Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Serbë bllokojnë magjistralen Rashkë–Jarinë, qarkullimi drejt Kosovës thuajse i ndalur

1 July 2025 at 22:47

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se disa qytetarë të nacionalitetit serb kanë bllokuar magjistralen në Rashkë në drejtim të pikës kufitare në Jarinjë.

Sipas komunikatës zyrtare, si pasojë e këtij bllokimi, qarkullimi i automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës është tejet i vogël.

“Ju njoftojmë se, sipas informatave nga disa qytetarë, magjistralja në Rashkë në drejtim të Jarinjës është e bllokuar nga disa qytetarë serbë, si dhe është vërejtur më herët se qarkullimi i automjeteve në hyrje të RKS është shumë i vogël. Për çdo risi do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Ky nuk është bllokimi i parë i pikave kufitare. Më herët, qytetarë serbë kishin ndërprerë qarkullimin edhe në pikën kufitare të Merdarës.

Bllokadat vijnë në kohën kur në Serbi po vazhdojnë protestat që shprehin pakënaqësinë e qytetarëve ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe reagimeve institucionale, pas incidentit në qytetin e Novi Sadit.

The post Serbë bllokojnë magjistralen Rashkë–Jarinë, qarkullimi drejt Kosovës thuajse i ndalur appeared first on Telegrafi.

Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin – janë për bashkëjetesë, jo për ndarje

1 July 2025 at 17:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të komunikimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në vend.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për këto ura, Kurti theksoi se mungesa e urave ka qenë shkak për tensione, ndërsa projekti aktual paraqet një mundësi për të ndërtuar lidhje të qëndrueshme mes veriut dhe jugut të Kosovës.

“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të krijuara për të mundësuar më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime mes qytetarëve. Urat nuk janë kundër askujt, por janë për të gjithë qytetarët – shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë dhe të tjerë,” tha Kurti.

Ai nënvizoi se ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjet e Kosovës, duke reaguar ndaj paralajmërimeve të Bashkimit Evropian që i kishte bërë thirrje autoriteteve të shmangnin veprime të njëanshme.

Sipas kryeministrit në detyrë, njëra nga urat do të ketë gjatësi prej 51 metrash dhe gjerësi prej 10 metrash, me trotuare të përbashkëta nga 1.5 metra, dhe do të jetë e dedikuar për automjete dhe këmbësorë. Ura tjetër do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë, e dedikuar vetëm për këmbësorët.

Me përfundimin e këtyre projekteve, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në territorin e Kosovës do të arrijë në 37, ndërsa në të gjithë rrjedhën e lumit – përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë – do të ketë gjithsej 77 ura.

Kurti falënderoi komunat përkatëse dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për bashkëpunimin në këtë projekt, që pritet të përfundojë në vjeshtë me një kosto prej rreth 3 milionë euro.

Në lidhje me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila mbetet e mbyllur për automjete dhe vazhdon të monitorohet nga karabinierët italianë të KFOR-it, Kurti tha se ajo duhet të hapet sa më parë.

“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë, prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne,” përfundoi ai./Telegrafi/

The post Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin – janë për bashkëjetesë, jo për ndarje appeared first on Telegrafi.

Kush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë?

1 July 2025 at 07:46

Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.

Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.

Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.

Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile.

Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.

Dy protesta me qëllime të kundërta

Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.

Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.

Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.

Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.

Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.

Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.

Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” – një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.

Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.

Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.

Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.

Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi – dy shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova – në vitin 1999.

Por, ata nuk ishin të vetmit.

Të rinjtë me këmisha jeshile

Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.

Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.

Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.

Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.

Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.

Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it – një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.

Nga 45 të akuzuarit prej autoriteteve kosovare, vetëm tre anëtarë të grupit janë aktualisht në gjyq në Kosovë.

Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.

Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon

Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.

REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët – të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë.

“Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve.

Çfarë thotë aktakuza?

Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup. /REL/

The post Kush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë? appeared first on Telegrafi.

Deputeti gjerman kërkon çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës

29 June 2025 at 19:31

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shpërndarë një fjalim të mbajtur në Bundestagun gjerman nga deputeti Peter Beyer, ku ky i fundit theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për Kosovën.

Në fjalën e tij, Beyer ka rikujtuar vizitën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rajon në mars të këtij viti, duke theksuar se angazhimi i NATO-s në Ballkan mbetet thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin.

Sipas ambasadorit Ajeti, deputeti gjerman ka bërë thirrje për çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë.

“Lufta kundër strukturave kriminale, bandave dhe grupeve të dhunshme duhet të vazhdojë. Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura për sigurinë dhe stabilitetin,” citohet të ketë thënë Beyer.

Ambasadori Ajeti ka falënderuar deputetin gjerman për qëndrimin e tij të qartë dhe përkrahjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës në Bundestag./Telegrafi/

The post Deputeti gjerman kërkon çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës appeared first on Telegrafi.

Erdogan: Derisa KFOR-i turk ndodhet në veri të Kosovës, nuk do të ketë probleme

25 June 2025 at 20:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur për situatën në veri të Kosovës dhe prezencën e KFOR-it turk në vend.

Erdogani tha se pjesëtarët e KFOR-it turk janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor “për paqe dhe qetësi”, teksa shtoi se derisa KFOR-i turk ndodhet aty, shpreson të mos ketë ndonjë problem.

“Siç e dini, KFOR-i turk është në rajon. Pse është në rajon? Për paqe, për qetësi, dhe përderisa ne jemi atje, dhashtë Zoti të mos kemi probleme atje”, deklaroi Erdogani në konferencën me media pas samitit të NATO-s në Hagë, teksa u pyet për situatën në veri të vendit nga një gazetar i Kosovës.

I pari i shtetit turk mori pjesë në Samitin e NATO-s i cili u mbajt në Hagë të Holandës.

The post Erdogan: Derisa KFOR-i turk ndodhet në veri të Kosovës, nuk do të ketë probleme appeared first on Telegrafi.

Sadiku skeptik për ndërtimin e urave të reja mbi Ibër: E mbështes iniciativën, por nuk është momenti

24 June 2025 at 21:47

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, thotë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por shton se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.

“Nuk është koha e duhur për të filluar [me ndërtimin e urave]. Të mos harrojmë se po afrohen zgjedhjet lokale – këto ura u shërbejnë politikanëve më shumë sesa qytetarëve të zakonshëm. Çdo qytetar i Mitrovicës ka nevojë për ura, por ne nuk kemi qendër kulturore, shkolla jonë është në kontejner, kemi shumë persona të zhvendosur, jo vetëm nga komuniteti shqiptar. Ka prioritete më të mëdha, urat duhen ndërtuar, por duhet të shkojmë me prioritete”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se autoritetet qendrore dhe lokale është dashur të konsultohen me qytetarët para se të merrnin vendimin për ndërtimin e dy urave mbi Ibër, pasi ky është një vendim “me rëndësi të madhe”.

Sipas tij, ndërtimi i urave të reja duhej planifikuar pasi ura kryesore të hapej për qarkullim.

Pjesëtarët e komunitetit serb duhet ta kuptojnë se diçka e tillë do të ishte edhe në interesin e tyre, thotë Sadiku.

The post Sadiku skeptik për ndërtimin e urave të reja mbi Ibër: E mbështes iniciativën, por nuk është momenti appeared first on Telegrafi.

Policia parandalon kontrabandë në veri, sekuestrohen 220 drunj dekorativ

24 June 2025 at 15:44

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në pjesën veriore të vendit, duke sekuestruar një sasi prej 220 drunj dekorativë, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 23 qershorit 2025, kur njësitë policore kanë identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar duke hyrë ilegalisht nga fshati Tërrnocë – Bujanoc (Serbi) në drejtim të fshatit Hodonoc – Kamenicë (Kosovë).

Gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, në pronësi të personit N. P., është gjetur rimorkioja e dyshuar, e cila sipas të dhënave rezulton të jetë pronë e të dyshuarit L. I., banues në Hodonoc.

Në prani të tij, policia konstatoi se rimorkioja ishte e mbushur me drunj dekorativë të destinuar për shpërndarje në Kosovë, të pajisur me etiketa që sugjeronin dërgimin përmes postës vendore.

Sipas të dhënave të siguruara, vlera e mallrave arrin rreth 7,000 euro, pa përfshirë humbjet nga shmangia e detyrimeve doganore.

Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, mjeti transportues dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor, ku do të vijojnë procedurat ligjore.

Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë angazhimin e saj, në bashkëpunim me institucionet kompetente, për të parandaluar veprimtaritë kriminale, përfshirë kontrabandën me mallra në të gjitha pjesët e vendit. /Telegrafi/

The post Policia parandalon kontrabandë në veri, sekuestrohen 220 drunj dekorativ appeared first on Telegrafi.

Musliu: “Rojet e Lagjes”, maskim i rrezikshëm i celulave terroriste

23 June 2025 at 11:35

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu që është kryetar i bordit të institutit “Octopus”, ka thënë se nisma e Aleksandar Arsinijeviq për të krijuar të ashtuquajturat “Roje të Lagjes” u prezantua si një rezistencë qytetare dhe jo e dhunshme. Por, faktet, thotë ai, po flasin ndryshe.

“Zbulimi dhe konfiskimi i armëve nga institucionet e sigurisë shpërfaqë një realitet shqetësues: qëllimi nuk ishte vetëmbrojtja, por organizimi i celulave të strukturuara me potencial terrorist”, thotë Musliu.

Sipas ekspertit të sigurisë, të gjitha gjasat tregojnë se pas kësaj skeme fshihen kanale mbështetëse të drejtpërdrejta nga Serbia, përmes Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Serbisë dhe rrjeteve të saj të sigurisë.

“Ky nuk është aktivizëm – është një skenar i rrezikshëm për destabilizim dhe minim të rendit kushtetues në veri të Kosovës”, thotë eksperti i sigurisë, Agim Musliu.

Një ditë më parë në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Prokurorisë, me mbikëqyrje nga KFOR dhe EULEX, është kryer një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur një arsenal armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblona, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.

Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb, Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste./RTK/

The post Musliu: “Rojet e Lagjes”, maskim i rrezikshëm i celulave terroriste appeared first on Telegrafi.

Gjendet një tjetër arsenal armësh në veri të Kosovës

By: user 6
22 June 2025 at 19:24

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se gjatë bastisjeve të kryera në një fshat të Zveçanit, autoritetet kanë gjetur një arsenal armësh, që sipas tij, do të ishte i mjaftueshëm për një njësit terrorist.

Sveçla tha se gjatë bastisjeve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës me monitorimin e KFOR-it dhe EULEX-it u gjetën raketahedhës, granata dore, tonblonë si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.

“Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit [udhëheqësit të partisë Demokracia Serbe] Aleksandar Arsenijeviq”, tha Sveçla, pa dhënë ndonjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.

Në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, autoritetet kohë pas kohe kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme.

Në maj, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi dhe pjesë të ndryshme të armëve. /Radio Evropa e Lirë

The post Gjendet një tjetër arsenal armësh në veri të Kosovës appeared first on Lapsi.al.

Barrikadat/ Gjykata Themelore e Prishtinës lëshon urdhërarreste për Radojçiç

By: user 5
18 June 2025 at 19:03

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar të mërkurën fletarrestime për Millan Radoiçiç dhe 10 të dyshuar të tjerë, në lidhje me ngritjen e barrikadave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe në vitin 2022. Radoiçiç dhe 50 të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit në vitin 2022.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letërrreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Millan Radoiçiç. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022”, tha për media zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Radoiçiç i cili veçse kërkohet në Kosovë për krime lufte dhe për sulmin në Banjskë ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën penale më 2022. Miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për lëshimin e fletarrestimeve për të dhe të tjerët vjen në ditën kur dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë u shty, pasi avokati i tij ishte sëmurë.

Lista Serbe reagoi të mërkurën ndaj këtij vendimi, duke thënë se me dëbimin e policëve serbë të lindur dhe që kanë jetuar për dekada në Kosovë, me shpalljen e fletarrestimeve dhe me marrjen në pyetje të dhjetëra serbëve për protestat paqësore të mbajtura në vitin 2022, Albin Kurti po zbaton me shpejtësi dhe pa fshehje një plan për spastrimin etnik të popullit serb nga territori i Kosovës.

“Bëhet fjalë për dhunë institucionale që po ushtron presion të paparë ndaj serbëve të ndershëm, të cilët nuk heqin dorë nga emri dhe mbiemri i tyre serb, që nuk pranojnë të jenë shërbëtorë të Kurtit dhe që tani janë bërë shënjestër vetëm pse janë serbë”, tha Lista Serbe.

Më 10 dhjetor të vitit 2022, në veri të Kosovës u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit, një ish-zyrtar i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Ato barrikada u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe pasi Pantiç u dërgua në arrest shtëpiak.

Barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit, 2022, me iniciativën e Listës Serbe. Kjo e fundit kundërshtoi atëkohë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Republikës së Kosovës.

Çka ndodhi në barrikada në vitin 2022 dhe kush i mbështeti ato?

Zyrtarët e Listës Serbe i mbështetën publikisht barrikadat në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022 dhe ishin të pranishëm fizikisht në vendet ku rrugët ishin të bllokuara me makineri të rëndë, duke u dhënë mesazhe inkurajuese qytetarëve të mbledhur.

Kryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se këto barrikada ishin “një reagim, jo një veprim”. Në ato barrikada, ashtu si edhe në ato të ngritura në korrik të vitit 2022 apo në shtator të 2021-shit, ishin të pranishëm kryesisht punonjës të institucioneve të Serbisë që funksiononin në Kosovë.

Këto institucione, përveç atyre arsimore dhe shëndetësore, u mbyllën ndërkohë nga autoritetet e Kosovës, të cilat i konsideronin si të paligjshme dhe paralele. Gjatë kohës së barrikadave, shumica e lokaleve në veri të Kosovës ishin të mbyllura, ose ofronin ushqime vetëm për t’u marrë me vete.

Punëtorët i thanë asokohe Radios Evropa e Lirë se “nuk lejohet të ulesh brenda”, por nuk tregonin se kush e kishte ndaluar këtë. Në atë kohë, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiq, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2023, pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë. Në këtë sulm, serbë të armatosur vranë një polic të Kosovës, ndërsa në përleshjen me armë që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Edhe pse autoritetet e Kosovës kishin lëshuar urdhër për arrestimin e Radoiçiqit për përfshirje në korrupsion, frikësim në procese gjyqësore dhe në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Lista Serbe konfirmoi në vitin 2022 se nënkryetari i saj ishte i pranishëm në barrikada, duke theksuar se ai “gëzon mbështetje në mesin e serbëve në Kosovë” dhe se është “autoritet” për ta./REL

The post Barrikadat/ Gjykata Themelore e Prishtinës lëshon urdhërarreste për Radojçiç appeared first on Lapsi.al.

Kurti publikon fotografi nga Liqeni i Ujmanit në veri

9 June 2025 at 22:43

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar hapësirat e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci, pranë Liqenit të Ujmanit.

Kurti vlerësoi përkushtimin dhe punën e kësaj ndërmarrjeje, sidomos pas sulmit ndaj infrastrukturës kritike të saj në nëntor të vitit të kaluar.

“Puna dhe përkushtimi i ndërmarrjes, veçanërisht edhe pas sulmit në infrastrukturë kritike në kanalin kryesor të saj, është për t’u vlerësuar lart, për reagimin e shpejtë në sanimin e dëmit të shkaktuar”, tha Kurti.

Ai njoftoi gjithashtu se qeveria ka rikthyer në pronësi dhe shfrytëzim të ndërmarrjes një pasuri në komunën e Zubin Potokut, e cila më parë ishte jashtë kontrollit të saj dhe e mbajtur nga strukturat paralele ilegale.

“Tashmë ka rend e ligj, shërbime efikase për qytetarët dhe gjithëpërfshirje”, shtoi Kurti.

Ndërmarrja Ibër-Lepenci luan rol kyç në menaxhimin e burimeve ujore për nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë në pjesën veriore të Kosovës.

The post Kurti publikon fotografi nga Liqeni i Ujmanit në veri appeared first on Telegrafi.

Përurohet objekti i ri i stacionit policor në Zveçan, dy kilometra larg kufirit me Serbinë

9 June 2025 at 18:24

Është përuruar objekti i ri i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në fshatin Izvor të Zveçanit, rreth dy kilometra larg kufirit me Serbinë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ky objekt është ndërtuar me një investim prej 753 mijë eurosh dhe ka një sipërfaqe prej 3.980 metrash katrorë.

Në të do të operojë Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, me qëllim forcimin e sigurisë kufitare dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale.

Gjatë ceremonisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky vendkalim kufitar me Serbinë është planifikuar të jetë vendkalim i integruar, por sipas tij, kjo nuk është realizuar ende për shkak të mungesës së gatishmërisë nga pala serbe.

“Me këtë stacion policor, zyrtarët tanë do të kenë kushte dinjitoze të punës dhe performanca do të jetë në nivelin e duhur,” theksoi Kurti.

Ai gjithashtu falënderoi institucionet e përfshira në realizimin e këtij projekti, duke përfshirë Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe operatorin ekonomik që realizoi punimet.

“Kemi filluar ndërtimin më 25 nëntor të vitit të kaluar dhe sot, më 9 qershor, po e përurojmë këtë objekt të rëndësishëm për sigurinë e vendit,” shtoi Kurti.

The post Përurohet objekti i ri i stacionit policor në Zveçan, dy kilometra larg kufirit me Serbinë appeared first on Telegrafi.

Provokimet e maturantëve serbë në veri, Islami: Tubimi dirigjohej nga persona të caktuar, që merrnin instruksione përmes telefonave

31 May 2025 at 11:54

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se provokimet e maturantëve serbë në veri kanë për qëllim të nxisin tensione.

Islami thotë se edhe tubimi i së premtes po dirigjohej nga persona të caktuar, transmeton Telegrafi.

“Politikat nacionaliste në Veriun e Kosovës po vazhdojnë edhe në ditët e sotme nga eksponent të Radoiqiqit, përpjekjet për të ngjallur urrejten ndaj shqiptarëve nuk kanë të ndalur. Dje në sheshin kryesor në Mitrovicën e veriut e pamë të njëjtën skenë, maturantë serbë duke dale në rrugë me flamuj dhe këngë nacionaliste e me sllogane të vjetra ” kur të ktheheni në Kosovë” , “ Kosova është serbi “ etj. Ajo çka vrehej në këtë tubim ishte se ai dirigjohej nga persona të caktuar dhe here pas here merrin instruksione përmes telefonave se si të veprohet”, ka pohuar ai.

Islami tutje ka shkruar se “Ajo çka ra në sy ishin edhe disa flamujë të klubit nacionalist – “Cervena Zvezda ” e që ata njihen për këngë e kore nacinaliste”.

“Pra këtu nuk kemi të bëjmë me manifestim të maturës por me instrumentalizim të rinisë për përçarje dhe tendenca që të ngrihen tensione dhe destabilizim të vendit”, tha Islami. /Telegrafi/

The post Provokimet e maturantëve serbë në veri, Islami: Tubimi dirigjohej nga persona të caktuar, që merrnin instruksione përmes telefonave appeared first on Telegrafi.

Britania, Serbisë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë

29 May 2025 at 22:58

Në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të formojnë sa më parë qeverinë e re, duke e cilësuar këtë si urgjente.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim për tensionet në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland, mirëpriti Gerard McGurk si Shef i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë paraqitjes së raportit të tij të parë në Këshillin e Përhershëm.

Në deklaratën e tij, Ambasadori Holland falënderoi për prezantimin dhe raportin gjithëpërfshirës të Misionit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për punën e tij në një kontekst të vështirë politik dhe të sigurisë.

Ai mirëpriti mbajtjen paqësore dhe konkurruese të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në shkurt, si dhe rolin mbështetës të OSBE-së ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, nënvizoi nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.

“Mbretëria e Bashkuar mirëpret zgjedhjet parlamentare paqësore dhe konkurruese të mbajtura në Kosovë në shkurt, dhe mbështetjen e rëndësishme që Misioni i ofroi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne vazhdojmë t’u nënvizojmë bashkëbiseduesve në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë”, tha Holland, theksohet në një njoftim në web-faqen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasadori britanik shprehu shqetësimin për nivelin e tensioneve në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë. Ai theksoi rëndësinë që Qeveria e Kosovës të sigurojë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të këtyre komuniteteve dhe të përmbushë angazhimet si shtet multietnik dhe gjithëpërfshirës.

Mbretëria e Bashkuar kërkoi drejtësi për aktet e dhunës dhe bëri thirrje që Serbia të bashkëpunojë në hetimin e sulmeve ndaj KFOR-it dhe incidentit në Ibër-Lepenc.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmet e vitit 2023 ndaj trupave të KFOR-it dhe në Banjska, dhe të përmbushë premtimin e saj për të bashkëpunuar në hetimin e sulmit në Kanalin Ibër-Lepenc”, tha Holland, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas Ambasadorit Holland, moszbatimi i marrëveshjeve ndikon negativisht në jetën e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal.

Në fjalën e tij, Ambasadori britanik vlerësoi përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, por shprehu shqetësim për ndikimin politik në media dhe sigurinë e gazetarëve, duke mbështetur aktivitetet e OSBE-së në këtë fushë.

Holland riafirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe theksoi përkushtimin për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë angazhimin e të Dërguarës së Posaçme Dame Karen Pierce dhe organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër këtë vjeshtë.

The post Britania, Serbisë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë appeared first on Telegrafi.

Dy vite nga sulmi mbi KFOR-in dhe policinë në Zveçan, Sveçla: Bandat kriminale janë shpartalluar, veriu i Kosovës frymon ndryshe

29 May 2025 at 22:20

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar sot dyvjetorin e sulmit të dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku bandat serbe të mbështetura nga Beogradi sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës.

Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se dy vite më parë, grupet kriminale serbe, të organizuara dhe të udhëhequra drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar, tentuan të ndalojnë marrjen e detyrës nga kryetarët legjitimë të katër komunave në veri të Kosovës.

Sulmet lanë dhjetëra ushtarë të KFOR-it të plagosur dhe përshkallëzuan tensionet në rajon.

“Ngjarja më e dhunshme ndodhi më 29 maj 2023 në Zveçan, ku bandat kriminale ushtruan dhunë brutale për të minuar sovranitetin dhe funksionimin institucional të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se situata sot ka ndryshuar rrënjësisht.

“Sot, bandat janë shpartalluar, ndërkohë që kryetarët e komunave punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme institucionale. Zveçani dhe veriu sot frymojnë ndryshe”, deklaroi ministri në detyrë.

Më 29 maj 2023, në Zveçan protestuesit serbë sulmuan trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Protesta ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me thirrje të Listës Serbe– partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Si rezultat, në krye të komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok –erdhën kryetarë shqiptarë.

Nga përplasjet në Zveçan mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it që ishin të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan në Serbi dhe aktualisht nuk janë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë.

KFOR-i e cilësoi sulmin ndaj pjesëtarëve të tij si “të paprovokuar dhe plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit në dhunë të “ndiqen urgjentisht penalisht”. Ky mision ndërkombëtar shprehu gjithashtu shpresën se edhe autoritetet në Serbi po hetojnë personat që u kthyen atje pas trazirave. /Telegrafi/

The post Dy vite nga sulmi mbi KFOR-in dhe policinë në Zveçan, Sveçla: Bandat kriminale janë shpartalluar, veriu i Kosovës frymon ndryshe appeared first on Telegrafi.

Karabinierët italianë me prezencë të përhershme mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë

29 May 2025 at 18:48

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka bërë të ditur se karabinierët italianë po vazhdojnë të mbështesin komunitetet në Mitrovicë, përmes pranisë së përhershme në Urën e Ibrit.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet sekarabinierët italianë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it, pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë me përkushtim angazhimin e tyre në komunën e Mitrovicës, duke mbështetur komunitetet lokale përmes prezencës së rregullt dhe patrullimeve të përditshme.

Me praninë fikse në urën kryesore të Ibrit, e cila historikisht ka qenë një pikë e ndjeshme ndarjeje në qytet, si dhe me patrullime në zonat përreth, karabinierët synojnë të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës.

Këto veprime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet pa dallim etnik apo përkatësie. NATO, përmes KFOR-it, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e paqes afatgjatë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.

Përfaqësues të KFOR-it kanë theksuar se prania e tyre synon të forcojë besimin ndërmjet komuniteteve dhe të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në një zonë me ndjeshmëri të lartë politike dhe etnike. /Telegrafi/

The post Karabinierët italianë me prezencë të përhershme mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Kurti e Sveçla i vizituan, por nënstacionet në veri akoma pjesërisht funksionale

25 May 2025 at 23:39

Ndonëse me ndërtimin e tyre u krenuan në fushatë, disa nënstacione të Policisë së Kosovës në veri të vendit nuk janë funksionalizuar plotësisht sepse nuk janë pajisur me disa elemente.

Nënstacioni policor që po ndërtohet në afërsi të kufirit me Serbinë, në fshatin Izvor të Zveçanit, është afër përfundimit të punimeve.

Objekti është planifikuar të shërbejë si nënstacion i Policisë së Kosovës dhe ndërtimi i tij ka nisur më 25 nëntor 2024.

Në nëntor të vitit të kaluar, nënstacioni ishte vizituar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Televizioni Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me datën se kur pritet të funksionalizohet ky nënstacion, por si zakonisht, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, një tjetër nënstacion policor në veri të vendit ishte vizituar nga të njëjtët zyrtarë.

Televizioni ka vizituar edhe pikën policore në fshatin Leshak të komunës së Leposaviqit, ku gjithashtu po vazhdojnë punimet, megjithëse kjo pikë është më afër përfundimit. As për këtë lokacion, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se këto nënstacione kanë mangësi vetëm në aspektin logjistik.

“Në ato stacione është duke u punuar ende, mirëpo policët janë aty dhe për neve janë pika funksionale. Me teknikë, teknologji e logjistikë është duke u punuar ende. Leshaku është funksional, kemi dërguar policë aty, ndonëse ende vazhdojnë punimet. Në Izvor po punohet, dhe policët janë aty. Me logjistikë, nuk janë ende funksionale – puna po vazhdon”, ka deklaruar Elshani.

Përveç këtyre dy lokacioneve, në pjesën veriore të Kosovës janë ndërtuar edhe stacione dhe nënstacione të tjera policore, përfshirë një pikë në Bistricë dhe një tjetër në Jasinovik.

The post Kurti e Sveçla i vizituan, por nënstacionet në veri akoma pjesërisht funksionale appeared first on Telegrafi.

Drejtori i Policisë: Polici që ndëhyri në veri është kërcënuar me vdekje, fletarresti serb pjesë e përndjekjeve politike

25 May 2025 at 15:58

Parakalimi i maturantëve në veri të Mitrovicës të premten e 23 majit, u shndërrua në një incident ku pati ndërhyrje të pjesëtarëve të policisë.

Lidhur me këtë rast ka folur sot drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sipas tij, gjatë këtij defilimi në zonën e kafiterive disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me gjeste simbolike me tre gishta. Kjo ka nxitur reagimin e Policisë, me qëllim që të mos përshkallëzohej situata.

“Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që të mos përshkallëzohet situata, kanë ndërhyrë pjesëtarët e policisë që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij defilimi,” u shpreh Hoxha.

Hoxha bëri të ditur se pjesëtari i policisë i cili u pa në video-incizime duke ndërhyrë, është kërcënuar me jetë.

“Ka pranuar kërcënime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri duke bërë thirrje për vrasjen e tij apo siç kanë thënë ata duke e kthyer atë në një kufomë. Ai është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të shmangur ndonjë incident të mundshëm”, ka shtuar ai.

Drejtori i policisë tutje tha se edhe fletarresti i lëshuar nga Serbia për policin D.B është në vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës.

“Kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon që Policia e Kosovës është bërë traget i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar”, tha Hoxha. /Telegrafi/

 

The post Drejtori i Policisë: Polici që ndëhyri në veri është kërcënuar me vdekje, fletarresti serb pjesë e përndjekjeve politike appeared first on Telegrafi.

Incidenti në veri, flet drejtori i policisë: Shenjat në qafën e të riut ishin ngjyrë markeri, jo gjak

25 May 2025 at 15:46

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media, ka shpalosur detaje rreth incidentit që ndodhi në veri të Mitrovicës të premten më 23 maj.

Hoxha ka thënë se disa media serbe kanë shpërndarë informacione të pavërteta lidhur me këtë incident.

Drejtori i policisë sqaroi se aktiviteti për të cilin raportuan mediat serbe nuk ishte protestë, por një defilim i maturantëve, i paralajmëruar më parë në Policinë e Kosovës.

Ai tha se policia kishte qenë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë se aktiviteti në fjalë nuk ka qenë protestë, por defilim i maturantëve që ishte paralajmëruar paraprakisht në Policinë e Kosovës,” tha Hoxha.

Sipas tij, gjatë këtij defilimi në zonën e kafiterive disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me gjeste simbolike me tre gishta. Kjo ka nxitur reagimin e Policisë, me qëllim që të mos përshkallëzohej situata.

“Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që të mos përshkallëzohet situata, kanë ndërhyrë pjesëtarët e policisë që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij defilimi,” u shpreh Hoxha.

Ai komentoi edhe rastin e një personi që u shfaq në media me shenja të kuqe në qafë, për të cilin u pretendua se policia përdori dhunë.

Hoxha tha se pretendimet janë të pavërteta dhe se “shenjat me ngjyrë në qafë ishin vendosur nga shokët e klasës me marker, si pjesë e traditës së festës së maturës”.

“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat. Janë evidentuar imazhet e personit të shfaqur ku në qafë pretendohej se kinse kishte gjak, ka rezultuar se ishte ngjyrë e vendosur nga shokët e klasës. Shenjat me ngjyrë në qafë i njëjti i kishte pasur edhe para ndërhyrjes së zyrtarëve tanë policor. Po ashtu edhe në deklaratën e tij zyrtare që e ka dhënë në stacionin policor në veri, ka thënë se këto shenja janë vendosur me ngjyrë markeri si traditë që përdoret në festat e maturantëve të shkollave të mesme në veri të Mitrovicës,” deklaroi Hoxha.

Policia e Kosovës theksoi se përkundër sulmeve të vazhdueshme në komunat veriore, zyrtarët kanë vepruar me profesionalizëm për të ruajtur rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.

“Në lidhje me veprimet e zyrtarit tonë policor në rastin konkret, do të trajtohen me seriozitet të gjitha deklaratat dhe pamjet e siguruara nga kamerat,” përfundoi Hoxha.

Hoxha ka shtuar se vlerësimi i djeshëm i Serbisë, që ka lështuar fletarrest për policin D.B është në vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës.

Ai ka shtuar se zyrtari policor në fjalë ka pranuar kërcënime me jetë në rrjete sociale.

“Ka pranuar kërcënime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri duke bërë thirrje për vrasjen e tij apo siç kanë thënë ata duke e kthyer atë në një kufomë. Ai është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të shmangur ndonjë incident të mundshëm”, ka shtuar ai.

Hoxha tha se kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon që Policia e Kosovës është bërë traget i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar. /Telegrafi/

The post Incidenti në veri, flet drejtori i policisë: Shenjat në qafën e të riut ishin ngjyrë markeri, jo gjak appeared first on Telegrafi.

Sveçla reagon sërish ndaj festimeve provokuese të maturantëve në veri: Propaganda serbe e shfaq ekstremizmin si festë

24 May 2025 at 13:48

Të premten, disa maturantë kanë festuar përfundimin e shkollës me flamuj dhe këngë në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.

Gjatë festimeve, janë shënuar disa provokime nga ana e maturantëve serbë, por Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

E një reagim rreth situatës e ka bërë sërish ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton Telegrafi.

Ai ka deklaruar se serbët po bëjnë propagandë.

“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë nga e re nga ta”, ka pohuar ai.

Sveçla deklaron tutje se “Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi”.

Ndryshe, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se maturantët serbë kanë bërë disa provokime gjatë festës.

“Gjatë festimit të maturës ka pas provokime dhe për të mos ardhë deri te eskalimi i situatës policia ka reaguar. Situata është qetësua dhe maturantët kanë vazhdua festën e tyre pa pas nevojë për reagim shtesë”, ka thënë Elshani. /Telegrafi/

The post Sveçla reagon sërish ndaj festimeve provokuese të maturantëve në veri: Propaganda serbe e shfaq ekstremizmin si festë appeared first on Telegrafi.

❌
❌