Normal view

Cili do ta fitojë i pari luftën, Bordi i Paqes apo Bordi i Transparencës?!

By: S M
31 March 2026 at 18:24

Nga Skënder Minxhozi/

Nëse do të njohësh një vend shko e shih varrezat e tij. Kjo është një shprehje e vjetër aksiomatike  e ofruar në formën e një këshille për cilindo që kërkon të njohë shpejt dhe pa harxhuar kohë dhe shojet e këpucëve një vend çfarëdo. Në kontekstin e sotëm të një vendi si ky i yni, i cili lufton ende për të dalë nga këneta plot gropa thithëse e tranzicionit, sfidat janë të panumërta dhe të të gjitha formave e përmasave.  Megjithatë 36 vjet pas rënies së komunizmit ka një mënyrë për të distiluar dhe tkurrur në palcë tabelën e halleve shqiptare. Nuk ka nevojë të shkosh në Sharrë apo Shishtufinë.

Mjafton të verifikosh dy aspekte që kanë të bëjnë jetën e përditshme, madje janë në një farë mënyre thelbi i saj: mallrat ushqimore dhe karburanti që përdorim. Dikur, në mesin e dekadës së shkuar, i thanë një ministri të sapozgjedhur socialist se nëse qeveria e tij do të arrinte t’i ofronte shqiptarëve naftë cilësore dhe ushqim të kontrolluar e me cilësi të lartë, jeta në Shqipëri do ndryshonte si nata me ditën. Natyrshëm përgjigja e ministrit qe pohuese, pasi e tillë ka qenë qasja e të gjithë minstrave kryeministrave, deputetëve e maxhorancave që nga dita e parë e pluralizmit shqiptar.

Ja pra që kanë premtuar në boshllëk që të gjithë. Thënë ndryshe, kanë premtuar por e kanë shkelur rregullisht premtimin. Jemi vendi me karburantin më të keq dhe më të shtrenjtë në rajon. Jemi gjithashtu vendi ku ushqimi kushton gjithashtu shtrenjtë, po aq sa në Greqi e shumë më tepër se në Maqedoni e Kosovë dhe që është më pak i kontrolluar dhe me standarte se i fqinjëve që na rrethojnë. Thënë me fjale të tjera, paguajmë më shumë që të ushqehemi më keq dhe që të drejtojmë automjete që na sëmurin me gazrat që nxjerr nafta e përzier me ujë a Zoti e di çfarë tjetër!

Kjo është një situatë që nuk ka ndonjë lidhje me luftën aktuale. Është normaliteti ynë i përditshëm, jo emergjenca jonë. Është një bashkëjetesë nga halli të cilën e kemi pranuar si shumë sfida të tjera gjatë shtegut të tranzicionit. Është një pranim në heshtje, një vetëdorëzim i cili nga politika trajtohet me nënqeshjen cinike të atij që e di qysh në krye të herës se në një protestë për çmimin e naftës do te dalin vetëm katër veta tek Kryeministria.

Në një hark kohor prej diçka më shumë se pesë vitesh kemi kaluar dy luftra dhe një pandemi. Që të gjitha me pasoja të rënda në ekonominë botërore. Patjetër dhe në ekonominë e brishtë dhe defektoze shqiptare. Brenda pesë vitesh kemi parë sesi mallrat e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm më shpejt dhe më thellë sesa rritja e pagave e pensioneve. Kemi parë sesi nafta preku 2600 lek litrin para tre viteve, ashtu siç ka gjasa të ndodhë sërish së shpejti nëse një luftë idiote e nisur nga verbëria e jo nga vizioni, nuk i ul pushkët dhe topat. Jemi mësuar gradualisht që çmimet në dyqanin e lagjes ta tejkalojnë takatin e kuletës që mbajmë në xhep. Jemi mësuar edhe që naftën ta blejmë kur mundemi në shtetin tjetër, pasi ky i yni megjithëse pret çdo ditë anije e cisterna të mbushura me naftë, ka vendosur ta mbajë çmimin aty ku një amerikani do t’i binin syzet nga habia, po ta shihte tabelën e benzinatës në breg të Lanës. Jemi ndër më të varfërit në Evropë, por për nga të ardhurat, jo për nga çmimet!

Shqipëria ka shumë më tepër halle sesa nafta dhe ushqimi. Por këto duket se janë dy aspekte të jetës së përditshme që shkojnë drejt e në palcën e egzistencës materiale që kushtëzon cilësinë e jetesës për njeriun e thjeshtë në këtë vend. Janë gjithashtu dy ushtrime të komplikuara për shtetin, biznesin dhe hallkat e tjera ndërmjet tyre, pasi kërkojnë vullnet, korrektesë dhe ndershmëri.

Një vend e tregon veten në kohë krize. Eshtë momenti i sprovës ai qe teston te gjithe shoqerine, shtetin, institucionet dhe grupet e interesit. Është momenti i solidaritetit, i empatisë dhe vëmendjes, jo i spekulimit dhe i abuzimit si Grandeja i famshëm i Balzakut, i cili u pasurua gjatë Revolucionit Francez dhe luftrave napoleonike duke blerë vreshta për dy aspra dhe shitur batanije e verë për ushtrinë. Mes Bordit të Paqes që kërkon të zgjidhë luftrat (po jo këtë aktualen) dhe Bordit të Transparencës që kërkon të kapë për flokësh çmimet e naftës në Shqipëri, distanca është e madhe, por rezultati është i ngjashëm. Që të dy kanë dështuar ta fitojnë betejën e tyre.

“Dinosauri” 500 milion dollarë E3 Sentry: Pse aeroplani me radar amerikan i dëmtuar nga Irani është kaq i kushtueshëm?

By: S M
29 March 2026 at 15:18

E3 Sentry ishte simboli i supremacisë teknologjike amerikane në fazën e fundit të Luftës së Ftohtë: tani e gjen veten duke i dhënë fund historisë së saj të gjatë aeronautike në qiellin e Gjirit, i ekspozuar në pistat ndaj raketave iraniane, të cilat dëmtuan njërën prej tyre . Një humbje e konsiderueshme: Pentagoni kishte dërguar gjashtë në Arabinë Saudite , për të koordinuar një ofensivë ajrore që supozohej të përfundonte brenda pak ditësh. Ky gjigant i plagosur, që kushtonte gati gjysmë miliardi euro, duket se simbolizon të metat e makinës luftarake amerikane, e paaftë për të nënshtruar Republikën Islamike.

Shpesh i quajtur AWACS —shkurtim për Sistemin e Paralajmërimit dhe Kontrollit të Hershëm Ajror —dhe lehtësisht i dallueshëm nga disku i madh i zi me diametër nëntë metra i montuar në trup, ky modifikim ushtarak i kuadkopterit Boeing 707 ishte një makinë e jashtëzakonshme kur hyri për herë të parë në shërbim në vitin 1977: një qendër mbikëqyrjeje fluturuese që monitoronte hapësira të gjera. Karakteristika e tij unike ishte aftësia për të dalluar edhe avionë dhe raketa që fluturonin ulët, të cilat i shpëtonin radarit tokësor. Në bord, trembëdhjetë operatorë para ekraneve koordinonin lëvizjet e skuadriljeve dhe armëve kundërajrore. Kur hyri në shërbim, BRSS nuk kishte asgjë të ngjashme me të: dhe edhe sot, rusët nuk kanë arritur të prodhojnë një sistem konkurrues , me pasoja serioze në operacionet e tyre në Ukrainë.

Deri në vitin 1992, Shtetet e Bashkuara kishin blerë 68 prej tyre. 18 të tjerë u blenë nga NATO, me ekuipazhe shumëkombëshe që përfshinin personel italian dhe një bazë të avancuar në Trapani. Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite gjithashtu i përvetësuan ato. Ka pasur disa programe për të përmirësuar pajisjet në bord, duke zëvendësuar kompjuterët dhe radarin me tranzistor të viteve 1970, të cilat dyfishuan koston fillestare prej 270 milionë dollarësh për avion : ndërhyrje aq të kushtueshme sa Uashingtoni hoqi dorë nga pjesa më e madhe e flotës. Tani, vetëm gjashtëmbëdhjetë prej tyre mbeten në shërbim, shpesh të lëna jashtë funksionit për mirëmbajtje. Por ato konsiderohen të domosdoshme sepse janë i vetmi instrument i aftë për të koordinuar një mision jashtë vendit: një detyrë e kryer në dy konfliktet me Irakun dhe në operacionet në Kosovë dhe Libi.

Procedurat për zëvendësimin e tyre – siç ka ndodhur shpesh në dekadën e fundit – janë shndërruar në një sagë: u zgjodh Boeing E7 Wedgetail, me një radar skanimi të gjatë e të ngushtë në vend të modelit të vjetër rrethor. Miratimi i tij u vendos në vitin 2022, me dërgesat e planifikuara për vitin 2027. Administrata Trump e anuloi atë për shkak të kostove të tepërta dhe dyshimeve në lidhje me aftësinë e avionit për t’i mbijetuar forcës ajrore kineze: Sekretari i Luftës Pete Hegseth e quajti atë “një sistem që nuk do të na japë asnjë avantazh në të ardhmen”. Disa javë më parë, kontratat për dy E7 u rivendosën, me një investim prej gati 2.5 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, pesha e ofensivës kundër Teheranit ka rënë mbi krahët e këtyre dinosaurëve. Misionet e tyre kryhen nga pistat e Aeroportit Princ Sultan të Arabisë Saudite, i cili tashmë është shënjestruar me sukses tre herë nga Pasdarani. Në misionin e parë, ata çaktivizuan – “përkohësisht”, sipas Trump – pesë tankerë KC135; në të dytin, furnizime të tjera ajrore; dhe së fundmi, dy ditë më parë, një E3 Sentry. Përhapja e konfliktit dhe nevoja për të patrulluar të gjithë Gadishullin Arabik javën e kaluar e detyruan selinë qendrore të dërgonte përforcime: pesë Hawkeyes më të vegjël E2D, që normalisht mbahen në transportues aeroplanësh, arritën në front ditët e fundit nëpërmjet një ndalese në Aviano. Ato janë versioni më i fundit i një veterani tjetër, të ndërtuar që nga viti 2010, të cilat duken veçanërisht të dobishme në zbulimin e dronëve kamikazë Shahed që janë në qendër të luftës bashkëkohore.

LAJMI I FUNDIT/ SHBA pranë tërheqjes nga lufta? Trump: Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona!

By: S M
20 March 2026 at 23:10

Pak minuta me pare presidenti amerikan Donald Trump ka postuar nje mesazh ne rrjetin e tij social, i cili tingellon si nje parlajmerim per nje terheqje te afert te SHBA nga konflikti aktual me Iranin. “Shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit”, shprehet Trump ne mesazh, duke renditur permbushjen e objektivave luftarake qe amerikanet i kishin vene vetes ne kete fushate ushtarake.

Ky mesazh vjen ne momentin kur lufta ne Gjirin Persik ka hyre ne rruge pa krye, me ngushticen e Hormuzit te bllokuar, vendet e Gjirit te goditura rende nga lufta, e mbi te gjithe me regjimin iranian i cili nuk tregon shenja terheqjeje. Rritja e cmimit te naftes mund te jete nje nder motivet kryesore te nje terheqjeje te mundshme amerikane, pasi reagimi i publikut amerikan ndaj rritjes se cmimit te hidrokarbureve ne ditet e fundit ka qene mjaft negativ.

Ja mesazhi i plote i Trump:

 

Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona, ndërsa shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit: (1) Degradimin e plotë të Aftësisë së Raketave, Lëshuesve dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to. (2) Shkatërrimin e Bazës Industriale të Mbrojtjes së Iranit. (3) Eliminimin e Forcave të tyre Detare dhe Ajrore, duke përfshirë Armët Kundër Avionëve. (4) Moslejimin kurrë të Iranit që t’i afrohet Aftësisë Bërthamore, dhe gjithmonë të qenit në një pozicion ku SHBA-të mund të reagojnë shpejt dhe fuqishëm ndaj një situate të tillë, nëse ndodh. (5) Mbrojtjen, në nivelin më të lartë, të aleatëve tanë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë. Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret nga kombe të tjera që e përdorin atë – Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një Operacion Ushtarak i lehtë për ta. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP

Fituam – Po fitojmë – Na dërgoni ndihmë!

By: S M
17 March 2026 at 18:45

Nga Skënder Minxhozi/

Kjo është batuta më e fundit ironike që po qarkullon në rrjet në të gjithë botën, e drejtuar ndaj njeriut më të fuqishëm, presidentit amerikan Donald Trump. Është paradigma e qëndrimit amerikan në harkun e tre javëve luftë me Iranin, të cilat e kanë futur të gjithë botën në një tunel të errët krize dhe pasigurie. Është gjithashtu një dëshmi dëshpëruese e politikës së jashtme të improvizuar të kreut të Shtëpisë së Bardhë, i cili e ka marrë për dore vendin e tij në një konflikt tejet delikat, pa asnjë plan dhe asnjë perspektivë të besueshme zgjidhjeje. Ajetollahu i zëvendësua nga një tjetër ajetollah, ndërkohë që bazat ushtarake amerikane në rajon janë goditur rëndë, Tel Avivi dhe të tjera pjesë të Izraelit po njohin bombardime masive kurse ekonomika botërore ndodhet në pragun e një katastrofe të afërt.

Në tre javë Amerika ka vendosur të shkojë edhe një herë tjetër pas strategjisë së luftës totale në Lindjen e Mesme të Benjamin Netanjahut, duke ju bindur qorrazi projektit të rrëzimit të regjimit të ajetollahëve. Çka po rezulton, me mënyrën sesi merr formë, një gabim trashanik dhe me pasoja fatale për të ardhmen e rajonit por edhe të të gjithë botës.

I mrekulluar me 88 minutat e rrëmbimit të presidentit Maduro në Venezuelë, i dhënë i gjithi pas taktikës së presionit mbi miq dhe armiq, Donald Trump duket se ka ngecur në kënetën e Gjirit Persik njëlloj si paraardhësit e tij në Zyrën Ovale, ndërkohë që askush nuk po tregohet i gatshëm t’i vijë në ndihmë. Edhe pas thirrjeve publike ndaj Kinës(!!!) për t’u përfshirë në zgjidhjen e krizës, edhe pas apelit të përsëritur ndaj aleatëve evropianë, kanadezë, australianë apo japonezë. Të gjithë po i kthejnë shpinën një lufte që SHBA e Izraeli e nisën pa pyetur askënd dhe tani nuk dinë si të dalin nga fati cinik i luftës që kërkuan.

Ishte thënë deri në mërzi që Irani nuk është as Irak dhe as Siri. Aq më pak është Venezuelë apo Kubë. Ishte e ditur se iranianët e kanë perfeksionuar taktikën e luftës asimetrike, ku dronët 10 mijë dollarësh interceptohen nga raketa që shkojnë deri në 3-4 milion dollarë. Ishte e ditur se ata kanë një arsenal raketash balistike që mund të hedhë në erë të gjithë rajonin e më gjerë. E megjithatë Trump u dha pas modelit të fitores së lehtë venezueliane, pa llogaritur se çfarë po bën.

Kjo luftë duhej të zgjaste vetëm pak ditë sipas Presidentit Trump. Ndërkohë titulli i shkrimit përmban edhe evolucionin e qëndrimit të aleatëve izraelo-amerikanë ndaj vetë luftës. Nga fitore e mbaruar në ditën kur fshinë me një valë bombardimesh thuajse të gjithë lidershipin e Iranit, tek fitorja në proces në javën pasardhëse e cila komunikohej përmes gjesteve prej adolëeshenti të sekretarit të luftës Hegseth, e deri tek thirrja javën e tretë për ndihmë ndaj Kinës, Evropianëve e gjithë të tjerëve. Mbeti vetëm Bordi i Paqes pa u thirrur nën armë!

Sulmi ndaj Iranit është një operacion ushtarak tipik nga ata që përmban manuali historik i luftës i Izraelit në Lindjen e Mesme. Një aventurë e radhës ushtarake e cila i shkon për shtat një vendi që i ka sulmuar të gjithë me strategjinë e parandalimit, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar dhe të gjitha konventat e imagjinueshme që mbajnë në këmbë rendin botëror të pas Luftës së Dytë Botërore.

E reja në këtë rast është se kësaj aventure rajonale i është bashkuar edhe Presidenti i Paqes Donald Trump i cili ka muaj që reklamon një çmim Nobel për konfliktet që ka zgjidhur. Kthimi i shpinës i aleatëve, rivalëve e armiqve tregon përmasat e gabimit strategjik që Trump ka bërë duke e futur SHBA e bashkë me të edhe botën në një luftë të paligjshme, të pamenduar dhe me potencialin e një fiaskoje historike.

Konflikti me Iranin mund të zgjidhet artificialisht, ashtu siç nisi. Me një deklaratë nga ato që shpërfillin logjikën dhe ligjet e gravitetit nga presidenti i SHBA. Nga ato deklarata ku ai shpall fitore të padiskutueshme, ku thotë se ka bërë të vetmen gjë të mundshme, pra të sulmojë Iranin dhe të fitojë ndaj tij. Paçka se opinioni pubik botëror do të nisë të qeshë e të shpotisë, është urgjente që të kemi më mirë një skeptakël gënjeshtre sesa një kalvar gjaku dhe krize që nuk dihet kur dhe me çfarë kostosh mbaron. Paçka se tashmë Trump ka hyrë në histori si Presidenti i SHBA që ju drejtua publikisht kinezëve për ndihmë në një konflikt ushtarak! Më mirë t’i përkëdhelet edhe një herë sedra prej fëmije presidentit të SHBA sesa të vuajë e gjithë bota.

Deri në atë moment që vetëm subkoshienca e Donald Trump e di se kur do të vijë, bota mban frymën në pritje të një lajmi të mirë. Përndryshe, nëse konflikti vazhdon, ky ka për të qenë jo vetëm Vietnami i Presidentit Trump por dhe mjerimi i të gjithë planetit.

Ambasadorët i kemi ulur ne në krye të vendit

By: S M
14 March 2026 at 18:35

Nga Skënder Minxhozi/

 

Është hapur një debat për një fenomen të vjetër në Tiranën e politikës dhe mediave. Pse na duhen ambasadorët e huaj në rolin e arbitrit dhe pse nuk rrinë urtë në qoshen e tyre, siç jua përcaktojnë konventat dhe sinoret e zanatit të diplomacisë?! Një pyetje që ka sens por që duket e hedhur në boshllëk, e jo në terrenin konkret të Shqipërisë postkomuniste të 35 viteve të fundit. Ku një fjalë ambasadori shpesh ka ndarë sherre, ka pajtuar kundërshtarë apo ka bërë të tërhiqen trimat nga beteja e radhës në minutën e fundit. Jo se ambasadorët kanë ndonjë pushtet special, por sepse të tillë, arbitra e vendimmarrës i kemi fabrikuar ne shqiptarët me kalimin e viteve.

A ju kujtohet ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas vitit 1990, Uilliam Rajerson? Mori pjesë aktive në fushatën elektorale të opozitës së djathtë dhe e bekoi me shumë entusiazëm rënien e komunizmit dhe ngjitjen në skenë të demokratëve. Pak kohë më pas kreu i opozitës Fatos Nano u burgos dhe shumë fjalë qarkulluan mbi rolin e amerikanëve në atë rast. Dhjetra ambasadorë të vendeve kryesore perëndimore do të shkelnin në gjurmët e Rajerson më pas, duke krijuar një manual të vërtetë fuqie e kompetencash të  pashkruara askund të diplomatëve të Perëndimit në të gjitha punët shqiptare.

Le ta themi hapur qysh në krye: Diplomatët perëndimorë në Tiranë janë stigma 35 vjeçare e një vendi që s’po mëson të ecë me këmbët e veta. Ata kanë qene dhe ende janë valvula e përjetshme e garancisë dhe e shkarkimit sa herë që demokracia e dobët dhe e korruptuar shqiptare del nga rruga e merr arat. Janë rojtarët e paqes dhe ekuilibrit sa herë që i futemi “shtegut të ’97-ës”.

Është një simbiozë e palëvizshme dhe e domosdoshme për sa kohë që sistemi Shqipëri nuk do të arrijë të funksionojë por vetëm të rrëzohet, të hapë kriza dhe të krijojë probleme.

Duke e fokusuar problemin tek ambasadorët kemi fshehur atë që në fakt është fenomeni i vërtetë në raportin me botën e jashtme. Pra faktin e thjeshtë se problemi nuk nis tek ata, por tek ne. Ose më saktë, tek nevoja për mbështetje që politika shqiptare dhe aktorë të tjerë me peshë në jetën tonë publike, kanë pasur rregullisht për faktorin e jashtëm.

Epiqendra e fokusit të elitës tonë 35 vjeçare kanë qenë prej dekadash qendrat e fuqishme vendimmarrëse të Perëndimit, Uashingtoni, Londra, Parisi e Berlini. Diplomatët e tyre këtu kanë qenë zgjatimi më i afërt me këto qendra. Tërheq vëmendje një vizitë e të ngarkuarës me punë të SHBA në zyrën e Ramës, por tërheq ku e ku më tepër vëmendje një dhënie dore e këtij fundit Donald Trumpit në Uashington.

Është politika shqiptare që ka nevojë për vëmendje, legjitimim dhe njohje nga të fuqishmit e Perëndimit, duke i vënë për pasojë edhe të dërguarit e tyre këtu në postin e guvernatorëve të pashpallur. Një prezencë nga e cila ka përfituar Rama, Berisha, Meta, Nano dikur e gjithë ofiqarët e tjerë të tranzicionit.

Është e vërtetë se ambasadorë si Gonzato fjala vjen, apo të tjerë para tij sillen e flasin disa herë si Kryegjyshi i bektashinjve, apo si kryeministra të Shqipërisë, duke i dhënë vetes një peshë më të madhe se ajo që kanë në realitet. Një sjellje që shpesh duket për së largu që anon nga teatri dhe disa herë nga shijet e preferencat personale, e jo nga instruksionet që kanë marrë një natë më parë nga qendra. E megjithatë këtë rol jua kemi dhënë vetë, nuk e kanë dashur ata qysh në krye të herës. Diplomatë të huaj që marrin postin e ambasadorit, pranojnë kur zbresin në Tiranë se në postin paraardhës diku në Azi, Evropë apo Afrikë ata nuk i kishte trajtuar askush me reverancat, vëmendjen dhe temenatë e Tiranës politike e mediatike. Nga gjysëm-anonimë në super yje, tamam si në një sezon të Big Brother.

Në 14 shtatorin e largët të vitit 1998 u vra Azem Hajdari dhe Tirana kaloi në kaos total vetëm një vit pas ngjarjeve të 1997. Opozita e egërsuar në bulevard rrëmbeu dy tanke të Gardës së Republikës, të cilat shkoi e i vendosi në derën e selisë së saj në qendër të Tiranës. Ka hequr shumë ambasadori i OSBE i asaj kohe për të bindur krerët e partisë që të dorëzonin dy tanket në Gardë, pasi ishin bërë objekt krenarie e fotosh me dy gishta për të gjithë opozitarët që rrinin tek kafenetë rrotull selisë së PD. Ja pra që ambasadorët e shkretë paskan mbledhur edhe armë të rënda në dyert e selive të partive shqiptare!

Nuk ka njeri me logjikë bazike që të jetë kundër faktit që diplomatët e huaj në Shqipëri të mbajnë pozicionin për të cilin paguhen nga shtetet e tyre. Pra, të flasin pak ose aspak jashtë kuadrit të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me vendin e tyre dhe kur të kenë diçka për të thënë të marrin makinën e të shkojnë t’ja thonë mendimet e tyre ministrit apo zëvendësministrit të jashtëm, e jo të qendisin deklarata publike prej nga prodhohet barut për topat e politikës e medias.

Këtë bëjnë e rregullisht homologët e tyre shqiptarë në kryeqytetet ku janë akredituar, sepse afërmendsh simetria nuk mund të funksionojë në këtë rast. SHBA, Gjermania apo Franca e Britania e Madhe përcaktojnë ku e ku më tepër në jetën e brendshme të Shqipërisë sesa kemi në rol si shtet në vendet përkatëse.

Madje këtu shkohet edhe në absurd, kur ambasadori britanik për shembull flet për rrezikun që Shqipëria të dëmtojë perspektivën evropiane nëse nuk bën iks apo ypsilon reforma. Një përfaqësues i një vendi që ka dalë me referendum nga Evropa, na tërheq veshin që po largohemi nga Evropa!!!

Ambasadorët e huaj në Tiranë do t’i relativizojë normalizimi i Shqipërisë, konsolidimi i instutciuoneve dhe i ekonomisë së saj, rigoroziteti i zbatimit të ligjit dhe lufta reale kundër korrupsionit. Do të ndodhë pak a shumë siç ndodhi kur u liberalizuan vizat. A e mbani mend sesa të rëndësishme ishin godinat e ambasadave gjatë asaj kohe? Po radhët kilometrike në dyert e tyre? E kujtoni kur po të njihje një konsull në një ambasadë të huaj ishte si të kishe fituar lotarinë? Shikojini sot sa të qeta janë këto seli diplomatike dhe kuptoni sesi mund të relativizohet roli i një përfaqësie diplomatike sa herë që vendi hedh një hap drejt normalitetit.

Kësisoj fenomeni i protagonizmit publik të diplomatëve të huaj në Tiranë nuk është një e keqe as fatale dhe as e përjetshme që na ka rënë mbi krye vetëm ne shqiptarëve e s’na shqitet. Në Romë nuk e njeh askush ambasadorin amerikan, sepse italianët nuk e kanë ambasadën e SHBA në qendrën e tyre të vëmendjes e të interesave. Një ditë do të jetë kështu edhe në Tiranë. Do të jetë e njëjta ditë kur ky vend të nisë të funksionojë normalisht, pa rrahjet e shpatullave nga ambasadori amerikan apo fotoja e radhës me kolegun e tij britanik apo gjerman. Duhet pritur dhe ca mesa duket…

As Balluku nuk e afroi dot kilometrin e fundit

By: S M
12 March 2026 at 12:42

Nga Skënder Minxhozi/

Opozita ka kohë që premton se vendi ndodhet në kilometrin e fundit të rrëzimit të qeverisë. Dhe ku kishte rast më të mirë se votimi për imunitetin e ish zv.kryeministres Balluku për ta bërë këtë. Demokratët kanë thyer karrige, kompjutera e tavolina për fabula shumë më të dobëta se ky votim delikat. Megjithatë sot në Kuvend nuk u pa asgjë nga repertori i zakonshëm i tymit, bilbilave dhe dhunës fizike. As Noka, as Bardhi dhe as të tjerët rrotull tyre nuk kaluan në “modalitet force” por pritën të qetë votimin që tashmë nuk fshihte asnjë surprizë: 47 me 82 kundër heqjes së imunitetit!

Shumë arsye ka që ky reagim i butë i ka zënë vendin rrugës së ashpër në këtë ditë tejet sensistive për politikën shqiptare, kur po vendoset një precedent që do të shërbejë edhe për më tej. Ndoshta është pikërisht lloji i precedentit që ka bërë të pushojnë vuvuzelat e bombat tymuese. Është frika e kuadratit parlamentar (përfshirë deputetët opozitarë) që mund t’i ketë bërë të mendohen mirë edhe ata që e duan Belinda Ballukun e Edi Ramën jashtë pushtetit dhe mundësisht në burg.

Është frika që thote se kur të vjen mandata e Spakut, bien spaletat e pushtetit, bodigardët, protokolli dhe të gjitha ofiqet e tjera, në këmbim të prangave, kontrolleve në mesnatë dhe gjithfarë trukesh të tjera të shëmtuara që kemi parë të konsumohen ndaj Ahmetajt, Metës, Veliajt e Beqajt dhe një liste tjetër zyrtarësh të të gjitha niveleve.

Është gjithashtu frika që politika (edhe ajo opozitare) ka nisur të ketë nga aspektet abuzuese të drejtësisë speciale të cilën vetë këta politikanë e votuan dhjetë vite të shkuara. Paraburgimet abuzive, refuzimet për të dhënë mundësinë e njohjes së të pandehurve me dosjet hetimore e mbylljet e tyre nëpër regjime sigurie që i ngjajnë izolimit të kriminelëve – të gjitha këto duket se kanë bërë të mendohen shumë koka në atë sallë sot, për këtë që po ndodh. Shikoni sesi e trajtojnë Veliajn, kryetarin në detyrë të bashkisë Tiranë dhe e kuptoni hezitimin e politikës ndaj Spak.

Së dyti qëndrimi i sotëm thuajse gojëmbyllur i opozitës, teksa kishte premtuar të niste fanfarën e tymit e zjarrit nëpër Tiranë, duket se ka edhe një motiv diplomatik pas perdes. Gabimi i protestës së fundit, me goditjen e ish-vilës së Enver Hoxhës e cila sot nuk mban brenda krerët e Bllokut të dikurshëm por artistë të huaj, tërhoqi reagimet e forta të ambasadave në Tiranë.

Eshtë pikërisht ai lloj gabimi që qeveria mundohet ta shfrytëzojë tek Berisha sa herë që ai godet institucionet. Me gjasë ajo që ndodhi sot ka nga pas edhe paralajmërimin e ambasadave perëndimore për të mos kaluar në vandalizëm parlamentar gjatë votimit për imunitetin e Belinda Ballukut.

Së fundi, mjafton të shohësh fotot ajrore të protestës tek parlamenti për të kuptuar arsyen themelore të mbylljes së kësaj te enjteje kryeqytetase pa buletin lufte, guerrilje urbane dhe të tjera si këto. Paraprakisht ministria e brendshme kishte njoftuar se Kuvendin do ta rrethonin 1500 trupa sigurie. Përballja në terren qe shumë e padrejtë: 1500 policë me jo më shumë se 300 protestues të pranishëm në hyrjen e Kuvendit (duke llogaritur edhe mediat mes tyre). Pak si vështirë të mbulosh kilometrin e fundit në këto raporte force. Nuk të ndihmon dot madje as Belinda!

Situata aktuale që përfshin një përballje të politikës me drejtësinë e re ka në thelb një paradoks të madh të cilin e kemi parë të konsumohet gjatë gjithë këtyre viteve. Opozita e ka anatemuar reformën, ka mallkuar prokurorët e gjyqtarët dhe ka hedhur poshtë çdo hetim që ka nisur ndaj saj. Pozita nga ana tjetër ka hapur me vite krahun që të hetohen e burgosen zyrtarët e vet duke përdorur shprehjen e famshme “partia nuk është zyrë avokatie”.

Në rastin Balluku këto kahje u përmbysën. Opozita u bashkua me kërkesën e Spak (formalisht), qeveria doli kundër prokurorisë së posaçme. Natyrisht interesi politik luajti rol në të dyja sjelljet përkatëse por sërish ky ndërrim krahu përbën një risi që vlen të nënvizohet. Sepse përtej rastit Balluku përballja e politikës me drejtësinë duket se po afrohet me shpejtësi e kjo nuk prek domosdoshmërisht vetëm qeverinë, por të gjithë  klasën politike. Shenjat kanë kohë që duken, mbetet të shihet sesi do të konsumohet e çfarë do të prodhojë kjo krizë institucionale e kushtetuese.

Ndërkohë Berisha shpalli datën e radhës për të mbyllur kilometrin e fundit. Edhe një herë revolucioni duhet të presë stacionin tjetër për të zbritur në tokë.

Berisha pranon autorësinë e sulmit mbi vilën 31: Nuk e dija që është qendër kulturore!

By: S M
2 March 2026 at 11:04

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje nga SPAK për mediat u pyet për sulmin me molotov ndaj Vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë protestës së të shtunës që mbajti opozita.

Kryedemokrati tha se janë përdorur mjete prioteknike, ndërsa kërkoi ndjesë. Ai shtoi se askush nuk ishte në dijeni që aty kishte njerëz.

“Po janë përdorur mjete piroteknike që ju i quani bomba molotov, por askush nuk është plagosur prej tyre. Ishin dy zonja. Nuk duhej të ndodhte kurrë kurrsesi. Unë e mora vesh pasi pyeta. Më thanë se ishte bërë qendër kulturore. Ajo mund të ishte muze e torturave çnjerëzore. Por qendër kulture vila e Enver Hoxhës, është fyerje për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut për 40 mijë të internuar dhe 140 mijë të persekutuar. Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore.”, tha ai.

Në fakt, qëndrimi i Berishës bie në kundërshti me atë çfarë ndodhi në terren. Molotovët dhe fishekzjarrët ndaj vilës së Enver Hoxhës, sot e kthyer në qendër kulture nën menaxhimin e fonacionit francez Art Explora, shpërthyen vetëm pak metra pasi aty kaloi Sali Berisha, nën shoqërinë e Flamur Nokës, Gazment Bardhit dhe të tjerëve drejtues të PD. Për sulmin e dhunshëm, Policia arrestoi 4 protetsues, ndërsa çoi në SPAK Klevis Balliun, por edhe kësaj kryepërgjegjësi Sali Berisha shpëtoi.

Ndërkohë një pyetje lind për SPAK dhe drejtësinë e re: Çfarë ndodh me politikanët që sulmojnë objektet kulturore dhe rrezikojnë jetët e atyre që janë brenda?! Me siguri asnjë përgjigje s’do të vijë…

 

Bojkot lara-lara, të ftojnë në Uashington, të lenë pas dere në Mynih!

By: S M
14 February 2026 at 20:14

Nga Skënder Minxhozi/

Po të dëgjosh Sali Berishën sot Shqipëria ka vetëm një person që është i padëshëruari i madh i Perëndimit dhe ky nuk është ai vetë, por Edi Rama. Ai është i izoluari sipas Doktorit, ai është i anatemuari i Londrës, Parisit e Berlinit, ai po tregohet me gisht nga kancelaritë si e keqja e vendit. Paçka se kryeministri sapo është kthyer nga një takim me Presidentin e Këshillit Evropian në Bruksel. Paçka se po bën gati valixhet për në SHBA në ceremoninë e Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë. Ku natyrshëm koncepti i “izolimit ndërkombëtar” relativizohet dhe humbet peshë.

Personi që paraqitet rregullisht tek dezhurni i SPAK për të vërtetuar prezencën, politikani që është nën proces penal për korrupsion nga drejtësia e re, njeriu që nuk mund të shkelë në tokën amerikane dhe britanike prej pesë vjetësh tregon prej muajsh me gisht kundërshtarin e tij si njeriun e izoluar nga bota dhe që ndodhet në prag të largimit. Thënë ndryshe, i cili ndodhet në kilometrin e fundit siç pëlqen të shprehet Berisha, por një kilometër që duket i gjatë 13 vite, qëkurse PD ka zbritur në një opozitë të cilës nuk i duket fundi.

Mungesa e Edi Ramës në dy forume me peshë në ekonomi e biznes si dhe në fushën e sigurisë, siç janë Davosi dhe Mynihu, ofrohet sot si prova materiale e izolimit ndërkombëtar të tij. Një aktakuzë selektive dhe si e tillë edhe iluzive dhe e pavërtetë. Nëse Edi Rama nuk u ftua në Davos pasi Trump tha se ka nja dy-tre persona që nuk i pëlqejnë në tryezën e Bordit të Paqes, pse është ftuar pas një jave në Shtëpinë e Bardhë pikërisht në të njëjtin aktivitet?! Mos u bë i pëlqyeshëm papritur tani?

Së dyti, nëse Mynihu është prova se evropianët e kanë izoluar politikisht kryeministrin shqiptar, përse u pranua ai në Bruksel pak ditë më parë Presidenti i Këshillit Evropian? Që është struktura më e rëndësishme vendimmarrëse e BE? Si funksionoka kështu ky izolim “à la carte”, si një menu restoranti ku zgjedh një gatim e jo një tjetër?! A mund të jetë i izoluar një lider politik që bëhet gati të shkojë në Uashington, por që nuk qenka ftuar në Mynih?

E vërteta është se klima e instaluar pas hetimeve të SPAK ka krijuar realisht një problem politik delikat për qeverisjen e majtë. E vërtetë është edhe se këto rrethana kanë krijuar një spostim nga lufta politike klasike, ku opozita e sheh veten të spostuar nga epiqendra e teatrit politik dhe nëpër sheshe pa popull me vete, kurse drejtësia bëhet de facto oponentja kryesore dhe më serioze e qeverisë.

Ky rreshtim i pazakontë në fushën e lojës e ka futur në një krizë të dukshme Ramën në raport me qeverisjen e tij hijërëndë dhe të qetë me 83 mandate parlamentare.

Por nga prishja e qetësisë së qeverisjes e deri tek “përmbysja në 20 shkurt” është në mes një hendek i madh. Një maxhorancë e plagosur nuk është domosdoshmërisht një maxhorancë në prag të përmbysjes. Sidomos kur ka përballë një opozitë që është konsumuar po aq sa qeveria, jo duke qeverisur po duke ndenjur në pakicë.

Është ndërtuar këto muaj pas zgjedhjeve të 11 majit një narrativë politiko-mediatike që synon të vendosë shenjën e barazimit mes halleve të pozitës dhe opozitës. Teksa PD-PL dhe PR, pra të tre formacionet kryesore të opozitës, i kanë drejtuesit e tyre në procese penale në SPAK-GJKKO, sipas fabulës që ndërtohet kryesisht në disa nga studiot televizive të debatit politik, hallexhiu i vërtetë, ai që ka bërë valixhet gati për të ikur, është kryeministri dhe partia e tij në pushtet. Jo ata që janë nëpër gjyqe, por ata që janë në qeveri. Një vizion kokëposhtë ky i asaj që janë faktet reale. Berisha e Meta e kanë gëlltitur tashmë si të mirëqenë faktin se ndodhen nën akuza penale ose janë të skeduar nga perëndimorët, por nga ana tjetër akuzojnë gjithë ditën të tretët për faje e akuza që i kanë vetë aktualisht mbi shpinë.

Është pak a shumë si fabula tjetër krejtësisht alogjike, ajo kur opozita ankohet për gazin lotsjellës dhe ujin e zjarrfikësave në protestat e saj plot shishe molotov, ndërkohë që kur ka qenë në pushtet i ka vrarë protestuesit në vend që t’i lagte me ujë.

Qeveria ndodhet në ditët e saj më gri, por përgjegjësitë dhe korrupsioni i saj nuk i bëjnë më të pranueshëm opozitarët që po enden gjyqeve apo që nuk shkelin dot në vendet kryesore të Perëndimit. Pse e bën më të pranueshëm Sali Berishën, fjala vjen, fakti që Rama izolohet në Perëndim, kur ai vetë është rasti klasik i izolimit ndërkombëtar të një politikani të një vendi të vogël në një cep të kontinentit?!

Kur opozita premton se do ndreqë korrupsionin, keqqeverisjen dhe izolimin ndërkombëtar të socialistëve, duhet të marrë fillimisht një pasqyrë e të analizojë sesi qëndron ajo vetë në raport me këto sfida. Një qeverisje e dikurshme që ka vrarë dhe vjedhur nuk është kandidatja më e mirë për të zëvendësuar një qeverisje që po akuzohet se po vjedh. Është çeshtje nenesh të kodit penal. Diferenca nuk do shumë mundim të perceptohet, paçka sesi po paketohet këto kohë i gjithë ky mall në prag të skadencës që quhet elitë politike e tranzicionit!

Minxhozi: Rama nuk është drejtues podcasti por kryeministër, reforma ndodhet në vdekje klinike!

By: S M
10 February 2026 at 23:51

 

“Reforma në drejtësi ka dështuar, ajo ndodhet në vdekje klinike”, kështu është shprehur analisti Skënder Minxhozi gjatë një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC Neës, ndërsa komentoi reformën në drejtësi.

Minxhozi është shprehur kritik, duke thënë se tashmë dosjet e prapambetura në sistemin gjyqësor kanë kaluar 200 mijë, institucionet e reformes nuk po e kryejne funksionin e tyre dhe se dukshëm ka ardhur koha për ndryshime të aparatit ligjor të reformës.

“Kur thashë që ka ardhur koha për disa ndryshime mendoj se ky proces duhet të ketë një reflektim më të thellë sesa ai që po bëhet këto orë dhe që prek vetëm çeshtjen Balluku. KED është në gjumë, ILD nuk heton as dosjet për të cilat ka pasur vendime të Gjykatës së Strasburgut që i ka hedhur poshtë. KLP dhe KLGJ kanë ende vakanca gjyqtarësh dhe prokurorësh që nuk i plotësojnë duke lënë një boshllëk të frikshëm në të gjithë sistemin. Gjykata Kushtetuese shumë e nderuar që dikur hidhte “tuç” Sali Berishën me Karamanlisin për detin, sot është kjo që është dhe që të dhimbset me situatën që kalon. Mali i dosjeve të pagjykuara ka kaluar 200 mijë. Pra çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që u nisëm për të vënë vetullat dhe kemi nxjerrë sytë”, tha mes të tjerash ai.

“Në Shqipëri nuk ka de facto proces gjyqësor, tha Minxhozi. Unë jam i bindur që, nëse në një sallë gjyqi nuk është arbitër gjyqtari, por prokurori që mund të përgjojë e hetojë gjithkënd, vetë procesi ka vdekur”, u shpreh ai.

Gjithashtu, ai theksoi se drejtësia e re ka treguar një dëshirë protagonizmi që dukeet se e ka shtyrë edhe tek pezullimi i zv.kryeministristres Balluku. “Unë mendoj se në këtë rast kemi të bëjmë me përplasje të një dëshirë për mosveprim nga ana e qeverisë, në lidhje me një numër problemesh që kanë dalë natyrshëm nga reforma, dhe nga ana tjetër nga një dëshirë për protagonizëm e vetë organeve speciale të reformës. Rama ka hezituar të bëjë kryeministrin, por ka preferuar të bëjë blogerin, kurse Spak ka menduar të marrë një rol publik dhe mediatik që e ka shtyrë të bëjë një faull duke hyrë në kompetencat e ekzekutivit.

Qeveria po planifikon të kryejë një ndërhyrje që do të mund të prekte aspektin e masës së pezullimit. Unë do të thoja se kjo është shumë pak dhe shumë vonë sepse jemi në vitin e dhjetë pas votimit për reformën dhe vitin e shtatë pas fillimit të punës së drejtësisë së posaçme. Rama ka hezituar gjatë të hedhë këtë hap duke u kufizuar tek mesazhet publike e jo tek veprimi konkret. Edi Rama nuk eshte drejtues podcasti, ai eshte kryeminister e duhet te flase me akte konkrete.

Modifikimet ligjore pas kaq shumë viteve s’duhen përjetuar si fundi i botës por si një proces fiziologjik që synon të korigjojë aspekte që natyrshëm kanë krijuar përplasje, mbivendosje, kaos dhe shkelje standartesh e të drejtash.

Personat që viheshin nën hetim linçohen mediatikisht nga filtrime dosjesh të përzgjedhura në mënyrë selektive. Në anën tjetër u zbulua dhe kemi vënë re me kalimin e viteve që procese të mbyllura që opinioni publik nuk kishte nga t’i merrte vesh siç është vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve, në momente të caktuara u kthyen në pazare të gjësë së gjallë. Vetingun e kanë kaluar persona që nuk duhet të ishin fare pjesë e drejtësisë së re, por duhet të ishin përjashtuar me ceremoni nga sistemi për shkak të rekordeve problematike që kanë lënë pas vetes.

Nënshtrimit de facto i procesit gjyqësor në disa nivele ndaj institucionit të akuzës speciale më duket defekti më i madh që ka sot reforma në drejtësi. Që do të thotë se në Shqipëri, e përsëris, nuk ka de facto proces gjyqësor, tha ai. Ndëshkimi i elitës politike duhet të ndodhë në procedurë dhe në respekt të standarteve të demokracive të konsoliduara dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Duhet drejtësi jo thjesht ndëshkim!

Rama, balet diplomatik në tehun e briskut

By: S M
28 January 2026 at 13:02

Nga Skënder Minxhozi/

 

Fillimisht i duhet të hedhë poshtë akuzat e kundërshtarëve politikë që e akuzojnë se s’po le gur pa lëvizur që t’i shpëtojë “shpatës” së drejtësisë. Kjo është relativisht e lehtë pasi në çdo rast dhe për çdo gjë Berisha dhe të tjerët do të ishin kundër asaj që bën Edi Rama me axhendën e tij diplomatike. E kanë goditur për politikën rajonale, për raportet me SHBA, për Kosovën, Greqinë dhe gjithçka tjetër që mban brenda harta politike e hemisferës veriore.

Edi Rama duhet t’i shpjegojë lëvizjet e tij diplomatike më së shumti në planin e jashtëm. Duhet t’ua shpjegojë partnerëve evropianë të cilët në shumicë i ka miq e të njohur të vjetër. Duhet të japë shpjegime në kohën kur kontinenti i vjetër dhe shteti më i fuqishëm i botës po polarizojnë qëndrimet mes tyre duke përfshirë kërcënimet tregëtare por edhe territoriale, siç qe rasti i Groenlandës.

Në të gjitha këto ngjarje të mëdha Shqipëria e vogël nuk ka as gisht e as të drejtë vote. Jemi shumë të parëndësishëm për të qenë aktorë në këtë paradë muskujsh të nivelit botëror. E megjithatë porsi pluhuri i hekurit kur i vendos afër një magnet, kjo përmbysje gjeopolitike po kërkon rreshtimin e të gjitha “grimcave” sipas poleve të magnetit. Ashpërsimi i marrëdhënieve brenda botës perëndimore do të kërkojë me gjasë që dikur të gjithë dhe cilido të bëjnë një zgjedhje mes SHBA dhe Evropës. Kjo është mesa duket e ardhmja, pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se parimi i ri të cilit i falen është “secili për vete, Zoti për të gjithë”!

Në këtë rirreshtim të historisë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria duhet të ruajë interesat dhe të ardhmen e saj. Të qëndrojë fort me Amerikën në aspektin e sigurisë dhe të mbajë hapur korsinë që çon në BE, si projekti i vetëm afatgjatë dhe me perspektivë për shqiptarët. Edhe ky është një balet i vështirë për t’u kërcyer mes dy gjigandësh, i cili do të testojë skajshëm aftësitë diplomatike të kryeministrit shqiptar dhe të të gjithë shtetit.

Edi Rama ka qenë kurdoherë një notar që ka pëlqyer të notojë kundër rrymës. Edhe kur tentoi paqëtimin e rajonit përmes Ballkanit të Hapur, edhe kur ra dakord me Melonin për bazën e refugjatëve në Shëngjin apo kur mbante e vazhdon të mbajë raporte me Erdoganin, Sorosin, Orbanin apo sheikët e Gjirit. Që të gjithë figura me dritë-hije të cilët jo rrallë dalin nga spektri i diplomacisë korrekte.

Natyrshëm që Rama ka ndjekur jo vetëm instiktin e shtetarit dhe punët e vendit, por edhe interesin e tij politik në këto raporte që ka ndërtuar. Natyrshëm edhe pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një lëvizje politike e tillë, pra ndarëse. Siç është gjithashtu ndarëse dhe e debatueshme një vizitë në Tel Aviv për t’i shtrënguar dorën Bibit, udhëheqësit që edhe kur merr avionin për të udhëtuar jashtë vendit kujdeset që të evitojë qiejt e Evropës se mos e ulin me zor në tokë dhe i venë prangat.

E nëse marrja pjesë në OKB-në private të Donald Trump është diçka që shumëkush në Shqipëri (e më pak në Evropë) nuk e konsiderojnë si sakrilegj, vizita në Izrael është një akt që kërcet dhe bie në sy për së largu. Për keq natyrisht, më shumë sesa për mirë, duke parë tragjedinë që u shpalos para syve të të gjithë globit në Gaza për shkak të sulmeve izraelite.

Ky i Ramës është një balet diplomatik në tehun e briskut, i cili për kundërshtarët e tij në Tiranë është një valle vetëvrasëse e imponuar nga problemet e  brendshme, teksa për miqtë në Evropë, Turqi e gjetiu duket si një ndër shumë episodet e galerisë së gjesteve provokative me të cilat Edi Rama i ka mësuar tashmë. Nisur nga atletet e bardha, batutat e kudondodhura majtas e djathtas dhe stilin e drejtpërdrejtë e pa komplekse që tejkalon manualet ideologjike, ato politike e diplomatike.

Në mandatin e katërt qeverisës Edi Ramës i takon të menaxhojë një Shqipëri të turbullt me një qeverisje gjithashtu të turbullt, në një botë kaotike dhe të pasigurt. Kjo kërkon diçka më shumë se një batutë me Makronin apo një palë atlete sportive në foton familjare të një Samiti. Kërkon të dish ç’po bën, pse po e bën dhe çfarë përfitimesh do të marrësh në fund të rrugës. Improvizimet janë të ndaluara në kohë kolere. Dhe bota po kalon një epidemi më të keqe se covidi. Po kalon “epideminë” dramatike të ribërjes së rendit botëror, ku duhet mendje e kthjellët, miq besnikë dhe nerva çeliku.

U katandis lideri historik në një breshkë që ndjek nga pas Salianjin!

18 January 2026 at 20:29

Nga Ergys Mertiri

Pasi ai kishte caktuar takimin e rradës ne Lezhë, Berisha lajmëron befas një foltore emergjente në Kombinat në të njëjtën orë. Qëllimi është i qartë, të dublojë kundërshtarin duke i marrë kohën televizive.

Në fakt, që kur nisi lëvizjen e vet, Salianji i ka percaktuar agjendën politike Berishës në çdo hap. Menjëherë ai nisi protestat, foltoret nëpër rrethe, analizën e zgjedhjeve 8 muaj pas humbjes.

Sulmet ndaj banale foltorike kane qenë pjesa tjetër dhe qesharake e dramës. Akuzat se Salianjin e ndihmojnë bandat e krimit, strukturat e Edi Ramës dhe tradhëtarët e brenshëm, janë askpekti humoristik që kulmon me përjashtimin e tij (te pamundur) nga partia që Berisha e quan vetpërjashtim. Ai që pak javë më parë konsiderohej hero i burgosur politikisht nga regjimi i Ramës, sot shpallet armik e tradhëtar, bashkëpunëtor i Ramës për të shkatërruar opozitën.

E për të mos u mjafruar me kaq, menjëherë pas tryezës për bashkimin e opozitës dhe thirrjeve për bashkim të gjerë me të gjithë spektrin opozitar nis një aksion spastrimesh në parti kundër të gjithë atyre që ai i quan tradhëtarë e bashkëpunëtorë të Ramës, si dhe atyre që nga mërzitja pse nuk morën postet e pretenduara, nuk punuan në zgjedhje. Politika e re bashkime-spastrime tregon çbalancimin e rëndë mendor ku ka hyrë kjo opozitë, që në fakt pazaret me Ramën i bën vetë, duke filluar nga Berisha i pari, ndërsa pjesa më joaktive në zgjedhje ishte ajo e listës së mbyllur e caktuar arbitrarisht nga vetë Berisha në kundërshtim me statutin.

Pasi të gjejë e përjashtojë armiqtë e brendshëm dhe “elementin antiparti”, lideri historik do fillojnë të përjashtojnë edhe masat e demokratëve që mbushin sallat e tradhëtarit. Në fund do mësojë si në atë skeçin e Koço Devoles për byronë politike ku Enveri bust kërkonte shpalljen e studentëve armiq të popullit. E kur Ramizi e sqaron se me studentët eshtë bashkuar gjithë populli Enveri ia pret:
“Edhe populli të shpallet armik i popoullit dhe partisë!”

Një vjetori i Presidencës Trump dhe provincializmi endemik shqiptar

By: S M
18 January 2026 at 12:56

Nga Skënder Minxhozi/

Në 20 janar mbushet një vit qëkurse presidenti amerikan Donald J. Trump ka marrë detyrën. Në një vit bota ka parë përmbysje epokale që e kanë futur SHBA në kurs përplasjeje me aleatët kryesorë të Perëndimit, si dhe ka asistuar në një ribërje totale të piketave kryesore të  politikës së brendshme dhe asaj të jashtme amerikane, të cilat kanë prodhuar një gjendje të tendosur dhe të amullt në një pjesë të madhe të globit.

Megjithatë kjo është një situatë komplekse që meriton më shumë se një analizë. Mjafton të hedhësh një sy në median botërore dhe rrjetin social për ta kuptuar fermetin dhe ilaritetin që ka prodhuar presidenca Trump në një vit. Në ambjentin shqiptar amullia që ka sjellë ndërrimi i pushtetit në Uashington i ka dhënë hov, siç është në traditën tonë, një vale spekulimesh në lidhje me atë që pritej t’i ndodhte elitave politike e ekonomike të vendit si pasojë e politikës së re të Donald Trump. Së pari merrej e mirëqenë se do të kishte realisht një politikë amerikane për këtë periferi të Evropës që vijon të endet prej tre dekadash në një gjendje pezullie politike, ekonomike e siociale. Mbi të gjitha një rajon që vazhdon të jetë i rrrezikuar nga lojrat e mëdha gjeopolitike.

Së dyti, kur Trump mori detyrën, qenë (dhe ende janë) të shumtë ata që i bënin llogaritë sikur kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë do ta harxhonte një pjesë të mirë të ditës së punës për të vrarë mendjen rreth sherrit të radhës në Kuvendin e Shqipërisë, për këtë apo atë deklaratë të këtij apo atij politikani, ose për këtë apo atë tender që hetohej nga SPAK duke thirrur apo arrestuar këtë apo atë ministër a deputet.

Ka mjaftuar një vit për të kuptuar se ky vizion është në rastin më të mirë i ngushtë dhe naiv. Sepse në harkun e një viti kemi parë të vijnë në Tiranë “sherifa” të Trump në kohë fushatash elektorale të cilët më pas kemi mësuar se ishin paguar me honorare shumë të majme. Kemi parë sesi këta sherifa kanë premtuar përmbysje e rrëzime të mëdha, por në fund kemi mësuar se qeveria ka rritur votat e mandatet e sherifat janë kthyer andej nga erdhën pasi kanë marrë paratë me vete.

Në një vit kemi parë sesi presidenca Trump ka ushqyer fantazinë e shprishur të një pjese të shqiptarëve me pritshmëritë më të mëdha, të pasuara nga zhgënjimet më të hidhura. Aty ku është pritur të bjerë rrufeja ka vijuar të mbretërojë statu quoja, aty ku është njoftuar se do të ketë “pushkatime në masë” janë dëgjuar vetëm fishekzjarrret e kalamajve nëpër lagje. Aty ku është pritur të zbatohet një skenar i madh, nuk është prodhuar as edhe një dramë e vockël nga ato që harrohen për tre ditë.

Shqipëria ka vijuar kursin e saj të përpjekjeve për të dalë nga qerthulli i tejzgjatur i tranzicionit, kurse administrata amerikane ka qendruar, në raport me vendin  tonë, në piketa të ngjashme, në mos identike me atë paraardhëse. Ata që kanë qenë të skeduar të mos shkelin në Amerikë kanë vijuar të jenë të tillë edhe gjatë këtij viti. Ata që kanë kujtuar se drejtësia e re do të merrte fund tani që në krye të SHBA erdhi një politikan me plot hetime e akuza mbi supe, sërish janë zhgënjyer kur kanë parë heetimet Spak ndaj politikës. Kush ka pritur ndëshkime me emër e mbiemër apo rotacione e arrestime nga ato të bujshmet në mes të natës në majën e shtetit dhe pushtetit, është detyruar të tkurrë pritshmëritë e të vazhdojë të presë si plaka Nurihan.

Në këtë optikë futet edhe kjo që po shohim e jetojmë këto orë. Edi Rama duhej të ishte me gjasë në Amerikë “për t’u pyetur si person në dijeni në një hetim”. Madje qarkullonte dhe data e udhëtimit. Ja që ndodhi diçka tjetër. Në vend të fletëthirrjes për në dyert e drejtësisë amerikane, Rama “merr kartë” nga Donald Trump për ringritjen e Gazës. Një zhvillim edhe ky që nuk i fshin automatikisht ato që janë thënë e bërë më parë, por që tregon në mënyrë të thatë e cinike se kur bëhet fjala për amerikanët, përllogaritjet klasike duhen peshuar mirë. Madje shumë mirë.

Sepse ata kanë treguar me fakte më shumë se një herë se dinë të jenë krejt të paparashikueshëm dhe të paklasifikueshëm me kriteret tona provinciale e shpesh qesharake. Sa më shumë kujtojmë se dimë, aq më pak dëshmojmë se dimë. Është pak por e sigurt!

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

By: S M
18 December 2025 at 23:08

Nga Skënder Minxhozi/

Dje ish-presidenti Ilir Meta është ofruar të japë informacione në lidhje me ngjarjen e 21 janarit, të cilat sipas avokatit të tij, përfshijnë të dhëna që ai ka marrë në prag të protestës së opozitës nga burime të huaja. Meta pretendon se shërbime të huaja i paskan thënë se protesta do të jetë e dhunshme dhe se nuk përjashtohej skenari i vrasjeve. Është hera e parë që ish-presidenti e thotë diçka të tillë. Nuk e tha në momentin kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit, as kur ndodhën vrasjet dhe as më vonë kur shumica e djathtë nisi hetimin e atij që u quajt grushti i shtetit i 21 janarit.

Që njëri ndër protagonistët tashmë në burg të 21 janarit të dalë pas 15 vitesh e të ofrohet për “informacione të reja” në lidhje me ngjarjen, ky është një fakt që tingëllon më shumë si një goditje me efekt e tij për të tërhequr vëmendjen publike nga izolimi ku ndodhet, sesa si një kontribut i ri në dosjen e trashë të vrasjeve në bulevard. Tragjedia e 21 janarit është një ndër ngjarjet më të mediatizuara, më të diskutuara e debatuara e më të analizuara. Ashtu siç është një ndër ngjarjet më pak të hetuara.

Ky hendek mes interesit të lartë publik dhe shurdhërisë së qëllimshme të drejtësisë e politikës për të zbardhur përgjegjësit e vrasjes makabre të katër njerëzve të paarmatosur nga shteti i kohës, është ndër kontrastet më therëse që ka prodhuar tranzicioni shqiptar në 35 vite.

Shembulli i kësaj shurdhërie është bërë sot edhe drejtësia e re, saktësisht SPAK, i cili në fillim refuzoi të merrte në dorëzim hetimin për provat e reja për 21 janarin, e më pas ka nisur një hetim “me pjekje të ngadaltë”, të cilit nuk i shihet fundi. Zvarritja e kësaj dosjeje e fut drejtësinë e re në të njëjtën kamare turpi me drejtësinë e plepave e cila de facto e bllokoi gjetjen e përgjegjësve të 21 janarit.

Në këtë mes futja “skiç” e Ilir Metës vetëm sa risjell edhe një herë në skenë hipokrizinë e qeverisësve të 21 janarit të cilët edhe sot vijojnë të përtypin argumenta që nuk i besojnë as vetë, si këto të skenareve me vrasje dhe me shërbime të huaja.

Ka një nerv të zbuluar 21 janari, kur vjen puna për të kuptuar indirekt se kush e mban përgjegjësinë për vrasjet në bulevard. Pak orë pas ngjarjes shumica qeverisëse e kohës, nën piskamën e Berishës rreth grushtit të shtetit, ju fut me shumë zell hetimit të ngjarjes. Qëllimi madhor: të gjejmë rrënjët e puçit, autorët, nxitësit, skenaristët, regjizorët dhe aktorët bashkë me figurantët më të parëndësishëm. Me një fjalë të zbulojmë para shqiptarëve mynxyrën që ishte përgatitur, makinat me dinamit të parku Rinia, çadrat pistoletë, thikat me helm dhe natyrisht edhe një grusht gazetarësh puçistë anash, për ta bërë edhe më të besueshme teoremën komike të Doktorit.

Punoi dy vite ky komision duke marrë në pyetje gjithë hierarkinë e shtetit, minus “Presidentin-horr” dhe “Kryeprokuroren-lavire”. Parakaluan në komision Berisha, Topalli, Basha dhe një dyzinë tjetër zyrtarësh të lartë. Pas vitit të parë të hetimit, pra në 2021, komisionit në fjalë ju zgjat edhe me një vit tjetër mandati i hetimit. Javët e muajt kalonin dhe ajo zyrë me deputetë, të gjithë juristë e disa edhe ish-ministra drejtësie, nuk filtronte asgjë e re. Merreshin honorare për të zbardhur puçin, por puç nuk dukej askund. Retorika politike ndërkohë nxirrte flakë dhe akuzat shkëmbeheshin sa në një anë në tjetrën.

Megjithatë, në fund të dy viteve ky grusht burrash plot dije nga jurisprudenca dhe me kartvizita për t’u pasur zili, nuk qullosi dot gjë. Në podiumin e Kuvendit s’u lexua asnjë raport mbi gjetjet e komisionit, rast unik ky që nga viti ’91. Deputetët që për dy vite morën paratë për të zbuluar komplotin e lartë kundër shtetit, nuk denjuan as të kthejnë honoraret për punën e munguar.

Zbrazëtia e hetimit parlamentar rreth puçit të 21 janarit është nervi i zbuluar i 21 janarit. Kush mendon se demokratët mblodhën informacione e gjetën fakte për përgjegjësinë e opozitës në vrasjet e asaj dite dhe nuk i publikuan ato në vitet që pasuan, thjesht gënjen veten. Jo të tjerët.

Zgjedhjet e 2013 erdhën dhe puçi i harrua. E mbajti mend vetëm Berisha i cili ka hallin që ta mbajë gjallë këtë fjalë si justifikim mekanik, sa herë që e pyesin gazetarët. E harroi madje edhe Edi Rama me të vetët 21 janarin, e mesa duket, meqë qenka sëmundje ngjitëse, u mundua të bënte sikur e kishte harruar atë histori edhe SPAKU vite më vonë.

Të gjithë hoqën duart nga patatja ende e nxehtë e 21 janarit, të cilën nuk mund ta nxjerrë nga zjarri as Ilir Meta me kujtimet e papritura që i erdhën në burg për atë ditë fatale, kur shteti vrau qytetarët e vet dhe askush nuk u dënua. Turp për të gjithë ata që mundeshin dhe ende munden, por nuk e bëjnë!

The post Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush first appeared on JavaNews.al.

Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm

By: S M
8 December 2025 at 21:58

Nga Skënder Minxhozi/

Dikush tha më te drejtë në njërën nga ditët e protestave të 35 viteve më parë në Qytetin Studenti: gjak nuk provokoi ky revolucion po baltë prodhoi me shumicë. E thënë në atë moment shprehja qe spontane dhe jo mbartëse apo parashikuese e diçkaje të keqe. Balta identifikohej me motin me shi, e jo labirinthin e errët ku do të hynte vendi në vitet që pasuan. Pakkush mendonte keq në atë moment, në vrullin e romantizmit që kishte kapluar të gjithë ambjentin ku lindi pluralizmi shqiptar. Ishim të varfër, të frikësuar, të paqartë mbi të gjitha, por mendonim “vetëm për mirë”.

“Do e shihni që do bëhemi Evropë brenda tre vjetëve”, ishte një ndër batutat që dëgjoje më shpesh në atë kohë. Koncepti i hyrjes në Evropë artikulohej “do bëhemi Evropë”! “Do bjerë shi jeshil dollarësh, do zbarkojnë amerikanët të na ushqejnë e të na veshin”, ja priste tjetri. Në skamjen e komunizmit fundor të gjitha këto tingëllonin profetike, paçka se në thelb ishin dhe janë akoma dhe më shumë sot, thjesht parashikime naive dhe fëminore. Çka pasoi nuk ishte as shiu i dollarëve dhe as bashkimi me Evropën.

Sot, 35 vite më pas ngjarjet e dhjetorit ’90 kanë më së shumti vlerë për të analizuar kurbën e daljes së Shqipërisë nga sistemi totalitar komunist dhe tranzitimin e ngadaltë e plot gropa, kthesa e të përpjeta, drejt një shoqërie demokratike normale. Objektiv të cilin nuk e kemi arritur as pas tre dekadash e gjysëm hallakatjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.

Dekada e parë e tranzicionit, vitet 1991-2000, është ana tjetër e medaljes iluzive të rënies së komunizmit. Është ana e errët e një historie shprese dhe zhgënjimi. Qyteti Studenti u zbraz shpejt në dhjetor ’90 nga idealistët dhe vendin e tyre e zunë të rastësishmit dhe llogaritarët e pushtetit. Aq e vërtetë është kjo saqë teksa vendos përballë fotot e atyre ditëve, studentët dhe njerëzit e thjeshtë që gëzonin, me galerinë e fytyrave të pushtetit që u ndërtua mbi baltën e Qytetit Studenti, kupton sesa i rastësishëm, joprofesional dhe disa herë keqdashës e abuzues ka qenë shteti i ri që mori formë në fillimet e demokracisë shqiptare.

Në fakt teksa bën këtë fluturim në kohë, kupton të vërtetën e madhe se PD, si fryti madhor i lëvizjes studentore, qe një jo-projekt i lindur me nxitim për shkak të krizës së regjimit që po binte, e jo si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike. Karrieristë dhe të dështuar e të pakënaqur të regjimit komunist u kthyen në materien bazë që krijoi shtetin e të ardhmes. I cili kishte brenda shumëçka nga praktikat, fryma dhe konceptet bazë të shtetit të së shkuarës. Nuk pati një telajo sado të vagullt për të hedhur themelet e shtetit post-komunist, nuk pati traditë pluralizmi, nuk pati as organizata apo organizime të çfarëdo që të mbartnin mendimin alternativ. Ndërtuam mbi rërë dhe e pamë veten përtokë në tërmetin më të parë (kupto piramidat dhe vitin e mbrapshtë ’97)!

Përtej asaj që studentët dhe qytetarët e tjerë shpalosën në ato ditë dhjetori, ajo që pasoi më pas nisi si një histori e stisur keq qysh në krye të herët. Tamam si ajo këmisha të cilën e mbërthen keq në kopsën e parë dhe të shtrëngon në fyt në kopsën e fundit.

Pasi hoqëm qafe komunizmin, ju kthyem të heqim qafe gjithçka që trashëguam prej tij. Një operacion natyrisht i lëvdueshëm për pjesën e çmontimit të regjimit represiv, instalimin e ekonominë se tregut dhe hapjen e vendit ndaj botës, por jo në mënyrën sesi u sollëm me shtetin, administratën, drejtësinë, infrastrukturat, natyrën, me fenomene sociale si urbanizimi apo me dërgimin për skrap të thuajse gjithçkaje që breza shqiptarësh kishin ndërtuar me mund e djersë.

Asnjë studim paraprak, asnjë model ekonomik e zhvillimor, asnjë vetëfrenim i arsyeshëm për hapat që po hidhnim në errësirë. Thjesht pranim i thatë dhe mekanik i formulave shpesh idiote që vinin nga organizmat ndërkombëtare, ku burokratë të panjohur eksperimentonin me vendet lindore si me minjtë në një vazo qelqi.

Me qetësinë dhe kthjelltësinë që kemi sot, nuk na duhet shumë për të kuptuar sesa amatore, inatçore dhe e mbarsur me ideologji e propogandë boshe ka qenë dekada e parë e pluralizmit që erdhi pas Dhjetorit ’90. Një brez drejtuesish me kostume antikomuniste, që vepronin në mjaft raste pikë për pikë si aparatçikët e regjimit të saporrëzuar.

Dhe rezultantja e kësaj linje politike i dha frytet e saj të hidhura. Shqipëria e filloi epokën e pluralizmit politik duke parë të futej në burg kryetari i opozitës. Ajo qe këmbana e parë e deformimit demokratik që po pësonte vendi. Më pas erdhi demarshi për të instaluar një kushtetutë ku të gjitha pushtetet t’i kishte një dorë e vetme, Sali Berisha. Më pas pasuan piramidat dhe në fund, “qershia” mbi tortë, erdhi 97-ta e frikshme megjithë bilancin e saj tragjik. Shembja e shtetit dhe rrënimi deri në qelizë i gjithçkaje ishte ndërtuar. Ekuacioni i dekadës së parë të pluralizmit u mbyt në gjakun e derdhur pa e ditur pse dhe pa e marrë vesh për çfarë. Marrëzi kolektive për një vend që vegjentonte në një gjendje thuajse natyrore.

Të gjitha këto qëndrojnë pas atij shansi të humbur të vitit 1990, kur largimin e komunizmit dhe hapësirën e oportunitetet që sillte me vete ajo ngjarje, i deformuam duke ja vënë shtetin në dorë batakçinjve politikë dhe tregtarëve të paskrupullt të flamujve.

Një ëndërr e bukur u kthye gradualisht në makth, aq sa edhe sot askush nuk është në gjendje ta shpjegojë, fjala vjen,se përse kur ra sistemi komunist në dhjetor ’90 nuk u derdh asnjë pikë gjaku, por ama kur erdhi puna për të parin rotacion të pushtetit brenda sistemit të ri demokratik, u vranë nja 2 apo 3 mijë njerëz! Këtë paradoks sot nuk e shpjegon dot askush, përveçse me faktin se në vitin ’90 komunizmit i kishin rënë patkonjtë dhe shqiptarët donin lirinë, kurse në 1997 kur puna qe për ndarjen e pushtetit mes një klase politike të vradzhtë dhe përjashtuese (shto dhe fajdet), gara për pushtet u kthye në faturë gjaku.

Prandaj është mirë të përkujtohet e mbi të gjitha të studiohet Dhjetori ’90 me të gjitha efektet që prodhoi. Pa ditirambet e shëmtuara e glorifikimin grotesk që vërehet rëndom kur afrohet data, por me koshiencën se nga largësia e 35 viteve ka ardhur më në fund momenti për të pasur një refleksion mbi atë që shkoi mirë, por mbi të gjitha dhe kryesisht mbi atë që shkoi keq në atë moment ngjizjeje të vetëdijes sonë demokratike. Dhjetorin ’90 duhet ta kujtojmë për atë që fituam, por më shumë dhe më shpesh për atë që humbëm.

Sepse humbëm shansin për të vënë themelet e një shteti normal, një demokracie funksionale të rregulluar nga shteti ligjor dhe një vendi që të mban, jo që të përze 35 vjet rresht! Kishim shansin historik të ndërtojmë mbi rrënojat e komunizmit një shoqëri humane, e jo një kazan grykësish që abuzojnë me shtetin dhe me pushtetin. Për këto ja vlen vërtetë të kujtohet Dhjetori ’90!

The post Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm first appeared on JavaNews.al.

Vritet me armë zjarri biznesmeni në Elbasan, policia kontrolle në të gjitha akset rrugore. Autorët largohen në drejtim të Librazhdit

By: S M
30 November 2025 at 22:41

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në Elbasan. Mësohet se është ekzekutuar biznesmen Edmond Mëhalla.

Sipas informacioneve, biznesmeni është ekzekutuar në biznesin e tij, në Unazën jugore të Elbasanit.

Policia ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me vrasjen e biznesmenit në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Biznesmeni Edmond Mahalla 43-vjeç është vrarë me armë zjarri.

Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Biznesmeni Edmond Hyka që njihej edhe si Mondi Mëhalla u ekzekutua në automjetin e tij sapo ka dalë nga biznesi i tij mbrëmjen e sotme.

Gazetarja Xhensila Kodra tha për News24 se janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve, ndërsa dyshohet për dy të përfshirë.

Pista në të cilat po hetohen janë disa, pasi nga ana e policisë po hetohen edhe konflikte, ngjarjet e kaluar, pasi nga hetimet ka rezultuar i skeduar dhe i proceduar për shpërndarje të narkotikëve.

Ndërkohë sipas informacioneve, disa persona janë shoqëruar në policisë dhe disa prej dëshmitarëve kanë thënë se nuk kanë mundur të shohin sepse automjeti i viktimës ka qenë i parkuar pak më larg vendit ku ndodhej biznesi.

The post Vritet me armë zjarri biznesmeni në Elbasan, policia kontrolle në të gjitha akset rrugore. Autorët largohen në drejtim të Librazhdit first appeared on JavaNews.al.

Gjekmarkaj takon nënkryetarin e Parlamentit Hungarez: PD kërkon avancimin e integrimit dhe ndaljen e deformimeve zgjedhore

By: S M
24 November 2025 at 17:35

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka zhvilluar një takim me nënkryetarin e Parlamentit të Hungarisë, István Jakab.

Në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet historike mes dy vendeve, procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Gjekmarkaj theksoi shqetësimet për situatën zgjedhore në Shqipëri dhe përcolli mesazhet e kryedemokratit Sali Berisha për kryeministrin Viktor Orbán.

“Gjatë vizitës time në Hungari, me ftesë të Nënkryetarit të Parlamentit Hungarez, z. István Jakab, pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me të, përfaqësues i partisë Fidesz të Kryeministrit Viktor Orbán. Në takim theksova miqësinë tradicionale dhe historike mes popujve tanë, që nga koha e heronjve kombëtarë Huniadi dhe Skënderbeu, deri te figura e Mbretëreshës Geraldinë, konteshë hungareze dhe pjesë e pandashme e historisë shqiptare.

Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë pas rënies së komunizmit, në të gjitha fushat, veçanërisht në procesin e integrimit europian. Theksova se Partia Demokratike – forca politike që e nisi dhe e udhëhoqi procesin e integrimit europian të Shqipërisë – e konsideron këtë një projekt kombëtar, jo partiak. PD e dëshiron fuqimisht integrimin dhe insiston që ai të avancojë, duke përmbushur standardet dhe kriteret europiane.

Informova gjithashtu z. Jakab mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, përfshirë deformimet e konstatuara në zgjedhjet e 11 majit, si dhe arrestimin e liderit të opozitës, z. Sali Berisha, dhe drejtuesve të tjerë opozitarë gjatë procesit zgjedhor – veprime që i sollën avantazh të padrejtë palës kundërshtare. Nënvizova se raporti i OSBE/ODIHR për këtë proces ishte ndër më kritikët ndonjëherë për një proces zgjedhor në vendin tonë.

Në përfundim, përcolla përshëndetjet më të përzemërta të Kryetarit Berisha për Kryeministrin dhe mikun e tij, z. Viktor Orbán.”, shprehet ai.

The post Gjekmarkaj takon nënkryetarin e Parlamentit Hungarez: PD kërkon avancimin e integrimit dhe ndaljen e deformimeve zgjedhore first appeared on JavaNews.al.

Luca thumbon Gridën për Salianjin: Ç’a kam thënë për Salianjin tat?! E du shumë!

By: S M
24 November 2025 at 17:32

Grida Duma dhe Gjergj Luca u ulën ballë për ballë në podkastin e saj në një bisedë pasionante që siç e pranuan të dy, as Grida nuk e kishte përgatitur intervistën, dhe as Luca nuk e dinte se çfarë pyetjesh do të bëheshin, por që të dy ranë dakord se do të flisnin për gjithçka.

Luca padyshim e ngacmoi Grida Dumën mbi largimin e saj nga politika, pse nuk rezistoi aty për të pastruar partinë, e Grida Duma e ngacmoi Lucën pikërisht tek Edi Rama dhe mbrojtja që i bën atij, duke e përmendur shpeshherë në podkast si “byrazeri”.

Po një nga pikat e papritura për drejtuesen e podkastit ishte momenti kur Luca tha se mbështeste të rinjtë e PD, me idenë se ajo parti që sipas Lucës ka qenë e tija, ka nevojë për ripërtëritje. Dhe Luca e ngacmoi me Salianjin, në këtë moment, ku edhe pse të dy nuk kanë dalë publikisht, e kanë pranuar bashkëjetesën mes tyre.

Pjesë nga biseda në podkast:

Gjergj Luca: Kam bërë fushatë për Edi Ramën, në gjithë Shqipërinë. Por kudo që ka rënë biseda, në Elbasan, për udhëheqësin politik të Elbasanit, u kam thënë: Dëgjoni këtu, ky është familje e madhe, i djathtë në gen, ju ka ardh një çun i mirë. Eshtë një çun pa mllefe. Eshtë cun qytetar. Kudo e kam thënë edhe përpara mediave.

Grida Duma: Më tremb shumë kjo mua…

Gjergj Luca: Po pse për Salianjin tat ça kam thënë?

Grida Duma: (Qesh)

Gjergj Luca: Pse qesh?

Grida Duma: Ore nuk më kompromenton dot duke më folur për Salianjin tim…

Gjergj Luca: Pse të kompromentoj, nuk jam tip që kompromentoj njeri…

Grida Duma: Se do dal dhe aty…

Gjergj Luca: Ore për Salianjin tat. Po të bëj muhabet. Unë, ti nuk e di. Unë e du fort. Kam respekt. Pyete. Jam parë gjithmonë mirë me të. E kam ngacmu se unë nuk rri dot, e kam vu aty në Maliq te zona e vet, e kam vu te tabela e emulacionit…

Grida Duma: E ke vënë edhe atë?

Gjergj Luca: E kam vu aty…

Grida Duma: Po unë nuk jam aty fare?

Gjergj Luca: Jooo, po ti je te zemra ime se je grintë!

(Qeshin)

Grida Duma: E di ça më tremb mua?

Gjergj Luca: Cfarë të tremb?

Grida Duma: Që jeni kaq të poshtër….

Gjergj Luca: Falemnderit, është kompliment i madh shumë…me të qujt të poshtër sot është kompliment i madh.

Grida Duma: Ti thua që unë bëj fushatë për byrazerin tim…

Gjergj Luca: Patjetër…po ai është lideri im!

Grida Duma: ….por ama thua: unë i mbështes këta të rinjtë këtej se kur hyj te tavolina ime që bëj fushatë për byrazerin tim, them se ky është familje e madhe! Ekzaktësisht këtë bëjnë komunistët Luc…

Gjergj Luca: Po edhe këtë ma the o Grida! Pupupu. Nuk do ta bëj më!

Grida Duma: E kupton, të vrasin natën e të qajnë ditën! Këtej të japin kontributin, këtej të japin shpirtin, se leku sot quhet shpirt…

Gjergj Luca: Mua më njifke pak. Leku për mua s’ka asnjë vlerë. Dorëzohem përpara teje dhe unë si komunist që jam, kam bërë gjithë Tiranën blu kur s’kishte një njeri të PD. Te Rozafa Palace përnotë, pyeti ish- deputetët e asaj kohe, kam bërë mbrëmje me 2-3 mijë vetë. Dhe këta komunistët e tu, ditën që erdhën në pushtet, pas tre muajve më grabitën biznesin.

The post Luca thumbon Gridën për Salianjin: Ç’a kam thënë për Salianjin tat?! E du shumë! first appeared on JavaNews.al.

VIDEO/ Në prag të festave të nëntorit, shqiptarët veshin New Yorkun ’kuq e zi”

By: S M
24 November 2025 at 17:18

Teksa pak ditë na ndajnë nga festat e 28-28 nëntort, shqiptarët anembanë botës përgatiten për të festuar.

Në New York, shqiptarët janë veshur me simbole kuq e zi. Prej vitesh, në New York realizohet ajo që quhet “Parada e shqiptarëve”.

Kjo paradë, ka filluar të zhvillohet edhe në Tiranë, ku mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare./abcnews.al

The post VIDEO/ Në prag të festave të nëntorit, shqiptarët veshin New Yorkun ’kuq e zi” first appeared on JavaNews.al.

EMRI/Rrethohet zona, identifikohet 24-vjeçari i cili kërcënon RENEA-n dhe Antiterrorin në Fushë Arrëz!

By: S M
24 November 2025 at 17:14

Është bërë e mundur identifikimi i njërit prej personave të armatosur që dyshohet se ndodhen brenda një banese në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për 24-vjeçarin Julian Cumraku, i cili raportohet se ka kërcënuar forcat e policisë se do të hapë zjarr ndaj tyre.

Brenda në banesë dyshohet se ndodhen dy persona të kërkua. Një prej tyre është identifikuar si Juljan Cumrraku, i cili dyshohet se është i lidhur me grupe terroriste. Personi tjetër nga Tirana, mbetet ende i paidentifikuar.

Aksioni policor ka nisur që në orët e para të ditës në fshatin Orosh, që i përket njësisë administrative Qafë Mali, ku uniformat blu kanë rrethuar një banesë të braktisur prej vitesh.

Dyshohet se aty janë strehuar dy persona të armatosur, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë.

Për shkak të situatës së krijuar, Policia e Pukës ka kërkuar asistencën e forcave speciale RENEA, të cilat ndodhen në terren për të mbështetur operacionin.

Zona e thellë dhe mungesa e valëve telefonike po vështirësojnë marrjen e informacionit në kohë reale, ndërsa kontrolli i policisë po vijon me kujdes maksimal.

Nuk ka ende të dhëna të tjera mbi gjendjen brenda banesës apo zhvillimet e mëtejshme të operacionit.

The post EMRI/Rrethohet zona, identifikohet 24-vjeçari i cili kërcënon RENEA-n dhe Antiterrorin në Fushë Arrëz! first appeared on JavaNews.al.

Artan Hoxha non-grata në Greqi, Bido: Sulmi përmes shpalljes “non-grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane

By: S M
24 November 2025 at 17:11

Deputeti i PS-së Ardit Bido ka reaguar lidhur me ndalimin e gazetarin Artan Hoxha në kufirin shqiptaro – grek.

Gazetari Hoxha u shpall non grata nga autoritetet greke. Bido nënvizon se është e papranueshme që që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit.

Gjithashtu shton se sulmi përmes shpalljen non grata, përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane.

“Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre. Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit. Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane”, thotë Bido.

The post Artan Hoxha non-grata në Greqi, Bido: Sulmi përmes shpalljes “non-grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane first appeared on JavaNews.al.

❌