Kryetari i Çairit Visar Ganiu së bashku me qytetarët e mbushën kamionin me mbeturina dhe u nisën drejt Qytetit të Shkupit. Me të mbërritur atje, para Qytetit të Shkupit hodhën mbeturinat që i grumbulluan në Çairi. Para mediave Ganiu tha se Çairi është lënë si në komunizëm.
Por ndodhi edhe e papritura, pasi hodhën mbeturinat, uniformat blu ndaluan shoferin e kamionit, të cilit ia morën dokumentet për procedura të mëtutjeshme.
Pas një periudhe të caktuar kohore, edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska u shfaq në vendngjarje dhe përsëri regjistroi drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Ajo informoi se “kryetari e komunës së Çairit po mblidhte mbeturina nga ndërtesat pa leje dhe disa kolltuqe, dhe pasi i shkrova në Facebook se nuk i pëlqente plani, ai i ndryshoi mbeturinat dhe i hodhi përsëri para Qytetit të Shkupit me një automjet pa leje, në kundërshtim me ligjin”./Telegrafi/
Nga data 2 maj 2025, fillon zbatimi i pagesës për hyrjen me automjete në Parkun Kombëtar Mali Sharr. Pagesa do të bëhet përmes dërgimit të një SMS-i ose përmes skanimit të QR kodit.
Të gjithë vizitorët që hyjnë në park do të duhet të paguajnë, përjashtuar banorët e fshatrave brenda parkut, pronarët e pronave private dhe subjektet juridike (kompanitë) të regjistruara në territorin e parkut.
Pagesa mund të bëhet duke dërguar një mesazh nga telefoni me kategorinë e mjetit dhe targën në numrin 144 – 555, ose përmes skanimit të një kodi QR ku zgjidhet kategoria dhe vendosen të dhënat përkatëse. Çmimet janë si më poshtë:
Motoçikleta dhe automjete: 150 denarë:
Furgonë dhe minibusë deri në 20 ulëse: 250 denarë
Autobusë dhe mjete të rënda transporti: 450 denarë.
Me disa vërejtje por edhe rekomandime si për vendosje po ashtu edhe për heqje të disa propozim emrave për rrugët e Tetovës, u mbajt debati i tretë i komisionit për ndryshimin e emrave të disa rrugëve të Tetovës me banorët e këtij qyteti.
Kreu i Komisionit Argjend Veliu tha se deri tani janë dorëzuar 1040 propozime për emra të rrugëve. Ky numës sipas tij pritet të përgjysmohet në debatin e ardhshëm.
“Nëse bazohemi në kriterin e parë, besojmë që numri do të përgjysmohet nga propozimet, sepse ka shumë propozime të personaliteteve që janë ende gjallë. Pas këtij debati do mblidhet sërish grupi i punës dhe duke u bazuar në kriteret që i lexova do pastroj listën dhe një herë dhe do mbeten me siguri 300-350 emra dhe më pastaj do mbamë debatin e funditdhe do iu prezantohen sërish banorëve”, tha Argjend Veliu, Kryetar i komisionit për ndryshimin e emrave të rrugëve të Tetovës.
Reagimet më të shpeshta të banorëve kishin të bëjnë kryesisht me emrat e huaj por edhe ata të qyteteve të tjera. U kërkua nga komisioni që prioritet të jenë emrat e veprimtarëve të Tetovës.
“Nuk është e logjikshme që të marrim emra të huaj. Duhet marrë ata që vërtetë kanë kontribuar për Tetovën. Dhe të gjallët jo, sepse ende janë të gjallë, dhe mund të rëshqasin e të dalin tradhtar, a do ia ndërrojmë emrin pastaj”, tha Sulejman Mehazi,
“U nxit debati për përmendjen e qyteteve të huaj dhe emrave të jashtëm dhe dhe kjo ishte e arsyeshme. Jemi si popull në fazë tjetër të zhvillimit dhe duhet dhënë përparësi emrave lokal më shumë që kjo, të bëj që më mirë të njohim qytetin, që do ndikoj në ngritjen e vetëdijes sonë dhe krenarisë së tetovarëve”, tha Agon Memedi.
Ndryshe, në Tetovë janë të regjistruara gjithsej 297 rrugë, nga të cilat, 216 janë pa numër apo emër, ndërsa 80 të tjera, kanë nevojë për ndërrim të emrit, sepse kanë emra që nuk përkojnë aspak me realitetin multietnik dhe fetar të vendit./Alsat/
63 komuna kanë aplikuar në thirrjen e dytë qeveritare për financimin e projekteve infrastrukturore në vlerë të përgjithshme prej 15 miliardë denarësh apo mbi 240 milionë euro.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski deklaroi se afati për aplikime mbaron më 30 prill, ndërsa apeloi që të dorëzojnë projektet e tyre edhe 17 komunat që fare nuk kanë aplikuar.
“Në Arkivin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale janë dorëzuar gjithsej 450 formularë aplikativë nga 63 komuna. Prej tyre, 36 komuna kanë aplikuar me projekte në vlerë maksimale prej mjeteve financiare të cilat u takojnë sipas formulës për kokë banori.
27 komuna kanë mundësi të aplikojnë edhe me projekte tjera deri në shumën maksimale e parashikuar, ndërsa 17 komuna fare nuk kanë dorëzuar formularë aplikues. Komunat që fare nuk kanë aplikuar, deri në datën e djeshme janë 17 në numër dhe më lejoni t’i lexoj. Ato janë Komuna Saraj, Komuna Qendër, Komuna Çair, Komuna Shuto Orizare, Komuna e Likovës, Komuna Probishtip, Komuna Vallandovë, Komuna Rosoman, Komuna Bogvinë, Komuna Vrapçisht, Komuna Mavrovë dhe Rostushë, Komuna Tearcë, Komuna Dibër, Komuna Strugë, Komuna Manastir, Krushevë dhe Dollnen”, deklaroi Zllatko Perinski.
Rrjeti i hidranteve në Strugë është më i vjetër se gjysmë shekulli, gjë që paraqet problem serioz. Drejtori i Ujësjellësit dhe Kanalizimit, Dashmir Nasufi, thotë se pothuajse në të gjitha rrugët ka nga dy hidrante dhe fuqia e tyre është 4 bar. Ai pranon se ekziston nevoja për zëvendësimin e tyre në disa vende ku ato nuk funksionojnë dhe se janë në fazë për ta realizuar këtë.
Edhe në Ohër, rrjeti i hidranteve është i vjetër prej dekadash. Problemi më i madh është pjesa e vjetër e qytetit.
“Rrjeti i hidranteve është në gjendje katastrofale. Megjithatë, përpiqemi që të paktën t’i vëmë në funksion ato hidrante që ende janë funksionalë, për t’ia lehtësuar edhe vetes punën. Rrjeti i hidranteve ndoshta nuk është rinovuar dhe kontrolluar për 30 vjet, dhe tani po bëjmë përpjekje me Ndërmarrjen e Ujësjellësit për të parë se cilat janë ato pika kritike, ku hidrantët duhet të funksionojnë”, tha Kosta Kuzmanoski – zëvendëskomandant i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Ohër.
Problem shtesë është se, për shkak të rrugëve të ngushta, dendësisë së shtëpive dhe makinave të parkuara në mënyrë të parregullt, është e vështirë të arrihet deri te objekti i përfshirë nga zjarri.
Problem serioz për të dy qytetet është edhe urbanizimi masiv dhe shumë shpesh i planifikuar keq, lokacionet dhe rrugët me qasje të vështirë, rrjeti i brendshëm i hidranteve që nuk funksionon në objektet banesore, si dhe ndërtimet pa shkallë për evakuim kundër zjarrit. /Alsat/
Lumi Vardar ka vërshuar sot të dy anët e ujore në Veles, ndërsa pemët përgjatë lumit në parkun e qytetit janë nën ujë.
Për rrezikun e tejmbushjes së Vardarit, siç tha drejtori i Qendrës Qendrore të Ujërave, Stojançe Angellov, tashmë është njoftuar Komuna e Velesit dhe është kërkuar që menjëherë të dalë në terren dhe të bëjë shënimin e duhur dhe të dukshëm të rrezikut.
Siç shpjegoi Angelov, meqë bëhet fjalë për rrjedhje lumore në një zonë urbane, juridiksioni dhe obligimi në shtratin e lumit dhe rreth tij i takon Komunës së Velesit.
Në parkun e qytetit në Veles, në krahasim me ditën e djeshme, Lumi Vardar është rritur në mënyrë dramatike./Telegrafi/
Është vënë në pikëpyetje mbjellja e mbi 200 hektarëve tokë pjellore në Tetovë, si pasojë e dëmtimit të kanalit për vaditje, gjatë punimeve për murin mbrojtës të lumit Shkumbin, në pjesën e poshtme të qytetit. Bujqit shprehën sot revoltën e tyre
“Me qindra hektar ka tokë që punohen me ujë nuk punohen pa ujë , pa mos pas ujë mos shkojë njeri të bëj shpenzime për ti mbjell dhe në fund mos bëj asgjë, se populli duhet bujqësinë ta mbajë jo ndërtimtarinë se aj duhet të hajë bukë po të punon pa bukë sen punon asgjë tjetër” , tha Murtezan Karimani bujk.
“ Duam një informatë se çfarë do të bëhet me kanalin I cili ka ekzistuar me vite këtu , ndërsa tash me këto punime që bëhen këtu shohim se nuk ka qasje deri në tokat bujqësore , realisht ujë nuk ka qasje për tek tokat që ne kemi furnizuar nga lumi Shkumbin në tokët për ujitje”, u shpreh Shaban Karimani bujk.
“E vendojnë murin që ta ndalin ujin, ta ndale bujqësinë ta ndale bukën. Përse ministrat dhe kryetarët e Kosovës shkojnë nga stalla në stallë e këtu mbrapsht krejt, na ndalojnë krejt”, theksoi Shaban Karimani, bujk.
Nga komuna e Tetovës, kërkojnë durim nga bujqit ndërsa premtojnë se kanali do të ndërtohet.
“Momentalisht është duke punuar për rregullimin e shtratit të lumit të murit të mbrojtës, në atë pjesë nuk është paraparë kanali i ujitjes dhe nga vullneti i mirë i kryetarit sigurisht edhe kanali i ujitës do të ndërtohet siç ka qenë. Dhe nga punët që janë bërë është prish se pasi të rregullohet shtrati i lumit do rregullohet dhe kanali i ujitjes”, deklaroi Albion Alili – zëdhënës I komunës së Tetovës.
Dëmtimet e kanalit për vaditje si dhe shtratit të lumit, kanë detyruar bujqit që shpesh të dalin në protesta, por deri më sot, problemi i tyre nuk është zgjidhur.
Zv. kryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, morën pjesë në fillimin e punimeve për rekonstrukcionin e plotë të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në rrugën Nexhat Agolli, në Komunën e Çairit dhe shtoi se Çairit i detyrohen 9 milionë euro shtesë në vitin 2025, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Mexhiti theksoi se vlera e përgjithshme e projektit të mbështetur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është mbi 9 milionë denarë dhe është një projekt shumë thelbësor për banorët e rrugës Nexhat Agolli.
“Ky projekt do të lidhë rreth 50 amvisëri në rrjetin e ri të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe me përfundimin e tij për dy muaj, banorët do të kenë edhe një rrugë të asfaltuar plotësisht me vlerë të përgjithshme prej 2.8 milionë euro. ”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se me këtë projekt fillon realizimi i një sërë projektesh infrastrukturore në komunën e Çairit, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është duke vazhduar me procesin e numërimit të votave për subjektet politike.
Deri më tani janë numëruar 88.04% e votave në gjithë Kosovën, ku e para renditet LVV me 41.29%, e dyta PDK me 21.83%, e treta LDK me 17.75% dhe e katërta renditet koalicioni AAK-Nisma me 7.68%.
Sipas të dhënave nga KQZ, në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është partia që kryeson dukshëm me numër të votave krahasuar me partitë tjera.
Në Gjakovë nga numërimi i 93.10% të votave, LVV ka marrë 47.15%, AAK-Nisma ka 19.70%, LDK me 16.68% dhe PDK 10.23%
Duhet theksuar se kjo komunë aktualisht udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së.
Në Mitrovicë nga numërimi i 89.52% të votave, LVV ka marrë 56.23%, e dyta renditet PDK me 30.81%, LDK renditet e treta me 6.31% e katërta Koalicioni për Familjen me 3.37% kurse AAK-Nisma janë të pestët në këtë komunë me 1.37%.
Kjo komunë drejtohet nga Bedri Hamza i PDK-së, i cili ishte dhe kandidat për kryeministër.
Në qytetin e Pejës nga numërimi i 80.30% të votave, LVV është e para me 41.37%, e dyta renditet LDK me 28.01%, e treta është AAK-Nisma me 12.74% dhe PDK e pesta me 10.11%.
Kjo komunë udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.
Në Prishtinë deri më tani janë numëruar 94.19% e votave, ku LVV ka marrë 46.80%, LDK ka 25.54%, PDK ka marrë 18.43%, Koalicioni për Familjen 4.23% dhe AAK-Nisma 3.31%.
Edhe Prishtina, aktualisht është nën udhëheqjen e Përparim Ramës nga LDK.
Në Gjilan janë numëruar 78.29% e votave, ku LVV ka marrë 51.54%, LDK ka 21.73%, PDK ka marrë 17.06% dhe AAK-Nisma ka 2.73%.
Kjo komunë aktualisht drejtohet nga Alban Hyseni i LVV-së.
KQZ në Prizren ka numëruar 91.10% të votave, ku LVV ka marrë 40.79%, PDK ka 22.85%, LDK ka marrë 10.67% dhe AAK-Nisma ka 4.77% të votave.
Prizreni është nën udhëheqjen e Shaqir Totaj nga PDK.
Në Ferizaj janë numëruar 88.16% e votave, ku edhe në këtë komunë LVV është e para më 50.99%, e dyta PDK më 27.61%, e treta LDK me 12.72% dhe e katërta renditet AAK-Nisma me 3.19%.
Edhe kjo komunë është nën udhëheqjen e Agim Aliut nga PDK.
Presidenti Bajram Begaj, e nisi me komunat shqiptare, Tuzin e Plavë- Gucinë, vizitën zyrtare dyditore në Malin e Zi, ku iu rezevua një pritje vëllazërore dhe ceremoni festive.
Në Tuz, ansambli “Besa” e priti Presidentin e Republikës së Shqipërisë me “Vallen e Mejdanit” në sheshin ku ngrihet monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeu.
Presidenti Begaj vendosi një kurorë me lule në monumentin e Skënderbeut, të vendosur në këtë shesh më 28 Nëntor të vitit të shkuar për festën e flamurit dhe u përshendet me qytetarët.
Më pas zhvilloi një takim me drejtues të Tuzit dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në institucione, me të cilët diskutoi për forcimin e pozitave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe rajon, si dhe angazhimin e përbashkët për të mirën e tyre. Kreu i Shtetit inkurajoi drejtuesit e Tuzit të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e identitetit, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, duke u shprehur se kjo është një përparësi për institucionet shqiptare.
Edhe në takimin me veprimtarët shqiptarë të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës, ndërsa u njoh me problematikat që ata hasin, theksoi nevojën e gjetjes së rrugëve për të ruajtur dhe forcuar identitetin shqiptar përballë çdo lloj sfide, siç është emigrimi apo asimilimi i shqiptarëve autoktonë.
Presidenti përgëzoi shqiptarët që kanë ruajtur gjuhën dhe shqiptarinë, si dhe shprehu vullnetin për të ndjekur projektet zhvillimore ndërkufitare që do të ndikonin në ekonominë e këtyre trevave, ndërsa theksoi rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e këtij takimi për trajtimin e çështjes shqiptare dhe vijimësinë e kontakteve të tilla, në menyrë që komunikimi të institucionalizohet edhe përmes ndërtimit të infrastrukturës lidhëse mes njëri-tjetrit.
“Çështja kombëtare, duhet të dominojë mbi çdo interes politik, për faktin se është më e rëndësishme dhe gjithashtu duhet të punojmë fort të mbrojmë gjuhën shqipe”, – u shpreh Presidenti Begaj.
“Interesi ynë i përbashkët është që të mbrojmë ADN- në tonë dhe ADN-ja jonë është e lidhur me gjuhën. Ju thatë se askush nuk është i ndalur në shkollë që të mësojë shqip, por duhet që ne të promovojmë më shumë, të trashëgojmë më shumë, të kultivojmë më shumë. Kjo arrihet me kontributin e çdo individi shqiptar që jeton këtu, fëmijë, të rinj, të rritur, pleq të mençur, të cilët duhet të bëhen bashkë për atë që është e rëndësishme për ne”, vijoi ai.
Presidenti i Republikës u zotua se një mesazh të tillë do t’i përcjellë edhe homologut të tij, Milatovic, për zhvillimin e këtyre zonave, në menyrë që të rinjtë të gjejnë mundësi pune këtu, që rinia shqiptare të mos ikë në emigrim, por të jetojë në trojet e të parëve.
Presidenti Begaj, premtoi shqiptarëve në Mal të Zi se personalisht dhe si President i Republikës do të jetë në dispozicion të tyre në shërbim të interesave madhore kombëtare dhe gjithashtu i siguroi ata që kanë e do të kenë vëmendjen e shtetit shqiptar./atsh/ KultPlus.com
Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani tha se po ndërmerren masat e duhura për pastrimin e rrugëve por siç tha, reshjet janë të vazhdueshme dhe duhet intervenuar sërish.
Sa u përket fshatrave të malësisë, Ramadani tha se ka vështirësi por që nuk janë të izoluar.
“Komuna e Tetovës po ndërmerr masat e duhura për pastrimin e rrugëve gjatë reshjeve të borës por pasi reshjet janë të vazhdueshme e vështirëson edhe çështjet e pastrimit të borës në fshatrat e malësisë. Në disa pjesë kemi intervenuar pro do të duhet të intervenohet përsëri. Në fshatrat e malësisë, për shkak të reshjeve të vazhdueshme ka vështirësi në qarkullim por që nuk janë të izoluar dhe vazhdohet puna në terren”, tha Besarta Ramadani.
Në ditën e parë të vitit të ri dhe një investim i ri. Për adhuruesit e sporteve dimërore, nga sot është hapur qendra e re e skijimit “Mihajllovë” dhe pista e parë e skijimit e quajtur “Maqedonia”.
Në Kozhuv ka borë, ndërsa qendra e skijimit ndodhet 35 kilometra nga Kavadari. Resori ka restorant, hotel dhe akomodim individual.
“Kjo është pista e parë, por me kalimin e kohës këtu është planifikuar të ndërtohen edhe dy pista tjera. Jo shumë të mëdha, por për nevojat e rajonit, për nevojat e banorëve tanë. Kavadari është përfshirë në hartën e qyteteve ku po zhvillohet turizmi.
Ne do të luftojmë së bashku me kryeministrin dhe Qeverinë për të hapur pikën kufitare që është vetëm pak kilometra larg me Republikën e Greqisë. Dhe me këtë mendoj se do të tërheqim shumë turistë nga Greqia dhe vende të tjera dhe zhvillim më të madh të turizmit”, tha Mitko Jançev, kryetar i Kavadarit.
Tetova nuk u zbukurua për fundvit, megjithatë sheshi sot filloi të marrë një atmosferë festive. Aty u vendosën disa kioska, së bashku me disa lodra për fëmijë. Nga Komuna gjithashtu u njoftua se gjatë ndërrimit të viteve do të ketë fishekzjarrë.
“Komuna e Tetovës ka angazhuar një ekip profesionistësh të licencuar që do të kujdesen për ndezjen e fishekzjarrëve në mënyrë të sigurt dhe spektakolare, për t’ju ofruar një atmosferë festive dhe emocionuese”, thotë Komuna e Tetovës
Në Tetovë, lokalet nuk kanë organizuar ndonjë aktivitet, dhe në qytet mungojnë reklamat për evente të ngjashme. Qytetarët që anketuam gjatë ditës së sotme shprehen se ndërrimin e vitit do ta presin me familjen në shtëpi. Për ta, festimi në shtëpi mbetet më i sigurt, më i mirë dhe gjithashtu më ekonomik.
Ndërsa pjesa e qytetarëve që duan ta festojnë ndërrimin e vitit kanë zgjedhur që të njëjtën ta festojnë në qytete tjera, si Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, ku edhe në sheshet e këtyre qyteteve do të ketë koncerte./TV21/
Këshilli i Komunës së Gostivarit me 20 vota “për” votoi buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2025.
Buxheti për vitin 2025 është rreth 27 milionë euro dhe siç thonë nga komuna, është buxheti më i madh në historinë e Komunës së Gostivarit.
“Hartimi i buxhetit vjen pas një debati publik të Komunës së Gostivarit me bashkësitë lokale, qytetarë, organizata qytetare, klube sportive dhe pale të interesuara dhe prek sfera të ndryshme me qëllim që të përmirësohet jeta e qytetarëve”, thonë nga Komuna e Gostivarit.
Festat e fundvitit si zakonisht kthejnë mërgimtarët në vendlindje. Mirëpo, edhe këtë fundvit, nuk mungon kaosi në komunikacionin rrugor në qytetin e Tetovës. Mijëra automjete që qarkullojnë brenda në qytet, me mungesë të vendeve të parkimit, vozitës të nervozuar dhe kaos gjithandej, është pamja që e shoqëron qytetin e Tetovës në këtë fund vit. Vozitësit ankohen se mungojnë vendet e parkimit, nuk respektohen rregullat në komunikacion, ka edhe vozitës që parkohen vend e pa vend, në trotuare, në mes të rrugës, në kryqëzime dhe kjo e bën të vështirë trafikun rrugor në Tetovë.
Në ndërkohë, nga policia e Tetovës thonë se prej datës 20 dhjetor, në rajonin e gjerë të Pollogut, vërehet intensiteti në rritje i kthimit të mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa në javën e fundit të vitit dhe në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë, për këtë arsye rregullisht ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e intensifikuara për të mundësuar qarkullim normal dhe të qetë nëpër zonat qendrore të qyteteve Tetovë dhe Gostivar, e veçanërisht në drejtim të parandalimit dhe sanksionimit të parkimeve të gabuara dhe të paligjshme të automjeteve.
Nga policia apelojnë që vozitësit të jenë të kujdesshëm dhe të ketë një kulturë më të lartë të sjelljes në komunikacion, sidomos dhënia e përparësisë qoftë këmbësorëve qoftë vozitësve tjerë të shmanget kaosi dhe në këtë mënyrë të kontribuohet për një komunikacion të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
“Në bashkëpunim me pushtetin lokal, gjatë pushimit të gjysmëvjetorit shkollor do të hapen edhe oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme në zonat qendrore të qyteteve për të mundësuar parkimin e automjeteve dhe për të shmangur parkimet e dyfishta, pra paralele, si dhe parkimet në kryqëzime, në trotuare, vendkalime për këmbësorët dhe të ngjashme. Automjetet që pengojnë rrjedhën normale të qarkullimit do të merren nga shërbimet komunale “merimangë”, ku do të ketë aktivitete të intensifikuara dhe me orar më të gjatë pune”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Ndërkaq, edhe nga Komuna e Tetovës theksojnë se me përfundimin e vitit shkollor pritet që disa oborre të shkollave fillore dhe të mesme të lirohen për parkim për qytetarët. Kërkojnë që qytetarët më shumë të shfrytëzojnë transportin urban me qëllim që të shmanget kaosi në trafikun rrugor.
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, për shkak të mërgimtarëve të ardhur për festat e fundvitit dhe frekuencës dukshëm të shtuar të trafikut dhe kushteve të rënduara atmosferike me reshjet e borës që pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe bllokimin e trafikut, të jenë të vetëdijshëm, të mos parkojnë automjetet ku do të arrijnë dhe të kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës./Koha.mk/
Kryetari i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi tha se në këtë rast falje duhet kërkuar banorëve të Haraçinës, fëmijëve dhe Bankës Botërore që financoi këtë projekt.
Ibrahimi tha se institucionet përkatëse kanë për detyrë të jenë në shërbim të kërkesave të qytetarëve për çështje të ndryshme, siç është në këtë rast funksionimi i çerdheve.
“Unë mendoj që bashkërisht duhet tu kërkojmë falje Bankës Botërore, qytetarëve të Komunës së Haraçinës edhe fëmijëve që janë të shenjtë, që na i ka fal Zoti që për ato të kujdesemi ne, për ato ne të punojmë, atyre t’u ofrojmë shërbime më cilësore, më të mira që ne si gjeneratë në të kaluarën nuk i kemi pas këto mundësi.
Sot, kur janë këto mundësi dhe mos të shfrytëzohen mendoj që nuk është në rregull. E lus ministrin mos të merremi me këso deklarata, të vazhdoj procesi edukativo arsimor”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar i Komunës së Haraçinës, përcjell “Alsat”.
Në çerdhen e Haraçinës “Fatosat” pritet të sistemohen 115 fëmijë pavarësisht që lista e pritjes së fëmijëve tejkalon këtë numër. Gjithashtu, edhe në çerdhen e Likovës “Valbona 2001” pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe. Kjo e fundit ka edhe kuzhinën distributive që do të shërbejë për çerdhen “Rrezja“ në fshatin Orizare dhe një çerdhe tjetër që planifikohet të ndërtohet mes fshatit Llojan dhe Vaksincë. Ditë më parë, kryetarët e dy komunave, të Haraçinës dhe Likovës theksuan se po përballen me procedura burokratike kur bëhet fjalë për vënien në funksion të këtyre objekteve. Mos funksionimi i çerdheve ka revoltuar edhe banorët e këtyre komunave të cilët vlerësojnë se këto vendbanime kanë nevojë për më shumë çerdhe duke marrë parasysh numrin e madh të banorëve.
Komuna e Tetovës i njofton të gjithë qytetarët dhe turistët të cilët dëshirojnë të vizitojnë Kodrën e Diellit, se nga kjo fundjavë do të fillojë me funksionimin linja e rregullt për transport publik në drejtimin “Tetovë – Kodra e Diellit”.
“Kjo linjë do të jetë funksionale çdo të shtunë dhe të diel. Kjo linjë dukshëm do të ndikojë jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe në lehtësimin e komunikacionit në këtë kas rrugor. Transporti i udhëtarëve do të bëhet me autobusët e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” – Tetovë duke u lehtësuar udhëtimin qytetarëve drejt kësaj qendre turistike. Nga Tetova drejt Kodrës së Diellit autobusët do të nisen në ora 08:00, 10:00, 12:00 dhe 15:30, ndërsa kthehet në qytet një orë më vonë nga këto termine.
Eventualish nëse do të ketë kaos në trafik autobusët do të ndalen tek vendi i quajtur “Guri i Sidollit”, prej ku drejtoria e Qendrës Turistike Dimërore “Kodra e Diellit” do të bëjë transportin me furgonë deri tek destinacioni final”, thuhet në njoftimin e Komunës./Telegrafi/
Kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgievski, thotë se nëse propozohet nga OBRM-PDUKM për kryetar të Shkupit, do ta pranojë sfidën.
“Nëse partia ime politike më propozon dhe më mbështet, sigurisht që do ta pranoj sfidën. KiselLa Voda nuk ka pasur kryetar të Shkupit dhe nuk ka asgjë për të humbur, përkundrazi do të fitojë si kurrë më parë dhe sigurisht që do të fitojnë edhe të gjitha komunat tjera dhe të gjithë banorët e Shkupit”, tha kryetari Orce Gjorgjievski.
Orce Gjorgjievski sot në “Sitel” prezantoi kriteret për projektin “Kisella Voda – adresa për shtëpi të përbashkët”, përmes të cilit çiftet e reja të martuara nga Komuna e Kisella Vodës përfiton nga lirimi nga pagesa e shërbimeve komunale për ndërtimin e një shtëpie në këtë pjesë të qytetit./Telegrafi/
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski njofton se është përfunduar thirrja publike për ndarjen e njëhershme të ndihmës financiare në shumë prej 2.500 denarë për pensionistët me pension pleqërie, familjare, invaliditeti ose pensioni social jo më i lartë se 23.758,00 denarë. Në këtë thirrje kanë aplikuar 1735 pensionistë për mbështetje financiare të njëhershme nga Komuna, e cila do të paguhet deri në fund të vitit.
Gerasimovski thotë se për këtë ndihmë kanë aplikuar 1735 pensionistë, e cila është një hap i rëndësishëm për mbështetje gjatë festave të fundivitit.
“Gjatë festave të Vitit të Ri kur e gjithë familjet festojnë së bashku, këto ditë mund të jenë një presion shtesë financiar për pensionistët. Prandaj, detyra jonë është t’ua lehtësojmë jetën e përditshme. Interesimi për thirrjen publike ishte vërtet i madh, besoj se këto mjete do t’u ndihmojnë për buxhetin familjar të festave”, thotë Gerasimovski.
Komuna Qendër, theksojnë nga atje, vazhdon të realizojë projekte përmes të cilave do të fuqizojë bashkësinë lokale, por edhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve.