Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

KIEV – Zelensky: Bisedimet me Rusinë të përqendrohen te të burgosurit dhe takimi me Putinin

21 July 2025 at 21:15

KIEV, 21 korrik /ATSH-DPA/- Bisedimet e hollësishme për armëpushim nuk janë në axhendën e raundit të ardhshëm të negociatave me Rusinë, u tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diplomatëve të Kievit.

Takimi duhet të përqendrohet në kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, si dhe në përgatitjen e një takimi në nivel presidencial.

“Ne kemi nevojë për më shumë vrull në negociata për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky, duke shpjeguar këmbënguljen e tij për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai deklaroi se rezultatet mund të priten vetëm nga diskutimet në nivelin më të lartë.

Kremlini deri më tani ka refuzuar negociatat e drejtpërdrejta midis presidentëve, duke argumentuar se bisedime të tilla duhet të jenë të përgatitura mirë për të dhënë rezultate.

Sipas Moskës, baza e nevojshme duhet të hidhet së pari në nivele më të ulëta.

Në dy raundet e para të negociatave të drejtpërdrejta midis Kievit dhe Moskës në maj dhe qershor, të dyja palët ranë dakord për shkëmbimin e të burgosurve në shkallë të gjerë dhe kthimin e ushtarëve të rënë.

Zelensky propozoi zhvillimin e negociatave të reja me Moskën këtë javë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, rikonfirmoi interesin e Moskës për bisedime, të cilat, ashtu si raundet e mëparshme në maj dhe qershor, pritet të zhvillohen në Stamboll.

Sipas raportimeve të medias, një takim është planifikuar paraprakisht për 24 ose 25 korrik.//a.i/

The post KIEV – Zelensky: Bisedimet me Rusinë të përqendrohen te të burgosurit dhe takimi me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli kundërshton apelin e 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë

21 July 2025 at 20:32

TEL AVIV, 21 korrik /ATSH-ANSA/- Izraeli ka kundërshtuar deklaratën e përbashkët të 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë, tha sot Ministria e Jashtme izraelite.

Sipas Izraelit deklarata e tyre është e shkëputur nga realiteti dhe i dërgon mesazhin e gabuar Hamasit – i cili e nisi këtë luftë dhe po e zgjat atë dhe është pala e vetme përgjegjëse për mungesën e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushimi,ë

“Ekziston një propozim konkret për një marrëveshje armëpushimi: Izraeli i ka thënë vazhdimisht “Po” këtij propozimi, ndërsa Hamasi ka refuzuar me kokëfortësi ta pranojë atë”, tha ministria.

“Në një moment kaq delikat në negociatat në vazhdim, është më mirë të shmangen deklarata të tilla”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Të gjitha deklaratat dhe kërkesat duhet t’i drejtohen palës së vetme përgjegjëse për mungesën e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushimi: Hamasit, i cili e nisi këtë luftë dhe po e zgjat atë”, thuhet në deklaratën e postuar në X.

“Në vend që të pranojë një armëpushim, Hamasi është i angazhuar në një fushatë për të përhapur gënjeshtra për Izraelin. Në të njëjtën kohë, Hamasi po vepron qëllimisht për të rritur fërkimet dhe dëmin ndaj civilëve që mbërrijnë për të marrë ndihmë humanitare”, tha Ministria e Jashtme Izraelite.

“Deklarata e 25 vendeve nuk ushtron presionin mbi Hamasin dhe nuk arrin të njohë rolin dhe përgjegjësinë e tij në këtë situatë. Hamasi është përgjegjësi i vetëm për vazhdimin e luftës dhe vuajtjet nga të dyja palët”, tha ministria. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Izraeli kundërshton apelin e 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA kritikon ndërhyrjen e Izraelit në Siri

21 July 2025 at 20:09

BEJRUT, 21 korrik /ATSH/- Ambasadori amerikan në Turqi dhe i dërguari i posaçëm për Sirinë, Tom Barrack, shprehu mbështetjen e SHBA-së për qeverinë e re të Sirisë dhe kritikoi ndërhyrjen e fundit të Izraelit në Siri, të cilën ai tha se erdhi në një kohë të papërshtatshme, duke i komplikuar përpjekjet për të stabilizuar rajonin, sipas AP.

Ai iu referuar përleshjeve në provincën jugore të Sirisë, Sweida, midis milicive të pakicës fetare Druze dhe fiseve beduine myslimane sunite.

Forcat qeveritare siriane ndërhynë, në dukje për të rivendosur rendin, por përfunduan duke mbështetur beduinët para se të tërhiqeshin sipas një marrëveshjeje armëpushimi me fraksionet Druze.

Qindra persona u vranë në luftime, dhe disa luftëtarë qeveritarë dyshohet se kanë qëlluar për vdekje civilë Druze dhe kanë djegur dhe plaçkitur shtëpi.

Izraeli ndërhyri javën e kaluar në emër të druzëve, të cilët shihen si një pakicë besnike brenda Izraelit dhe shpesh shërbejnë në ushtrinë e tij.

Izraeli nisi dhjetëra sulme ndaj konvojeve të forcave qeveritare në Sweida dhe goditi selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Damaskun qendror.

Gjatë fundjavës, Barrack njoftoi një armëpushim midis Sirisë dhe Izraelit.

Forcat qeveritare siriane janë ridislokuar në Sweida për të ndaluar përleshjet e ripërtërira midis druzëve dhe beduinëve. //a.i/

The post FOKUS – SHBA kritikon ndërhyrjen e Izraelit në Siri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Sulme masive ruse përpara bisedimeve për mbështetjen ndaj Ukrainës

21 July 2025 at 19:26

KIEV, 21 korrik /ATSH/ – Rusia nisi sot një nga sulmet e saj më të mëdha ajrore në Ukrainë, disa orë përpara se Britania e Madhe dhe Gjermania të kryesonin një takim për të diskutuar planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’u shitur armë aleatëve të NATO-s dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë, sipas AP.

“Dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën gjatë sulmit rus, përfshirë një 12-vjeçar”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një dron goditi hyrjen e një stacioni metroje në lagjen Shevchenkivskyi të Kievit, ku njerëzit ishin strehuar.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili mbërriti sot në Kiev për bisedime me Zelensky, vizitoi disa nga zonat e dëmtuara.

Zelensky dhe Barrot diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje, duke përfshirë një vendim të kompanive franceze për të filluar prodhimin e dronëve në Ukrainë, dhe për avancimin e rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sulmi rus me dronë dhe raketa gjatë natës ndaj Kievit nënvizoi nevojën urgjente të Ukrainës për ndihmë të mëtejshme ushtarake perëndimore, veçanërisht në mbrojtjen ajrore, një javë pasi Trump tha se dërgesat do të mbërrinin në Ukrainë brenda disa ditësh.//a.i/

The post KIEV – Sulme masive ruse përpara bisedimeve për mbështetjen ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina kërkon 5 miliardë euro shtesë për prodhimin e armëve

21 July 2025 at 18:40

KIEV, 21 korrik /ATSH-DPA/- Ukraina tha sot se kërkon ekuivalentin e mbi 5 miliardë eurove (5,84 miliardë dollarë) si ndihmë shtesë ushtarake këtë vit për të rritur prodhimin e saj të armëve.

“Fondet janë të nevojshme për të prodhuar më shumë dronë me telekomandë, dronë interceptues dhe armë me rreze të gjatë veprimi”, tha ministri i Mbrojtjes, Denys Shmyhal gjatë një takimi online në të ashtuquajturin format Ramstein.

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax-Ukrainë, ai u kërkoi vendeve partnere që të sigurojnë fonde për vitin 2026.

Komandanti i Përgjithshëm ukrainas, Oleksandr Syrskyi bëri thirrje gjithashtu për një rritje të ndihmës ushtarake.

“Ne ende na mungojnë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat përkatëse, armët me rreze të gjatë veprimi, predhat e artilerisë, teknologjia e blinduar, pajisjet e evakuimit, sistemet e luftës elektronike, radarët dhe sistemet e dronëve”, tha Shmyhal, duke shtuar se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të ndalet agresioni rus.

Në takimin e 29-të morën pjesë 50 vende partnere të Ukrainës, të udhëhequra nga Gjermania dhe Britania e Madhe.

Vendi ka qenë duke u mbrojtur kundër pushtimit rus për më shumë se tre vjet me mbështetjen masive perëndimore. //a.i/

The post KIEV – Ukraina kërkon 5 miliardë euro shtesë për prodhimin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA: BE tani më e angazhuar në negociatat tregtare

21 July 2025 at 17:55

UASHINGTON, 21 korrik /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha se Bashkimi Evropian tani është më i përfshirë në përpjekjen për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa më parë.

Pas negociatave të bllokuara, të cilat kanë ecur me një ritëm të ngadaltë, BE-ja është angazhuar më shumë”, tha Bessent në një intervistë me transmetuesin CNBC.

“Disa nga qeveritë kombëtare individuale ishin “të frustruara nga ritmi” i negociatave që po zhvilloheshin në nivel BE-SHBA”, shtoi ai.

Ai gjithashtu la të hapur mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje deri muajin tjetër, duke thënë: “Ne jemi më të shqetësuar për marrëveshje me cilësi të lartë sesa për t’i arritur këto marrëveshje deri më 1 gusht”.

“SHBA-ja nuk do të nxitohet për të arritur një marrëveshje”, tha ai.

Prej disa javesh, Komisioni Evropian ka negociuar me Uashingtonin për mosmarrëveshjen doganore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se tarifat prej 30% ndaj importeve të produkteve të BE-së do të vendoseshin nga 1 gushti.

Në rast se SHBA-ja vendos tarifat e reja, BE synon të përgjigjet me kundërtarifa.//a.i/

The post UASHINGTON – SHBA: BE tani më e angazhuar në negociatat tregtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Rifillojnë bisedimet bërthamore shtetet E3-Iran në Stamboll

21 July 2025 at 17:18

TEHERAN, 21 korrik /ATSH-DPA/- Negociatat midis Iranit dhe të ashtuquajturave “shtete E3” – Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe – do të zhvillohen këtë javë – mes të përpjekjeve për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit.

“Takimi do të zhvillohet të premten në Stamboll në nivelin e zëvendësministrave të Jashtëm”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baqaei.

Irani do të përfaqësohet nga dy zëvendësministra të Jashtëm, Majid Takht-Ravanchi dhe Kazem Gharibabadi, të cilët janë gjithashtu pjesë e ekipit negociator bërthamor.

Evropianët pritet të ushtrojnë më shumë presion mbi Teheranin për të arritur një marrëveshje, por nuk pritet ndonjë progres i madh në takimin e Stambollit.

Marrëveshja bërthamore e Vjenës – e cila nuk po respektohet në praktikë – përfundon zyrtarisht në mesin e tetorit.

Si bashkënënshkruese të marrëveshjes së vitit 2015, “shtetet E3” mund t’i bëjnë një kërkesë zyrtare Këshillit të Sigurimit të OKB-së për rivendosjen e sanksioneve të mëparshme.

Takimi në Turqi do të jetë raundi i parë i negociatave që kur një armëpushim hyri në fuqi pas luftës së Izraelit kundër Iranit, e cila kryesisht synonte objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

Para luftës, Teherani kishte rreth dy muaj që negocionte me SHBA-në mbi programin e tij bërthamor.

Qëllimi i negociatave është të gjenden kufizime në programin bërthamor të Iranit që Teherani i konsideron të pranueshme dhe të sigurohet që Irani të mos ketë aftësinë për të prodhuar një armë bërthamore.

Irani, nga ana e tij, shpreson që bisedimet do të çojnë në heqjen e sanksioneve që po paralizojnë ekonominë e tij.

Teherani gjithmonë ka këmbëngulur që programi i tij bërthamor është për përdorim civil. //a.i/

The post TEHERAN – Rifillojnë bisedimet bërthamore shtetet E3-Iran në Stamboll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Pistorius: Gjermania do të furnizojë Ukrainën me pesë sisteme të tjera “Patriot”

21 July 2025 at 16:29

LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/- Gjermania do t’i sigurojë Ukrainës sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe municionet e nevojshme, njoftoi sot ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në formatin Ramstein.

Gjatë vizitës së tij në Uashington javën e kaluar, Pistorius arriti një marrëveshje me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth për sigurimin e pesë sistemeve “Patriot” – të nevojshme për Ukrainën.

Duke folur në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Londër – një takim i aleatëve perëndimorë të Kievit – Pistorius tha se Gjermania po financonte prokurimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi, të cilët prodhohen në Ukrainë.

“Sistemi “Patriot” do të shkatërrojë avionë, drone dhe raketa ruse përpara se të mund të përbëjnë një kërcënim për Ukrainën, qytetet ose infrastrukturën e saj”, tha ai.

“Sistemi i parë i financuar nga Gjermania do t’u dorëzohet forcave të armatosura ukrainase në ditët në vijim dhe do të dislokohet menjëherë”, shtoi Pistorius.

Për sa i përket sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot”, Pistorius tha se Ukrainës i duheshin pesë sisteme shtesë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

Gjermania ka premtuar të furnizojë Ukrainën me dy sisteme raketash “Patriot”, të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas planit fillestar të Gjermanisë ishte menduar të bliheshin dy sisteme raketore, secili me një kosto prej rreth 1 miliard eurosh (1,16 miliardë dollarë), nga SHBA-ja dhe t’i dorëzoheshin direkt Ukrainës.

Megjithatë, meqenëse sistemet nuk janë ende të disponueshme, Gjermania do t’i dorëzojë Ukrainës dy nga nëntë sistemet e saj të mbetura “Patriot” dhe më vonë do të marrë zëvendësime nga SHBA-ja. //a.i/

The post LONDËR – Pistorius: Gjermania do të furnizojë Ukrainën me pesë sisteme të tjera “Patriot” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 July 2025Main stream

“Si Viaggia”: Vizitoni ishujt e Shqipërisë, mes plazheve magjepsëse, historisë dhe natyrës së egër

20 July 2025 at 07:35

ROMË, 20 korrik /ATSH/- Në zemër të Ballkanit, me pamje nga detet blu Adriatik dhe Jon, ndodhet një grup ishujsh të vegjël, pak të njohur, por autentikë, ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni të përsosur, shkruan Marialuisa Urbano në të përditshmen italiane “Si Viaggia”.

Ishujt e Shqipërisë: Një thesar që ende nuk është zbuluar

Ishujt e Shqipërisë janë destinacione autentike, shpesh të egra, por gjithmonë surprizuese. Secili tregon një histori: për luftën dhe paqen, për murgjit dhe tregtarët, për natyrën e paprekur dhe traditat e qëndrueshme.

Në një kohë kur ndiejmë nevojën për përvoja më autentike larg turmave, këto ishuj ofrojnë një alternativë poetike dhe të arritshme.

Nëse doni të notoni në ujërat e pastra të Ksamilit, të fotografoni pelikanët në Lagunën e Kunës, të eksploroni rrënojat e zhytura në ishullin e Shurdhahut ose të ecni në heshtje midis pishave të Zvërnecit, një gjë është e sigurt: Shqipëria ishullore do t’ju habisë.

Ishujt e Shqipërisë janë të rrallë dhe shpesh as nuk janë të listuar në udhëzuesit e njohur të udhëtimeve.

Megjithatë, pikërisht këtu fshihet një hartë mrekullish të vogla: ishuj të vendosur midis detit dhe maleve, historisë dhe legjendës.

Disa janë të pabanuar, disa janë shtëpi të manastireve bizantine ose rrënojave romake, dhe disa të tjerë janë perfektë për ata që kërkojnë detin më të pastër në Evropë, larg turmave.

Këta ishuj të vegjël janë të fshehur në laguna, liqene, lumenj ose me pamje nga deti i hapur. Dhe janë pikërisht këto karakteristika që i bëjnë ata kaq të veçantë.

Lehtësisht të arritshëm nga bregu, këta ishuj janë ideal për një udhëtim ditor, për kamping të qetë ose për të zbuluar manastiret bizantine, rrënojat arkeologjike dhe plazhet e pastra.

Më poshtë vijon udhëzuesi ynë për të vizituar këto 11 ishuj, nga veriu në jug, dhe për të zbuluar anën më autentike dhe të habitshme të Shqipërisë.

Ishulli i Sazanit, joshje e historisë mes valëve

I vendosur në hyrje të Gjirit të Vlorës, Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë dhe një nga më misteriozët.

Për dekada të tëra, ai mbeti i fshehur nga sytë e civilëve. Sot, ky ishull jashtëzakonisht i bukur po hapet ngadalë për turizmin, duke zbuluar kombinimin e tij të jashtëzakonshëm të natyrës së paprekur dhe gjurmëve historike.

Me një sipërfaqe prej afërsisht 5,7 kilometrash katrorë dhe një vijë bregdetare të thyer që shtrihet 15 kilometra, Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë dhe i vetmi i banuar deri në vitin 1992.

Pavarësisht madhësisë së tij relativisht të vogël, Sazani ofron peizazhe të larmishme.

Në jug, klima është tipike mesdhetare, ku gjenden shkurre të ulëta, shkurre dafine dhe ullinj të egër që mbulojnë kodrat.

Veriu, megjithatë, është më i gjelbër dhe më i harlisur, me bimësi shkurresh dhe zona pyjore të ndikuara nga një mikroklimë kontinentale.

Është pikërisht kjo larmi e pazakontë klimatike që e bën Sazanin një vend unik në peizazhin natyror shqiptar.

Bregu ofron pamje marramendëse: gjire të vogla e të izoluara, shpella detare dhe shkëmbinj të dhëmbëzuar alternohen në një peizazh të formuar nga deti dhe era.

Ujërat e pastra që rrethojnë ishullin janë ideale për ata që adhurojnë notin, zhytjen me maskë ose thjesht relaksin në natyrën e virgjër.

Zona më e famshme e notit është Gjiri i Sazanit, një zonë e mbrojtur me shtrat deti transparent, ideale për udhëtime ditore. Por sharmi i Sazanit shtrihet përtej bukurisë së tij natyrore.

Ishulli mban një trashëgimi të rëndësishme historike të lidhur me pozicionin e tij strategjik në zemër të Mesdheut.

I njohur që nga kohërat e lashta – grekët e quanin Sason – ishulli mbart gjurmët e romakëve, venedikasve, osmanëve dhe italianëve, i cili në shekullin XX u bë një zonë e mbyllur ushtarake – duke u shndërruar në një fortesë të vërtetë gjatë regjimit komunist.

Sot, duke ecur në rrugët e tij të mbipopulluara, ende mund të shihni kazerma të braktisura, bunkerë betoni të armuar dhe një rrjet të dendur tunelesh nëntokësore.

Këto struktura, dikur të drejtuara nga qindra ushtarë, tani janë dëshmitarë të heshtur të një të kaluare të zhytur në sekret.

Nëse jeni të apasionuar pas historisë ushtarake, Sazani është një destinacion magjepsës dhe i pazakontë, ku çdo cep tregon një pjesë të historisë së kohëve të fundit.

Ishulli mund të arrihet vetëm nëpërmjet ekskursioneve të organizuara që nisen nga Vlora.

Udhëtimet, zakonisht udhëtime ditore, kryhen me varkë dhe mundësinë për të eksploruar pjesë të ishullit në këmbë, si dhe ndalesa në gjiret më të arritshme për not.

Shumë ture përfshijnë gjithashtu një vizitë në Gadishullin e afërt të Karaburunit, duke zgjeruar kështu vizitën në detin e kristaltë, natyrën e mbrojtur dhe peizazhet spektakolare.

Sazani mbetet një destinacion autentik, krahasuar me vendet turistike të mbipopulluara.

Nuk ka bare, restorante apo akomodime: këtu jeni plotësisht të zhytur në një dimension të natyrës së pastër dhe heshtjes që ndërpritet vetëm nga zhurma e detit dhe erës së zhurmshme.

Është një destinacion i përkryer për ata që kërkojnë një aventurë ndryshe, mes peizazheve të egra dhe mbetjeve historike, në një nga vendet më misterioze dhe interesante në bregdetin shqiptar.

Planet e së ardhmes së Sazanit 

Në vitet e fundit, interesi për Ishullin e Sazanit është rritur edhe në frontin e investimeve.

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, ka konfirmuar se është afër finalizimit të marrëveshjeve të mëdha në Shqipëri për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me qëllim transformimin e Sazanit në një destinacion turistik luksoz me vila dhe hotele.

Siç i tha ai revistës “Bloomberg”, “Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pastra dhe unike që kam parë ndonjëherë në botë”.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë ndan këtë ambicie dhe synon ta bëjë Sazanin një xhevahir të turizmit mesdhetar.

Megjithatë, disa projekte janë refuzuar deri më tani, pasi ato konsiderohen të papajtueshme me vizionin e turizmit të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit, duke mbrojtur ekosistemin ende të paprekur të ishullit.

Ishulli i Kunës (Merxhan), midis rërës, lagunave dhe zogjve shtegtarë

Në deltën e lumit Drin, pranë Lezhës në veri të vendit, shtrihet Ishulli i Kunës, një rrip rëre i formuar nga sedimentet e lumenjve dhe një rezervat natyror që magjeps me biodiversitetin e tij.

I rrethuar nga Laguna e Marjanit dhe deti, nuk është vetëm një ishull me rërë midis ujit të ëmbël dhe të kripur, por një mikrokozmos ku mund të hasni flamingo, çafka, pelikanë dhe dhjetëra lloje zogjsh shtegtarë.

Peizazhi ndryshon me stinët dhe rrymat e lumit ofrojnë pamje të ndryshme në çdo vizitë.

Ky është vendi ideal nëse ju pëlqen të shikoni zogjtë, të fotografoni natyrën, kërkoni qetësi ose dëshironi të eksploroni fshatrat përreth peshkimit.

Ishulli i Malësorit, një aventurë lumore në Shkodrën autentike

I fshehur midis gjarpërimeve të lumit Buna, Ishulli i Malësorit ndodhet disa kilometra larg Liqenit të Shkodrës.

I arritshëm lehtësisht me kanoe, duke u nisur nga fshati Obot, është perfekt për adhuruesit e aventurave të ngadalta.

Me 40 hektarë, është një nga ishujt më të mëdhenj në brendësi të Shqipërisë. Plotësisht i pabanuar, është vendi perfekt për ata që kërkojnë natyrë autentike dhe heshtje absolute, ose për ata që duan të zhyten në bimësi të dendur dhe pamje marramendëse të Liqenit të Shkodrës.

Ecja në Malin Tarabosh fillon gjithashtu këtu, një sfidë për alpinistët më me përvojë.

Ishulli Franz Joseph, një emër perandorak për një mbretëri zogjsh

Dikur pjesë e lumit Buna, Franz Joseph ishte një ishull i vogël lumor i quajtur për nder të perandorit austro-hungarez. Sot është zhdukur, i zhytur nga ujërat e lumit në vitin 2011.

Megjithatë, kujtimi i historisë së tij kurioze mbetet, i transmetuar nga kartografët dhe vendasit e shekullit XIX, dhe mundësia për të eksploruar atë zonë të lumit me varkë, ende e pasur me kafshë të egra dhe peizazhe lumore sugjestive.

Zvërneci, ura prej druri që ju çon në një epokë tjetër

Zvërneci, në zemër të Lagunës së Nartës pranë Vlorës, është një nga ishujt më ikonikë të Shqipërisë.

Pasi të kaloni urën piktoreske prej druri 300 metra të gjatë, dhe pasi të zbrisni, do e gjeni veten përballë një pylli me pisha të dendur dhe të heshtur.

Në qendër të ishullit ndodhet Manastiri Bizantin i Shën Mërisë, që daton që nga shekulli XIII, një destinacion shpirtëror dhe piktoresk. Këtu, koha duket sikur ka ndaluar.

Ishulli është një simfoni pishash detare, shtigjeve të qeta dhe spiritualitetit. Një destinacion i preferuar për pelegrinët dhe fotografët, është vendi ideal për një shëtitje soditëse, ndoshta gjatë perëndimit të diellit, kur laguna bëhet e artë.

Ishulli i Shurdhahut

Në pellgun artificial të Vau Dejes, ishulli i Shurdhahut është një xhevahir historik dhe natyror që strehon rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, dikur një udhëkryq i rëndësishëm kulturor midis rajoneve të Malësisë së Madhe, Mirditës dhe Zadrimës.

Sot, rrënojat kanë mbetur, por një pjesë e qytetit është e zhytur, duke krijuar një atmosferë unike.

Një vend i përsosur nëse jeni të apasionuar pas arkeologjisë, historisë dhe legjendave lokale. Me pak fat dhe një guidë ekspertësh, mund të zbuloni rrënojat e qytetit të lashtë dhe të imagjinoni se si ishte jeta këtu shekuj më parë.

Ishujt e Ksamilit, “Maldivet e Vogla” të Shqipërisë

Nëse ka një vend që ia vlen udhëtimi, është Ksamili, një fshat bregdetar në jug të Shqipërisë, disa kilometra nga Saranda dhe kufiri grek.

Pranë plazhit të tij kryesor ndodhen katër ishuj shkëmborë, të zhytur në një det aq të pastër sa duket i pabesueshëm.

Plazhet e Ksamilit, të tilla si Plazhi i Pasqyrave, Plazhi i Manastirit dhe Pema e Thatë, konsiderohen ndër më të bukurat në Evropë.

Ksamili është perfekt për zhytje me maskë, udhëtime me varkë, apo për të parë perëndimin e diellit dhe shijuar ushqimet e detit.

Dhe nëse jeni adhuroni kulturën, vetëm 20 minuta larg ndodhet vendi arkeologjik i Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe burimi i Syrit të Kaltër, një mrekulli natyrore me ujëra kristalore dhjetëra metra të thella.

Ishujt e Ksamilit janë zemra e turizmit bregdetar shqiptar. Dy nga ishujt mund të arrihen duke notuar, ndërsa për të tjerët, mund të merrni me qira kajakë ose varka me pedale. Dy prej tyre janë të lidhura nga një rrip i hollë rëre.

Ishujt janë të pabanuar, të mbuluar me bimësi mesdhetare dhe plot me gjire perfekte për zhytje me maskë, relaks në hije dhe shijuar perëndimet spektakolare të diellit. Në veçanti, Ishujt Binjakë – të lidhur nga një rrip i hollë rëre – janë ndër më të fotografuarit në vend.

Zona ofron restorante me pamje nga deti ku mund të shijoni peshk të freskët, midhje lokale dhe gatime tradicionale shqiptare.

Ksamili është gjithashtu një destinacion ideal për çiftet dhe ata që kërkojnë pushime të qeta, por me shumë mundësi kulturore dhe natyrore.

Mënyra më e përshtatshme për të shkuar në Ksamil është të fluturoni për në ishullin grek të Korfuzit, të merrni tragetin për në Sarandë (30-70 minuta) dhe prej andej një taksi ose autobus për në Ksamil (10 kilometra).

Plazhet e Ksamilit: relaks total mes rërës së bardhë dhe detit kristalor

Nëse ëndërroni plazhe perfekte si nëpër kartolina, Ksamili është vendi i duhur për ju! Ky fshat i vogël bregdetar është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë.

Imagjinoni rërën e bardhë të imët, ujërat bruz që duken si një kartolinë tropikale dhe një kontrast ngjyrash që do t’ju lërë pa fjalë.

Plazhi kryesor i Ksamilit është rreth 300 metra i gjatë, i pajisur me çadra dhe shezlongje me çmime super të përballueshme (rreth 5-7 euro në ditë).

Por, në korrik dhe gusht, mund të jetë i mbushur me turistë, veçanërisht në fundjavë.

Mos u shqetësoni, nëse kërkoni më shumë paqe dhe qetësi, gjithmonë mund të eksploroni gjiret në veri dhe në jug të plazhit kryesor.

Ato janë më të qeta dhe të egra, perfekte për t’u çlodhur në mes të natyrës.

Plazhi i Pulebardhës ndodhet rreth 1 kilometër larg qendrës dhe mund të arrihet lehtësisht në këmbë përgjatë bregdetit ose me automjet.

Deti këtu është spektakolar, i kristaltë dhe i cekët disa metra larg bregut.

Perfekt nëse udhëtoni me fëmijë, pasi shtrati ranor i detit e bën notin plotësisht të sigurt.

Stina ideale për të vizituar Ksamilin është nga maji deri në tetor, me temperaturat e ujit që arrijnë 25-26 gradë Celcius në kulmin e verës.

Ishujt e Ksamilit: Xhevahire të vegjël për t’u zbuluar

Është e pamundur të mos i shohësh: katër ishujt shtrihen pranë bregut dhe janë simboli më i fotografuar i fshatit. Këta shkëmbinj të vegjël të mbuluar me bimësi mesdhetare krijojnë një peizazh vërtet piktoresk.

Nëse ndiheni rehat në ujë, mund të notoni deri tek ata (distanca është 200 deri në 400 metra), ose mund të merrni me qira një varkë me pedale në plazh dhe të arrini atje lehtësisht.

Deti këtu është edhe më i pastër, perfekt për zhytje me maskë. Shtrati i detit është plot me peshq dhe ofron pamje të mrekullueshme. Në ishuj, do të gjeni plazhe të vegjël me guralecë dhe shkëmbinj të sheshtë, ideale për t’u relaksuar.

Koha më e mirë për të shijuar ishujt është nga qershori deri në shtator, kur deti është i qetë dhe uji është i ngrohtë.

Megjithatë, mbani mend se nuk ka shërbime (vetëm në ishullin më të madh ka një bar të vogël sezonal, perfekt për një pije të freskët pas notit), kështu që është më mirë të merrni me vete gjithçka që ju nevojitet: ujë, ushqime të lehta dhe pajisje për zhytje me maskë.

Butrinti: historia dhe natyra vetëm një hap larg Ksamilit

Nëse keni zgjedhur të kaloni pushimet në Ksamil, mos humbisni një udhëtim në Butrint, një nga vendet arkeologjike më interesante në të gjithë Shqipërinë. Ndodhet vetëm 4 kilometra larg, dhe vetëm në 10 minuta me makinë – do të zbuloni historinë 2 500-vjeçare.

Butrinti,  shpallur Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992, përmban gjurmë të qytetërimeve të lashta, duke përfshirë grekët, romakët, bizantinët, venedikasit dhe osmanët.

Çdo epokë ka lënë gjurmën e saj këtu, dhe të ecësh midis rrënojave të tij është si të shfletosh një libër historie në mjedis të hapur.

Ndër mrekullitë që duhet të vizitohen janë teatri grek i ruajtur në mënyrë të përsosur, kështjella veneciane, banjat romake dhe pagëzorja e hershme e krishterë me mozaikët e saj shumëngjyrësh.

E gjithë kjo është e vendosur në natyrën e harlisur, midis lagunave dhe pyjeve ku koha duket se ka ndaluar.

Rruga kryesore është një shteg i lehtë, rreth 1,5 kilometra i gjatë: në dy ose tre orë, mund të vizitoni gjithçka me lehtësi pa u nxituar.

Laguna e Butrintit: Natyra e egër dhe traditat vendase

Butrinti nuk është vetëm histori: Laguna e mrekullueshme e Butrintit, një parajsë e vërtetë natyrore, shtrihet rreth vendit arkeologjik.

Këtu, ujërat e ëmbla të liqenit përzihen me ujin e kripur të Detit Jon, duke krijuar një ekosistem unik, tani të mbrojtur si Park Kombëtar.

Është vendi ideal për adhuruesit e natyrës: përgjatë shtigjeve, mund të shihni çafka, pelikanë, flamingo dhe shumë lloje të tjera zogjsh.

Si alternativë, mund të hipni në një varkë të vogël (që kushton rreth 15-20 euro) dhe të eksploroni lagunën nga deti, e cila ofron pamje spektakolare të rrënojave të lashta.

Dhe nëse jeni kuriozë për shijet lokale, midhjet kultivohen në lagunë: përgjatë brigjeve, do të vini re strukturat klasike lundruese të dedikuara për kultivimin e midhjeve, një delikatesë e vërtetë që ne ju rekomandojmë ta provoni në restorantet lokale.

Koha më e mirë për të vizituar lagunën? Pranvera dhe vjeshta, kur klima është më e butë dhe zogjtë shtegtarë janë më të shumtë. Nëse e vizitoni në verë, një udhëtim me varkë gjatë perëndimit të diellit është një përvojë vërtet magjike.

Ishulli i Tongos, plazhe të izoluara në kufirin grek

Tongo është një ishull i vogël shkëmbor në jug të Sarandës, shumë afër kufirit grek, i cili ofron plazhe të izoluara ideale për not dhe zhytje me maskë.

Është lehtësisht i arritshëm nga Saranda dhe mund të vizitohet në të njëjtën ditë që eksploroni kepin

Ishulli i Tongos është destinacioni i përsosur nëse doni të shpëtoni nga turmat dhe të shijoni disa orë qetësie të plotë dhe kontakt me natyrën.

Maligrad, ishulli në liqen me kishën shpellë

Në juglindje të vendit, në kufirin me Maqedoninë e Veriut, shtrihet Ishulli i Maligradit, një vend i largët por magjepsës.

I zhytur në ujërat e qeta të Liqenit të Prespës, është një nga ishujt më spiritual dhe misteriozë të Shqipërisë.

Këtu gjenden mbetjet e vilës verore të Car Simeon XI dhe kisha shpellë e Shën Mërisë, e zbukuruar me afreske mesjetare.

Gjatë pranverës, është e lehtë të dallosh tufa pelikanësh që popullojnë ujërat e qeta të liqenit. Ishulli është një vend i përsosur për kamping ose një udhëtim me varkë që niset nga fshati i Pustecit.

Ishulli i Stillos, një oaz i vogël kampingu

Pranë Tongos dhe bregdetit Jon ndodhet Stillos, një ishull i vogël i përsosur për kamping. Është pak më shumë se një shkëmb nënujor, por ofron një plazh të izoluar dhe pamje të mrekullueshme.

Plazhet e tij janë ideale për t’u çlodhur në paqe, dhe është një ndalesë interesante për ata që eksplorojnë Shqipërinë jugore në mënyrë të pavarur.

I arritshëm me varkë nga Vlora ose Saranda, është perfekt nëse jeni duke kampuar dhe kërkoni një cep të paprekur të Shqipërisë.

Ishulli i Paqes, më i vogli dhe më domethënësi

Në liqenin e Komanit, në veri të Shqipërisë, i njohur për ujërat e tij të kaltra të vendosura midis maleve, ndodhet Ishulli i vogël i Paqes.

Është i vogël, por shumë sugjestiv. Ka formën e një harte të Shqipërisë, dhe në qendër të tij është një kryq, i ngritur si simbol i besimit dhe rezistencës gjatë regjimit komunist.

Edhe pse është më i vogli nga ishujt shqiptarë, është një nga më interesantët: një vend reflektimi dhe kontemplimi, i arritshëm vetëm me varkë në liqenin e Komanit, i famshëm për peizazhet alpine dhe ujërat e kaltra.

Shqipëria mund të mos ketë arkipelagë apo vendpushime të mëdha, por ka diçka shumë më të rrallë: ishuj të vërtetë, autentikë, të paprekur nga turizmi masiv.

Vende ku deti është ende transparent, ku historia del nga gurët, ku mund të përjetoni një aventurë, shijoni perëndimin e diellit dhe notin në liri.

Për ata që duan të udhëtojnë larg vendeve të mbipopulluara, ishujt shqiptarë janë një ftesë për të zbuluar Mesdheun më autentik. //a.i/

https://siviaggia.it/idee-di-viaggio/isole-albania/543165/

 

 

The post “Si Viaggia”: Vizitoni ishujt e Shqipërisë, mes plazheve magjepsëse, historisë dhe natyrës së egër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BRAZIL – Lula kritikon SHBA-në për sanksionet e vizave të lidhura me gjyqin e Bolsonaros

19 July 2025 at 19:07

BRAZILIA, 19 korrik /ATSH/- Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva e quajti vendimin e SHBA-së për të vendosur ndalime vizash për zyrtarët e përfshirë në gjyqin e ish-presidentit Jair Bolsonaro “arbitrar” dhe “të pabazë” dhe tha se ndërhyrja e huaj në gjyqësor ishte “e papranueshme”, sipas “France24”.

Në një deklaratë , udhëheqësi i majtë tha se veprimi shkelte parimet themelore të respektit dhe sovranitetit midis kombeve.

“Solidariteti dhe mbështetja ime shkojnë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Federale, të cilët janë prekur nga një tjetër masë arbitrare dhe plotësisht e pabazuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Lula në një deklaratë të postuar në X.

“Ndërhyrja e një vendi në sistemin e drejtësisë të një tjetri është e papranueshme dhe shkel parimet themelore të respektit dhe sovranitetit midis kombeve”, shtoi ai.

Bolsonaro është në gjyq për dyshimin se ka kërkuar të qëndrojë në pushtet duke përmbysur zgjedhjet e vitit 2022 të fituara nga Lula.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes vendosi dje që Bolsonaro duhet të mbajë një pajisje monitorimi elektronike, të qëndrojë në shtëpi natën dhe të qëndrojë larg mediave sociale ndërsa pret vendimin.

Pak orë më vonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës revokuan vizën për Moraes dhe “aleatët” e tij në gjykatë, si dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë.

“Gjykimi politik i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Federale Braziliane, Alexandre de Moraes, kundër Jair Bolsonaros krijoi një kompleks persekutimi dhe censure aq gjithëpërfshirës sa jo vetëm që shkel të drejtat themelore të brazilianëve, por shtrihet edhe përtej brigjeve të Brazilit për të synuar amerikanët”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.

Si Trump ashtu edhe Bolsonaro kanë pretenduar se janë viktima të persekutimit politik, dhe shpesh presidenti amerikan ka sulmuar verbalisht gjyqtarët për vendimet e tyre. //a.i/

 

The post BRAZIL – Lula kritikon SHBA-në për sanksionet e vizave të lidhura me gjyqin e Bolsonaros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Mijëra protestues kundër pranimit të emigrantëve

19 July 2025 at 18:01

VARSHAVË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Mijëra njerëz u mblodhën në Varshavë dhe ne rreth 80 qyetete të tjera në të gjithë Poloninë për të protestuar kundër pranimit të emigrantëve.

Tubimet u organizuan nga aleanca politike e ekstremit të djathtë “Konfederata”.

Policia i përshkroi protestat si kryesisht paqësore. Megjithatë, oficerët në Varshavë ndërhynë kur huliganët e ekstremit të djathtë të lidhur me klubin e futbollit “Legia Varshavë” sulmuan një grup kundër-demonstruesish.

“Konfederata”, e njohur për retorikën e saj nxitëse kundër të huajve, personave LGBTQ+ dhe Bashkimit Evropian, përfaqësohet si në Parlamentin polak ashtu edhe në atë evropian.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2025, kandidati i partisë u rendit i treti.

Sondazhet e kryera këtë muaj për portalin e lajmeve Onet.pl sugjerojnë se partia po fiton terren mes pakënaqësisë në rritje me qeverinë aktuale.

Më shumë se 30% e të anketuarve thanë se do të mbështesnin pjesëmarrjen e ekstremit të djathtë “Konfederata” në një koalicion qeverisës të ardhshëm. //a.i/

The post POLONI – Mijëra protestues kundër pranimit të emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Vdekjet nga dhuna në bastionin druz rriten në 940

19 July 2025 at 17:14

DAMASKË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Rreth 940 persona, kryesisht civilë, janë vrarë në dhunën njëjavore në provincën me shumicë druze të Sirisë, Sweida, raportoi sot një monitorues lufte, mes luftimeve të ripërtërira sektare pavarësisht një njoftimi për armëpushim.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se numri i fundit përfshinte 182 persona, midis tyre 26 gra dhe gjashtë fëmijë, të ekzekutuar menjëherë nga forcat qeveritare, ndërsa tre bedouinë u ekzekutuan nga persona të armatosur druzë.

“Dhuna ka marrë jetën e 406 vendasve të tjerë, përfshirë 80 civilë”, sipas observatorit me qendër në Britani të Madhe – që mbështetet në një rrjet gazetarësh brenda Sirisë.

“Ndërkohë, 330 anëtarë të forcave qeveritare u vranë në luftime”, shtoi monitoruesi.

Sweida në Sirinë jugore është përfshirë nga luftimet midis fraksioneve druze dhe bedouinëve myslimanë sunitë mes raportimeve për mizori kundër civilëve.

Pasi, fillimisht u tërhoqën dhe u lejuan forcave lokale të menaxhonin situatën, trupat qeveritare siriane u ridislokuan sot për të ndaluar gjakderdhjen.

Presidenca siriane njoftoi gjithashtu një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm në të gjithë provincën dhe u bëri thirrje të gjitha palëve ta zbatonin atë.

Megjithatë, Observatori Sirian raportoi se kishin shpërthyer përleshje të reja midis druzëve dhe luftëtarëve fisnorë në lagjet perëndimore të kryeqytetit.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, SANA, raportoi gjithashtu për përleshje të vazhdueshme brenda qytetit, duke ngritur dyshime mbi armëpushimin.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha sot se ndërhyrja izraelite e kishte nxitur Sirinë në një “fazë të rrezikshme”, duke vënë në rrezik stabilitetin e vendit.

Al-Sharaa premtoi mbrojtje për pakicat në vendin e njohur për diversitetin e tij etnik dhe fetar.

“Ne mohojmë të gjitha krimet dhe shkeljet që kanë ndodhur, qoftë brenda apo jashtë Sweida-s. Ne theksojmë rëndësinë e arritjes së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha ai. //a.i/

The post SIRI – Vdekjet nga dhuna në bastionin druz rriten në 940 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë

19 July 2025 at 16:27

SIDNEJ, 19 korrik /ATSH/- Qeveria e Australisë tha sot se i kishte dorëzuar Ukrainës tanke “M1A1 Abrams” – si pjesë e një pakete prej 245 milionë dollarësh australianë (160 milionë dollarë) për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër Rusisë – në luftën e tyre të vazhdueshme, sipas “Reuters”.

Australia, një nga kontribuesit më të mëdhenj jo-anëtarë të NATO-s në Ukrainë, ka ofruar ndihmë, municione dhe pajisje mbrojtëse që kur Moska pushtoi fqinjin e saj në shkurt të vitit 2022.

“Ukraina ka marrë deri më tani, 49 tanke nga Australia, dhe pjesa tjetër do të dorëzohet në muajt e ardhshëm”, tha ministri i Mbrojtjes, Richard Marles.

“Tanket “M1A1 Abrams” do të japin një kontribut të rëndësishëm në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë”, shtoi ai.

“Australia planifikon të vazhdojë me stërvitjen eushtarëe ukrainas, si dhe të dërgojë një avion “E-7A Wedgetail” të Forcave Ajrore Australiane në Evropë në gusht – për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainën”, thuhet në deklaratë.

“Australia mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe në vizionin për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Marles.

Australia ka furnizuar ndihmë dhe pajisje mbrojtëse për Ukrainën që kur Rusia filloi operacionin e saj të posaçëm ushtarak kundër fqinjit të saj në shkurt 2022. Ajo gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës. //a.i/

The post AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani

19 July 2025 at 15:41

STAMBOLL, 19 korrik /ATSH/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një bisedë telefonike se konflikti në Siri duhet të përfundojë menjëherë, tha sot një burim nga Ministria e Jashtme turke, sipas “Reuters”.

“Fidan tha se mbështet rolin konstruktiv që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë në Siri dhe se Turqia është e gatshme të punojë me SHBA-në për të arritur një fund të qëndrueshëm të konfliktit”, sipas burimit.

“Ministri i Jashtëm turk tha se ndërhyrjet e Izraelit në territorin sirian e përkeqësojnë më tej problemin dhe se çdo sulm ndaj integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të Sirisë gjithashtu minon përpjekjet rajonale për paqe”, tha burimi.

I dërguari i SHBA-së në Turqi tha dje se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim pas ditësh gjakderdhjeje në zonën kryesisht druze që ka vrarë mbi 300 persona. //a.i/

The post TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud

19 July 2025 at 15:08

LOS ANXHELES, 19 korrik /ATSH-DPA/- Të paktën 30 persona u plagosën sot në mëngjes kur një automjet u përplas me një turmë njerëzish në Santa Monica Boulevard në Los Angeles, njoftuan shërbimet e emergjencës në Los Anxheles.

Të paktën shtatë persona ishin në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur rëndë, tha departamenti i zjarrfikësve në një deklaratë online.

Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelesit raportoi të paktën shtatë persona në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë të plagosur rëndë.

Incidenti ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit. Departamenti tha se 124 zjarrfikës ndihmuan në vendngjarje.

Santa Monica Boulevard është një rrugë kryesore në Beverly Hills.

Incidenti ndodhi përpara një vendi me muzikë live, pranë bulevardit.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes treguan një automjet gri të errët me dëmtime të mëdha në pjesën e përparme dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë. //a.i/

The post SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse

19 July 2025 at 14:25

MOSKË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 80 dronë gjatë natës, ndërsa forcat ukrainase sulmuan Moskën dhe rajonet pranë kufirit, raportoi sot Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

Banorët e Moskës raportuan shpërthime të mëdha, ndërsa u rrëzuan më shumë se një duzinë dronësh. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, kohët e fundit ka raportuar sulme të përditshme me dronë.

Fluturimet në Domodedovo dhe Sheremetyevo, dy aeroportet kryesore të kryeqytetit rus, u ndërprenë në mes të sezonit të pushimeve verore.

“Trafiku hekurudhor u ndërpre në rajonin e Rostovit, në lindje të Ukrainës, pasi fragmente nga dronët e rrëzuar ranë mbi infrastrukturën hekurudhore, duke prekur 50 trena me distanca të gjata dhe trafikun lokal”, raportuan autoritetet.

“Shtëpitë private në Kamensk u përfshinë nga flakët pasi fragmente dronësh ranë mbi to”, raportoi guvernatori i rajonit të Rostovit, Yury Slyusar. Një grua u plagos.

Rajoni i Bryansk në veri të Ukrainës u godit gjithashtu. Detajet e dëmeve nuk u raportuan.//a.i/

The post RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Daily Express”: Ekspertët rekomandojnë Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime

19 July 2025 at 07:34

LONDËR, 19 korrik /ATSH/- Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime në vitin 2025.

Blogeri i njohur i udhëtimeve, ka sugjeruar Shqipërinë si një nga destinacionet “parajsore” për pushime në Evropë, e cila ofron çmime të përballueshme duke përfshirë fluturimin dhe ushqimin, shkruan Danielle Kate Wroe në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Të gjithë duam pushime verore me diell, por me kostot e destinacioneve të njohura që rriten çdo vit, të kursesh për pushime në Evropë po bëhet gjithnjë e më sfiduese.

Imagjinoni një destinacion, të quajtur “Maldivet e Evropës”, ku mund të udhëtoni me një çmim shumë më të lirë. Tingëllon joshëse, apo jo?

Shqipëria është pikërisht destinacioni i duhur për pushime idilike.

Një krikëll birrë kushton 1,10 paund. Ekzistojnë gjithashtu mundësi akomodimi për 25 paund nata.

Pse të shkoni në një udhëtim të shtrenjtë veror në Evropë, në Greqi, Itali apo Kroaci, kur mund të vizitoni këtë perlë evropiane?

Një nga vendpushimet më mahnitëse në Shqipëri është Ksamili.

Temperatura mesatare midis muajve maj deri në shtator është 28 gradë Celsius, që do të thotë se është destinacioni perfekt i verës.

Shfrytëzojeni sa më shumë këtë destinacion përpara se të bëhet shumë popullor dhe të rriten çmimet.

Në Ksamil mund të gjeni bare plazhi, jeta e natës është e mrekullueshme dhe perëndimet e diellit janë gjithashtu mbresëlënëse.

“Pasi kam vizituar 100 vende, Shqipëria është padyshim një nga vendet e mia të preferuara”, tha blogeri, Kieran Brown.

“Rezervoni një udhëtim në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, dhe vizitoni Rivierën në jug”, shtoi ai. //a.i/

https://www.express.co.uk/travel/europe/2081574/destination-dubbed-maldives-europe-cheap

 

 

 

The post “Daily Express”: Ekspertët rekomandojnë Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së

18 July 2025 at 22:48

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po kërkon një tarifë minimale prej 15%-20% për importet nga Bashkimi Evropian, raportoi sot “Financial Times”.

Sipas tre personave të informuar për bisedimet tregtare midis SHBA-së dhe bllokut, Trump ka përshkallëzuar kërkesat e tij pas disa javësh negociatash mbi një marrëveshje të mundshme kornizë.

Me më pak se dy javë deri në afatin e 1 gushtit të Trump, bisedimet midis dy fuqive duket se kanë ngecur.

BE-ja shpresonte për një marrëveshje të ngjashme me atë të Britanisë së Madhe – e cila mbajti një tarifë bazë prej 10% me disa përjashtime në disa sektorë.

Trump shpesh është ankuar për suficitin tregtar prej 198 miliardë eurosh (231 miliardë dollarë) të SHBA-së me BE-në.

Nga ana e tyre, zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se tregtia është shumë më e balancuar kur merren parasysh shërbimet dhe investimet. Ata gjithashtu janë zotuar të rrisin blerjet e naftës dhe gazit për të ngushtuar hendekun tregtar. //a.i/

 

The post SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë

18 July 2025 at 20:01

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shuar edhe një herë shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se procesi mund të zgjasë me vite.

“Prioriteti ynë kryesor, tani është të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai në një takim sot me presidentin rumun, Nicusor Dan, në Berlin.

“Pas kësaj, do të fillojnë bisedimet për rindërtimin e Ukrainës. Ky do të jetë një proces që në fund të fundit mund të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në BE, por kjo do të zgjasë disa vite”, shtoi Merz.

Ukraina ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022 dhe kërkon të pranohet shpejt në BE.

“Për sa kohë që Ukraina është nën sulm dhe në gjendje lufte, pranimi në Bashkimin Evropian sigurisht që do të jetë praktikisht i pamundur’, tha kancelari gjerman.

“Megjithatë, qëllimi është ta afrojmë vendin sa më afër BE-së dhe ta lidhim Ukrainën me komunitetin”, tha Merz.

Ukraina ka më shumë se tre vjet që po mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të plotë. //a.i/

The post BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve

18 July 2025 at 18:40

ROMË, 18 korrik /ATSH-DPA/- Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini do të dalë sërish në gjyq për çështjen e emigrantëve në 2019.

Një anije OJQ-je e quajtur “Open Arms” e cila mbante 147 emigrantë të kapur në brigjet libiane u pengua të ankorohej në ishullin italian, Lampedusa – me urdhër të Salvinit, i cili ishte ministër i Brendshëm në atë kohë.

Zyra e prokurorit publik tha sot se po apelonte kundër vendimit të mëparshëm të lirimit nga akuzat.

Çështja tani do të shkojë direkt në Gjykatën Supreme të Italisë në Romë. Një datë për gjyqin e ri nuk është caktuar ende.

Si ministër i Transportit dhe zëvendëskryeministër – Salvini është një nga figurat qendrore në koalicionin tripartiak të krahut të djathtë në Romë.

Gjatë kohës kur shërbeu si ministër i Brendshëm në një kabinet të mëparshëm, ai bëri emër ndërkombëtarisht me qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigrantëve, veçanërisht atyre që vinin me anije nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë “Liga” ishte në gjyq në Siçili deri në dhjetor të vitit të kaluar – i akuzuar shpërdorim detyre – pasi refuzoi të lejonte ankorimin e një varke shpëtimi emigrantësh në Itali në vitin 2019, kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Gjykata në Palermo e liroi Salvinin nga akuzat për privim lirie dhe shpërdorim detyre.

Anija që i përkiste organizatës spanjolle “Open Arms” ishte pranë ishullit, Lampedusa me mbi 160 emigrantë, por nuk u lejua të hynte në port. Njerëzit u hodhën në ujë dhe u përpoqën të notonin deri në breg.

Ajo u lejua të ankorohej vetëm pas një urdhri të një prokurori publik – kundër dëshirës së ministrit.

Italia është një nga vendet evropiane veçanërisht e prekur nga emigrimi përtej detit.

Salvini e ka përshkruar veten si viktimë të një gjyqësori të politizuar dhe e ka akuzuar atë për persekutim të tij për arsye politike.//a.i/

The post ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌