Fotot me këmbët e fryra, Donald Trump diagnostikohet me gjendjen që prek qarkullimin e gjakut
Presidenti Donald Trump është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e zakonshme shëndetësore që prek qarkullimin e gjakut në këmbë, bëri të ditur të enjten Shtëpia e Bardhë.
Sipas një deklarate zyrtare të lexuar nga sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, Trump, 79 vjeç, iu nënshtrua një ekzaminimi të plotë nga Njësia Mjekësore e Shtëpisë së Bardhë pasi kishte vërejtur ënjtje të lehtë në gjymtyrët e poshtme.
Mjeku i presidentit, Sean Barbabella, sqaroi në një shënim se “ekografia Doppler e kryer në këmbë zbuloi pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e shpeshtë tek personat mbi 70 vjeç, që ndodh kur valvulat në venat e këmbëve nuk mbyllen siç duhet dhe lejojnë gjakun të grumbullohet”.
Megjithatë, nuk ka vend për shqetësim.
“Nuk u konstatua trombozë e thellë venoze apo probleme me arteriet. Testet laboratorike dhe ekokardiograma rezultuan brenda normës, pa shenja të dëmtimit të zemrës, veshkave apo sëmundjeve sistemike”, theksoi Leavitt.
Ekspertët shëndetësorë kanë konfirmuar se ky është një zhvillim normal për një person të moshës dhe peshës së ish-presidentit.
“Nuk ka arsye për alarm. Kjo është diçka që vjen me moshën, veçanërisht për dikë që është në kategorinë mbipeshë,” u shpreh Dr. Jeremy Faust nga Harvard Medical School.
Ndërkohë, janë vërejtur edhe mavijosje në dorën e djathtë të Trump, për të cilat Leavitt tha se janë rezultat i “shtrëngimit të shpeshtë të duarve” dhe përdorimit të aspirinës si pjesë e një regjimi parandalues për sëmundjet e zemrës.
Pavarësisht diagnozës, Trump mbetet në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk po përjeton ndonjë shqetësim, u bë e ditur nga Shtëpia e Bardhë.
The post Fotot me këmbët e fryra, Donald Trump diagnostikohet me gjendjen që prek qarkullimin e gjakut appeared first on Gazeta Si.