Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit

22 July 2025 at 21:23

LEJPSIG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Dyzetë e tre persona u deportuan sot nga Gjermania drejt Bagdadit, konfirmoi Ministria e Brendshme, duke shënuar fluturimin e parë të tillë që nga muaji shkurt.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili është shfaqur në mbështetje të një qasjeje më të ashpër ndaj migracionit, deklaroi për gazetën “Bild” se ky fluturim është pjesë e politikave të tij të reja, ndërsa vazhdon të kërkojë më shumë riatdhesime, marrëveshje me vende të tjera dhe një luftë më të fortë kundër trafikantëve të njerëzve.

Sipas autoriteteve në landin e Thuringisë, 43 personat  që ndodheshin në bord kishin detyrim ligjor për të lënë vendin. Të gjithë ishin të pamartuar dhe disa prej tyre kishin dënime penale.

Një fotograf i agjencisë DPA përshkroi përgatitjet e policisë për nisjen e fluturimit, ku pasagjerët u transportuan me automjete policie dhe dy autobusë të mëdhenj të aeroportit. Secili pasagjer u shoqërua veçmas nga një oficer policie deri në avion.

Pas uljes në kryeqytetin irakian, pasagjerët kaluan disa procedura të emigracionit, sipas burimeve nga aeroporti.

Transferimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Irak, megjithatë mbeti e paqartë se ku do të dërgoheshin peesonat pas hyrjes në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vitin e kaluar janë deportuar 816 irakianë. Disa janë dërguar në vende të tjera të BE-së për përpunimin e kërkesave për azil, ndërsa 615 janë dërguar direkt në Irak.

Sipas OKB-së, 1,2 milionë irakianë janë të zhvendosur brenda vendit dhe rreth 3 milionë varen nga ndihma humanitare. Shumë prej të kthyerve kanë vështirësi të përmbushin nevojat bazë për jetesë.

Në një sondazh të kryer nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vitin 2023, pothuajse gjysma e migrantëve të kthyer në Irak thanë se dëshironin të largoheshin përsëri nga vendi brenda gjashtë muajve. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike

22 July 2025 at 20:36

BERLIN, 22 korrik / ATSH-DPA/ – Udhëheqësit administrativë të Bundestagut, dhoma e poshtme e parlamentit gjerman, po përpiqen të ndalojnë që deputetët të mbajnë stema apo simbole me mesazhe politike në sallën plenare.

Sipas një letre të kryetares së Bundestagut, Julia Klockner, për sekretaren e parë parlamentare të Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic, përjashtim do të bëhet vetëm për simbolet zyrtare shtetërore që janë të dukshme në sallë; shqiponja federale, flamuri gjerman dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

“Debati në sallën plenare zhvillohet me fjalë dhe vetëm përmes fjalëve”, thuhet në letrën e Klockner.

Ajo paralajmëroi se çdo simbol tjetër përveç atyre shtetërore mund të shkaktojë probleme ndarjeje dhe përplasje interpretimesh. Sipas saj, simbolet zyrtare përfaqësojnë trashëgiminë demokratike të Republikës Federale të Gjermanisë.

Por Mihalic ka kritikuar këtë direktivë, duke thënë se ajo mund të ndezë një “luftë kulturore” dhe të shmangë vëmendjen nga debatet reale politike.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për flamurin kombëtar, por edhe për simbole që përfaqësojnë mbrojtjen e vlerave themelore të kushtetutës sonë”, shkroi Mihalic.

Debati për simbolet në parlament gjerman pason një klimë gjithnjë e më të tensionuar në lidhje me identitetin politik, lirinë e shprehjes dhe kufijtë e saj në hapësirat institucionale. /Ad.Ab./

Top of Form

Bottom of Form

 

 

The post GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion

22 July 2025 at 19:46

PARIS, 22 korrik /ATSH/ – Gjykatës francezë urdhëruan sot që ministrja e Kulturës, Rachida Dati, dhe ish-drejtuesi i njohur i industrisë së makinave, Carlos Ghosn, të përballen me gjyq për akuza lidhur me korrupsion dhe abuzim me pushtetin, njoftoi një burim gjyqësor.

Prokuroria financiare franceze (PNF) kishte kërkuar qysh në nëntor të vitit 2024 që Dati dhe Ghosn të gjykoheshin si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Hetuesit kishin vënë në pikëpyetje pagesat për konsulencë që Dati kishte marrë nga aleanca “Renault-Nissan,  pasi ajo kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministres së Drejtësisë në vitin 2009 për të kandiduar në Parlamentin Evropian.

Dati ka mohuar çdo parregullsi në lidhje me pagesat që ka marrë gjatë asaj kohe.

Edhe Ghosn, i cili u arratis nga Japonia në vitin 2019 duke u vendosur në Liban ka mohuar akuzat për keqmenaxhim.

Përfaqësuesit e Datit nuk kanë komentuar menjëherë, ndërsa përfaqësuesit e Ghosn nuk kanë qenë të disponueshëm  për koment.

Ghosn, i cili ka shtetësi franceze, libaneze dhe braziliane, nuk ka dalë nga Libani që nga viti 2019, për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Japonia. /Ad.Ab./

 

The post FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend

22 July 2025 at 18:53

EDINBURG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat e rendit në Skoci nuk do të “vendosen në një pozicion të dëmshëm” për shkak të kostove të vizitës së presidentit Donald Trump, deklaroi sot kryeministri skocez John Swinney.

Presidenti i SHBA-së pritet të mbërrijë në Skoci këtë javë dhe të vizitojë të dy fushat e tij të golfit në vend, por janë ngritur shqetësime për  një operacion të gjerë të sigurisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit të presidentit Trump në Skoci, kur  ai nuk ishte në detyrë, pati protesta të shumta.

Ai pritet të takohet si me kryeministrin britanik Keir Starmer, ashtu edhe me  Swinney gjatë qëndrimit të tij në Skoci.

Të gjithë oficerët e kontaktit të Policisë së Skocisë pritet të angazhohen për të përballuar protestat gjatë vizitës, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga forca të tjera policore.

“Policia skoceze do të merret me rrethanat që do të paraqiten në lidhje me operacionin e sigurisë,” tha kryeministri Swinney. “Ne do të bashkëpunojmë me Policinë e Skocisë, Autoritetin Policor të Skocisë dhe me qeverinë e Britanisë së Madhe për kostot”, shtoi ai

I pyetur nëse fondet do të dalin nga buxheti aktual i policisë, kryeministri u përgjigj:
“Do të punojmë ngushtë me Policinë e Skocisë për financimin e këtij operacioni dhe do të sigurohemi që shërbimi i policisë në Skoci të mos dëmtohet për shkak të vizitës së presidentit Trump”.

Ndërkohë, një zyrtare e lartë e policisë i bëri thirrje atyre që planifikojnë të protestojnë gjatë vizitës së Trump që të respektojnë ligjin.

Duke folur sot me gazetarët, ndihmëskomisionerja Emma Bond inkurajoi grupet protestuese që të diskutojnë paraprakisht planet e tyre me policinë.

“Ky është një operacion i madh dhe kompleks, por policia e Skocisë ka përvojë të jashtëzakonshme në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ajo.

Plani i sigurisë përfshin oficerë lokalë, kombëtarë dhe specialistë nga policia e Skocisë, si dhe nga forca të tjera të mbështetjes.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që presidenti i Shteteve të Bashkuara  të Amerikës të ketë një vizitë të sigurt dhe paqësore në Skoci, ndërsa policia e Skocisë të vazhdojë të ofrojë shërbimet e saj për komunitetin gjatë kësaj periudhe”, shtoi ajo. /Ad.Ab./

The post SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Arrestohet zëvendësguvernatori i një rajoni rus pranë kufirit me Ukrainën

22 July 2025 at 17:45

BRYANSK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Punonjës të Ministrisë së Brendshme të Rusisë dhe Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (FSB) kanë arrestuar zëvendësguvernatorin e rajonit kufitar të Bryanskut, Nikolai Simonenko, nën akuzat për mashtrim.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS njoftoi sot se Simonenko dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë përvetësuar të paktën 818 milionë rubla (rreth 10,4 milionë dollarë amerikanë) gjatë ndërtimit të fortifikimeve përgjatë kufirit me Ukrainën.

Sipas burimeve të sigurisë, kjo ka dobësuar aftësitë mbrojtëse të Rusisë kundrejt Ukrainës.

Simonenko rrezikon deri në 10 vjet burg.

Janë nisur gjithashtu hetime ndaj shefit të departamentit të ndërtimit në kryeqytetin rajonal Bryansk,  Jevgeny Shura.

Raste të ngjashme janë regjistruar dhe me parë edhe në rajonin fqinj të Kurskut, gjithashtu pranë kufirit me Ukrainën në juglindje të Bryanskit.

Në muain prill, ish-guvernatori i Kurskut, Aleksei Smirnov, dhe zëvendësi i tij u arrestuan për mashtrim të dyshuar në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve.

Pararendësi i Smirnovit, Roman Starovoi, kishte deklaruar më parë se punimet ishin përfunduar dhe më pas u emërua ministër i transportit.  Në fillim të korrikut, presidenti Vladimir Putin e shkarkoi papritur nga detyra pa dhënë arsye, dhe vetëm disa orë më vonë u njoftua vdekja e Starovoit.

Autoritetet hetimore thanë se bëhej fjalë për vetëvrasje, por rasti ka ngritur shumë pikëpyetje./Ad.Ab.

The post RUSI – Arrestohet zëvendësguvernatori i një rajoni rus pranë kufirit me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Turistët dhe punëtorët kërkojnë freski ndërsa Greqia dhe Ballkani përfshihen nga vala e të nxehtit

22 July 2025 at 17:03

ATHINË, 22 korrik /ATSH/ – Punëtorët ndërprisnin sot punën në dhe turistët kërkonin hije, ndërsa Greqia digjet nga vala e tretë e të nxehtit për këtë verë, dhe temperaturat e larta përfshinë edhe rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke shkaktuar zjarre në Shqipëri, sipas Reuters.

E vendosur në skajin jugor të Evropës, Greqia, e cila pret miliona turistë çdo vit, gjithmonë ka pasur verëra të nxehta dhe të thata.

Por vitet e fundit, ndryshimet klimateriike kanë sjellë valë të të nxehti më të gjatë dhe më të ashpër, si dhe përmbytje e zjarre shkatërruese.

Matthew Enos, një vizitor 18-vjeçar nga New Orleans, tha se nuk kishte qenë i përgatitur për një valë kaq të fortë të nxehti kur mbërriti në kryeqytetin grek, Athinë.

“Qenka paksa e vështirë. Nuk është ndjesia më e mirë”, tha ai. “Kështu që jam përshtatur duke pirë shumë, shumë ujë”.

Korrierët, shpërndarësit e ushqimit dhe ndërtuesit në dhe përreth Athinës, si dhe në rajone të tjera, u urdhëruan të ndërprisnin punën nga mesdita deri në orën 17:00, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 43°Celcius, njoftoi Ministria greke e Punës.

Punonjësit me probleme shëndetësore u këshilluan të punonin në distancë për të shmangur rrezikun e goditjes nga të nxehtit.

Turistët kërkojnë  restorante dhe dyqane me ajër të kondicionuar në Athinë, një nga kryeqytetet më të dendura të Evropës, i vendosur në një fushë të rrethuar me male.

Një 39-vjeçar nga SHBA-ja, që u prezantua si Craig, tha se kishte marrë me qira një taksi për të bërë vizitat në qytet, pasi ishte shumë nxehtë për të ecur.

“Ishte jashtëzakonisht nxehtë,  por pushimet midis vendeve që vizituam ndihmojnë shumë,” tha ai.

Autoritetet njoftuan se Akropoli, i cili ndodhet në një kodër shkëmbore pa hije, dhe që është vendi më i vizituar arkeologjik në Greqi, do të qëndrojë i mbyllur për pesë orë nga mesdita sot dhe nesër, një masë e zakonshme kur temperaturat janë ekstreme.

Shërbimi meteorologjik grek tha se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri të dielën.

Të njëjtat temperatura përvëluese prekën sot edhe Bullgarinë, ku autoritetet u kërkuan bizneseve të shpërndajnë ujë falas dhe të ndalojnë punët fizike gjatë orëve me rrezik të lartë.

Në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, javët pa reshje dhe rritja e prodhimit të energjisë elektrike thuajse boshatisën liqenin e Fierzës, një burim i rëndësishëm i energjisë hidrike.

Lopët kullosnin në fundin e tharë të liqenit.

Në Kosovë, Milazim Duraku, një fermer 62-vjeçar nga Prizreni, kritikoi të rinjtë që kërkonin hije ndërsa ai mblidhte speca për shitje në treg të nesërmen.

“Rinia nuk e mban dot të nxehtin. Ata punojnë vetëm pak në mëngjes ose në mbrëmje”, tha ai.

Në Shqipëri, zjarrfikësit me ndihmën e katër avionëve nga Italia dhe Greqia po luftonjnë  dy vatra zjarri, një në një park kombëtar në veri dhe një tjetër pranë fshatit Dukat në jugperëndim.

Muajin e kaluar, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore u përfshinë nga një tjetër valë e fortë të nxehti, që solli viktima dhe zjarre të shumta.

Në Itali, vala e të nxehti muajin e kaluar shkaktoi  ndërprerje të energjisë elektrike, në Firence dhe Milano. Konsumi i energjisë elektrike në qershor u rrit me 7.4% krahasuar me një vit më parë, njoftoi operatori kombëtar “Terna”, duke e lidhur këtë me temperaturat e larta.

Në nivel global, viti 2024 ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me temperatura që tejkaluan për herë të parë 1.5°C mbi nivelet para-industriale.

Një studim i publikuar javën e kaluar tregoi se temperatura në sipërfaqen e tokës përreth Athinës u rrit me deri në 10°C që nga korriku 2024, pasi zjarret shkatërruan fushat dhe pyje. /Ad.Ab./,

 

The post FOKUS- Turistët dhe punëtorët kërkojnë freski ndërsa Greqia dhe Ballkani përfshihen nga vala e të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Anulohet koncerti i dirigjentit rus Valery Gergiev, i afërt me Putinin

21 July 2025 at 22:47

ROMË, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Një koncert nga dirigjenti rus Valery Gergiev, i njohur për lidhjet e tij me Kremlinin, është anuluar në qytetin italian Caserta pas një vale kritikash të forta në lidhje me luftën në Ukrainë.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ekzistonin shqetësime për protesta nga organizata ukrainase.

Gergiev, aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritej të dirigjonte më 27 korrik në kuadër të një festivali muzikor në oborrin barok të Pallatit Mbretëror të Caserta-s, vendndodhje e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ministria italiane e Kulturës u distancua nga organizimi, duke deklaruar se pjesëmarrja e dirigjentit të afërt me presidentin Putin mund të kthente ngjarjen muzikore “në një zëdhënëse të propagandës ruse”.

Edhe Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus Alexei Navalny, i cili vdiq në burg, bëri thirrje për anulimin e koncertit në një artikull të botuar në gazetënLa Repubblica.

Gergiev, 72 vjeç, që prej vitit 2023 udhëheq si Teatrin “Bolshoi” në Moskë, ashtu edhe Teatrin “Mariinsky” në Shën Peterburg, dhe prej vitesh njihet si një mbështetës i shquar i Putinit.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, shumë institucione kulturore ndërkombëtare, përfshirë Filarmoninë e Mynihut dhe  teatrin “La Scala” në Milano, ndërprenë bashkëpunimin me të për shkak të refuzimit për të dënuar konfliktin. /Ad.Ab./

The post ITALI – Anulohet koncerti i dirigjentit rus Valery Gergiev, i afërt me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zyrtarë konsullorë talebanë akreditohen për herë të parë në Gjermani

21 July 2025 at 22:11

BERLIN, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Për herë të parë që nga rikthimi i talebanëve në pushtet, qeveria gjermane ka lejuar hyrjen në vend të personelit konsullor afgan për të ndihmuar në fluturimet e dëbimit drejt Afganistanit.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, misionet diplomatike afgane në Gjermani deri tani ishin drejtuar nga persona të akredituar përpara kthimit të talebanëve në pushtet,

“Qeveria gjermane ka interes që shtetasit afganë në Gjermani të marrin mbështetje të mjaftueshme konsullore, kjo përfshin, për shembull, lëshimin e pasaportave”, shpjegoi Ministria e Jashtme.

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Kornelius, konfirmoi në Berlin se akreditimi i dy zyrtarëve afganë lidhej me një fluturim të fundit dëbimi nga Gjermania.

Të premten, 81 afganë u dëbuan nga Gjermania, hera e parë që nga marrja e detyrës nga koalicioni i ri qeveritar në maj.

Kancelari Friedrich Merz ka theksuar se nuk do të ketë njohje diplomatike të talebanëve islamikë.

Ai tha se janë zhvilluar vetëm kontakte të ashtuquajtura “teknike”, të ndërmjetësuara nga Katari, për të përgatitur dëbimin.

Qeveria gjermane nuk mban marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë në pushtet në Afganistan që nga viti 2021 dhe vazhdojnë të jenë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Zyrtarë konsullorë talebanë akreditohen për herë të parë në Gjermani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 July 2025Main stream

SOFT  NEWS – Microsoft : “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale

21 July 2025 at 21:35

PARIS, 21 korrik /ATSH-DPA/  – Katedralja “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale nga gjiganti amerikan i teknologjisë “Microsoft”, me qëllim zbulimin  e çdo detaji të skulpturave të saj gotike.

Projekti pritet të zgjasë të paktën një vit dhe të kushtojë disa milionë dollarë, i tha sot revistës “Le Pointpresidenti i “Microsoft-it, Brad Smith.

Duke ndjekur shembullin e projekteve të mëparshme të digjitalizimit, si ai i Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, katedralja do të skanohet me teknologji shumë të avancuar për t’u ruajtur në mënyrë digjitale për brezat e ardhshëm.

Monumenti i famshëm i Parisit rihapi dyert në dhjetor pas një zjarri shkatërrues në prill të vitit 2019 dhe disa viteve restaurimi.

Smith, i cili ndodhet në kryeqytetin francez, gjithashtu njoftoi se rreth 1 500 modele historike të skenografisë nga Opera e Parisit do të digjitalizohen në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Kulturës. /Ad.Ab./

The post SOFT  NEWS – Microsoft : “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË- Ndalim qarkullimi për të rinjtë në Nimes pas akteve të dhunës

21 July 2025 at 20:33

PARIS, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Qyteti jugor francez i Nimesit ka vendosur të zbatojë një ndalim qarkullimi për të rinjtë, duke nisur nga sot në mbrëmje, për shkak të përshkallëzimit të dhunës në lidhje me trafikun e drogës, që ka shkaktuar të vrarë dhe të plagosur.

Në gjashtë lagje të trazuara nga trafikimi dhe dhuna e drogës, të rinjtë nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të dalin vetëm jashtë nga ora 21:00 deri në 06:00, njoftoi bashkia e qytetit.

Janë mobilizuar forca shtesë  të policisë.

“Ditët e fundit, situata është bërë e papërballueshme për shkak të veprimeve të armatosura të narkterroristëve, të cilët kanë krijuar një klimë frike dhe terrori”, deklaroi kryetari i bashkisë së Nîmesit, Jean-Paul Fournier.

“Qëllimi i ndalimit të qarkullimit është të mbrohen të miturit që nuk kanë lidhje me trafikun e drogës, por edhe ata që përdoren nga trafikantët dhe që ndonjëherë janë vetëm 12 apo 13 vjeç”, sqaroi zëvendëskryetari për sigurinë, Richard Schieven.

Gjatë javëve të fundit, përplasjet mes bandave rivale të drogës janë shtuar ndjeshëm në Nîmes, me persona të maskuar që kanë hapur zjarr me armë në rrugë. /Ad.Ab./

 

The post FRANCË- Ndalim qarkullimi për të rinjtë në Nimes pas akteve të dhunës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë L2B

21 July 2025 at 19:48

ROMË, 21 korrik  /ATSH – DPA/  – Një mozaik dymijëvjeçar, i cili ishte vjedhur nga një oficer nazist, është kthyer në Itali më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mozaiku do të vendoset në një ekspozitë në qytetin antik të Pompeit, pranë Napolit, i cili u mbulua nga hiri vullkanik në vitin 79 pas Krishtit, pas shpërthimit të Vezuvit, bëri të ditur drejtori i zonës arkeologjike, Gabriel Zuchtriegel.

“Çdo artefakt i vjedhur që kthehet është si një plagë që shërohet”, u shpreh Zuchtriegel.

Mozaiku i punuar me imtësi paraqet një burrë dhe një grua me veshje romake në një pozë intime në një dhomë gjumi.

Sipas muzeut, mozaiku ka të ngjarë të vijë nga rajoni rreth vullkanit Vezuv dhe mund të ketë zbukuruar dikur dyshemenë e një dhome gjumi. Mendohet se punimi  është krijuar në shekullin I para ose pas Krishtit.

Sipas forcës së karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mozaiku ka përfunduar në mënyrë të paligjshme në zotërim të një anëtari të Wehrmacht-it gjatë pushtimit gjerman të Italisë.

Mozaiku u rikthye në Itali në shtator përmes konsullatës së Përgjithshme italiane në qytetin gjerman jugperëndimor të Shtutgartit.

Pas armëpushimit mes Italisë dhe forcave aleatëve në shtator 1943, Wehrmacht-i gjerman pushtoi pjesë të mëdha të vendit. Ky pushtim 20-mujor u shënua nga dhuna, ndërsa një numër i madh veprash arti dhe objektesh kulturore u zhdukën nga koleksionet publike apo vendet arkeologjike. /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë L2B appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BM, Franca dhe 23 vende të tjera deklaratë të përbashkët për përfundimin e luftës në Gazë

21 July 2025 at 18:45

LONDËR, 21 korrik /ATSH/ – Një grup prej 25 vendesh, përfshirë Britaninë e Madhe , Francën dhe disa vende të tjera evropiane, publikuan sot një deklaratë të përbashkët që rrit presionin ndaj Izraelit, duke thënë se lufta në Gaza “duhet të përfundojë tani”, sipas AP.

Ministrat e Jashtëm të vendeve si Australia, Kanadaja dhe Japonia thanë se “vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur intensitete të reja”.

Ata dënuan “ndihmën me pikatore me dhe vrasjet çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijët, që përpiqen të plotësojnë nevojat më bazike për ujë dhe ushqim”.

Deklarata e përshkroi si “tronditëse” vdekjen e më shumë se 800 palestinezëve që po kërkonin ndihma, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së.

“Modeli i shpërndarjes së ndihmave nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit pasiguri dhe i mohon dinjitetin njerëzor popullsisë së Gazës”, thuhet në deklaratë.

“Mohimi i ndihmës thelbësore humanitare për popullsinë civile nga ana e qeverisë izraelite është i papranueshëm. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare”, shton  më tej deklarata.

Popullsia e Gazës, prej më shumë se 2 milionë palestinezësh, përballet me një krizë humanitare katastrofike dhe mbështetet pothuajse tërësisht në ndihmën e kufizuar që lejohet të hyjë në territor.

Shumë njerëz janë zhvendosur disa herë gjatë këtij konflikti. /Ad.Ab./

The post FOKUS – BM, Franca dhe 23 vende të tjera deklaratë të përbashkët për përfundimin e luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Bisedat private të Albert Einstein botohen si libër

21 July 2025 at 18:18

BERLIN, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Regjistrimet e marra në vitet e fundit të jetës së Albert Einstein po botohen si libër, rreth 20 vjet pasi u zbuluan, si transkriptime të bisedave telefonike që fizikanti i zhvilloi midis viteve 1953 dhe 1955, njoftoi sot shtëpia botuese “Heyne Verlag”.

Regjistrimet janë bërë nga Johanna Fantova, e cila konsiderohet si mikesha e ngushtë e Einstein-it. Ato përshkruajnë ngjarjet nga një vit e gjysmë para vdekjes së shkencëtarit në moshën 76-vjeçare.

Einstein (1879-1955), i cili u arratis nga Gjermania naziste drejt Shteteve të Bashkuara  të Amerikës në vitin 1933, thuhet se i ndante momentet e tij në mërgim me Fantovën përmes telefonit. Fantova, e cila e kishte takuar fillimisht në Gjermani dhe më pas ishte shpërngulur edhe ajo në SHBA, i ka transkriptuar bisedat me miratimin e tij, sipas botuesit.

Manuskripti 62-faqësh në gjuhën gjermane u zbulua rastësisht në vitin 2004 në bibliotekën “Firestone “të Universitetit Princeton, ku Fantova  punonte si kuratore. Materialet kishin qëndruar të paarkivuara për një kohë të gjatë.

Tani, këto shënime ditari do të botohen për herë të parë në një edicion të komentuar me zbulime shtesë më 24 shtator. Titulli i librit nga Peter von Becker është: “Jam një magnet për të gjithë maniakët. transkriptet e Einsteinit, jeta e tij, dashuria e fundit, trashëgimia e tij”.

Në këtë ditar, Einsteini, I cili revolucionarizoi fizikën me “Teorinë e Relativitetit “ ndan mendimet e tij për politikën, shkencën, jetën e përditshme dhe dashurinë. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Bisedat private të Albert Einstein botohen si libër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan: Ka përparim në shitjen e avionëve “Eurofighter” për vendin

21 July 2025 at 17:33

STAMBOLL, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi sot se ka pasur përparim në bisedimet për shitjen e avionëve luftarakë “Eurofighter” për Turqinë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”, Erdogan tha se si “Gjermania ashtu edhe Turqia kanë një qëndrim pozitiv për këtë çështje. “Jam i bindur se do t’i marrim avionët shumë shpejt”, u shpreh ai gjatë kthimit nga një vizitë në Qipro.

Turqia ka shprehur dëshirën për të blerë 40 avionë luftarakë “Eurofighter”. Megjithatë, për shkak se Gjermania është pjesë e projektit të përbashkët evropian që prodhon këta avionë, eksporti i tyre nuk mund të realizohet pa miratimin e qeverisë gjermane.

Gjatë një vizite të enjten e kaluar në Britaninë e Madhe, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por  ai tha se “jemi në rrugën drejt një vendimi të mirë që mundëson edhe miratimin përkatës të eksportit”. /Ad.Ab./

 

The post TURQI – Erdogan: Ka përparim në shitjen e avionëve “Eurofighter” për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini nuk e përjashton një takim mes Putinit dhe Trumpit në shtator

21 July 2025 at 16:49

MOSKË, 21 korrik /ATSH/ – Kremlini deklaroi sot se nuk e përjashton mundësinë e një takimi mes presidentit Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, nëse të dy liderët ndodhen në të njëjtën kohë në Pekin në muajin shtator, sipas “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Putin do të vizitojë Kinën për të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por tha se Moska nuk ka ende dijeni  nëse Trump planifikon të shkojë në kryeqytein kinez

“E dini që po përgatitemi për një udhëtim në Pekin, presidenti ynë po përgatitet për këtë udhëtim. Por nuk kemi dijeni  nëse presidenti Trump do të shkojë atje, në Pekin”,  tha Peskov kur u pyet nëse dy liderët mund të takohen, përfshirë mundësinë e një formati trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping.

“Nëse ndodh që (Trump) të jetë atje, atëherë, sigurisht, nuk mund të përjashtohet që të shtrohet çështja për arsyeshmërinë e mbajtjes së një takimi” u tha Peskov gazetarëve.

Gazeta “The Times” njoftoi javën e kaluar se Kina po përpiqet të organizojë një samit mes  të dy presidentëve, Trump dhe Putin. /Ad.Ab./

The post RUSI – Kremlini nuk e përjashton një takim mes Putinit dhe Trumpit në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë?

20 July 2025 at 07:34

KARDIF, 20 korrik /ATSH/ – Ndërkohë që Guinnes rendit zyrtarisht piramidën me shkallë të Djoserit në Egjipt (rreth vitit 2 630 para Krishtit) si piramidën më të vjetër në botë, një studim i publikuar disa kohë më parë  pretendon se një shtresë e piramidës Gunung Padang në Indonezi është ndërtuar 25 000 vite para Krishtit, edhe pse më vonë janë ngritur dyshime nëse struktura është ndërtuar nga njeriu, sipas revistës ”Archaeological Prospection”.

Në një studim të udhëhequr nga Danny Hilman Natawidjaja nga Instituti Indonezian i Shkencave dhe i publikuar në revistën ”Archaeological Prospection”,  thuhet se ”bërthama e piramidës përbëhet nga shkëmb andezit i punuar me përpikëri” dhe se ”ndërtimi më i hershëm i saj ka të ngjarë të ketë filluar si një kodër vullkanike natyrore e më pas është skalitur dhe ndërtuar arkitektonikisht përreth saj”.

”Ky studim hedh dritë mbi aftësi të avancuara të ndërtimit që datojnë që nga periudha e fundit akullnajore. Ky zbulim sfidon besimin tradicional se qytetërimi njerëzor dhe teknikat e avancuara të ndërtimit nisën vetëm me shfaqjen e bujqësisë rreth 11 000 vite më parë”, shkruhet në revistë.

Studiuesit gjithashtu pretendojnë se ndërtuesit “duhet të kenë pasur aftësi të jashtëzakonshme ndërtimi”, por një arkeolog britanik ka hedhur poshtë studimin, duke thënë se është “i befasuar që është ndërtuar në këtë formë”.

Flint Dibble nga Universiteti i Cardiff-it i tha revistës ”Nature” se nuk ka prova të qarta që shtresat e varrosura janë ndërtuar nga njerëzit.

“Materialet që rrëshqasin nga kodrat kanë tendencë të orientohen natyrshëm,” tha ai, duke shtuar se nuk ka prova për punim apo ndonjë gjurmë që të tregojë se janë të krijuara nga njeriu.

Ndërkohë, Bill Farley, arkeolog në Southern Connecticut State University, tha se kampionët e dheut 27 000-vjeçar të marrë në Gunung Padang, ndonëse të datuar saktë, nuk përmbajnë gjurmë të aktivitetit njerëzor, siç janë qymyr druri ose fragmente kockash.

“Jemi shumë të hapur për studiues nga e gjithë bota që dëshirojnë të vijnë në Indonezi dhe të zhvillojnë një program kërkimor në Gunung Padang”, iu përgjigj kritikave Natawidjaja.

Ndërkohë, bashkëredaktori i revistës “Archaeological Prospection” ka konfirmuar se është hapur një hetim mbi publikimin e këtij studimi./   /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol

19 July 2025 at 14:09

SEUL, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Një ekip prokurorësh të posaçëm ka akuzuar ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për shpërdorim të autoritetit zyrtar, njoftoi sot Yonhap News.

Kjo është aktakuza e tretë ndaj Yoon-it, pas atyre të ngritura në janar dhe mars, në lidhje me shpalljen e ligjit të luftës, më 3 dhjetor, që shkaktoi krizën më të rëndë politike në dekada për vendin.

Sipas agjencisë, Yoon akuzohet se ka shkelur të drejtat e anëtarëve të kabinetit, ka hartuar me efekt prapaveprues shpalljen e ligjit të luftës, ka urdhëruar fshirjen e të dhënave nga telefonat e kriptuar si dhe vepra të tjera.

Ndaj tij rëndon gjithashtu akuza për tradhti ndaj shtetit, për të cilën ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.

Javën e kaluar, një gjykatë në Seul rinovoi urdhrin e paraburgimit, duke përmendur rrezikun që Yoon të shkatërrojë prova nëse lirohet.

Ai do të qëndrojë në burg derisa të jepet vendimi përfundimtar.

Ish-presidenti i ka mohuar të gjitha akuzat./   /Ad.Ab./

The post SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme

19 July 2025 at 13:23

DAMASK, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat qeveritare siriane nisën sot dislokimin e tyre në provincën jugore të Sweidas, pas disa ditësh dhune të përgjakshme sektare, bëri të ditur një zyrtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nour al-Din al-Baba tha se kjo kishte për qëllim mbrojtjen e popullsisë civile.

“Forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të ndalur sulmet, përleshjet dhe për të rikthyer stabilitetin në provincë”, shtoi ai, sipas televizionit shtetëror sirian “al-Ekhbariya”.

Sweida është përfshirë nga përleshje të ashpra mes fraksioneve druze dhe beduinëve sunitë, me raportime për mizori ndaj civilëve.

Presidenca siriane shpalli sot një armëpushim “të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës” në Sweida.

Në një deklaratë, presidenca u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit dhe të ndalin menjëherë luftimet në të gjithë provincën me shumicë druze.

Gjithashtu, u konfirmua se forcat e sigurisë kanë nisur vendosjen në disa zona të provincës për të siguruar zbatimin e armëpushimit.

“Presidenca u bën thirrje të gjithëve të hapin rrugën për shtetin sirian dhe institucionet e tij që të zbatojnë këtë ndalim të përleshjeve me përgjegjësi, në mënyrë që të forcohet stabiliteti dhe të ndalet gjakderdhja”, thuhej më tej në deklaratë./   /Ad.Ab./

The post SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon

19 July 2025 at 12:34

ROMË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Masakra e Via D’Amelio ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë italiane dhe vdekja e Paolo Borsellinos dhe e punonjësve të tij të sigurisë u urdhërua nga mafia për të minuar institucionet demokratike dhe për të vazhduar në mënyrë subversive planin e frikësimit, deklaroi sot presidenti italian, Sergio Mattarella.

“Demokracia ishte më e fortë. Vrasësit dhe nxitësit e tyre u mundën dhe u dënuan. Në këtë ditë përkujtimi, emocioni për jetët e humbura mizorisht dhe afërsia me familjet e viktimave mbetet po aq intensive sa 33 vite më parë. Ndjenja e mirënjohjes ndaj atyre shërbëtorëve të shtetit që, me përkushtim dhe sakrificë, luftuan kancerin e mafias, duke mbrojtur lirinë dhe ligjshmërinë, duke i mundësuar shoqërisë të përgjigjet, është e përjetshme’’, theksoi ai.

“Tridhjetë e tre vjet pas masakrës së Via D’Amelio, ne kujtojmë Paolo Borsellinon, një njeri që sakrifikoi jetën e tij për të vërtetën, për drejtësinë, për Italinë’’, shkroi në X kryeministrja italiane, Giorgia Meloni duke theksuar se si kjo kujtesë do të çohet përpara çdo ditë.

“Shembulli i tij jeton tek ata që çdo ditë, shpesh larg vëmendjes, luftojnë për një Itali më të drejtë, të lirë nga mafia, nga korrupsioni, nga frika. Nuk ka liri pa drejtësi, nuk ka shtet pa ligjshmëri’’, shtoi ajo.

“Shumë magjistratëve, oficerëve të zbatimit të ligjit dhe shërbëtorëve të shtetit që zgjodhën guximin, madje edhe me koston e jetës së tyre, u detyrohemi mirënjohje dhe respekt. Ata kanë hapur një shteg që nuk mund të harrohet. Kjo dëshmi është ende e fortë. Dhe ne do ta çojmë përpara çdo ditë, me respekt, me vendosmëri, me dashuri për kombin tonë. Në kujtim të Paolo Borsellinos dhe të atyre që nuk e ulën kurrë kokën”, përfundon Meloni./ /Ad.Ab/

The post FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës

19 July 2025 at 11:37

KIEV, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Forcat ruse kanë kryer më shumë se 300 sulme me dronë dhe mbi 30 sulme me raketa ndaj qyteteve ukrainase gjatë natës, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.

Zelensky publikoi foto që tregonin dëmet në një bllok banimi në Odessa, pranë Detit të Zi, ku sipas raportimeve zyrtare, një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Sipas tij, rajonet Dnipropetrovsk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia janë goditur nga sulmet, ndërsa infrastruktura kritike është shkatërruar në Sumy, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.

“Në qiell ka ende dronë”, tha Zelensky, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase po i rrëzon dhe se shërbimet emergjente janë në veprim.

Në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk, një bllok banimi dhe objekte infrastrukturore të rëndësishme janë dëmtuar rëndë. Zelensky e përshkroi situatën si shumë të rëndë.

Guvernatori ushtarak rajonal Serhiy Lysak e quajti një “natë ferri” dhe tha se ishte sulmi më i rëndë deri më tani ndaj qytetit, i cili ndodhet në lindje të Dnipro-s.

“Një shpërthim pas tjetrit. Terroristët rusë sulmuan me raketa dhe dronë”, shkroi ai në Telegram.

Numri i sulmeve ishte ndjeshëm më i lartë se ditët e fundit, ndërsa Moska nuk u ndikua aspak nga një raund i ri sanksionesh të Bashkimit Evropian të miratuara të premten.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.

Ai theksoi nevojën për objekte për prodhimin e përbashkët të armëve, investime në prodhimin e dronëve dhe furnizimin me sisteme mbrojtëse ajrore.

“Të gjitha këto do të shpëtojnë jetë dhe janë veçanërisht të nevojshme për Ukrainën tani”, shtoi ai.

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022./ /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌