Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Opinion: Reflektime mbi kulturën, komunitetin dhe bashkëpunimin në Prizren nga vullnetari amerikan

23 June 2025 at 09:08

Ishte vetëm një mendim në fillim. Një ditë, në zyrën time në SHBA, truri më lëvizte dhe ai mendim u kthye sërish. Bëra një pushim, hapa YouTube dhe pashë një djalë duke ecur i vetëm, në perëndim të diellit, diku në Afrikë. Ishte një i ri amerikan, vullnetar në Korpusin e Paqes.

Ka qenë një synim jetësor për mua të shërbeja në Korpusin e Paqes, sepse është një organizatë humanitare dhe përputhej me idenë time për të ndihmuar të tjerët, qoftë edhe në një mënyrë të vogël. Korpusi i Paqes është një agjenci e SHBA-së që mbështet vendet në zhvillim duke dërguar vullnetarë për të punuar në komunitete si mësimdhënës dhe për të bashkëpunuar me organizatat lokale.

Kështu që aplikova, u pranova dhe lashë pas jetën time në Kansas, SHBA, për t’u dërguar në Kosovë. Uau, çfarë ndryshimi. Zgjodha Kosovën për arsye egoiste, ishte vendi më i afërt me Francën, ku jeton vajza ime, Emily.

Meqë jeta është kaq e shkurtër, vendosa ta jetoj plotësisht para se të përfundojë. Erdha këtu, jetoj këtu dhe po kontribuoj me përpjekjet e mia në Prizren. Shumë vende në këtë botë nuk janë aq të mira sa Prizreni, madje shumica nuk janë. Sipas mendimit tim, Prizreni është një thesar i fshehur, i njohur nga pak njerëz, dhe që duhet të njihet më gjerësisht – diçka për të cilën po përpiqem të kontribuoj.

Erdha në Prizren në dhjetor të vitit 2023. U dërgova të punoj me DokuFest-in dhe fillova të bashkëpunoj ngushtë me Eroll Shportën në projektet që ai më cakton. Ka qenë një udhëtim plot përvoja, dhe ende jam në rrugëtim – ashtu si garuesit me goma në Bunarfest. Se ku do të shkoj më pas, kismet, inshallah, “Tu pa tu bo”.

Në vitin 2025 do të vazhdoj punën time me DokuFest-in, në edicionin e 24-të të këtij festivali të njohur të filmit. Gjatë festivalit do të shkruaj tregime, të cilat mund t’i gjeni online nën emrin DokuStories. Gjithashtu, jam vullnetar në shkollat e Prizrenit si folës dhe bashkëpunoj me organizata të tjera lokale sa herë që më ftojnë. Shpresoj të bashkëpunoj edhe me kryetarin e komunës për disa projekte të vogla dhe ide që kam për parqet e Prizrenit.

Emri im është Scott Hoy, dhe tani ndihem si në shtëpi në Prizren – e dua Kosovën. Kultura e kafesë këtu është në një nivel tjetër, dhe tashmë kam pirë sa për një kamion! Lumi, Shadërvani, jeta e natës dhe Kalaja janë vetëm disa nga arsyet pse kam pasur shumë vizitorë këtu – gjë që ka qenë një përvojë shumë e këndshme.

Ju lutem më kontaktoni nëse dëshironi të takohemi dhe ndoshta të shohim se si Korpusi i Paqes mund të ndihmojë organizatën tuaj apo punën tuaj këtu në Prizren, këtë vit dhe më tej. Nuk jam i vetëm – mund të përfshij edhe vullnetarë të tjerë të Korpusit të Paqes në Kosovë për të punuar në projekte të mira. Mënyra më e lehtë për të më kontaktuar është përmes Facebook-ut, Scott Hoy, ose në Instagram: scottomanhoy.

Gjatë gjithë kohës së trajnimit tim në Kamenicë, takimeve në Prishtinë dhe udhëtimeve nëpër tërë vendin, kam mësuar ta dua Kosovën dhe njerëzit shumë të mirë që kam takuar këtu. Amerikanët mund dhe duhet të mësojnë shumë nga Kosova – mbi të gjitha, si të sillen me njëri-tjetrin me durim dhe respekt.

Miqtë që kam bërë dhe kujtimet që më kanë dhuruar janë dhurata që do t’i çmoj gjithmonë. Thënia e vjetër “më mirë të japësh sesa të marrësh” duket se nuk ka kuptim, derisa ta vësh në praktikë. Është e kundërta e asaj që mendojmë natyrshëm, por është e vërtetë.

Të japësh kohën dhe përpjekjet e tua për të tjerët në fakt të sjell një fitim për vetveten. Tani e di që duhej të isha angazhuar më herët si vullnetar, por të paktën jam këtu tani! Ndoshta gjithë problemet e botës mund të zgjidhen nga një person, një situatë, një ditë në kohë. Sipas mendimit tim, ia vlen të provohet.

Shkruar nga Scott Hoy, vullnetar i Korpusit të Paqes

The post Opinion: Reflektime mbi kulturën, komunitetin dhe bashkëpunimin në Prizren nga vullnetari amerikan appeared first on Telegrafi.

Opinion: Përtej remitencave, fuqia transformuese e diasporës së Kosovës

20 June 2025 at 14:20

Po afrohet ajo periudhë e vitit kur Kosova gjallëron, aeroportet mbushen me përqafime të ngrohta, rrugët zhurmojnë nga zërat e fëmijëve, kur qytetet dhe fshatrat tona marrin jetë e lulzojnë përsëri. Nga fundi i qershorit deri në mesin e gushtit, me valixhe të mbushura dhe fëmijë që flasin një shqipe të përzier me gjermanishte a frangjishte, me lot gëzimi në sytë e prindërve e gjyshërve, mijëra bashkatdhetarë kthehen për disa javë në mëmëdhe. Ky rit i përvitshëm na kujton se rrënjët nuk shkulen lehtë, se kujtimet janë më të fuqishme se sa lluksi mesdhetar. Është sezoni i rikthimit të diasporës – asaj pjese të shpërndarë të kombit që, përveç remitancave dhe dhuratave, sjell edhe jetë e gjallëri, sjell ide të reja, përvoja nga tregje të zhvilluara dhe një dëshirë të sinqertë për të dhënë diçka më shumë vendit nga i cili, ata apo prindërit e tyre ishin larguar.

Në vitet 90’ta, diaspora ishte një nga shtyllat që mbajti gjallë arsimin në gjuhën shqipe, mbështeti sportin paralel dhe mjeksinë familjare “Nëna Terezë”,  si dhe financoi lëvizjen për çlirimin e vendit. Pas përfundimit të luftës, ajo kontribuoi fuqishëm në rimëkëmbjen e Kosovës. Sot, sfidat janë të tjera, por edhe potenciali është shumë më i madh. Diaspora e sotme nuk është vetëm më e pasur financiarisht, por edhe intelektualisht; ajo është më e arsimuar, më e integruar dhe më e lidhur me botën. Brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve nuk janë më thjesht “fëmijët e emigrantëve”, por profesionistë, sipërmarrës, artistë e mendje të hapura që mund të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës në vendet ku jetojnë e veprojnë.

Për një kohë të gjatë, kontributi i diasporës shqiptare është parë kryesisht përmes remitencave që ajo sjell në vend. Të dhënat e publikuara nga Instituti GAP, të bazuara në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tregojnë se remitencat kanë shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë dhjetë viteve të fundit – nga 665 milionë euro në vitin 2015 në 1.35 miliardë euro në vitin 2024, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të diasporës në ekonominë vendore. Megjithatë, një qasje e tillë e thjeshtësuar nuk e pasqyron plotësisht rolin dhe potencialin e vërtetë të disaporës. Në kohën kur Kosova përballet me sfida serioze ekonomike dhe demografike, diaspora nuk duhet parë thjesht si një burim financiar, por si një pasuri strategjike e pashftyrëzuar dhe një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim shoqëror.

Sot, anëtarët e  diasporës po kalojnë nga roli tradicional i përkrahësve financiarë në aktorë aktivë të zhvillimit. Ata po investojnë në biznese, po promovojnë turizmin kulturor, po nxisin bashkëpunime ndërkombëtare dhe po kontribuojnë në formësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Rastet e suksesit janë të shumta dhe domethënëse. Nga “Stone Castle”, një nga kantinat më të mëdha të verës në rajon, te “Sunny Hill Festival”, që tërheq mijëra vizitorë dhe e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare të muzikës; nga Frutomania, që eksporton lëngje natyrale, te Menakon, kompania e specializuar në përpunimin e drurit, e deri te KosICT, konferenca më e madhe teknologjike në vend, janë dëshmi e një vizioni të ri dhe të një përkushtimi për zhvillim të qëndrueshëm në vendlindje. Mjafton që institucionet ta kuptojnë këtë potencial dhe të krijojnë ura të qëndrueshme bashkëpunimi.

Ky ndikim nuk kufizohet vetëm tek gjenerata që emigroi, por po bartet dhe riformësohet nga brezat e rinj që kan lindur e janë rritur jashtë vendit.  Ndryshe nga gjenerata e parë, që Kosovën e përjeton si shtëpinë që e ka lanë pas, brezi i ri po rritet midis dy realiteteve: vendit të lindjes dhe origjinës familjare. Për ta, Kosova është më shumë se një destinacion pushimi, është një pjesë e identitetit, një mundësi për të ndërtuar ura dhe për të kontribuar në zhvillim.

Me përvoja ndërkulturore, etikë të lartë pune dhe qasje në tregjet ndërkombëtare, kjo gjeneratë përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për Kosovën. Megjithatë, ky potencial rrezikon të mbetet i pashfrytëzuar në mungesë të një strategje institucionale të qëndrueshme që ofron mundësi reale për përfshirje afagjatë dhe kuptimplotë.

Për të kaluar nga falënderimet simbolike në veprime konkrete, është jetike që diaspora të trajtohet si kapital njerëzor strategjik. Kjo nënkupton thjeshtimin e procedurave për investime, krijimin e platformave digjitale për informim dhe rrjetëzim, si dhe ofrimin e mundësive reale për përfshirje ekonomike, kulturore dhe arsimore.

Qasja gjithpërfshirëse duhet të fokusohet, nga njëra anë, tek fëmijët dhe të rinjtë e diasporës për të forcuar lidhjen e tyre emocionale dhe identitare me Kosovën, dhe nga ana tjetër, tek gjeneratat e rritura, për të nxitur përfshirjen e tyre profesionale dhe tërheqjen e investimeve. Për të rinjtë, kampet verore në Kosovë dhe hapja e qendrave kulturore në vendet me praninë më të madhe të diasporës do të ofronin mundësi për të mësuar gjuhën, historinë dhe kulturën përmes kurseve, ekspozitave, performancave artistike dhe ligjëratave. Po ashtu, është e rëndësishme që hapësirat në ambasada dhe konsulata të shndërrohen në qendra interaktive që nxisin përfshirjen kulturore dhe sociale.

Ndërkohë, për investitorët potencialë nga diaspora, duhet thjeshtuar procedurat burokratike dhe ndërtuar platforma digjitale të dedikuara për informim, rrjetëzim dhe përfshirje konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pa një qasje të tillë proaktive, ekziston rreziku që brezi i ri të shkëputet në heshtje nga vendlindja e prindërve të tyre, duke humbur ndjenjën e përkatësisë, dhe me të, edhe një mundësi të rrallë për ta afruar më shumë diasporën me Kosovën.

Nuk është nevoja të shpikim rrotën – shumë vende tashmë kanë ndërtuar modele të suksesshme. Azerbajxhani mobilizon të rinjtë përmes kampeve verore; Gjeorgjia krijon forume gjithëpërfshirëse me komunitetin e jashtëm; Armenia mbështet startup-et e diasporës përmes granteve; ndërsa Irlanda dhe Algjeria investojnë në edukim dhe promovim kulturor.

Këto modele dëshmojnë se lidhja emocionale me atdheun mund të përkthehet në angazhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, për sa kohë që mbështetet nga një infrastrukturë institucionale e menduar mirë dhe e zbatuar me përkushtim. Në këtë drejtim, në qendër të përpjekjeve të Kosovës duhet të jetë hartimi dhe zbatimi i një politike kombëtare për diasporën, një politikë që përcakton objektiva të qarta afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, dhe që parashikon ndërhyrje konkrete e të koordinuara përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me pjesëmarrjen aktive të vetë diasporës.

Krijimi i besimit mes shtetit dhe diasporës, i ndërtuar mbi  një analizë të thelluar të dinamikave dhe mbi objektiva të mirëpërcaktuara të angazhimit, është thelbësore për një partneritet të suksesshëm. Kjo qasje duhet të përfshijë edhe nivelin lokal, ku angazhimi i diasporës mund të integrohet në planet zhvillimore të komunave, përmes iniciativave që forcojnë lidhjen me komunitetin lokal.

Kosova ka gjithçka që i nevojitet: diasporë të përkushtuar, ide të qarta dhe potencial të jashtëzakonshëm. Ajo që mungon është vizioni politik dhe idetë e qarta për ta kthyer këtë potencial në një fuqi të vërtetë zhvillimore.

Shkruar nga: Rexhep Ahmetaj

 

 

The post Opinion: Përtej remitencave, fuqia transformuese e diasporës së Kosovës appeared first on Telegrafi.

Arrestohet një shtetas i huaj në Prizren, kërcënoi policët pas gjobës në trafik

18 June 2025 at 11:07

Një shtetas i huaj është arrestuar në Prizren pasi ka kanosur zyrtarët policorë, pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur të martën në mëngjes.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj pasi që, pas shqiptimit të tiketës (gjobës) të trafikut, kishte kanosur zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë. /Telegrafi/

The post Arrestohet një shtetas i huaj në Prizren, kërcënoi policët pas gjobës në trafik appeared first on Telegrafi.

Kuvendi i Komunës me seancë solemne shënon 26-vjetorin e çlirimit të Prizrenit

12 June 2025 at 15:44

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 26-vjetorit të çlirimit të Prizrenit, të enjtën është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, familjarë të dëshmorëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, studentë si dhe qytetarë të shumtë.

Seanca u hap me homazhe për të rënët dhe me fjalë mirënjohjeje për kontributin e luftëtarëve të lirisë. Përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike vlerësuan luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, raporton Telegrafi.

Gjatë këtyre fjalimeve është theksuar se kujtimi i të rënëve dhe sakrifica e brezit të luftës janë frymëzim për të punuar me përkushtim në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.

Aktivitetet përkujtimore për çlirimin e Prizrenit do të vijojnë edhe në orët në vijim. /Telegrafi/

The post Kuvendi i Komunës me seancë solemne shënon 26-vjetorin e çlirimit të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Prizreni nis shënimin e 26-vjetorit të çlirimit me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë

12 June 2025 at 13:36

Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit, të enjten, ka nisur me homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë me pjesëmarrjen e udhëheqësve institucionalë, familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me akterët tjerë kanë përkujtuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Dëshmorët e kombit e kanë vendin më të veçantë në historinë e lavdishme të Kosovës, pasi ata dhanë më të shtrenjtën – jetën – për liri. Le të na shërbejë kjo ditë si kujtesë për sakrificën e madhe të popullit dhe për organizimin e jashtëzakonshëm politik e ushtarak të vajzave dhe djemve që u vunë në mbrojtje të atdheut. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”, është shprehur kryetari Totaj, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.

Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit do të vazhdojë gjatë ditës me aktivitete të ndryshme. /Telegrafi/

The post Prizreni nis shënimin e 26-vjetorit të çlirimit me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë appeared first on Telegrafi.

Inspektorati i MMPHI-së mban trajnim për mbikëqyrësit e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”

11 June 2025 at 15:56

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka njoftuar se nga Inspektorati i MMPHI-së është organizuar trajnim për mbikëqyrësit e zonave të mbrojtura brenda këtij parku, si një hap drejt mbrojtjes më efektive.

“Në kuadër të forcimit të mbrojtjes së PK “Sharri” dhe luftimit të veprimeve ilegale në Parkun Kombëtar Sharri, u mbajt një trajnim profesional nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për mbikëqyrësit e Parkut Kombëtar “Sharri””, thuhet në njoftimin e DAPK Sharri, raporton Telegrafi.

Ky trajnim, sipas njoftimit, është përqendruar në hartimin dhe procedurat e fletëparaqitjeve për kundërvajtje; rritjen e efikasitetit në identifikimin dhe raportimin e shkeljeve ligjore; bashkëpunimin ndërinstitucional për ruajtjen e vlerave natyrore të PK Sharri.

“Veprimet ilegale në zonat e mbrojtura përbëjnë kërcënim serioz për biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore të vendit tonë.  Përmes trajnimeve të tilla, po ndërmerren hapa konkretë drejt një mbrojtjeje më të fuqishme dhe efektive. Mbrojtja e Parkut Kombëtar “Sharri” është përgjegjësi e përbashkët!”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

The post Inspektorati i MMPHI-së mban trajnim për mbikëqyrësit e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri” appeared first on Telegrafi.

DokuFest kërkon sqarim publik për zvogëlimin e mbështetjes nga Komuna e Prizrenit

11 June 2025 at 13:37

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest ka vazhduar shprehjen e mos pajtimit me vendimmarrjen e Komunës së Prizrenit përkatësisht Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ndarjen e subvencioneve.

DokuFest nga zyrtarët komunalë ka kërkuar transparencë lidhur me arsyet për zvogëlimin e përkrahjes për këtë ngjarje kulturore.

“Derisa buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Prizrenit është duke u rritur nga viti në vit, në këto dy vitet e fundit subvencionet e DKRS për DokuFestin janë duke u zvogëluar! Nëse ky veprim i drejtorisë përkatëse nuk është çështje buxhetore, atëherë ne kërkojmë sqarim publik se cilat janë arsyet e zvogëlimit të përkrahjes për festivalin tonë, i cili gjerësisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë”, thuhet në reagimin e publikuar të mërkurën, raporton Telegrafi.

Reagimi i DokuFestit ka ardhur pas njoftimit të DKRS-së, në të cilin thuhej se vlera e mbështetjes për këtë festival gjatë katër viteve (2022-2025) ka qenë rreth 500 mijë euro bashkë edhe me ofrimin e mbështetjes së pakursyer logjistike, organizative dhe hapësirave në shfrytëzim.

Një ditë më parë, DokuFest ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit. Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar. /Telegrafi/

 

The post DokuFest kërkon sqarim publik për zvogëlimin e mbështetjes nga Komuna e Prizrenit appeared first on Telegrafi.

KDTP-ja në Mamushë vendos të rikandidojë Abdylhadi Krasniqin për kryetar të komunës

11 June 2025 at 09:30

Kuvendi i Degës së Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Mamushë ka vendosur që kryetari aktual i kësaj komune, Abdylhadi Krasniq, të rikandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të mbajtur të martën në mbrëmje, ku fillimisht u vlerësua puna dhe angazhimi i deritanishëm i kryetarit Krasniq. Pas diskutimeve, me shumicë votash, u miratua kandidatura e tij për garën zgjedhore si përfaqësues i KDTP-së.

“Abdylhadi Krasniq ka marrë përsipër përgjegjësinë për të përfaqësuar vlerat e partisë dhe pritshmëritë e qytetarëve të Mamushës. Ai është konsideruar sërish i denjë për këtë detyrë, falë përvojës dhe vizionit të tij për zhvillimin e komunës,” thuhet në njoftimin e degës së partisë, raporton Telegrafi.

Në një deklaratë pas nominimit, Krasniq ka falënderuar strukturat drejtuese të partisë dhe ekipin që i kanë besuar vizionit të tij.

“Kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Mamushës e kam paraqitur me synimin për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të denja për qytetarët tanë,” është shprehur ai.

Zgjedhjet komunale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor. /Telegrafi/

The post KDTP-ja në Mamushë vendos të rikandidojë Abdylhadi Krasniqin për kryetar të komunës appeared first on Telegrafi.

DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet

10 June 2025 at 17:46

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit i është përgjigjur pretendimeve të DokuFestit, duke theksuar se mbështetja për këtë festival gjatë katër viteve të fundit ka qenë rreth gjysmë milioni euro.

Në komunikatën e DKRS-së thuhet se organet komunale janë krenare për mbështetjen financiare dhe logjistike të ofruar për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

“DokuFest-i është krenaria e Kosovës, jo vetëm e Prizrenit. Një festival që i ka sjellë dhe vazhdon ti jap shumë qytetit tonë të kulturës, artit, trashëgimisë, historisë dhe jo vetëm. Komuna e Prizrenit është krenare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit gjatë katër viteve të këtij mandati duke e mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe në të gjitha kapacitetet e tij. Rreth 500 mijë euro është vlera e mbështetjes për DokuFest-in gjatë katër viteve (2022-2025), dhe mbështetje e pakursyer logjistike, organizative dhe hapësira në shfrytëzim”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se DokuFestin e sheh si pjesë të pandashme të identitetit të qytetit të bukur të Prizrenit dhe se mbështetja do të vazhdojë edhe më tej.

“Si vazhdimësi e këtij partneriteti afatgjatë, në edicionin e kaluar, kryetari Shaqir Totaj organizoi një pritje për të gjithë artistët dhe mysafirët e festivalit duke përcjellë mesazhin që i kishte munguar qytetit. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe këtë edicion”, thuhet në komunikatë.

DKRS ka theksuar se në Prizren, po ashtu zhvillohen edhe shumë festivale tjera të njohura dhe aktivitete që e gjallërojnë qytetin gjatë 12 muajve.

“Komuna i mbështetë të gjitha dhe ka qenë e hapur, bashkëpunuese dhe shumë dashamirëse me DokuFestin, për çka e pret të njëjtën edhe nga drejtuesit e Festivalit”, përfundon komunikata.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest të martën ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.

Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar. /Telegrafi/

The post DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet appeared first on Telegrafi.

Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale

9 June 2025 at 10:55

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ata të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478 mijë euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kur është dizajnuar pakoja emergjente e BE-së për energji, “një prej sfidave ka qenë balancimi i dy objektivave të sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme”.

“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, ka thënë Rizvanolli, duke shprehur bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.

Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, sipas njoftimit, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.

Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. /Telegrafi/

The post Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale appeared first on Telegrafi.

Dita Botërore e Mjedisit shënohet me nxënësit dhe komunitetin në Petrovë të Prizrenit

5 June 2025 at 12:29

EC Ma Ndryshe ka shënuar 5 Qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit me një aktivitet ndërgjegjësues në bashkëpunim me komunitetin e shkollës “Lekë Dukagjini”, paralelet në lagjen Petrovë, me qëllim të shtimit të kujdesit për mjedisin dhe edukimin e brezit të ri për rëndësinë e mbrojtjes së tij.

Sipas njoftimit, bazuar në kërkesat e komunitetit shkollor, në këtë aktivitet janë vendosur katër shporta të vogla për mbeturina përgjatë rrugës së lagjes që frekuentohet çdo ditë nga nxënësit në vajtje-ardhje në shkollë. EC ka bërë të ditur se këto pika janë identifikuar si zona ku shpesh ndotet mjedisi për shkak të mungesës së infrastrukturës për hedhjen e mbeturinave, raporton Telegrafi.

“Përveç ndërhyrjes praktike në terren, nxënësit në hapësirën shkollore kanë pasur mundësinë të luajnë edhe lojën mjedisore edukative. Loja synon të rrisë njohuritë e nxënësve për mjedisin dhe vlerat e trashëgimisë natyrore, sikurse edhe të forcojë vetëdijen për mbrojtjen e mjedisit në mënyrë argëtuese”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Dita Botërore e Mjedisit shënohet me nxënësit dhe komunitetin në Petrovë të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Premiera e “Komedisë së zezë” në Prizren, një farsë teatrale mes dritës dhe errësirës

5 June 2025 at 10:46

Dritat e skenës së Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren u shuan për disa çaste të mërkurën mbrëma. Por kjo errësirë nuk solli terr. Përkundrazi, hapi shtegun për të ndriçuar një projekt artistik që luan me dritën dhe errësirën, realitetin dhe iluzionin.

Premiera e shfaqjes “Komedia e zezë”, me tekst të autorit britanik Peter Shaffer dhe regji të Ilir Bokshit, solli për publikun e pranishëm një përvojë skenike të pazakontë, respektivisht një farsë të errët, të mbështjellë me humor, tension dramatik dhe kreativitet muzikor.

Në këtë shfaqje ku drita ndizet kur personazhet janë në errësirë dhe errësohet kur ata “shohin”, publiku u përfshi në një realitet të përmbysur, ku absurdi bëhet i zakonshëm dhe e qeshura lind nga ndjesitë më të papritura. Skenat u shoqëruan nga këngë të njohura të ripërpunuara mjeshtërisht, duke krijuar një atmosferë të ngjeshur e dinamike.

Regjisori Ilir Bokshi ka bërë të ditur se ideja për ta sjellë këtë vepër teatrale në Prizren ka lindur nga bashkëpunimet e mëhershme me Teatrin “Bekim Fehmiu” respektivisht nga dëshira për të sfiduar veten në një zhanër të vështirë siç është farsa.

“Në jetën time profesionale kam pas dy tekste të ngjashme, që njihet si farsa, që është ndër zhanret më të vështira të teatrit. Pata dëshirë ta provokojë veten, sidomos me këtë idenë e përzierjes së farsës me muzikë. Me atë që e patë edhe ju vetë, edhe ku unë besoj, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, e kemi armën më të fortë të paraqitjes skenike. Pra, pse jo me e provu edhe një herë farsën, dhe me pa a jemi në gjendje akoma për të prodhuar vepra të tilla”, ka thënë Bokshi, raporton Telegrafi.

Sipas tij karakteret e shfaqjes kanë një universalitet pasi gjithandej ushtaraku është ushtarak, ka njerëz të moralshëm e të pamoralshëm, dhe kësisoj vepra nuk përcakton vend apo krahinë. Në të njëjtën kohë ka vlerësuar lartë reagimin e publikut, duke shtuar se edhe falë bashkëpunimeve të mëhershme në Prizren ndihet si në shtëpi.

Në këtë farsë të pazakontë, ku ndriçimi funksionon në kahe të kundërta, publiku përfshihet në një botë absurde, plot situata komike, tensione të padukshme dhe përplasje karakteresh që zbulojnë thellësinë tragjike të njeriut modern.

Në këtë rrafsh shfaqja ka kërkuar edhe një disiplinë të pazakontë nga aktorët. Aktorja Hajat Toçila këtë përvojë e ka përshkruar si sfiduese dhe të veçantë.

“Ka qenë shumë sfiduese, po jo e pamundur, normal. Por natyrisht ka qenë e vështirë për neve me e pa objektin, po me luajt gjoja se s’po e sheh e mu përplas me të. Ose shembull, kur gjatë dialogëve u dashtë krejt shqisat me i pas aktive. Na ka marrë pak kohë por ia arritëm”, ka thënë Toçila, raporton Telegrafi.

Sipas saj, kasta e aktorëve ka përmbushur detyrat në mënyrë të përpiktë falë edhe kujdesit të regjisorit, Ilir Bokshi, pastaj këshillave të koreografit Gëzim Serollaj por edhe angazhimit të pashoq të të gjithë ekipit realizues të shfaqjes.

Toçila ka theksuar se e tërë kjo punë është kurorëzuar me reagimin pozitiv të publikut. “Publiku gjithmonë na jep një shtytje më të madhe, pasi jemi të lidhur, jemi bashkë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, Ernest Malazogu, i cili është shfaqur me një rol që kërkonte një lojë të veçantë fizike dhe shpirtërore ka theksuar se interpretimi ka kërkuar një angazhim meqë këtë herë loja është zhvilluar mes dritës e errësirës.

“Ka qenë pak sfiduese, derisa edhe ne hymë në ujëra të kërkesave të regjisorit. Pastaj ka qenë vetëm kënaqësi”, ka thënë Malazogu, raporton Telegrafi.

Duartrokitjet e gjata të publikut në fund të shfaqjes sipas Malazogut kanë qenë dhurata më e mirë për ekipin që ka realizuar këtë projekt, duke dëshmuar se “Komedia e zezë” ka lënë gjurmë.

“Komedia e zezë” nuk ishte thjesht një farsë, por një përjetim. Një shfaqje që ndezi dritën në errësirë, jo vetëm për personazhet, por edhe për audiencën e pranishme në këtë premierë. “Komedia e zezë” vazhdon të shfaqet në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren më 9 qershor 2025, duke ofruar një mundësi të rrallë për të përjetuar një teatër që ndriçon edhe aty ku duket se nuk ka dritë. /Telegrafi/

The post Premiera e “Komedisë së zezë” në Prizren, një farsë teatrale mes dritës dhe errësirës appeared first on Telegrafi.

Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor

4 June 2025 at 12:44

Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Rasti në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës, që ka nisur hetime lidhur me veprën lëndim i lehtë trupor.

Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Telegrafin ka bërë të ditur se të martën rreth orës 11:30, Policia e Kosovës në Prizren është njoftuar për një incident të ndodhur në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë.

“Sipas informatave të para, njëra nga palët e përfshira dyshohet se është goditur në qafë me dokumente apo me bërryl nga një person i pranishëm në mbledhje, profesor në universitet. Personi i dëmtuar, profesoreshë në universitet. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe e ka informuar Prokurorin e Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij hetimet lidhur me këtë rast po vijojnë.

Javë më parë, edhe një profesoreshë në Universitetin “Ukshin Hoti” pat denoncuar një koleg të saj për kërcënim. /Telegrafi/

The post Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor appeared first on Telegrafi.

Pavarësisht kritikave, miratohet Rregullorja për menaxhimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit

4 June 2025 at 10:42

Rregullorja për varrimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja të Prizrenit në Landovicë është miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Diskutimet dhe mos pajtimet lidhur me përmbajtjen e këtij akti komunal kanë vijuar edhe në vazhdimin e seancës së rregullt. Por në fund, me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm është aprovuar rregullorja në fjalë.

Karanfil Haxhillari nga LVV ka theksuar se vërejtjet e kritikat e shprehura në seancën e javës së shkuar nuk janë përfshirë në Rregullore.

“Substancialisht kjo rregullore mbetet e njëjta me atë që e patëm kundërshtuar javën e shkuar. Nuk jemi kundër hapësirës së re të varrezave, për shkak të kushteve që janë krijuar në varrezat aktuale të qytetit. Ne jemi kundër formës së menaxhimit të varrezave të reja”, ka thënë Haxhillari, raporton Telegrafi.

Nënkryetari Kujtim Gashi ka pohuar se vërejtjet janë marrë parasysh, dhe ka shtuar se kuvendari Haxhillari ose nuk e ka kuptuar këtë ose po kundërshton me qëllim.

“Mbulimin e shpenzimeve e ka përsipër Komuna e Prizrenit, ashtu siç ka qenë deri më sot”, ka thënë Gashi, duke pohuar se praktikat e deritanishme do të vijojnë ndonëse me vendimmarrje pasuese.

Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se ka ende shumë dilema dhe nuk është e qartë se çka po votohet.

Por nënkryetari Gashi ka theksuar se subvencionimi bëhet me praktikën e deritanishme dhe se për këtë nevojiten vendimet pasuese. Në të njëjtën kohë ka dhënë sqarime për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja nga operatori ekonomik.

“Për sa kohë që vonohet votimi i Rregullores, vonohet edhe funksionalizimi i varrezave të reja”, është shprehur Gashi, raporton Telegrafi.

Hodaj i LDK-së ka shtuar se ky subjekt nuk do ta bllokojë miratimin e Rregullores, duke e ditur se e njëjta mund të ndryshohet me kalimin e kohës.

Pas diskutimeve nga 23 anëtarët e pranishëm në seancë, 16 sosh kanë votuar për, 2 kundër dhe 1 anëtar ka abstenuar. /Telegrafi/

 

 

 

The post Pavarësisht kritikave, miratohet Rregullorja për menaxhimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Veturat klasike sjellin histori dhe pasion në “Oldtimer Fest 2025” në Prizren

2 June 2025 at 11:46

Edicioni i 20-të i Oldtimer Fest në Prizren është përmbyllur të dielën me ekspozitën e veturave klasike në qendër të qytetit.

Vizitorët e shumtë kanë pasur rastin që të shohin modele të ndryshme veturash, të prodhuara në shekullin e shkuar, por që ende ruhen me kujdes nga pronarët aktualë.

Veturat klasike nga vendi e rajoni, por edhe nga Sllovenia, Hungaria, Franca e Gjermania janë ekspozuar të dielën në Sheshin Shadërvan dhe në Sheshin e Lidhjes, duke zgjuar kërshërinë e shumë vizitorëve.

Sipas organizatorëve në këtë edicion janë prezantuar mbi 100 vetura klasike.

“Pjesëmarrës kemi me mbi njëqind vetura dhe është diçka shumë bukur që po bëhet. Besoj që të gjithë pjesëmarrësit edhe qytetarët e Prizrenit edhe mysafirët nga të gjitha vendet që kanë ardhur për ta vizituar Prizrenin, kanë parë diçka ndryshe këto ditë”, ka thënë Visar Kolshi nga Oldtimer Club Prizren për Telegrafin.

Sipas tij, tradita e kujdesit ndaj veturave klasike është e rëndësishme meqë është pjesë e trashëgimisë kulturo-teknike të Kosovës.

“Është e rëndësishme, se këto janë muze në rrota. Ne kemi edhe shtëpia të vjetra që duhet me i ruajt, edhe ambiente të ndryshme të vjetra, po këto janë muze në vetura. Shumica e kerreve kanë vlera edhe materiale, por kanë edhe vlerë të trashëgimisë, që janë trashëguar prej prindërve, prej familjes dhe kjo thjeshtë e tregon një kulturë të shtetit tonë, të anëtarëve tanë që i ruajnë këto me entuziazëm, këto vetura klasike”, ka deklaruar Kolshi.

Në ekspozitë është paraqitur edhe vetura e Bekim Fehmiut, që planifikohet të restaurohet, sikurse edhe vetura presidenciale e Enver Hoxhës.

“Po, sivjet e kemi pasur në organizim edhe veturën e Bekim Fehmiut, të cilën e ka blerë i ndjeri Bekim Fehmiu zero-zero të re, edhe ajo është për momentin këtu në Prizren edhe po besoj që shumë afër do kemi bashkëpunim me Komunën ose me Ministrinë ku ne jemi të interesuar si klub për me bo restaurimin e asaj veture. Vetura është me vlerë, se ka një histori, si Bekim Fehmiu dhe vetura e tij. Po ashtu vlen të ceket që sot kemi këtu edhe një veturë nga Shqipëria, që ka qenë e regjimit të kaluar të Shqipërisë, të Enver Hoxhës, një makinë e vjetër që është shumë e rrallë prodhim kinez, një veturë presidenciale. Domethënë, ka shumë vetura të bukura të panumërta që marrin pjesë sot”, ka thënë Kolshi për Telegrafin.

Në kuadër të këtij organizimi, të shtunën është mbajtur Forumi Rinor me FIVA, ku në panelin e diskutimit në ITP Prizren është trajtuar mbrojtja e trashëgimisë kulturo-teknike të Kosovës si dhe rëndësia e themelimit të Muzeut të Mjeteve Teknike.

Qëllimi i Oldtimer Club Prizren është jo vetëm të promovojë dashurinë për veturat klasike, por edhe të shndërrojë qytetin në një qendër të ruajtjes dhe ekspozimit të trashëgimisë automobilistike, me synimin për të krijuar një muze dedikuar veturave klasike. /Telegrafi/

The post Veturat klasike sjellin histori dhe pasion në “Oldtimer Fest 2025” në Prizren appeared first on Telegrafi.

Prizreni hap thirrjen për ndihma ushqimore për komunitetet, kuvendari Hoxhaj reagon për kriteret  

30 May 2025 at 16:31

Komuna e Prizrenit ka shpallur thirrjen publike për mbështetjen e nevojtarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë me pako ushqimore dhe higjienike.

Përmes këtij njoftimi ka ftuar të interesuarit që të aplikojnë për këtë subvencion.

“Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, ndan subvencione dhe transfere për persona fizik për furnizim me pako ushqimore dhe higjienike për familjet skamnore nga radhët e komunitetit minoritar në Komunën e Prizrenit. Përmes thirrjes publike fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për përfitim të subvencionit”, thuhet në njoftim.

Dokumentet e nevojshme për aplikim sipas njoftimit janë: Kërkesa e palës (mund të merret në Zyrën për Komunitete dhe Kthim); Dokumenti valid i identifikimit i Republikës së Kosovës (kopje); Certifikata e bashkësisë familjare (Origjinal); Vërtetim nga zyra e punësimit për të rriturit mbi 18 vjeç (Origjinal); Vendimi i pensionit invalidor ose e pensionit me aftësi të kufizuara (kopje); Raport nga mjeku me diagnozë, për të sëmurin në familje (për sëmundje të rënda kronike jo më i vjetër së gjashtë muaj – kopje); Vërtetimi ose kontrata se është i punësuar nga punëdhënësi; Dëshmi që vërteton se është nënë vetushqyese / baba vetushqyes.

“Thirrja publike do të jetë e hapur prej datës 27.05.2025 deri më 27.06.2025”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Lidhur me këtë thirrje ka reaguar kuvendari Petrit Hoxhaj, i cili ka vlerësuar se kriteret e caktuara nga Komuna për këtë thirrje janë të papranueshme.

“Është e papranueshme dhe e patolerueshme që Komuna e Prizrenit, Zyra për Komunitete dhe Kthime për një pako ushqimore të thjeshtë, po vendos kritere dhe kërkesa dokumentacioni që vetëm i largojnë dhe i poshtërojnë ata që më së shumti kanë nevojë”, ka shkruar Hoxhaj.

Sipas tij në këtë rast kërkohet nga qytetarët e komuniteteve jo-shumicë që mjerimin ta dëshmojnë me dosje.

“A ka kuptim që për një thes miell apo një pako vaj, një familje e skamur të detyrohet të sigurojë dokumente, vërtetime. Madje as për vulën apostile nuk kërkojnë kaq shumë.  Në çfarë bote jetojmë, kur për një ndihmë elementare humanitare, qytetarit i kërkohet të vërtetojë mjerimin e vet me dosje në dorë?”, është shprehur Hoxhaj, raporton Telegrafi.

Ai ka shprehur bindjen se nëse një njeri do të kishte mundësi t’i siguronte të gjitha këto dokumente, me siguri nuk do të sillej tek dera e komunës për një ndihmë ushqimore.

“Kjo është një padrejtësi sociale dhe një shkelje e dinjitetit njerëzor. I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit që të rishikojë menjëherë këto kritere dhe të krijojë një qasje më humane dhe më të thjeshtë për dhënien e ndihmave. Ndihmat ushqimore nuk janë projekte burokratike – janë akte emergjente solidariteti, dhe duhet të mbërrijnë te njerëzit që kanë më shumë nevojë, pa i detyruar ata të provojnë varfërinë me letra dhe vula”, ka theksuar Hoxhaj. /Telegrafi/

 

The post Prizreni hap thirrjen për ndihma ushqimore për komunitetet, kuvendari Hoxhaj reagon për kriteret   appeared first on Telegrafi.

Baba Zula dhe Gipsy Groove paraqiten në Kino Lumbardh para mbylljes për renovim

27 May 2025 at 11:42

Një bend nga Turqia dhe një tjetër nga Kosova, të premten mbrëma, do të performojnë në Kino Lumbardhi si pjesë e programit përmbyllës të muajit maj. Kinemaja e veçantë e Prizrenit do të mbyllet në fillim të muajit qershor për shkak se do të hyjë në fazën e renovimit.

“Më 30 maj prej orës 20:30 do të presim në Kino Lumbardhi si pjesë të programit përmbyllës të muajit maj “Edhe njëherë deri herën tjetër” bendin Baba Zula nga Turqia dhe bendin Gipsy Groove nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Lumbardhi.

Në të njëjtën kohë është theksuar se të dyja bendet janë paraqitur disa herë në Kosovë, por se këtë herë “vijnë së bashku për një mbrëmje të mbushur me ritme të gjalla e dinamike të rajonit”.

“Baba Zula sjell magjinë e muzikës psikadelike turke që pikëtakohet me folkorin dhe rock n’roll-in duke shtuar këtu elemente të poezisë, teatrit, traditës, vallëzimit në një festë të jashtëzakonshme audiovizuale. Levent Akman, Murat Ertel, Ümit Adakale dhe Esma Ertel performojnë prej më shumë se 25 vitesh në skena të ndryshme botërore duke sjellë përherë eksperienca krejt të veçanta”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Gjithashtu është bërë e ditur se bendi Gipsy Groove sjellë muzikën rome të ndërthurur me jazz, reggae, funk, ska, drum, bass duke krijuar një atmosferë unike.

“Gipsy Groove mbart në zemër të muzikës së tyre mesazhe të guximshme shoqërore duke synuar ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut, lirinë e lëvizjes, anti-racizmin dhe barazinë gjinore. Thellësisht të rrënjosur në traditën ballkanike, ata synojnë të thyejnë kufijtë e se si muzika mund të kthehet në një mjet për argëtim dhe ndërgjegjësim”, thuhet në njoftim.

Projekti për rivitalizimin e Kinemasë Lumbardhi në Prizren do të realizohet me mjetet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi mbështetja e Bashkimit Evropian ishte anuluar për shkak të masave të Brukselit ndaj Qeverisë së Kosovës, raporton Telegrafi.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi vlera e përgjithshme e kontratës për këtë projekt është mbi 976 mijë euro. /Telegrafi/

The post Baba Zula dhe Gipsy Groove paraqiten në Kino Lumbardh para mbylljes për renovim appeared first on Telegrafi.

Operacioni “Shigjeta” kujtohet si kryebeteja e UÇK-së

26 May 2025 at 13:57

Në 26 vjetorin e nisjes së operacionit “Shigjeta”, bashkëluftëtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia vizituan kompleksin memorial në Landovicë të Prizrenit, për të bërë homazhe dhe nderuar luftëtarët që ranë gjatë atij operacioni.

Binak Gashi, një prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se operacioni “Shigjeta” është kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kryebetejën e UÇK-së, projektin më të madh kombëtar që ka ndodhur në historinë e shqiptarëve është projekti i UÇK-së. Sot shënojmë ditën e fillimit të operacionit “Shigjeta’ – kryebetejën e UÇK-së që ka filluar më 26 maj 1999 dhe ka zgjatur deri më 10 qershor 1999, ka qenë një ndër operacionet më të suksesshme të UÇK-së. Ka bashkëpunuar me forcat e NATO-s, forcat e NATO-s kanë qenë nga ajri, kurse pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë nga toka dhe bashkërisht e kemi kryer ashtu siç është më së miri. Humbjet tona kanë qenë shumë minimale, kurse nga ana e armikut kanë qenë shumë të mëdha”, tha ai.

Gashi për KosovaPress tha se kjo betejë detyroi forcat serbe te nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë.

“Është beteja e fundit që ka detyruar forcat serbe ta nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë… Atë kohë [e kujtojmë] pak me dhimbje, por është një kohë shumë krenare sepse ka kurorëzuar më lirinë e Kosovës…19 luftëtarë të UÇK-së kanë rënë, kurse nga armiku ka pasur 10 herë më tepër”, tha ai.

Muhamer Ibrahimi ushtar i njësisë speciale TF0, sot mbante veshur uniformën solemne si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se sot me këtë veshje po ndihet “sikur ditën e parë kur veshi uniformën e UÇK-së”.

Ibrahimi thotë se operacioni “Shigjeta” ishte grushti i fundit për largimin e forcave serbe nga Kosova.

“Është veshja e veteranëve, është solemne dhe në këtë ditë edhe të dëshmorëve dhe të operacionit, ne kemi vendosur si shokë t’i veshim këto, emocionin e kemi pak a shumë të njëjtë sikurse kur e kemi vesh uniformën e UÇK-së herën e parë… Tash secilën ditë e shoh rëndësinë dhe madhështinë e atij operacioni dhe efektin që e ka pasur… E di që ka qenë një prej operacioneve që ia kemi dhënë grushtin e fundit ushtrisë serbe”, tha ai.

Nga Tetova për të luftuar për lirinë e Kosovës kishte ardhur edhe Fexhri Asipi, i cili ishte pjesë e operacionit “Shigjeta”.

“Kam qenë pjesë e operacionit ‘Shigjeta’ dhe nëse i dëgjon dikush lajmet apo programet serbe, operacioni ‘Shigjeta’ ka qenë helm për armikun. Operacioni ka qenë shtrirje e gjatë nga Prizreni deri në Gjakovë ka qenë pjesë e madhe ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me një distancë shumë të gjatë”, tha ai.

Operacioni “Shigjeta” u zhvillua nga 26 maj deri më 10 qershor 1999.

“Shigjeta” kishte tre drejtime taktike: Kosharja, Pashtriku dhe Koritniku. Ai shtrihej përgjatë vijës kufitare nga Kosharja në Korintik./KP/

The post Operacioni “Shigjeta” kujtohet si kryebeteja e UÇK-së appeared first on Telegrafi.

LDK-ja përkujton Masakrën e Tusuzit, kërkon  drejtësi për krimet e luftës

26 May 2025 at 13:45

Dega e LDK-së në Prizren ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Tusuzit, duke theksuar se kërkesa për drejtësi për krimet serbe nuk do të heshtet.

Në njoftimin e këtij subjekti politik thuhet se “Lagjja e Trimave” në Prizren e mban me krenari këtë emër, sepse ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës.

“Sot, kujtojmë me nderim 27 martirët e masakrës së Tusuzit – burra dhe gra që nuk u larguan nga shtëpitë e tyre përballë mizorive të pushtuesve serbë. Janë këta martirët që na mësojnë çdo të thotë guxim, dashuri për vendin dhe sakrificë e pastër. Kosova e lirë është ndërtuar mbi gjakun e tyre, mbi dhimbjen e familjarëve të tyre, dhe mbi kujtimin që nuk do të shuhet kurrë. Ata që ranë për lirinë e Kosovës janë themeli mbi të cilin u ndërtua shteti ynë i pavarur”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë është theksuar se zbardhja e të vërtetës dhe vënia e drejtësisë do të kërkohet me ngulm.

“Zëri ynë për drejtësi nuk do të heshtë kurrë. Do të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë për të gjitha krimet e kryera ndaj atyre që ëndërruan dhe luftuan për një Kosovë të lirë”, përfundon njoftimi i degës së LDK-së. /Telegrafi/

The post LDK-ja përkujton Masakrën e Tusuzit, kërkon  drejtësi për krimet e luftës appeared first on Telegrafi.

Komuniteti i PAK-ve në Prizren i konsideron mediat aleate, por vlerëson se duhen më shumë zëra aktivë

26 May 2025 at 11:41

Komuniteti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Prizren ka vlerësuar se përfaqësimi i tyre në mediat lokale është në nivel të kënaqshëm, megjithëse ka hapësirë edhe për përmirësime.

Megjithatë në këtë aspekt kanë vlerësuar se nevojitet guxim edhe më i madh nga ana e PAK-ve për adresimin e shqetësimeve të tyre në media, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat e ndryshme.

Merita Shala nga shoqata “Handikos” në Prizren ka theksuar se mediat lokale në Prizren janë aleate të PAK-ve sa i përket informimit por edhe kërkimit të llogarisë nga institucionet.

“Por edhe komuniteti ynë duhet ta ngrejë zërin, pa ndonjë ngurrim, apo frikë se do të ketë masa ndaj tyre”, është shprehur Shala, raporton Telegrafi.

Kolegu i saj, Shkodran Qollopeku ka pohuar se ka raste kur PAK-të hezitojnë që të adresojnë problemet e tyre në media, apo të përfshihen në diskutime mediale, nga frika se mund të humbin të drejtën në pension.

Anëtarët tjerë të këtij komuniteti kanë folur për sfidat e tyre të përditshme dhe kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me përfshirjen e PAK-ve në mediat lokale, por edhe ato qendrore.

Ndërkaq, Nuhi Salihu, redaktor në Televizionin e Prizrenit, ka bërë të ditur se ky medium përpiqet që të ofrojë platformën e nevojshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, me qëllim që përmes raportimit profesional të gjenden zgjidhjen adekuate për problemet e tyre dhe të fuqizohet roli i tyre në shoqëri, raporton Telegrafi.

Takimi me komunitetin e PAK-ve është realizuar nga Televizioni i Prizrenit në kuadër të projektit “Përmirësimi i përfaqësimit medial dhe luftimi i dezinformimit në Prizren” që realizohet me përkrahjen nga Kosovo 2.0, falë mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian. Projekti synon të përmirësojë përfaqësimin dhe diversitetin në media në qytetin e Prizrenit. /Telegrafi/

The post Komuniteti i PAK-ve në Prizren i konsideron mediat aleate, por vlerëson se duhen më shumë zëra aktivë appeared first on Telegrafi.

❌
❌