Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nga lëmosha te puna e detyruar: Fëmijët në situatë rruge, një plagë sociale

6 June 2025 at 08:00

Autore: Fjona Çela | Citizens.al | Tiranë

Fëmijët që shesin lule, pastrojnë xhamat e makinave, kontrollojnë kazanët e mbeturinave apo kërkojnë lëmoshë janë pamje e zakonshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Të pambrojtur, pa arsim dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, ata shpesh detyrohen nga të rritur – përgjithësisht të afërm – të punojnë për të siguruar të ardhura për familjen.

Shpesh përballen me dhunë, abuzim apo dhe trafikim seksual. Të ardhurat e tyre vijnë me një kosto të lartë për ta: humbjen e fëmijërisë dhe së ardhmes.

Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë është problem i thellë social, ekonomik dhe kulturor. Detyrimi i të miturve për të lypur, apo dhe punuar, është një formë trafikimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Sipas Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHMDF), prirja është në rritje. Të dhënat e raportit vjetor (2023) flasin për 2,163 raste në situatë rruge që janë menaxhuar nga ASHMDF, prej të cilave rreth 47.5% (1,027) ishin raste të reja – në vitin 2022 pati 987 të tilla.

Nga fëmijët në situatë rruge, grupmosha më e shpeshtë është 13-15 vjeç, ndjekur nga 16-18 vjeçarët. Djemtë përbëjnë shumicën e tyre ndërsa më të ekspozuar duken fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane – ndër komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri.

Raporti i ASHMDF-së nënvizon se fëmijët në situatë rruge janë nga “grupet më të cenueshme” teksa “mungesa e shërbimeve sociale e përkeqëson situatën”.

Prirja konfirmohet edhe nga Linja Kombëtare për Fëmijët (ALO 116 111). Kjo organizatë raportoi për vitin që shkoi 256 raste të shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, që përfshinin 473 fëmijë (389; 2023).

Ndërkohë, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, u evidentuan 87 raste të reja, që preknin 190 fëmijë.

Prirja për të shfrytëzuar fëmijët është më e përhapur në qytetet e mëdha, por nuk mungon as në zonat rurale. Përgjithësisht, skuadra të posaçme terreni për ndërhyrjen në kohë reale ka vetëm kryeqyteti, ndërsa në qytetet e tjera raportimet kufizohen vetëm në polici apo te punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve (PMF).

Nga raportet, kuptohet se rastet shtohen sidomos gjatë sezonit veror, kur ka flukse të shtuara turistësh. Fëmijët shfrytëzohen për të lypur, shitur sende në rrugë, kryqëzime, plazhe apo zona me lëvizje të mëdha.

Belioza Çoku, nga Linja Kombëtare për Fëmijët, shpjegon se nën këtë dinamikë, ku shpesh shfrytëzimi vijon deri në orët e vona të natës, “fëmijët ekspozohen ndaj rreziqeve të shtuara, përfshirë këtu trafikimi, apo dhe abuzimi seksual.”

Ajo thotë se të rriturit që i detyrojnë këta fëmijë, përgjithësisht kanë mungesë ndërgjegjësimi dhe informacioni për pasojat dhe penalitetet e shfrytëzimit që u bëjnë fëmijëve.

“Sfida mbetet trajtimi i rasteve të përsëritura, të njohura prej vitesh, për të cilat nuk janë marrë masat e duhura,” shprehet Çoku.

Shumë raste të fëmijëve në rrugë marrin ndihmë (si: trajtim mjekësor, psikosocial, edukativ etj.), por disa prej tyre kthehen sërish në rrugë. Sistemi i mbrojtjes nuk rezulton i efektshëm sa duhet. Për këtë ndikojnë burimet e kufizuara njerëzore, mungesa e ndëshkimeve dhe mosbashkëpunimi mes institucioneve.

Qendrat e përkohshme nuk garantojnë rehabilitim afatgjatë, ndërsa arsimimi mbetet i pamundur për shumicën e tyre.

Sipas Altin Hazizajt, drejtor i “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” (CRCA/ECPAT), mungesa e zbatimit të ligjit Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” është një nga arsyet kryesore për përkeqësimin e situatës. Ai thekson se “Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket të drejtave të fëmijëve, sidomos në qasjet ndaj fëmijëve që shfrytëzohen”.

ASHMDF është institucioni që mban barrën kryesore të përgjegjësisë për gjendjen e fëmijëve në situatë rruge. Kjo Agjenci qeveritare koordinon sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe promovon të drejtat e tyre. Ajo ka pas një zinxhir institucionesh të tjera, por që sfida kryesore e tyre mbetet veçanërisht ndjekja penale e autorëve të shfrytëzimeve.

Në një kërkesë për informacion, ASHMDF tha për Citizens.al se gjatë vitit 2024 u ndoqën penalisht 23 të rritur që shfrytëzonin fëmijë, kjo pas referimeve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve (NJMF).

Bashkitë kanë gjithashtu rol domethënës në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në situata rruge, por sipas Hazizajt puna e tyre “lë për të dëshiruar”.

Për të adresuar këtë problem kompleks, nevojitet një qasje më e kujdesshme dhe e integruar, që përfshin ngritjen e shërbimeve të specializuara për këta fëmijë, mbështetje për familjet e tyre, përmirësim të shërbimeve psiko-sociale në shkolla dhe forcim të kapaciteteve të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve.

Paralelisht nevojitet ndërlidhje më e qëndrueshme dhe koordinim efektiv mes institucioneve, sistemit arsimor dhe sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, fushata ndërgjegjësimi për strukturat që ofrojnë ndihmë, plane me buxhete të mjaftueshme për strehim dhe punësim të familjeve në nevojë etj.

Edhe pse qeveria ka promovuar bashkëpunimin me organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për përmirësimin e situatës, përfshirë programe për integrimin e viktimave të trafikimit, shumë mbetet për t’u bërë.

The post Nga lëmosha te puna e detyruar: Fëmijët në situatë rruge, një plagë sociale appeared first on Citizens.al.

Birësimi në Shqipëri: Sistemi që “mban peng” fëmijët e braktisur

19 May 2025 at 16:02

Autore: Ina Allkanjari | Citizens.al | Tiranë

Në dhjetor të vitit 2018, në maternitetin e Shkodrës u lind E.G. Menjëherë pas ardhjes në jetë, gjykata e shpalli të miturën të braktisur për shkak të problemeve të shëndetit mendor të nënës së saj biologjike. Ajo u dërgua në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër, ku kaloi vitet e para të jetës.

Pesë vite më vonë, Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) miratoi kërkesën për birësimin e saj nga një familje në Fier. Procesi u finalizua pa probleme deri në fund të vitit 2023, por pas vetëm disa muajsh, nëna birësuese, për shkak të vështirësive të hasura në prindërim, kërkoi që vajza të rikthehej në Shtëpinë e Fëmijës.

Rasti i E.G. është një nga shembujt që theksojnë dështimet në procesin e birësimit në Shqipëri. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në auditimin për vitin 2024, vuri në dukje mungesa të theksuara në vlerësimin e aplikantëve, monitorimin e periudhës së provës dhe mungesën e mbështetjes për familjet birësuese.

Raporti tregon se KSHB nuk reagoi në kohë për të ndjekur ecurinë e pas-birësimit në rastin e E.G dhe ka ndjekur procedurat në mënyrë formale, pa garantuar ndërtimin e një lidhjeje të vërtetë emocionale mes fëmijës dhe prindit birësues.

Komiteti i tha Citizens.al se çdo familje birësuese nënshkruan një marrëveshje pasbirësimi, ku përcaktohet monitorimi për dy vite, përmes katër raporteve të realizuara nga stafi i institucionit.

Sipas avokatit Gentjan Sejrani, ligji shqiptar për birësimin nuk përputhet me standardet e Bashkimit Evropian. Ai vë në dukje mungesën e kritereve të qarta për aplikantët, përfshirë gjendjen ekonomike, moshën dhe qëndrueshmërinë në marrëdhëniet familjare.

Ligji shqiptar i konsideron të braktisur fëmijët që nuk kanë kontakt me prindërit biologjikë për një periudhë prej 6 muajsh. Nën këtë cilësim ata futen në procesin e marrjes së statusit të jetimit.

Por sipas KLSH-së, mungesa e verifikimeve të rregullta nga KSHB ka krijuar pasiguri në procesin e marrjes së këtij statusi duke krijuar mundësi për keqkuptime dhe gabime.

Mangësitë në procesin e birësimit

KSHB mbikëqyr procesin e birësimit në Shqipëri që prej vitit 1993. Prej asokohe e deri më tani ky Komitet ka ndjekur 1,857 birësime, duke përfshirë edhe birësimet përtej kufirit.

Por në periudhën 2019–2024 birësimet janë ulur. Për këtë periudhë janë realizuar gjithsej 140 birësime, me vetëm 12 raste në vitin 2024 (6 djem dhe 6 vajza të moshës 1-4 vjeç). Kjo tregon një rënie të ndjeshme krahasuar me dy dekadat e para të funksionimit të KSHB-së.

Aktualisht, 27 institucione rezidenciale (9 publike dhe 18 jo-publike) ofrojnë përkujdesje për fëmijët, por cilësia e shërbimeve të tyre mbetet shqetësuese.

Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) thekson nevojën për mbylljen e institucioneve dhe kalimin në një sistem alternativ familjar të mirë-strukturuar. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ligj të fortë për kujdesin familjar alternativ, duke përfshirë përkujdesjen përmes familjeve kujdestare të trajnuara dhe të mbështetura nga shteti.

“Asnjë fëmijë nuk duhet vendosur në institucion, ndaj ato të gjitha duhen mbyllur menjëherë,” thekson Hazizaj.

Ndërkohë, të dhënat e bëra me dije kreu i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve, Ilir Çumani, falsin për rreth 31 mijë fëmijë që konsiderohen jetimë, por shumë pak prej tyre kanë përfituar zyrtarisht statusin ligjor të jetimit. Kjo vonesë i pengon ata të futen në procesin e birësimit.

Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), raportoi në janar se gjatë vitit të shkuar statusin e kanë përfituar 255 jetimë (26 nga mungesa e të dy prindërve, 228 si të lindur jashtë martese etj.).

“Gjithashtu janë rinovuar rreth 500 statuse jetimi,” vijon SHSSH teksa Komiteti i tha Citizens.al se në pritje për birësim janë 30 aplikantë.

Hazizaj thekson se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve sociale dhe institucioneve të birësimit është një nga pengesat kryesore për një sistem funksional. Ai kritikon qasjen tepër të centralizuar të birësimit dhe sugjeron një reformim të thellë të sistemit.

“Ministria e Shëndetësisë ka pasur prioritete të tjera,” kujton Hazizaj teksa përmend se prej 5 vitesh organizata e tij ka ofruar praktikat më të mira të Britanisë.

“Çështja e ligjit dhe krijimit të familjeve për kujdes alternativ, njohur si ‘foster care’, është urgjencë kombëtare, ne kemi bërë gati dhe projekt-ligjin dhe shpresoj që tani ministria të jetë gati për këtë hap të madh.” tha Hazizaj sipas së cilit Shqipëria ka një sistem të centralizuar të ngjashëm me atë të periudhës së diktaturës.

“Birësimet ndërvendase” dhe mbështetja e mangët e familjeve kujdestare

Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) kryen dy lloje procedurash birësimi: vendas dhe ndërvendas. Ndërvendas cilësohen rastet ku fëmijës i duhet të shpërngulet nga vendi i origjinës në një vend pritës.

Nga viti 2019 deri më 2024 janë kryer 42 raste birësimi ndërvendas dhe KLSH ka zbuluar se 9 nga këto janë realizuar në shkelje të ligjit përmes agjencive të huaja ndërmjetësuese me licenca të skaduara dhe pa mbikëqyrje nga KSHB-ja duke u mjaftuar me raportet pasbirësuese të dërguara prej këtyre agjencive.

“KSHB nuk ka ushtruar asnjëherë mbikëqyrje të veprimtarisë së këtyre agjencive në vendin tonë,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Në këtë kontekst, Altin Hazizaj nga CRCA shpreh shqetësimin për vijimin e birësimeve ndërvendase dhe apelon që ato të ndalohen deri sa të ndërtohet një sistem i ri. Nga ana tjetër avokati Gentjan Sejrani e sheh të domosdoshëm një monitorim më të rreptë të sistemit nga institucionet ligjzbatuese.

“Është e nevojshme monitorimi i institucioneve ligjzbatuese në rastet që vërehen abuzime të tilla. Ka nevojë për ndryshime ligjore në aspektin e monitorimit të jetës së të miturit pas birësimit,” thotë Sejrani.

Të dy, si Hazizaj dhe Sejrani, shohin si problematikë tjetër mungesën e mbështetjes së familjeve kujdestare. Ata theksojnë se ndihma që jepet nga shteti për këto familje është e pamjaftueshme duke i lënë ata vetëm në përballjen me vështirësi emocionale dhe financiare.

Sipas drejtuesit të CRCA sistemi vuan nga burokracia ku “non-sensi i madh është vendosja e një institucioni kujdesi shoqëror në varësi të ministrisë së Drejtësisë dhe jo ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.

Institucionalizmi dhe trauma e braktisjes

Një raport i Avokatit të Popullit ka konstatuar se shumica e fëmijëve që kalojnë në institucione përkujdesjeje sociale mbeten atje për periudha të gjata 1-7 vjet.

Një tregues shqetësues ky pasi nuk përputhet me parimin e interesit më të lartë të fëmijës duke shkaktuar shfaqjen te ta të sjelljeve agresive, vonesave të zhvillimit konjitiv, emocional për integrim social.

“Nga vlerësimi i informacionit të gjeneruar, koha e gjatë e qëndrimit të fëmijëve në institucion është problematike dhe mund të konsiderohet një formë neglizhence”, thuhet në raport teksa transferimi i vazhdueshëm nga një institucion në një tjetër theksohet si problem që thellon traumën.

Psikologia Ermela Shllaku, thotë për Citizens se trauma e braktisjes dhe qëndrimi i gjatë në institucione kanë pasoja serioze për zhvillimin psikologjik të fëmijëve. Sipas saj mungesa e një figure kujdestare të qëndrueshme ka ndikim negativ në aftësinë e fëmijës për të ndërtuar marrëdhënie të sigurta dhe për të zhvilluar vetëbesimin.

“Braktisja nuk është një ngjarje e izoluar, ajo krijon një zhvillim të brendshme që fëmija mund ta përjetojë si refuzim personal dhe ndjenjë pavlefshmërie”, shpjegon Shllaku.

Për këtë, për të ndihmuar fëmijët të përballojnë traumën e braktisjes, psikologia sugjeron përfshirjen e terapive të specializuara kognitivo-biheviorale, të njohura si CBT.

Përveç pasojave psikologjike, edhe kalimi nga institucioni në familje birësuese ose kujdestare është një fazë delikate që kërkon mbështetje dhe përgatitje të duhur për familjet. Mungesa e kësaj mbështetjeje dhe përgatitjeje mund të çojë në dështim të lidhjes familjare. Sipas Shllakut një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë psikologët.

The post Birësimi në Shqipëri: Sistemi që “mban peng” fëmijët e braktisur appeared first on Citizens.al.

Spiropali me grupin “Miqtë e fëmijëve”: T’i propozohen Kuvendit ndryshime ligjore për mbrojtjen dhe të drejtat e tyre

20 November 2024 at 10:42

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali foli sot në takimin e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, duke shprehur gatishmërinë për propozime dhe ndryshime në kuadrin ligjor për mbrojtjen e fëmijëve.

“Ky takim shumë i gjerë dëshmon për karakterin gjithëpërfshirës për kujdesin ndaj fëmijëve. Jemi të gjithë të tronditur nga ngjarja e rëndë, ku një 14-vjeçar humbi jetën nga një krim i bashkëmoshatarit të tij. Është detyra jonë të reagojmë  dhe të bëjmë ligje më të forta kundër dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe abuzimit në rrjetet sociale dhe më shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri në zbatimin e ligjeve, për modelet që u ofrohen të rinjve në media dhe në shoqëri. Çdo fëmijë lind në këtë botë me dritë, me dëshirë për jetën dhe me një ndjenjë pafajësie, me mundësi për jetën, potenciale zhvillimi të personalitetit. Mund ta imagjinojmë dhimbjen që ndjen një fëmijë, kur mizoritë e jetës i formësojnë pritshmëritë e tij për shkak të frikës dhe familjes, apo pamundësive apo pakujdesive të institucioneve, komuniteteve, prindërve apo shoqërisë”, tha Spiropali.

Sipas kryeparlametares, “është detyrë e të gjithëve që të filtrojmë mesazhet, kuptimet dhe këshillat e fëmijëve, në të gjitha mikromjediset shoqërore për ta bërë jetën e tyre më të bukur dhe për të marrë masa që të ngrihen digat mbrojtëse ndaj të keqes, abuzimeve, dhunës që mund të vijnë nga drejtime të ndryshme”.

“Ne nuk mund të edukojmë fëmijët vetëm me këshillat tona të mërzitshme, por modelet që u ofrojmë. Në këtë stad të shoqërisë, është detyra jonë të rrisim një brez të shëndetshëm fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht sepse presionet që vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore, nga patologjitë apo defektet që mund të shkaktojnë thyerje të mëdha të fëmijët”, u shpreh ajo.

Spiropali bëri thirrje të mbrohen fëmijët nga forma të ndryshme të abuzimit, offline dhe online, nga format e këqija të dhunës, por edhe nga rreziqet që vijnë përmes shkëlqimi dhe joshjes, që më parë ishte televizioni, ndërsa sot xhungla e pakrasitur e rrjeteve sociale.

Spiropali kërkoi nga grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” që të bëhet një rivlerësim i kuadrit ligjor dhe t’i propozohen ndryshime Kuvendit.

“Të bëjnë një rivlerësim të kuadrit ligjor dhe nënligjor, si dhe veprimtarisë së agjencive për mbrojtjen e fëmijëve dhe t’i paraqesë sa më shpejtë Kuvendit propozimet ligjore dhe rekomandimet përkatëse. Grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” që funksionon në Kuvend në tre legjislatura, ka qenë një mbrojtës i të drejtave të fëmijëve përmes miratimit të legjislacionit të duhur, përmes kontrollit të qeverisë për zbatimin efektiv të reformave. Arritje të konsiderueshme në përkthimin në akte ligjore të të drejtave të fëmijëve”, u shpreh ajo.

“Hartimi i rezolutave mbi të drejtat e këtyre problemeve dhe zbatimi i një procesi permanent të bashkëpunimit përgjatë historisë së tij, grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve” kanë arritur këto rezultate: hartimi i rezolutave mbi problemet e të drejtave të fëmijëve, ndërtimi i një procesi të gjatë bashkëpunimi me fëmijët dhe nxënësit e shkollave, shoqërinë civile dhe partnerët tanë, prodhimi i disa projektligjeve në fushën e drejtësisë për të miturit, sensibilizimi i shoqërisë dhe institucioneve”, përfundoi Spiropali.

Përfaqësuesi i UNICEF për Shqipërinë, Murat Shahin shprehu keqardhjen e tij për ngjarjen e rëndë ku një i mitur 14- vjeçar humbi jetën jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ndërsa u kërkoi të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje.

Këngëtari Alban Skënderaj, në cilësinë e ambasadorit të parë të UNICEF për fëmijët, u shpreh se ka gatishmërinë për të qenë pjesë e mbështetjes për fëmijët në çdo fushë, duke qenë aty ku janë problemet përmes kontributit me muzikë, por jo vetëm.

20 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.

Shqipëria e ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1993, duke u angazhuar në këtë mënyrë të përmbushë këto të drejta dhe t’i paraqesë raporte periodike për progresin dhe sfidat Komitetit për të Drejtat e Fëmijës.  /j.p/

The post Spiropali me grupin “Miqtë e fëmijëve”: T’i propozohen Kuvendit ndryshime ligjore për mbrojtjen dhe të drejtat e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌