Si të riktheni motivimin e ekipit
Ekipet e sotme ndryshojnë shpesh: dikush largohet, dikush tjetër bashkohet, rolet ndërrohen, strategjitë përshtaten, konfliktet dalin në sipërfaqe dhe performanca bie. Megjithatë, shumë drejtues vazhdojnë punën pa ndalur për të riformatuar ekipin pas këtyre ndryshimeve.
Udhëheqësit më të mirë e dinë që suksesi nuk është statik, por kërkon rifreskim të vazhdueshëm. Më poshtë renditen gjashtë hapa për t’i rikthyer ekipet në rrugën e duhur:
1. Rishikoni: Kuptoni problemin para se të veproni
Mos merrni vendime pa analizuar më parë shkakun. Pyeteni veten: A jemi të qartë me qëllimet? A ka tensione apo mosbesim? A mungon motivimi? A ndikon ndonjë presion i jashtëm? Bisedat individuale, anketat anonime ose një anëtar i besuar që raporton për problemet apo shqëtësimet, mund të ndihmojnë për të zbuluar problemin real.
2. Rilidhuni: Rindërtoni besimin dhe sigurinë psikologjike
Nëse ka pasur turbulenca, me shumë gjasa ka rënë besimi. Filloni me një bisedë ku secili ndan ndjesitë e veta. Krijoni hapësirë për reflektim, ndarje përvojash dhe dhënie feedback-u konstruktiv. Vetë drejtuesi duhet të udhëheqë me transparencë dhe ndjeshmëri.
3. Riformuloni: Cili është qëllimi ynë tani?
A është ende i qartë vizioni? Mos supozoni, sqaroni pritshmëritë dhe objektivat afatshkurtra dhe afatgjata. Shpjegoni pse puna e ekipit ka rëndësi për organizatën dhe për klientët. Frymëzoni besim në të ardhmen.
4. Ripërcaktoni: Si do të punojmë bashkë?
Riorganizimi sjell paqartësi për rolet dhe mënyrën e bashkëpunimit. Sqaroni përgjegjësitë, procesin e vendimmarrjes, sjelljet e pritshme dhe ritmin e takimeve. Një kompani përmirësoi praktikat e saj të takimeve duke përcaktuar qartë kush duhet të marrë pjesë, sa duhet të zgjasin takimet, si duhet të përgatiten pjesëmarrësit dhe me çfarë ritmi duhet të zhvillohen ato.
5. Ndryshoni: Ndërtoni mbi arritjet e vogla
Sukseset e shpejta forcojnë energjinë e ekipit. Caktoni objektiva të realizueshme brenda 30-60 ditëve dhe festoni arritjet. Ndryshoni zakonet: takime të shkurtra javore, reflektim pas projekteve dhe biseda zhvillimore një më një.
6. Rirregulloni: Mbani gjallë ritmin
Rikthimi i ekipit nuk është një akt i vetëm. Monitoroni progresin, jepni feedback të shpeshtë, dhe rishikoni vazhdimisht çfarë funksionon e çfarë jo. Një bord drejtues në një firmë logjistike përmirësoi ritmin duke rikujtuar normat e harruara të diskutimit të barabartë dhe respektimit të radhës së fjalës.
Ekipet, si çdo sistem i gjallë, kërkojnë përkujdesje dhe ripërtëritje të qëllimshme. ‘Riformatimi’ nuk është dështim, është udhëheqje. / HBR, Shqip.al
The post Si të riktheni motivimin e ekipit appeared first on Revista Monitor.