Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

“Pamje më të rënda se Thethi i kemi parë në Hamallajn e Kakomenë e Berishës”, gazetari: PD e bëri ‘lesh e li’ pronën!

By: A R
13 July 2025 at 00:02

Në një debat të ashpër mbi çështjen e prishjes së ndërtimeve pa leje, që kulmoi me aksionin e IKMT-së në Theth, gazetari Ardit Rada u përplas në studion e “Off the Record”, me zyrtarin e Partisë Demokratike, Dorian Teliti.

Tensioni u ndez mes të dyve, kur gazetari kujtoi aksionet e kohës së qeverisë së djathtë, drejtuar nga Sali Berisha, në Hamallaj dhe Kakome, për të cilat Rada tha se kanë ofruar pamje më të rënda sesa ato që po shohim sot në Theth.


“Panorama që ne shohim mbart një dramë njerëzore sepse bëhet fjalë për investime, kursime të qytetarëve dhe në fund të ditës pasojat bien mbi to, qoftë zhgënjimi dhe pesha financiare. E kuptoj dhe nevojën, e format e shtetit për të ndërhyrë sepse me thënë të drejtën ne jemi të gjithë aq të rritur sa për të mbajtur mend se këto pamje i kemi parë edhe në Hamallaj në 2008 dhe në Kakome në 2010. Dhe i kemi parë edhe më të këqija kur qytetarët morën hunjtë, molotovët edhe kallashnikovët dhe i qëlluan policisë dhe RENEA-s, qoftë për zaptimin e Kakomesë në 2010, ashtu edhe në 2008 në Hamallaj kur vajtën për prishjen e ndërtimeve pa leje. Dhe pastaj ne e dimë edhe fatin e Hamallajt se çfarë u bë pas asaj dite kur shteti fitoi ndaj qytetarëve me dhunën e tij. Dua të them se politika në raport me pronën private janë bashkë. Si opozita, si mazhoranca e sotme, si ajo e djeshmja, kanë luftuar kundër pronës private në Shqipëri. U kanë bërë cirk njerëzve për ta legalizuar dhe për t’ia kthyer pronën private. Nuk e duan qytetarin të pavarur me ekonominë e tij dhe këto janë pasojat kur shteti të mban zvarrë. Të mbush mendjen mos paguaj taksa, drita ujë dhe pastaj kur vjen shteti të rrëzon poshtë dhe s’ka derë gjykate ku ti mund të fitosh ndonjëfarë të drejte në këtë histori. Ti më thua po e relativizon. Unë po të them, pamje më të këqija se Thethi ne kemi parë në Kakomenë dhe Hamallajn e Sali Berishës. Kaq, e kupton këtë? Hyni në Youtube dhe nxirrni pamjet atje”, iu drejtua Rada-Telitit.

Sa kohë, zyrtari demokrat e kundërshtonte, gazetari shtoi se “këtë lesh e li me pronat”, e kanë bërë ata “që merren me politikë”.

Ju e keni ngatërruar pronën, ju e keni sjellë pronën në këtë farë feje. Sa herë vini në pushtet… Unë mendoj se politika nuk ka moral të ndërhyjë, mazhoranca e para, ju të dytët të ndërhyni në çështje sociale të tilla, sepse jeni ju shkaktarët që çështja e pronës është në këtë farë feje në Shqipëri. Jeni bashkëfajtorë. Jo vetëm në Theth por kudo. Je bashkëfajtor sepse nuk kishte certifikatë pronësie ai dhe vajti Rama ia grisi. S’ia ke dhënë as ti për 20 vjet certifikatën e pronësisë”, u shpreh Rada me tone të ashpra në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Fajin për kaosin e krijuar me pronat në vend, në vijim e pranoi edhe Teliti, duke u shprehur se “PD ka kusuret e veta”.

More zotëri, kemi dhe ne fajet tona por nuk barazohemi dot sot. Ne kemi gabimin dy, këta e kanë gabimin pesë. Shteti i ka lejuar. Shteti ka qenë bashkëpunëtor në rastin e Thethit dhe 30 vite ndërtime pa leje, ndaj është detyrë e shtetit që ta tolerojë dhe të gjejë rrugët për ta ligjëruar këtë lloj fenomeni. Sepse ka një parim ndërkombëtar, që kur shteti lejon për një periudhë të gjatë kohe një fenomen antiligjor, antiligji automatikisht bëhet ligj dhe qytetari do të mbrohet në fund fare dhe shteti s’mund të thotë sot hyp në pemë, nesër zbrit nga pema”, iu përgjigj Teliti – Radës në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Sakaq gazetari ngriti dyshime edhe për klientelizëm në PD, teksa komentonte përplasjen e sotme në Theth të Luçiano Boçit dhe Bardh Spahisë me policinë, ndërkohë që shembja e strukturave vijonte të kryhej nga IKMT.

U tha që ka qenë prezent opozita që ditën e parë. Opozita është e pranishme në çdo cep të vendit se ka kryetar partie. Unë e di që edhe po të mos shkonte kryetarja e Shkodrës, është kryetari i PD së Thethit atje dhe ju prapë do thoshit që ishim aty. Problemi është se çfarë zgjidh opozita në këtë mes me ndërhyrjen e saj. Në një qark që pretendon se e ka bastion dhe ku nxjerr mandate mjaftueshëm dhe shkojnë dy veta ditën e pestë të aksionit, kur ka mbaruar gjithçka. Tani unë nuk kam të drejtë të dyshoj këtu për klientelizëm”, tha Rada.

The post “Pamje më të rënda se Thethi i kemi parë në Hamallajn e Kakomenë e Berishës”, gazetari: PD e bëri ‘lesh e li’ pronën! first appeared on JavaNews.al.

Shkarkimet, Tavo: Jam më radikal se Rama! Çdo punonjës shteti ta konsiderojë veten shërbëtor

By: A R
12 July 2025 at 22:28

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo shprehet se çdo punonjës shteti është në atë detyrë për t’i shërbyer komunitetit dhe nëse një punonjës nuk e plotësn këtë kriter nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë.

Tavo në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj theksoi se ai është më radikal se Kryeministri sa i takon punonjësve të shtetit, teksa u shpreh ‘unë jam jo për t’i tundur, por për t’i shkundur’.

Kreu i bashkisë së Himarës theksoi se çdo punonjës shteti duhet ta konsiderojë veten shërbëtor të komunitetit.

“Unë jam i parimit që çdo punonjës shteti është në atë pozicion për t’i shërbyer komunitetit dhe njerëzve. Nga momenti që një punonjës nuk e plotëson këtë kriter, për mua nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë. Unë jam edhe më radikal se kryeministri, jo për t’i tundur, por për t’i shkundur. Kjo nuk ka lidhje aspak me deklaratat dhe ato që ndodhën në Vlorë apo bashki të tjera, por është qëndrimi im personal. E kam thënë çdo njeri është në provë. Siç jemi ne në provë çdo 4 vite janë edhe ato. Kështu që unë nuk e kuptoj qëndrimin e opozitës, por vazhdoj të them që çdo punonjës duhet ta konsiderojë veten shërbëtor i popullit”, shprehet Tavo.

Kryebashkiaku ndër të tjera ka theksuar se akuzat se drejtorët u përdorën për mbledhjen e votave dhe më pas u shkarkuan nga Kryeministri, janë të pabaza pasi të gjithë kanë qenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre.

“Nuk ka lidhje fare me përdorjen e tyre për të mbledhur vota sepse në rast të parë nëse doni po flas për Himarën dhe asnjë drejtori nuk i është kërkuar të bëjë fushatë për PS, por kanë qenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre. Çdo njeri është i lirë të shprehë vullnetin e tij. Nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtie nga ana e stafit apo nga ana ime”, tha Tavo.

Ndërkohë sa i takon takimit të djeshëm me kryeministrin, Edi Rama, kreu i bashkisë Himarë u shpreh se ishte një takim i shkëlqyer ku janë diskutuar tematika të ndryshme.

“Për mua ka qenë një takim i shkëlqyer ku janë ndarë mendime për çështje të ndryshme të pushtetit qëndror dhe janë hapur për diskutim një sërë tematikash ku pjesëmarja e pushtetit vendor është vendimtare dhe prandaj e quaj një takim të përsosur, ku të gjithë kryetarët e kanë ndjekur çdo ministër, por janë angazhuar në këto çështje edhe për ta përmirësuar gjithë procesin. Të gjitha çështjet që janë prekur në këtë takim”, theksoi Tavo.

Sa i takon sezonit turistik, Tavo shprehet se ka një fluks të shtuar dhe se angazhimi i bashkisë është maksimal për mbarëvajtjen.

“Jemi përditë në krye të punëve për të përballuar me sukses sezonin që këtë vit ka nisur më herët, që në fund të prillit dhe nga kontaktet me operatorët janë pothuajse të rezervuara deri nga mesi apo 20 nëntori. Ka një fluks të shtuar dhe angazhimi i punonjësve të bashkisë është maksimal, për t’u shërbyer vizitorëve”, tha Tavo

Sakaq, teksa u pyet për aksionin në Theth, Tavo iu referua Himarës, bashki të cilën tha se aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur shumë më herët. Tavo theksoi i prerë që për zaptuesit e tokave të ketë zero tolerancë.

“Unë do i referohem përsëri Himarës. Në Himarë ka kohë që ka filluar lirimi i hapësirave publike, dhe çdo ditë jemi në aksion. Po jua ritheksoj atë që thashë më përpara. Në Himarë ky aksion ka nisur më herët dhe do të vazhdojë çdo ditë. Zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit. Në këtë rast ata që tentojnë të ndërtojnë paleje, apo zaptojnë toka kjo është shkelje edhe më e rëndë dhe unë jam i parimit zero tolerancë. Bëhet fjalë për një bashki si Himara që konsiderohet si xhevahiri i Mesdheut dhe nuk mund të lejojmë ndërtime pa kriter”, tha kryebashkiaku i Himarës.

The post Shkarkimet, Tavo: Jam më radikal se Rama! Çdo punonjës shteti ta konsiderojë veten shërbëtor first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 12 July 2025Main stream

“Tërmeti” i Ramës

By: A R
12 July 2025 at 11:55

Nga Rajmonda Basha

E premtja për kryeministrin Edi Rama nuk ishte thjesht një ditë pune: ishte një sinjal alarmi për çdo hallkë të pushtetit vendor.

Takimi ishte i gjatë shumë, por mesazhi ishte i qartë: koha e justifikimeve ka marrë fund.

Për kryebashkiakët, dita nisi me paralajmërime dhe përfundoi me përgjegjësi të rënda mbi supe.

Për vartësit e tyre, situata u kthye në një “tërmet” administrativ.

Sepse për shumë prej tyre, puna që nuk u bë, tashmë do të paguhet me largim nga detyra.

Me një urdhër të prerë, kryeministri kërkoi shkarkimin e të gjithë nënkryetarëve të bashkive në vend.

Por nuk ndalet aty. Deri të hënën, të gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të jenë jashtë zyrës.

Nga Durrësi, në një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor, Rama nuk u kursye të nxirrte në pah dobësitë e deritanishme të strukturave lokale – dhe jo vetëm.

Prej mësimeve nga “gabimet” – për të cilat paralajmëroi se nuk duhet të jenë më të njëjtat – kryeministri kërkoi reformimin rrënjësor të territorit.

“Do të duhet të bëjmë një reformë që do duhet të përfshijë inspektoratin e territorit, IKMT, zyrat e Urbanistikës”, tha ai.

“Është e qartë që në territore të caktuara deri në një bashki strategjike, si në Himarë, nevoja për burime njerëzore të kualifikuara është me rëndësi”.

Sipas Ramës, duhet një reformë për të shërbyer në të gjitha këto territore me cilësinë më të mirë të mundshme të mendimit urbanistik dhe shërbimit ligjor për bashkitë, kompanitë, pronarët që me të drejtë duan të ndërtojnë në pronat e tyre.

“Është koha për të bërë sinteza të këtyre strukturave dhe për të krijuar më shumë shërbim për bashkitë duke mos e lidhur me çfarë burimesh njerëzore ka”.

Ai ka vijuar duke thënë se “duhet një punë e posaçme e përbashkët edhe për këto edhe për rregullat e reja që duhet të kenë kantierët që janë bërë një problem më vete, sa i përket mbrojtjes së mjedisit, shqetësimeve që krijojnë jashtë veprimtarisë së tyre”.

“Kantiere që vendosen në kufi arbitrarë, që zënë trotuarë siç ndodhte në Lungomaren e Vlorës, ashtu edhe duhet një qasje në këtë reformë me legalizimet, me masat shtesë që duhen marrë për të dekurajuar dhe për t’i dhënë goditje përfundimtare ndërtimeve pa leje, që ka rënë shumë po është prezente gjithsesi”.

Zgjimi i strukturave

Strukturat i kanë mbajtur sytë gjysmë hapur e gjysmë mbyllur, tha ai që në nisje të fjalës, teka theksoi se Policitë Bashkiake janë struktura veçanërisht problematike.

Sipas tij, dobësitë institucionale të pushtetit vendor që kanë dalë në dritë vijnë si pasojë e një ndryshimi shumë të madh të mënyrës së funksionimit të vendit.

Kjo, referuar Ramës, “për shkak se vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e ve, por mban edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh në rritje që sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të reja për pushtetin vendor sidomos në territoret ku përqendrimet e turistëve janë të mëdha”.

Ai është ndalur te rasti i Thethit, ku i ka cilësuar ndërtimet në leje një vepër edhe më të rëndë penale.

“Kjo është një betejë. Nëse nuk fillojnë të gjitha hallkat dhe nëse strukturat e pavarura të drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekjeje dhe nuk është e gatshme zbatimin e ligjit, por përkundrazi është si një kullesë makaronash, që gjërat rrjedhin dhe faktet e kryera mbeten në territor”.

Kjo – vijoi ai – është një përpjekje që duhet të shfaqet hera herës deri sa të gjithë ta ndajnë mendjen se nuk ka asnjë llogari që të nxjerrë fitues duke bërë ndërtime pa leje.

Rama paralajmëroi se arkitektët që shkelin lejet e ndërtimit në bashkëpunim me ndërtuesit do te konsiderohet vepër penale dhe automatiksiht do humbasin të drejtën e licencës.

Sipas tij, ndërtimet pa leje nuk do të marrin shërbimin për të lidhur ujë dhe drita.

“Në legjislacion do të forcohet roli i arkitektit dhe përgjegjësia e arkitektit, siç e ka gjithë bota”.

“Arkitekt që bashkëpunojnë me ndërtuesit për të shkelur lejet e nderimit nuk mund ta gëzojnë më licencën e arkitektit dhe duhet të përballen me pasoja të natyrës penale, siç e ka bota, ndërkohë që leje përdorimi dhe shfrytëzimi të godinave pa firmën përfundimtare të arkitektit nuk mund më të jepen, ashtu sikur do shikojmë që të marrin masa që mos të këtë lidhje të ujit dhe dritave për asnjë ndërtim që nuk disponon lejen e ndërtimit zyrtarisht dhe nuk merr miratimin e strukturave përkatëse për t’u lidhur me ujë dhe dritat”.

Projekt i ri

Rama ka njoftuar, mes të tjerash, se Qeveria po ndërmerr një transformim teknologjik të inspektimeve territoriale, përmes një projekti të ri në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara, që do të përfshijë monitorim me kamera 24 orë dhe pajisje me GPS të të gjitha kantiereve ndërtimore.

Ai ravijëzoi nevojën për ngritjen e një qendre kombëtare të monitorimit dhe ka theksuar se rregullorja e re do të detyrojë kompanitë e ndërtimit të respektojnë transparencën, sigurinë dhe shmangien e evazionit fiskal.

“Kontrolle territori që kanë filluar punën që te monitorimi i trafikut dhe do të bëhet tërësisht teknologjike me projektin e ri që kemi nisur me Emiratet e Bashkuara, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me territorin”.

Inspektimi i territorit do të mbështet nga një zhvillim i madh teknologjik, sipas tij.

“Duhet të ndërtojmë qendrën e monitorimit të ndërtimeve. Agjencia e monitorimeve ka përgatitur një rregullore të re dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit, flasim për pallate, që kanë impakt të caktuar për jetën e qytetarëve dhe të banorëve, që kantieret të pajisen të gjitha me kamera online 24 orë dhe të ndiqen online nga forcat e inspektimit”.

“Të gjitha llojet e kantiereve të pajisen me GPS në mënyrë që të monitorohen, për hedhjen e mbetjeve apo edhe të futjes së materialeve, atje futjes së materialeve, për të shmangur evazionet fiskale”, shtoi Rama.

Kohë ndryshimesh

Është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, tha po ashtu ai.

Sipas Ramës, të gjitha llojet e eksperiencave, kalkulimeve “na nxjerrin në konkluzionin që është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, njëjte siç kemi për energjinë”.

“Mund të përfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë staf, këshilltarë sekretarë? Nuk ka zyra ime as çerekun, as zyrat tuaja. Ndodhte në UKT Tiranë”.

Ai tha se çudira ka pasur shumë, ka më pak në tërësi, por ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk ka luksin të presë.

“Duhet të konsolidojmë këtë strukturë, duhet të ndërtojmë një tjetër ndërmarrje si ajo që kemi në fushën e energjisë, që nga gropat më të mëdha thithëse të buxhetit janë kthyer në ndërmarrje që janë në gjendje të hyjnë në marrëdhënie me bankat”.

Jo më pasivitet 

Rama ka ngritur shqetësimin edhe për pasivitetin e mungesën e vizionit ekonomik në pushtetin vendor.

Ndonëse bashkitë marrin fonde nga buxheti i shtetit dhe paguajnë paga e investime, sipas tij, nuk po krijojnë ndërmarrje fitimprurëse dhe nuk po luajnë rolin që u takon në zhvillimin rural.

Rama theksoi se ende mbizotëron një qasje e vjetruar që e ndan qytetin nga fshati, ndërkohë që bashkitë duhet të jenë aktore aktive në jetën ekonomike të zonave rurale, përfshirë organizimin e fermerëve dhe lehtësimin e aksesit në financime.

Ai sakaq shprehu kritika për departamentet e bujqësisë në bashki, duke i cilësuar “qesharake” dhe kërkoi një angazhim real për të kthyer bashkitë në nxitëse të zhvillimit bujqësor.

“Një problem tjetër është qasja filozofike, lekë nga buxheti, rroga dhe investime ndërkohë që ende nuk po ndërtohen ndërmarrje fitimprurëse në bashki. Ka disa tentativa minimale, por shumë të pamjaftueshme. Por, me reformat territoriale nuk kemi më bashki dhe komuna, por kemi bashki që merren me të dyja”.

“Akoma mentaliteti është që komuna merret me punët komunale, por me jetën e fshatit, toka fshati, përpunimi, eksporti, këto janë në dorë të atyre që punojnë tokën dhe Ministrisë së Bujqësisë, por ndërkohë nëse shkoni në vendet e tjera do të shikoni që bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit”, shtoi ai.

Sipas tij, sot ka një instrument më domethënës se sa kemi pasur deri dje, kredia e bankës, ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse, bashkitë duhet që të bëjnë bashkë fermerët.

“Sigurisht që duke qenë bashkitë pjesë, bëhet shumë më e thjeshtë për bankat që të mbësht4esion fermerët për këtë kredi të butë dhe për pjesën e financimit, pas kësaj edhe qeveria e ka më të lehtë. Kush do ia bëjë më të lehtë fermerëve në fshat, procesin për të marrë kredi, se tokën dinë ta punojnë vetë ata, por para ekstra që të fusin për të mos e lënë, thjesht e vetëm merr e shit, por më shumë se kaq”.

Shkarkime masive

Gabimin më të madh duket se e mbajnë kryetarët e njësive administrative të Shqipërisë, për të cilët Rama kërkoj shkarkime gjithandej.

“Të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, të gjithë. Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen, për t’iu dhënë mundësia të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më mirë se ata”.

Rama vijoi duke thënë se “duhet që ta zgjerojmë hapësirën edhe për ata të tjerët të cilët nuk na njohin dhe nuk janë çdo ditë me ne, por na kanë dhënë votën”.

“Shqipërinë në vitin 2030 nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime”, ka shtuar ai.

E gjitha sepse mandatet e marra nuk pranojnë asnjë justifikim.

“Sepse edhe po të ishte për të justifikuar e kishin mundësinë më shumë njerëzit për t’u justifikuar. Kështu që për ne nuk ka asnjë justifikim, zero”.

Rama ka kërkuar gjithashtu publikisht që nënkryetarët e bashkive në të gjithë vendin të shkarkohen dhe të zëvendësohen, duke i konsideruar ata të lodhur dhe të paaftë për të vazhduar me ritmin e kërkuar në qeverisjen vendore.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, Rama u shpreh me tone të drejtpërdrejta se shumica e nënkryetarëve duken të rraskapitur dhe të pamotivuar për të përballuar sfidat e përditshme në administratë.

“Nënkryetarët është mirë të ndryshojnë sepse i shoh shumë të lodhur, shumë shumë të lodhur, i shoh të rraskapitur. Ju qeshni, se e kuptoni që nuk ndryshoni dot, por edhe dy vjet keni, si të doni. I shoh shumë të lodhur, Pjerin, nënkryetarët e tu. Në nderin tënd është t’i shkarkosh të gjithë”, tha Rama, duke iu drejtuar konkretisht kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

Integrimi si derë jo automatike

Kreu i qeverisë u ndal dhe te integrimi i Shqipërisë në BE dhe rolin e pushtetit vendor në këtë rrugëtim.

Ai tha se vendi tashmë e ka derën e BE-së të hapur, por hyrja përfundimtare kërkon përgatitje të plotë dhe përmbushje standardesh.

“Duhet të provojmë që jemi të veshur mirë, të stërvitur mirë, edukuar mirë për të hyrë në atë derë dhe për t’u ulur në atë tryezë”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se anëtarësimi është më shumë sesa një formalitet politik.

“Është një sfidë praktike për të provuar që Shqipëria është e gatshme të jetë pjesë e asaj skuadre”.

Sipas kryeministrit, procesi i integrimit ka avancuar sipas planit dhe ritmet e bashkëpunimit me Komisionin Evropian janë në përputhje me marrëveshjen dypalëshe për të përmbyllur procesin deri në fund të vitit 2027.

Ai theksoi se shumë prej reformave që lidhen me integrimin kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin vendor dhe kërkoi angazhim maksimal nga qeverisja vendore për përmbushjen e kritereve të BE.

Rama deklaroi gjithashtu se çdo bashki ka nevojë të krijojë një bërthamë të vogël njerëzish të dedikuar ndaj këtij procesi, në mënyrë që të nisë përshtatja institucionale dhe të gjitha nivelet të përfshihen në mënyrë aktive.

Edhe këshillat bashkiakë, tha Rama, duhet të jenë pjesë e pandashme e kësaj përfshirjeje.

“Kemi kaluar nga faza kur thjesht dëshironim të afroheshim me BE-në, në fazën ku kemi derën e hapur dhe duhet të tregojmë se jemi gati, të stërvitur dhe të edukuar për të hyrë në atë derë dhe për t’u ulur në atë tryezë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai vuri theksin te nevoja për kapacitete institucionale, kulturë bashkëjetese dhe ndërveprim të qëndrueshëm midis institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane, si një kusht themelor për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Diaspora, si pjesë e kapaciteteve të bashkive 

Rama theksoi edhe rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të pushtetit vendor për hartimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore, të cilat mundësojnë edhe fonde nga Bashkimi Evropian.

“Duhet të krijojmë një krah të jashtëm jashtë Shqipërisë, duke përfshirë shqiptarët e diasporës, të cilët janë të ditur dhe të gatshëm për të punuar me bashkitë si shkrues projektesh dhe si bashkëpunëtorë me bërthamën dhe kabinetin e bashkisë”, tha Rama.

Ai theksoi se, bazuar në aplikimet dhe përzgjedhjet, do të duhet të caktohet një fond për të paguar këta bashkëpunëtorë të jashtëm me një shumë të arsyeshme.

Sipas Ramës, kjo do të ndihmonte bashkitë që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme brenda territorit të tyre për të hartuar projekte konkurruese.

“Bashkia e Fushë-Arrëzit, ndoshta, nuk e ka këtë kapacitet brenda territorit të saj, por e ka nëse shkon jashtë territorit dhe kërkon ndihmën e njerëzve të vet që janë në diasporë”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë propozoi gjithashtu që të kërkohet bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së për të atashuar ekspertë pranë bashkive, duke theksuar se mungesa e kapaciteteve për hartimin e projekteve është një boshllëk që pengon përfitimin e fondeve të BE-së.

The post “Tërmeti” i Ramës first appeared on JavaNews.al.

Gjithçka gati për kampionin e botës

By: A R
12 July 2025 at 11:48

Në letër PSG konsiderohet favorit, por fusha do të jetë ajo që do përcaktojë kampionin e ri të botës për klube. Kampionët e Europës dhe Chelsea do i japin dorën e fundit përgatitjeve për aktin e fundit, finalen e Botërorit që do luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Finalja e parë ndërkombëtare mes klubeve nga Anglia dhe Franca në këto nivele, me kampionët absolut të Francës që kërkojnë trofeun e gjashtë sezonal. Rekordi në 5 ndeshjet e fundit eliminatore me 18 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar e shndërron gjigantin francez në favorit absolut.

“Nuk jam aspak një yll. Nuk isha si lojtar dhe nuk jam si trajner. Kritikat më kanë motivuar më shumë, ndodh kur kritikohem më shumë se sa lavdërohem. Pra, në këtë kuptim, a ka qenë ky viti më i mirë i karrierës sime si trajner? E kam analizuar Chelsean dhe një ekip që fitoi Ligën e Konferencës. Është një ekip në rritje. Është një ekip me lojtarë individualë vërtet të mire dhe me një trajner që po bën një punë vërtet të shkëlqyer”, tha trajneri i PSG, Luis Enrique.

Chelsea ka një rekord me fitimin e finaleve ndërkombëtare në 5 rastet e fundit ndërkombëtare, ecuri që daton prej vitit 2013. Pjesa e parë mund të jetë vendimtare duke pasur parasysh se PSG ka shënuar 10 gola në pjesën e parë të Botërorit të Klubeve.

“Pajtohem me atë që shumica e tifozëve thonë, PSG është skuadra më e mirë në Europë dhe Botë. Kemi respekt maksimal për ta, por në të njëjtën kohë, jemi këtu për të bërë më të mirën dhe për të fituar titullin”, tha trajneri i Chelsea Enzo Maresca.

Një ritakim mes dy ekipeve, që për herë të fundit u përballen në 1/8-at e Champions të sezonit 2015-2016, me PSG që avancoi më tej, me finalen e së kësaj të diel që pritet të ketë një numër të lartë tifozësh në shkallët e stadiumit.

The post Gjithçka gati për kampionin e botës first appeared on JavaNews.al.

Modelja u fut në burg për Haxhiun, kërkohet hapja e dosjes. Kush e bëri Ziza Pajazitin grua të Kurtit?

By: A R
12 July 2025 at 11:41

Vetëm dy ditë pasi “Ora News”, publikoi skandalin e hyrjes së modeles kosovare, Ziza Pajaziti, në burgun e sigurisë së Lartë të Drenovës, prokuroria e Korçës ka kërkuar nga drejtoria e këtij burgu të njihet me praktikën e këtij rasti.

Kërkesa për të tërhequr praktikën e futjes në burg të Ziza Pajazitit, është motivuar në bazë të një procedimi penal të hapur për “Shpërdorim detyre”, ndaj ish-drejtorit të burgut Drenovë, Fatjon Fasho dhe shefit të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli.

Të dy zyrtarët e lartë të burgut Drenovë, një javë më parë u larguan nga puna, për shkak të daljes në media të këtij skandali dhe sekuestrimit të 4 aparateve telefonikë “Iphone” dhe “Samsung”, që përdoreshin nga tre anëtarët kryesorë të grupit së Laert Haxhiut, si Orgest Bilbili, Anterio Kaloshi dhe vetë Haxhiu.

Për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit, prokuroria ka kërkuar të administrojë praktikën dhe rregulloren e burgut, për sa i përket takimeve që zhvillojnë të dënuarit e burgut me persona të jashtëm.

Rregullorja parashikon që në takime private me të dënuarin nuk mund të hyjë asnjë person, që nuk është zyrtarisht e martuar ose i martuar me të dënuarin ose të dënuarën.

Ndaj në këtë rast, po verifikohet se me çfarë statusi është pranuar kërkesa e të dënuarit me burg përjetë Vladimir Kurti, për të planifikuar një takim special me modelen nga Kosova, Ziza Pajaziti.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi i prkurorisë, dyshimet janë se njerëz nga jashtë burgut, duke përfshirë dhe noterë kanë falsifikuar dokumenta, të cilat paraqesnin një situatë fiktive se mes Vladimir Kurtit dhe Ziza Pajazitit, ishte celebruar një martesë.

Përmes dokumentave të dorëzuar në drejtorinë e Burgut Drenovë, është mbyllur takimi në 12 qershor me Vladimir Kurtin. Por teksa Pajaziti është akomoduar në dhomën speciale, policia e Burgjeve ka shoqëruar në këtë dhomë Laert Haxhiun dhe jo Vladimir Kurtin.

Një taktikë e tillë është përsëritur disa herë në burgun e Korçës, ndaj prokuroria tashmë ka nisur një hetim për të bërë “skanerin” e disa dosjeve të personave të dënuar, për të mësuar rreth takimeve private që ata kanë pasur dhe nëse femrat ishin personat e lidhur në bashkëmartesë apo ishin të jashtme.

Situata e futjes së femrave eskortë në burgje është kthyer në modë. Ku shpesh herë ato hyjnë duke u maskuar në letra si bashkëshorte të të dënuarve ose kushërira të tyre.

Në tre burgjet e sigurisë së Lartë në Shqipëri, burgun e Korçës, burgun e Burrelit dhe atë të Peqinit, por edhe në paraburgimin 313 në Tiranë, informacionet janë se vajza të ShoëBizit në Shqipëri, eskorta nga Kosova, e madje Venezuela dhe deri Bolivia, kanë hyrë për takime speciale me të dënuar me burg përjetë.

The post Modelja u fut në burg për Haxhiun, kërkohet hapja e dosjes. Kush e bëri Ziza Pajazitin grua të Kurtit? first appeared on JavaNews.al.

Sulmoi me sëpatë në lokal dy persona, arrestohet 44-vjeçari në Durrës

By: A R
12 July 2025 at 11:33

Një sherr mes disa personave mund të përfundonte në mënyrën më të keqe të mundshme.

Një 44-vjeçar u ndalua në Durrës pasi kërcënoi dy persona të tjerë me sëpatë. Ngjarja u regjistrua pas një konflikti për motive të dobëta mes të treve.

“Shtetasi 44-vjeçar u kap në flagrancë, në lagjen nr. 16, teksa kanoste me sëpatë shtetasin E. A. dhe shtetasen E. S., të dy banues në Durrës”, njoftoi policia.

Ndërkohë është proceduar penalisht edhe një person tjetër pasi kishte dijeni për sherrin, por nuk njoftoi policinë.

The post Sulmoi me sëpatë në lokal dy persona, arrestohet 44-vjeçari në Durrës first appeared on JavaNews.al.

Pesë vatra aktive zjarri në vend, angazhohen zjarrfikës, automjete dhe helikopterë

By: A R
12 July 2025 at 11:18

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vatra janë ende aktive. Në përditësimin e radhës Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec e Korçë.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në qarkune Dibrës në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, në Zerqan, te “Liqeni i Luleve”në Parkun Kombëtar të Lurës, fshatin Zambisht të Tiranës, në Polis të Librazhdit dhe në  fshatin Udenisht të Pogradecit.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe dhe 20 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 38 automjete zjarrfikëse dhe 459 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 3 helikopterë.

Ministria njofton se i gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec e Korçë.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara. Në terren gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 6 forca të Shërbimit Pyjor, 4 forca bashkiake dhe 4 forca vullnetare. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 19 ha. Sot në operacion janë angazhuar 4 forca të njësisë që të mbajnë nën kontroll situatën për të mos e lënë këtë vatër të përparojë deri në shuarjen e plotë.

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme zajrri ka qenë aktiv me shtrirje të madhe gjatësore, por i zhvilluar vetëm nga ana e fshatit Gurë Lurë. Për shuarjen e tij u angazhuan angazhuar 1 automjet zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH Dibër dhe 16 forca të AdZM, 4 forca bashkiake, 10 forca vullnetare dhe 30 forca nga FA. Si pasojë është përshkuar njësipërfaqe rreth 30 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e vatrës së zjarrit të ndihmuar edhe nga 30 forca nga FA.

Qarku Tiranë. Ka vijuar puna për fikjen e zjarrit të rënë  në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, në një sipërfaqe me dushqe. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Rrogozhinë me 1 automjet zjarrfikës me 17 efektivë, 1 helikopter i FA, 20 forca bashkiake, 10 forca vullnetare, të cilët punuan për tij deri në orët e vona por pa mundur ta shuajnë plotësisht. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marr përmasa akoma dhe më të mëdha duke u përhapur në fshatrat  Hemenraj, Murroj, Çek, Memollaj dhe Berdajt. Gjithashtu në fshatin Hemenaj u rrezikuan banesat të cilat ndodhen pranë zjarrit. Si pasojë u përshkua një sipërfaqe rreth 20 ha. Natën e mbrëmshme situata u monitorua nga 10 efektivë zjarrfikëse. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë në terren për fikjen përfundimtare. Vatra e zjarrit është nën kontroll.

Qarku Elbasan. Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Sot po vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me: 1 automjet zjarrfikëse dhe 8 efektivë, inspektorë të pyjeve si edhe 10 forca vullnetare. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.

Në fshatin Udenisht, njësia administrative Udenisht, bashkia Pogradec, ka një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe dhe shkurre. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Pogradec dhe forca të AdZM,  cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe dhe 20 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 38 automjete zjarrfikëse dhe 459 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 3 helikopterë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), Kukës (Jugperëndim), dhe Korçë (Veri).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

???? Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.

Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina dhe shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

???? Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse.

Vetëm me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrojmë natyrën dhe komunitetet tona.

The post Pesë vatra aktive zjarri në vend, angazhohen zjarrfikës, automjete dhe helikopterë first appeared on JavaNews.al.

EMRAT / Një shefe në Kuçovë, kush janë drejtuesit e rinj të 9 komisariateve në vend

By: A R
12 July 2025 at 11:09

Komisariatin e Policisë së Kuçovës do ta drejtojë një grua. Edjona Dano, e vetmja grua që garoi, u kualifikua si fituese mes 290 apkikatëve që synonin për të qenë shefa komisariatesh.

Së fundmi Dano mbante detyrën e Shefe Seksioni për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës. Më herët ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr.6 Tiranë.

Ndërkohë Kleant Serdari nga Kuçova është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër. Bledar Metaj nga ana tjetër është kaluar nga Mallakastra në Shef Sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Vlorës.

Mes të tjerash janë firmosur edhe 8 ndryshime të tjera.

Florian Dano emërohet shef në komisariatin e Policisë Kufitare Dibër.

Elvid Shehu emërohet shef në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.

Ferit Merkaj emërohet shef në Komisariatin e Policisë Himarë.

Kliton Zharri emërohet shef në Komisariatin e Policisë Cërrik.

Ajet Bega emërohet shef në Komisariatin e Policisë Kurbin.

Leonard Ndreka emërohet shef në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Krenar Guçe emërohet zv/drejtor për Krimet në Drejtorinë e Elbasanit

Gentian Dedej emërohet shef në Komisariatin e Policisë Pogradec.

Kujtojmë se një ditë më parë u emëruan shefat e rinj edhe në 8 komisariate të tjera në vend.

The post EMRAT / Një shefe në Kuçovë, kush janë drejtuesit e rinj të 9 komisariateve në vend first appeared on JavaNews.al.

“Seksi në komunizëm”, Astrit Çerma reagon ndaj Dumës: Më kujtove Pifin. Te ballkoni i katit të parë…

By: A R
12 July 2025 at 11:03

Aktori i njohur Astrit Çerma, ka reaguar për emisionin e një ditë më parë, Top Story, me temë “Seksi dhe dashuria në komunizëm”.

Postimi i Çermës

“Mbi seksin dhe dashurinë në diktaturë.”

Me këtë temë e hapi emisjonin e saj e njohura specialiste  Duma dhe një dorë të njohurish dum-dumash meshkuj e femra specialistë të ftuar..

Sa dëgjova fjalët e para mbi këtë temë seç mu kujtua i madhi Roberto Bengini që kur e pyetën u përgjegj pak a shumë kështu:

“E po.. Natyrisht, ne, në krahasim me ju që jetoni në këtë kohë kemi vuajtur për seks, ama sa për dashurinë, dashurinë tonë në ato vite ju as keni për ta ndjer kurrë”.

Sa për ato llomititje që filluan të llokçizin “dum-dumat e dumës” se “seksi e dashuria” në ato kohëra na pska qen “diktat” nga diktatura më kujtohet një histori e vockël..

Në ato vite doli një libër për fëmij, në përmasat e një reviste dhe e ilustruar me piktura të bukur që rrëfente për një qerrata qen që quhej “Pifi”

Libri tirullohej “Aventurat e Pifit” dhe kushtonte 20 lekë të vjetra

Tek ballkoni madh i shtëpis në katin e parë mblidheshin gjithnjë shoqet e nanës, pinin kafen e mëngjezit, thurnin me grep, dhe shoshnin dhe sitnin të gjithë qytetin. Një nga gratë, mom Rafmija gjithmon merrte me vete nipin e saj Takun..

Ai loste jashtë balkonit me fëmitë e tjerë..

Një ditë vjen duke qarë.

– Ça ke ere, e pyeti e shqetsuar mom Rafmija, kush të rrafi?

– Nuk më rrafi njeri, joo.. Unë du 20 lekë, i tha Taku.

– 20 lekë?  Ç’i do 20 lekët ti ore?..

– I du.. I duuuuu..

– Çi do ore?..

– I du për Pifin.

– Për çin ere?.

– Për pifin..

– Qyqia! Çere, çere?!

– Pifin moj, Piiifin..

– Ç’asht kjo fjalë ere. Mbylle ore gojën, sa ashtu turp.

– I du moj 20 lekë. I du. Të gjithë shokët e kan Pifin, vetëm unë jo…

– Ptu, ptu, ptu. Mos ta ngjoj ma këtë fjalë se… ta dish.

– Unë du Pifin, du Pifin. Du të mësoj aventurat e Pifit, filloi të bërtasi Taku duke qarë…

– Mylle mre gojën se ndryshe do ta përvëloj me spec djegës, ta dish. Do ti baj fllucka fllucka ene gjuhën, ene buzët, ta dish.

Qyqia moj gra, qyqia. Ku e ka msu këtë fjalë moj. U prish dynjaja..

Po ku mbahej Taku. Bërtiste me të madhe “Unë du Pifin. Të gjithë shokët kan pif, unë s’kam. Du aventurat e Pifit.”

– Qyqia, qyqia. Ke na vuni culen e zezë mbi kokë sot ky. Upu pu, pu..

Zbriti jashtë ballkonit rrëmbeu Takun dhe iku në shtëpi..

Kjo “puna” e Pifit nuk mbaroi me kaq. Kur e morën vesh se “Pifi” ishte emri i një qeni tek një libër, mom Rafmija me nanën e dy shoqe të tjera ju lëshuan vëndëshe shiitses së librave, Lirisë..

– Turp të kesh moj Liri që shet këto palaçolluqe për kalamajtë. Turp..

– Por është libër moj nana. Pifi është një qen. Kështu e ka emrin..

– Gjeni moj Liri një emër tjetër.. Ptu, ptu, ptu..”Avanturat e atij..”..

Qyqia..Turp, turp, turp..

Dhe “dum, dum, dumat” na bëjnë ca analiza për “seksin e dashurinë” e asaj kohe..

Sot “Pifat”, kan dalë sheshit jo vetëm si qen, po edhe si çakej, si kuçedra, si lubij..

Dashuria, është kthyer në një kurvëri e neveritshme, ku çdo pjesë e trupit dhe shpirti shitet si në pazar..

The post “Seksi në komunizëm”, Astrit Çerma reagon ndaj Dumës: Më kujtove Pifin. Te ballkoni i katit të parë… first appeared on JavaNews.al.

Netanyahu, Trumpit: Izraeli do ta sulmojë Iranin sërish nëse rifillon pasurimin bërthamor

By: A R
12 July 2025 at 10:50

Gjatë takimit të Shtëpisë së Bardhë, Netanyahu i ka bërë të ditur Trumpit, se Izraeli do ta godasë sërish Iranin nëse ky i fundit rifillon aktivitetin bërthamor.

Nga ana e tij Trump favorizon diplomacinë, por nuk kundërshton, pasi zyrtarët paralajmërojnë se Teherani mbetet kërcënim pavarësisht se sulmet SHBA-Izrael e kanë vonuar programin e tij për dy vjet.

Sipas një raporti të botuar nga Wall Street Journal, zyrtarët e lartë të të dyja vendeve theksuan se Trump shprehu preferencën për një zgjidhje diplomatike, por nuk kundërshtoi plotësisht paralajmërimin e Netanyahut.

Sipas Wall Street Journal komentet e Netanyahut nënvizojnë llogaritjet e ndryshme midis Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për fushën e dëmtimit të shkaktuar në programin bërthamor të Iranit në operacionet e fundit të përbashkëta ushtarake.

Ndërsa Trump ende synon të negociojë një marrëveshje që do ta detyronte Iranin të braktisë ambiciet e tij bërthamore, zyrtarët izraelitë janë skeptikë se diplomacia mund të parandalojë Teheranin të përparojë me fshehtësi programin e tij bërthamor.

Ndërkohë, Irani raportohet se ka kërkuar garanci se nuk do të sulmohet përsëri si parakusht për t’u rikthyer në bisedime me Uashingtonin.

Një zyrtar i lartë izraelit i tha Wall Street Journal se Izraeli nuk do të kërkonte domosdoshmërisht miratimin e qartë të ShBA-së para se të fillonte sulme të tjera, por pranoi se Netanyahu mund të përballet me kundërshtimin nga Trump nëse aktiviteti iranian nuk konsiderohet aq domethënës sa të justifikonte braktisjen e diplomacisë.

Raporti gjithashtu vuri në dukje se Irani përballet me rrezik të konsiderueshëm nëse udhëheqësit e tij vazhdojnë të refuzojnë kërkesat e Trump për të ndaluar pasurimin e uraniumit dhe rifillimin e zhvillimit bërthamor.

Përgjigjet ushtarake izraelite dhe ndoshta edhe amerikane mund të kërcënojnë stabilitetin e regjimit iranian.

The post Netanyahu, Trumpit: Izraeli do ta sulmojë Iranin sërish nëse rifillon pasurimin bërthamor first appeared on JavaNews.al.

FOTO / Policia aksion në Vlorë dhe Seman për lirimin e plazheve, kontroll për dokumentacionin

By: A R
12 July 2025 at 10:40

Policia e rendit dhe ajo bashkiake në Vlorë kanë nisur kontrollin në terren për verifikimin e dokumentacionit të plazheve private.

Gjatë kontrollit në një nga plazhet përgjatë Lungomares, janë vërejtur parregullsi në dokumentacionin për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit, dhe sot në orët e para të ditës, policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë hequr çadrat dhe shezlongët.

Policia aksion në Vlorë dhe Seman për lirimin e plazheve,

Në total janë hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë, ndërkohë që hapësira prej rreth 500 m² do të kthehet në plazh publik. Nuk ka pasur kundërshtime nga pronari.

Policia aksion në Vlorë dhe Seman për lirimin e plazheve,

Operacioni “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të zhvilluara nga subjektet private është zhvilluar edhe në plazhin e Semanit në Fier.

Policia ka liruar 3 hapësira publike në Seman dhe ka proceduar penalisht pronarët e 3 subjekteve që kishin zënë këto hapësira duke vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.

The post FOTO / Policia aksion në Vlorë dhe Seman për lirimin e plazheve, kontroll për dokumentacionin first appeared on JavaNews.al.

Marrëveshja Rama- Meloni, “Sigurimet Shoqërore” në Itali sqarojnë procedurat për të përfituar pensionin

By: A R
12 July 2025 at 09:57

Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore në Itali (INPS) njoftoi se tashmë dispozitat e Marrëveshjes dhe Rregullimit Administrativ ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë në lidhje me sigurimet shoqërore kanë hyrë në fuqi.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024 dhe e ratifikuar me Ligjin Nr. 29 të datës 11 mars 2025, shënon një hap thelbësor përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore të punëtorëve dhe pensionistëve në të dy vendet. Ajo do të sigurojë që periudhat e punës dhe kontributet e paguara në secilin shtet të njihen dhe të bashkohen për efekt pensioni.

Si ndryshojnë procedurat e aplikimit për pension?

Me hyrjen në fuqi të këtyre rregullave të reja, procedurat e aplikimit për pension do të modifikohen si më poshtë:

  • Për shtetasit italianë në Shqipëri, aplikimet për pension, qoftë sipas marrëveshjes italo-shqiptare apo sistemit kombëtar/autonom shqiptar, duhet të dorëzohen ekskluzivisht në internet. Këto aplikime do të trajtohen nga zyra territoriale kompetente e INPS-it në Itali, e përcaktuar në bazë të vendbanimit të aplikantit ose, për punonjësit publikë, në bazë të punëdhënësit të fundit.
  • Për shtetasit shqiptarë në Itali, kërkesat për pension, si sipas marrëveshjes ashtu edhe sipas regjimit kombëtar/autonom italian, duhet të dorëzohen nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore Shqiptare (ISSH). ISSH-ja do t’i përcjellë ato më pas në qendrën e specializuar në Zyrën Provinciale të INPS në Perugia.

Dokumentacioni i nevojshëm dhe procedurat e verifikimit

Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet dokumentacionit, sidomos për periudhat e punës në Shqipëri ku përfshihet deklarata e historikut të punësimit. Për periudhat e sigurimit të përfunduara në Shqipëri para vitit 2012, është e detyrueshme të bashkëngjitet një “Deklaratë e Historikut të Punësimit” në aplikim, së bashku me çdo dokumentacion shtesë (të dhëna punësimi, etj.).

Pas kësaj nis procedura e verifikimit.

“Siç është sqaruar në Qarkoren Nr. 106 të vitit 2025, zyra kompetente e INPS-it në territor duhet thjesht t’ia përcjellë këtë dokumentacion institucionit shqiptar (ISSH) për verifikimet e nevojshme.”, informon Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore në Itali.

Kopja e dokumentit të identitetit është gjithashtu e domosdoshme të bashkëngjitet një kopje e dokumentit të identitetit shqiptar për të lejuar institucionin shqiptar të identifikojë me saktësi aplikantin.

Këto procedura të reja synojnë të sigurojnë qartësi dhe qëndrueshmëri më të madhe në menaxhimin e aplikimeve për pensione, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe duke siguruar mbrojtje më efikase të të drejtave të pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.

The post Marrëveshja Rama- Meloni, “Sigurimet Shoqërore” në Itali sqarojnë procedurat për të përfituar pensionin first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / “Paketa e Maleve është kalë Troje”, Tabaku: Pas ndërtimeve, Rama po kriminalizon turizmin

By: A R
12 July 2025 at 09:48

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale pas prishjes së disa ndërtimeve në Theth, në kulmin e sezonit turistik.

Sipas saj, situata e krijuar është pasojë direkte e të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, që ajo e cilësoi si Kali i Trojës për veriun e Shqipërisë.

“Paketa e Maleve” nuk po zgjidh, por po grabit pronat e banorëve në veri.

Është një ligj që po përdoret për të favorizuar të njëjtët klientë të përhershëm përmes modelit të investimeve strategjike.

Qeveria e ka shitur këtë ligj si zgjidhje, por në realitet është kthyer në mjet për shkatërrim e pasiguri,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate ngre alarmin për mënyrën sesi vepron qeveria në mes të sezonit turistik, duke i dëmtuar komunitetet lokale dhe imazhin e turizmit shqiptar.

Ajo theksoi se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani përballen me goditje selektive e të njëanshme.

“Ky është një shtet që nuk parandalon, por godet në mënyrë të organizuar e me regji politike. E gjithë kjo sjellje ka prodhuar padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe një sezon turistik të njollosur nga abuzimi me pushtetin,” përfundoi Tabaku.

Ajo kërkon një transparencë të plotë për projektet që po zhvillohen në zonat malore dhe ndalimin e politikës klienteliste që, sipas saj, po shkatërron turizmin vendas.

The post VIDEO / “Paketa e Maleve është kalë Troje”, Tabaku: Pas ndërtimeve, Rama po kriminalizon turizmin first appeared on JavaNews.al.

EMRAT / Njëri u hodh në det për t’i shpëtuar Policisë. Kush janë 3 të arrestuarit në Sarandë. Gjendet arma dhe…

By: A R
12 July 2025 at 09:41

Policia e Sarandës ka sqaruar arrestimin e tre personave të arrestuar mbrëmjen e djeshme ku një prej tyre u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit.

Policia ka sqaruar se në pranga kanë rënë 3 shtetas, Endri Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali, ky i fundit i shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

Ndërkohë janë sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.

Njoftimi:

Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.

Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

* E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
* I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
* B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

The post EMRAT / Njëri u hodh në det për t’i shpëtuar Policisë. Kush janë 3 të arrestuarit në Sarandë. Gjendet arma dhe… first appeared on JavaNews.al.

“Suel Çela ka vendosur gurin e Rithemelimit në Elbasan”, Xhaferraj: Berisha po rrënon alternativat për agjendën personale

By: A R
12 July 2025 at 09:33

Ish-deputeti Ferdinand Xhaferraj i quajti pretendimet e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për vjedhjen e votave nga grupet kriminale si në rastin e Elbasanit si histori dhe retorikë politike, një qëndrim me dy standarde nga kreu i selisë blu sipas tij.

Ai kujtoi rastin kur e vetmja akuzë zyrtare nga PD-ja ka qenë se Suel Çela ka vendosur gurin e Rithemelimit të Berishës në Elbasan.

“PD humbi në qendër të qyteteve, të Tiranës, Durrësit, Elbasanit. Humbi votën e emigrantëve, pse nuk votuan? E thashë, Berishës i ka mbaruar koha politike. Ndaj e refuzuan. Kurse për vjedhjen e votave, ku historitë si me Elbasanin, para se të shpjegosh se Suel Çela, përfaqësues i krimit, ndihmoi me vota Sara Milen, duhet të shpjegosh pse u nda me Sali Berishën? Ne kemi të vetmen deklaratë zyrtare të qartë, të përgjegjshme, nga eksponentët e lartë të PD-së, se Suel Çela ka vendosur gurin e Rithemelimit në Elbasan. Pra retorika që ka ngritur për vjedhjen e zgjedhjeve, është e vetmja mundësi që zoti Berisha të qëndrojë aty. Ndaj edhe raporti i OSBE-ODIHR atë tregon se Edi Rama e do Berishën aty”, tha ai.

Xhaferraj thekson se opozitën kryetarit ia bën për të mirën e partisë, pasi duhet të ndahet nga halli personal dhe ta përdor për agjendën po personale.

“Edhe opozitën që i bëjmë zotit Berisha është se ky hall personal i zotit Berisha po vret hallin e PD-së. Unë jam për heqjen e non gratës së Berishës, por ndahen me faktin se s’ke pse paguan miliona dollarë për ta hequr. Ndahem me faktin se s’ke pse përdor PD-në dhe po rrënon alternativat, vetëm për t’i shërbyer agjendës personale”.

The post “Suel Çela ka vendosur gurin e Rithemelimit në Elbasan”, Xhaferraj: Berisha po rrënon alternativat për agjendën personale first appeared on JavaNews.al.

Gjykata e SHBA-ve rrëzon marrëveshjen për 11 Shtatorin, organizatori nuk shpëton nga dënimi me vdekje

By: A R
12 July 2025 at 09:25

Një gjykatë federale apeli në SHBA ka hedhur poshtë një marrëveshje që do t’u kishte lejuar të akuzuarve për sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 të pranonin fajësinë në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.

Vendimi i dhënë nga një trupë gjyqtarësh të Apelit në Uashington DC shfuqizon përpjekjet për të mbyllur një proces të zvarritur për më shumë se dy dekada, i ndjekur nga pengesa të shumta ligjore dhe logjistike.

Në qendër të këtij procesi është Khalid Sheikh Mohammed, i konsideruar si organizatori kryesor i sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, duke lënë rreth 3,000 viktima. Ai akuzohet për planifikimin dhe drejtimin e rrëmbimit të avionëve që goditën Kullat Binjake dhe Pentagonin, ndërsa një tjetër avion u rrëzua në një fushë në Pensilvani.

Marrëveshja, e cila u negociua për më shumë se dy vite dhe ishte miratuar nga prokurorët ushtarakë dhe zyrtarët e lartë të Pentagonit, parashikonte burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi për Mohammed dhe dy bashkëpunëtorë të tij. Ajo do t’i detyronte të akuzuarit të jepnin informacione të hollësishme për ngjarjen dhe të përgjigjeshin ndaj pyetjeve të familjarëve të viktimave.

Por opinioni i të afërmve të viktimave ka qenë i ndarë. Një pjesë kërkonte gjykimin deri në fund për të nxjerrë të gjithë të vërtetën, ndërsa të tjerë e shihnin marrëveshjen si mënyrën më të mirë për të mbyllur një plagë të hapur prej më shumë se 20 vitesh.

Megjithatë, ish-Sekretari i Mbrojtjes nën administratën Biden, Lloyd Austin, e hodhi poshtë marrëveshjen, duke argumentuar se një vendim për dënimin me vdekje në një rast kaq të rëndë duhet të merret vetëm nga Sekretari i Mbrojtjes.

Avokatët mbrojtës pretenduan se marrëveshja kishte hyrë tashmë në fuqi dhe se ndërhyrja e Austin ishte e vonuar. Një gjykatës ushtarak në Guantanamo dhe më pas një panel apeli ushtarak e mbështetën këtë argument.

Por Gjykata Federale e Apelit për Distriktin e Kolumbias, me një vendim 2 me 1, konkludoi se Austin kishte vepruar brenda kompetencave të tij dhe e konsideroi të gabuar vendimin e gjykatës ushtarake.

Vendimi i fundit nënkupton se procesi kundër organizatorëve të 11 Shtatorit nuk do të mbyllet shpejt dhe rihap mundësinë për ndëshkime më të rënda, përfshirë dënimin me vdekje.

The post Gjykata e SHBA-ve rrëzon marrëveshjen për 11 Shtatorin, organizatori nuk shpëton nga dënimi me vdekje first appeared on JavaNews.al.

Aksident i rëndë në “Tiranë-Durrës”, humb jetën 19-vjeçari, dy adoleshentë të plagosur

By: A R
12 July 2025 at 09:09

Një aksident i rëndë me vdekje është regjistruar pas mesnatës në autostradën “Tiranë-Durrës”, në zonën “Marikaj”. Sipas informacioneve praraprake të policisë, një 18-vjeçar ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga.

Nga aksidenti ka humbur jetën pasagjeri në automjet, shtetasi E. B., rreth 19 vjeç, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 00:40, në autostradën “Tiranë-Durrës”, në zonën e “Marikaj”, shtetasi D. D., rreth 18 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë, automjeti ka dalë nga rruga.

Nga aksidenti ka humbur jetën pasagjeri në automjet, shtetasi E. B., rreth 19 vjeç, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe sqarimin e rrethanave. 

The post Aksident i rëndë në “Tiranë-Durrës”, humb jetën 19-vjeçari, dy adoleshentë të plagosur first appeared on JavaNews.al.

Jo vetëm Air India! Të gjitha katastrofat ajrore të shkaktuara nga pilotët ndezin debatin për sigurinë në ajër

By: A R
12 July 2025 at 09:02

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një aksident avioni për shkak të vendimeve vullnetare të pilotëve. Këto incidente kanë rindezur debatin mbi rregulloret e sigurisë në ajër.

Hetimi për rrëzimin e avionit Boeing 787 të Air India që u rrëzua pak minuta pas ngritjes me 242 persona në bord vazhdon ende. Hetimet paraprake përjashtojnë çdo defekt teknik, por sugjerojnë se çelësat e karburantit ishin fikur, qoftë qëllimisht ose gabimisht. Incidente të ngjashme, megjithëse të rralla, kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së aviacionit, kur pilotët ose bashkëpilotët kanë shkaktuar qëllimisht tragjedi gjatë fluturimit, duke çuar në rregullore më të rrepta mbi procedurat e sigurisë dhe kontrollin psikologjik të ekuipazhit. Kabina e pilotit konsiderohet si një nga mjediset më të sigurta dhe më të rregulluara në botë, megjithatë, në raste jashtëzakonisht të rralla, ata që janë të ngarkuar me sigurimin e sigurisë mund të jenë vetë shkaku i tragjedisë.

Fluturimi 350 i Japan Airlines (9 shkurt 1982) 24 viktima

Gjatë afrimit në Aeroportin Haneda, Kapiteni Seiji Katagiri e çaktivizoi autopilotin dhe aktivizoi sistemin e shtytjes së kundërt gjatë fluturimit, duke e shtyrë aeroplanin në det. Bashkëpiloti dhe inxhinieri u përpoqën ta ndalonin atë, por aeroplani u ul në ujë, duke vrarë 24 pasagjerë dhe duke mos vrarë asnjë nga ekuipazhi. Katagiri mbijetoi, pasi u shpall i pafajshëm për shkak të çmendurisë që lidhet me skizofreninë paranojake.

Fluturimi 185 i SilkAir (19 dhjetor 1997)  vrau 104 persona

Një Boeing 737 u rrëzua në lumin Musi në Indonezi. Një hetim zbuloi se një teori e katastrofës ishte zbatimi i qëllimshëm i të komandave nga kapiteni për të shkaktuar rrëzimin. Arsye të tjera të hipotezuara përfshinin probleme financiare dhe sigurimin e jetës, megjithëse autoritetet indoneziane mbetën zyrtarisht të paqarta. Një total prej 104 personash vdiqën. Hetim nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit përcaktoi se shkaku i rrëzimit ishte një zhytje e qëllimshme nga kapiteni me qëllim vetëvrasës. Ndërsa hetuesit indonezianë në NTSC nuk gjetën “asnjë provë konkrete” për të mbështetur pretendimin e pilotit për vetëvrasje, dhe njësia e kontrollit të energjisë hidraulike e dyshuar më parë ishte konsideruar pa defekte nga prodhuesi, deklarata përfundimtare e NTSC ishte se ata nuk kishin qenë në gjendje të përcaktonin shkakun e aksidentit dhe për këtë arsye ishte e paqartë.

Fluturimi MH370 i Malaysia Airlines (8 Mars 2014) 239 viktima

Hija e një akti të qëllimshëm është përshkuar edhe mbi fluturimin MH370 të Malaysia Airlines, nga Kuala Lumpur në Pekin, i cili u zhduk nga sistemet e gjurmimit mbi Oqeanin Indian më 8 Mars 2014 dhe nuk u gjet kurrë. Një teori e përsëritur shpesh ka pohuar se ishte një akt vetëvrasës nga piloti, 53-vjeçari Zaharie Ahmad Shah, i cili, përpara se të zhdukej nga radari, kishte ndryshuar kurs drejt shtetit të Penangut, ku kishte lindur.

Fluturimi 9525 i Germanwings (24 Mars 2015) 150 viktima

Më 24 Mars 2015, Fluturimi 9525 i Germanwings, një Airbus A320, u rrëzua në Alpet Franceze, duke vrarë të 150 personat në bord. Bashkëpiloti Andreas Lubitz, duke përfituar nga mungesa e kapitenit në kabinën e pilotit, mbylli dyert dhe e rrëzoi qëllimisht aeroplanin në mal. Lubitz vuante nga çrregullime të rënda psikologjike, veçanërisht depresioni, të cilin e kishte fshehur nga linja ajrore. Hetimi zbuloi se katastrofa ishte një akt i qëllimshëm dhe jo një aksident teknik. Incidenti çoi në një rishikim të rregulloreve të sigurisë, me futjen e një ekuipazhi kabine të detyrueshëm prej dy personash në çdo kohë dhe monitorim të shtuar të shëndetit mendor të pilotëve.

The post Jo vetëm Air India! Të gjitha katastrofat ajrore të shkaktuara nga pilotët ndezin debatin për sigurinë në ajër first appeared on JavaNews.al.

“Paguaj ose prano”, Meta rrezikon miliona gjoba çdo ditë nga BE

By: A R
11 July 2025 at 23:00

Meta Platforms, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, pritet të përballet me akuza të reja nga Bashkimi Europian dhe gjoba të përditshme të mëdha, pasi nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime të tjera në modelin e saj të reklamimit “paguaj ose prano”.

Ky model i Metës i jep përdoruesve vetëm dy mundësi: ose të paguajnë për të përdorur rrjetin social pa reklama, ose të lejojnë që të dhënat e tyre personale të përdoren për reklama të targetuara. Sipas Bashkimit Europian, ky model nuk respekton plotësisht të drejtën e përdoruesve për privatësi dhe nuk u jep atyre një zgjedhje të vërtetë.

Kjo është arsyeja pse Meta po akuzohet për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale, një ligj i ri i BE-së që ka për qëllim të kufizojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike dhe të mbrojë konkurrencën dhe të drejtat e konsumatorëve.

Në prill 2025, Meta u gjobit me 200 milionë euro për këtë çështje, ndërsa tani rrezikon gjoba të përditshme që mund të arrijnë deri në 5% të fitimeve ditore të kompanisë në të gjithë botën, duke filluar nga 27 qershori.

Meta ka thënë më herët se beson se po vepron sipas ligjit dhe se po ofron më shumë zgjedhje për përdoruesit europianë se sa kërkon ligji. Ajo ka akuzuar gjithashtu Komisionin Europian se po diskriminon modelin e saj të biznesit. Komisioni nuk ka komentuar mbi zhvillimet më të fundit.

Ndërkohë menjëherë pas publikimit të lajmit, aksionet e Metës ranë me 1.7% në tregjet financiare.

The post “Paguaj ose prano”, Meta rrezikon miliona gjoba çdo ditë nga BE first appeared on JavaNews.al.

Urdhri i Ramës, kryebashkiaku i PD: Shkelje e autonomisë vendore, asnjë nuk duhet ta zbatojë!

By: A R
11 July 2025 at 22:52

Në një takim me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre që të shkarkojnë të gjithë drejtuesit e njësive administrative.

Por duket se kjo thirrje e tij nuk është marrë parasysh nga kryetarët që drejtojnë bashkitë e fituara nga e djathta. Albert Mëlyshi, kryetari i Bashkisë së Mirditës, tha në një intervistë për Klan News se kjo deklaratë e Ramës është shkelje e autonomisë vendore.

Sipas tij, asnjë kryetar bashkie në vend nuk duhet ta zbatojë atë urdhër. Ai theksoi se personalisht bën analizë çdo tre muaj për stafin e tij dhe vepron sipas perfomancës së secilit punonjës.

“Që në fillim të fjalës sime e përmenda që është një shkelje e autonomisë vendore. Pra është vetë titullari dhe institucioni që merr iniciativa për të matur performancën e punonjësve të saj, administratorëve, drejtorëve dhe stafit. Jam duke vazhduar periodikisht punën time të përditshme dhe diskutimet tre mujore për arritjen e rezultateve ose jo në njësi administrative ose në bashki. Ky është një urdhër që mund të zbatohet nga asnjë kryetar bashkie qoftë edhe të majta. Unë personalisht jam duke bërë analizën time sa i përket stafit. Aty ku shoh mangësi patjetër që marr hapat e duhura. Aty ku performohet mirë, do vazhdojnë në detyrë. Kjo nuk ka lidhje me urdhra që mund të japë kryeministri, të paktën në bashkinë që drejtoj unë. Kjo as që vihet në diskutim”, tha Mëlyshi për gazetarin Besard Jacaj.

Ai deklaroi se kryetarët e bashkive të djathta kanë rënë dakord që të marrin pjesë në takime të tilla, pasi kanë në fokus qytetarët që përfaqësojnë.

“Ne si grup i kryetarëve të bashkive të djathta, bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin dhe marrim vendime konsensuale të përbashkëta për të marrë pjesë ose jo në takime të tilla. Përgjithësisht kemi qenë në një mendje që si kryetarë të djathtë të Bashkive duhet të jemi bashkëpunues dhe duhet të jemi aty për të ngritur zërin për qytetarët të cilët përfaqësojmë. Në këtë kontekst mendoj që duhet të jemi përtej atyre që janë takime politike, por në vëmendjen tonë duhet të jetë ideja që ne të përcjellim zërin e qytetarëve në takime me qeverinë, kryeministrin apo ministrat e qeverisë”, tha ai.

The post Urdhri i Ramës, kryebashkiaku i PD: Shkelje e autonomisë vendore, asnjë nuk duhet ta zbatojë! first appeared on JavaNews.al.

❌
❌