E dinin atmosferën që para se të dilnin në fushë. Kombëtarja e Serbisë u prit me brohoritje të mëdha për Shqipërinë, për Kosovën dh UÇK-në në “Arenën Air Albania”, diçka që nuk u pëlqeu aspak mediave nga Beogradi.
Gjithsesi, pakënaqësia u kthye në habi dhe zemërim kur vetë trajneri I tyre, Dragan Stojkoviç, doli në konferencën pas ndeshjes së barazuar 0-0 në eliminatoret e Kupës së Botës.
Në fillim, ish-legjenda e futbollit serb dhe jugosllav, u përplas me gazetarët për lojën e Serbisë në këtë duel.
“Nëse nuk ju pëlqen, gjeni një trajner tjetër”
Më pas shqiptoi fjalët që shkaktuan një tërmet në vendin e tij.
“Një ndeshje shumë e vështirë. E luftuar. Nuk është e lehtë të luash në këtë fushë. Shqipëria, e përsëris sërish, është një ekip jashtëzakonisht cilësor, por ne treguam karakter, dhe me mënyrën sesi luajtëm treguam se kishim ardhur për fitore. Nuk u trembëm nga atmosfera, e cila ishte fantastike. I përgëzoj tifozët e Shqipërisë për këtë atmosferë që krijuan. Sa I përket pikës, mendoj se është më e ëmbël për ne sesa për Shqipërinë”.
Pas kësaj ndaj tij nisi sulmi.
E përditshmja “Kurir” akuzoi selektorin me shkrimin me titull “fjalë që nuk duhej të ishin thënë”, duke shtuar se atmosfera e urrejtjes që nuk mbahet mend ndaj çdo gjëje serbe në Tiranë, është gjithçka përveçse “fantastike”! Piksi shikoji lojtarët në sy nëse ke guxim!”
“Na ktheni Piksin e dikurshëm, – titullon “Sportal”, pjesa sportive e të përditshmes tjetër tabloide, “Blic”, – Dragan Stojkoviç na shtangu!
Kjo gazetë kritikon më shumë lojën e Serbisë së Stojkoviçit, ndonëse thekson se pati faktorë të shëmtuar jashtë fushe, në tribuna!
Natyrisht, siç ndodh gjithmonë dhe kudo, ekuilibri mungon.
Në të njëjtën mënyrë si himni serb në Tiranë, u vërshëllye edhe himni shqiptar në Beograd.
Thirrjet “vritini shqiptarët” nuk munguan aspak.
Po ashtu, ndeshja atje u ndërpre dy herë nga gjyqtari anglez Martin Atkinson, për shkak të hedhjes së kapsollave apo fishekzjarrëve nga ana e tifozëve, gjë që ishte më e rrezikshme sesa shishet apo gotat e kartonit në Arenën e Tiranës./abcnews.al