Zgjatet afati për aplikim në thirrjen publike për angazhimin e 400 zjarrfikësve
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon se për shkak të interesimit të madh dhe reagimit pozitiv nga qytetarët, zgjatet afati për aplikim në thirrjen publike për angazhimin e 400 zjarrfikësve në mbarë vendin. Afati do të vlejë deri më 23 korrik, e mërkurë.
Nga Qeveria thonë se vendimi për zgjatjen e afatit është marrë me qëllim që t’u jepet mundësi sa më shumë qytetarëve të interesuar të aplikojnë, duke shtuar se, bëhet fjalë për një masë të rëndësishme e cila drejtpërdrejt forcon kapacitetet e sistemit për mbrojtje dhe shpëtim, sidomos në prag të sezonit veror dhe rrezikut të shtuar nga zjarret.
“Kjo masë, e cila del nga Plani për Punësim 2025, paraqet një investim sistematik dhe thelbësor në sigurinë publike dhe kujdesin për qytetarët. Angazhimi i 400 zjarrfikësve është hapi i parë i tillë i madh pas më shumë se një dekade dhe i përgjigjet drejtpërdrejt mungesës shumëvjeçare të kuadrove në njësitë zjarrfikëse”.
“Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e një sistemi funksional, të shpejtë dhe efikas për mbrojtje dhe i fton qytetarët të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të aplikojnë. Thirrja është e hapur për të gjithë personat e kualifikuar, ndërsa të gjitha detajet për aplikim janë të disponueshme në ueb-faqet zyrtare të komunave”, thonë nga Qeveria./Telegrafi/
The post Zgjatet afati për aplikim në thirrjen publike për angazhimin e 400 zjarrfikësve appeared first on Telegrafi.