Normal view

Received today — 26 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Porto Palermo Festival nis me mesazhin për mbrojtjen e detit dhe mjedisit

HIMARË, 26 korrik /ATSH/ Edicioni i gjashtë i Porto Palermo Festival u çel me aktivitetin ndërgjegjësues “Preserving our Sea 4”, duke vendosur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin e bregdetit.

Nisma, e organizuar nga artisti Olen Çezari, gjeti mbështetjen e Bashkisë Himarë, e cila e konsideron mbrojtjen e mjedisit një nga objektivat e saj themelorë.

Aktivitetit të pastrimit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i cili u bëri thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së bregdetit.

“I bëj thirrje çdo qytetari, vizitori dhe kalimtari që ta mbajë pastër bregdetin dhe detin, sepse është pasuria më e çmuar që ne kemi”, u shpreh Tavo.

Porto Palermo Festival do të vijojë deri më 16 gusht, duke sjellë në Himarë dhjetëra artistë dhe mijëra artdashës, të cilët, krahas koncerteve, do të kenë mundësi të shijojnë edhe peizazhin dhe pasuritë natyrore të bregdetit shqiptar.

The post Porto Palermo Festival nis me mesazhin për mbrojtjen e detit dhe mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BUKURESHT – Rumania rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh

26 July 2026 at 17:39

BUKURESHT, 26 korrik /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore të Rumanisë kanë rrëzuar tre dronë të paidentifikuar, që hynë në hapësirën ajrore të vendit gjatë fundjavës, njoftoi sot Ministria rumune e Mbrojtjes.

Pas rrëzimit të një droni të paidentifikuar me raketë, nga një avion luftarak F-16, në lindje të Rumanisë të premten, ushtria ndërmori edhe dy operacione të tjera interceptimi, një të shtunën dhe një tjetër të dielën në mëngjes.

Sipas ministrisë, dronët kishin hyrë në hapësirën ajrore rumune dhe u rrëzuan mbi zona të pabanuara, pa paraqitur rrezik për popullsinë civile.

Autoritetet sqaruan se një dron u rrëzua dje pranë qytetit Sfântu Gheorghe, në qarkun Tulcea, ndërsa një tjetër u interceptua pranë qytetit kufitar Sulina, në deltën e Danubit, sot në mëngjes.

Autoritetet rumune nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht origjinën e dronëve të përfshirë në incidentet më të fundit.

Megjithatë, prokurorët që po hetojnë dronin e rrëzuar të premten kanë përcaktuar nga mbetjet se ai ishte i tipit Shahed. Në rajon, vetëm Rusia dihet se përdor këtë lloj droni.

Rumania ndan një kufi prej rreth 600 kilometrash me Ukrainën, e cila prej më shumë se katër vitesh po përballet me pushtimin rus.

Gjatë viteve të fundit, dhjetëra dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore rumune.

Për t’i mundësuar ushtrisë reagimin ndaj këtyre incidenteve, Rumania miratoi vitin e kaluar një ligj, që autorizon forcat e armatosura të rrëzojnë dronët, që hyjnë në hapësirën ajrore të vendit.

Interceptimi i kryer pranë Padina, në qarkun Buzău, të premten, ishte hera e parë që Forcat Ajrore të Rumanisë rrëzonin një dron brenda territorit rumun, duke përdorur kompetencat e reja ligjore. //a.i/

The post BUKURESHT – Rumania rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve

Vlorë, 26 korrik /ATSH/ Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit. Vatra e zjarrit është shfaqur në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore, në zonën e Zvërnecit. 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja është vështirësuar nga bimësia e dendur, temperaturat e larta dhe era, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit. 

Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, në territorin e bashkisë Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar shpërndarjen e forcave në terren. Përveç Pyllit të Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport. 

Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për sipërfaqen e përfshirë nga flakët apo për shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet vijojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll. 

The post Zjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Ministri i Brendshëm: Sulmi në Paradën e Krenarisë në Berlin, akt terrorist islamist

26 July 2026 at 16:51

BERLIN, 26 korrik /ATSH-DPA/- Autoritetet gjermane po hetojnë incidentin vdekjeprurës gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, si një sulm terrorist me motive islamiste, deklaroi sot ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, duke theksuar se provat e deritanishme çojnë në këtë përfundim.

Sipas ministrit, hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari, i lindur në Gjermani, ishte radikalizuar dhe kishte lidhje me një mjedis islamist.

Ai tha se pas përplasjes së turmës me një furgon, autori përdori edhe një hanxhar, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e 29 personave, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Dobrindt bëri të ditur se i dyshuari ishte dënuar më herët, me 1 vit e 10 muaj burg me kusht, ndërsa prokuroria kishte paraqitur ankim ndaj këtij vendimi.

I dyshuari është shtetas gjerman, i lindur në Gjermani në vitin 2005, me origjinë libaneze.

Nëna e tij ishte natyralizuar si shtetase gjermane në vitin 2002. //a.i/

The post GJERMANI – Ministri i Brendshëm: Sulmi në Paradën e Krenarisë në Berlin, akt terrorist islamist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kompensimi 10% për faturat tatimore, Tatimet përgjigjen për pyetjet më të shpeshta të fermerëve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/  Nga 1 korriku ka nisur procesi i aplikimit për përfitimin e kompensimit 10% të vlerës së produkteve bujqësore të dokumentuara me faturë tatimore për fermerët.

Inspektorja e parë në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, Ilva Zykollari, ka sqaruar disa nga pyetjet më të shpeshta të fermerëve lidhur me këtë skemë, duke bërë të ditur kushtet që duhet të plotësohen për përfitimin e kompensimit.

Sipas saj, fermerët duhet të plotësojnë tre kritere kryesore: të jenë të regjistruar në administratën tatimore me një NIPT, të mos kenë përgjegjësi tatimore për TVSH-në dhe statusi i tyre të jetë aktiv.

Zykollari bëri të ditur se masa e kompensimit është 10% e vlerës totale të produkteve bujqësore të furnizuara dhe të dokumentuara me faturë tatimore për periudhën janar–qershor 2026.

Për të përfituar nga kjo masë mbështetëse, subjektet prodhuese bujqësore duhet të aplikojnë online përmes sistemit tatimor. Afati i fundit për aplikimet është 31 dhjetor 2026.

Skema e kompensimit synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë formalizimin e aktivitetit bujqësor përmes dokumentimit të shitjeve me faturë tatimore.

/e.xh/a.f/

The post Kompensimi 10% për faturat tatimore, Tatimet përgjigjen për pyetjet më të shpeshta të fermerëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri përfshin Pyllin e Sodës në Vlorë, flakët favorizohen nga era e fortë

TIRANË, 26 korrik/ATSH/  Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të diele Pyllin e Sodës, pranë aksit rrugor që të çon drejt plazhit të Zvërnecit në Vlorë.

Sipas medieve flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë, duke rrezikuar sipërfaqe pyjore në zonë.

Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.

Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as sipërfaqja e përfshirë nga flakët.

Menjëherë pas njoftimit për zjarrin, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe vënien e situatës nën kontroll.

Ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse vijon me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të tjera pyjore dhe mbrojtjen e zonës përreth.

Pylli i Sodës është një nga hapësirat e gjelbra me rëndësi pranë qytetit të Vlorës, ndërsa gjatë muajve të verës rreziku për zjarre shtohet për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e tyre.

/e.xh/a.f/

The post Zjarri përfshin Pyllin e Sodës në Vlorë, flakët favorizohen nga era e fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Velipoja mbushet me pushues, plazhi në kulmin e sezonit veror

TIRANË, 26 korrik/ATSH/  Plazhi i Velipojës, në Shkodër, gjatë këtij sezon veror po frekuentohet nga pushues të shumtë,  që kanë zgjedhur këtë zonë bregdetare për të kaluar fundjavën dhe për të shijuar detin, diellin dhe atmosferën e pushimeve.

Gjatë të dielës së fundit të muajit korrik, e gjithë vija bregdetare e Velipojës është mbushur me pushues vendas dhe të huaj, të cilët kanë frekuentuar plazhin duke shijuar temperaturat e larta dhe ujërat e Adriatikut.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga plazhi i Velipojës ku shihet zona turistike, me pushues të shumtë përgjatë bregdetit, teksa fëmijë të shumtë dhe të rinj zbaviten edhe me aktivitete të ndryshme sportive ujore.

“E diel në Velipojë”, shkroi Rama.

Përveç pushimeve tradicionale në plazh, në Velipojë po zhvillohen edhe aktivitete argëtuese në det, përfshirë sporte me varka dhe mjete motorike ujore, duke i dhënë më shumë gjallëri sezonit turistik.

Velipoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të verës në veri të vendit, falë plazhit të gjerë ranor, natyrës përreth dhe mundësive që ofron për pushime familjare dhe argëtim.

Fluksi i lartë i vizitorëve gjatë kësaj periudhe dëshmon interesin e shtuar për destinacionet bregdetare shqiptare, ndërsa sezoni veror vijon me ritme të larta në të gjithë vijën bregdetare të vendit dhe jo vetëm.

/e.xh/a.f/

The post Velipoja mbushet me pushues, plazhi në kulmin e sezonit veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Flakët pushtojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen gati 200 mijë banorë dhe turistë

26 July 2026 at 16:15

BORDO, 26 korrik /ATSH/- Zjarret masive në jugperëndim të Francës kanë shkaktuar një nga operacionet më të mëdha të evakuimit në historinë e vendit, ndërsa dhjetëra mijëra banorë dhe turistë janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara, njoftuan sot autoritetet.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se deri tani janë evakuuar 167 mijë persona në departamentin Gironde. 

Vetëm gjatë natës, 57 mijë banorë u zhvendosën në zona të sigurta nga disa komuna përreth qytetit të Bordosë.

Sipas tij, edhe 31 mijë persona të tjerë në rajonin fqinj Landes janë detyruar të lënë shtëpitë për shkak të përhapjes së flakëve.

Mes të evakuuarve ka shumë pushues nga zona bregdetare e Bassin d’Arcachon, një destinacion i njohur turistik. 

Në disa zona, përfshirë gadishullin Cap Ferret, njerëzit u transportuan drejt vendeve të sigurta me anije.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, Franca po forcon mbështetjen për shërbimet zjarrfikëse. 

Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi, pas mbledhjes së njësisë ndërministrore të krizës, se numri i ushtarëve që ndihmojnë në operacionet kundër zjarreve do të rritet nga 500 në 1 000.

Gjithashtu do të angazhohet një avion ushtarak A400M, i pajisur me një sistem të posaçëm për shuarjen e zjarreve, i aftë të hedhë deri në 20 tonë lëndë ngadalësuese të flakëve.

Lecornu bëri të ditur gjithashtu se në departamentin Gironde po dërgohen 1,5 milionë maska FFP2, për të mbrojtur ekipet e emergjencës dhe qytetarët nga tymi i dendur dhe i dëmshëm.

Sipas autoriteteve, zjarri i madh që ka shpërthyer në Gironde, që prej së mërkurës ka përfshirë tashmë rreth 19 mijë hektarë, një sipërfaqe më e madhe se ajo e Parisit. 

Rreth 100 ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa era e fortë e tymit ka arritur deri në qytetin e Bordosë.

Autoritetet e kanë cilësuar këtë si zjarrin me përmasa të paprecedenta.

Më shumë se 1 200 zjarrfikës janë angazhuar në terren. 

Për shkak të ndryshimit të drejtimit të erës, flakët po përhapen tani drejt lindjes, në drejtim të zonës së gjerë metropolitane të Bordosë.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar ndihmë nga partnerët e Bashkimit Evropian për sigurimin e mjeteve shtesë ajrore për luftën kundër zjarreve.

Zjarrfikësit po përballen edhe me vatra të tjera zjarri në rajone të ndryshme të Francës, përfshirë Var dhe ishullin e Korsikës.

Ndërkohë, edhe Italia po përballet me dhjetëra zjarre. 

Më të goditura janë ishulli i Siçilisë dhe rajoni i Kalabrisë, ku vetëm në Siçili janë raportuar disa dhjetëra vatra zjarri.

Autoritetet druhen se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të një vale të re të nxehti. 

Flakët po ushqehen vazhdimisht edhe nga era e nxehtë Scirocco, e cila fryn nga Afrika. //a.i/

The post FOKUS – Flakët pushtojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen gati 200 mijë banorë dhe turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani paralajmëron zgjerimin e konfliktit nëse SHBA-ja rifillon sulmet ajrore

26 July 2026 at 15:17

TEHERAN, 26 korrik /ATSH-DPA/ – Ushtria iraniane ka paralajmëruar se do të zgjerojë përmasat e konfliktit nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë sulmet ajrore ndaj Iranit.

Zëdhënësi ushtarak iranian, Amir Akraminia, iu referua sulmeve të kryera nga rebelët Houthi të Jemenit ndaj anijeve në Detin e Kuq, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Mehr.

Sipas tij, zona e konfliktit aktualisht shtrihet nga Jordania deri te vendet që kufizohen me Gjirin Persik.

Akraminia paralajmëroi se, nëse SHBA-ja rifillon bombardimet, konflikti mund të përhapet edhe më tej.

Ai tha se ushtria iraniane ka përgatitur strategjitë e nevojshme dhe është e gatshme për skenarë të ndryshëm, përfshirë një fushatë të gjerë ajrore amerikane ose një ndërhyrje tokësore të SHBA-së.

Sipas zëdhënësit, Irani ka pezulluar përkohësisht sulmet ndaj aleatëve arabë të SHBA-së, pasi forcat amerikane nuk kanë kryer sulme ajrore gjatë dy netëve të fundit.

Ai theksoi se veprimet ushtarake të Iranit synojnë vetëm kundërpërgjigjen ndaj sulmeve amerikane, duke lënë të kuptohet se çdo sulm i ri iranian do të varet nga veprimet e ardhshme të SHBA-së. //a.i/

The post FOKUS – Irani paralajmëron zgjerimin e konfliktit nëse SHBA-ja rifillon sulmet ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE mbështet industrinë e drurit me financim deri në 100 mijë euro

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Bashkimi Evropian në Shqipëri ka prezantuar një skemë të re mbështetjeje për kompanitë shqiptare të përpunimit të drurit, me synim nxitjen e investimeve në zgjidhje inovative të ekonomisë qarkulluese.

Përmes skemës Wood2Value, ndërmarrjet e këtij sektori do të kenë mundësi të investojnë në teknologji dhe procese që reduktojnë mbetjet, përmirësojnë përdorimin e burimeve dhe rrisin konkurrueshmërinë.

Zyra e BE-së në Tiranë bëri të ditur se, kompanitë e përzgjedhura mund të përfitojnë bashkëfinancim deri në 50% të kostove të pranueshme të investimit, me një kontribut maksimal prej 100 mijë eurosh për projekt.

Skema, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, synon të promovojë ekonominë qarkulluese në industrinë e përpunimit të drurit dhe përdorimin më efikas të lëndës së parë.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian ka hapur thirrjen për aplikime, ndërsa kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë projektet e tyre deri më 14 gusht 2026.

/e.xh/a.f/

The post BE mbështet industrinë e drurit me financim deri në 100 mijë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar në faqen zyrtar etë saj, listat e aplikimeve të kualifikuara për masat mbështetëse 5-9, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas përfundimit të fazës së aplikimit dhe kontrollit fillestar administrativ.

Sipas njoftimit të AZHBR-së, janë kualifikuar 20 636 aplikime në pesë masa mbështetëse që synojnë zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, rritjen e standardeve të prodhimit dhe mbështetjen e sektorit të peshkimit.

Për Masën 5, “Mbështetje për luftimin biologjik në sera dhe tunele plastike”, janë kualifikuar 362 aplikime.

Për Masën 6, “Mbështetje për fermat organike dhe në kalim”, janë kualifikuar 201 aplikime.

Për Masën 7, “Mbështetje për certifikimin GlobalG.A.P.”, janë kualifikuar 16 aplikime.

Numrin më të madh të aplikimeve e ka Masa 8, “Pagesë për sipërfaqe të mbjellë”, ku janë kualifikuar 20 042 aplikime.

Ndërsa për Masën 9, “Mbështetje për ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme”, janë kualifikuar 15 aplikime.

AZHBR bën të ditur se për masat 5, 6, 7 dhe 9, aplikantët e përfshirë në listat e publikuara duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda 20 ditëve kalendarike nga data e publikimit të listave në faqen zyrtare të agjencisë.

Sa i përket Masës 8, dokumentacioni është ngarkuar elektronikisht gjatë aplikimit. Aplikantët për të cilët do të konstatohen mangësi gjatë kontrollit administrativ do të njoftohen individualisht dhe do të kenë 10 ditë kalendarike për plotësimin e dokumentacionit.

Pas përfundimit të verifikimeve administrative, AZHBR do të publikojë listën përfundimtare të përfituesve dhe vlerën përkatëse të mbështetjes financiare për Masën 8.

Agjencia thekson se mosplotësimi i kritereve të përfitueshmërisë dhe i dokumentacionit brenda afateve të përcaktuara përbën kriter skualifikimi.

Pak ditë më parë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, publikoi listat e aplikimeve të kualifikuara edhe për masat mbështetëse në blegtori dhe bletari, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, ku janë kualifikuar 21 mijë blegtorë e bletarë.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 është instrumenti kryesor financiar i qeverisë për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural. Për vitin 2026, fondi i vënë në dispozicion arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa skema përfshin 12 masa mbështetëse, të ndara në 9 masa me pagesa direkte dhe 3 masa investimesh.

Aplikimet për fermerët u hapën më 25 maj 2026 dhe u mbyllën më 6 korrik 2026, pasi afati fillestar i parashikuar deri më 26 qershor u shty për t’u dhënë më shumë kohë aplikantëve.

Në përfundim të procesit, në të gjithë vendin u regjistruan 42 728 aplikime nga fermerë dhe subjekte bujqësore, duke reflektuar interesin e lartë për përfitimin nga masat mbështetëse.

Skema Kombëtare 2026 synon të rrisë konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, të mbështesë zhvillimin e blegtorisë, prodhimin organik, certifikimin e produkteve, peshkimin dhe investimet në ferma, duke kontribuar njëkohësisht në përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Evropian.

 

/e.xh/a.f/

The post Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkencëtarët zbulojnë lidhjen emocionale qen–pronar: Një “Të dua” rrit rrahjet e zemrës me 46%

26 July 2026 at 14:37

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ – Një studim i kryer në Britaninë e Madhe, sugjeron se qentë reagojnë emocionalisht ndaj shprehjeve të dashurisë nga pronarët e tyre.

Sipas rezultateve, ritmi i zemrës së tyre rritet mesatarisht me 46% kur dëgjojnë fjalët “Të dua”, ndërsa bie me rreth 23% gjatë përqafimeve dhe përkëdheljeve, duke treguar një gjendje qetësie dhe sigurie. 

Studimi u realizua nga kompania britanike “Canine Cottages”, e cila monitoroi katër qen për një javë, duke përdorur pajisje të posaçme për matjen e ritmit të zemrës, gjatë ndërveprimeve të ndryshme me pronarët e tyre. 

Gjatë eksperimentit, qentë kishin një ritëm mesatar të zemrës prej 67 rrahjesh në minutë në gjendje qetësie. 

Kur pronarët u thoshin “Të dua”, ritmi i zemrës rritej mesatarisht në 98 rrahje në minutë, një shenjë e qartë e emocionit dhe entuziazmit. 

Në të kundërt, gjatë përkëdheljeve dhe përqafimeve, ritmi i zemrës binte në rreth 52 rrahje në minutë, duke treguar relaksim dhe ndjenjë sigurie. 

Studiuesit theksojnë se qentë nuk reagojnë domosdoshmërisht ndaj kuptimit të fjalëve, por ndaj tonit të zërit, intonacionit, sjelljes së pronarit dhe lidhjes emocionale, që kanë krijuar me të. 

Kjo shpjegon pse shprehjet e dashurisë dhe kontakti fizik mund të shkaktojnë reagime të forta fiziologjike. 

Megjithatë, autorët pranojnë se studimi ka kufizime të rëndësishme, pasi u krye vetëm me katër qen dhe nuk është publikuar në një revistë shkencore. 

Për këtë arsye, rezultatet duhen parë si vëzhgime paraprake dhe jo si prova përfundimtare shkencore. 

Sidoqoftë, gjetjet përputhen me kërkime të tjera, që tregojnë se qentë krijojnë lidhje të forta emocionale me njerëzit dhe se ndërveprimet pozitive me pronarët, ndikojnë në mirëqenien dhe reagimet e tyre fiziologjike. //a.i/

The post Shkencëtarët zbulojnë lidhjen emocionale qen–pronar: Një “Të dua” rrit rrahjet e zemrës me 46% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama u përgjigjet kritikëve për “Bulevardin e Flamingove”: “Besa” jonë s’ka lidhje me ta

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se reagimet për dorëheqjen e tij vijnë nga persona me të cilët nuk ka një kontratë politike, ndërsa theksoi se marrëveshja e tij është me 800 mijë shqiptarë që e kanë votuar.

Në një postim në rrjetin social X, Rama u shpreh se ata janë ana e errët e protestës, ndërsa theksoi se fjala e tij për Bulevardin e Flamingove u drejtohej shqiptarëve që e kanë votuar.

“Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari ‘Besën’ sepse ‘Besa’ jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë”, tha Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari ‘Besën’ sepse ‘Besa’ jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike.

/m.m/

The post Rama u përgjigjet kritikëve për “Bulevardin e Flamingove”: “Besa” jonë s’ka lidhje me ta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama dënon sulmin në Berlin: Asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu solidaritetin më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman pas ngjarjes tragjike në Paradën e Krenarisë, në Berlin.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri theksoi se nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen.

Sipas Ramës, “ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim”.

“Në këto çaste të vështira jam me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë e sa më të shpejtë të gjithë të plagosurve. Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë”, tha Rama.

Një person humbi jetën dhe të paktën 16 të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pasi një furgon u përplas me turmën gjatë festimeve të paradës së komunitetit LGBTQ+, Christopher Street Day (CSD), në Berlin.

/m.m/

The post Rama dënon sulmin në Berlin: Asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një grusht arra në ditë? Shkencëtarët zbulojnë ndikimin e tyre në kujtesë dhe shëndetin e zemrës

26 July 2026 at 13:27

TIRANË, 26 korrik /ATSH/- Një studim i fundit ka analizuar ndikimin e konsumit të përditshëm të arrave, në funksionet njohëse dhe plakjen e trurit, duke sugjeruar se ato mund të kenë një rol mbështetës, falë përbërësve ushqyes, si acidet yndyrore omega-3, polifenolet dhe antioksidantët.

Studimi i njohur si “Arrat dhe plakja e shëndetshme” (WAHA)” u publikua në revistën shkencore “The American Journal of Clinical Nutrition”.

Ai u drejtua nga studiuesit Aleix Sala-Vila dhe Emilio Ros, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Instituti i Kërkimeve Biomjekësore në Barcelonë, Spanjë dhe nga Loma Linda University, Kaliforni, SHBA.

Në studim morën pjesë 708 persona të shëndetshëm, të moshës 63–79 vjeç, nga të cilët rreth 68% ishin gra.

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: një grup konsumoi arra çdo ditë, ndërsa grupi tjetër e shmangu konsumimin e arrave.

Sasia e përdorur ishte rreth 30–60 gramë arra në ditë (afërsisht një grusht arra), për një periudhë prej dy vitesh.

Studiuesit kryen teste të kujtesës dhe funksioneve njohëse, si dhe ekzaminime të trurit me rezonancë magnetike te një pjesë e pjesëmarrësve.

Analiza të veçanta treguan disa sinjale pozitive te disa nëngrupe, veçanërisht te pjesëmarrësit nga Barcelona, ku arrat mund të kenë ndihmuar në ngadalësimin e rënies së funksioneve njohëse. 

Studiuesit theksuan se këto rezultate janë premtuese, por kërkojnë më shumë kërkime.

Shkencëtarët shpjegojnë se efekti i mundshëm mbrojtës i arrave lidhet me përmbajtjen e tyre të: acidit alfa-linolenik omega-3 bimor – i cili lidhet me shëndetin e trurit; antioksidantëve, që ndihmojnë në luftimin e stresit oksidativ; si dhe  përbërësve antiinflamatorë, që mund të ndikojnë në proceset e plakjes.

Studime të tjera kanë treguar gjithashtu se arrat mund të ndikojnë pozitivisht në shëndetin kardiovaskular.

Në kuadër të të njëjtit program kërkimor WAHA, konsumimi i arrave për dy vite, u lidh me ulje të kolesterolit total dhe LDL-së (“kolesteroli i keq”) te të rriturit e moshuar.

Përfundimi: Arrat janë një ushqim i pasur me yndyra të shëndetshme, minerale dhe antioksidantë dhe mund të jenë pjesë e një diete që mbështet trurin, zemrën dhe shëndetin e përgjithshëm.  //a.i/

The post Një grusht arra në ditë? Shkencëtarët zbulojnë ndikimin e tyre në kujtesë dhe shëndetin e zemrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paguante me kartëmonedha të falsifikuara, arrestohet 24-vjeçari në Rrogozhinë


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përdorimi”, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit,

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë./m.m/

The post Paguante me kartëmonedha të falsifikuara, arrestohet 24-vjeçari në Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Preserving Our Sea”, qindra vullnetarë pastrojnë bregdetin dhe ujërat e Porto Palermos


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Qindra vullnetarë, zhytës profesionistë dhe banorë të zonës iu bashkuan për të katërtin vit radhazi nismës mjedisore “Preserving Our Sea” në Porto Palermo.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky aksion për pastrimin e bregdetit, të cilin e cilësoi si “një shembull të bukur të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore”.

“Porto Palermo, ku për të katërtin vit radhazi iniciativa “Preserving Our Sea” bashkoi qindra vullnetarë, zhytës profesionistë dhe komunitetin lokal për pastrimin e bregdetit, Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të Porto Palermos, duke dhënë një shembull të bukur të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë tonë natyrore”, u shpreh Rama.

Aksioni u përqendrua në pastrimin e vijës bregdetare, mjediseve përreth Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të gjirit. Zhytësit profesionistë ndërhynë për largimin e mbetjeve nënujore, ndërsa vullnetarët dhe pjesëtarët e komunitetit lokal pastruan zonën përgjatë bregut.

Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e ekosistemeve detare dhe ruajtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore të Porto Palermos.

/m.m/

The post “Preserving Our Sea”, qindra vullnetarë pastrojnë bregdetin dhe ujërat e Porto Palermos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Paketa e Maleve”, Bardhi: Në e-Albania ofrohet qartë mundësia për të aplikuar si “shtetas i huaj”

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me “Paketën e Maleve”, ndërsa u shpreh se platforma zyrtare e-Albania e ofron qartë mundësinë për të aplikuar si “shtetas i huaj”.

“As Diella e vet nuk e beson më Edi Ramën. Me një klikim në e-Albania, ministrja e tij virtuale i rrëzon kryeministrit mashtrimin se shtetasit e huaj nuk mund të bëhen pjesë e Paketës së Maleve”, tha Bardhi.

Bashi publikoi një video ku pasqyroi një dialog me ChatGPT, të cilin sipas tij, “Rama përpiqet ta përdorë si mjet mashtrimi dhe propagande për ligjin e tij klientelist”.

“As Diella, as ChatGPT nuk e mbështesin mashtrimin e tij. Besoj, as Claude, të cilin Rama e përdor çdo ditë. Mjafton t’i pyesësh pa ua diktuar përgjigjen ose të bësh vetëm një klikim në e-Albania dhe propaganda e tij bajate bëhet leckë. Kur edhe Diella të përgënjeshtron, nuk ka më inteligjencë artificiale që e shpëton nga refreni, i cili e ndjek kudo: “Rama, jep dorëheqjen!”, tha Bardhi.

/m.m/a.f/

The post “Paketa e Maleve”, Bardhi: Në e-Albania ofrohet qartë mundësia për të aplikuar si “shtetas i huaj” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia pritet të dislokojë edhe 30 mijë trupa të tjerë nga Koreja e Veriut

26 July 2026 at 12:31

KIEV, 26 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi dje në mbrëmje se Koreja e Veriut pritet t’i dërgojë Rusisë trupa të tjerë dhe armë të rënda për luftën në Ukrainë.

Sipas Zelensky, Rusia po përgatitet të dislokojë edhe 30 mijë ushtarë të tjerë koreano-veriorë në rajonin e Voronezhit. 

Ai shtoi se Pheniani synon gjithashtu t’i furnizojë Rusisë platforma shtesë për lëshimin e raketave balistike.

Zelensky tha se këto veprime janë pjesë e planeve ushtarake të Moskës për vjeshtën e ardhshme. 

Duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës ukrainase, ai u shpreh se presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të mos tregojë asnjë synim për të arritur paqe.

Presidenti ukrainas e cilësoi mbështetjen e planifikuar të Koresë së Veriut për Rusinë, si një kërcënim veçanërisht për Azinë.

“Rusia po e ndihmon Korenë e Veriut të mësojë se si zhvillohet lufta, të përmirësojë armët e saj dhe t’i japë përvojë në përdorimin real të tyre. E gjithë kjo përbën një kërcënim për të gjitha vendet e Azisë, që ndodhen brenda rrezes së raketave koreano-veriore”, tha ai.

Sipas Zelensky, Koreja e Veriut kishte dërguar deri në 15 mijë ushtarë, për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës gjatë vitit të kaluar. 

Këta ushtarë ndihmuan Moskën të rimerrte territore në rajonin e Kurskut, të cilat Ukraina i kishte pushtuar gjatë një ofensive të befasishme. 

Sipas vlerësimeve të pakonfirmuara, të paktën 2 mijë ushtarë koreano-veriorë janë vrarë.

Rusia dhe Koreja e Veriut kanë nënshkruar një traktat partneriteti strategjik. 

Vetëm pak ditë më parë, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve rikonfirmuan partneritetin e ngushtë mes Moskës dhe Phenianit. //a.i/

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia pritet të dislokojë edhe 30 mijë trupa të tjerë nga Koreja e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon rikonstruksioni i rrugës në Bathore, Balla: Në Kamëz punët e mëdha i kanë tejkaluar pritshmëritë

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Kamzë, Rakip Suli, zhvilluan një takim me banorët e Bathores, ku panë nga afër investimet e përfunduara dhe punët që vijojnë në këtë zonë.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Balla vlerësoi transformimin e Bathores, duke theksuar se investimet në infrastrukturë kanë tejkaluar pritshmëritë dhe kanë ndryshuar ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve.

“Ka përfunduar mbi 98% e planit të investimeve, i cili përfshinte ndërtimin dhe rikonstruksionin e 126 rrugëve dhe rrugicave. Paralelisht janë realizuar edhe rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve”, u shpreh Balla.

Sipas tij, investimet në infrastrukturë nuk përkthehen vetëm në rrugë të reja, por krijojnë kushte për zhvillimin ekonomik të zonës, rrisin vlerën e pronave dhe garantojnë më shumë siguri e standarde më të mira jetese për komunitetin.

Balla theksoi se puna për zhvillimin e Bathores do të vijojë me investime të tjera, me synimin për të përmirësuar më tej shërbimet dhe infrastrukturën në funksion të qytetarëve.

The post Përfundon rikonstruksioni i rrugës në Bathore, Balla: Në Kamëz punët e mëdha i kanë tejkaluar pritshmëritë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌