të cilët çdo ditë shkolle i ndihmuan të rinjtë të fitonin njohuri të reja dhe të ishin më të aftë për t’u përballur me sfidat. Ne e vlerësojmë punën tuaj, kemi rritur pagat tuaja me mbi 12 përqind dhe ato do të vazhdojnë të rriten, ndërsa po përmirësojmë vazhdimisht kushtet në të cilat punoni. Ju jeni shtylla mbi të cilën ndërtojmë një sistem arsimor cilësor dhe për këtë ju jemi mirënjohës”, thotë Janevska në urim.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon të përmirësojë sistemin edukativo- arsimor, po punojmë për Strategji të re Arsimore, për krijimin e kushteve për të siguruar punë me një turn të vetëm dhe qëndrim të zgjatur për nxënësit në sa më shumë shkolla të jetë e mundur. Po punojmë për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës, avancimin e programeve mësimore dhe teksteve shkollore, si dhe përshpejtojmë procesin e digjitalizimit”.

“Këtë vit shkollor kemi bërë shumë – kemi siguruar tekste shkollore për lëndë që nuk ishin të disponueshme, kemi miratuar ligje kyçe dhe së bashku me komunat kemi punuar për të përforcuar mjediset shkollore në mënyrë që ato të jenë të qeta dhe të sigurta për nxënësit, pa segregacion dhe diskriminim për asnjë arsye. Për vitin shkollor 2025/2026, të gjithë duhet të bëjmë edhe më shumë së bashku, në mënyrë që fëmijët tanë të mund të marrin arsimin që e meritojnë”, thotë Janevska në urim.

The post Janevska uron nxënësit për përfundimin e vitit shkollor: Së bashku vazhdojmë me ndryshimet për arsim më cilësor appeared first on Telegrafi.

MASH-i konstaton: Shkolla e vjetër e Nerovës nuk është në gjendje të mirë

9 June 2025 at 14:47

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kanë inspektuar të dy objektet shkollore në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës dhe sipas MASH-it, aktualisht së bashku me komunën e Krushevës janë duke shqyrtuar mundësitë për tejkalimin e situatës së krijuar në Nerovë.

Sa i përket objektit të vjetër shkollor të këtij fshati, pas kontrollit nga Ministria e Arsimit është konstatuar se nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve.

“Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan të dy objektet dhe aktualisht janë duke shqyrtuar opsionet për tejkalimin e sfidës, së bashku me komunën. Objekti ekzistues nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Ndërsa sa i përket objektit të ri, Ministria nuk ka marrë pjesë në punimet ndërtimore dhe as nuk ka mbikëqyrur punimet, kështu që nuk do të mund të jepej pëlqimi për transferimin e fëmijëve atje, duke qenë se nuk dihet nëse janë respektuar të gjitha normat për ndërtimin e një objekti shkollor në të cilin nxënësit duhet të jenë të sigurt. Kjo do të përcaktohet më tej. Ne jemi duke komunikuar me komunën dhe do të njoftoheni”, njoftojnë nga Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Nisma e banorëve të fshatit Nerovë për ndërtim të një objekti të ri shkollor erdhi pas ankesave të shumta për mos pasje të kushteve për mësim të mbi 120 nxënësve shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës. Pasi banorët u ndaluan që të vazhdojnë punimet në objektin e ri që e ndërtuan me vetë kontributin e tyre, dolën në protestë ndërsa fëmijët bojkotuan mësimin. Më pas fëmijët iu rikthyen mësimit, por zgjidhje për Nerovën ende nuk ka.

The post MASH-i konstaton: Shkolla e vjetër e Nerovës nuk është në gjendje të mirë appeared first on Telegrafi.

Bie numri i të regjistruarve në klasë të parë në pjesën lindore të vendit

6 June 2025 at 21:21

Çdo brez i nxënësve të klasës së parë në Shtip dhe rajonin lindor është më i vogël se ai i mëparshmi. Në Shtip, këtë vit u regjistruan 100 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Ka një rënie në të gjitha komunat në lindje.

Në periudhën e regjistrimeve të majit, 326 nxënës të klasës së parë u regjistruan në pesë shkollat ​​fillore në Shtip, 100 nxënës më pak se vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Zyra Rajonale e Arsimit e Shtipit, numri i fëmijëve të lindur në vitin 2019 që duhet të fillojnë shkollën këtë vit është 470, por me migrimin dhe emigrimin numri po ulet ndjeshëm.

Rreth 120 fëmijë më pak janë regjistruar në shkollat ​​e Koçanit krahasuar me 340 të regjistruar. 220 fëmijë janë regjistruar, rreth dyzet më pak se vitin e kaluar.

Situata është disi më e mirë në shkollat ​​në zonat rurale. Në Orizare të Koçanit, numri i studentëve të vitit të parë është 20 dhe është më i lartë se vitin e kaluar.

Në Berovë, ka vetëm 47 studentë të vitit të parë, 20 më pak se vitin e kaluar, në Delçevë janë regjistruar 93 fëmijë, 13 më pak se vitin e kaluar, dhe në Vinicë numri i studentëve të vitit të parë është pothuajse i njëjtë me 112 të vitit të kaluar.

The post Bie numri i të regjistruarve në klasë të parë në pjesën lindore të vendit appeared first on Telegrafi.

MASH-Maqedoni: Ndërtojmë shkolla me zero tolerancë ndaj dhunës, përmes trajnimeve përforcojmë aftësitë e mësimdhënësve

6 June 2025 at 13:33

Dhuna tek të rinjtë renditet ndër prioritetet më të larta të BE-së, duke inkurajuar strategji, programe dhe iniciativa të shumta për ta luftuar atë. Fatkeqësisht, kjo temë është gjithashtu ndër të rëndësishmet në vendin tonë. Raporti i prezantuar sot nuk është vetëm diagnozë e realitetit, por do të shërbejë edhe si mjet në përforcimin e politikave, hartimin e masave dhe përcaktimin e aktiviteteve të përshtatshme për t’u përballur me dhunën, theksoi Elena Ivanovska, sekretare Shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në fjalimin e saj në prezantimin e raportit mbi dhunën midis bashkëmoshatarëve tek nxënësit e moshës 11, 13 dhe 15 vjeç në Maqedoni.

Për të realizuar proces edukativo – arsimor cilësor, është e domosdoshme që nxënësit të jenë në mjedis të sigurt dhe të mbrojtur ku zhvillohet dhe trajtohet atmosferë bashkëpunimi dhe komunikimi konstruktiv, ku respektohet diversiteti, theksoi Ivanovska, duke shtuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar për të ndërtuar shkolla me tolerancë zero ndaj dhunës.

“Në këtë drejtim, shkollat organizojnë aktivitete mësimore dhe jashtëshkollore për nxënësit, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për komunikimin jo të dhunshëm, si dhe veprimin në rast të sjelljes së dhunshme. Lidhja kryesore është mësimdhënësi. Parandalimi fillon me të dhe, në fund të fundit, është mësimdhënësi ai që duhet të ballafaqohet me sjelljen e nxënësve. Prandaj, trajnimet për zhvillimin profesional të mësimdhëmësve në shkollat fillore dhe të mesme përmbajnë një fushë të tërë – Krijimin e mjedisit stimulues mësimor ku temat lidhen me përballjen me dhunën nga bashkëmoshatarët, zgjidhjen e konflikteve, zhvillimin e parimeve dhe vlerave etike, etj. Shërbimi profesional i shkollës dhe Shërbimi Pedagogjik në Ministri veprojnë si asistentë të mësimdhënësit , theksoi Ivanovska.

Nxënësit, prindërit dhe palët e tjera të interesuara mund të raportojnë rastet e dhunës në shkollë në adresën e posaçme të emailit prijavinasilstvo@mon.gov.mk. Këtë vit, në këtë adresë janë pranuar 48 raportime. Nga këto, 28 janë zgjidhur dhe 20 janë në procedurë. Numri i rasteve është dukshëm më i ulët se vitin e kaluar shkollor, ku ishin mbi 120 raportime.

Përveç adresës speciale të emailit, dhuna nga bashkëmoshatarët mund të raportohet edhe drejtpërdrejt në Shërbimin Pedagogjik ose në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.

Ivanovska tha se për të bërë ndryshime kulturore në botën e të rinjve, ata duhet të fillojnë në botën e të rriturve, sepse nuk mund të presim sjellje jo të dhunshme nga të rinjtë nëse

normalizojmë forma të ndryshme të dhunës në marrëdhëniet tona familjare, profesionale dhe shoqërore.

Raporti Kombëtar mbi dhunën nga bashkëmoshatarët tek nxënësit e moshave 11, 13 dhe 15 vjeç është përgatitur në kuadër të studimit për sjelljet e lidhura me shëndetin e fëmijëve në moshë shkollore, studim gjatësor ndërkombëtar i cili kryhet çdo katër vjet, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, ndërsa realizohet nga Qendra për Veprim Psikosocial dhe Krizë-Malinska, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillim e Arsimit dhe në bashkëpunim me Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara – UNFPA.

The post MASH-Maqedoni: Ndërtojmë shkolla me zero tolerancë ndaj dhunës, përmes trajnimeve përforcojmë aftësitë e mësimdhënësve appeared first on Telegrafi.

Janevska: Ekipi i Ministrisë së Arsimit nesër do ta vizitojë shkollën në Nerovë

2 June 2025 at 11:55

Ministria e Arsimit nuk ka një vendim konkret se cila do të jetë zgjidhja për rastin e Nerovës. Ministrja Vesna Janevska përsëriti se objekti ri shkollor është ndërtuar në mënyrë ilegale duke shtuar se do të shqyrtoj mundësinë për të rikonstruar objektin ekzistues ku tashmë ndjekin mësimin mbi 120 nxënës.

Janevska tha se të martën një ekip i dikasterit të saj do të vizitoj këtë fshat për të parë nga afër gjendjen e objektit ekzistues dhe nëse i njëjti mund të rikonstroohet. Janevska tha se tashmë ka nisur komunikimin me shkrim me drejtuesit të Komunës së Krushevës por deri në këto momente nuk ka marrë një përgjigje kthyese.

“Objekti i ri shkollor është ndërtim pa leje. Nuk e dimë nëse është ndërtuar sipas standardeve, nuk e dimë çfarë materiale janë përdorur dhe ky do të jetë një problem serioz. Ajo që mund të bëjë Ministria e Arsimit është të kryejë këtë inspektim të shkollës së vjetër dhe të marrë të gjitha masat për një infrastrukturë të bukur në të cilën do të mësonin nxënësit e ardhshëm, brezat e ardhshëm, domethënë, nëse është i nevojshëm rindërtimi i asaj shkolle, ajo do të bëhet”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

The post Janevska: Ekipi i Ministrisë së Arsimit nesër do ta vizitojë shkollën në Nerovë appeared first on Telegrafi.

Mbi 15 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen provimit në gjuhën amtare

30 May 2025 at 16:50

Mbi 15,000 maturantë nesër do t’i nënshtrohen provimit në gjuhën amtare dhe letërsisë, pjesë e detyrueshme e provimit të parë të jashtëm.

Këtë vit për provimin e maturës shtetërore janë regjistruar 15,004 kandidatë, nga të cilët 8,816 nxënës janë nga shkollat ​​e mesme profesionale, 5,966 nga gjimnazet dhe 222 nga shkollat ​​për arsim artistik.

Provimi i dytë i jashtëm nga provimi shtetëror i maturës, i cili është zgjedhor (matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi, estetikë), do të jepet më 11 qershor.

Maturantët e shkollave të mesme që nuk e kalojnë provimin shtetëror të maturës në qershor ose nuk e kalojnë plotësisht, do të kenë një shans të dytë. Provimi i gjuhës amtare është më 12 gusht, ndërsa provimi në lëndë zgjedhore dy ditë më vonë./Telegrafi/

The post Mbi 15 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen provimit në gjuhën amtare appeared first on Telegrafi.

Nxënësit e Nerovës vazhdojnë bojkotin, Hristoski: Po shqyrtohen të gjitha mundësitë që mos të rrënohet objekti i ndërtuar

21 May 2025 at 19:20

Mbi 140 nxënës të shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës edhe sot bojkotuan mësimin. Prindërit përsëritën se nuk do të lejojnë fëmijët në shkollë derisa institucionet përkatëse të lejojnë realizimin e punimeve ndërtimore dhe të legalizojnë objektin e ri shkollor që aktualisht po ndërtohet nga vet banorët e fshatit. Sipas banorëve, çdo tentim për të rrënuar këtë objekt do të pengohet. Nga ana tjetër, kryetari i Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor.

“Shembja e objektit është nën kompetencë të Komunës së Krushevës. Ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë sipas kompetencave për rrënim, sipas Inspektimit që kemi këtu në Krushevë. Do të gjejmë, do të kërkojmë një mënyrë, edhe një herë do të kërkojmë ndihmë nga pushteti qendror, në bashkëpunim dhe koordinim me ta ta zgjidhim këtë problem që po shqetëson banorët tanë të fshatit Nerovë, të bëhet në një mënyrë më të padhimbshme, jo kështu me dhunë, jo me forcë, jo duke kërkuar fajtorë apo diçka të tillë”, tha Toni Hristoski, kryetar I Komunës së Krushevës.

Hristoski, kujton se gjeneza e mos legalizimit të objektit të ri shkollor që tashmë është në ndërtim por edhe atij të vjetër daton shumë vitë më parë, pas ndarjes territorial të vitit 1996.

“Më 28.02.2025 kemi dërguar në Qeveri shkresë përmes të cilës kërkuam që për shkak të bilancit të ndarjes që nga viti 1996, pas ndarjes teritorriale në vend për përcaktimin e zonës sepse pozicioni i atij vendi I takonte shkollës fillore “Liria” të fshatit Zhitoshë të Komunës së Dollnenit, që nuk ishte e qartë prej në fillim ndërkohë ju tregoj se vendi kompetent është komuna e Krushevës. Ka pasur raste në të kaluarën, edhe në komuna tjera si ky shembull I mirë të mund të legalizohet dhe të vihet në shërbim të më të dashurve tanë, në këtë rast janë fëmijët ose në shërbim të stafit që ligjëron”, u shpreh Toni Hristoski, kryetar i Komunës së Krushevës.

Që nga e hëna, banorët e fshatit Nerovë protestojnë para objektit shkollor, pasi policia ka ndaluar punimet ndërtimore në objekt dhe sipas banorëve, po shqyrtohet vendimi për rrënimin e objektit për shkak të mospasjes së lejes për ndërtim nga institucionet. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin. /Alsat/

The post Nxënësit e Nerovës vazhdojnë bojkotin, Hristoski: Po shqyrtohen të gjitha mundësitë që mos të rrënohet objekti i ndërtuar appeared first on Telegrafi.

Janevska: Nga shtatori do të ketë më shumë kompani që do të pranojnë nxënës nga arsimi dual

13 May 2025 at 17:15

“Një nga mjetet kryesore për t’i mbajtur të rinjtë në vend është një arsim i mirë që do t’u sigurojë atyre akses të lehtë në tregun e punës. Përmes arsimit të mesëm profesional, me kalimin e viteve, është krijuar lloji i personelit që i nevojitet ekonomisë, shoqërisë dhe industrisë në Maqedoni”.

Këtë e theksoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panelin e sotëm “Arsimi i së Ardhmes: Ndërtimi i Liderëve, Mendimtarëve dhe Inovatorëve”.

Ajo tha e për momentin, ka 550 kompani që pranojnë studentë nga paralelet duale, por pret që nga shtatori numri i kompanive të rritet.

“Është mirë që kompanitë pranojnë studentë dhe punojnë me ta, dhe disa prej tyre qëndrojnë për të punuar në ato kompani”, tha Janevska.

Ndërsa Drejtori Ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Institutit Leoron, Arben Jusufi, tha se nuk pajtohet që studentët me aftësitë që fitojnë janë të gatshëm për punë. Sipas tij, nevojitet një strategji afatgjatë që do të përmirësojë procesin arsimor dhe punësimin.

The post Janevska: Nga shtatori do të ketë më shumë kompani që do të pranojnë nxënës nga arsimi dual appeared first on Telegrafi.

Janevska: Janë mbyllur gjithsej 13 institute shkencore

13 May 2025 at 13:31

Janë mbyllur gjithsej 13 institute shkencore, dhe 13 të tjera janë nën monitorim të ngushtë, dhe mbetet të shihet se sa prej tyre do të mbyllen. Një objekt mjekësor është mbyllur dhe një tjetër do të mbyllet, njoftoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.

Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas panelit në kuadër të Samitit Maqedonia 2025, Janevska tha se marrja e diplomave të falsifikuara dhe të pamerituara është një sekret i hapur. Në raste të tilla, siç theksoi ai, të dyja palët janë pjesëmarrëse dhe duhet të mbahen përgjegjëse për kryerjen e një vepre penale.

“Është sekret i hapur, njerëzit flasin hapur kur janë në një rreth privat, se kanë fituar diploma të tilla, por, siç thashë, është e vështirë të provohet që njëra ose pala tjetër është pjesëmarrëse, dhe të dyja palët duhet të mbahen përgjegjëse, është një akt kriminal.

Por meqenëse është edhe sekret publik dhe meqenëse kemi instrumente me të cilat mund të kontrollojmë cilësinë e arsimit në institucione të caktuara të arsimit të lartë, ne e bëjmë këtë. Ka paqartësi në Ligj, ka gjëra në të kaluarën që nuk janë bërë, për shembull vlerësimet nga Agjencia për Cilësinë në Arsimin e Lartë. Për ta mbyllur procesin, duhet të bëjmë ndryshime në ligjet për arsimin e lartë, për AKVO-në, për kërkime shkencore, për inovacione, … po zbatojmë atë që na lejon Ligji për Shkencën. Ne mund t’i mbyllim ligjërisht institutet dhe kemi mbyllur 13, 13 të tjera janë nën monitorim të rreptë. Do të shohim se sa prej tyre do të mbyllen.

Mbyllëm një objekt mjekësor, tani do të mbyllim një të dytë. Jemi ende duke e përfunduar procesin sepse nuk do të doja që procedura të ishte e gabuar. Do ta përfundojmë dhe do të vazhdojmë në atë drejtim në të ardhmen”, theksoi Janevska./Telegrafi/

The post Janevska: Janë mbyllur gjithsej 13 institute shkencore appeared first on Telegrafi.

Kallëzime penale për ish-drejtoreshën e një shkolle në Kumanovë dhe gjashtë të punësuarve në MASH

9 May 2025 at 15:43

MPB Maqedoni njofton se është ngritur kallëzim penal kundër V.T, ish-drejtoreshës së shkollës së mesme “Kiro Burnaz” në Kumanovë, gjashtë të punësuarve në Ministrinë e Arsimit, dy subjekteve juridike nga Kumanova dhe pronarëve të tyre, të cilët dyshohen për keqpërdorim në procesin e kontratave për transport të nxënësve.

“Respektivisht, edhe pse shkolla ishte në rikonstruksion dhe nuk zhvillonte mësim me prezencë fizike, ata dyshohet se kanë falsifikuar dokumente për shërbime të kryera dhe kanë lëshuar fatura të rreme që janë paguar nga Ministria, duke shkaktuar dëm financiar. Ata dyshohen se kanë vepruar në dy raste, në periudhën e vitit shkollor 2022/2023 dhe 2023/2024”.

“Të gjithë të raportuarit i kanë mundësuar të akuzuarit D.P. dhe personit juridik për transport të udhëtarëve nga Kumanova të përfitojnë dobi pasurore kundërligjshëm në vlerë të përgjithshme prej 32.620.123 denarëve, në dëm të buxhetit të RMV-së”, shtojnë nga MPB.

The post Kallëzime penale për ish-drejtoreshën e një shkolle në Kumanovë dhe gjashtë të punësuarve në MASH appeared first on Telegrafi.

Profesori Satki Ismaili: Nuk do të kemi arsim cilësor pa depolitizim

7 May 2025 at 15:43

Profesori me përvojë 40-vjeçare në arsim Satki Ismaili është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për tema të ndryshme në fushën e arsimit. Ai tha se ka ndryshime të mëdha në arsim, që nga koha kur ka nisur të punojë. Profesori Ismaili tha se krenohet me periudhën e kaluar, por bëri thirrje që mësimdhënësit të jenë në hap me zhvillimet e kohës, sa i përket arsimit.

“Ajo që kemi kaluar para 40 viteve, vërehen ndryshime, disa janë që duhet t’i pranojmë dhe nuk mund të kërkojmë ajo që ka qenë. Duhet të krenohemi me të kaluarën, kushtet, sistemi arsimor, atmosfera, shoqërimi, qasja. Hulumtimet tregojnë se ka rënie të cilësisë së arsimit. 10 vitet e fundit notat janë rritur. Ekspertët e huaj për këtë thonë se nuk janë objektive, ata thonë se do të vijë kohë që nuk do të ketë nevojë të ketë nota. Testimet ndërkombëtare tregojnë se ka rënie të cilësisë së arsimit”, tha Ismaili.

I pyetur për dallimet në mes etnive sa i përket arsimimit, ai tha se institucionet shtetërore nuk tregojnë rezultatet e testimeve në bazë të përkatësisë së kombësisë.

“Mendoj se i ikin asaj të tregohet se si është dallimi në struktura të ndryshme, dmth nuk tregohen rezultatet tek shqiptarët, maqedonasit, turqët. Mirëpo ka hulumtime ndërkombëtare që janë të qarta të cilat tregojnë se ka dallim dhe ne kemi ngecje. Përveç asaj ne shqiptarët kemi ngecje në nivel shtetëror”.

“Pjesa dërmuese e ministrave të Arsimit në kohën e fundit kanë qenë shqiptar. Shqiptarët kanë qenë në institucionet vendimmarrëse, por nuk mund të themi që ministri ka qenë shqiptar dhe nuk ka kontribuar për arsimin shqip. Kyçja në politik i ka kriteret dhe kushtet e veta. Por ajo që është brengosëse është që ministrat interesohen më shumë për infrastrukturën dhe diskutojnë vetëm për çështjen e kushteve, ndërsa i lënë anash politikat arsimore, programet zhvillimore. Asnjëherë nuk bëhen hulumtime se çfarë është arritur nga programet dhe strategjitë nacionale”, tha ai.

E pyetëm se çfarë do të ndryshonte nëse ai do të ishte ministër i Arsimit, ndërsa Ismaili përmendi disa gjëra.

“Është mirë që ekipi të jetë ekspertë dhe të jenë njohës të arsimit. Pastaj mjaft me rëndësi janë që strategjitë arsimore të ministrit të Arsimit që shpërndahen të bazohen strategjitë nacionale dhe programet zhvillimore që i kanë të parapara në kohë të caktuara. E treta është me rëndësi që zhvillimi profesional i të përfhisrëve në arsim, të jenë në vazhdimësi me kërkesat e kohës me zhvillimet që i kërkon koha. Gjithashtu duhet të bëhet depolitizim i arsimit, derisa arsimi është i politizuar nuk mund të kemi cilësi”, tha Ismaili.

Ai gjithashtu tha se në këtë periudhë mësimdhënësit nuk i japin rëndësi mendimit kritik të nxënësve dhe më shumë fokusohen te mbajtja në mend./Telegrafi/

The post Profesori Satki Ismaili: Nuk do të kemi arsim cilësor pa depolitizim appeared first on Telegrafi.

Janevska: Mësimdhënësit nga muaji prill do të kenë rritje të pagës për 7%

30 March 2025 at 13:38

Rritja e pagave prej shtatë për qind në arsim do të bëhet në muajin prill dhe kjo do të vlejë për të gjithë të punësuarit në shkollat ​​fillore dhe të mesme, përveç stafit mësimdhënës, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

“Fatkeqësisht, në rrjetet sociale kanë dalë spekulime të shumta se diçka nuk shkon me rritjen e pagave.

Kjo nuk është e vërtetë, me përgjegjësi pohoj se edhe këtë vit, sikurse edhe vitet e kaluara, mësimdhënësit do të marrin pagë më të lartë për 7 për qind në prill”, tha ministrja Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit para Forumit të tretë Ekonomik të Gruas në Shkup.

Ajo shtoi se rritja do të vlejë edhe për të gjithë punonjësit e tjerë të shkollave si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm./Telegrafi/

The post Janevska: Mësimdhënësit nga muaji prill do të kenë rritje të pagës për 7% appeared first on Telegrafi.

MASH: 100 psikologë të përfshirë në rritjen e mbështetjes psikosociale për nxënësit e prekur nga zjarri në Koçan

21 March 2025 at 15:36

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, njoftoi se në bashkëpunim me UNICEF-in, profesorët e Institutit të Psikologjisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Oda e Psikologëve të Maqedonisë dhe Kryqi i Kuq, ofruan mbështetje psikologjike për të gjithë nxënësit në vend, e cila do të jetë më intensive në komunat ku një numër i madh i të rinjve, në fatkeqësinë në Koçan humbën vëllezërit, motrat, shokët dhe bashkëmoshatarët.

“Menjëherë pas ngjarjes tragjike u përgatitën dhe u dërguan udhëzime shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve për veprim në periudhën e ardhshme, gjegjësisht për ofrimin e ndihmës së parë psikologjike dhe mbështetjes psikosociale. Udhëzimet janë të disponueshme në të pesë gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi. Është formuar rrjet prej 100 psikologëve të shkollave nga Shkupi, por edhe nga qytete të tjera, të cilët po i drejtojmë në Koçan, Vinicë, Shtip, Çeshinovë – Obleshevë dhe vendet në rrethinë, si mbështetje për kolegët e shkollave atje, për të punuar me nxënësit, prindërit e tyre, mësimdhënësit dhe qytetarët në përgjithësi, ndërsa duke vepruar sipas protokollit të posaçëm të përgatitur për ndërhyrje në krizë”, tha Janevska.

Ajo theksoi se deri më tani, 32 psikologë kanë përfunduar trajnimin e specializuar, në të cilën janë përfshirë Oda e Psikologëve, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe UNICEF-i, dhe tashmë ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në terren. Të tjerët do të përfshihen pasi të kenë dhënë trajnimin e sotëm.

“Në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është publikuar lista e kontakteve telefonike të 40 psikologëve, anëtarë të Odës së Psikologëve të Maqedonisë, të cilët  vazhdimisht  janë në dispozicion për bisedë, përkatësisht për këshillim psikologjik. Lista përfshin gjithashtu linja të dedikuara të ndihmës së parë psikologjike të Kryqit të Kuq që janë funksionale 24/7. Ndihmë mund të kërkohet edhe në qendrat e Kryqit të Kuq në çdo kohë, si dhe në Qendrën e Shëndetit Mendor në Koçan, ku ka përfaqësues të Klinikës Universitare për Psikiatri”, tha Janevska.

Janevska inkurajoi personat profesional të cilët  dëshirojnë të ndihmojnë në këtë situatë për të plotësuar nevojat e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve.

“Nëse kanë nevojë për udhëzime më të sakta se ku janë më të nevojshme dhe si të veprojnë, mund të drejtohen deri te Ministria dhe deri te Oda e Psikologëve. Për përkrahje të studentëve në Universitetin “Goce Dellçe” në Shtip është hapur qendra këshilluese për të rinj. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë dhe koordinojë aktivitete që mund t'i ndihmojnë të rinjtë në përballjen me sfidat”, tha ministrja.

The post MASH: 100 psikologë të përfshirë në rritjen e mbështetjes psikosociale për nxënësit e prekur nga zjarri në Koçan appeared first on Telegrafi.

Dauti për bojkotin e mësimit nga nxënësit në Tetovë: Nuk guxon të ndërpritet mësimi

14 March 2025 at 14:44

Pasi nxënësit në Komunën e Tetovë bojkotuan procesin mësimor me arsyetimin e kohës së iftarit, Nazmi Dauti nga sektori për Arsim thotë se kjo assesi nuk guxon të ndodh pasi ligji e parasheh se në çfarë situatash mund të ketë ndërprerje të procesit mësimor.

Dauti tha se shkollat kanë bërë përshtatje të orarit dhe nxënësit kanë mundësi që në kohën e iftarit të furnizohen me ushqim, por siç tha Dauti, në rast se vazhdon bojkoti, do të ndërmerren masa pedagogjike në bazë të ligjit për arsim të mesëm dhe fillor.

“Assesi nuk guxon të ndërpritet procesi edukativo arsimor, ligji është shumë decid kur procesi arsimor mund të ndërpritet, në rast të fatkeqësive natyrore, tërmeteve, epidemive apo rasteve të jashtëzakonshme. Në këta situata mund të kemi ndërprerje të procesit apo zvogëlim të mbarëvajtjes të procesit edukativo arsimor”.

“Lus nxënësit dhe profesorët të fokusohen në procesin edukativo arsimor, nxënësit të kthehen dhe të vazhdojnë procesin edukativo arsimor, shkollat normalisht kanë bërë inkorporimin e orarit që pushimi i gjatë të zgjasë në vend të 20 minutave do të zgjasë 25 apo 30 minuta, brenda kësaj periudhë do furnizohen me ushqim dhe pas përfundimit të pushimit normalisht që nxënësit duhet të kthehen në procesin edukativo arsimor. Nëse vazhdohet me bojkot normalisht që shkollat do duhet të ndërmarrin edhe masa pedagogjike ashtu siç i parasheh ligji për arsim të mesëm dhe fillor“, tha Dauti./TV21/

 

The post Dauti për bojkotin e mësimit nga nxënësit në Tetovë: Nuk guxon të ndërpritet mësimi appeared first on Telegrafi.

Janevska: Gjatë këtij mandati do të përfundojnë të gjitha punimet në ndërtim të Fakultetit të Informatikës

10 March 2025 at 14:39

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska paralajmëroi se gjatë këtij mandati do të përfundojnë të gjitha punimet ndërtimore që kanë të bëjnë me objektin e ri dhe tashmë në ndërtim të Fakultetit të Informatikës. Fakulteti në fjalë përfshirë edhe atë të Edukatës Fizike kanë nisur të ndërtohen që nga viti 2015 në kuadër të projektit “Shkupi 2014” por deri më sot pa një përfundim final.

Ndërtimi është ndërprerë në vitin 2019 dhe që atëherë, edhe pse janë ndarë mjete buxhetore pikërisht për ndërtimin përfundimtar, në terren nuk është vërejtur asnjë aktivitet ndërtimor. Studentët e FINKI-t, prej vitesh studiojnë në hapësirë të pamjaftueshme, andaj lëvizin vazhdimisht në kampuset fqinje.

“Procedura është në vijim. Atë që mund ta them me siguri është se ndërtesa e FINKI do të ndërtohet gjatë këtij mandati”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

The post Janevska: Gjatë këtij mandati do të përfundojnë të gjitha punimet në ndërtim të Fakultetit të Informatikës appeared first on Telegrafi.

Blendi Hodai në “PodGo”: Nevojiten reforma të thella në arsim, të rinjtë nuk kanë shumë mundësi

5 March 2025 at 14:57

Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për arsimin në vend, politikën, si dhe të rinjtë.

Ai tha se një ndër problemet më të mëdha në arsim është partizimi, si dhe cilësia e ulët e mësimdhënësve. Blendi tha se në këtë periudhë të rinjtë janë në gjendje më të mirë se pesë vite më parë, si dhe parashikoi që të ndodhin ndryshime më të mëdha për shkak të zhvillimit teknologjik.

“Partizimi si fenomen ka hyrë edhe në sistemin arsimor. Profesorët e ardhshëm kalojnë nëpër shtabe të partisë, dmth pa mos e pasur aminin e të parit të partisë ata nuk mund të ligjërojnë nëpër shkolla ose universitete. Jo rastësisht rezultatet e PISA-s tregojnë se 70 përqind e nxënësve nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë. Dhe për këtë nuk janë fajtorë nxënësit, por ata që i mësojnë nxënësit. Kemi degradim të sistemit arsimor. Maqedonia e Veriut është në kaos të madh në sistemin e lartë arsimor. Duhet të ketë reforma radikale”.

“Jemi më mirë se para pesë viteve, pasi kemi hapësira të pavarura organizimi. Para pesë viteve ka qenë ndryshe. Ndërsa në pesë vitet e ardhshme besoj se do të ketë ndryshime të mëdha për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Mendoj se duhet të jetë më etike mënyra se si përdoret inteligjenca artificiale”, tha Blendi.

Sa sfidave të të rinjve, ai tha se për momentin të rinjtë ballafaqohen me mundësi të pakta si dhe shërbimi i dobët që marrin nga autoritetet shtetërore.

“Më shumë i shoh nga aspekti shoqëror disa gjëra. Mendoj që një ndër sfidat që i kemi janë mundësitë që i kemi. Është problem që pasi të kryejmë arsimin e lartë e kemi të vështirë të gjejmë punë. Gjithashtu mendoj që sfidë janë shërbimet publike që i ofron shteti, shëndetësia, arsimi, drejtësia. Këto janë edhe ndër arsyet që i shtyjnë qytetarët të ikin nga vendi”, tha Blendi.

E pyetëm se çfarë do të ndryshonte nëse do të ishte ministër i Arsimit, Blendi përmendi tre gjëra.

“Do të kisha filluar me ndryshime në arsimin e lartë, me profilizimin e universiteteve, p.sh të ketë tre fakultete juridike ose ekonomike në të gjithë vendin. Nëse bëhet kjo do të rritet cilësia e mësimdhënëse, gjithashtu do të bëhej profilizimi i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore. Gjithashtu kisha bërë veting në arsimin e lartë. P.sh Koço Angjuhshevi për momentin i cili është në listën e zezë, ligjëron në Fakultetin e Makinerisë në Shkup. Gjithashtu mendoj që është shumë i nevojshëm reformim i tërësishëm i arsimit të mesëm. Duhet të avancohet modeli dual i arsimit të mesëm sipas shembullit të Gjermanisë. Vendit nuk i duhen vetëm gjimnazistë, por i duhen edhe zanatçinjë”, tha Blendi./Telegrafi/

The post Blendi Hodai në “PodGo”: Nevojiten reforma të thella në arsim, të rinjtë nuk kanë shumë mundësi appeared first on Telegrafi.

❌
❌