Në një lidhje live për “Balkan Talks“, në Euronews Albania, avokati Arian Sultafa foli nga Toronto për kërkesat e Presidentit Donald Trump ndaj Kanadasë dhe bisedimet e tij me Kryeministrin Justin Trudeau.
Sultafa theksoi se Trump shpeshherë e quan Trudeaun “guvernator”, një term që pasqyron marrëdhëniet e ngushta dhe ndikimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara mbi vendin verior.
Sultafa shpjegoi se Kanadaja është e ndërvarur nga SHBA, duke bërë të mundur që Trump të ketë një dominim të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet me Trudeau ndërsa përmendi edhe një detaj nga biseda e djeshme mes të dy liderëve, ku Trump e pyeste me ngulm se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Kanada.
“Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë një qasje më agresive dhe arrogante ndaj Evropës, Kanadasë dhe Meksikës. Ky është një problem i thellë që e ka origjinën tek angazhimet e këtyre vendeve, si dhe në përmbushjen e angazhimeve në kuadër të NATO-s,” tha Sultafa.
Ai theksoi se shpenzimet vjetore të ushtrisë nga Kanadaja janë vetëm 1.3%, një nivel shumë më i ulët se sa kërkohej më parë.
“Trump ka synuar të ndërgjegjësojë të gjithë se mënyra aktuale e të bërit të gjërave nuk funksionon dhe nuk ka dhënë rezultate. Ai ka qenë i pranishëm në bisedimet me Trudeau që nga takimi i parë, ku ai kuptoi se Kanadaja ka një varësi të madhe nga SHBA për sa i përket ekonomisë dhe biznesit,” shtoi ai.
Sultafa e cilësoi Trumpin si një figurë që ka sjellë një ndryshim të madh në diskursin ndërkombëtar, duke e bërë të qartë që Kanadaja është pjesë e një sistemi që është shumë i ndikuar nga politikat amerikane.
“Administrata e re është e ndërgjegjshme se fjalëve u ka ikur koha. Trump e sheh se burokracia ka ngulur rrënjë të thella në Europë dhe Kanada, duke e bërë të vështirë që të lëvizet diçka. Ai po synon të ndërgjegjësojë të gjithë se kjo mënyrë e të bërit të gjërave nuk funksionon, nuk ka ecur dhe nuk ka dhënë rezultate. Mendoj se që nga momenti i takimit të parë, kur kryeministri i Kanadasë u takua me presidentin Trump, ishte një moment në të cilin ai e kuptoi varësinë e politikës ekonomike të Kanadasë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuptimin tregtar, financiar dhe të mënyrës së të bërit biznes. Për këtë arsye, Trump ka përdorur vazhdimisht dhe në mënyrë konstante shprehje si ‘guvernatori Trudeau’ ose ‘shteti i 51 i SHBA’, duke sjellë këtë çështje në vëmendjen e publikut si pjesë të strategjisë afatgjate, për ta bërë atë pjesë të diskutimit dhe për të arritur diçka konkrete” tha ai.
Ai gjithashtu e theksoi se është e pamundur për Kanadanë që të jetë plotësisht e pavarur nga SHBA, pasi rreth 90% e tregtisë dhe zhvillimit ekonomik të Kanadasë varet nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka asnjë mundësi reale që një vend si Kanada, ku 90% e biznesit dhe zhvillimit ekonomik varet nga përdorimi i fushës së lojës dhe aktiviteteve ekonomike të Amerikës, të ketë sukses pa pasur një ndikim të fortë nga SHBA. Për këtë arsye, afërsia gjeografike e bën të vështirë dhe të pamundur për Kanada-n të zhvillojë aktivitetin e saj ekonomik pa rritur ndjeshëm kostot, duke i bërë ato kolosale për të bërë biznes.Në bisedën e djeshme që Trudeau dhe Trump patën, pyetja kryesore që Trump i bëri ishte: ‘Kur do të mbahen zgjedhjet në Kanada?’ Supremacia ekonomike dhe e tarifave është një mënyrë për të arritur një plan tregtar, por gjithashtu edhe një plan politik, ku Trump synon të realizojë ndryshimet që dëshiron”, tha Sultafa.
Në përfundim, ai u shpreh se Trump po punon për të krijuar një sistem ku të dy vendet mund të luajnë me rregulla dhe kushte të përbashkëta, duke siguruar një hapësirë më të gjerë ekonomike për të gjithë aktorët e përfshirë.
“Synimi përfundimtar mund të jetë krijimi i një hapesire të gjerë ekonomike, ku të gjithë aktorët e dy vendeve të luajnë sipas rregullave dhe kushteve të përbashkëta”, e mbylli ai.
LEXONI GJITHASHTU:
The post “Kanadaja e ndërvarur nga SHBA”, avokati nga Toronto: Trump do ndryshime të thella appeared first on Euronews Albania.