CRCA: Kodi i ri Penal nuk mbron fëmijët nga krimet se*suale online
Nga Gazeta Si- Organizata për mbrojtjen e fëmijëve, CRCA ka reaguar për Kodin e ri Penal, duke shprehur shqetësimin për draftin.
Nga analiza e plotë që ekspertët e CRCA Shqipëri i kanë bërë Kodit Penal, organizata shkruar se “rezulton se dispozitat aktuale nuk përputhen në mënyrë të mjaftueshme me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e fëmijëve nga krimi, sidomos të krimeve për qëllime seksuale. CRCA Shqipëri ka identifikuar disa mangësi kritike”, thuhet në deklaratën për median.
Një nga mangësitë është mungesa e kriminalizimit të joshjes seksuale dhe mesazheve me natyrë apo për qëllime seksuale online.
Sipas CRCA, drafti i paraqitur i Kodit nuk adreson disa nga kërcënimet kryesore në hapësirën dixhitale ndaj fëmijëve siç janë joshja ose kërkesat për angazhim në marrëdhënie seksuale nëpërmjet internetit apo chat/mesazhet me natyrë seksuale, veprime që kriminalizohen sipas Direktivës së BE-së.
Gjithashtu, organizata vëren se ka mangësi në rregullimin dhe kriminalizimin e të gjitha llojeve të materialeve me përmbajtje të dhunës dhe abuzimit seksual me/të fëmijës (CSAM): Drafti nuk përfshin kriminalizimin e CSAM-it virtual, të krijuar nga inteligjenca artificiale, ose të vetë-prodhuar nga vetë fëmija, “duke krijuar boshllëqe të rrezikshme ligjore”.
“Kodi i ri Penal nuk përmban masa të mjaftueshme kundër Trafikimit të Brendshëm dhe atij Dixhital të Fëmijëve”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se Kodi Penal vazhdon të ketë probleme me terminologjinë në lidhje me fëmijët.
“Ndonëse Kushtetuta, Konventa për të Drejtat e Fëmijës e OKB-së dhe Ligji për të Drejtat e Fëmijës përcaktojnë se person kosniderohet çdo person nën moshën 18 vjeç, Kodi vijon të përdor termin “i mitur”, i cili nuk ka një përkufizim të qartë ligjor në korpusin e ligjeve në Shqipëri”.
Nisur nga këto mangësi të evidentuara në Kodin e ri Penal, CRCA bën thirrje për veprime të menjëhershme nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të ri, për një dialog të hapur dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e të drejtave të fëmijës, si dhe punonjësve të drejtësisë (avokatë, prokurorë dhe gjykatës).
The post CRCA: Kodi i ri Penal nuk mbron fëmijët nga krimet se*suale online appeared first on Gazeta Si.