Kristi Karkanaqe, i lindur më 25 Dhjetor 1992, i njohur si artisti i parë që këndoi në rrugët e Shqipërisë është rikthyer sërish në pedonalen e qytetit të Tiranës, aty ku vite më parë nisi rrugëtimin e tij si këngëtar. Sot, rreth një dekadë më pas, ai qëndron sërish me mikrofon në dorë dhe një boks të zi pranë tij, duke kënduar për këdo që kalon e dëshiron ta dëgjojë.
Njerëzit, sado larg të shkojnë, gjithmonë do të kthehen te e vjetra, aty ku ka rrahur më fort zemra dhe ku pasioni i tyre ka lënë gjurmën më të thellë.
E prandaj Kristi tregon se pavarësisht viteve që kanë kaluar që prej momentit të fundit kur ai ka kënduar në rrugë, emocionet që ndjen sot janë po aq të forta sa në fillim. Edhe fitimet, sipas tij, janë të ngjashme, si në aspektin financiar edhe në mënyrën se si ai vlerësohet nga njerëzit. Ai thotë se paratë që mblidhen në kapelën e tij janë më të sinqerta se çdo pagesë tjetër, sepse vijnë nga publiku i drejtpërdrejtë, pa filtra dhe pa ndërmjetës.

Për Kristin, zgjedhja për t’u rikthyer në rrugë është një veprim i mirëmenduar dhe se kjo është forma më e vërtetë e të shprehurit dhe e lidhjes me publikun që ka provuar në jetë. E këtë e kuptoi më qartë gjatë viteve që e ndërpreu dhe e la pas.
“Pedonalja, qyteti, arti i rrugës ka rregullat e tij,” thotë ai. Për të, kjo hapësirë publike nuk është thjesht një vend për të kënduar, por një vend që kërkon cilësi. Artistët që këndojnë këtu duhet të dinë të sjellin një muzikë që i shkon për shtat një qyteti europian si Tirana. Kristi pas gjithë këtyre viteve përvojë e vëzhgim mendon se jo kushdo mund të performojë aty, sidomos kur përballesh çdo ditë me turistë dhe kalimtarë të panjohur që kërkojnë diçka ndryshe. Edhe pse pamja e tij ka ndryshuar me kalimin e viteve, mbetet po aq i njohur dhe i afërt për kalimtarët. Njerëzit ndalen, e njohin dhe e dëgjojnë me të njëjtin kuriozitet dhe ndjeshmëri si dikur.
Kristi Karkanaqe është ndër artistët e parë që ka bërë art në rrugët e vendit tonë. Por marrëdhënia e tij me publikun nuk ka filluar në pedonale, por në moshën 6-vjeçare, në cirkun e Tiranës, ku ai ishte pjesë e trupës për fëmijë, një pasion që e vazhdon edhe sot. Që nga ajo kohë, publiku nuk ishte më diçka e panjohur për të.

Duke u rritur, ai kishte gjithmonë dëshirën për të ndihmuar veten e familjen, prandaj për një periudhë gjatë fillimit të adoleshencës, Kristin e vogël mund ta shihje me një tufë me tullumbaca shumëngjyrëshe, duke shitur në hapësirën e gjelbër buzë Liqenit Artificial të Tiranës.
“Aty kur u rrita pak, vendosa që t’i kërkoj mamit lekë të ble një boks muzike dhe me të kam shëtitur jo vetëm Shqipërinë por shumë vende në botë”, tregon ai për nisjen e artit të rrugës.
Fillimisht, djali aventurier i familjes Karkanaqe udhëtoi drejt Napolit, duke marrë me vete boksin e blerë me lekët e të ëmës, si edhe mikrofonin. Ai gjeti një mënyrë më efikase për të shkuar “rehat dhe lirë”, dhe ajo ishte udhëtimi me traget.
“Vetëm me traget mendova që mund ta merrja boksin dhe mikrofonin atëherë, dhe prandaj preva biletën dhe u nisa.”
Ai tregon se artin e tij e ka shëtitur edhe në rrugët e Kosovës, Malit të Zi, Italisë, Spanjës, Zvicrës e Gjermanisë.
Kristi pati kulmin e famës në moshën 22-vjeçare, atëherë kur ishte një djalë ende shumë i ri dhe nuk e kishte menduar se gjithë Shqipëria do ta njihte. E puthnin vajza, gra, nëna; e komplimentonin shumë gjyshër dhe mbi të gjitha, të gjithë linin diçka në kapelen e tij të vendosur në rrugë. Sot, kur Kristi ka kaluar të 30-at, i referohet famës si diçka e lodhshme dhe mendon se fama në moshë të vogël është pak problem prandaj edhe sot është disi i distancuar.
“Bëra shumë lekë”, tregon Kristi. Gjithashtu ishte vetë ai që menaxhonte karrierën e tij. Pikërisht ky vetëmenaxhim e bënte situatën ndoshta disi të komplikuar. “Është një pasojë e mungesës së mbështetjes profesionale që u mungon shpesh artistëve të rinj”, pohon këngëtari.
Kur bie fjala te arti e artistët mesa duket Kristi Karkanaqe që prej fillimeve të karrierës e deri më sot është ndeshur disi me mbështetjen e pakët të tregut muzikor ndaj tij. Ka pasur momente që në karrierën e tij, artistët janë gjendur kundër njëri-tjetrit dhe jo krah për krah, siç një artist i ri mendon se duhet të jetë. Ai ka marrë pjesë në disa emisione në televizionet shqiptare, por pas këtyre viteve shkëputje do t’i rikthehej vetëm nëse do të ishte një projekt që ai, si një karakter emocional, do ta ndjente.

E ndërkohë që flasim për kohët e vjetra, kthejmë sytë nga jeta e tij momentale. Jetesa në Shqipëri nuk është shumë e lehtë për këdo, prandaj ai punon dhe disa punë paralele që ia lehtësojnë jetën Kristit por edhe familjes së tij. Dikur një djalë i ri, Kristi Karkanaqe sot ka pranë vetes një djalë 3-vjeçar, Noin. Një vogëlush me flokë ngjyrë të artë, duket se tashmë do të trashëgojë aftësinë dhe pasionin e të atit. “Fjalët e tij të para kanë qenë në formën e një melodie, dhe në kohën e lirë që kalojmë së bashku, mundohem që t’i këndoj, pavarësisht se ai është ende i vogël”, shton Kristi.
I referohet dashurisë si një ndjenjë të cilën nuk e drejton dot, por është ajo që të drejton ty. Ai mendon se njerëzit sot kanë humbur ndjeshmërinë ndaj dashurisë së vërtetë dhe janë më të prirur drejt gjërave të shpejta dhe sipërfaqësore. Ndërsa vetë e konsideron veten një person emocional dhe tepër të ndjeshëm, që i përjeton thellë gjërat.
Kur flasim për emocione, mendojmë ngjarjet ndoshta disi të vështira në jetë që mund të kalojë kushdo. Kristi Karkanaqe ka një karakter të brishtë, por shumë aventurier, që nuk e lejon veten të bëhet shpesh pre e emocioneve negative. Ai ka pasur vetëm një moment të vështirë në 33 vitet e jetës, por për të psikologu më i mirë i vetes je vetë, duke bërë gjërat që do.
Ai adhuron të udhëtojë dhe të njohë kultura të reja, prandaj në mendjen e tij vërtitet një plan për të pasur një camper, i cili do të bëhet pasioni i tij i tretë që do ta ndjekë këmba këmbës. Ndoshta ky pasion, së bashku me këngën e shfaqjet e cirkut, do të “qetësojnë” jetën momentale të Kristit, i cili i referohet jetës së tij si “lëmsh”.
Disa vite të jetës së tij Kristi Karkanaqe ka ndjekur një shkollë jo shpesh të dëgjuar, Teologjinë. Teologjia është shkenca që merret me studimin e Zotit, fesë dhe besimeve fetare. Një periudhë kohe ai ka ndjekur rregullisht fenë e tij të krishterë, atje ku gjente paqe e qetësi, por tani nuk e viziton më Kishën, ashtu siç për vite me radhë ai si artist nuk vizitoi pedonalen e kryeqytetit.
Në një jetë që shpesh ngjan si “lëmsh”, ai gjen rregull dhe qetësi sapo në pedonale vendoset mikrofoni dhe boksi që e kanë shoqëruar për vite me radhë. Pedonalja nuk është thjesht një vend pune për të, por është një mënyrë jetese, një formë e të qenit i lirë, i sinqertë dhe i vërtetë me veten.
“Nuk e di se për sa vite do të jem këtu,” thotë ai me një buzëqeshje të qetë, “por çdo ditë kur vij, ndjej se jam pikërisht aty ku duhet.”
Shkruar nga: Rafaela Xhaja
The post Zëri i Pedonales, Krist Karkanaqe rikthehet mes kalimtarëve appeared first on iconstyle.al.