Pas lirimit nga pozita e kapitenit, Argjent Gashi, komandant i Policisë së Kosovës në Lipjan, në këtë pozitë është emëruar kapiteni Brahim Shatrolli.
Lajmi për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Sipas tij. Kapiteni Argjent Gashi ka kërkuar lirimin nga pozita e komandatit pas rastit të fundit në Lipjan, ku mbeti pa shenja jete i ri Agon Zejnullahu.
“Pas rastit të fundit i cili ka ndodhur në Lipjan, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Kapiten Argjent Gashi ka kërkuar lirim nga pozita e Komandantit të Stacionit dhe kërkesa e tij është aprovuar. Në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor ne Lipjan, është emëruar Kapiten Brahim Shatrolli”, ka thënë Kelani.
Ndryshe, pesë zyrtarët policorë ndodhen në masën e ndalimit për 48 orë, dhe ndaj tyre sot do të mbahet seanca dëgjimore.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
“Njësitë policore reaguan menjëherë dhe, sipas policisë, edhe në prani të tyre personi vazhdoi me sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme”.
Policia njoftoi se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.
Sipas policisë, para arrestimit, zyrtarët policorë kishin tentuar për rreth pesë deri në gjashtë minuta të komunikonin dhe negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej në stacionin policor.
“Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore. Megjithë tentativën për t’iu larguar policisë, i riu ishte arrestuar. Ambulanca kishte mbërritur pas tre minutash në vendin e ngjarjes, por ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij”, deklaron policia./Telegrafi/
The post Pas largimit të Argjent Gashit, Brahim Shatrolli merr komandën Policisë në Lipjan appeared first on Telegrafi.