Nga Gazeta Si- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim.
Aktualisht mbeten aktive vatra në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ku vazhdon zjarri në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës.
Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur ta vënë nën kontroll.
Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, ende nuk është shuar zjarri pasi relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës”, mbi fshatin Dukat, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen.
Edhe në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.
Ndërsa në malin Sukë, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz.
Si pasojë e zjarreve të rënë, kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.
Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I moderuar”. Rrezik “I lartë” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug) dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).
Gazeta Si – Pas hetimeve 6 mujore, seksioni i hetimit për pastrimin e parave ka zbuluar vjedhjen e 409 mijë eurove, që dyshohet se është kryer nga dy punonjës në firmën ku ishin punësuar në Tiranë.
Policia thotë se ka arrestuar 37-vjeçarin Erlin Shkoza, ndërsa ka shpallur në kërkim financieren A.S., 30 vjeçe.
Sipas hetimeve dyshohet se Shkoza, si shpërndarës porosish dhe 30-vjeçarja, si financiere e një firme që shiste tekstile me metrazhe, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin gjatë viteve 2023-2024 për të vjedhur 409 mijë euro nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve.
Policia sqaron se po punohet për kapjen e financieres, ndërsa materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar mandatet e deputetëve fitues në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Tiranës.
Socialistët kanë marrë 19 mandate nga të cilët 7 janë nga lista e hapur. PD-ASHM 13 mandate ku vetëm 1 është nga lista e hapur. Partia Mundësia 2 dhe Lëvizja Bashkë 1.
Ka mbetur ende në ngërç rasti i koalicionit Shqipëria Bëhet dhe nismës Thurje, ku fituesi i mandatit është tërhequr nga land
Partia SocialDemokrate e Tom Doshit ka djegur listën e mbyllur duke i lënë vendin kandidatit të listës së hapur Tedi Mula. Por ky rast po shqyrtohet nga KQZ. Ka mbetur ende në ngërç rasti i koalicionit Shqipëria Bëhet dhe nismës Thurje, ku përfaqësuesja ligjore e Koalicionit kërkon që mandati ti kalojë listës së hapur, pasi kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen para 11 majit. Ndërkohë dy nga kandidatët e listës së mbyllur kanë bërë kërkesë në KQZ duke revokuar dorëheqjen. Për këtë pritet të shprehet KQZ.
Gazeta Si – GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen ndaj deputetit demokrat, Asllan Dogjani, i cili akuzohet nga SPAK për mosdeklarim e fshehje pasurie. Ai dyshohet se ka fshehur blerjen e një apartamenti me vlerë 125 mijë euro.
Vetë Dogjani ka pretenduar se ai e ka përfituar pronën në bazë të një marrëveshje në këmbim të shërbimit të konsulencës juridike.
Por sipas hetimeve te SPAK, rezulton se Dogjani e ka blerë apartamentin 126 mijë euro duke i paguar paratë cash.
SPAK dyshon se Dogjani nëpërmjet dy kontratave të dubluara fshehu nëpërmjet deklarimit të rremë mënyrën e përfitimit të apartamentit në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”. Të dyja deklaratat për mbanin të njëjtin numër protokolli, por kushte të ndryshme të përfitimit të pasurisë.
Gazeta Si – Vëllezërit Ferhat dhe Olti Kaja, të cilët rezultojnë të jenë pronarë të lokalit “Stockholm”, përballë kompleksit “Delijorgji”, u shpallën në kërkim nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se janë autorë të dhunimit të një tjetër pronar lokali “Tokyo”, Laert Kasaj.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ndërsa shkak dyshohet të jetë bërë një konflikt për hapësirat publike.
Burime pranë policisë thonë se në ditët e fundit, nëpër faqe të ndryshme online, ka pasur disa denoncime të ndryshme për mos heqjen e pjesëve metalike mbi trotuar.
Vëllezërit Kaja, me dyshimet se biznesi i tyre ishte publikuar nga Kasaj, kanë shkuar për t’i kërkuar sqarim, por Kasaj menjëherë ka reaguar keq dhe ka nisur t’i ofendojë.
Në këtë moment të tre janë rrahur me grushte me njëri-tjetrin, por më i dëmtuar ka mbetur Kasaj, i cili është dërguar në spital për mjekim për disa orë. Vëllezërit Kaja vijojnë të jenë në kërkim.
Nga Gazeta ‘SI’ – Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe ajo e Lëkurësit në Sarandë do të jepen pjesërisht për shfrytëzim nga subjektet private.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar se kjo është pjesë e planit të rijetësimit të pasurive kulturore.
Konkretisht, në kalanë e Rozafëz do të jepet një ambinet shërbimi në oborrin e tretë të Kalasë me sipërfaqe prej 196.2 m2.
Lidhur me kalanë e Lëkurësit në Sarandë njoftimi saktëson se bëhet fjalë për një sipërfaqe 862 m2.
Kontrata e shfrytëzimit me qira do të zgjasë 20 vite dhe të interesuarit duhet të paraqesin planin e rijetësimit, analizë projekti, vlerën e propozuar, vërtetime bankare, xhiro mesatare etj.
“Ndërkohë që dokumentacioni duhet të përfshijë edhe : i propozimin për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore; i. projektin e rijetësimit, sipas nenit 185, të ligjit nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, i ndryshuarit. analizën e detajuar të projektit; iv. planin e zhvillimit të territorit; v. dokumentacionin për pjesëmarrje në projekte të mëparshme; vi. garancinë për miradministrimin e pronës, në formën e një vërtetimi bankar, të 3 (tre) muajve të fundit nga data e dorëzimit të dokumentacionit, në vlerën jo më pak se 10 (dhjetë) % të projektit të propozuar; vii. vërtetim për xhiron mesatare vjetore të 3 (tre) vjetëve të fundit, në vlerën prej minimalisht 50 (pesëdhjetë) % të vlerës së investimit të parashikuar në projektin e propozuar”, njofton ministria.
Gazeta Si – SHBA-të dhe Japonia kanë arritur një marrëveshje tregtare prej 550 miliardë dollarësh, “ndoshta marrëveshja më e madhe ndonjëherë”, njoftoi Donald Trump të martën vonë si pjesë e marrëveshjeve dypalëshe mbi tarifat.
Tokio, tha Trump në një postim në Twitter, do të investojë 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të marrin 90% të fitimeve, ndërsa do të përfitojnë gjithashtu nga “qindra mijëra” vende të reja pune.
Tarifat reciproke midis dy vendeve do të jenë 15%. Në postimin e tij, ai shkruan se “sapo përfunduam një marrëveshje të madhe me Japoninë, ndoshta marrëveshja më e madhe e bërë ndonjëherë.
Japonia do të investojë, nën udhëheqjen time, 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të marrin 90% të fitimeve. Kjo marrëveshje do të krijojë qindra mijëra vende pune – nuk ka pasur kurrë diçka të tillë. Ndoshta më e rëndësishmja, Japonia do ta hapë vendin e saj për tregti, duke përfshirë makina dhe kamionë, oriz dhe disa produkte të tjera bujqësore dhe gjëra të tjera.
Japonia do t’u paguajë Shteteve të Bashkuara tarifa reciproke prej 15%. Kjo është një kohë shumë emocionuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më e rëndësishmja për faktin se ne gjithmonë do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me vendin e Japonisë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e shpejtë e tregut imobiliar në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane.
RAI 3 ka publikuar një investigim mbi zgjerimin e ndërtimeve në Tiranë, duke e krahasuar atë me Milanon, si në format ashtu edhe në kosto. RAI raporton se në Tiranë disa zona kanë arritur çmimin e 5.500 euro për metër katror njejtë si në metropolin italian.
Investigimi sjell dëshmi mbi investitorë të njohur dhe anonimë që kanë përfituar nga ky zhvillim i shpejtë, duke e kthyer Tiranën në një “model Milano”. Në investigim përmenden edhe arkitektë të njohur italianë si Marco Casamontri dhe Stefano Boeri.
Programi i “Report” ngre pikëpyetje për origjinën e parave të këtij fluksi ndërtimi në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se vetëm 1/3 është financuar nga bankat tregtare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje urgjente për të parandaluar përsëritjen e një epidemie të virusit ‘chikungunya’, i cili përhapet nga mushkonjat dhe ka përfshirë botën para dy dekadash.
Shkak për shqetësimin janë shpërthimet e reja në rajonin e Oqeanit Indian, që tashmë po përhapen edhe në Europë dhe kontinente të tjera.
Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga ky virus, i cili shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe mund të çojë në paaftësi afatgjate.
“Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku afro gjysmë milioni njerëz, kryesisht në territore të vogla ishullore, përpara se të përhapej në gjithë botën.
Vala e fundit e përhapjes nisi në fillim të vitit 2025, me shpërthime të mëdha në të njëjtat ishuj të Oqeanit Indian që ishin prekur edhe më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin.
Alvarez tha se virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e banorëve në La Reunion.
Përhapja po vazhdon edhe në vende të tjera, si Madagaskari, Somalia dhe Kenia, ndërsa raste të shumta janë shënuar edhe në Indi dhe në pjesë të Azisë Juglindore, sipas saj.
Një shqetësim i veçantë është edhe rritja e numrit të rasteve të importuara brenda Evropës.
Që nga 1 maji, në Francë janë regjistruar rreth 800 raste të importuara të virusit ‘chikungunya’, tha Alvarez.
‘Chikungunya’, për të cilën nuk ekziston trajtim specifik, mund të shkaktojë shpërthime të shpejta dhe të mëdha.
Për shkak se mushkonjat pickojnë gjatë ditës, parandalimi është thelbësor, duke përdorur insekticidë dhe veshje me mëngë të gjata, rekomandon OBSH-ja.
Nga Gazeta Si – Një ditë më parë u njoftua se Leverkusen dhe Sunderland po bisedonin për kthimin e Kapitenit Xhaka në ishull. Shqiptari që luan për Zvicrën ka gjetur akordin me “Black Cats” që u rikthyen këtë sezon në Premier League. Mirëpo kundër kësaj lëvizjeje është pozicionuar traineri Erik ten Hag. “Graniti është një Leader. Ka firmosur për 5 vite dhe ka ende 3 të tjerë deri në skadimin e kontratës. Ky klub ka humbur 3 elementë të rëndësishëm dhe nuk mund të lejojë largimin e një tjetri. Ai është shumë i rëndësishëm për në dhe largimi i tij do të prishte strukturën e skuadrës” – deklaroi holandezi që pak ditë më parë mori vendin e Xabi Alonso-s në “Bay Arena”.
Gazeta Si – SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur bashkëshorten e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xox, të cilës i ka komunikuar akuzat pasi u paraqit mëngjesin e kësaj të mërkure, së bashku me avokatin Maks Haxhia.
Po sot pritet që Prokuroria e Posaçme t’i komunikojë akuzat edhe kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej më shumë se 5 muajsh.
Veliaj nuk do të paraqitet personalisht në Prokurori për t’u njohur me akuzën, por ka firmosur një deklaratë për përfaqësim nga mbrojtësit ligjorë.
Nuk dihen ende akuzat ndaj Xoxës, por së bashku me bashkëshortin e saj, janë hetuar për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. SPAK ka përfunduar hetimet por ka lënë si afat fundor për dërgimin e çështjes për gjykim 24 shtatorin.
Xoxa dhe avokati kanë marrë materialet dhe në bazë të dispozitave, pasi njohjes me akuzën, do të vendosin se çfarë qëndrimi do të mbajnë, do të japin deklarime apo do të bëjnë memo.
Pala mbrojtëse ka kërkuar t’i vënë në dispozicion edhe materialet hetimore, ndërsa nga SPAK u është komunikuar që ato do t’u vihen kundrejt pagesës, e cila nuk është pranuar nga avokati Maks Haxhia.
Që prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj mbahet në qelinë e paraburgimit pasi SPAK argumenton se lënia e tij në një masë tjetër sigurie mund të përbëjë rrezik për prishjen e provave të hetimeve që po kryhen ndaj tij, Ajola Xoxës dhe 6 biznesmenëve të tjerë që kanë përfituar tendera nga bashkia e Tiranës.
Dyshimet e SPAK janë se Veliaj në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, kishte ngritur një skemë të përvetësimit të fondeve publike të bashkisë Tiranë nëpërmjet së cilës kompanitë që fitonin tendera nga bashkia, kryenin pagesa për qendrën jofitimprurëse “Harabel” të Ajola Xoxës. GJKKO ka sekuestruar edhe disa prona në Qerret dhe Kodrën e Diellit që dyshohet se janë të Veliajt.
Territori Shqiptar do të mbetet nën ndikimin e të nxehtit afrikan, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura shumë të larta, ku sërish goditen nga vlera ekstreme qarku i Shkodrës dhe Elbasanit.
Në këto dy qarqe maksimumi do të ngjitet mbi 40 gradë celcius. Pjesa e dyte e ditës do të sjellë vranësira të herë pas-herëshme përgjatë zonave malore Lindore duke lënë bregdetin dhe zonat e ulëta vetëm me kthjellime.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale, ku zonat malore do të shënojnë 12°C ndërsa maksimumi do të mbetet lehtësisht mbi 40°C përkatësisht në Koplik, Urën Vajgurore si edhe Cërrik.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2-3 ballë.
Gazeta Si – Pritet të ekstradohet këtë të mërkurë në Shqipëri, Denis Bajri (Bajroviç) njëri prej anëtarëve të fisit Bajri që ishte shpallur në kërkim për vrasje e grup kriminal.
37 vjeçari ishte arrestuar në Dubai që më 27 shkurt të vitit 2024 në pritje të ekstradimit që do të kryhet ditën e sotme duke shënuar kështu një tjetër rast të thyerjes së “mitit të paprekshmërisë” së kriminelëve që strehohen në Dubai.
Ndaj Bajrit rëndon akuza e vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 2020-ën në Vaun e Dejës me porosi të dhënë nga Behar Bajri, ndërsa kërkesa ishte bërë nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”- thuhet në njoftimin e policisë.
Në vitin 2023 u ekstradua nga Franca, Behar Bajri i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.
Ai rezulton i përfshirë edhe në dosjen “Metamorfoza” ku përmenden emra të kriminelëve të tjerë të rrezikshëm, biznesmenëve e deri tek zyrtarë policie që aktualisht janë nën masë arresti.
Më 21 shkurt të këtij viti, me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri i njohur si “i forti i Shkodrës”. Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, afat i paraparë në aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses.
Në një konferencë për media të martën, presidentja tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e përmbyll vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheqë kërkesën e dorëzuar në kushtetuese.
Sipas Osmanit, për aq kohë sa Kuvendi vazhdon të mos konstituohet, Qeveria vazhdon të funksionojë me kompetenca të kufizuara teksa tha se edhe institucionet kyçe, përfshirë edhe Presidencën, nuk mund të ushtrojnë kompetencat për shkak të mungesës së Kuvendit.
SPAK ka dërguar për gjykim 29 të pandehur, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas SPAK, hetimet, të nisura më 21 tetor 2022, zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë 2 zëvendësrektorët Ilir Kapaj e Romina Kotaj, dhe administratorin, Edmond Tërthorja në bashkëpunim me biznese manipuluan procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar firma të caktuara. Bëhet fjalë për 9 procedura tenderimi, të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë prokurimi prej 900 mijë eurosh.
Hetimet zbuluan se këto firma jo vetëm favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por edhe bënin oferta fiktike në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave. SPAK thote se hetimet zbuluan se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike ishin bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar të tenderave, ndërsa nuk bëhet asnjë analizë reale të tregut.
Dokumentet hetimore tregojnë se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, duke treguar se fituesit ishin vendosur paraprakisht. Ky manipulim ka përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar.
SPAK shkruan se gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
Nga Gazeta Si – Sunderland është pranë marrëveshjes me Bayer Leverkusen për transferimin e Granit Xhakës te “Black Cats”. Sipas lajmeve nga Gjermania, dy klube janë në bisedime të avancuara për ish kapitenin e Arsenal. Vetë Xhaka ka rënë dakort me ofertën e klubit të ri për 3 sezone. Sunderland ka shpenzuar 107 milionë paundë për 6 lojtarë deri tani. Nga Brighton erdhi Simon Adingra, por Granit Xhaka do të ishte një transferim stratosferik. Arsene Wenger dhe Mikel Arteta e kishin atë si lojtarin kryesor në mesfushë, pavarësisht periudhës së vështirë nën drejtimin e Unai Emery. Stabiliteti i tij ishte vital për Bayer Leverkusen në fitimin e titullit të parë në histori dhe Kupës së Gjermanisë, brenda një sezoni. Granit Xhaka që më herët u lidh me një transferim në Serie A apo dhe Saudi Pro League, tani duket se do të jetë shqiptari i dytë në historinë e “Black Cats”. Lorik Cana luajti 31 ndeshje me Sunderland në sezonin 2009-2010.
Transferimet e Sunderland deri tani: Simon Adingra – nga Brighton për 20.5 milionë paund Habib Diarra – nga Strasbourg për 30 milionë paund Enzo Le Fee – nga Roma për 20 milionë paund Noah Sadiki – nga Union Saint-Gilloise për 17.5 milionë paund Reinildo Mandava – nga Atletico Madrid në parametra zero Chemsdine Talbi – nga Club Brugge për 19 milionë paund Tommy Watson – te Brighton për 10 milionë paund Jobe Bellingham – te Borussia Dortmund për 32 milionë paund Nathan Bishop – te AFC Wimbledon në parametra zero Adil Aouchiche – te Aberdeen i huazuar
Nga Gazeta Si – Chelsea është aktiv në merkaton në dalje me emra potencialë për tu larguar nga “Stamford Bridge” si Nicolas Jackson, Renato Veiga dhe Axel Disasi. Armando Broja ka qënë prej muajsh në këtë kategori. Dëmtime konstante që shkatërruan një karrierë premtuese dhe e detyruan të kalonte një tjetër sezon në huazim te Everton. 13 ndeshje dhe asnjë gol apo asist treguan edhe një herë se është koha që ai të zbresë një nivel dhe të fokusohet në marrjen e minutave në fushë. Në këtë moment Broja ka 4 skuadra që e ndjekin nga kontinenti dhe sigurisht destinacione potenciale për të. Në Serie A, Parma kërkon një zëvendësues pas largimit të Ange-Yoan Bonny drejt Inter-it.
Në Bundesliga, Stuttgart mund të ketë një vend të lirë nëse Nick Woltemade transferohet tek Bayern Munich. RB Leipzig është një tjetër skuadër e interesuar për sulmuesin kuqezi si zëvendësues i Sesko-s. Ndërsa në Eredivisie, PSV Eindhoven mban mend se si Broja shkëlqeu në sezonin e huazuar te Vitesse pak vite më parë. Ndaj Broja nuk duhet të zgjedhë destinacionin apo pagën, por skuadrën që do ti japë më shumë minuta në fushë, në mënyrë që ai të rigjejë formën dhe të konfirmojë talentin që nuk i mungon. Ai është vetëm 23 vjeç dhe ende në kohë për ti lënë të gjithë problemet pas, për një rifillim të ri të një karriere të suksesshme.
Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka liruar nga paraburgimi Edison Haxhiun, i dyshuar si një nga të akuzuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas të ekzekutuar më 15 mars 2024.
Gjykata pranoi kërkesën e avokatit Sokol Tahiraj, duke shuar masën e sigurisë ndaj Edison Haxhiut. Masa ndaj Haxhiut u hoq, për arsye të tejkalimit të afateve.
Ai dyshohej se ka bashkëpunuar me Ilir Beqarajn për vrasjen e Gentjan Bejtjës në fshatin Larushk të, Fushë Krujës, duke i siguruar kushte dhe mjete për të kryer krimin.
Në 18 mars 2025, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq Ilir Beqarajn, të njohur edhe me mbiemrat Brahimi e Mançellari, si një nga autorët e vrasjes së Bejtjas.
Hetuesit kërkojnë gjykimin e tij për akuzën e vrasjes, mbajtjes pa leje të armëve dhe falsifikim të dokumenteve.
Prokuroria sqaroi se Beqaraj është përfshirë në vrasjen e 43-vjeçari në rolin e ndihmësit.
Nga hetimet akuza e kryeqytetit thotë se ka arritur të gjej gjurmë ADN, të Beqarajt në makinën që autorët kanë përdorur për tu larguar, pasi dogjën makinën e krimit.
Profil ADN në të njëjtën makinë u gjet edhe për shtetasin Flodian Plaku, ky i fundit në kërkim. Gentian Bejtja u vra me breshëri kallashnikovi në banesën e tij në Larshuk pasditen e 15 marsit të një vitit më parë. Në vitin 2023, në një atentat ku dyshohej se objektiv ishte po Bejtja, mbeti i vrarë kunati i tij.
Gazeta Si – Të mërkurën e kaluar, Ekrem Imamoglu, ish-kryetar i Bashkisë së Stambollit, u dënua nga një gjykatë turke me 20 muaj burg për fyerjen ndaj një zyrtari publik.
Dënimi nuk do t’i ndryshojë kushtet e tij: që nga fundi i marsit, ai është ndaluar tashmë për akuza të tjera që konsiderohen të motivuara politikisht në Burgun Marmara në Silivri, rreth 70 kilometra në perëndim të Stambollit.
Marmara është burgu më i madh i sigurisë maksimale në Evropë për nga numri i të burgosurve dhe është gjithashtu vendi i disa prej gjyqeve politike më të profilit të lartë të Turqisë gjatë 15 viteve të fundit.
Mijëra kundërshtarë politikë, intelektualë, aktivistë dhe gazetarë të arrestuar me akuza të sajuara, si kritikë ndaj qeverisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan janë të burgosur aty.
Burgu i Silivrit u ndërtua në vitin 2008 për të adresuar problemin kronik të mbipopullimit në sistemin e burgjeve turke dhe objektet e tij të vjetra dhe të rrënuara.
Një pamje ajrore e të gjithë objektit. Ai strehon 500 apartamente për rojet e burgut dhe një shkollë fillore për fëmijët e tyre
Ai u paraqit si një qendër moderne, moderne dhe teknologjikisht e përparuar: e gjithë struktura zë një sipërfaqeprej një kilometër katror dhe përfshin nëntë ndërtesa të ndryshme për qelitë, një spital, një xhami dhe një shkollë fillore për fëmijët e punonjësve.
Megjithatë, me kalimin e viteve, të burgosurit dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë përshkruar një vend shumë të ndryshëm nga ai i përshkruar publikisht.
Para së gjithash, është jashtëzakonisht i mbipopulluar: ka një kapacitet maksimal prej 11,000 vendesh, por strehon të paktën 22 mijë të burgosur, dyfishi i këtij numri.
Gjatë viteve, është raportuar se Silivri vuan nga kushte të tmerrshme sanitare, të burgosurve u është privuar kujdesi mjekësor, racione të pamjaftueshme ushqimore, mungesë uji të nxehtë, qeli të ftohta dhe abuzime të shpeshta dhe ndëshkime trupore nga rojet e burgut.
Vdekjet dhe vetëvrasjetmidis të burgosurve janë gjithashtu të shpeshta. Ndërsa këto kushte janë të zakonshme në shumë burgje të tjera turke (dhe në shumë burgje të tjera në përgjithësi), ajo që e bën Marmaranë një vend të veçantë, është Blloku 9, ai i rezervuar për të burgosurit politikë, gjë që e bën një simbol të mënyrës se si sistemi turk i burgjeve po përdoret gjithnjë e më shumë nga qeveria e Erdoganit, si një mjet për shtypjen e lirinë f fjalës. Megjithatë, nuk është i vetmi ku burgosen disidentët dhe kundërshtarët.
Të afërmit e të burgosurve qëndrojnë jashtë hyrjes së burgut të Silivri-t. Pas arrestimeve masive pas grushtit të shtetit të dështuar, qeveria urdhëroi lirimin e 36,000 të burgosurve në të gjithë vendin në përpjekje për të lehtësuar presionin mbi sistemin e burgjeve
Përveç Imamoglut, Silivri pret edhe biznesmenin dhe filantropin Osman Kavala (i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2022); avokatin e të drejtave të njeriut Can Atalay, i cili vuan një dënim prej 18 vitesh për tentativë përmbysjeje; dhe disa politikanë kurdë, përfshirë më të njohurin dhe karizmatikun prej tyre, Selahattin Demirtaş.
Grupi i parë i madh i të burgosurve politikë mbërriti në Silivri menjëherë pas hapjes së burgut, pas një gjyqi masiv të mbajtur në sallat e gjyqit të objektit.
Ishte këtu që u gjykuan më shumë se 270 të pandehur në “Ergenekon”, një çështje gjyqësore kontroverse që në vitin 2013 çoi në arrestimin dhe dënimin e qindra njerëzve – përfshirë personel ushtarak, gazetarë dhe akademikë – të akuzuar se i përkisnin një organizate të supozuar klandestine ultranacionaliste që synonte përmbysjen e qeverisë së Erdoganit.
Silivri ishte gjithashtu vendi i shumë gjyqeve që lidheshin me grushtin e shtetit të dështuar të vitit 2016, i cili shënoi një pikë kthese në shtypjen e opozitës në Turqi. Atë ditë, një grup ushtarësh u përpoqën të rrëzonin qeverinë e Erdoganit, por dështuan.
Protestuesit me foton e Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, i burgosur në Marmara, Silivri
Presidenti turk gjeti në ato ngjarje një pretekst për një qeveri gjithnjë e më autoritare, duke kufizuar pavarësinë e gjyqësorit dhe duke persekutuar grupet e opozitës, ndonjëherë me dhunë.
Pasuan spastrime në gjyqësor, ushtri dhe nëpunës publikë, dhe qindra mijëra njerëz u arrestuan, shumë prej tyre me akuza të sajuara. Shumë përfunduan në Silivri (për shembull, Kavala është aktualisht në burg si pjesë e këtyre gjyqeve).
Nuk ka shifra zyrtare se sa të burgosur ka në Bllokun 9: megjithatë, dihet senga më shumë se 23,000 që ishin atje në vitin 2022, 2,017 u burgosën me akuza për terrorizëm, akuza që përdoren më shpesh nga sistemi turk i drejtësisë për të dënuar disidentët (gjyqësori në Turqi nuk është i pavarur dhe vlefshmëria e këtyre dënimeve shpesh vihet në dyshim nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe gjykatat ndërkombëtare).
Pak dihet për kushtet specifike në Bllokun 9, por për shembull, nga rrëfimet e atyre që janë liruar, dihet se izolimi në vetmi është i zakonshëm, madje edhe për një kohë të pacaktuar.
Ai ka pasoja të rënda për shëndetin mendor të të burgosurve dhe konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut (përdoret në të paktën 40 burgje të tjeranë Turqi).
Ushtarët turq ruajnë burgun e Silivri-t, ku mbahen shumë nga të burgosurit politikë të Turqisë
Një fakt tjetër fakt është se është shumë e vështirë për ata që mbahen këtu të sigurojnë libra, veçanërisht ato që konsiderohen problematike nga regjimi (për shembull, libra nga shkrimtarë kurdë). Që qeveria e Erdoganit e përdor burgun si mjet shtypjeje është e dukshme në shifra.
Para së gjithash, numri i të burgosurve në Turqi është rritur ndjeshëm gjatë njëzet viteve të fundit (domethënë, gjatë kohës së Erdoganit në pushtet, së pari si kryeministër, pastaj si president): në vitin 2002, kishte 59,429; sot, ka 398,694.
Rritja nuk i atribuohet tërësisht krimeve të motivuara politikisht, por avokatët turq kanë denoncuar një fokus joproporcional nga forcat e ligjit në këto krime krahasuar me krimet e zakonshme. Kjo u demonstrua edhe nga qindra arrestime pas protestave për ndalimin e Imamoglut në mars.
Për më tepër, një raport i Këshillit të Evropës i vitit 2021, tregoi se Turqia (e cila është vendi me numrin më të lartë të të burgosurve në të gjithë kontinentin, pas Rusisë) mbante 95 përqind të dënimeve të Eeropës që lidhen me terrorizmin: 30,555 nga 32,006.
Shumica e këtyre dënimevekanë të bëjnë me lidhje të dyshuara me lëvizjen e fajësuar për grushtin e shtetit, ndërsa grupi i dytë më i madh është burgosur për lidhje me PKK-në, grupin e armatosur kurd. I treti më i madh, dukshëm më i vogël, është burgosur për lidhje me Shtetin Islamik.
Gazeta Si – U përmbyll këtë të martë faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.
Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.
Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano; Joni Keta.
Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.
Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.
Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të renditë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.
Testi i ardhshëm, është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.