Zjarri bën shkrumb depot në Lipjan – Policia e cilëson “zjarrvënie”
Policia e Kosovës ka konfirmuar se zjarri i mbrëmshëm që përfshiu dy depo në zonën industriale të Lipjanit po hetohet si rast i “zjarrvënies së qëllimshme”.
Intervenimi i zjarrfikësve zgjati për më shumë se pesë orë dhe, gjatë aksionit, një pjesëtar i Njësisë së Zjarrfikësve të Lipjanit ka pësuar lëndime.
Ngjarja ndodhi të martën në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku fillimisht mori flakë depoja e kompanisë “Kipper”, e më pas zjarri u përhap edhe në depon ngjitur të kompanisë “Gorenje”.
Përmasat e zjarrit ishin të mëdha, me re tymi që u panë nga kilometra larg dhe që, edhe një ditë më pas, vazhdojnë të jenë të pranishme në zonë.
Sadri Shabani, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan, ka thënë se përhapja e shpejtë e flakëve u ndihmua nga temperaturat e larta dhe përbërja e materialeve brenda depove.
“Kam kërku ndihmë nga të gjitha komunat përreth dhe më kanë ardhur në ndihmë. Për pesë orë e kemi lokalizuar zjarrin dhe kemi arritur ta ndalojmë përhapjen”, deklaroi Shabani.
Ai po ashtu njoftoi se gjatë intervenimit, një zjarrfikës është lënduar por është liruar nga QKUK pas trajtimit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja është cilësuar si “zjarrvënie”, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë, edhe pse e kontaktuar nga mediat, nuk ka dhënë ende asnjë informacion shtesë lidhur me hetimet.
“ZJARRVËNIE / Rr. Ibrahim Rugova, Lipjan 15.07.2025 – 16:26. Raportohet se janë përfshirë nga zjarri dy depo të dy ankuesve meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipet e zjarrfikësve. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.
Ky incident vjen në një periudhë kur rastet e zjarreve në ndërtesa dhe objekte afariste janë shtuar ndjeshëm.
Vetëm gjatë javës së kaluar, një ndërtesë banimi në rrugën “UÇK” në Prishtinë u përfshi nga flakët, ndërsa para tre javësh, zjarri përfshiu edhe një ndërtesë në lagjen Emshir.
Hetimet për rastin e Lipjanit vazhdojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar shkaktarët dhe motivet e mundshme të zjarrvënies.
The post Zjarri bën shkrumb depot në Lipjan – Policia e cilëson “zjarrvënie” appeared first on Telegrafi.