Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 14 July 2025Main stream

Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit

14 July 2025 at 15:26

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit u çel ekspozita “Nënqyteti” e piktorit Anastas Kostandini.

Ekspozita sjell për publikun 31 vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara. Ekspozita është një projekt mes Anastas Kostandinit, i njohur si Taso dhe vajzës së tij Ledias, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosura nëpër qytet, pikërisht në zonat ku janë bërë vizatimet dhe që tregojnë godina, objekte dhe zona historike.

Pogradecarët e përjetuan këtë ekspozitë si një udhëtim emocional dhe artistik në thellësinë e identitetit qytetar.

“Nënqyteti” është një projekt artistik që zbulon shtresat e fshehura dhe të harruara të qytetit të Pogradecit, por që mbeten të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në identitetin e territorit. Kjo ekspozitë u realizua si iniciativë e COSV Albania në kuadër të ndërhyrjeve të realizuara në dobi të territorit dhe komunitetit në rajonin e Pogradecit, të mbështetura nga projekti “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). /j.p/

The post Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit

14 July 2025 at 13:27

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.

“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.

Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.

Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës. /j.p/

1 nga 3

The post Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës

14 July 2025 at 11:56

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Tuma e Kamenicës u vizitua nga 25 arkeologë, filologë dhe studiues të ndryshëm austriakë të cilët treguan interes të veçantë për këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare.

Vizita u shoqërua me diskutime mbi vlerat arkeologjike dhe mënyrat e interpretimit të të dhënave të zbuluara gjatë gërmimeve në këtë sit unik, i cili gjendet rreth 15 km larg Korçës dhe konsiderohet si një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan.

Në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke.

Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s.

Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare. /j.p/

The post Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi

14 July 2025 at 11:43

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Më 14 korrik të vitit 1945 u aprovua Statuti i Komunitetit Bektashi, pak kohë pas mbajtjes së Kongresit të 4-të në Tiranë, ku u hodh për herë të parë ideja e zgjatimit të këtyre mbledhjeve në një rang ndërkombëtar.

Statuti i miratuar përfshinte rregulla mbi strukturën hierarkike të kryesuar nga Këshilli i Përgjithshëm, mbi përbërjen e klerit si dhe të ardhurat e shpenzimet. Fillesat e organizimit të Komunitetit Bektashi u shënuan më 26 shtator 1929 me mbajtjen e Kongresit të Parë të Bektashinjve, në Teqenë e Turanit, në Korçë, e cila do të bëhej Qendra e Parë Botërore e Përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri.

Pas këtyre zhvillimeve, me vendim të mbretit Zog, në gusht të vitit 1930, Selia e Shenjtë Botërore e Bektashinjve u përcaktua në Tiranë. Më 16 prill 1950, në kryeqytet do të mbahej Kongresi i Pestë Kombëtar, i fundit në radhë, i zhvilluar gjatë regjimit diktatorial 45-vjeçar. Pas rënies së regjimit, kongresi do të rimbahej në korrik 1993. /j.p/

The post 80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian

14 July 2025 at 09:46


TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit. /j.p/

The post Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Restaurohet ikona e çmuar në Muzeun Ikonografik “Onufri”

11 July 2025 at 13:37

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Pas muajsh pune të kujdesshme në laboratorin e restaurimit të Muzeut “Onufri” në Berat, restauratori Erion Lezi përfundoi me sukses ndërhyrjen në ikonën “Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë“.

Muzeu “Onufri” bëri të ditur se restaurimi i kujdesshëm jo vetëm që i ktheu ikonës bukurinë origjinale, por siguroi edhe mbrojtjen e saj për brezat që vijnë.

“Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë” është një vepër e rrallë, me origjinë nga kisha e “Shën Triadhës” në Kalanë e Beratit , të cilës iu rikthye drita dhe dinjiteti i saj artistik. Ikona është realizuar në vitin 1805, por nuk i njihet autori. Tashmë ajo është e ekspozuar për herë të parë në Muzeun “Onufri” si një thesar i çmuar ikonografik.

 

/e.r//a.f/

The post Restaurohet ikona e çmuar në Muzeun Ikonografik “Onufri” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Johann Georg von Hahn, albanologu austriak i cili argumentoi autoktoninë e shqiptarëve

11 July 2025 at 11:49

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot albanologun e shquar Johann Georg von Hahn.

Më 11 korrik 1811 lindi Johann Georg von Hahn (1811-1869), diplomati austriak i cili u bë edhe albanologu më i njohur i shekullit XIX dhe që luajti një rol të rëndësishëm në studimin dhe dokumentimin shkencor të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.

Në vitet 1834-1843 shërbeu si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë, ku u njoh me popullsinë shqiptare. Më 1847-1850 ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit dhe të Apostol Meksit. Ndërkaq, bëri tre udhëtime në Shqipëri. Mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar dhe ishte tejet i interesuar për botën shpirtërore dhe historinë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve të Greqisë. Veç të tjerash, Hahn-i kërkoi nëpër Shqipëri edhe lëndën për veprën e tij madhore në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854. Aty ai argumentoi për herë të parë, nga një pikëpamje shumëdisiplinare (historike, gjuhësore, etnografike, etj.), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe prejardhjen e shqipes nga ilirishtja, duke dëshmuar përkatësinë e shqipes si gjuhë e familjes indoevropiane. Në anën tjetër, teza e tij u shfrytëzua nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare për vetëdijesimin kombëtar të popullit dhe për argumentimin e së drejtës historike për autonomi e shtet të pavarur, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët.

/e.r//r.e//a.f/

The post Johann Georg von Hahn, albanologu austriak i cili argumentoi autoktoninë e shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mbi 560 mijë vizitorë në sitet kulturore, 74% rritje krahasuar me vitin 2023

11 July 2025 at 11:35

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike sot statistikat e vizitueshmërisë së siteve kulturore në gjysmën e parë të vitit.

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.

5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:

– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;

– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;

– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.

Pjesa më e madhe e turistëve duket se preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.

Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.

/e.r//a.f//r.e/

The post Gonxhja: Mbi 560 mijë vizitorë në sitet kulturore, 74% rritje krahasuar me vitin 2023 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Andon Zako Çajupi, dramaturgu dhe patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare

11 July 2025 at 07:36

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Më 11 korrik të vitit 1930 ndërroi jetë dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi.

Emrin e vërtetë e kishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”, duke mbartur kështu në krijimtarinë e tij, gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga vjen pseudonimi letrar.

Pas shkollimit bazë, e la Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Ndoqi një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Sa ishte gjallë iu botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskritishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

/e.r//r.e//a.f/

The post Andon Zako Çajupi, dramaturgu dhe patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Kuajve

11 July 2025 at 07:35

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Kuajve.

Pak kafshë kanë kontribuar në përparimin njerëzor aq thellësisht dhe në heshtje, sa kali. Nga nomadët e lashtë në stepat euroaziatike deri tek arenat moderne olimpike dhe hambarët e oborrit të shtëpisë, kuajt kanë bartur mallra, kanë lëruar fusha, kanë fituar luftëra dhe kanë ngushëlluar zemrat e njerëzve.

Edhe në botën e sotme të teknologjisë së lartë, kuajt e ngarkuar ende punojnë në ferma organike, rojat e pyjeve dhe jetës së egër ende i përdorin dhe gjithashtu kuajt poni përdoren si terapi për fëmijët e shtruar në spitale.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 3 qershor 2025, shpalli 11 korrikun “Ditën Botërore të Kuajve”. Rezoluta u bën thirrje qeverive, shkollave, bizneseve dhe individëve të vlerësonin rolin e kuajve dhe të trajtojnë sfidat me të cilat përballen ata në botën moderne.

Të dhënat e FAO-s për vitin 2023 numërojnë rreth 60.8 milionë kuaj globalisht, por të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Shtetet e Bashkuara kanë 2.41 milionë kuaj dhe poni në mbi 63,000 ferma (Regjistrimi i USDA 2022), ndërsa Bashkimi Evropian ka rreth 7 milionë kuaj dhe 800,000 vende pune në mbarështim, sport dhe turizëm. Në Mongoli, kuajt janë ende pjesë e jetës së përditshme me 3.4 milionë kuaj për 3.3 milionë njerëz.

Por kushtet me të cilat përballen kuajt po bëhen më të vështira. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, viti 2024 ishte viti i parë i plotë me temperatura globale që kaluan 1.5 °C mbi nivelet paraindustriale. Kjo rrit stresin e nxehtësisë si për kuajt e punës ashtu edhe për kuajt sportivë. Nga korsitë e ftohjes në ngjarjet olimpike, te standardet e reja globale të mirëqenies, përshtatja ndaj një klime në ndryshim është tani thelbësore.

OKB thotë se, Dita Botërore e Kuajve është më shumë se një festë. Ajo është një thirrje për të mbrojtur një nga partneritetet më të vjetra të njerëzimit, i cili ende na ndihmon të ushqehemi, të mbështesim ekonomitë tona si dhe na ngre lart moralin duke na mbështetur psikologjikisht.

/e.r//r.e//a.f/

The post Dita Ndërkombëtare e Kuajve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

30-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë

11 July 2025 at 07:34

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ 11 Korriku është shpallur nga OKB si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë.

Viti 2025 shënon 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ku në korrik të 1995-ës humbën jetën më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, mijëra të tjerë u zhvendosën dhe familje e komunitete u shkatërruan.

Lufta që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë mori më shumë se 100,000 jetë në Bosnjë dhe Hercegovinë midis 1992 dhe 1995, kryesisht të myslimanëve boshnjakë dhe zhvendosi më shumë se dy milionë të tjerë.

Masakra në Srebrenicë shënoi një nga kapitujt më të errët të asaj lufte.

Në korrik 1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, e cila ishte shpallur më parë një zonë e sigurt sipas Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Ushtria serbe e Bosnjës vrau brutalisht mijëra burra dhe adoleshentë atje. Pjesa e mbetur e popullsisë muslimane boshnjake e pranishme në Srebrenicë, rreth 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar, u transferuan me forcë jashtë enklavës. Kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.

Deri më sot, vetëm disa ngjarje janë përcaktuar si gjenocid nga organet kompetente të drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) njohën masakrën e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga ushtria e Republikës Srpska si një akt gjenocidi.

/e.r//a.f//r.e/

The post 30-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjon Mili Jazz & Blues Festival, sonte te “Reja” artistë shqiptarë dhe italianë

10 July 2025 at 12:48

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Gjon Mili Jazz & Blues Festival vijon rrugëtimin e tij me të tjerë artistë. Sot është radha e Andi Kongo Trio dhe Swing Strings, drejtuar nga Pjetër Guralumi. Ndërkohë Instituti Italian i Kulturës njoftoi edhe pjesëmarrjen e trombistit Fulvio Sigurtà.

Ky është edicioni i katërt i Festivalit të xhazit dhe bluzit “Gjon Mili” dhe këtë vit zhvillohet tek instalacioni “Reja”, ku hyrja është e lirë për këdo.

Trombisti Fulvio Sigurtà, i cili sonte do të performojë për publikun e Tiranës, u formua artistikisht pranë Konservatorit “L. Marenzio” në Brescia, shkollës së muzikës “Berklee” në Boston dhe shkollës së muzikës “Guildhall” në Londër, qyteti ku jetoi më pas nga viti 2003, deri në vitin 2019.

Ai ka bashkëpunuar artistikisht në projekte të një natyre shumë të larmishme, duke nisur nga formacionet klasike dhe Big Band, deri te produksionet që takojnë teatrin, baletin bashkëkohor dhe muzikën elektronike, duke bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të skenës kombëtare dhe ndërkombëtare të xhazit. Aktiviteti i tij si sideman (muzikant mbështetës) përfshin më shumë se 40 albume.

Që nga viti 2015, punon si docent pranë Konservatorit të Rovigos dhe në seminaret verore të Siena Jazz dhe Nuoro Jazz.

/e.r//a.f//r.e/

The post Gjon Mili Jazz & Blues Festival, sonte te “Reja” artistë shqiptarë dhe italianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë të mahnitur nga pamja që ofron

10 July 2025 at 07:55

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës priti një numër të madh vizitorësh, ashtu siç ndodh shpesh këto ditë të sezonit turistik. “DRTK Gjirokastër” publikoi pamjet plot jetë, histori dhe zëra nga e gjithë bota, që enden mureve të gurta.

Vizitorë vendas dhe nga bota që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve gjetkë.

Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.

/e.r//r.e//a.f/

The post Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë të mahnitur nga pamja që ofron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

COD, 10 vjet nga hapja e Këshillit të Ministrave për artin dhe publikun

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) kremtoi 10-vjetorin e krijimit.

“Në këtë përvjetor të veçantë, u rikthyem te rrënjët për të reflektuar mbi një dekadë pune, krijimtarie dhe bashkëpunimi”, shkroi drejtoresha e COD-it, Jetona Koçibelli, në profilin online të kësaj qendre.

COD-i lindi 10 vjet më parë, në 8 korrik 2015, si një nismë vizionare për të hapur godinën e Këshillit të Ministrave për publikun.

Prej vitit 2015, COD është kthyer në një model të veçantë të ndërthurjes së politikës me artin, kulturën dhe dialogun, duke mirëpritur mijëra vizitorë, figura publike, artistë e krijues nga mbarë bota. Gjatë kësaj dekade, COD ka qenë një tribunë e hapur për ide të reja, ekspozita, diskutime publike dhe promovime që nxisin frymën e gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, bashkëpunëtorë të COD-it ndër vite u mblodhën në mjediset e Këshillit të Ministrave për të ndarë kujtime, ide dhe mesazhe frymëzimi për të ardhmen e kësaj qendre jo vetëm si një hapësirë, por si një vizion i përbashkët për dialog dhe zhvillim kulturor.

10-vjetori i COD-it. Fotot nga Andri Hoxha
1 nga 22

/e.r/a.f/r.e/

The post COD, 10 vjet nga hapja e Këshillit të Ministrave për artin dhe publikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje konservuese në muralen e Manastirit të Shën Mërisë në Apoloni

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese në një nga kryeveprat e artit bizantin shqiptar.

Sektori i Veprave të Artit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po kryejnë ndërhyrje konservuese në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit të Shën Mërisë në Apoloni. Kjo murale është një vepër unike e realizuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII dhe një ndër më të rëndësishmet e artit bizantin në Shqipëri.

IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit.

Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjëve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëravjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitoni në të gjithë vendin.

Ky takim mes Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare.

/r.e//a.f/

The post Ndërhyrje konservuese në muralen e Manastirit të Shën Mërisë në Apoloni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezha binjakëzohet me bashkinë arbëreshe San Demetrio Corone

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Sot finalizohet binjakëzimi mes San Demetrio Corone dhe bashkisë së Lezhës, një hap institucional ky për bashkëpunim kulturor, arsimor dhe ekonomik.

Vizita e para pak ditësh e Presidentit Bajram Begaj në Kozenca të Kalabrisë, gjatë së cilës u inaugurua godina e re e bashkisë së San Demetrio Corone, ndikoi për fuqizimin e lidhjeve historike shqiptaro–arbëreshe. Ajo vizitë nënvizoi rëndësinë e përkrahjes së gjuhës, kulturës dhe traditës arbëreshe nga shteti shqiptar.

Qyteza e San Demetrio Corone, e drejtuar nga kryetari i bashkisë Ernesto Madeo do të lidhet me Lezhën, duke sjellë kështu një lidhje institucionale dhe kulturore që është rezultat i rrënjëve dhe një historie të përbashkët, veçanërisht duke e parë këtë për të përparuar në të ardhmen.

“Ky nuk është vetëm një pakt midis dy institucioneve, por përqafimi midis dy komuniteteve që ndajnë një gjuhë, një kujtesë historike dhe një ndjenjë të thellë përkatësie. Është detyra jonë ta kultivojmë dhe ta rrisim këtë lidhje për brezat e ardhshëm”, u shpreh Madeo.

Ky binjakëzim do të përfshijë krijimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimet kulturore midis shkollave, si dhe veprimtari reale të rezervuara për vazhdimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe traditave.

/r.e//a.f/

The post Lezha binjakëzohet me bashkinë arbëreshe San Demetrio Corone appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kujtim Spahivogli, regjisori i shquar i teatrit shqiptar

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Pas tatëpjetës që shoqëroi linçimin e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të Festivalit të 11-të të Këngës, një grup shkrimtarësh dhe dramaturgu Kujtim Spahivogli ishin në objektiv të kritikës për shfaqje të huaja.

Pavarësisht mjeshtërisë regjisoriale, Kujtim Spahivogli, i cili u nda nga jeta në 7 korrik 1987, u nderua vetëm pas vdekjes si Artist i Popullit.

Ai ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1956 u emërua aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.

Më tej, Spahivogli u shqua si regjisor dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, duke vënë në skenë pjesë të njohura sikurse ishin “I çuditshmi” dhe “Karnavalet e Korçës”. Spahivogli ishte krijues dhe drejtues i Teatrit të të Rinjve, i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mesin e krijimeve të tij, veçohet për nga suksesi i menjëhershëm drama “Një shok i klasës sonë”. Gjithashtu, lëvroi në poezi dhe në publicistikë.

Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe Instituti i Lartë i Arteve. Me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, studentët që kishin studiuar atje, regjimi komunist i shihte si armiq të mundshëm. Ai u akuzua se dramat e tij sillnin shthurjen morale të femrës dhe jo emancipim.

Sot, emrin e Kujtim Spahivoglit e mban Teatri Kombëtar Eksperimental.

/e.r//r.e//a.f/

The post Kujtim Spahivogli, regjisori i shquar i teatrit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis turneu veror i artistëve të TKOBAP-së

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Si çdo sezon veror, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të ndërmarrë një turne mbarëkombëtar, duke ftuar artdashësit ta ndjekin në këtë rrugëtim plot art, emocione dhe udhëtime muzikore.

Artistët e Operas por edhe të Ansamblit Popullor do të dalin nga skena e Tiranës për të interpretuar në qytete si Berati, Durrësi, Gjirokastra, Ulqini, Tetova e Gjeneva, ku korriku sjell një kalendar të mbushur me shfaqje që i japin shpirt verës shqiptare.

Artdashësit do të mund të ndjekin balet nën yje, muzikë dhome që përqafohet me tingujt e stinës dhe bashkëpunime që lidhin trojet përmes artit. Këto janë vetëm disa nga surprizat që premton për këtë sezon veror TKOBAP.

Në datën 10 korrik, “Mullixhesha e bukur”, vepër që sapo është prezantuar në Tiranë, do të shfaqet në Pallatin e Kulturës të Beratit. Po në të njëjtën ditë, në Gjenevë të Zvicrës do të jepet shfaqja “Side event” me pjesë të muzikës folklorike.

Në 11 korrik do të jetë Amfiteatri i Durrësit ai që do të kthehet në skenë për balerinët e TKOB, me pjesën “From darkness to light”. Në Gjirokastër (15 korrik) do të vihet në skenë baleti “Cantata”, ndërsa në Ulqin (17 korrik) do të performojnë artistët e Ansamblit Popullor me “Folk on tour”.

Data 22 korrik do të jetë e veçantë për Tetovën, ku do të performojnë 3 ansamble njëherësh: Ansambli Popullor i Shqipërisë, Ansambli “Shota” i Kosovës dhe Ansambli i Maqedonisë së Veriut.

/e.r//r.e//a.f/

The post Nis turneu veror i artistëve të TKOBAP-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aleks Buda, historiani i shquar dhe kryeakademiku i parë i ASHSH

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Më 7 korrik të vitit 1993 u nda nga jeta kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Aleks Buda (1910-1993).

Aleks Buda ishte personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, kryetar i parë i ASHSH (1972–1993), Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929–1935).

Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Ai mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit.

Në vitet 1945-1946 ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e mediavistikës shqiptare.

Buda ishte historiani i vetëm që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit Shqiptar të mbajtur në Tiranë në datat 20-25 nëntor 1972.

Konsiderohej si studiuesi kryesor shqiptar i historisë ilire. Bazuar në hipotezën e origjinës ilire të shqiptarëve, Buda është shprehur se shqiptarët u përkasin banorëve më të vjetër të Ballkanit dhe madje edhe të Evropës.

Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH, Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë.

Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).

/a.f/

The post Aleks Buda, historiani i shquar dhe kryeakademiku i parë i ASHSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Llixhat e Dimalit, pasuri natyrore me vlera kurative

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Llixhat e Dimalit janë të njohura për vlerat e tyre kurative dhe frekuentohen nga qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria.

Këto llixha gjatë verës frekuentohen nga banorët e zonës por edhe nga qytetarë të Kuçovës dhe Beratit. Vetitë kurative të ujërave termale të kësaj zone njiheshin që në fillim të shekullit XX-të. Ujërat e këtyre llixhave kanë prani të lartë squfuri dhe burojnë nga Shpiragu.

Vizitorët në këto llixha shtohen kryesisht muajve të verës, pasi llixhat e Dimalit janë me ujë të ftohtë. Ujërat termale në Bashkinë Dimal, dikur e njohur si qyteza Ura Vajgurore, kanë ekzistuar prej kohësh dhe janë përdorur kryesisht nga banorët vendas të cilët kanë lehtësuar përmes tyre simptomat e sëmundjeve reumatizmale.

E veçanta e këtyre burimeve natyrore është uji i ftohtë me prezencë squfuri që krijon një baltë të zezë, që gjithashtu mendohet se është kurative. /j.p/

 

1 nga 4

The post Llixhat e Dimalit, pasuri natyrore me vlera kurative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌