Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

‘Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë’, Shehu: Rama rrëzohet me lëvizje popullore

11 June 2025 at 15:12

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i ftuar në një studio televizive, ka deklaruar se zgjedhjet e 11 Majit janë deformuar nga qeveria, duke i cilësuar ato si një komplot kundër demokracisë dhe kundër Partisë Demokratike.

Shehu theksoi se denoncimet e PD-së do të zbulojnë farsën zgjedhore. Ai akuzoi mazhorancën për manipulim të procesit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke shtuar se nuk ka besim tek drejtësia shqiptare dhe se reagimet ndërkombëtare kanë qenë të vakëta.

“Është një komplot kundër demokracisë dhe kundër PD, për ta dëmtuar atë në çfarëdo lloj forme. Kemi farsë zgjedhore dhe askush nuk mund ta mohojë dot këtë. Mazhoranca deformoi procesin zgjedhor, denoncimet do të çjerrin maskën e farsës elektorale. Unë nuk kam besim tek drejtësia shqiptare. Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të zbehta. SHBA nuk uroi fituesin, ai që do jetë kryeministër, por u urua populli shqiptar. Procesi është krejt i deformuar në Shqipëri dhe jashtë vendit. Regjimet përmbysen me lëvizje popullore, përmbyset regjimi dhe më pas i hapet rruga votës së lirë. Unë nuk besoj tek dhuna. Rama rrëzohet me lëvizje popullore”, deklaroi Shehu.

Ai gjithashtu mbrojti Sali Berishën, duke e quajtur një misionar të votës së lirë dhe theksoi se çdo përpjekje për largimin e tij synon dobësimin e opozitës.

“Ata që sot kryefjalë vënë Sali Berishën, duan të dobësojnë betejën e tij opozitare. Berisha është misionar për votën e lirë. Largimi i Berishës do ishte dëmtim i madh për opozitën shqiptare. Dua të falënderoj çdo kandidat të PD-së, që ishin në listë të mbyllur apo të hapur. Të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhje kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Nëse ka njeri që nuk do BE-në, është Edi Rama, ai do Sulltanatin”, u shpreh Shehu.

The post ‘Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë’, Shehu: Rama rrëzohet me lëvizje popullore appeared first on Sot News | Lajme.

Devijim rezultati brenda PD?/ Sula: Provat për manipulimin e votave janë brenda kutive, shumica me urdhër të…

9 June 2025 at 22:36

Deputeti opozitar Dash Sula, i cili u la jashtë listave të mbyllura të Partisë Demokratike, deklaroi se provat për manipulimet e votave në zgjedhjet e 11 majit ndodhen brenda kutive të votimit. Sipas tij, skemat e dyshuara të manipulimit janë kryesisht të diktuara nga urdhra politikë, më shumë sesa për përfitime monetare.

“Provat janë në kuti. PS dhe PD bien dakord që votat tuaja mund t’ja jepni kujt të doni kandidatëve, por në fund në numërimin total, bie dakord komisioni aty. Komisionerët janë njerëzit më të afërt të kryetarit të partisë dhe të partisë. Bie dakord të katërt komisionerët për subjektin që përfaqësojnë. Shumica është me urdhër politik sesa për lekë,” u shpreh Sula.

Ai përmendi edhe një rast konkret të denoncuar, ku një numërues i kishte telefonuar një kandidati fitues duke i thënë se do të hapeshin kutitë e votimit.

“Përgjigja e kandidatit ka qenë që ja vlen për një njeri me vlera si puna ime që të bësh një ditë burg,” tha Sula.

Deputeti opozitar njoftoi gjithashtu se nesër pritet të shqyrtohet padia e Aulon Kalasë dhe mund të hapen kutitë e votimit në Durrës, ku sipas tij, ekzistojnë prova se votat janë tjetërsuar nga një kandidat te një tjetër.

The post Devijim rezultati brenda PD?/ Sula: Provat për manipulimin e votave janë brenda kutive, shumica me urdhër të… appeared first on Sot News | Lajme.

‘Synoj hapjen e kutive në Durrës’, Kalaja: Kam bërë 4 kërkesa për rinumërim, do ta vazhdoj këtë betejë

4 June 2025 at 20:30

Në një intervistë televizive, kandidati për deputet Aulon Kalaja u shpreh se është i vendosur për të çuar përpara një betejë ligjore dhe institucionale që synon hapjen e kutive të votimit në Durrës, duke kërkuar transparencë të plotë mbi procesin zgjedhor.

Gjatë intervistës, Kalaja theksoi se nuk bëhet fjalë për emra apo për interes personal, por për vendosjen e një standardi të ri në proceset zgjedhore në Shqipëri. Ai deklaroi se i është drejtuar Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në katër mënyra të ndryshme: si kandidat i Koalicionit “Shqipëria Madhështore”, si përfaqësues i Partisë së Legalitetit, si anëtar i Partisë Demokratike, dhe nëpërmjet mbështetjes nga Partia Balli Kombëtar Demokrat. Deri më tani, është njohur si palë legjitime vetëm përmes Partisë së Legalitetit.

“Kam kërkuar transparencë. KAS kërkon një format tjetër të provave, ndërsa unë kam punuar me një metodologji tjetër. Por mendoj se do të shkojmë drejt hapjes së kutive në Durrës. Nuk ka rëndësi kush është emri, por që të vendoset një standard i ri për zgjedhjet,” tha Kalaja.

Ai kritikoi një nen të Kodit Zgjedhor, për të cilin tha se duhet të goditet ligjërisht, pasi, sipas tij, ai pengon legjitimitetin e kandidatëve. Kalaja i kërkoi KAS që, nëse nuk mund të votojë kundër normës aktuale, ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

“Kur kam kërkuar votën e qytetarëve, më kanë pyetur: ‘A do na e mbrosh votën?’ Dhe u kam thënë: po. Unë do ta çoj këtë betejë deri në fund. Nuk bëhet fjalë për votat e mia, por për të parë si janë shpërndarë ato në tërësi. Dua transparencë dhe drejtësi,” theksoi Kalaja.

Ai përmendi edhe rezultatin në Bashkinë e Krujës, ku tha se ishte kandidati më i votuar, por pavarësisht kësaj nuk është bërë deputet, gjë që sipas tij ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përpilimit të Kodit Zgjedhor dhe ndarjen e mandateve.

The post ‘Synoj hapjen e kutive në Durrës’, Kalaja: Kam bërë 4 kërkesa për rinumërim, do ta vazhdoj këtë betejë appeared first on Sot News | Lajme.

‘Qytetarët kanë frikë të votojnë të lirë ‘, Qori: Mospërputhje mes procesverbaleve dhe të dhënave nga terreni

2 June 2025 at 21:57

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka ngritur shqetësime të forta mbi rregullsinë e zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se procesi zgjedhor në Shqipëri mbetet i deformuar dhe jo i lirë. I ftuar në një emision televiziv, Qori theksoi se partia e tij ka ndjekur nga afër të gjithë zinxhirin e procesit, duke përfshirë edhe vëzhgimin në qendrat e votimit dhe numërimit përmes përfaqësuesve të saj.

Sipas tij, edhe pse parregullsia e konstatuar nuk e ndikon rezultatin e “Lëvizjes Bashkë”, ajo është treguese për probleme serioze që kompromentojnë besueshmërinë e procesit, pasi ka mospërputhje mes të dhënave të vëzhguesve dhe dokumentacionit zyrtar.

“Rasti që kemi pasur ne nuk e ndryshon rezultatin për Lëvizjen Bashkë, ama përvoja jonë është që shënimet e vëzhguesit tonë dhe procesverbali kanë një diskordancë. Ne e kemi ankimuar dhe presim nga institucionet që të bëjnë transparencë.”

Qori theksoi se problemi më i madh nuk qëndron vetëm tek numërimi, por në vetë klimën e votimit, ku sipas tij frika dhe presioni psikologjik mbi qytetarët deformon vullnetin e lirë.

“A voton qytetari shqiptar në kushte vërtet të lira dhe të barabarta? Dhe unë di të them këtu që procesi në Shqipëri vazhdon të jetë vërtet skandaloz.”

Ai tregoi se në zona si Tirana e Re, qytetarët i janë shprehur se mbështesin Lëvizjen Bashkë, por nuk guxojnë ta deklarojnë publikisht nga frika për vendin e punës apo presionin e ushtruar përmes lidhjeve me bizneset.

“Mua më thoshin që do të votojmë për Lëvizjen Bashkë, por të lutem më fike derën, po publikove foton e shtrëngimit të duarve mes nesh.”

Qori përfundoi duke theksuar se kjo klimë e pasigurisë dhe intimidimit të heshtur vë në pikëpyetje jo vetëm rregullsinë teknike të zgjedhjeve, por vetë legjitimitetin e tyre demokratik. Ai i bëri thirrje institucioneve që të trajtojnë me seriozitet ankesat dhe të garantojnë një proces zgjedhor realisht të lirë dhe të ndershëm në të ardhmen.

The post ‘Qytetarët kanë frikë të votojnë të lirë ‘, Qori: Mospërputhje mes procesverbaleve dhe të dhënave nga terreni appeared first on Sot News | Lajme.

Berisha nuk përjashton grevën e urisë, Gjiknuri: Kontestimi i zgjedhjeve, refren i opozitës

26 May 2025 at 22:42

Damian Gjiknuri ka komentuar deklaratën e Sali Berishës, i cili nuk përjashtoi mundësinë e futjes në grevë urie pas humbjes në zgjedhjet e fundit. Sipas Gjiknurit, nuk ka asgjë të re në këtë qëndrim, pasi opozita shqiptare ka një refren të përsëritur ku pas çdo humbjeje konteston rezultatet e zgjedhjeve.

Ai u shpreh se kjo sjellje është bërë një traditë politike, ku lidershipet për të ruajtur pozitat e tyre, nuk shohin gabimet tek vetja, por akuzojnë vjedhjen e votave. Gjiknuri kujtoi se edhe Rama në vitin 2017 kishte kërkuar vetëm transparencë, ndërsa kishte pranuar rezultatin.

Sa i përket Berishës, Gjiknuri tha se ai hyri në fushatë si humbës i paracaktuar, duke formuar një ekip me besnikë dhe duke bërë zgjedhje që nuk shërbenin një gare reale. Gjithashtu, përmendi pagimin prej 6 milionë dollarësh nga Berisha në kulmin e fushatës për pastrimin e emrit, një gjë që sipas tij nuk e përligj pozicionin e fituesit.

Pjesë nga deklarata e Gjiknurit:

“Këtu ka një refren të vazhdueshëm, opozita humb zgjedhjet, konteston zgjedhjet. Kjo ka ndodhur në 2017, në 2021, kjo po ndodh edhe tani, kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet vendore.
Kultura e pranimit të rezultatit është e dobët në Shqipëri. Por në rastin e Berishës është më e theksuar, sepse që në fillim ai luajti si humbës.
Ai mblodhi besnikët e tij dhe bëri zgjedhje që nuk i shërbenin një gare reale.
Po ashtu ka paguar 6 milionë dollarë për të pastruar emrin në kulmin e fushatës, ndërsa fituesi automatikisht është i pastruar dhe ka hequr non gratën.”

The post Berisha nuk përjashton grevën e urisë, Gjiknuri: Kontestimi i zgjedhjeve, refren i opozitës appeared first on Sot News | Lajme.

‘Tentuan të na rrëbejnë mandatin’, Shehaj reagon me revoltë ndaj PD: Parti e vjetër, hipokrizi

26 May 2025 at 17:52

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve që lidhen me procesin e rinumërimit të votave, duke akuzuar partitë tradicionale për një tentativë për t’i rrëmbyer një mandat forcës së tij politike.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se të dy mandatet e fituara nga partia “Mundësia” janë të padiskutueshme dhe të ndershme, ndërsa e cilësoi ndërhyrjen në këtë proces si një “grabitje të planifikuar” nga partitë e vjetra që nuk pranojnë ndryshimin.

“Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet,” – shkruan Shehaj.

Reagimi i tij vjen në një moment delikat pas zgjedhjeve, ndërkohë që rinumërimi i votave në disa zona është shoqëruar me tensione politike dhe akuza për manipulim. Shehaj i bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të qëndrojnë të qetë, duke garantuar se “vullneti i tyre do të mbrohet deri në fund”.

The post ‘Tentuan të na rrëbejnë mandatin’, Shehaj reagon me revoltë ndaj PD: Parti e vjetër, hipokrizi appeared first on Sot News | Lajme.

Nuk fitoi dot mandatin, Meta firmos urdhrin për analizën e rezultatit të zgjedhjeve në Qarkun Tiranë

20 May 2025 at 18:59

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka njoftuar nga qelia se ka firmosur një urdhër për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit në çdo Njësi Administrative dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë. Qëllimi i këtij procesi është verifikimi i punës dhe rolit të çdo anëtari dhe strukture të partisë në zgjedhje.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të ristrukturimit dhe forcimit të organizatës, duke vlerësuar ata që, sipas tij, nuk u tunduan nga presionet e qeverisë.

“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit”, shkruan Meta.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve që, sipas tij, i rezistuan “presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit”, duke shtuar se përballë një “makinerie kriminale shtetërore”, ata zgjodhën të mbrojnë lirinë, shpirtin dhe karakterin.

Në fund të mesazhit të tij, Meta bën thirrje për vendosmëri dhe qëndresë, duke theksuar se beteja politike e Partisë së Lirisë do të vazhdojë në mbrojtje të kauzave madhore.

The post Nuk fitoi dot mandatin, Meta firmos urdhrin për analizën e rezultatit të zgjedhjeve në Qarkun Tiranë appeared first on Sot News | Lajme.

‘Zgjedhjet e 11 majit ishin një masakër elektorale’, Këlliçi: Vota e diasporës një kasaphanë

20 May 2025 at 17:41

Drejtuesi i Partisë Demokratike për qarkun Tiranë, Belind Këlliçi, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, duke i cilësuar ato si një masakër elektorale dhe duke denoncuar një sërë parregullsish që, sipas tij, kanë deformuar vullnetin e votuesve.

I ftuar në një studio televizive, Këlliçi tha se është përdorur gjerësisht ajo që e quajti “fenomeni bullgar”, për të cilin opozita ka ngritur më herët alarmin.

“Zgjedhjet ishin një masakër elektorale. Fenomeni Bullgar është përdorur gjerësisht dhe e kemi denoncuar. Janë gjetur gjithashtu edhe disa fleta votimi me ngjyrë tjetër dhe këtë e kanë konfirmuar edhe numëruesit,” – deklaroi ai.

Sipas tij, janë identifikuar rreth 180 fletë votimi identike, të cilat, sipas pretendimeve të PD, janë plotësuar nga i njëjti person. Ai theksoi se ka foto dhe video si provë për këto shkelje.

Në lidhje me votën e diasporës, Këlliçi e cilësoi atë si një kasaphanë, duke thënë se fletët e votimit kishin shenja identike dhe se kishte më shumë fletë votimi sesa zarfa të shpërndarë.

“Vota e diasporës ishte një kasaphanë. Ato kishin të njëjtat shenja, të vendosura nga i njëjti person. Në kuti janë më shumë fletë votimi se zarfa të shpërndarë. Shkeljet janë flagrante dhe nuk duhet të lihet pa u vënë re,” – theksoi Këlliçi.

Ai përfundoi duke akuzuar për krim zgjedhor të kapur në flagrancë gjatë ditës së votimit, duke paralajmëruar se opozita do të dokumentojë çdo shkelje.

The post ‘Zgjedhjet e 11 majit ishin një masakër elektorale’, Këlliçi: Vota e diasporës një kasaphanë appeared first on Sot News | Lajme.

Skandal elektoral/ 52 kandidatë nuk votuan as veten në zgjedhjet e 11 majit

20 May 2025 at 15:53

Ndërsa gara zgjedhore ka hyrë në fazën përmbyllëse dhe po pritet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një tjetër aspekt i zgjedhjeve të 11 majit ka ngjallur habi dhe diskutime publike: 52 kandidatë rezultojnë me 0 vota, duke mos votuar as veten e tyre.

Nga 1,540 kandidatë që ishin pjesë e garës në listat e hapura, të dhënat e përpunuara nga Report Tv tregojnë se një pjesë e mirë e tyre duket se kanë qenë “kandidatë fiktivë”, të futur në lista më shumë për numër sesa për garë reale.

Sipas të dhënave:

52 kandidatë rezultojnë me 0 vota – as vetëvotim.

7 të tjerë kanë 0 vota në vend, por 1 votë nga diaspora.

59 kandidatë kanë marrë vetëm 1 votë, që mendohet të jetë vota e tyre.

Ky rezultat i dobët ngre pikëpyetje mbi seriozitetin e pjesëmarrjes së këtyre individëve në zgjedhje dhe mbi mënyrën si janë përzgjedhur për të qenë pjesë e listave.

Partitë me më shumë kandidatë “fantazmë”:

  • Aleanca Demokracia e Re (Edmond Stojku):
    • 28 kandidatë me 1 votë
    • 27 kandidatë me 0 vota
    • 4 kandidatë me 1 votë nga diaspora
  • Lëvizja Atdheu (Kreshnik Osmani):
    • 13 kandidatë me 1 votë
    • 11 kandidatë me 0 vota
    • 2 kandidatë me 1 votë nga diaspora
  • Koalicioni Djathtas 1912 (Dashamir Shehi – Enkeleid Alibeaj):
    • 11 kandidatë me 1 votë
    • 7 kandidatë me 0 vota
  • Aleanca Kombëtare Shqiptare (Elena Kocaqi):
    • 4 kandidatë me 1 votë
    • 6 kandidatë me 0 vota
    • 1 kandidat me 1 votë nga diaspora

Partia Social Demokrate (Tom Doshi):

  • 1 kandidat me 1 votë

The post Skandal elektoral/ 52 kandidatë nuk votuan as veten në zgjedhjet e 11 majit appeared first on Sot News | Lajme.

Ishin cilësuar si të parregullta, KQZ urdhëron numërimin e dy kutive të panumëruara në Durrës dhe Elbasan

19 May 2025 at 22:13

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht vendimin për të vijuar me numërimin fillestar të dy kutive të votimit që deri më tani kishin mbetur të panumëruara. Bëhet fjalë për një kuti në qarkun e Durrësit dhe një tjetër në qarkun e Elbasanit.

Sipas njoftimit të KQZ-së:

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) urdhëron numërimin fillestar të votave të panumëruara për qendrat e votimit nr. 1352/01, KZAZ nr. 21, qarku Durrës dhe nr. 2777/00, KZAZ nr. 54, qarku Elbasan. Procesi i numërimit do të kryhet më datë 20.05.2025, ora 12:00, në ambientet e KQZ-së.
Rezultatet e këtyre qendrave të votimit do të përfshihen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore përkatëse.”

Dy kutitë në fjalë, të cilat janë pranuar fillimisht si të rregullta nga KQZ, janë më pas klasifikuar si të parregullta nga KZAZ. Megjithatë, sipas rregullores së Komisionit, nëse një kuti është marrë e rregullt në dorëzim nga KZAZ, ajo duhet të numërohet.

Procesi i numërimit do të zhvillohet në ambientet e KQZ-së në Tiranë, ditën e hënë, më 20 maj 2025, në orën 12:00. Rezultatet pritet të kenë ndikim në Tabelat Përmbledhëse për zonat përkatëse.

The post Ishin cilësuar si të parregullta, KQZ urdhëron numërimin e dy kutive të panumëruara në Durrës dhe Elbasan appeared first on Sot News | Lajme.

‘Fushata elektorale ishte e ftohtë’, Spahiu: Partitë mbushnin sheshet me karrige, se kishin pak njerëz

19 May 2025 at 21:43

Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu, në një analizë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, deklaroi se kjo ishte fushata më e ftohtë dhe më e parashikueshme e 35 viteve të fundit në Shqipëri. Ai e cilësoi atë si “fushata e karrigeve”, duke theksuar mungesën e entuziazmit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve.

“Kjo ishte fushata më e lexueshme në 35 vitet e fundit, e ftohtë, pa entuziazëm, ishte fushata e karrigeve. Më parë kishte entuziazëm, rrinin edhe në këmbë e kërcenin nga shpresa prej premtimeve. Kurse këtë herë, qoftë mazhoranca dhe opozita, kishin vetëm një mundësi për të mbushur sheshet, për të shpërndarë hapësirën dhe vendosur karriget”, tha Spahiu.

Sa i takon fitores së Partisë Socialiste, Spahiu argumentoi se shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël, ndërsa figura e Sali Berishës sipas tij ka qenë një faktor negativ për opozitën.

“Pavarësisht shifrave, në shikim të parë shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël dhe e keqja më e madhe ishte Berisha, edhe për shkak të së kaluarës dhe moshës së tij. Në vota kombëtare PS mbetet në të njëjtat kuota, po aq sa është votuar 4 apo 8 vite më parë dhe më pak se në 2013, edhe pse atëherë kishte 42 forca koalicion”.

Ai gjithashtu kritikoi ndarjen e votës së opozitës, veçanërisht të partive të reja, të cilat nuk u bashkuan për të maksimalizuar përfaqësimin.

“Ishte votë për të keqen më të vogël, madje partitë e vogla u votuan masivisht, ku partitë e reja ishin alternativë. Por edhe këto humbën një shans historik, pasi vota u shpënda, ato nuk u grupuan dhe humbën shumë deputetë”.

The post ‘Fushata elektorale ishte e ftohtë’, Spahiu: Partitë mbushnin sheshet me karrige, se kishin pak njerëz appeared first on Sot News | Lajme.

Fitorja e një mandati në Tiranë, Qori: Faleminderit 24 mijë qytetarëve që na besuan

17 May 2025 at 17:57

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka reaguar pas konfirmimit të mandatit si deputet në Tiranë, duke falënderuar publikisht mbi 24 mijë qytetarë që i dhanë votën dhe besimin e tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me një foto nga Parku Olimpik ku po vijon numërimi i votave të diasporës, Qori thekson përkushtimin e aktivistëve të Lëvizjes Bashkë për mbrojtjen e çdo vote.

“Që prej të hënës u kuptua që mandatin e Lëvizjes BASHKË nuk e luante as topi. Gjithsesi, ditë pas dite, orë pas ore e minutë pas minute, aktivistët e Lëvizjes BASHKË kanë ndenjur syçelët për të mbrojtur çdo votë. E kemi detyrim ndaj mbi 24,000 qytetarëve që na kanë besuar,” shkruan Qori, duke shtuar se përkushtimi dhe solidariteti do të vazhdojnë të çojnë përpara misionin e tyre politik.

The post Fitorja e një mandati në Tiranë, Qori: Faleminderit 24 mijë qytetarëve që na besuan appeared first on Sot News | Lajme.

Të papriturat e zgjedhjeve të 11 majit/ Kandidatët më të votuar të PS e PD, emrat e njohur që mbetën jashtë Parlamentit

17 May 2025 at 16:03

Gjashtë ditë pas zgjedhjeve parlamentare, rezultatet kanë nxjerrë në pah një tablo të re politike, me surpriza në listën e fituesve dhe humbësve. Shqiptarët votuan për përfaqësuesit e rinj në Kuvend, ku shumë figura të njohura politike nuk arritën të sigurojnë një mandat.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka rezultuar kandidati më i votuar në rang vendi nga listat e hapura, duke marrë mbi 21 mijë vota. Pas tij renditet deputeti socialist Erion Braçe me më shumë se 20 mijë vota. Nga radhët e Partisë Demokratike, më e votuara është Jorida Tabaku me mbi 18 mijë vota, duke u shpallur edhe gruaja më e votuar në rang kombëtar nga lista e votës preferenciale.

Ndërkohë, zgjedhjet kanë sjellë një goditje për disa figura të njohura të politikës. Në listën e Partisë Socialiste, nuk arritën të sigurojnë mandate emra si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Plarent Ndreca, Toni Gogu, Etilda Gjonaj, Etjen Xhafaj, Xhemal Qefalia dhe Olta Xhaçka.

Edhe në kampin demokrat, disa figura të njohura nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re. Jashtë Parlamentit mbetën Dhurata Çupi, Asllan Dogjani, Myslim Murrizi dhe Kreshnik Çollaku. Po ashtu, nuk siguruan mandate as dy drejtuesit e partive opozitare, Ilir Meta (PL) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).

Ndërkohë, surprizë pozitive ishte performanca e disa kandidatëve të rinj të PS-së. Arkend Balla në Durrës dhe Sara Mila në Elbasan u renditën ndër më të votuarit me mbi 18 mijë vota secili, duke përforcuar prurjet e reja në radhët socialiste.

The post Të papriturat e zgjedhjeve të 11 majit/ Kandidatët më të votuar të PS e PD, emrat e njohur që mbetën jashtë Parlamentit appeared first on Sot News | Lajme.

‘10% e shqiptarëve votuan forcat e reja’, Shabani: Të reflektojmë dhe të bëhemi bashkë

15 May 2025 at 22:06

Bashkëthemeluesi i Nismës ‘Shqipëria Bëhet’, Endri Shabani, komentoi zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve të 11 majit, duke vlerësuar si një pikë pozitive faktin që 10 për qind e shqiptarëve votuan për partitë e reja.

Shabani theksoi se kjo përbën një thyerje miti dhe barrierë, duke treguar se për herë të parë të rinjtë po arrijnë të hyjnë në parlament, megjithëse me numër më të vogël se sa mund të ishte për shkak të votave.

“Më e rëndësishme është që 10 për qind e shqiptarëve kanë votuar për forcat e reja dhe kanë shkuar për bipolaritetin. Nuk ja dolëm ta maksimizojmë dhe kjo është për të reflektuar, por kemi diçka për të ndërtuar. Për herë të parë është thyer miti dhe barriera që të rinjtë duhet të futen në parlament. Janë më pak seç duhet të ishin dhe për shkak të votave sepse me 140 mijë vota mund të kishin shkuar 10 veta në parlament.”

Ai shtoi se disa prej të rinjve kanë zgjedhur egon personale dhe i bëri thirrje që të reflektojnë dhe të kuptojnë rëndësinë e bashkimit.

“Disa prej të rinjve zgjodhën egon personale, unë shpresoj të reflektojnë dhe të kuptojnë që tani duhet të bëhemi bashkë. Unë jam përfaqësues i një modeli që nuk përfaqëson sherrin, përçarjen por bashkimin.”

The post ‘10% e shqiptarëve votuan forcat e reja’, Shabani: Të reflektojmë dhe të bëhemi bashkë appeared first on Sot News | Lajme.

Disfatë historike për PD-në në Sarandë – më dobët se në vitin 1997

13 May 2025 at 21:07

Disfatë historike për PD-në në Sarandë – më dobët se në vitin 1997   Partia Demokratike në Sarandë ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e pluralizmit politik, duke lënë pas edhe rezultatin e vitit 1997, kur zgjedhjet u zhvilluan nën terrorin e bandave dhe pasigurinë ekstreme në vend. Aktualisht, me përfundimin e numërimit […]

The post Disfatë historike për PD-në në Sarandë – më dobët se në vitin 1997 appeared first on Saranda Web.

Belsh/ Kandidati për deputet i listës së hapur të PD-së futet në çdo qendër votimi, ligji e ndalon

11 May 2025 at 14:44

Kandidati për deputet i listës së hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Dritan Cani, është akuzuar nga Partia Socialiste për shkelje të ligjit, duke u afruar në mënyrë të kundërligjshme në qendrat e votimit. Sipas PS, Cani është vërejtur në disa raste duke hyrë në qendrat e votimit në orën 13:20 dhe 13:55, në qendrat 2583 dhe 2582, në njësinë administrative Kajan, bashkia Belsh.

Ligji shqiptar ndalon kandidatët të afrohen më afër se 150 metra nga qendrat e votimit gjatë procesit zgjedhor. Akuzat ndaj Canit lidhen me këtë dispozitë ligjore, pasi ai është parë në afërsi të qendrave të votimit, çka mund të ndikojë në procesin e votimit dhe të krijojë mundësi presioni mbi zgjedhësit.

The post Belsh/ Kandidati për deputet i listës së hapur të PD-së futet në çdo qendër votimi, ligji e ndalon appeared first on Sot News | Lajme.

KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 14:00

11 May 2025 at 14:33

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 14.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 29.53% nga 2276 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 2.2% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 14 ka qenë 35.62%.

The post KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 14:00 appeared first on Sot News | Lajme.

Humbin 500 fletë votimi në një QV në Fier, gjenden vetëm 47

11 May 2025 at 10:55

Një situatë e pazakontë është shënuar këtë mëngjes në Qendrën e Votimit 3134/01 në shkollën “Kostandin Peto” në Fier, pjesë e KZAZ 59, ku janë raportuar të mungojnë rreth 500 fletë votimi.

Sipas informacioneve të para, në këtë qendër janë regjistruar në sistem si të dërguara 547 fletë votimi, por në vend janë gjetur vetëm 47. Diferenca prej 500 fletësh përbën një shqetësim serioz për integritetin e procesit zgjedhor në këtë zonë.

Autoritetet zgjedhore janë njoftuar për ngjarjen dhe pritet të nisë një hetim i menjëhershëm për të sqaruar rrethanat dhe për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me fletët e munguar.

Kjo ngjarje vjen në një ditë votimi që deri tani ka qenë kryesisht e qetë, me pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve në të gjithë vendin.

The post Humbin 500 fletë votimi në një QV në Fier, gjenden vetëm 47 appeared first on Sot News | Lajme.

Sali Berisha voton në Tiranë, shoqërohet nga familja: Votoni për veten, të ardhmen dhe fëmijët tuaj

11 May 2025 at 10:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën “Kosova” në Tiranë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liria Berisha, djali Shkëlzen Berisha me bashkëshorten Armina Mevlani dhe dy fëmijët e tyre, të cilët këtë vit votojnë për herë të parë.

Pas votimit, Berisha u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje:
“Thirrje zemre, të votojnë për veten e tyre, për fëmijët, pensionet dhe rrogat e tyre, punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre, të votojnë për të ardhmen. Do të kemi një ditë të dytë vere, thirrja ime është: votoni, votoni.”

The post Sali Berisha voton në Tiranë, shoqërohet nga familja: Votoni për veten, të ardhmen dhe fëmijët tuaj appeared first on Sot News | Lajme.

Zgjedhjet/ Probleme të shumta në nisjen e procesit të votimit në disa qarqe të vendit

11 May 2025 at 07:58

Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur me problematika në disa zona të vendit, duke penguar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë, qytetarët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të defektit në pajisjen e identifikimit biometrik. Anëtarët e komisionit zgjedhor kanë deklaruar se, nëse pajisja nuk funksionalizohet brenda 3 orëve, atëherë do të kalojnë në identifikim manual, siç parashikohet nga Kodi Zgjedhor.

Në QV nr. 0731, e vendosur në Pallatin e Kulturës në Lezhë, procesi nuk ka nisur pasi pajisja për skanimin e dokumenteve të identitetit nuk funksionon. Në këtë qark janë thirrur për të votuar 164,976 zgjedhës, përfshirë 14,700 nga diaspora, në gjithsej 254 qendra votimi.

Në disa qendra në qarkun e Vlorës është raportuar mungesë e komisionerëve, duke penguar hapjen në kohë të votimeve. Në një rast të pazakontë, në një QV nuk është hapur pasi kryetarit të komisionit i ka ndërruar jetë e ëma.

Në shkollën “Shyqyri Lakra” në Berat, QV përkatëse nuk ka energji elektrike, duke pamundësuar nisjen e procesit. Qytetarët janë paraqitur në qendër, por nuk kanë mundur të votojnë deri në rikthimin e energjisë.

Autoritetet zgjedhore dhe teknike janë njoftuar për këto problematika dhe pritet ndërhyrja për zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre, në mënyrë që procesi të vazhdojë normalisht në të gjithë vendin.

The post Zgjedhjet/ Probleme të shumta në nisjen e procesit të votimit në disa qarqe të vendit appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌