Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër”

23 May 2025 at 17:41

Pesë operatorë të televizionit informativ “ABC News” u pushuan pa paralajmërim nga puna, ndërsa tre reporterëve nga rrethet iu komunikua se nga 1 qershori do të paguhen me honorarë. Këto vendime të papritura, të komunikuara përmes mesazheve nga redaksia, kanë ngjallur shqetësim në radhët e komunitetit të medias.

“Para dy ditëve nga redaktorja e rretheve na erdhi mesazh, që nga 1 qershori, me urdhër të drejtorit, do kaloja me honorarë,” tha në kushte anonimati për Citizens një prej bashkëpunëtorëve të “ABC News” që prekej nga vendimi.

Në mesazhin e dërguar, të cilin Citizens pati mundësi ta shqyrtojë, tregoheshin edhe pagesat specifike si: për një raportim “Live!” 1,000 lekë, raportim i thelluar 2,000 lekë, ekskluziv 5,000 lekë, dhe raste të veçanta deri në 10,000 lekë.

Në tregun e medias në Shqipëri, pagesat me honorarë përgjithësisht janë informale me para kesh, në dorë. Ndërkohë, gazetarët lokalë përballen shpesh me ngarkesa të shumta pune, duke përfshirë edhe rolin e operatorit dhe shoferit, ndërsa shpesh nuk u rimbursohen shpenzimet.

Kjo praktikë përbën një tjetër dëshmi të pasigurisë në të cilën funksionon sot gazetaria lokale në Shqipëri.

Rasti u bë publik fillimisht nga gazetarja Anila Prifti, e cila në një postim në rrjetet sociale u shpreh se “një profesion që dikur ngjallte respekt, sot përfundon i papërfillshëm, si mbetje pas zgjedhjeve, pa mbrojtje, pa vlerë.”

Citizens.al iu drejtua Drejtorit të Informacionit në “ABC News”, Sokol Balla, për të pasur një koment rreth kësaj çështjeje, por nuk pati përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Sipas Blerjana Binos, e cila përfaqëson Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) dhe njëherësh drejton Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), fakti që punonjësit e medias zgjedhin të mos flasin publikisht për një situatë të tillë reflekton për një klimë frike, presioni dhe autocensure që i dekurajon ata për të denoncuar shkeljet ndaj të drejtave të tyre.

Bino thekson se ndryshimi i njëanshëm dhe pa paralajmërim i kontratave të punës në kontrata me honorare i vendos gazetarët në pozitë të vështirë duke i detyruar ‘de facto’ të japin dorëheqjen për shkak të kushteve të papranueshme.

“Kjo praktikë i lë ata pa mbrojtje ekonomike dhe sociale. Nuk u është dhënë koha dhe hapësira e nevojshme, siç parashikohet nga Kodi i Punës, për të negociuar apo për t’u përshtatur me ndryshimet e reja” thotë ajo për Citizens.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë si një hap pas në drejtim të të drejtave të punës dhe bëri thirrje për hetim nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

“Gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si punëtorë të përkohshëm, të ekspozuar ndaj pasigurive financiare dhe mungesës së të drejtave elementare” citohet në deklaratë.

Ndër të tjera, AGSH tha se do të kërkojë sqarim nga drejtuesit e “ABC News” për këtë vendimmarrje të njëanshme.

Lexoni gjithashtu:

The post Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër” appeared first on Citizens.al.

Deklaratë: Partitë dështuan të respektojnë lirinë e medias gjatë zgjedhjeve

14 May 2025 at 16:35

Deklaratë Paszgjedhore: Partitë politike dhe kandidatët dështuan në respektimin e plotë të lirisë dhe transparencës së medias gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.

Tiranë, 14 Maj 2025

Më 22 janar 2025, katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të respektojnë parimet themelore të lirisë së medias, transparencës dhe debatit demokratik para dhe gjatë fushatës zgjedhore që çoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri më 11 maj 2025. Për fat të keq, u vunë re shkelje të shumta të këtyre parimeve gjatë muajve para, gjatë dhe në ditën e zgjedhjeve.

Qasje e plotë për gazetarët në aktivitetet zgjedhore

Edhe pse partitë politike dhe kandidatët nuk vendosën kufizime formale për qasjen e gazetarëve në aktivitetet zgjedhore, në praktikë aftësia e gazetarëve për të mbuluar në mënyrë të pavarur aktivitetet e fushatës ishte e kufizuar. Aktorët politikë përgjithësisht nuk ndanë në mënyrë proaktive agjendat e ngjarjeve, nuk nxorrën ftesa të qarta, as nuk lehtësuan pjesëmarrjen e gazetarëve, duke penguar përpjekjet e medias për një mbulim të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Për më tepër, disa incidente në ditën e zgjedhjeve penguan drejtpërdrejt aftësinë e gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur, duke shkelur më tej parimin themelor të zgjedhjeve të hapura dhe transparente.

Transparenca mbi materialet politike të gatshme

Pavarësisht rekomandimeve të qarta që kërkonin transparencë në mbulimin zgjedhor, partitë politike vazhduan praktikën e rrënjosur të shpërndarjes së materialeve të gatshme video dhe shtypi për mediat gjatë gjithë fushatës. Si pasojë, mbulimi mediatik shpesh përbëhej nga mesazhe politike të prodhuara në mënyrë qendrore, përmes transmetimeve video të ofruara nga ekipet e partive, në vend të gazetarie që verifikon në mënyrë të pavarur. Mungesa e deklarimit të qartë mbi origjinën e këtyre materialeve mjedulloi kufirin midis gazetarisë së pavarur dhe propagandës politike, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke penguar aftësinë e publikut për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin zgjedhor.

Mbrojtja e pluralizmit

Periudha zgjedhore e vitit 2025 theksoi një peizazh mediatik të pabalancuar, me mbulim të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë që favorizoi kryesisht dy partitë më të mëdha. Gjithashtu, në fillim të marsit 2025, qeveria urdhëroi pezullimin njëvjeçar të platformës TikTok, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Kjo vendimmarrje u kritikua gjerësisht dhe u denoncua si një akt censure që kufizoi rëndë diskursin politik online gjatë një periudhe kritike zgjedhore. Organizatat e shoqërisë civile e kanë sfiduar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin demokratik.

Debati publik dhe përballja mes kandidatëve

Edhe pse studiot televizive ofruan hapësirë të bollshme për mbulim zgjedhor, fushata u zhvillua pa asnjë debat ballë për ballë midis drejtuesve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, ndërsa shumica e ministrave dhe kandidatëve për deputetë shmangën po ashtu forumet e përbashkëta me

kundërshtarët e tyre. Kandidatët preferuan intervista individuale, ndërsa emisionet prime-time u mbushën me analistë dhe komentatorë që flisnin në vend të politikanëve. Në mungesë të debateve të drejtpërdrejta, iniciativa si seria “Ballë për Ballë me Faktet” u përpoqën të mbushnin këtë boshllëk duke u paraqitur kandidatëve pyetje identike mbi çështje të rëndësishme publike.

Megjithatë, preferenca e përgjithshme për paraqitje të kontrolluara me kujdes në vend të shkëmbimeve të drejtpërdrejta, i la votuesit pa mundësinë për të parë programet konkurruese të sfidohen në kohë reale, duke dobësuar cilësinë përfaqësuese dhe debatuese të fushatës. Fushata favorizoi viralitetin online në vend të dialogut të mirëfilltë, duke u mbështetur në sulme personale, retorikë të njëanshme dhe, herë pas here, haptazi në gjuhë urrejtjeje. Spektakli zëvendësoi përmbajtjen, duke përjashtuar diskutimin mbi politikat konkrete apo performancën e qeverisë dhe duke minimizuar besimin e publikut.

Pavarësia dhe liria redaksionale e medias dhe gazetarëve

Pavarësisht angazhimeve formale për mbrojtjen e lirisë së shtypit, periudha zgjedhore u karakterizua nga ndërhyrje të përsëritura në pavarësinë redaksionale dhe një klimë frikësimi. Zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, përçmuan publikisht mediat kritike dhe shfaqën armiqësi ndaj gazetarëve, gazetaret femra ishin në shënjestër të fushatave denigruese me bazë gjinore dhe ngacmimeve të koordinuara online; disa gazetarë morën kërcënime të drejtpërdrejta, disa prej të cilave arritën në përplasje fizike në ditën e zgjedhjeve. Kjo retorikë armiqësore shoqërohej me ndërhyrje politike, veçanërisht me zgjedhjen e Këshillit të ri Drejtues të RTSH-së nga Kuvendi, duke ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin politik ndaj transmetuesit publik. Të gjitha këto presione së bashku nxitën autocensurë tek gazetarët dhe i privuan votuesit nga një shqyrtim i pavarur i kandidatëve që garonin.

Transparenca në komunikime

Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjes së paguar politike dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishte një parim thelbësor që u shkel vazhdimisht gjatë kësaj periudhe zgjedhore. Disa televizione shitën hapur “paketa mbulimi” dhe intervista të transmetuara për partitë politike, pa i etiketuar si të tilla, duke i shndërruar edicionet informative në reklama të paetiketuara. Në të njëjtën kohë, kanalet zyrtare të mediave sociale të qeverisë u kthyen në tabela reklamimi (billboard) partiak, me faqe zyrtare që shpërndanin postera dhe slogane të fushatës. Online, një rritje e faqeve dhe reklamave politike anonime ose mashtruese, disa të gjeneruara apo të përforcuara nga mjete inteligjence artificiale, qarkulluan pa sponsorë të qartë, duke e bërë edhe më të turbullt origjinën e mesazheve zgjedhore.

Ne i bëjmë thirrje partive politike, institucioneve shtetërore, organeve rregullatore dhe aktorëve të tjerë relevantë që të adresojnë menjëherë këto mangësi dhe të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias, transparencës dhe llogaridhënies demokratike.

Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të avokojnë për reforma thelbësore dhe të bashkëpunojnë me aktorët për të forcuar parimet demokratike.

Nënshkruesit:

  1. Qendra Shkencë dhe Inovacioni për Zhvillim (SCiDEV)
  2. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  3. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  4. Keshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  5. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  6. Citizens Channel (Citizens.al)
  7. Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)
  8. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
  9. Qëndresa Qytetare (QQ)
  10. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  11. Qendra Shqiptare MediaLook
  12. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
  13. Shoqata “Gazetarët Profesionalë të Shqipërisë” (APJA)
  14. Faktoje.al

The post Deklaratë: Partitë dështuan të respektojnë lirinë e medias gjatë zgjedhjeve appeared first on Citizens.al.

Gazetarët denoncojnë paligjshmëri në administrimin shtetëror të TV Ora

20 June 2025 at 16:50

Prej vitit 2020, televizioni “Ora” – dikur në pronësinë familjare të Ylli Ndroqit – menaxhohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pas peripecive ligjore që sollën sekuestrimin dhe më pas kalimin e pronësisë në favor të shtetit shqiptar. Por gazetarët dhe punonjësit e tjerë pranë këtij televizioni kanë zbuluar së fundmi […]

The post Gazetarët denoncojnë paligjshmëri në administrimin shtetëror të TV Ora appeared first on Reporter.al.

Presion gazetares së Euronews në protestë, AGSH-drejtuesve të PD-së: Ndalni sulmet

By: Besnik
16 May 2025 at 18:35

Partia Demokratike po zhvillon një protestë në Tiranë, në kuadër të kontestimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit.

Gjatë raportimit të drejtpërdrejtë nga vendngjarja, gazetarja e Euronews Albania është përballur me sjellje të papërshtatshme dhe pengesa nga përfaqësues politikë të PD-së, si Aldo Bumçi dhe Edi Paloka, si dhe nga disa protestues.

Sipas raportimeve, janë shënuar tentativa për të penguar transmetimin live, përfshirë edhe ndërhyrje ndaj kameramanëve dhe pajisjeve të punës së gazetarëve.

Në lidhje me këto incidente ka reaguar menjëherë Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke dënuar sulmet ndaj përfaqësuesve të medias dhe duke u bërë thirrje drejtuesve të PD-së të ndalojnë menjëherë këto veprime.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje urgjente zyrtarëve të Partisë Demokratike të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve në protestën e opozitës,” thuhet në reagimin zyrtar.

AGSH rikujton rëndësinë e garantimit të lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve, veçanërisht gjatë mbulimit të ngjarjeve politike dhe protestave publike.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Presion gazetares së Euronews në protestë, AGSH-drejtuesve të PD-së: Ndalni sulmet appeared first on Euronews Albania.

Noka sulmon gazetaren, reagon AGSH: Konfliktet mes zyrtarëve politik dhe pronarëve të mediave, të mbajnë larg gazetarët

31 October 2024 at 12:39

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur keqardhje për sjelljen e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, ndaj gazetares Danjela Maloku. Në deklaratën e tij, Asociacioni dënon gjuhën e përdorur nga deputeti Noka dhe apelon për vetëpërmbajtje ndaj gazetarëve nga ana e tij dhe e çdo zyrtari të PD-së.

Në mesazhin e tij, Asociacioni thekson se gazetarët duhet të mbeten të pavarur nga konfliktet midis zyrtarëve politikë dhe pronarëve të mediave, duke ushtruar detyrën e tyre me përgjegjësi të plotë për publikun dhe për më tepër, asnjë zyrtar nuk duhet të përdorë frikësimin apo intimidimin ndaj gazetarëve që bëjnë pyetje për interesin publik.

Qëndrimi i plotë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH):

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh keqardhjen për sjelljen e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka me gazetaren e Report Tv Danjela Maloku.

Duke dënuar gjuhën e përdorur nga Z.Noka ne apelojmë atë dhe çdo zyrtar të Partisë Demokratike që të vetëpërmbahet përballë gazetarëve.

Çdo konflikt në mes zyrtarëve të partive politike dhe pronarëve të mediave duhet të mbajë larg gazetarët të cilët ushtrojnë profesionin e tyre në përgjegjësi të plotë të publikut.

Asnjë zyrtar i Shqipërisë nuk mund, as të intimidojë, as të frikësojë gazetarët të cilët bëjnë pyetje për interesin e publikut.

The post Noka sulmon gazetaren, reagon AGSH: Konfliktet mes zyrtarëve politik dhe pronarëve të mediave, të mbajnë larg gazetarët appeared first on Sot News | Lajme.

Media online sulmon Blerjana Binon pas publikimit të raportit për lirinë e medias

7 October 2024 at 14:24

Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, SciDev, dhe njëkohësisht raportuese dhe mbështetëse e lirisë së shprehjes dhe gazetarëve në Shqipëri dhe Ballkan ka qenë së fundmi nën sulmet e një prej mediave online tabloide në Shqipëri. Sulmi në portralin “Prapaskena” vjen pas publikimit të raportit “Liria e Medias në Shqipëri […]

The post Media online sulmon Blerjana Binon pas publikimit të raportit për lirinë e medias appeared first on Reporter.al.

❌
❌