Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Zubin Potok, zjarri përfshin një veturë dhe disa pajisje

12 July 2025 at 09:25

Më 11 korrik 2025, rreth orës 22:00, në fshatin Qaber të komunës së Zubin Potokut ka shpërthyer një zjarr si pasojë e pakujdesisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, zjarri ka përfshirë një veturë, dy multikultivatorë, disa pajisje elektrike, një garazh dhe një shtëpi.

“Raportohet se nga pakujdesia ka shpërthyer një zjarr ku janë djeg një veturë, dy multikultivator, disa pajisje elektrike një garazh, një shtëpi. Zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit pronari. Rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia./Telegrafi/

 

The post Zubin Potok, zjarri përfshin një veturë dhe disa pajisje appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Kosova hyn në veri me biznese – gjithnjë e më shumë firma regjistrohen në ARBK

19 June 2025 at 23:57

Në komunat veriore po vazhdon regjistrimi i Bizneseve në ARBK, por komuna e Mitrovicës Veriore dhe Zubin Potok nuk dinë sa biznese kanë të regjistruara, kurse nga ARBK nuk kanë kthyer përgjigje nga e mërkura. Numri i bizneseve në Leposaviq ka rënë në 2025-n, për dallim nga Zveçani që thanë që regjistrimi është dyfishuar këtë vit.

Funksionimin e tyre tashmë e kanë legal, dhe janë të regjistruara si biznese të Kosovës.

Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve tashmë në veri të vendit në secilën prej komunave ka zyrat e saj.

Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje të mërkurën dhe të enjten për numrin total të bizneseve të regjistruara nëpër këto komuna.

Megjithatë, nga Komuna e Leposaviqit treguan për televizionin numrin e bizneseve të regjistruara në këto tre vite.

“Nga gjysma e dytë e vitit 2023 në Leposaviq janë regjistruar, 10 biznese individuale dhe 6 Biznese me Përgjegjësi të Kufizuar, në vitin 2024 janë regjistruar 60 biznese individuale dhe 17 Biznese me përgjegjësi të Kufizuar, dhe në 2025-tën janë regjistruar 32 biznese individuale dhe 6 biznese me përgjegjësi të Kufizuar”.

E kontaktuar gjithashtu nga e mërkura, Mitrovica e Veriut nuk patën numrat e bizneseve të regjistrua gjatë këtyre viteve.

Nga Komuna e Mitrovicës Veriore thanë kanë s’mund t’i sigurojnë numrat e bizneseve të cilat janë regjistruar në vitin 2024 dhe 2025-së, megjithatë premtuan se të njëjtat do ti dërgojnë më vonë, me anë të email.

Kjo nuk ndodhi deri në publikimin e kronikës.

Edhe nga komuna e Zubin Potokut kryetari i saj tha që nuk ka numrat e saktë të bizneseve të regjistruara në këtë komunë, por janë duke punuar që të ketë numër më të madh të tyre.

Por, për dallim nga fqinjët e saj, qyteti i Zveçanit i dinë numrat.

”Gjatë vitit 2024 dhe 2025-së, janë 57 biznese të cilat janë regjistruara, numër më i madh ka qenë gjatë këtij viti”, ka thënë Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit.

Peci thotë që regjistrimi po vazhdon dhe janë duke punuar në këtë drejtim.

”Është, sidomos mund të them është një përqindje Prej këtyre 57 bizneseve diku rreth 40 janë veç këtë vit, pra është një numër shumë më i madh i regjistrimit të bizneseve këtu”, ka thënë Ilir Peci, Kryetar i Komunës së Zveçanit.

Zyrat e Regjistrimit të Bizneseve janë nëpër objektet e komunave dhe janë vendosur qysh në gjysmën e vitit 2023./Tv Dukagjini/

The post Kosova hyn në veri me biznese – gjithnjë e më shumë firma regjistrohen në ARBK appeared first on Telegrafi.

Policia e Kosovës me aksion në veri, hyjnë në një objekt ilegal pranë Liqenit të Ujmanit

20 May 2025 at 13:22

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës sërish kanë asistuar në një tjetër objekt ilegal në veri të vendit.

Objekti kësaj radhe ndodhej pranë Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se kanë asistuar për Ndërmarrjen Hidroekonomike “IBËR – LEPENC” për të hyrë në këtë objekt.

“Kemi asistu Ibër Lepencin për të hyrë në një objekt në Ujman”, ka thënë shkurt Elshani duke mos dhënë më shumë detaje. /Telegrafi/

 

 

The post Policia e Kosovës me aksion në veri, hyjnë në një objekt ilegal pranë Liqenit të Ujmanit appeared first on Telegrafi.

E kanosi përmes rrjeteve sociale, shoqërohet në polici një grua në Zubin Potok

14 May 2025 at 09:55

Një grua është shoqëruar në stacionin policor pasi që e njëjta përmes rrjeteve sociale dyshohet se e kishte kanosur një grua tjetër.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 18:00, në Zubin Potok.

Tutje thuhet se me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

“Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta përmes rrjeteve sociale dyshohet se e kishte kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

The post E kanosi përmes rrjeteve sociale, shoqërohet në polici një grua në Zubin Potok appeared first on Telegrafi.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Serbia nuk po lejon qasje në “historinë e telefonatave”

29 March 2025 at 20:58

Përkundër mohimit të akuzave dhe gatishmërisë deklarative, Serbia vijon të pengojë hetimin për zbardhjen e sulmit terrorist në Zubin Potok. Dukagjini mësoi se ndërmarrja publike serbe e telefonisë MTS nuk u ka dhënë institucioneve të Kosovës qasje në historinë e telefonatave të të dyshuarve.

Dy ditë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, teksa mohoi akuzat, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se autoritetet serbe po kryejnë një hetim – por katër muaj pas, shteti fqinj vijon të pengojë hetimin nga Kosova.

Dukagjini mësoi se ndërmarrja shtetërore serbe e telefonisë, MTS nuk u ka dhënë qasje institucioneve të Kosovës në historinë e thirrjeve të të dyshuarve për rastin.

Përfaqësia e MTS, e regjistruar në Kosovë bazuar në marrëveshjen e Brukselit, refuzoi të japë informacionet e kërkuara – duke u thënë institucioneve kosovare duhet t’i kërkojnë ato në kompaninë amë në Beograd.

Teksa përmendi sidat në aspektet kohore për shkak të komunikimit nëpërmjet BE-së, juristi Ardian Bajraktari tha kjo pasqyron nivelin e interesimit për zbardhjen e rastit.

“Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar është refleksion i vullnetit politik të shteteve respektive. Ajo mund të bëhet nëpërmjet parimeve të reciprocitetit apo përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe ratifikuara në kuvendet respektive. Në kuadër të fushës së bashkëpunimit natyrisht që hyn edhe çështja e shkëmbimit të informatave për procese hetimore. Sa i përket fqinjit tonë verior, ky vullnet, kjo gatishmëri dihet që nuk ekziston, çka e vështirëson në masë të konsiderueshme vendosjen e drejtësisë”, ka thënë Ardian Bajraktari, Jurist.

Pasi tha se shteti fqinj po ashpërsohet sa më shumë që po afrohet fundi i dialogut, politologu Dritëro Arifi theksoi se “BE-ja nuk mund të vazhdojë të jetë neutrale ndaj Kosovës dhe subjektive ndaj Serbisë”.

“Kjo dëshmon edhe njëherë që Serbia e sponsorizon dhe fuqizon shumë terrorizmin kundër Kosovës. Aspekti i dytë, që është edhe më i dhimbshëm është që Bashkimi Evropian me vetëdije po e përkrahë Serbinë, e cila po e sponsorizon terrorizmin. Këto dy gjëra vërtetë duhet të thuhen, sepse kështu nuk mund të zhvillohet një dialog i sinqertë mes dy partnerëve apo mes dy fqinjëve. Dhe pavarësisht sa Kosova tregohet e hapur, kjo e mbytë dialogun”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.

Për sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike më 29 nëntor të vitit të kaluar, në paraburgim janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq – nga komuniteti serb.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian i konfirmoi Telegrafit se Serbia nuk është përgjigjur akoma në letrën dërguar më 15 Janar, nëpërmjet Përfaqësuesit Special, lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ndihmë juridike.

Ndërsa në një përgjigje për Dukagjinin, në fillim të marsit, BE-ja theksoi se presin nga Serbia “që të bashkëpunojë plotësisht për këto kërkesa përmes kanalit për ndihmë të ndërsjellë juridike”.

BE-ja i ka thënë televizionit se përmes ndërmjetësimit të saj, Kosova nga viti 2014 ka dorëzuar rreth 4,470 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi dhe ka marrë 1,226 përgjigje.

 

The post Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Serbia nuk po lejon qasje në “historinë e telefonatave” appeared first on Telegrafi.

Zeqiri kërcënohet përmes rrjeteve sociale disa herë radhazi nga i njëjti person

3 February 2025 at 11:35

Është kërcënuar përmes rrjeteve sociale kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri në në një prononcim për Telegrafin ka thënë se personi që e ka kërcënuar është një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi, dikaster ky i njohur ndryshe edhe si “MUP-i”, shkruan Telegrafi.

“Është një zyrtar i MUP-it të Serbisë, është hera e tretë ose e katërt që më kërcënon”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka thënë tutje se personi që e ka kërcënuar është i lajmëruar në organet e hetuesisë.

“Nga viti i kaluar është personi i njëjtë që më kërcënon ngjashmërisht, me vrasje, me disa ofendime ndaj heronjve”, ka shtuar kryetari i Komunës së Zubin Potokut.

Siç ka bërë të ditur Zeqiri, personi që e ka kërcënuar, këto veprime i përcjellë me disa fotografi të heronjve shqiptar, siç është Adem Jashari.

“Tani më kishte kërcënuar se do të përfundosh si Afrim Bunjaku”, ka theksuar ai.

Zeqiri ka potencuar se hetimet për këtë rast kanë filluar edhe më herët, pasi që kjo nuk është hera e parë që është kërcënuar kryetari i Zubin Potokut.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani për Telegrafin ka thënë se është personi i njëjtë ai që po e kërcënon Zeqirin disa herë, e që i njëjti është në Serbi.

Ai ka thënë se rasti është duke u hetuar nga Departamenti për Krime të rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ky rast hetohet nga Krimet e Rënda në Prishtinë”, ka thënë Elshani. /Telegrafi/

The post Zeqiri kërcënohet përmes rrjeteve sociale disa herë radhazi nga i njëjti person appeared first on Telegrafi.

Kosovë – Kryetari i Komunës së Zubin Potokut kërcënohet me jetë

3 February 2025 at 11:02

PRISHTINË 3 shkurt/ATSH/ Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se është kërcënuar përmes rrjeteve sociale.

Zeqiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se është kërcënuar për herë të katërt nga i njëjti person.

“Kërcënohem përmes rrjeteve sociale nga i njëjti kriminel për herë të katërt. Ky qyqar (KUKAVIC) i MUP-it të Serbisë më kërcënon me vrasje dhe mi ofendon Herojt dhe figurat historike të Popullit Shqiptar. Ky frikacak i ndyrë nuk ka guxim të përballet me mua  por më kërcënon përmes rrjeteve sociale”, ka shkruar Zeqiri në rrjetin social Facebook.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Kryetari i Komunës së Zubin Potokut kërcënohet me jetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Burri dhe gruaja rrahen mes vete në Zubin Potok, të dy marrin trajtim mjekësor

1 February 2025 at 10:25

Policia e Kosovës ka bërë të ditur një rast dhune në familje, ku burri dhe gruaja janë rrahur mes vete.

Rasti ka ndodhur në Zubin Potok, gjersa çifti ka marr tretman mjekësor.

“Zubin Potok 30.01.2025 – 16:00. Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovarë (bashkëshortë), pasi që të njëjtit nën ndikim të alkoolit janë përleshur fizikisht në mes vete”, thuhet në raport.

Të dy kanë pësuar lëndime trupore dhe pas pranimit të tretmanit mjekësor, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje, ndërsa e dyshuara në strehimore. /Telegrafi/

The post Burri dhe gruaja rrahen mes vete në Zubin Potok, të dy marrin trajtim mjekësor appeared first on Telegrafi.

Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok

23 December 2024 at 20:58

Sot më 23 dhjetor 2024, stafi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok ka njoftuar Policinë e Kosovës për një rast të dyshimtë vdekjeje në fshatin Veli Breg.

Njësitë relevante policore, së bashku me ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën të shtrirë në dhomën e një shtëpie banimi.

Ekipi mjekësor ka konstatuar se personi nuk kishte shenja jete.

Prokurori i Shtetit është informuar për rastin dhe ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur këtë rast./Telegrafi/

The post Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok appeared first on Telegrafi.

Dy bastisje nga policia e Kosovës në Zubin Potok, sekuestrohen pajisje ushtarake

13 December 2024 at 14:36

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në detyrë sot në dy lokacione në Zubin Potok.

Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini zëvendësdrejtori për veriun, Veton Elshani, i cili ka deklaruar se një person është duke u intervistuar si i dyshuar dhe një tjetër pritet të intervistohet.

Tutje, Elshani ka bërë të ditur se gjatë aksioneve janë konfiskuar pajisje të policisë si uniformë, jelek antiplumb, radiolidhje edhe një pushkë gjuetie.

“Kemi bërë dy bastisje në Zubin Potok, njëra në Varagë. Kemi konfiskuar një unoformë usbtarake, pushkë gjueti e jelek antiplumb. Tashmë një person tani është duke u intervistuar e më pas do ta intervistojna dhe një tjetër. Personat po intervistohen nën dyshimin e përvetësimit te detyrës”, tha Elshani.

Vlen të përmendet se herë pas here Policia e Kosovës po zhvillon aksione të ndryshme në vendet veriore të vendit. Ndërsa me 29 nëntor ka ndodhur një sulm terrorist në Varragë të Zubin Potokut, ku është dëmtuar infrastruktura kritike e Kosovës.

Ndryshe, autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan, tha Sveçla.

Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.

The post Dy bastisje nga policia e Kosovës në Zubin Potok, sekuestrohen pajisje ushtarake appeared first on Sot News | Lajme.

Ushtarët turq të KFOR-it kryejnë patrullime në Zubin Potok

9 December 2024 at 17:50

Pavarësisht temperaturave të ulëta, trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vazhduar me patrullimet e tyre në komunat veriore të Kosovës, duke vepruar si një forcë sigurie dhe stabiliteti në rajon.

Kësaj radhe, ushtarët italianë të Komandës Rajonale Lindje kanë kryer patrullime operative në Zubin Potok.

KFOR-i përmes një njoftimi në Facebook thotë se këto patrullime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Në këto operacione patrullimi, trupat e KFOR-it janë të armatosur dhe pajisur me teknologjitë dhe pajisjet më moderne për të monitoruar situatën dhe për të reaguar ndaj çdo ndryshimi në terren.

Prezenca e tyre synon të dërgojë një mesazh të qartë të angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës dhe për të siguruar një kufi të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e zonës./Telegrafi/

The post Ushtarët turq të KFOR-it kryejnë patrullime në Zubin Potok appeared first on Telegrafi.

Sulmi terrorist në Zubin Potok , presidentja Osmani takohet sot me krerët institucional të sigurisë

9 December 2024 at 13:21

Presidentja, Vjosa Osmani, njoftoi se sot do të zhvillojë një takim me institucionet e sigurisë për të adresuar sulmin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin Ibër-Lepenc, në Zubin Potok.

Ky njoftim u bë gjatë një konference me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”, organizuar nga Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë

“Pas fjalimeve do të shkoj që të takohem me institucionet e sigurisë për të diskutuar për sulmin terrorist që ka ndodhur”, ka deklaruar Osmani.

The post Sulmi terrorist në Zubin Potok , presidentja Osmani takohet sot me krerët institucional të sigurisë appeared first on Sot News | Lajme.

Përfundon ndërtimi i bypassit në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit

7 December 2024 at 20:44

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka ka njoftuar se se ka përfunduar ndërtimi i bypassit në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit pas shpërthimit të një sasie të madhe të eksplozivit.

Mujka ka deklaruar se pasi uji largohet nga kanali dhe zhvendoset në by-pass atëherë mund të bëhet një vlerësim real i dëmeve.

“Në orët e vona të pasdites përfundoi edhe ndërtimi i bypassit me çka mundësohet që akuadukti i dëmtuar të lirohet nga regjimi i ujit dhe të mundësohet vlerësimi i dëmit të shkaktuar dhe pastaj bazuar në këtë raport të filloj edhe rehabilitimi i kanalit në afatin më të shpejtë të mundshëm”, ka njoftuar Mujka.

Përndryshe bypassi ka kapacitet rreth 6m3/sec ujë që është 2 herë më shumë se furnizimi i tanishëm.

Mujka është shprehur se ndërtimi i by-passit do t’i furnizojë me ujë në baza normale qytetarët, KEK-un dhe operatorët tjerë./Telegrafi/

The post Përfundon ndërtimi i bypassit në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit appeared first on Telegrafi.

NATO: S’ka hetim ndërkombëtar për sulmin në Ibër-Lepenc, atë po e kryen Policia e Kosovës

7 December 2024 at 19:42

Sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit e ka komentuar edhe NATO-ja.

Një zëdhënës i Aleancës Veri-Atlantike ka thënë për Klan Kosovën se e dënojnë sulmin në Zubin Potok, por se tani është e rëndësishme të shoshiten, sipas tij, faktet përmes hetimeve të cilat duhet të jenë transparente, në mënyrë që sulmuesit të dënohen ndërkaq qytetarët të marrin sërish shërbimet elementare.

Në pyetjen nëse qëndrojnë në të njëjtën linjë me liderët e institucioneve shtetërore të Kosovës se pas sulmit terrorist qëndron Serbia, NATO thotë se “është thelbësore të shmanget çdo retorikë inflamatore apo veprimet që mund të përcillen me tensione të reja ngaqë kjo ndikon në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.

Ky zëdhënës i NATO-s e ka bërë të qartë se Aleanca nuk do të përfshihet në asnjë hetim ndërkombëtar, siç është kërkuar, sepse “kjo detyrë i takon ekskluzivisht Policisë së Kosovës”, e kjo ndryshe nga çfarë ishte vepruar me sulmin terrorist në Banjskë.

Poashtu nga Aleanca, që në Kosovë ka misionin paqeruajtës KFOR, ka thënë se nuk planifikon të përforcohet me trupa shtesë pos atyre 1000 që ka sjellë pas trazirave në Zveçan në maj 2023, dhe sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

The post NATO: S’ka hetim ndërkombëtar për sulmin në Ibër-Lepenc, atë po e kryen Policia e Kosovës appeared first on Telegrafi.

Analisti serb: Nëse nuk i thuhet stop Vuçiçit e Kurtit, do të ketë sulme të tjera

6 December 2024 at 22:10

Mbrëmjen e së premtes i ftuar në Balkan Talks ishte analisti serb Dushan Janiç i cili u pyet nga drejtuesi Franko Egro nëse Kosova rrezikohet nga sulme të tjera terroriste pas atij në Zubin Potok.

Ai tha se fatkeqësisht sulme dhe trazira të tjera mund të ndodhin në Kosovë përderisa bashkësia ndërkombëtare me në krye SHBA-të nuk po i jep një ultimatum Vuçiçit dhe Kurtit për zero tolerancë ndaj terrorizmit dhe lojrave me sigurinë e rajonit.

“Fatkeqësisht po, priten ngjarje të tilla si kjo e Zubin Potokut pasi jemi në një situatë të tillë që të gjithë po presin administratën e re në Uashington, në Bruksel po ashtu kemi pasur disa ndryshime. E dija që Bruksesi do të dërgonte mesazhe ndaj Vuçiç dhe Kurtit për të menaxhuar më mirë situatën ndërsa në Beograd kemi një situatë paniku ku priten zgjedhjet lokale dhe më pas ndoshta zgjedhjet e përgjithshme dhe nëse ne nuk dëgjojmë gjatë këtyre dy javëve shenja të qarta nga grupet e kontaktit sidomos nga Uashingtoni për zero tolerancë per terrorizëm, zero tolerancë për lojrat e Vuçiç dhe Kurtit me sigurinë, që të ndalohet me këto gjëra”, tha Dushan Janiç.

“Minioriteti serb në Kosovë ka një situatë specifike sepse statusi i tyre në atë hapësirë ka për të caktuar statusin e Kosovës. Nuk e di nëse politikanët shqipëtarë e kuptojnë këtë gjë, që Kosova kurrë nuk do njihet si shtet demokratik nëse nuk e zgjidh problemin në një mënyrë demokratike”, tha Janiç.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Analisti serb: Nëse nuk i thuhet stop Vuçiçit e Kurtit, do të ketë sulme të tjera appeared first on Euronews Albania.

A po e monitoron FSK-ja infrastrukturën kritike me dronët “Bayraktar”, flet ministri Maqedonci

6 December 2024 at 22:59

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi ndaj kanalit kryesor të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok para një jave kishte për qëllim të shkaktonte pasoja të mëdha dhe të dëmtonte funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Gjatë një interviste në FIVE të Dukagjinit, ai theksoi se synimi i sulmit ishte destabilizimi i vendit dhe minimi i shtetësisë së Kosovës.

“Kishte synim të shkaktonte pasoja më të vërtet të mëdha sidomos në aspektin e mohimit të shërbimeve esenciale për qytetarët. Por edhe në njëfarë forme dhe të pengonte dhe gjunjëzonte funksionimin e institucioneve të vendit. Dhe më këtë ta paraqesë vendin tonë si një vend jo stabil. Përveç të tjerash kishte synim një destabizlim dhe minimin e vetë shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Ministri vlerësoi punën e institucioneve që arritën të menaxhojnë situatën, duke minimizuar pasojat, pavarësisht ndërprerjeve në furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

Ai shtoi se pasojat do të ishin të paparashikueshme nëse sulmi do të kishte arritur qëllimin e tij.

“Fatmirësisht si rezultat i angazhimi, punës e sinkroznimit të të gjitha institucioneve nuk arriti synimin përfundimtar, i këtij sulmi. Nëse do të arrihej do të ishin të paparashikueshme për momentin. Vetëm se hasëm disa nga pasojat por shumë pengesat më energji elektrike, ujë e me shërbime të tjera esenciale, por falënderuar institucioneve u arri të menaxhohet situata”, ka shtuar Maqedonci.

Maqedonci bëri të ditur se dyshimet e para për sulmin drejtohen ndaj grupeve kriminale të lidhura me kryeterroristin, Milan Radoiçiq dhe strukturat e tij në veri të Kosovës.

“Dyshimet e para shkojë pikërisht te ata që gjatë gjithë kohës kanë organizuar dhe zhvilluar akte të tillë, që lidhet me grupin e Radojçiq dhe mbetjet e tyre në veri. Duhet të presim përfundimin e hetimeve, mirëpo të gjitha pistat, hetimet dërgojnë të këto grupet terroriste”.

Së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka intensifikuar monitorimin dhe patrullimin e infrastrukturës kritike në vend.

Ministri i Mbrojtjes, theksoi se këto masa janë ndërmarrë si pjesë e përpjekjeve për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit, veçanërisht pas sulmit të fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.

Ai shtoi se patrullimet përfshijnë të gjitha aspektet kritike të infrastrukturës për të mbështetur Policinë dhe KFOR-in, të cilët janë të angazhuar në ruajtjen e sigurisë në veri të vendit.

“Fokusi ka qenë, ruajtja në kuptimin e monitorimit dhe patrullimit të infrastrukturës kritike dhe në veçanti duke u lidhur edhe me sulmin ka qenë të infrastruktura që ndërlidhet me ujërat dhe kanalin e Ibër-Lepencit. Më saktësisht njësitet e FSK-së pas një analizë që kemi bërë më shtabin e përgjithshme janë orientuar që të kryejnë detyrat e patrullimit dhe pika të vëzhgimit përgjatë kanalit Ibër-lepenc nga Obiliqi deri në Mitrovicë. Si dhe të gjitha pendat e liqeneve artificiale. Por edhe patrullime të tjera”.

“Të gjitha ato që lidhen me aspektin e energjisë elektrike dhe me aspektin e furnizimit me ujë… më qëllim që t’i mundësojmë KFOR-it dhe Policisë që të jenë të përqendruar në katër komunat e vendit dhe në anën tjetër, ne të krijomë një ambient më të sigurt në pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

I pyetur nëse dronët Bayraktar po përdoren për monitorimet e infrastrukturës kritike, Maqedonci ka thënë se përdorin dronët Bayraktar në mënyrë të rregullt, duke shtuar se jo gjithmonë mund të shpallen për publikun detajet e operacioneve që realizohen me këta dronë.

“Ne operojmë më Bayraktar në baza të rregullta… Në këtë aspekt vëzhgimin me Bayraktar e bëjmë bazuar në planet dhe urdhrat që lëshohen nga shtabi i përgjithshëm. Normalisht që jo gjithherë për publikun mund të ndahet për publikun ajo që realizojmë dhe zhvillojmë më Bayraktar. Për këtë koordinohemi në vazhdimësi edhe me komandën e KFOR-it”, ka thënë Maqedonci.

 

The post A po e monitoron FSK-ja infrastrukturën kritike me dronët “Bayraktar”, flet ministri Maqedonci appeared first on Telegrafi.

Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Eksperti Elezi: Jemi përpara një sfide serioze të sigurisë

5 December 2024 at 22:25

Më 29 nëntor kanali i ujit në Ibër-Lepenc në Zubin Potok u sulmua me lëndë shpërthyese.

Eksperti i Sigurisë Bedri Elezi në emisionin “360 Gradë”, ndërsa komentoi ecurinë e hetimeve tha se vendi ndodhet përpara një sfidë serioze të sigurisë.

“Nuk është një çështje që ka të bëjë me konsum politik, por jemi përpara një sfide serioze të sigurisë. Në operacionet e policisë së Kosovës, kanë konfirmuar duke kryer disa bastisje në disa lokacione ku kanë siguruar mjete të ndryshme luftarake si edhe uniforma. Vlen të përmendet fakti se për të kryer këtë sulm terrorist janë përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv që nuk mund të sigurohet në tregun e zi”, tha ai.

Eksperti i Gjeopolitikës, Kreshnik Osmani u shpreh se Rusia po përpiqet që të krijojë tension për të arritur qëllimet e saj në të gjitha rajonet.

“Rusia në këtë moment po aktivizon “të gjithë pikat e tensionit të lartë” për të arritur qëllimet e saj strategjike në të gjitha rajonet. Hetimi i hollësishëm do të na çojë tek argumenti dhe prova e putrës rus”, tha ai.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese.

/abcnews.al/

Osmani bisedon me James O’Brien dhe David Lammy për sulmin në Zubin Potok

4 December 2024 at 07:25

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar biseda me liderë e partnerë ndërkombëtarë, pas sulmit terrorist kundër infrastrukturës kritike në vend më datën 29 nëntor.

Ajo bisedoi me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën, James O’Brien, si edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë. Ajo falenderoi udhëheqësit ndërkombëtarë për reagimin dhe dënimin e sulmit.

Si çdo udhëheqës tjetër në Kosovë, edhe Presidentja e cilëson shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut një sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por nga ana tjetër Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.

Ndërkohë që kontrollojnë vijojnë, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Osmani bisedon me James O’Brien dhe David Lammy për sulmin në Zubin Potok appeared first on Euronews Albania.

Osmani bisedon me O’Brien për sulmin në Zubin Potok

3 December 2024 at 22:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani përveç me O’Brien, ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

“Ajo [Osmani] i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina.

Osmani, sikurse edhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë e cilësojnë shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.

Për situatën në veri, më herët gjatë 3 dhjetorit edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi me O’Brienin.

Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok, teksa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se pavarësisht se është ende herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, ka deklaruar ai.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër edhe nga Bashkimi Evropian, që e ka cilësuar “akt terrorist” dhe “sabotues” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Që nga sulmi me mjete plasëse në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor, autoritetet e Kosovës po kryejnë bastisje në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë bastisjeve, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.

Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj./REL

The post Osmani bisedon me O’Brien për sulmin në Zubin Potok appeared first on Sot News | Lajme.

Gjenden sërish αrmë dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës

By: user 6
3 December 2024 at 21:02

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se gjatë një bastisjeje të kryer në pjesën veriore të Kosovës më 3 dhjetor janë gjetur armë, municione e pajisje të tjera ushtarake.

Ai ka publikuar një video të armëve që u sekuestruan, që tha se ishin fshehur në një ahur, duke mos bërë të ditur se në cilin vend u kryen bastisjet.

“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të Shteteve të Bashkuara dhe asaj britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, shkroi ai në Facebook.

Që nga sulmi me mjete plasëse në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor, autoritetet e Kosovës po kryejnë bastisje në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë bastisjeve, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.

Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët gjatë 3 dhjetorit se në bastisjet e kryera në veri, kanë gjetur, ato që ai i cilësoi si “elemente ruse”.

“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti gjatë një prononcimi për media në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me zyrtarët e rinj të Komisionit Evropian.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin në Zubin Potok, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në sulmin, të cilin e ka dënuar dhe ka thënë se do ta hetojë.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

The post Gjenden sërish αrmë dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës appeared first on Lapsi.al.

❌
❌