Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media bëri të ditur se sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit në 25 përfaqësi nga 30 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.24% e tyre apo 3,117 votues”.
“Ju njoftoj se procesi i votimit në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë”, tha ai.
Elezi tutje bëri të ditur se votimi në dy përfaqësitë diplomatike në ShBA, në ambasadën në Uashington si dhe në konsullatën në Nju Jork si dhe në dy të tjera në Kanada, Otavë dhe Toronto do të fillojë në orën 07:00 sipas kohës lokale në këto shtete, përkatësisht në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë. /Telegrafi/
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 6 qershor 2026.
Në bazë të vendimit të MINTI-t, çmimi i naftës për sot është 1.54 euro për litër, dy cent më shtrenjtë se të premten, ndërkaq çmimi i benzinës është i njëjtë, 1.42 euro për litër.
Gazi ka shënuar rënie të çmimit për 2 cent. Nga 0.71 euro për litër sa ishte të premten, sot është 0.69 euro për litër.
Çmimet hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/
Dy vajza janë raportuar të zhdukura të premten në Gjakovë.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se vajzat kanë dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre.
“Rr. UÇK dhe rr ‘Dëshmorët e Dujakës’, Gjakovë 05.06.2026, 09:00/15:00. Dy ankueset f/k kanë raportuar se dy viktimat f/k, të mitura, motra dhe vajza e ankueseve kanë dal nga shtëpia dhe nuk din për vend ndodhjen e tyre”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes grabitqare në një lokal në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton”, të premten në ora 20:40.
“Është raportuar se deri sa ankuesja f/k ishte në vendin e saj të punës në një lokal kanë hyrë tre persona të dyshuar të mitur dhe nga aty kanë arrit të marrin para të gatshme”, thuhet në raport.
Viktima në ballafaqim me të dyshuarit ka lënduar dorën ku dhe ka pranuar tretman mjekësor.
Rasti nën hetime nga njësitet kompetente policore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës në familje në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur të premten, në ora 15:09.
“Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar një femër dhe një mashkull/kosovarë-bashkëshort pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kishin sulmuar njëri tjetrin”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton të gjithë bashkatdhetarët se sot nga ora 07:00 janë hapur të gjitha pikat e votimit në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
MPJD fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një kontribut i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbetet e përkushtuar për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Ju falënderojmë për angazhimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Moti parashikohet me kthjellime (diell) si dhe alternime të herëpashershme vranësirash kryesisht mesatare në pjesën e parë të ditës, ndërsa pas orëve të mesditës do të mbizotërojë mot i kthjellët.
Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s.
Deti – Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 2-4 ballë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur mbi 27 mijë shtetas të Kosovës që janë regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike mund t'i drejtohen sot kutive të votimit në 17 ambasada dhe 13 konsullata.
KQZ ka bërë të ditur se me fillim prej orës 07:00 varësisht prej lokacioneve, pritet të hapen kutitë e votimit në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata, të cilat ndodhen në 18 shtete të ndryshme.
Nga të dhënat e KQZ-së, për votim fizik në përfaqësitë diplomatike janë regjistruar gjithsej 27,724 shtetas të Kosovës. /Telegrafi/
Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se në fundjavë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
IHK njofton se të shtunën vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për reshje shiu të përcjella me shkarkime rrufesh.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-14°C, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë ndërmjet 25-28 C.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–11m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell.
Vranësirat vende-vende pritet të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 24-27°C.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-7m/s.
Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, sidomos nga ora 10:00 deri në 16:00. /Telegrafi/
Në një reagim që vjen mes debatit për protestat në Zvërnec, ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka publikuar një shkrim me titullin “Një Marrëveshje e re për Shqipërinë”, ku bën thirrje për forcimin e institucioneve, llogaridhënien e pushtetit dhe një kulturë të re demokratike.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Zvërnec, Spiropali thekson se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku sfida kryesore nuk është më ndërtimi i shtetit, por garantimi i kontrollit demokratik mbi pushtetin, forcimi i opozitës, liria e medias dhe respektimi i ndarjes së pushteteve.
Sipas saj, vendit i nevojitet një “marrëveshje e re” që vendos institucionet mbi interesat politike dhe forcon besimin e qytetarëve te shteti.
Isha fëmijë kur nga pëshpërimat e familjarëve dhe ecejaket e farefisit mora vesh se në Sheshin Skënderbej diçka e pabesueshme, por e vërtetë kishte ndodhur.
Më vonë kuptova se diçkaja e jashtëzakonshme që deri atë ditë nuk mund as të ëndërrohej, ishte një fakt kokëfortë, një realitet i prekshëm, një "herezi" që askujt nuk i lejohej ta shihte as në ëndërr: ishte një protestë spontane dhe e heshtur e qytetarëve të Tiranës kundër regjimit diktatorial të asaj kohe.
Protestat e zhurmshme dhe krijuese të këtyre ditëve, krahasuar me protestën e heshtur të atëhershme, nuk janë lapsus psikologjik, nuk janë déjà vu, nuk janë lajthitje cerebrale. Janë fakte sa të ndryshme dhe të ngjashme, që në kohën dhe rrethanat e tyre, kanë secila rëndësinë dhe efektet e veta, për të nxjerrë mësimet respektive, dhe, si të tilla, duhen shqyrtuar me seriozitetin dhe përgjegjësinë që meritojnë.
What's done cannot be undone. Ç'u bë, nuk mund të ç'bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë.
Është kollaj protestave të sotme t'u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë?
Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë sheshit dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet.
Për fat, kjo pyetje ka përgjigje.
Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë.
Çdo epokë ka pyetjen e vet themelore. Për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Sot pyetja është tjetër. Si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë.
Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit. Pushteti është ndërtuar. Institucionet ekzistojnë. Administrata ekziston. Ligjet ekzistojnë. Ekonomia është më e fortë se dikur. Demokracia është më e konsoliduar se në vitet e para të tranzicionit. Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër. Është aftësia e pushetit për të vendosur kufij brenda vetvetes.
Për më tepër se tridhjetë vjet Shqipëria ka jetuar me ankthin e mungesës. Mungonin institucionet. Mungonin rrugët. Mungonin investimet. Mungonte siguria. Mungonte shteti. Breza të tërë u rritën me bindjen se problemi kryesor i vendit ishte, në mos mungesa e shtetit, dobësia e shtetit.
Sot për herë të parë po përballemi me një pyetje tjetër. Çfarë ndodh kur pushteti bëhet më i fortë se mekanizmat e po atij shteti që duhet ta kontrollojnë. Çfarë ndodh kur problemet e administratës shtohen më shpejt se llogaridhënia. Çfarë ndodh kur stabiliteti fillon të ngatërrohet me shkaqe dhe pasoja pa lidhje, të pa adresuara.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me vetveten.
Një marrëveshje ku forca e shtetit të mos matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga pakësimi i aftësisë për të kontrolluar, ose ajo që me vetëdije pranon të mos kontrollojë. Një marrëveshje ku institucionet që mbikëqyrin pushtetin të jenë po aq, dhe më të afta se vetë pushteti.
Një marrëveshje ku parlamenti të mos jetë vetëm vendi ku miratohen vendime, por vendi ku dëgjohet shoqëria.
Një marrëveshje ku republika parlamentare të ushtrojë të gjitha funksionet e saj përfaqësuese, kontrolluese dhe monitoruese, sepse demokracia dobësohet sa herë që një pushtet rritet më shpejt se kontrolli mbi të.
Në zemër të kësaj marrëveshjeje qëndron një ide e thjeshtë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Të tre pushtetet duhet të qëndrojnë brenda kufijve të tyre kushtetues. Drejtësia duhet të ketë forcën të hetojë dhe gjykojë. Parlamenti duhet të ketë forcën të kontrollojë. Qeveria duhet të ketë forcën të qeverisë. Por asnjëri nuk duhet të marrë pushtetin e tjetrit. Sepse aty fillon deformimi i shtetit.
Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga qeveria që ka. Matet edhe nga opozita që prodhon. Opozita nuk është aksident i sistemit. Nuk është pengesë për zhvillimin. Nuk është problem për stabilitetin. Opozita është shqisa që paralajmëron kur pushteti humbet kontaktin me realitetin. Shoqëritë që humbin opozitarizmin nuk humbin vetëm debatin. Humbin aftësinë për të korrigjuar vetveten.
Prandaj Shqipëria ka nevojë për më shumë garë, dhe jo për më pak. Ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor që prodhon përfaqësim real dhe jo vetëm riprodhim të elitave ekzistuese. Ka nevojë për zgjedhje ku qytetari të ndjejë se vota e tij ndryshon ekuilibrat, dhe jo vetëm statistikat. Ka nevojë për një kulturë politike ku rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi.
Po aq e rëndësishme është liria e medias. Sepse nuk ka demokraci të fortë me media të pabesueshme. Nuk ka qytetar të lirë pa informacion të lirë. Nuk ka kontroll mbi pushtetin kur informacioni bëhet i varur nga pushteti ose dezinformimi. Shqipërisë i duhet një hapësirë publike ku gazetari të mos ketë nevojë për leje për të pyetur dhe ku media të mos ketë nevojë për favore për të mbijetuar.
Në të njëjtën mënyrë duhet të ndryshojë edhe marrëdhënia mes ekonomisë dhe politikës. Vitet e ardhshme nuk do të fitohen nga ai që ka më shumë asete. Do të fitohen nga ai që ka më shumë dije. Nga ai që ka më shumë teknologji. Nga ai që ka më shumë ide. Shqipëria nuk mund të mbetet një vend ku afërsia me pushtetin vlen më shumë se aftësia për të krijuar vlerë. Një ekonomi moderne fillon në momentin kur fiton ai që prodhon më mirë e më lirë, dhe jo ai që favorizohet nga pushteti.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me brezin e ri. Shqipëria nuk ka më luksin të humbasë njerëzit e saj më të aftë. Gara, merita, mundësia, dhe jo kontrolli, janë thelbi i ndryshimit. Çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një vend pune. Merr me vete energji, dije, kreativitet dhe të ardhme. Vendi ka nevojë të krijojë kushte që mendja, puna dhe talenti të kenë më shumë vlerë se lidhja, ndërhyrja, inventarizimi apo privilegji.
Po aq vendimtare është cilësia e shërbimeve publike. Arsimi nuk mund të vazhdojë të trajtohet si sektor administrativ. Ai është fabrika ku prodhohet e ardhmja e vendit. Ai është thelbi i gjithçkaje që na rrethon, në të tashmen dhe në të ardhmen. Shëndetësia nuk mund të matet vetëm me shifrat e investimeve, godina, mjete etj. Ajo matet me sigurinë që ndien qytetari kur ka nevojë për të. Një shtet modern nuk ndërtohet vetëm me llaç e tulla. Ndërtohet me dije, shëndet, besim dhe dinjitet.
Pikërisht këtu fillon edhe beteja kundër korrupsionit. Jo vetëm në sallat e gjyqeve. Jo vetëm në dosjet hetimore. Por në kulturën e përditshme të shtetit. Korrupsioni është bindja e ngulitur se rregulli mund të anashkalohet pa pasoja. Se ligji mund të negociohet. Se pushteti mund të përdoret si privilegj. Se abuzimi mund të normalizohet dhe të glorifikohet. Lufta kundër tij është mbi të gjitha një betejë morale për mënyrën si e kuptojmë shtetin.
Shqipëria ka hyrë në një moment ku nuk i duhet të provojë se dëshiron të ecë përpara. Këtë e ka dëshmuar. Ka nevojë të tregojë se di të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen, edhe kur askush nuk e vëren.
Një vend nuk bëhet evropian kur bind të tjerët për atë që evropian është. Bëhet evropian kur qytetarët e tij ndihen të mbrojtur nga e drejta, të respektuar nga shteti, të lirë për të ndërtuar jetën e tyre pa kërkuar leje nga askush.
Kjo është marrëveshja e re të cilën Shqipëria duhet ta realizojë brenda vetes. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Malin e Zi, për Samitin BE–Ballkani Perëndimor që mbahet në Tivat, ndërsa interesi i gazetarëve për ta pyetur në lidhje me Zvërnecin dhe protestat që po mbahen në Shqipëri ka qenë i lartë. I pyetur për këtë çështje ai bëri një prononcim të shkurtër para mediave teksa nënvizoi se nuk ka ende një projekt për t’u miratuar dhe si rrjedhojë, as arsye për t’u shqetësuar.
“S’ka asgjë për të diskutuar sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë”, tha Rama.
Sa i përket protestave për Zvërnecin, kreu i qeverisë deklaroi se nuk bëhet fjalë për një çështje mjedisore, por për një “luftë hibride”, raporton euronews.al.
Sipas tij, pas protestës qëndrojnë elementë iranianë, të cilët, siç u shpreh ai, kanë qenë të përfshirë edhe herë të tjera në sulme të ngjashme.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është luftë hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme”, shtoi ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet mbi projektin në Zvërnec, duke deklaruar se ai nuk është ai për të cilin është folur publikisht dhe se qytetarëve u janë shfaqur video të rreme të prodhuara në Tiranë.
“Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana”, tha Rama.
Ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ditë më parë në punimet e sesionit pranveror të AP-së së NATO-s ka pasur një replikë të ashpër me përfaqësuesen nga Serbia.
Gola në deklaratën e tij para të pranishmëve në Asamble iu kundërvu përfaqësues serbe e cila theksoi se “regjimi i Kurtit po i bën represion serbëve”.
Nënkryetari i Kuvendit ia rikujtoi përfaqësueses së Serbisë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, që vazhdon të përballet me sfida nga fqinji i saj verior që nuk është miqësor.
“Në të vërtetë Kosova nuk është ‘Kosovë dhe Metohi’, por është Republikë e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Fatkeqësisht vazhdon të përballet me sfida nga fqinji i saj verior, që për hir të së vërtetës nuk është edhe aq miqësor”, tha ai.
Ndryshe, ish-nënkryetari i Kuvendit në zgjedhjet e 7 qershor është kandidat për deputet nga LVV-ja. Ai ka numrin 28 në listën zgjedhore të Vetëvendosjes.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sot në një konferencë për media tha se kanë marr dy vendime të rëndësishme që kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktika e padrejta tregtare nga Serbia.
Ajo theksoi se të enjten ka marr vendim për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia.
Sipas saj, ku vendim është rezultat i ankesave të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore të farës së grurit, të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor.
Kusari-Lila tutje bëri të ditur se është marrë edhe vendim për kufizim sasior të importeve të aluminit nga Serbia.
“Kam marrë sot vendim për të përcjellë në qeveri, i cili ka të bëjë me vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, masa parasheh kufizim të importeve dhe tarifa shtesë për sasitë që tejkalojnë kuotën e përcaktuar.
Ministrja në detyrë theksoi më tej se këto dy vendime kanë të bëjnë me vendosjen e masave anti-dumping janë të bazuar në analiza statistikore dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e plotë në fuqi. /Telegrafi/
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët se sot, më 5 qershor 2026, në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Çiklizmit, do të ketë mbyllje të përkohshme të një korsie të autostradës “Arbën Xhaferi” nga hyrja/dalja në Lipjan në drejtim të Hanit të Elezit, deri në hyrjen-daljen në Bibaj.
Ministria njofton se koha e kufizimit do të jetë nga ora 13:00 deri në përfundim të garës 17:00.
Segmenti i prekur: hyrje-dalja Lipjan – hyrje-dalja Bibaj.
Gjatë kësaj periudhe, automjetet që qarkullojnë në drejtim të Hanit të Elezit do të orientohen të dalin nga autostrada në hyrje-daljen Lipjan dhe të vazhdojnë qarkullimin përmes rrugës nacionale Prishtinë – Hani i Elezit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, si dhe rekomandon respektimin e sinjalizimit të përkohshëm dhe udhëzimeve të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot, më 05.06.2026 ka pranuar vendimin e komunës së Mitrovicës së Veriut për largim të mbishkrimit ‘I Love Mitrovica’.
Policia njofton se në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet policore, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
“Në vendin e ngjarjes, ka ardhur kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut me rreth 20 persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Mitrovicë Veri, të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së intervistës për media, iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë ‘tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën’.
Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik, të njëjtit kanë filluar ta ngjyrosin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor.
Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm.
Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme. /Telegrafi/
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE, Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis.
Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se gjatë takimit Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit.
U.d. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen e saj edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.
Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar.
Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
U.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. /Telegrafi/
Në kuadër të ngritjes dhe avancimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komanda e Forcave Tokësore dhe njësi të kombinuara si togu i IVR-së, Kompania Mbështetëse e RML-së, togje të Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake, realizuan ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01” në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës.
FSK në një postim në Facebook ka publikuar fotografi nga ushtrimi fushor.
“Qëllimi i ushtrimit ishte validimi i aftësive operacionale, rritja e gatishmërisë luftarake, koordinimi ndërmjet njësive dhe zhvillimi i kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet më të larta profesionale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 7 qershor 2026, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në njoftim bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë. /Telegrafi/
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (LNG) dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.
OEAK thekson se përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik.
“Sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike vazhdon të jetë barrë e konsiderueshme për ekonominë. Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj luhatjeve të tregut e theksojnë edhe më shumë nevojën për një miks energjetik më të diversifikuar dhe më rezistent”, thuhet në njoftim.
Oda Amerikane rikujton se projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe të ndërlidhjes energjetike po zhvillohen në mbarë Evropën Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për shtetet që të sigurojnë qasje në burime të diversifikuara të gazit dhe të forcojnë sigurinë e tyre energjetike.
“Ndërsa, vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjate të furnizimit.
Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë”, thuhet tutje.
OEAK thekson më tej se kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më të fuqishëm me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkërendimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura.
“Përtej forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës në një kohë kur kërkesat rregullative të Bashkimit Evropian, që lidhen me emetimet e karbonit po bëhen më rigoroze dhe si të tilla do të afektojnë eksportuesit.
Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë që të demonstrojë vullnetin politik duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës në rrjetet rajonale të gazit. Mungesa e veprimit rrezikon të zgjasë cenueshmërinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik, ndërsa veprimi në kohë mund të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 5 qershor 2026.
Sipas vendimit të ri, nafta është shtrenjtuar për 1 cent, benzina është liruar për 1 cent, ndërkaq çmimi i gazit ka mbetur i njëjtë.
Sot litri i naftës është 1.52 euro për litër, benzina është 1.42 euro për litër, ndërkaq gazi 0.71 euro.
Çmimet hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/