Bisedime në Alaska, sulme në Ukrainë/ Rusia vijon ofensivën, sulme me dronë gjatë natës
Rusia ka vazhduar sulmet e saj të natës në disa rajone të Ukrainës, duke shkaktuar dëme materiale dhe zjarre, ndërsa autoritetet lokale po punojnë për të vënë situatën nën kontroll.
Në rajonin Sumy, në verilindje të vendit, një stacion karburanti u godit nga një sulm ajror rus gjatë natës. Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e dëmit dhe ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve të emergjencës për të shuar flakët.
Ndërkohë, në rajonin e Dnipropetrovskut, në lindje të Ukrainës, një dron rus u rrëzua nga mbrojtja ajrore ukrainase. Zyrtarët lokalë raportojnë gjithashtu se qyteti i Nikopolit, në juglindje të vendit, u godit disa herë nga sulmet ruse.
Sulmet ajrore të natës janë kthyer në një praktikë të rregullt të ushtrisë ruse gjatë këtij konflikti, duke mbajtur të lartë tensionin dhe pasigurinë për civilët ukrainas.
Sakaq, ditën e sotme në Alaska do të mbahet takimi mes presidentëve amerikan dhe rus sa i takon një armëpushimi të mundshëm në frontin e luftës. Analistët e shohin me skepticizëm arritjen e një marrëveshjeje, ndërkohë që Zelensky vazhdon stoik ndaj bindjeve të tij se Ukraina nuk do t’i jap asnjë tokë pushtuesve. / abcnews.al /