P Diddy fiton një tjetër betejë ligjore, gjykata hedh poshtë një nga paditë civile ndaj tij për sulm seksual
Ndërsa është ende në pritje të shpalljes së vendimit në një proces penal federal, reperi i njohur Sean “Diddy” Combs ka shënuar një fitore ligjore.
Një gjykatë në New York ka hedhur poshtë një padi civile të ngritur ndaj tij nga një burrë, i cili pretendonte se muzikanti e kishte droguar dhe më pas sulmuar seksualisht në një klub nate, raporton TMZ.
Padia ishte paraqitur në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa paditësi – i identifikuar si “John Doe” – pretendonte se ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015. Sipas tij, atë kohë, si artist 23-vjeçar në fillimet e karrierës, kishte performuar në një klub nate në Los Angeles, ku ishte i pranishëm edhe Diddy.

Në dokumentin e paraqitur nga avokati Tony Buzbee, thuhej se paditësit i ishte hedhur diçka në pije, pas së cilës ai humbi ndjenjat. Ai pretendonte se ishte zgjuar në momentin kur Diddy po e sulmonte seksualisht. Gjithashtu, në padi theksohej se Combs e kishte kërcënuar se do t’ia shkatërronte karrierën nëse do të kundërshtonte.
Megjithatë, gjykatësja vendosi ta rrëzojë çështjen për shkak të afatit të parashkrimit. Sipas vendimit të gjykatës, në vitin 2015 – kur supozohet se ka ndodhur ngjarja – afati ligjor për paraqitjen e një padie të tillë ishte pesë vjet. Ndërkohë, ligji i ri i vitit 2019, i cili e zgjat këtë periudhë në 20 vjet, nuk mund të zbatohet retroaktivisht për rastin në fjalë.
Përveç padisë ndaj vetë Diddy-t, u hodhën poshtë edhe akuzat ndaj kompanive të tij, Bad Boy Entertainment dhe Combs Enterprises. Kjo përbën një nga disa fitoret e fundit ligjore për muzikantin në proceset civile, megjithëse dhjetëra padi të tjera ende mbeten aktive.
Ndërkohë, shpallja e vendimit në procesin penal federal ndaj tij është caktuar për 3 tetor. /Telegrafi/
The post P Diddy fiton një tjetër betejë ligjore, gjykata hedh poshtë një nga paditë civile ndaj tij për sulm seksual appeared first on Telegrafi.