Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit u çel ekspozita “Nënqyteti” e piktorit Anastas Kostandini.
Ekspozita sjell për publikun 31 vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara. Ekspozita është një projekt mes Anastas Kostandinit, i njohur si Taso dhe vajzës së tij Ledias, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosura nëpër qytet, pikërisht në zonat ku janë bërë vizatimet dhe që tregojnë godina, objekte dhe zona historike.
Pogradecarët e përjetuan këtë ekspozitë si një udhëtim emocional dhe artistik në thellësinë e identitetit qytetar.
“Nënqyteti” është një projekt artistik që zbulon shtresat e fshehura dhe të harruara të qytetit të Pogradecit, por që mbeten të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në identitetin e territorit. Kjo ekspozitë u realizua si iniciativë e COSV Albania në kuadër të ndërhyrjeve të realizuara në dobi të territorit dhe komunitetit në rajonin e Pogradecit, të mbështetura nga projekti “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). /j.p/
The post Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.