Pazari i Vjetër i Shkodrës dhe jeta ekonomike e qytetit në fillimin e shekullit të 20-të
TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ekspozita e Muzeut “Marubi”, “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”, rrëfen se si pazari i Shkodrës mori jetë nga uji.
Kuratorja e ekspozitës, Kim Knoppers, tregon se Pazari i Vjetër i Shkodrës ishte vendosur në bashkimin e lumenjve Kir, Drin dhe Buna (ky i fundit derdhet në detin Adriatik). Në kulmin e tij, brigjet e Liqenit të Shkodrës dhe të Lumit Buna ishin të mbushura me dhjetëra anije të ankoruara.
Një treg i veçantë anijesh vepronte aty pranë, duke shitur peshk të freskët dhe mallra detare. Ndonëse nganjëherë shihej si konkurrent i Pazarit të Madh, Pazari i Vjeter funksiononte më shumë si një zgjatim natyror i tij.
Magazina të mëdha, zyra doganore, banka dhe gati 1,500 dyqane formonin një qendër të dendur tregtare. Zyra kryesore e Doganës ndodhej pranë Urës së Bunës, dhe drejtonte tregtinë rajonale.
Këta lumenj jo vetëm që ia formësonin peizazhin, Pazarit të Vjetër, por njëkohësisht ia fuqizonin ritmin e përditshëm të shkëmbimit që dikur përcaktonte jetën e gjallë ekonomike të Shkodrës.
Ekspozita e cila është e hapur çdo ditë në Muzeun “Marubi” (09:00-19:00), përveç objekteve të ardhura nga Muzeu Etnografik i Budapestit, të cilat dëshmojnë për jetën dhe mjeshtërinë artizanale të Pazarit të Vjetër të Shkodrës, rrëfen edhe mbi lidhjen e ngushtë të këtij pazari me detin dhe liqenin, në Ballkanin e fillimshekullit XX. /j.p/
The post Pazari i Vjetër i Shkodrës dhe jeta ekonomike e qytetit në fillimin e shekullit të 20-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.