Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 August 2025KultPlus

BBC shtyn në minutën e fundit dokumentarin për Ozzy Osbourne

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:40

Dokumentari i shumëpritur “Ozzy Osbourne: Coming Home”, që ishte planifikuar të transmetohej më 18 gusht, është shtyrë vetëm pak orë para shfaqjes. Vendimi erdhi pas kërkesës së familjes së artistit, që u nda nga jeta më 22 korrik 2025.

Në një deklaratë zyrtare, BBC-ja bëri të ditur se dokumentari nuk do të shfaqet në këtë moment, ndërsa një datë e re pritet të konfirmohet së shpejti.

Filmi dokumentar sjell një portret intim të viteve të fundit të jetës së legjendës së muzikës rock. Ai përfshin përballjen e Ozzy-t me sfidat shëndetësore, rikthimin e tij në Britani, si dhe performancën e tij të fundit me Black Sabbath, më 5 korrik 2025 në Birmingham.

Fillimisht i konceptuar si një seri me disa episode, projekti u rikonceptua në një dokumentar një-orësh për të përmbledhur jetën dhe trashëgiminë e Osbourne në një format më të drejtpërdrejtë. Mediat britanike raportojnë se ndryshimet në tonin e dokumentarit dhe përqendrimi tek momentet e fundit të jetës së tij kanë ndikuar në vendimin për shtyrje.

Dokumentari mbetet një reflektim emocional mbi jetën e Ozzy Osbourne – jo vetëm si ikonë e muzikës, por edhe si bashkëshort, baba dhe njeri në betejë me kohën. Fansat në mbarë botën do të duhet të presin edhe pak për ta parë këtë kapitull përmbyllës të historisë së një legjende./KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by REX/Shutterstock (9708981av) Ozzy Osbourne Download Festival, Day 3, Donington Park, Castle Donington, UK – 10 Jun 2018

Victoria Beckham rrëfen presionin e famës

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:20

Pas më shumë se tre dekadash në qendër të vëmendjes, Victoria Beckham ka vendosur të flasë hapur për çmimin që ka paguar fama. Në një dokumentar të ri të Netflix, që pritet të publikohet në shtator, ish-anëtarja e Spice Girls zbulon se vitet ’90 i sollën jo vetëm sukses, por edhe një presion të jashtëzakonshëm nga mediat dhe publiku.

Mes emocionesh dhe lotësh, Victoria kujton episodet më të vështira të karrierës së saj, përfshirë momentin kur në vitin 1999 u detyrua të peshohej live në televizion, vetëm dy muaj pas lindjes së djalit të saj, Brooklyn. “Ishte e tmerrshme, ndihej si një gjykim publik mbi trupin tim,” shprehet ajo.

Kritikat dhe presioni i pandërprerë e shtynë drejt një regjim të rreptë jetese. Për më shumë se 25 vite, Victoria ka ndjekur një dietë tepër të kufizuar, duke konsumuar vetëm peshk dhe perime të ziera, gjë që e ka konfirmuar edhe bashkëshorti i saj, David Beckham. “E vetmja shkelje e vogël? Një gotë tequila,” thotë me ironi stilistja britanike.

Dokumentari pritet të zbulojë anën e padukshme të një ikone që, pavarësisht imazhit të saj perfekt, ka luftuar për dekada me pasiguritë dhe pritshmëritë e rënda të famës./KultPlus.com

Yesterday — 19 August 2025KultPlus

Arkivi i Marubëve, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:00

Më 19 gusht, në Ditën Botërore të Fotografisë, Shqipëria ka marrë një njohje të rëndësishme ndërkombëtare: arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit, që ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, është përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore të UNESCO-s.

Ky vlerësim e ngre më lart trashëgiminë vizuale dhe kulturore të vendit, duke e renditur fotografinë e Marubëve përkrah disa prej dokumenteve më të çmuara të historisë botërore.

Muzeu “Marubi” theksoi se kjo është një njohje historike jo vetëm për artin e fotografisë shqiptare, por edhe për kujtesën e shoqërisë sonë, pasi shkrepjet e Marubëve mbajnë gjurmë të pazëvendësueshme të jetës, historisë dhe identitetit kombëtar.

UNESCO publikoi listën e 74 objekteve të reja të trashëgimisë dokumentare të përfshira në Regjistrin Ndërkombëtar të Memorisë së Botës për vitin 2025, ku tashmë gjendet edhe pasuria e arkivit Marubi.

Ky moment përkon me Ditën Botërore të Fotografisë, duke e bërë këtë përvjetor një ditë të veçantë për Shqipërinë dhe kulturën e saj./KultPlus.com

Prishtina 2030 – Kryeqyteti gati për Lojërat Mesdhetare

By: Kult Plus
19 August 2025 at 22:15

Sipas një njoftimi të publikuar nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, kryeqyteti dhe gjithë Kosova kanë hyrë në një kapitull të ri historik: përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Në postimin e tij, Rama thekson se kjo ngjarje nuk është vetëm një organizim sportiv, por një projekt madhor që do të shënojë zhvillim, afirmim dhe një mundësi unike për ta vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, transmeton KultPlus.

Ai bën të ditur se, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mbajtur takimi i parë për funksionalizimin e Komitetit Organizues të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG). Ky hap i rëndësishëm shënon fillimin e punës së koordinuar për organizimin e një ngjarjeje që pritet të jetë ndër më të mëdhatë të mbajtura ndonjëherë në vend.

Rama shton se me udhëzimet dhe mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, organizimi i këtyre lojërave do të udhëhiqet nga profesionalizmi, efikasiteti dhe vizioni afatgjatë. Përtej sportit, projekti pritet të sjellë zhvillim urban, të forcojë promovimin kulturor dhe të shfaqë para botës mikpritjen dhe energjinë e qytetit.

Në vitin 2030, Prishtina do të mirëpresë sportistë dhe vizitorë nga e gjithë hapësira mesdhetare, duke e shndërruar kryeqytetin në një qendër të bashkëpunimit dhe festës sportive.

“Prishtina është gati ta mirëpresë botën mesdhetare në vitin 2030.” – përfundon Rama./KultPlus.com

Himara International Music Festival: Muzikë, turizëm dhe artistë të rinj në bregdetin shqiptar

By: Kult Plus
19 August 2025 at 22:05

Qyteti bregdetar i Himarës nga 21 deri më 28 gusht do të mikpresë edicionin e katërt të Himara International Music Festival.

Ky festival është një ngjarje e rëndësishme kulturore që po kthehet në një traditë të çmuar për artdashësit shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Festivali do të zhvillohet në sallën “Neço Muko” dhe do të ofrojë shtatë netë koncertesh të pasura dhe të larmishme, duke përfshirë flamenco, jazz, muzikë klasike, kontemporane, si dhe një platformë për artistët e rinj dhe masterklasse për muzikantët në zhvillim.

Artistë nga Shqipëria, Kosova, Franca, Gjermania, Austria, Spanja, Finlanda dhe Hungaria do të performojnë në skenën e festivalit, duke sjellë energji, eksperiencë dhe një frymë ndërkombëtare në zemër të bregdetit shqiptar.

Vizioni i festivalit mbështetet në pesë shtylla kryesore: Promovimi i Himarës dhe trashëgimisë kulturore të saj; ekselenca artistike; mesazhe reflektuese për fenomenet shoqërore; krijimi i hapësirave për artistët e rinj dhe afërsia me publikun përmes një programi të larmishëm dhe tërheqës, shkruan atsh.

Me një kombinim të pasur stilistik dhe përfaqësim të gjerë gjeografik, Himara International Music Festival IV premton të sjellë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

“Vështrime të reja” – ekspozitë nga Lum Hajrullahu dhe Festa Ramoja në Europe House Prishtinë

By: Kult Plus
19 August 2025 at 21:39

Më 20 gusht 2025, në ora 19:00, hapet ekspozita “Vështrime të reja” në hapësirat e Europe House Prishtinë, ku do të prezantohen punimet e dy artistëve të rinj: Lum Hajrullahu dhe Festa Ramoja.

E kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, kjo ekspozitë përfaqëson një ftesë për të parë botën nga këndvështrimi i gjeneratës së re – të pasur me energji, sinqeritet dhe imagjinatë.

“Vështrime të reja” sjell dy perspektiva unike që, ndonëse të ndryshme në formë dhe në shprehje, takohen në thelb përmes një qasjeje të përbashkët: kërkimit të kuptimeve të reja dhe shpërfaqjes së ndjeshmërisë rinore. Në punimet e ekspozuara, vizitorët do të gjejnë momente intime e njerëzore, por edhe peizazhe të gjera që shkojnë përtej të dukshmes, duke reflektuar një intensitet të papërpunuar të shikimit rinor./KultPlus.com

Eurovision 2026 prezanton logon e re, fansat reagojnë me kritika

By: Kult Plus
19 August 2025 at 21:20

Për herë të parë që nga viti 2015, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka zbuluar logon e re të Eurovisionit, e cila do të përdoret nga edicioni i vitit 2026 e më tej.

Në dizajnin e ri, zemra ikonike mbetet në qendër, por logoja është modernizuar me fontin “Singing Sans” dhe shkronja “E” nuk është më e madhe si më parë. Pamja e re është krijuar nga studion britanike PALS, e cila ka punuar edhe në identitetin vizual të Eurovision 2023, transmeton KultPlus.

Drejtori i konkursit, Martin Green, e përshkruan logon si “E guximshme, e gjallë dhe plot zemër”, duke theksuar rëndësinë e saj për platformat digjitale dhe mbrojtjen globale të markës.

“Eurosong ka qenë gjithmonë një evolucion muzikor, kulturor dhe krijues. Ky rifreskim është një nderim për 70 vitet e jashtëzakonshme dhe një hap drejt së ardhmes.”,tha Green.

Megjithatë, ndryshimi nuk është pritur mirë nga fansat, të cilët kanë reaguar me kritika në rrjetet sociale: “Kthehuni te logoja e vjetër”, “Duket sikur është bërë nga një fëmijë” dhe “Nuk është as Disney Channel, as konkurs për fëmijë – logoja e vjetër ishte më e mirë”./KultPlus.com

Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin e ri me Netsky

By: Kult Plus
19 August 2025 at 20:39

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka njoftuar projektin e saj më të ri muzikor, në bashkëpunim me producentin e njohur belg Netsky.

Kënga titullohet “Light That Leads Me” dhe është prezantuar gjatë verës në disa festivale ndërkombëtare, por do të publikohet zyrtarisht këtë të premte.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm drum and bass me të jashtëzakonshmin @netskyofficial. Shpresoj ta pëlqeni po aq sa e dua unë”, ka shkruar Bebe në InstaStory.

Ky bashkëpunim sjell një kombinim mes stilit energjik të Netsky dhe vokalit karakteristik të Rexhës, duke u cilësuar tashmë si një projekt me potencial për hit ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Heroina e Nebraskës’, kur guximi fiton mbi çdo kërcënim

By: Kult Plus
19 August 2025 at 20:10

Shkruan Albert Vataj

Më 12 janar 1888, pllajat e Nebraskës u zgjuan si çdo ditë tjetër dimri. Qielli ishte i kthjellët, ajri i butë, dhe fëmijët shkonin në shkollë pa pallto, të paditur për dramën që do t’i përpinte orë më vonë. Por në mesditë, qielli u mbyll si një perde e rëndë, dhe nga Kanadaja zbriti një mur i bardhë që rrëzonte gjithçka përpara. Ishte stuhia famëkeqe e borës, “Schoolhouse Blizzard”, një nga më të egërat që kishte njohur ndonjëherë Amerika qendrore.

Në një shkollëz të vetmuar në Mira Valley, mësuesja 19-vjeçare, Minnie Freeman, qëndronte përballë së pamundurës. Çatia dridhej, bora shpërthente përmes derës, ndërsa trembëdhjetë fëmijë e shikonin me sy të mpirë nga frika. Shpresa e shpëtimit nuk ekzistonte. Të priturit ishte njësoj me ngadalësinë e ngricës që nguros jetën.

Atëherë ndodhi ajo që historia e quan heroizëm, por që në thelb është diçka më e thellë: ndjenja e përgjegjësisë njerëzore për të tjerët. Minnie mori një litar, i lidhi fëmijët bashkë, i mbështolli me çdo shall e batanije që mundi dhe, duke marrë frymë thellë, hapi derën për të hyrë në zemër të stuhisë. Çdo hap ishte një betejë me erën që gërryente, me borën që verbonte, me vdekjen që priste në çdo kthesë të padukshme të rrugës.

Por, pas një përjetësie të lodhshme, një hije u shfaq: një shtëpi ferme. Dhe brenda saj, jeta triumfoi mbi acarin. Të trembëdhjetë fëmijët mbijetuan, dhe bashkë me ta, edhe dinjiteti i guximit njerëzor.

Lajmi për aktin e saj përshkoi Amerikën. Gazetat e pagëzuan “Heroina e Nebraskës”. Letra, dhurata dhe këngë si Thirteen Were Saved e ngritën në piedestalin e kujtesës. Por, më shumë se titujt dhe lavdet, ajo që mbeti ishte shembulli: si një vajzë 19-vjeçare, e brishtë në dukje, u bë kala shpëtimi për fëmijët e saj.

Në një stuhi që mori mbi 230 jetë, guximi i Minnie Freeman nuk është thjesht një kapitull i historisë amerikane. Është një dëshmi e përjetshme se heronjtë lindin në çastet kur përgjegjësia për të tjerët bëhet më e madhe se frika për veten.

Kjo histori na kujton se nuk janë gjithmonë të mëdhenjtë, të fuqishmit apo të pushtetshmit që e mbajnë peshën e botës. Nganjëherë është një vajzë e re, me një litar të thjeshtë në dorë, që vendos të mos dorëzohet, dhe në atë akt të vogël, shkruhet madhështia e shpirtit njerëzor./KultPlus.com

Nënë Tereza në Rinas, 1989 – Puthi tokën shqiptare pas dekadash pritje

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:49

Në gusht të vitit 1989, pas shumë refuzimeve të vizës nga autoritetet komuniste, Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë, me dëshirën “…për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë”. Në aeroportin e Rinasit, ajo u ul në gjunjë dhe preku me puthje tokën e atdheut, për herë të parë pas më shumë se gjashtë dekadash largimi.

Gjatë qëndrimit disa ditor, shenjtorja shqiptare vizitoi varrezat e Tiranës, ku preheshin nëna e saj Drandja dhe motra Age, të cilat nuk i kishte parë që prej vitit 1928, kur ishte larguar nga familja.

Vizita u dokumentua nga fotoreporteri francez Michel Setboun, i cili ndoqi më pas edhe kremtimin e meshëve të para në Tiranë dhe Shkodër, në mars 1991, pas rënies së ateizmit shtetëror./KultPlus.com

RAVE mbyll verën me një super-eveniment në Prishtinë

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:27

Një nga netët më të paharrueshme të verës u shënua në kryeqytet, ku organizata RAVE solli një maratonë 14-orëshe muzike elektronike, nga ora 16:00 e pasdites deri në 06:00 të mëngjesit të ditës tjetër.

Evenimenti u zhvillua në dy skena. Në Platonë e Pallatit të Rinisë performuan Hamze, Liburn, Fernando Costantini dhe në kulm, Sven Väth, legjenda e muzikës techno nga Gjermania, i cili për herë të parë solli setin e tij në Prishtinë, duke e mbyllur këtë fazë në mesnatë, shkruan KultPlus.

Pas mesnate, energjia u zhvendos në Sallën e djegur të Pallatit të Rinisë, ku performuan Domenico Rosa, Quest, Adiel dhe Laurine, që e mbylli zyrtarisht këtë natë të gjatë plot ritëm.

Ky super-eveniment shënoi përmbylljen e sezonit veror për RAVE, duke vulosur një verë të mbushur me përvoja të paharrueshme, bashkëpunime të suksesshme dhe një publik gjithnjë në rritje./KultPlus.com

Romani “ë” i Jehonë Kicaj, mes 20 veprave në garë për Çmimin Gjerman të Librit

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:11

Shoqata e Botuesve Gjermanë ka shpallur listën e gjatë të veprave që garojnë për Çmimin Gjerman të Librit, një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë gjermanofolëse, me vlerë 25 mijë euro.

Mes 20 autorëve të përzgjedhur nga 200 romane të dorëzuara, është edhe Jehona Kicaj, e lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen të Gjermanisë. Romani i saj me titull “ë”, botuar nga shtëpia botuese Wallstein, trajton dhimbjen e mërgimit dhe pasojat e luftës së Kosovës, duke i dhënë zë kujtimeve të humbura dhe plagëve të pashëruara.

Krahas Kicajt, në listë janë edhe autorë nga Gjermania veriore si Gesa Olkusz (Bremerhaven), Peter Wawerzinek (Rostock) dhe Feridun Zaimoglu (Kiel).

Lista e shkurtër me gjashtë romane do të shpallet më 16 shtator, ndërsa fituesi do të shpallet më 13 tetor, në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt./KultPlus.com

MKRS për aktakuzën mbi “Sarajet e Vjetra”: Dëmi i shkaktuar është i pakthyeshëm

By: Kult Plus
19 August 2025 at 18:25

Në Ministrinë e Kulturës sot u mbajt një konferencë për media nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për rrënimin e ish-kompleksit “Sarajet e Vjetra”, i cili kishte mbrojtje të përhershme ligjore si aset i trashëgimisë kulturore.

Bislimi tha se ministria mirëpret veprimin e prokurorisë dhe e vlerëson si hap drejt parandalimit të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në vend. Ai theksoi se dëmi material për restaurimin e kompleksit do të kapte shifrën e 15 milionë eurove, por humbja e vlerave autentike është e pakthyeshme dhe e pamatshme, përcjellë KultPlus.

Sekretari nënvizoi se MKRS po zbaton një program masiv të konservimit dhe restaurimit, por edhe ka shtuar masat inspektuese dhe bashkëpunimin me Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin për t’i çuar para drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit.

“Nga masat ligjore nuk përjashtohet askush, qoftë zyrtarë lokalë apo qendrorë. Çdo ndërhyrje pa leje në asetet e trashëgimisë do të procedohet penalisht,” tha Bislimi.

Ai shtoi se MKRS ka proceduar raste të ngjashme edhe në komunat tjera dhe i bëri thirrje prokurorive të veprojnë me urgjencë./KultPlus.com

Nga Marilyn Monroe te Joan Crawford: Bizhuteritë e kostumit më mahnitëse në Hollivud

By: Kult Plus
19 August 2025 at 17:55

Të krijuara me materiale të lira dhe gurë të rremë, këto bizhuteri të jashtëzakonshme janë veshur nga yjet më glamuroze të botës gjatë epokës së artë të Hollivudit, nga Joan Crawford te Liberace. Një libër i ri eksploron historinë e këtyre stolive të veçanta.

Të gjithë e dimë se një varëse, një byzylyk apo një palë vathë tërheqës mund të plotësojnë një veshje, por shpesh harrojmë se, para se të shfaqeshin bizhuteritë e kostumit, këto ishin opsione vetëm për ata me gjendje të mirë financiare. Më parë, “gratë ose mbanin bizhuteri të shtrenjta ose nuk mbanin fare,” thotë historiania e bizhuterive Carol Woolton, autore e librit të ilustruar “Costume Jewelry” i botuar nga Taschen.

Bizhuteritë e kostumit, domethënë, ato të krijuara me materiale të lira ose gurë imitim, lindën si rezultat i disa faktorëve, veçanërisht ndikimit të Luftës së Dytë Botërore në disponueshmërinë e materialeve dhe ndryshimit të pozitës së gruas në shoqëri. Dhe megjithëse u nisën nga dizajnerët evropianë, ato lulëzuan në SHBA.

“Mendoj se në Amerikë u mirëpritën më shumë, sepse nuk ekzistonte ideja e trashëgimisë në bizhuteri, e rrënjosur thellë në Evropë,” thotë Woolton. “Gratë evropiane ishin mësuar të mbanin bizhuteri familjare ose t’i merrnin dhuratë në momente të rëndësishme të jetës, por në Amerikë ekzistonte një liri.”

Ndikimi i Hollivudit ishte i jashtëzakonshëm. Kur yje të filmit si Marilyn Monroe filluan të mbanin bizhuteri të kostumit në ekran dhe jashtë tij, ato u shndërruan në objekte shumë të dëshirueshme dhe të përballueshme, të veshura nga të gjitha gratë, nga shoqëruese të shoqërisë së lartë te sekretaret.

Coco Chanel ishte ndër të parat që i dha art bizhuterive të kostumit. Byzylykët ikonë me Kryqin Maltez, ku gurë të çmuar vendoseshin në metal të thjeshtë të mbuluar me smalt të bardhë, ishin revolucionarë për kohën. Chanel krijoi bizhuteri që nuk ishin imitime të atyre të shtrenjta, por të bukura në vetvete. Ajo kombinonte kopjen me të vërtetën, dhe e përfundonte çdo veshje me një theks elegant si vargje perlash false apo copa me ngjyra të ndritshme prej xhami dhe metali të artë.

Schiaparelli e pa bizhuterinë si një formë arti. Ajo bashkëpunonte me artistë si Jean Schlumberger dhe Salvador Dalí për të krijuar pjesë unike dhe lozonjare. Përdorte gjithçka: nga guacka, pisha, pupla struci, deri te patina me rrota. Çdo gjë mund të shndërrohej në një ornament të mrekullueshëm.

Miriam Haskell prodhoi disa nga bizhuteritë më të rafinuara të kostumit ndonjëherë. Punimet e saj artizanale, shpesh me filigran të hollë dhe punë me rruaza, u pëlqyen shumë në Hollivud. Joan Crawford i vishte shpesh dhe madje pozoi për fushata publicitare të saj. Ajo ishte e para dizajnere që kishte pika shitje në Saks Fifth Avenue dhe Harvey Nichols.

Eugene Joseff u bë sinonim me bizhuteritë e ekranit të madh. Ai dizajnoi për filma si “Gone with the Wind” dhe Ben-Hur, dhe krijoi një metal mat që nuk pasqyronte dritën e fortë të studiove. Bizhuteritë e tij ishin me qira për studiot, dhe ai ndërtoi një arkiv të pasur që u shndërrua në koleksione të shitura për publikun.

Nën drejtimin e Alfred Philippe, Trifari prodhoi bizhuteri të rafinuara si kjo spilë me stil “fruit salad”, një interpretim më i lirë i stilit të Cartier. Ai eksperimentoi me materiale si Lucite dhe krijoi ‘jelly bellies’, kafshë të vogla me trupa transparentë dhe pjesë të zbukuruara.

E lindur në Austri, Hattie u bë një ikonë e modës në SHBA. Filloi të prodhonte bizhuteri të frymëzuara nga arti afrikan dhe natyra, si kafshë dhe krijesa detare. Klientela e saj përfshinte yje si Tallulah Bankhead dhe figura të larta të shoqërisë si Dukesha e Windsor.

I njohur për humorin dhe shoqërinë e tij me të famshëm, Kenneth krijoi bizhuteri për Audrey Hepburn, Jackie Kennedy dhe madje edhe Princeshën Margaret. Pjesët e tij ishin kopje të bukura dhe të lezetshme të bizhuterive të shtrenjta, ai madje e quajti autobiografinë e tij Fabulous Fakes.

Me një të kaluar në Tiffany dhe Cartier, William de Lillo krijoi bizhuteri për të dy gjinitë gjatë viteve ’60. Përdori materiale luksoze si koral, turkez, lapis lazuli dhe jade, dhe më pas dizajnoi për shtëpitë e mëdha si Chanel, Schiaparelli, Nina Ricci dhe YSL. Klientët e tij përfshinin Elizabeth Taylor dhe Baronessen de Rothschild.

Fillimisht kantautore, Wendy u bë e famshme në vitet ’70 me “Wristy”, byzylykë të mbushur me figura porcelani, perla false dhe kristale. Ajo dizajnoi për Oscar de la Renta dhe Disney, dhe krijimet e saj të guximshme u pëlqyen nga ikona si Cher, Liberace dhe Prince.

Bizhuteritë e kostumit, të lindura nga nevoja, krijimtaria dhe ndryshimet sociale të shekullit XX, u kthyen në simbole stili, personaliteti dhe emancipimi femëror. Ato u liruan nga kufizimet e çmimit dhe pasurisë, duke i dhënë çdo gruaje, pavarësisht prejardhjes apo pozitës, mundësinë të shprehte veten nëpërmjet artit të zbukurimit.

Nga eleganca e Coco Chanel dhe imagjinata surrealiste e Schiaparellit, te magjia hollivudiane e Joseff-it dhe ekstravaganca e Kenneth Jay Lane, këta dizajnerë revolucionarë krijuan jo vetëm stoli, por edhe një mënyrë të re të të menduarit për bukurinë dhe modën.

Bizhuteritë e kostumit nuk ishin më vetëm “kopje të lira”, por u bënë pjesë e pandarë e historisë së artit, kulturës pop dhe identitetit femëror. Ato vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot, duke dëshmuar se bukuria nuk matet me çmim, por me stil, guxim dhe krijimtari./BBC/KultPlus.com

Dua Lipa: “Unë e dua dashurinë” – Shkëlqen edhe në “Icons Issue” të Harper’s Bazaar

By: Kult Plus
19 August 2025 at 17:12

E fejuar rishtazi dhe në kulmin e karrierës së saj, Dua Lipa nuk po ndalet së surprizuari publikun. Krahas turneut botëror me albumin “Radical Optimism”, këngëtarja shqiptare është pjesë e edicionit të shtatorit të revistës prestigjioze Harper’s Bazaar, të njohur si “Icons Issue”. Fotosesioni glamuroz është realizuar në Paris nga fotografi i njohur Anthony Seklaoui, ku Lipa shfaqet më ikonike se kurrë.

Në intervistën e saj të fundit, Lipa flet hapur për muzikën dhe jetën personale. “E dua dashurinë. Është e bukur, frymëzuese, ndonjëherë e frikshme, por unë jam gati ta përqafoj. Jam më e lumtur se kurrë,” thotë ajo, duke iu referuar romancës me aktorin britanik Callum Turner.

E lindur në Londër nga prindër kosovarë dhe e rritur mes dy kulturave, Dua Lipa është shndërruar në një nga ikonat më të rëndësishme të muzikës dhe modës botërore. Përveç muzikës që ka pushtuar listat ndërkombëtare, ajo është fytyrë e markave të mëdha si Versace, YSL Beauty, Chanel dhe tashmë konfirmon statusin e saj si një figurë globale tërësisht të kompletuar.

Edicioni i shtatorit i Harper’s Bazaar është ndër më të rëndësishmit të vitit në botën e modës, duke përzgjedhur personalitete që konsiderohen vërtet ikona të kohës sonë dhe Dua Lipa është padyshim njëra prej tyre./KultPlus.com

Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Gonxhja: Një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve

By: Kult Plus
19 August 2025 at 16:50

Në Vuno, Himarë do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve,  një projekt që sjell në atdhe kujtesën, kulturën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur gjuhën dhe traditat për më shumë se pesë shekuj larg Shqipërisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja inspektoi hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve.

“Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Ky muze do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin shpirtëror e kulturor me komunitetet arbëreshe në Itali”, theksoi Gonxhja.

I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara.

“Ky restaurim i kishave si dh ngritja e muzeut do ta kthejnë zonën në një ansambël mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itinerareve”, tha Gonxhja.

Gonxhja vuri në dukje se “ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e turizmit historik e kulturor përtej sezonit të plazhit dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e kulturore, por edhe të angazhimit të komunitetit”.

Ky muze, sipas ministrit Gonxhja është një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.

Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish-shkollën 8-vjeçare në Vuno, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshësh, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.

Muzeu do të shërbejë gjtihashtu si një  pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno./atsh/KultPlus.com

“Burri i Shtëpisë” nga Andamion Murataj me premierë botërore në Festivalin e Sarajevës

By: Kult Plus
19 August 2025 at 16:40

Filmi “Burri i Shtëpisë”, me skenar dhe regji nga Andamion Murataj, ka premierën botërore sonte në edicionin e 31-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, një prej ngjarjeve më prestigjioze të kinemasë në rajon dhe më gjerë.

Ky film debutues i Muratajt është përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadër të programit Competition Programme – Feature Film Out of Competition.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët: Drita Kaba Karaga, Alesia Ruçi, Bislim Muçaj dhe Astrit Alihajdaraj.

Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Ministero della Cultura, ÖFI – Österreichisches Filminstitut, Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski audiovizualni centar (HAVC), North Macedonia Film Agency, Eurimages, si dhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./KultPlus.com

‘The Sun’: Turistët britanikë i drejtohen Rivierës Shqiptare, ‘Ryanair’ rrit fluturimet javore

By: Kult Plus
19 August 2025 at 16:29

Riviera Shqiptare në jug të Shqipërisë ka plazhet më të bukura, shkruan Kara Godfrey në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”.

Ksamili mbetet një nga atraksionet më të vlerësuara të Shqipërisë – i cili është quajtur “Maldivet e Evropës” falë ujërave të tij të kristalta dhe kasolleve të plazhit mbi ujë.

Ai ndodhet rreth katër orë larg nga Tirana, dhe mënyra më e lehtë për të arritur atje është me makinë.

Plazhi i Ksamilit, është një gadishull i vogël me rërë të bardhë dhe ujëra blu të ndritshëm, me ishuj të vegjël që mund t’i vizitoni me një kanoe ose një varkë të vogël.

Është si një plazh tropikal, por në Evropë!

Gjithashtu, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një destinacion pushimi, duke qenë një vend i njohur për “pushime në qytet”.

Vitin e kaluar, Bordi Turistik Shqiptar njoftoi se mbi 8,3 milionë turistë vizituan Shqipërinë në vitin 2023 – katër milionë më shumë vizitorë se në vitin 2022.

Michael O’Leary, CEO i “Ryanair” tha se kjo ishte e vetmja linjë ajrore me çmime vërtet të ulëta që ofronte fluturime për/në dhe nga Shqipëria.

“Që nga nisja e fluturimeve tona të para në Shqipëri në nëntor 2023, “Ryanair” ka punuar ngushtë me partnerët tanë në Aeroportin e Tiranës për të arritur objektivat, e cila parashikohet të transportojë mbi 4 milionë pasagjerë në vitin 2026″, shtoi ai.

“Me fillimin e fluturimeve në Shqipëri në nëntor 2023, ekipi i “Ryanair” erdhi me sloganin “Revolucioni i Çmimeve të Ulëta” në Shqipëri”, tha drejtori i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës, Piervittorio Farabbi.

“Duke filluar nga sezoni i ardhshëm veror, do të ketë shumë më tepër mundësi për të eksploruar botën nga Tirana dhe për ta ekspozuar Shqipërinë turistike ndaj më shumë vendeve”, shtoi ai.

Kompania ajrore “Ryanair” do ta bëjë edhe më të lehtë udhëtimin drejt destinacionit të quajtur “Maldivet e Evropës”.

Linja ajrore me kosto të ulët konfirmoi se po hap një bazë me tre avionë në Aeroportin e Tiranës në Shqipëri.

Nga prilli i vitit 2026, do të nisin 10 itinerare të reja nga aeroporti, duke përfshirë fluturime të reja nga Birminghami.

Dublini, Verona, Malta dhe Milano janë ndër linjat e tjera.

Dhe fluturimet nga Londra do të shtohen gjithashtu, me linjat që tashmë janë në dispozicion.

Shtesat e reja do të nënkuptojnë 450 fluturime javore në 33 itinerare.

Planet e mëtejshme përfshijnë shtimin e tre avionëve të tjerë në Tiranë, duke e çuar numrin e tyre në gjashtë, me më shumë se pesë milionë pasagjerë në vit.

Fluturimet nga prilli i vitit 2026 nëpërmjet Birminghamit do të kenë një kosto duke filluar nga 50 paund.

Gjithashtu, kompania ajrore “Wizz Air” do të lançojë këtë vit, fluturime direkte nga Aeroporti i Londrës Gatwick për në Tiranë. Itineraret e reja do të lançohen nga tetori për vetëm 19,99 paund. 

Zbulohen gjurmë të një qyteti antik ilir në Bushat, Rama: Shkodra pasurohet me një sit të ri arkeologjik

By: Kult Plus
19 August 2025 at 16:02

Gjurmë të një qyteti antik ilir janë zbuluar në Bushat të Shkodrës, duke e pasuruar këtë qytet me një sit të ri arkeologjik. Lajmin e bën me dije kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto nga gërmimet arkeologjike që po kryhen. Qyteti antik ilir daton në shek. IV p.e.s.

Kryeministri bën me dije se, përmes në bashkëpunimi institucional, po hartohet edhe zonifikimi arkeologjik për administrimin e këtij siti.

Qarku i Shkodrës pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat, ku gërmimet shqiptaro–polake kanë zbuluar gjurmë të qytetit antik ilir të shek. IV p.e.s. Falë bashkëpunimit ndërinstitucional po hartohet edhe Zonifikimi Arkeologjik për administrimin e kësaj pasurie të çmuar kulturore”, shkruan Rama.

Gërmimet arkeologjike kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza. Ato po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.

Arkeologët kanë zbuluar dy porta hyrëse, shtrirjen e qytetit dhe elementë të organizimit urban, që sipas datimeve paraprake i përkasin gjysmës së shekullit IV p.e.s. Gërmimet e fundit janë fokusuar në qytetin e sipërm, duke hedhur dritë mbi urbanistikën dhe zhvillimin e tij.

Vdes Joe Caroff, dizajneri i posterave të filmave ikonikë

By: Kult Plus
19 August 2025 at 15:29

Joe Caroff, dizajneri grafik përgjegjës për logon e pistoletës 007 dhe posterat e panumërt të filmave klasikë ka vdekur në moshën 103-vjeçare, shkruan theguardian.com.

Joe Caroff, puna e të cilit mund të shihet në postera për filma të tillë si ”West Side Story”, ”A Hard Day’s Night”, ”Last Tango in Paris”, ”Cabaret”, ”Manhattan” dhe ”The Last Temptation of Christ”, vdiq të dielën, sipas djemve të tij, Peter dhe Michael Caroff.

Caroff punoi në më shumë se 300 fushata reklamuese gjatë karrierës së tij, por dy detyrat e tij të para rezultuan të ishin ndër më të qëndrueshmet dhe fitimprurëset.

Ekzekutivi i ”United Artists”, David Chasman, fillimisht e punësoi atë për të dizajnuar posterin për ”West Side Story” (1961).

Përshtatja e shkronjave sipas materialit u bë një markë tregtare.

Shembuj të tjerë kryesorë përfshijnë posterin e tij për ”Manhattan” (1979), një nga më shumë se një duzinë bashkëpunimesh me Woody Allen.

Detyra e dytë e Caroff ishte të dizajnonte fushatën reklamuese për filmin e parë të Bond, ”Dr. No”, në vitin 1962.

I frymëzuar nga pistoleta e preferuar e Ian Fleming-ut, një ”Walther PPK”, Caroff shtoi një tytë dhe një këmbëz në imazh dhe u pagua 300 dollarë, një tarifë që nuk u rrit kurrë me asnjë të drejtë autori ose honorar.

Ashtu si me shumicën e punës së tij, logoja nuk u kreditua dhe Caroff nuk mori kurrë vlerësimin publik ose famën e bashkëkohësit të tij të ngushtë, Saul Bass.

Postera të tjerë kryesorë përfshijnë ”A Fistful of Dollars” (1964) dhe ”For a Few Dollars More” (1965) të Sergio Leone, si dhe ”Last Tango in Paris” (1972), “Rollerball” (1975), ”An Unmarried Woman” (1978) dhe “Gandhi” (1982)./  atsh/ KultPlus.com

❌
❌