Pesë yje të Ligës Premier kishin klauzola të veçanta për Topin e Artë në vitin 2021 – ja çfarë u ndodhi atyre që atëherë
Topi i Artë konsiderohet si çmimi individual më prestigjioz në botën e futbollit, i cili i akordohet çdo vit lojtarit më të mirë në botë.
Legjenda si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi e kanë ngritur këtë trofe disa herë, por që nga triumfi i Ronaldos në vitin 2008, asnjë futbollist i Ligës Premier nuk e ka fituar më këtë çmim.
Megjithatë, klubet e Premier League shpesh përfshijnë në kontratat e lojtarëve klauzola të veçanta që parashikojnë bonuse financiare nëse futbollistët e tyre arrijnë të fitojnë Topin e Artë.
Në vitin 2021, pesë yje të njohur kishin të përfshira klauzola të tilla në kontratat e tyre – por asnjëri prej tyre nuk arriti të realizojë këtë sukses.
Anthony Martial
Kur Manchester United transferoi Anthony Martial nga Monaco në vitin 2015 për një marrëveshje që mund të arrinte deri në 58 milionë funte, klubi përfshiu një klauzolë të veçantë: Monaco do të përfitonte 7.2 milionë funte shtesë nëse Martial do të fitonte ndonjëherë Topin e Artë. Kjo klauzolë pasqyronte pritshmëritë e mëdha që kishin drejtuesit për talentin francez.
Por karriera e Martial në “Old Trafford” u shënua nga ulje-ngritje dhe ai kurrë nuk u përfshi në garën për Topin e Artë. Në verën e vitit 2024, ai u largua si lojtar i lirë, pasi realizoi 90 gola në 317 paraqitje me United.
Cristiano Ronaldo
Rikthimi i Cristiano Ronaldo-s te Manchester United në vitin 2021 u shoqërua me shpresën për të ripërtërirë lavditë e mëparshme, duke synuar edhe një tjetër trofe të Topit të Artë. Sipas mediave britanike, kontrata e tij përfshinte bonuse shtesë për arritje individuale, mes tyre një bonus prej 1 milion £ nëse do të fitonte Topin e Artë, çmimin e UEFA-s si Lojtari i Vitit ose nëse do të ndihmonte klubin të fitonte Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, Ronaldo nuk u ngjit më në podiumin e Topit të Artë pas suksesit të tij të fundit në vitin 2017. Ai u largua nga United në fund të vitit 2022, pas një përplasjeje të bujshme me drejtuesit e klubit.
Mohamed Salah
Mohamed Salah është një ndër futbollistët më të dalluar të Premier League që nga momenti kur iu bashkua Liverpoolit në vitin 2017, duke fituar titullin e kampionit dhe çmime individuale të shumta. Pavarësisht këtyre sukseseve, renditja më e mirë e tij në Topin e Artë është vendi i pestë në vitin 2019.
Gazeta spanjolle Don Balon raportoi dikur se Salah kishte një klauzolë të veçantë në kontratë që i lejonte të kërkonte transferim te Barcelona ose Real Madrid nëse nuk do ta fitonte Topin e Artë. Ky transferim nuk ndodhi kurrë, ndërsa në vitin 2025 ai vendosi të rinovonte me Liverpoolin deri në vitin 2027.
Thiago Alcantara
Kalimi i Thiago Alcantara-s nga Bayern Munich te Liverpool në vitin 2020 për 26 milionë funte përfshinte gjithashtu bonuse të lidhura me arritjet individuale, mes tyre edhe një klauzolë për Topin e Artë. Por mesfushori elegant u pengua nga dëmtimet dhe nuk arriti të tregonte potencialin e tij të plotë në Premier League.
Gjatë katër viteve me Liverpoolin, ai regjistroi vetëm 98 paraqitje, ndërsa nuk u nominua kurrë për Topin e Artë. Pas përfundimit të kontratës në vitin 2024, Thiago vendosi të tërhiqej nga futbolli profesionist.
Bruno Fernandes
Që nga transferimi i tij nga Sporting CP në vitin 2020 për 47 milionë £, Bruno Fernandes është shndërruar në liderin e mesfushës së Manchester United. Kontrata e tij përfshinte një klauzolë sipas së cilës Sporting CP do të përfitonte 5 milionë euro shtesë për çdo herë që Fernandes do të përfundonte në top 3 të Topit të Artë.
Kjo klauzolë nuk është aktivizuar ende. Deri më sot, Fernandes është renditur në listën përfundimtare vetëm një herë, duke u pozicionuar i 21-ti në vitin 2021. Megjithatë, ai vazhdon të jetë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, me 19 gola dhe 19 asiste në 57 ndeshje gjatë sezonit 2024/25. /Telegrafi/
The post Pesë yje të Ligës Premier kishin klauzola të veçanta për Topin e Artë në vitin 2021 – ja çfarë u ndodhi atyre që atëherë appeared first on Telegrafi.