Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, është shprehur se Parlamenti po distancohet nga problemet reale të shqiptarëve dhe po bën prioritet agjendën e mazhorancës.
Këlliçi u shpreh se mazhoranca refuzon të flasë në Kuvend për problematika të ngritura edhe nga Parlamenti Europian.
“Ky Parlament distancohet çdo ditë nga problemet që ka sheshi dhe po bëhet prioritet agjenda e kësaj mazhorance. Prej 51 ditësh ka një shesh të mbushur me mijëra qytetarë. Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizmin e ligjit për zonat e mbrojtura, ndërsa ky Parlament refuzon të flasë për këtë çështje. Si ka mundësi që eurdeputetët flasin për problemet që ka Shqipëria, ndërsa ky Parlament refuzon të trajtojë problemet e shqiptarëve”, u shpreh Këlliçi./kb
Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi Kupën e Botës si eventin më madhështor të mbajtur nga FIFA. Ai zbuloi se kishte qene tifoz i Argjentinës, ndërsa pranoi se Spanja luajti me mirë.
“FIFA ishte e jashtëzakonshme. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, ndoshta në aspektin e një eventi, e lëre më në futboll. Ishte i jashtëzakonshëm. Ishte katër herë më i madh se çdo event i mbajtur ndonjëherë nga FIFA, dhe ndoshta është rreth pesë herë më i madh në fakt, po më thonë sot. Pra, jemi shumë krenarë për vendin tonë. Jemi shumë krenarë për punën që u bë nga të gjithë. I përgëzojmë Gianni Infantinon dhe të gjithë stafin e tij dhe punën e jashtëzakonshme që bënë. Por ky ishte një nga evenimentet më të mëdha të çdo lloji të mbajtur ndonjëherë. Jo, nuk u trishtova që humbi Argjentina. Mendoj se të dyja ekipet luajtën mirë. Do të thoja se Spanja luajti më mirë, me të vërtetë. Por, të dyja luajtën mirë dhe arritën në finale dhe, në fakt, ishte shumë emocionuese. Duket sikur Spanja dominoi, por ishte një garë shumë e ngushtë. Fola me kryeministri spanjoll dhe e përgëzova që kishin një ekip të shkëlqyer”, u shpreh Trump/kb
Janë zbardhur pjesë nga dëshmia e ish-presidentit Bamir Topi në seancën e gjykimit në themel të dosjes “Partizani”. Sipas raportimeve, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.
Gjatë dëshmisë, ish-presidenti ka folur për njohjet me personat e pandehur për çështjen, ku është shprehur se Jamarbër Malltezin e njeh vetëm si dhëndrin e kryedemokratit Sali Berisha.
Ndër të tjera është shprehur se procesi i planit të përhapjes ishte një proces politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe e gjithë përgatitja përbëhej nga shtabi dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pjesë nga dëshmia:
SPAK: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashi, Andia Pustina, Jamarbër Malltezi?
Topi: Malltezin e njoh si dhëndër i doktor Berishës, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Dua të specifikoj se asnjëherë nuk jemi ulur qoftë edhe për një kafe. Pra, ka qenë një njohje në distancë.
Me zotin Begeja kemi banuar në një lagje të vjetër, me një distancë rreth 500 metra. Ai jetonte te Selvia, unë te Rruga e Bërdikadave. As jemi ulur, as kemi konsumuar ndonjë bisedë.
Zotin Bektashi e njoh si një personazh që është marrë me politikë dikur. Në mos gaboj, ka qenë dikur zv.ministër. Andia Pustina nuk e njoh.
SPAK: Në cilën kohë ka qenë zoti Bektashi zv.ministër?
Topi: Kam përshtypjen që ka qenë zv.ministër në kohën e Meksit, në mos gaboj.
SPAK: Mund të na sqaroni në lidhje me procedurën me planin e përhapjes? Cilat ishin ato struktura që bënin studimin përfundimtar?
Topi: Në cilësinë e Presidentit të Republikës isha edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Procesi i planit të përhapjes ishte një proces politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes, një proces teknik dhe vinte si një akt. E gjithë përgatitja përbëhej nga shtabi dhe Ministria e Mbrojtjes.
Në atë periudhë ishte një kohë reformash, marrje reformash për të hyrë në NATO dhe e gjithë procedura, i gjithë procesi, asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Realizohej, mbyllej nga shtabi dhe vinte tek unë vetëm për t’u mbyllur juridikisht.
SPAK: Gjatë asaj kohe, ju kujtohet se sa vendimmarrje mund të keni pasur për planin?
Topi: Ka qenë jo vetëm e drejtë e Presidentit për të mbyllur një procedurë që shkonte me një arritje madhore për t’u anëtarësuar në NATO.
SPAK: A jeni vënë në dijeni në lidhje me ndonjë problematikë?
Topi: Qysh nga momenti që nis procesi, kjo nuk është përgjegjësi e zyrës së Presidentit. Në mos gaboj, ka ardhur nëpërmjet Vladimir Qiriazit, duhet të ketë qenë viti 2009. Kisha një axhendë dite të ngarkuar dhe normalisht e prita, duke qenë se kishte statusin e gjeneralit. Ka filluar të shprehë shqetësime dhe i kam thënë të asistojë me grupin e këshilltarëve. Në fund të ditës kam marrë informacion se shefi i kabinetit më tha: “U konsultua, dhamë mendime, por nuk është një gjë që është në kompetencë të Presidentit, sepse bëhet fjalë për një pronë që ka dalë nga plani i përhapjes nga gushti i vitit 2007”. Më tha: “Është në kompetencë të qeverisë”. Kaq ka qenë dijenia ime.
SPAK: A keni qenë në dijeni për privatizimin?
Topi: Kam dëgjuar, siç kanë dëgjuar të gjithë. Ka qenë jashtë procedurës së Presidentit.
SPAK: A jeni njoftuar me shkresë për ndonjë problematikë nga zoti Qiriazi?
Topi: Këtë mbaj mend që ju thashë.
SPAK: Ju keni shkarkuar nga detyra si komandant zotin Vladimir Qiriazi. Kush i bënte propozimet?
Topi: S’mund t’jua them si procedurë, por besoj se vinte nga Shtabi i Përgjithshëm si propozim. /kb
“Çehrja, flokët, mustaqet e mbretit janë biondë. Vishet me elegancë, ka një joshje natyrore, megjithëse ndonjëherë është nervoz. Kurajo e tij është e pakundërshtueshme, krejt si inteligjenca dhe kapacitetet e tij intuitive…”! Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony, ose ashtu siç njihet tashmë nga të të gjithë Mbretëresha Geraldinë, do t’i sillte shpesh në mendje këto fjalë të thëna nga Jozef Suari. Vajza që e kishte kaluar adoleshencën dhe rininë e hershme në një nga kështjellat më të bukura të Hungarisë, në Zebegeny, bashkë me të motrën Virginia, e kishte ëndërruar shpesh djaloshin që do t’i rrëmbente zemrën.
Sjellja e tij duhet t’u ngjasonte rrëfimeve për burrat që kishte dëgjuar në bisedat e Aponyve. Me përfytyrimet e një vajze të grishur nga e papritura dhe imazhi i një burri që dukej interesant përmes tregimeve për të, ajo vizatoi në mendje portretin e saj për Mbretin Zog. Me një shqetësim të ëmbël brenda vetes, kontesha udhëtoi drejt Shqipërisë për ta takuar. Ishin ditët e fundit të dhjetorit dhe Mbreti kishte organizuar një ballo me rastin e Vitit të Ri.
E veshur me një fustan të gjatë elegant, flokët e krehur lehtë, kontesha hungareze priste me ankth të shihte burrin për të cilin kishte udhëtuar nga larg. E rritur mes leximesh ajo besonte fort në fuqinë e takimit të parë. Nëse sytë e tij do të depërtojnë menjëherë brenda trupit të saj, atëherë mes tyre do të kishte një histori. Kur princesha Sanije i thotë se tashmë ka ardhur momenti të takojnë Mbretin, ajo stepi. Ai ndodhej vetëm pak metra larg saj, diku në fund të sallës të mbushur me njerëz.
“Po arrinim në fund të sallës, kur befas pashë para meje një burrë trupmadh e të hollë, shumë elegant, që po bisedonte me një shef të misionit të huaj. U kthye nga unë dhe duke ndeshur për herë të parë vështrimin e tij, ndjeva një shqetësim të habitshëm. Kishte sy bojë-qielli, zhbirues dhe robërues…”, do ta kujtonte më vonë Geraldinë atë moment.
Mbreti do t’i buzëqeshte, duke e falënderuar që kishte ardhur nga larg, e duke e pyetur mbi udhëtimin. Por Geraldinë nuk mund të jepte asnjë përgjigje. Papritur ajo e ndien veten të pushtuar nga një ngërç emocionesh, duke e ndier se sapo ishte takuar me të ardhmen e saj. “S’munda veçse të belbëzoja një përgjigje. Shumë persona afroheshin për ta përshëndetur, por të motrat, princeshat, na rrethonin si për të na mbrojtur nga kureshtjet e turmës.
Mbreti i prezantoi me radhë, pastaj më zgjati një kupë shampanjë shkreptitëse. Gishtat tanë u çikën dhe saktësisht në këtë çast dritat u fikën. Tronditja kishte qenë kaq e fortë saqë e lëshova gotën; ajo u thye në mijëra copëra, ndërsa po kumbonin dymbëdhjetë goditjet e mesnatës”, kujtonte më vonë Mbretëresha Geraldinë.
Ishte viti 1938 dhe një vajzë e rritur salloneve ndihet e pushtuar nga ankthi i një takimi që aq shumë e kishte pritur. Mbreti e kupton menjëherë heshtjen e saj dhe për ta nxjerrë nga situata e fton për të ngrënë…! Në një mbrëmje që do të zgjaste gjatë, Zogu dhe Geraldina duket se e gjetën menjëherë njëri-tjetrin. Nën shkëlqimin e një darke mbretërore, ajo ishte shkëlqimi më i bukur atë natë në Pallat. Shumë historianë apo biografë janë përpjekur të ndërtojnë një tablo të atij takimi, që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e Mbretit të shqiptarëve.
Por rrëfimi më i ndier është i vetë Geraldinës, e cila deri në fund të jetës ruajti me kujdes si perla të një rruaze të çmuar, detajet e asaj mbrëmjeje. Josephinë Dedet është një prej biografeve më të mira të jetës së mbretëreshës Geraldinë. E dhënë pas historisë, kjo gazetare franceze do të tërhiqej menjëherë nga figura e mbretëreshës shqiptare që kur lexoi për herë të parë për të. Kur ishte e vogël, historia e saj i ngjasonte si një përrallë. Prindërit e Dedet ishin miq me gjysmëvëllain francez të Geraldinës, Guy Giraul.
Josephinë Dedet: “Ata u dashuruan me shikim të parë”!
“Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”. Për herë të parë, Dedet do ta takonte në Ranburg (Afrika e Jugut) në vitin 1996. Përpara këtij takimi ato kishin shkëmbyer letra, të cilave mbretëresha u përgjigjej me shumë mirësjellje. Josefinë e pyeste për gjithçka, fëmijërinë, takimin me mbretin, Shqipërinë apo jetën në ekzil. “Falë letrave të gjata të shkëmbyera mes nesh, kishim filluar të ishim të afërta për njëra-tjetrën.
Më në fund, në vitin 1996, unë shkova ta takoja atë në Afrikën e Jugut, ku ajo jetonte bashkë me të birin, Lekën, dhe familjen e tij dhe me motrën e saj, konteshën Virginia Apony, të cilën e kisha njohur më parë edhe në Francë”, thotë Dedet. Përgjatë një jave sa qëndroi atje, Jozefinë do të merrte më shumë përgjigje për pyetjet që i lindin nga letrat. Kur ajo i tha Geraldinës se donte të shkruante një libër për të, në fillim ajo do të hezitonte, për shkak të një libri që kishte dalë në Britaninë e Madhe, nga i cili kishte mbetur e zhgënjyer.
Por pyetjet e bëra nga Dedet, përkushtimi i saj ndaj kësaj historie, e bënë të merrte bekimin e Mbretëreshës Geraldinë. “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”, quhet libri që u botua për herë të parë në Francë në vitin 1997 dhe do të ribotohej sërish gjatë këtyre viteve duke u pasuruar me kapituj të tjerë, ku përfshihen dhe vitet e fundit të jetës që kaloi në Shqipëri. Më 6 gusht të këtij viti, ishte 100-vjetori i lindjes së mbretëreshës Geraldinë.
Ndërsa në Shqipëri, ky përvjetor kaloi në heshtje, për një figurë që është kthyer në një ambasadore të denjë të historisë sonë, Hungaria, vendi i saj i lindjes, do ta kujtojë përmes një aktiviteti, ku do të prezantohet dhe botimi në hungarisht i librit mbi jetën e saj. Nën botimin e shtëpisë botuese hungareze “Europa”, më 8 shtator në Pallatin Karolyi do të mbahet aktiviteti për nder të Mbretëreshës Geraldinë, ku pritet të jenë më shumë se 250 njerëz.
Për Josephinë, kujtesa ndaj një figure si Geraldinë është një kujtesë ndaj kujtesës sonë historike. Teksa shkruante jetën e kësaj gruaje, ajo ndiente sesi dhe rrëfimet e saj kanë aftësinë ta përsosin njeriun, me energjinë që mbartin brenda. Dedet ruan me fanatizëm çdo detaj të takimeve me këtë grua të jashtëzakonshme. Pjesa më interesante e rrëfimeve në këtë libër, është jeta e saj në Shqipëri. Dhe pse vetëm një vit jetoi jetën e një Mbretëreshe në Pallat Mbretëror, kjo jetë do të ishte gjithçka në atë çfarë ndodhi më vonë me jetën e Geraldinës.
“Jeta në Shqipëri për një vit la gjurmë të thella në jetën e saj. Ajo ra në dashuri me vendin dhe gjatë viteve të qëndrimit në emigrim nuk e harroi asnjëherë këtë. Kur unë e pyeta njëherë; ‘A mendoni ndonjëherë për Shqipërinë?’ Ajo u përgjigj menjëherë: ‘Gjithë kohën’, dhe kjo ishte thjesht e vërteta”, kujton Dedet. Sipas saj, dashuria e saj me Mbretin Zog ishte një dashuri e rrallë. “Ata u dashuruan me shikim të parë. Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”, thotë Dedet.
Kur ata u martuan, Mbreti Zog ishte 42 vjeç dhe Geraldina vetëm 22. Ai kishte qenë beqar për shumë vite dhe kishte një aftësi për të depërtuar te njerëzit. Ai e njohu menjëherë zemrën e saj, ndërsa ajo iu përkushtua tërësisht atij. Ajo do të ishte forca e tij gjatë ekzilit apo sëmundjes. E rritur në një familje të një shtrese të lartë, Geraldina e njihte mirë gjuhën diplomatike dhe e përdori atë për t’ua dalë shumë situatave në një jetë të vështirë siç ishte ekzili.
Për Dedet ishte fat të shkruaje për këtë grua, e cila do të mbetet gjatë në histori. Kthimi në Shqipëri i familjes mbretërore ishte dhe paqja që erdhi më në fund në shpirtin e Geraldinës. Pavarësisht se ishte hungareze, ajo nuk do të ikte e qetë nga kjo jetë pa shkelur dhe njëherë në Shqipëri.
Libri i shkruar nga Dedet i ngjason një romance në shumë kapituj të tij. Historia e dashurisë e Mbretit me Mbretëreshën dhe lidhja e tyre e fortë gjatë viteve në emigrim, i ngjason një historie që mund ta gjesh vetëm në libra. Dedet ka dashur të japë përmes këtij libri gjithçka çfarë ndodhte brenda zemrës së një gruaje, orët e saj të bukura të dëshirave, por dhe trishtimit. Orët pas natës së parë të takimit, përshkruhen nga Dedet si orë të mbushura me parandjenja.
“Nëse ngurrimet fillestare janë zhdukur mirë e bukur, ajo provon tani, pa e përcaktuar akoma natyrën e saktë, torturat dhe sfilitjet e një shpirti të dashuruar. Ngathtësia e saj, kupa e shampanjës e thyer, ngjyra veçanërisht pak tërheqëse e fustanit të saj, të gjitha këto i sillen në mendje dhe e bëjnë të skuqet nga turpi. Pasi ka pasur aty për aty përshtypjen se po jeton disa çaste të privilegjuara, tani ajo është e bindur se i ka pëlqyer Mbretit. Përfundimisht”, përshkruan Dedet ditët e para në Pallat të Geraldinës. Kur zgjohet të nesërmen në mëngjes gjen mbi tryezë një buqetë të madhe me karafila të kuq në formë zemre.
Me këtë gjest Mbreti kishte treguar se donte t’i fitonte zemrën asaj. Ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, ai i la të gjitha dhe u ngrit t’i puthte dorën. Ky ishte një gjest që ai nuk e bënte kurrë. Duke dashur të shmangte pyetjet e tepërta të një bisede të mbushur me emocione, ai i bëri direkt pyetjen që e mundonte prej ditësh: “A dëshironi të jeni gruaja ime?” “E njihnim pak njëri-tjetrin, por unë nuk mund t’i bëja ballë joshjes që buronte nga tërë personi i tij: tanimë e ndieja veten të dashuruar.
Pa mundur t’i analizoja ndjenjat e mia, e dija që kurrë s’kisha takuar ndonjë burrë si ai”, kujtonte ajo më vonë. Dhjetë ditë do t’i kërkonte ajo kohë për t’u menduar dhe pas dhjetë ditëve do të kthehej sërish në Pallat për të dalë prej andej vetëm si gruaja e tij…! Kujtimet e Geraldinës, për gazetaren Dedet, janë kujtimet e bukura të një gruaje, e cila dashurinë për një burrë e ktheu në dashurinë e madhe për një vend…!/ Memorie.al/kb
Shqiptari Fatmir Seremeti dhe bashkëshortja e tij, indoneziania Jenny Seremeti, ndanë në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN historinë e tyre të njohjes dhe dashurisë, e cila nisi krejt rastësisht në rrjetet sociale.
Fatmiri tregoi se gjithçka filloi një vit më parë, kur Jenny komentoi një video të tij në Instagram. Pas disa komenteve dhe bisedave online, ai vendosi ta ndiqte në rrjetin social dhe më pas të njiheshin më nga afër.
“Pas disa komenteve m’u duk vajzë interesante. Ia pashë Instagramin dhe i bëra ‘follow’. Nisëm të bisedonim dhe bëmë një takim. Në fillim nuk ishte një takim shumë serioz”, tha ai.
Sipas Fatmirit, një nga gjërat që e tërhoqi më shumë ishte personaliteti dhe energjia e Jenny-t. Ajo është pronare e dy palestrave në Stockholm dhe merret me mësimin e arteve marciale për fëmijë, madje kishte menduar ta ftonte edhe atë si ligjërues.
Çifti ndan interesa të përbashkëta dhe pasionin për të njohur kultura të ndryshme. Jenny, e cila është rritur në Suedi në një familje suedeze, ka vizituar Kosovën së bashku me Fatmirin, ku u njoh nga afër me familjen e tij.
“Vizituam të gjithë Kosovën. Jenny gjeti shumë dashuri dhe ngrohtësi në familjen time. Ajo ka fëmijë nga një marrëdhënie e mëparshme dhe edhe unë po ashtu. Familjet tona e kanë pritur shumë mirë këtë lidhje”, u shpreh Fatmiri. Ky i fundit tha se disa e shohin si keqardhje aspektin që Jenny është e dashuruar me një burrë të verbër, por shumica nuk kanë paragjykime.
Nga ana e saj, Jenny tregoi se ndjeu menjëherë një lidhje të veçantë me Fatmirin.
“Kishim shumë gjëra të përbashkëta. U dashurova me energjinë dhe aparencën e tij. Dukej shumë njeri i këndshëm dhe i dashur”, tha ajo.
Historia e çiftit dëshmon se një koment i thjeshtë në rrjetet sociale mund të kthehet në një histori të bukur dashurie që kapërcen kufijtë dhe kulturat./kb
Gjatë 24 orëve të fundit, SHBA ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj Iranit ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme raketore ndaj objektivave amerikane në rajon dhe me masa të reja që kanë ndikuar transportin detar ndërkombëtar në Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Një ushtarak amerikan u vra në Irak, duke e çuar në 17 numrin e ushtarakëve amerikanë të vrarë në luftën me Iranin.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme, njoftoi se kishte përfunduar një tjetër seri sulmesh ajrore ndaj objektivave në Iran. Sipas njoftimeve zyrtare, operacionet kanë goditur qendra komandimi ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, instalime të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe infrastrukturë të lidhur me raketat dhe dronët.
Ushtria amerikane deklaroi se objektivi i këtyre operacioneve është dobësimi i aftësive operacionale të Teheranit dhe reduktimi i kërcënimit ndaj anijeve dhe ekuipazheve tregtare në rajon
Nga ana tjetër, Teherani reagoi menjëherë pas sulmeve amerikane. Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte kryer sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në rajon, duke përdorur raketa balistike. Sipas autoriteteve iraniane, sulmet shkaktuan dëme në disa pajisje dhe sisteme ushtarake amerikane, ndërsa Uashingtoni ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë për pasojat.
Në të njëjtën kohë, tensionet u zhvendosën edhe në frontin detar. Irani njoftoi se kishte ndaluar dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se ato kishin shkelur rregullat e kalimit dhe nuk kishin autorizimin e nevojshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë operacionet ushtarake kundër Iranit. Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha se sulmet janë kryer edhe në përgjigje të vdekjes së ushtarëve amerikanë në rajon.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme”, u shpreh presidenti amerikan, duke theksuar se objektivi është dobësimi i kapaciteteve ushtarake iraniane.
Sakaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi një reagim më të madh nga aleatët ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Iranit në Ngushticën e Hormuzit./kb
Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 21 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve që goditën Perunë.
Tërmetet me magnitudë 5.1 dhe 3.7 goditën të shtunën në mbrëmje provincën Chupaca, në rajonin Junín, rreth 300 kilometra në lindje të Limës, sipas një njoftimi të Qendrës Kombëtare Sizmiologjike të Perusë, shkruan A2.
Luis Vásquez, kreu i Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Civile të Perusë, tha se raportet paraprake tregojnë se rreth 48 shtëpi janë shkatërruar dhe 18 të tjera janë dëmtuar, duke prekur rreth 300 persona, të cilëve po u sigurohen çadra.
Vásquez tha se ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit mbërritën në zonat e prekura për të pastruar rrënojat, ndërsa shqetësohen se persona të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar./kb
Protesta ka dy armiq kryesorë. Njëri është pushteti. Betejën me këtë e ka më të lehtë, sepse e ka përballë. Tjetri është ai që përpiqet ta përdorë për interesat e tij politike. Në rastin e kësaj proteste, ky armik i protestës eshte përpjekja e Sali Berishës për ta kanalizuar revoltën drejt objektivave të opozitës së tij. Beteja e dytë është më e vështirë, sepse ky kundërshtar futet si kolonë e pestë në protestë dhe përpiqet ta vrasë pas shpine.
Është e qartë për të gjithë se Berisha nuk e mbështet protestën. Në fillimet e saj, ai e kundërshtoi hapur. Arsyeja ishte e qartë. Në atë periudhë, përpjekja e tij kryesore politike ishte heqja e shpalljes “non grata” në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ai mendonte se nuk i shërbente qëllimit të tij dalja kundër projekteve të Jared Kushnerit dhe Ivanka Trump, dhëndrit dhe vajzës së Presidentit Donald Trump.
Ai nuk ka asnjë të përbashkët me shqetësimet e protestës për korrupsionin, pronat publike dhe mënyrën se si po jepen projektet strategjike, apo mënyrën se si ushtrohet pushteti politik në Shqipëri. Qëllimi i tij është thjesht zëvendësimi i Ramës me të, pa ndryshuar asgjë tjetër, sepse edhe oligarkët i kanë të përbashkët. Prandaj, ai zgjodhi të paraqitej si mbrojtës i investitorëve të huaj, duke e etiketuar protestën si një lëvizje kundër tyre.
Por zhvillimet e mëvonshme e ndryshuan situatën. Protesta vazhdoi të zgjerohej, fitoi mbështetje dhe, për një moment, e nxori Berishën jashtë vëmendjes politike. Atëherë ndryshoi edhe qëndrimi i tij. Ai nisi të deklarohej në mbështetje të protestës, por pa pranuar asnjëherë thelbin e saj. Kërkesa e tij është vetëm mbijetesa e tij politike dhe e berishizmit, prandaj bashkohet me kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.
Pikërisht kjo pikë, që duket sikur i bashkon, është edhe pika që i ndan rrugët e protestës me rrugën politike të Berishës.
Ajo që ka mbledhur dhjetëra mijëra qytetarë në shesh nuk është dëshira për të zëvendësuar Edi Ramën me Sali Berishën, apo një të keqe që perceptohet si më e vogël me një tjetër që perceptohet si më e madhe. Kërkesa që ka bashkuar protestuesit është ndërtimi i një Shqipërie të Re: një shtet ku rregullat janë të njëjta për të gjithë, ku konkurrenca është e ndershme dhe transparente, ku institucionet nuk kontrollohen nga partitë dhe ku qytetarët nuk detyrohen të zgjedhin pafundësisht mes të njëjtëve politikanë.
Pikërisht për këtë arsye, në protestë është dëgjuar vazhdimisht parulla: “Rama në burg, Berisha në burg.” Kjo parullë nuk është kundër dy individëve apo për të bërë drejtësi në shesh. Ajo shpreh refuzimin e një modeli politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tridhjetë vjet.
Berisha përpiqet të identifikohet me protestën. Dhe pushteti përpiqet ta identifikojë protestën me Berishën. Sepse kështu qeveria do ta ketë shumë më të lehtë ta paraqesë si një përballje të zakonshme mes Ramës dhe Berishës, pikërisht atë lloj përballjeje që ka dominuar jetën politike shqiptare për dekada. Në këtë përpjekje, pushteti e ka më të lehtë fitoren.
Protestës dhe lëvizjes qytetare që përpiqet për një Shqipëri të Re nuk i duhet Berisha. Shqipëria e ka provuar një herë formulën e “Aleancës së qelbësirave”. Ajo që u paraqit si një zgjidhje për të hequr një pushtet të korruptuar me bashkimin “e çdo qelbësire”, solli si rezultat konsolidimin e një sistemi që u shërbeu të njëjtave elita politike dhe hapi rrugën për lidhje të forta mes politikës, interesave klienteliste dhe elementeve të kriminalizuara. Nuk ka asnjë arsye që protesta të bëhet pjesë e një formule të ngjashme.
Deri tani, protesta ka treguar se di ta dallojë qartë veten si nga pretendimet berishiste, ashtu edhe nga përpjekjet e pushtetit për ta paraqitur Berishën si palë të saj. Ajo nuk ka pranuar as të futet në oborrin politik të Berishës, as të bëhet dekor në propagandën e qeverisë. Berisha mund të përpiqet të hipë në protestë pa biletë, ndërsa pushteti mund të bëjë sikur ai është drejtuesi i saj, por protestuesit e kanë bërë të qartë se nuk po kërkojnë një ndërrim shoferi me të njëjtën makinë të vjetër.
Forca e protestës qëndron pikërisht te fakti se ajo nuk kërkon të sjellë në pushtet të njëjtët njerëz. Ajo kërkon të ndryshojë vetë rregullat e lojës. Prandaj, protestës nuk i duhet një aleancë e re mes figurave të vjetra politike. Asaj i duhet të mbetet besnike idesë që ka frymëzuar mijëra qytetarë: ndërtimit të një Shqipërie të Re, ku çdo qytetar ka të njëjtat mundësi për të konkurruar, ku shteti nuk funksionon me privilegje politike dhe ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë./kb
Sistemi i ri i Hyrjeve dhe Daljeve (EES) i Bashkimit Evropian ka rritur ndjeshëm kohën e kontrollit të pasaportave për shtetasit britanikë, ndërsa aeroportet dhe linjat ajrore paralajmërojnë për pritje të gjata gjatë sezonit veror.
Sipas Ivan Bassato, drejtorit kryesor të aviacionit në aeroportin Fiumicino të Romës, koha mesatare e kalimit në kontrollin kufitar është rritur nga rreth shtatë minuta në 20 minuta, pavarësisht përmirësimeve të bëra në sistem. Ai tha se integrimi i EES me portat elektronike ka përmirësuar procesin, por sistemi ende nuk ofron të njëjtin nivel efikasiteti si më parë.
Paralelisht, kompania ajrore Ryanair u ka bërë thirrje pasagjerëve që udhëtojnë drejt Evropës të planifikojnë kohë shtesë për procedurat kufitare, duke paralajmëruar se zbatimi i sistemit të ri po shkakton vonesa dhe radhë të gjata në disa aeroporte.
Edhe autoritetet kufitare në aeroportin e Faros, në Portugali, pranuan se sistemi has herë pas here probleme teknike. Sipas mbikëqyrësit Pedro Oliveira, pritjet që më parë zgjatnin rreth 10 minuta mund të kalojnë 30 minuta, megjithëse vonesat mbi një orë mbeten të rralla dhe zakonisht ndodhin vetëm kur mbërrijnë disa fluturime njëkohësisht.
Komisioni Evropian deklaroi se ndërprerjet në shumicën e aeroporteve të Bashkimit Evropian janë të kufizuara dhe se do të vazhdojë të mbështesë shtetet anëtare në zbatimin e sistemit të ri.
EES është sistemi dixhital që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jashtë Bashkimit Evropian në zonën Shengen. Ai kërkon regjistrimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë së udhëtarëve gjatë hyrjes në territorin Shengen, ndërsa të dhënat verifikohen edhe në momentin e largimit.
Procesi kryhet kryesisht përmes kiosave automatike ose portave elektronike, ndërsa fëmijët nën moshën 12 vjeç kontrollohen nga oficerët kufitarë.
Në disa aeroporte evropiane, përfshirë Romën dhe Barcelonën, pasagjerët kanë raportuar pritje që variojnë nga 45 minuta deri në dy orë, ndërsa disa kanë humbur edhe fluturimet e tyre si pasojë e vonesave në kontrollin kufitar.
Drejtuesit e aeroporteve kërkojnë përmirësime të mëtejshme të sistemit, përfshirë eliminimin e procedurave të dyfishta dhe zgjerimin e përdorimit të aplikacionit të para-regjistrimit të BE-së, i cili aktualisht përdoret vetëm nga Suedia dhe Portugalia./kb
Partia Demokratike do të mbledhë nesër paradite Grupin Parlamentar. Sipas informacioneve, mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00, një orë para nisjes së sëancës plenare në Kuvend.
Në mesazhin drejtuar deputetëve nga kreu i Grupit Parlamentar është lënë e hapur mundësia e pjesëmarrjes në seancë plenare duke qenë se dy seancat e fundit PD i ka bojkotuar.
“Të nderuar kolegë,
Të hënën, datë 20 Korrik, ora 11:00 do te zhvillojmë mbledhje të Grupit Parlamentar të PD, në seli.
Përgatitemi në çdo rast për seancën, që të jemi gati nëse grupi parlamentar vendos që të marrin pjesë. Ju falenderoj!”, thuhet në mesazh/kb
Lufta në Ukrainë po ushtron një presion gjithnjë e më të madh mbi ekonominë ruse dhe mbi pasurinë e oligarkëve më të fuqishëm të vendit.
Sipas raportimeve të mediave të pavarura ruse dhe ndërkombëtare, Kremlini po kërkon gjithnjë e më shumë kontribute financiare nga biznesmenët e mëdhenj, ndërsa ata që nuk binden, përballen me rrezikun e humbjes së pronave dhe kompanive të tyre.
Në fund të marsit, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me sipërmarrësit më të mëdhenj rusë, Vladimir Putin u ka kërkuar atyre të japin “kontribute vullnetare” për buxhetin e shtetit. Kërkesa lidhet me nevojën për të financuar shpenzimet e luftës dhe për të mbështetur ekonominë ruse, që ndodhet nën presionin e sanksioneve perëndimore.
Disa prej oligarkëve më të pasur thuhet se reaguan menjëherë. Suleiman Kerimov, një prej figurave më të pasura të Rusisë, premtoi rreth 100 miliardë rubla, ndërsa edhe biznesmenë të tjerë të mëdhenj, si Vladimir Potanin dhe Oleg Deripaska, u përfshinë në këtë valë financimesh. Sipas disa raportimeve, shuma totale e mbledhur nga këto kontribute arriti në qindra miliarda rubla.
Megjithatë, pas këtyre “donacioneve” që paraqiten si vullnetare, shumë analistë shohin një formë presioni politik. Në Rusi, kufiri mes kërkesës shtetërore dhe detyrimit praktik është bërë gjithnjë e më i paqartë. Oligarkët, të cilët në vitet ’90 krijuan pasuri të mëdha gjatë privatizimeve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, tani janë të varur nga marrëdhënia e tyre me Kremlinin.
Që nga viti 2024, autoritetet ruse kanë nisur një proces më agresiv kontrolli dhe rikthimi të disa pasurive private në duart e shtetit. Kompanitë dhe pronat e biznesmenëve që mbajnë lidhje jashtë Rusisë ose që konsiderohen jo plotësisht besnikë ndaj pushtetit janë bërë objekt hetimesh dhe procedurash ligjore.
Një nga rastet më të bujshme ishte konfiskimi i aeroportit Domodedovo në Moskë, ndërsa pronarë të tjerë të mëdhenj janë përballur me ngrirje asetesh ose kërkesa për të transferuar pasuri te shteti.
Rasti i miliarderit Andrey Melnichenko është një shembull i presionit të drejtpërdrejtë: për të shmangur nacionalizimin e një kompanie energjetike, ai bëri një pagesë të madhe në një fond arsimor të lidhur me institucionet ruse. Mesazhi për oligarkët është i qartë: pasuria private në Rusi varet nga besnikëria ndaj Kremlinit. Në kushtet e luftës dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake, qeveria ruse po kërkon më shumë burime financiare dhe po përdor kontrollin mbi pronën si mjet presioni./kb
Rënia e lindshmërisë po bëhet gjithnjë e më e dukshme edhe në Durrës. Të dhënat zyrtare të lindjeve nga materniteti i Durrësit flasin se gjatë viti 2025 u regjistruan200 lindje me pak se një vit më parë, dhe një trend i ngjashëm po vijon edhe këtë vit.
Ekspertë të fushës psiko-sociale parashtrojnë disa nga faktorët kryesore që po ndikojnë në këtë ulje të vazhdueshme të lindjeve në qytetin bregdetar.
Natyrisht që këto faktorë përveç rritje së pasigurisë, së çifteve i detyrojnë ato që të mbledhin edhe më shumë informacion rreth vështirësisë për të përballuar krijimin e një familje, informacion i cili shikohet si një tjetër faktor në uljen e lindshmërisë.
Gjithashtu për ekspertët socialë një tjetër faktor që shikohet si mjaft ndikues në stopimin e lindjeve është edhe roli që tashmë gruaja ka marrë në shoqëri dhe jetën ekonomike të vendit.
Rritja e moshës për t’u bërë prindër dhe natyrisht suporti i pamjaftueshëm i nënave të reja si në raport me punën ashtu edhe më krijimin e kushteve në çerdhe dhe kopshte për mbajtjen e fëmijëve, formojnë faktorët kompleksë të fenomeni që po plak popullsinë e vendit dhe natyrisht po krijon kushtet për uljen e saj. /kb
Spanja dhe Argjentina do përballen në mbrëmje, në finalen e madhe të Botërorit. Mediat kanë publikuar së fundmi edhe formacionet e mundshme të të dyja skuadrave.
Si De La Fuente, ashtu edhe Scaloni, do luajnë nga minuta e parë me më të mirët. Arbitër kryesor është Vincic.
Spanja 4-2-3-1: Unai Simon; Pedro Porro, Cubarsi, Laporte, Cucurella; Rodri, Fabian Ruiz; Yamal, Olmo, Baena; Oyarzabal.
Komisar teknik: De La Fuente
Argjentina 4-4-2: E.Martinez; Montiel, Romero, Li.Martinez, Tagliafico; De Paul, Paredes, Enzo Fernandez, Mac Allister; Messi, Julian Alvarez. Komisar teknik: Lionel Scaloni/kb
Një vendim i marrë më shumë se 20 vite më parë mund të kishte ndryshuar jo vetëm karrierën e Lionel Messit, por edhe historinë e futbollit botëror.
Ashtu si në filmin “Sliding Doors”, ku një moment i vogël ndryshon gjithë rrjedhën e jetës së personazhit kryesor, edhe Messi në vitin 2004 u gjend përballë një zgjedhjeje që mund ta kishte çuar në një tjetër kombëtare.
Në atë kohë, 17-vjeçari nga Rosario ishte konsideruar tashmë një talent i jashtëzakonshëm. Spanja kishte nisur procedurat për ta bërë pjesë të kombëtares së saj U-20 dhe ishte shumë pranë ta merrte me vete në Botërorin e kësaj grupmoshe.
Por në Argjentinë e kishin kuptuar rrezikun. Trajneri i atëhershëm i të rinjve, José Pekerman, e shihte Messin si të ardhmen e futbollit argjentinas.
“Ai ishte fytyra e re e futbollit tonë. Duhej të shmangnim me çdo kusht humbjen e tij”, ka rrëfyer më vonë Pekerman.
Pekerman zbuloi se Argjentina ndërtoi një plan urgjent për të penguar që Messi të debutonte zyrtarisht me Spanjën.
“I thashë Tocallit, trajnerit të Argjentinës U-20, se ai ishte lojtari i së ardhmes, i së ardhmes sonë. Por Spanja i kishte përgatitur të gjitha për ta marrë në Botërorin U-20.”
Zgjidhja ishte një miqësore e organizuar me shpejtësi, ku Messi do të grumbullohej me fanellën e Argjentinës.
“I kërkova nëse mund të organizonim një ndeshje miqësore dhe ta thërrisnim Messin, në mënyrë që të firmosja listën dhe ta dërgoja në FIFA. Më tha: ‘Si mund të më thuash tani që ka një djalë që duhet shtuar?’. I shpjegova se nuk kishte nevojë të luante në turne, por vetëm në atë miqësore, për ta marrë nga Spanja.”
Me ndihmën edhe të presidentit të atëhershëm të federatës argjentinase, Julio Grondona, plani funksionoi. Messi veshi fanellën e Argjentinës dhe kjo ishte fillimi i një historie që do të ndryshonte futbollin.
Pyetja mbetet një nga “po sikur”-et më të mëdha të historisë së sportit.
Çfarë do të kishte ndodhur nëse Messi do të kishte luajtur për Spanjën?
Ndoshta sot do të shihnim një dyshe të jashtëzakonshme me Lionel Messin dhe Lamine Yamal, dy talentet që në ditët e fundit janë bërë pjesë e një fotografie virale së bashku, në të njëjtën fanellë kombëtare.
Spanja mund të kishte pasur një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në historinë e saj, ndërsa Messi do të kishte pasur një tjetër rrugëtim ndërkombëtar. Por historia nuk mund të ndryshohet.
Pa shtatë golat dhe paraqitjet e jashtëzakonshme të Messit në Botërorin 2022, është e vështirë të imagjinohet Argjentina si kampione bote në Katar. Në të njëjtën kohë, mbetet pyetja se çfarë do të kishte arritur Spanja me një Messi në ekip gjatë viteve të fundit./kb
Top Channel
Filmi i ri i Christopher Nolan, “Odisea”, po korr sukses të madh në arkë, por fansat e regjisorit britanik do të duhet të presin gjatë për projektin e tij të radhës.
Nolan ka bërë të ditur se do të kalojnë të paktën tre vite përpara se një tjetër film i tij të mbërrijë në ekranin e madh. Në një intervistë për emisionin “Today” të NBC-së, regjisori u pyet për ritmin e tij të punës, pasi në vitet e fundit ka publikuar një film të ri pothuajse çdo tre vjet.
Pas “Interstellar” (2014), Nolan solli “Dunkirk” (2017), më pas “Tenet” (2020) dhe “Oppenheimer” (2023), duke ndjekur një cikël të ngjashëm prodhimi. Ai konfirmoi se edhe për filmin e ardhshëm do të nevojitet një periudhë e gjatë përgatitjeje.
Regjisori pranoi se puna për adaptimin e veprës së Homerit, ku ai është njëkohësisht shkrimtar, regjisor dhe producent, ka qenë një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.
“Kam arritur kufijtë e qëndrueshmërisë sime dhe mendoj se edhe të gjithë të tjerëve. Është ‘Odisea’; nëse nuk duket e vështirë, atëherë nuk po e bëjmë siç duhet”, u shpreh Nolan.
“Odisea” është një nga projektet më ambicioze të regjisorit, i cili pritet të sjellë një version epik të poemës së lashtë të Homerit, duke kombinuar stilin e tij të njohur kinematografik me një histori klasike që ka frymëzuar breza të tërë.
Për filmin “Odisea” , Nolan bëri histori duke e xhiruar tërësisht në film IMAX 70 milimetërsh, duke shpjeguar: “Shkova në IMAX dhe thashë: ‘Shikoni, nëse ndonjëherë do ta përmbushim këtë ëndërr për ta xhiruar të gjithë filmin në atë mënyrë, ky është ai. Ky është Odisea’ .”
“Odisea” është tashmë në kinema dhe pritet të arrijë mbi 257 milionë dollarë fitime në të gjithë botën , hapja e tij më e mirë globale që nga “The Dark Knight Rises ” (2012), i cili u hap me 249 milionë dollarë.
Filmi është në kinema dhe në të luajnë Matt Damon, Anne Hathaway, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson, Tom Holland, Zendaya, Charlize Theron dhe shumë era të tjerë të njohur./kb
Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi ka bërë një reagim në rrjetet sociale për protestën e 50-të që do të mbahet pasditen e sotme para Kryeministrisë.
Këlliçi shprehet se kërkesa kryesore e protestës, largimi i kryeministrit Edi Rama, është tema e çdo dite dhe çdo ambjenti.
Ai shton më tej se kësaj thirrje i janë bashkuar të gjithë qytetarët. Ndër të tjera shton se Partia Demokratike ka bërë zgjedhjen e duhur duke e mbështetur dhe shton se çdo demokrat duhet të vijojë qëndresën në shesh, pavarësisht provokimeve nga ata që sipas tij i bëjnë opozitës opozitë.
Postimi i plotë:
50 ditë protestë, largimi i Edi Ramës është tema e çdo dite e çdo tryeze, e çdo ambjenti
Sot është dita 50 e protestës së pandërprerë të qytetarëve në Bulevard, kundër korrupsionit, arrogancës, qeverisjes së keqe, trajtimit të Shqipërisë si plaçkë dhe shpërfilljes së njerëzve.
Kërkesa kryesore, largimi i Edi Ramës, mbetet pika e parë në agjendën e politikës në vend, dhe në çdo ambjent.
I janë bashkuar shqiptarët kudo kësaj thirrjeje. Por e sigurtë është që askënd nuk e ka lënë indiferent. Edhe ata të heshurit, në qoshet e tyre thonë njëzëri: duhet të ikë!
Asgjë tjetër nuk diskutohet sot më shumë se sa largimi i Edi Ramës, kudo në çdo hapësirë, dhe kjo është një arritje e protestës.
Për ikjen e Edi Ramës flitet më shumë se për finalen e botërorit.
Se sa e fuqishme e tronditëse është lëvizja që sot mbush 50 ditë, e konfirmon më së miri reagimi i Ramës.
Autokrati u shpërfaq me tiparet më të shëmtuara dhe thirri në ndihmë të gjithë qelbësirat që ishin bashkuar dikur për ta sjellë në pushtet dhe i vërsuli kundër protestës. Pse? Sepse karrigia e tij u lëkund.
Fundi i tij është dhe fundi i qelbësirave. Maskat ranë dhe kjo i shërbeu qytetarëve, publikut për të dalluar qartë të keqen në gjithë përmasat e saj.
Dhe kjo është meritë e protestës. Por gjithashtu, edhe ndërkombëtarët, Brukseli ka pamjen e duhur sot mbi Tiranën.
Prej qëndresës dhe pasqyrimit të madh mediatik nga Reuters te CNN, ai nuk është më artisti me atlete të bardha, por gangsteri me charter.
PD ka bërë zgjedhjen e duhur duke qëndruar në krah të tyre pa ekuivok. Dhe për këtë çdo demokrat duhet të jetë krenar e duhet të vijojë qëndresën në shesh, përpos çdo provokimi apo insinuate të nxitur nga ata që detyrë të vetme kanë promovimin personal duke i bërë opozitë opozitës./kb
Policia e Tiranës po heton pista të reja lidhur me ekzekutimin e 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u vra mesnatën e 12 korrikut në Bërxullë.
Sipas burimeve hetimore, një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me aktivitetin e tij si aksioner në një kompani të licencuar për kanabis mjekësor në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet dyshojnë se mund të ketë pasur ndonjë konflikt të mundshëm që lidhet me këtë biznes, megjithëse deri tani nuk ka prova konkrete që e mbështesin këtë pistë.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve maqedonas për të marrë informacione më të detajuara mbi aktivitetin e Sulës dhe rolin e tij në këtë kompani. Përgjigjet nga pala maqedonase mund të ndikojnë në drejtimin e mëtejshëm të hetimeve.
Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, përfshirë konflikte të mundshme në zonën ku viktima jetonte, dyshimet për dhënie parash me fajde, si dhe përplasje të lidhura me aktivitetin e tij në fushën e shitblerjes së pronave.
Sipas hetimeve paraprake, Edmond Sula dyshohet se jepte para me fajde në zona si Vora dhe Fushë-Kruja, ndërsa policia po punon për të zbardhur nëse ndonjë prej këtyre konflikteve mund të ketë lidhje me vrasjen e tij./kb
Mali Olimp, i njohur në mitologjinë greke si vendbanimi i Zeusit dhe dymbëdhjetë perëndive të Greqisë së lashtë, është një hap larg përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Nominimi i malit më të lartë të Greqisë, me një lartësi prej 2.918 metrash, do të shqyrtohet gjatë sesionit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që zhvillohet nga 19 deri më 29 korrik në Seul. Propozimi synon ta klasifikojë Olimpin si një vend të përzier, me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.
Përveç rëndësisë së tij në mitologjinë greke, Mali Olimp është edhe një nga zonat më të pasura ekologjike të vendit, duke strehuar specie të rralla të florës dhe faunës, si dhe monumente me rëndësi historike e kulturore që dëshmojnë lidhjen e ngushtë të rajonit me qytetërimin antik.
Greqia paraqiti kandidaturën për përfshirjen e masivit të Olimpit në listën e UNESCO-s që në vitin 2014. Megjithatë, organet këshillimore të organizatës, IUCN dhe ICOMOS, kërkuan dokumentacion dhe prova shtesë për të mbështetur vlerat universale të sitit.
Ekspertët kanë kërkuar më shumë të dhëna mbi rëndësinë ndërkombëtare të karakteristikave gjeologjike, biodiversitetit dhe proceseve ekologjike të zonës. Gjithashtu, është propozuar që nominimi të zgjerohet me përfshirjen e sitit arkeologjik të Dionit, në rrëzë të Malit Olimp, për të forcuar më tej argumentet mbi vlerën e tij kulturore dhe historike./kb
Qysh pas tronditjes ekonomike që shkaktoi pandemia Covid-19, dhe duke vijuar me krizat e tjera botërore, fjala angleze affordability (që përmbledh aftësinë financiare të familjeve për të paguar ushqime, shërbime e strehim, pa mbetur pa para për nevoja të tjera bazike) ka qenë në qendër të debateve politike dhe ekonomike në shumë vende. Në shqip, kjo fjalë mund të përmblidhet me togëfjalëshin “përballueshmëria e jetesës”.
Vitet e fundit, edhe qeveria shqiptare, si shumë të tjera të botës, është munduar ta adresojë problemin e përballueshmërisë së jetesës. Kështu, pagat në Shqipëri janë rritur mesatarisht 51.6% nga 1 janari 2021, ndërsa pensionet 24.7%. Nga ana tjetër, çmimi i shportës mesatare të konsumit është rritur 22.5% gjatë së njëjtës periudhë.
Sidoqoftë, mosha dhe shtresa të ndryshme të popullsisë kanë probleme të ndryshme.
Kështu, pensionistëve ka shumë vite që u është dhënë shpërblim ekstra, për t’i ndihmuar me shpenzimet e festave të fundvitit. Ndërsa vitet e fundit u është dhënë shpërblim ekstra edhe në mes të vitit. Sidoqoftë shumica e tyre kanë nevojë për një rritje progressive të pensioneve, ku shtetasit me pensione më të ulta të kenë rritje më të madhe të tyre. Në këtë mënyrë, ushqimet dhe ilaçet, për të cilat shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit modest familjar, mund të bëhen më të përballueshme.
Të rinjtë që duan të hapin biznese të reja (start-ups quhen në anglisht) kanë nevojë për mbështetje financiare, dhe qeveria ka dhënë deri më sot 16.5 milionë euro grante falas për ta. Ndërkohë, parashikohen edhe 18 milionë euro të tjera deri më 2029.
Bizneset e vogla, ku mbizotëron brezi i mesëm moshor, kanë nevojë për kredi të buta. Dhe qeveria u ka premtuar garanci sovrane deri në 1 miliard euro, për kredira deri 2 milionë euro me interes 2-3%.
Çiftet e reja në qendrat e mëdha urbane, në shumë raste, nuk e përballojnë dot blerjen e një apartamenti modest. Dhe qeveria po përgatit një program për t’i ndihmuar ata.
Qeveria po stimulon edhe arsimin profesional, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë zanate dhe të punojnë këtu (ku tregu ka shumë nevojë për zanatçij).
Ndërkohë, bujqësia, me të cilën mbahet 1/3 e popullsisë, parashikohet të mbështetet me rreth 900 milionë euro deri më 2029, duke përfshirë edhe financimet e huaja.
Se sa efekt do të kenë këto përpjekje të qevrisë, mbetet të shihet në vitet në vijim./kb
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes tragjike nga jeta të gazetarit të Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në Vlorë.
AGSH thekson se, largimi i parakohshëm i Enrikut është një humbje e rëndë për familjen e tij, të afërmit, kolegët, miqtë dhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë.
AGSH nënvizoi se gazetari Enrik Mehmeti për vite me radhë ai raportoi me përkushtim nga qarku i Vlorës, duke u dalluar për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e tij në informimin e publikut.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka marrë me dhimbje të thellë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në Vlorë.
Largimi i parakohshëm i Enrikut është një humbje e rëndë për familjen e tij, të afërmit, kolegët, miqtë dhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë. Për vite me radhë ai raportoi me përkushtim nga qarku i Vlorës, duke u dalluar për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e tij në informimin e publikut.
Në këto momente të vështira, AGSH i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, redaksisë së News24 dhe të gjithë kolegëve që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.
Kujtimi i Enrik Mehmetit do të mbetet i gjallë në gazetarinë shqiptare. U prehtë në paqe!”, shkruan AGSH./ Kb