Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Ronaldo në jaht, Cruz në Greqi/ Kur rehatia personale vlen më shumë se përgjegjësia

By: Iconstyle
8 July 2025 at 18:33

Cristiano Ronaldo dhe Ted Cruz: dy figura të njohura në botë, në fusha krejt të ndryshme, por me një sjellje që ngjason çuditërisht në thelb; shmangie ndaj një përgjegjësie publike, për hir të rehatisë personale. Të dy u gjendën në qendër të vëmendjes për të njëjtën arsye: vendosën të mos e prishin qetësinë e pushimeve, edhe pse përreth tyre kishte dhimbje, krizë dhe pritshmëri.

Në rastin e Ronaldos, gjithçka nisi pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës, bashkëlojtarit të tij në kombëtaren portugeze. Lajmi tronditi gjithë vendin. Varrimi i Jotës ishte një ngjarje e rëndë dhe me shumë simbolikë për futbollin portugez.

Por Ronaldo nuk mori pjesë. Arsyeja zyrtare që dha ishte “për të ruajtur privatësinë e familjes Jota” dhe për të mos krijuar “një spektakël mediatik” që do të tërhiqte vëmendjen nga dhimbja. Një arsye që në letër mund të duket e kuptueshme.

Por situata u komplikua kur, vetëm pak ditë pas varrimit, Ronaldo u fotografua i buzëqeshur në jahtin e tij luksoz, në një destinacion veror, me familjen pranë. Dhe komentet nisën menjëherë. Nëse nuk kishte dashur të tërhiqte vëmendje, pse zgjodhi pikërisht atë moment për t’u shfaqur në mënyrë aq publike? A nuk ishte ky, në vetvete, një “spektakël tjetër”?

Rastësisht, në të njëjtën periudhë, një tjetër figurë publike, këtë herë në politikë, përjetoi një episod të ngjashëm. Senatori amerikan Ted Cruz ndodhej me pushime në Greqi kur përmbytjet masive goditën shtetin e tij, Teksasin. Qindra shtëpi u përmbytën, njerëzit humbën gjithçka, ndërsa senatorit të zgjedhur për t’i përfaqësuar nuk iu prish qetësia.

U fotografua duke vizituar Parthenonin, tempullin e lashtë grek në Akropol dhe pamjet bënë xhiron e botës. Zëdhënësit e tij deklaruan se ai u kthye “sa më shpejt që ishte e mundur”, por dokumentet e fluturimit treguan se mund të ishte kthyer edhe më herët, nëse do të donte.

Kjo nuk ishte hera e parë. Në vitin 2021, gjatë një tjetër krize në Teksas, këtë herë për shkak të temperaturave të acarta që lanë mijëra njerëz pa energji, Cruz u largua me familjen për në Cancun, në Meksikë. I kapi vala e kritikave dhe u kthye vetëm pas presionit publik.

Në thelb, të dy rastet ngrejnë të njëjtën pyetje: a i bën fama njerëzit më pak të ndjeshëm? Kur ke arritur majat, kur je aq i suksesshëm sa Ronaldo në futboll apo Cruz në politikë, a bëhet e lehtë të harrosh përse të ndjekin njerëzit? A krijon fama një flluskë ku përgjegjësitë zbehen dhe rehatia personale merr përparësi ndaj detyrimit moral?

Nuk është qëllimi të gjykojmë me ashpërsi. Askush nuk mund të diktojë si duhet të përballesh me dhimbjen. Por kur je figurë publike, çdo vendim i tillë, sado personal, bëhet gjithmonë politik. Dhe në fund, njerëzit nuk të kujtojnë për çfarë the, por për çfarë bëre… apo nuk bëre. Në këtë rast, të dy nuk bënë. Dhe kjo, edhe pse e trishtë, është shumë më domethënëse sesa çdo fjali që mund të kishin thënë!

The post Ronaldo në jaht, Cruz në Greqi/ Kur rehatia personale vlen më shumë se përgjegjësia appeared first on iconstyle.al.

Jo, nuk është shaka! Njerëzit bien vërtet pa ndjenja nga të qeshurat

By: Iconstyle
7 July 2025 at 17:02

Po, ndodh vërtet që njerëzit mund të humbasin ndjenjat nga të qeshurat, edhe pse është një fenomen relativisht i rrallë. Quhet “laugh syncope”, pra një lloj i sinkopës (humbje e përkohshme e vetëdijes) që ndodh si rezultat i të qeshurës së fortë ose të zgjatur.

Kjo ndodh kur dikush qesh shumë fort:

Presioni në gjoks rritet, gjë që mund të ulë kthimin e gjakut në zemër.

• Kjo mund të ulë presionin e gjakut dhe rrjedhjen e gjakut në tru, duke shkaktuar një humbje të përkohshme të vetëdijes.

• Sistemi nervor autonom reagon, dhe kjo mund të çojë në bradikardi (ngadalësim të rrahjeve të zemrës) ose vasodilatim (zgjerim i enëve të gjakut), që përforcojnë efektin.

Kujt i ndodh më shpesh?

• Personave me probleme të sistemit kardiovaskular ose nervor autonom.

• Atyre që janë të lodhur, dehidruar ose që kanë ngrënë pak.

• Në raste të rralla, edhe njerëz të shëndetshëm mund ta përjetojnë këtë gjatë një shpërthimi ekstrem të të qeshurës.

Ja disa raste të vërteta dhe interesante kur njerëzit kanë humbur ndjenjat nga të qeshurat:

🧑‍⚕️ 1. Rast klinik, “Laugh Syncope” tek një burrë 56-vjeçar

Një burrë i shëndetshëm u paraqit në spital pasi kishte humbur ndjenjat dy herë brenda një muaji, të dyja herët pasi kishte shpërthyer në të qeshura të forta gjatë një shfaqjeje komike në TV.

Ai nuk kishte histori epilepsie apo sëmundje zemre. Pas ekzaminimeve, rezultoi se kishte një forma të rrallë të sinkopës e shkaktuar nga rritja e presionit në kraharor gjatë të qeshurës. Mjekët e quajtën rastin “laugh syncope” dhe e këshilluan të shmangë situatat me humor të tepërt intensiv (po, e mori me sportivitet!).

🎤 2. Fituesja e çmimeve Grammy, Adele

Gjatë një koncerti në Las Vegas në vitin 2023, Adele ndaloi performancën për një moment sepse dikush në audiencë kishte humbur ndjenjat nga të qeshurat pasi ajo bëri një batutë spontane.

Publiku mendoi fillimisht se ishte një aktor për shfaqje.Por më pas u konfirmua që personi u ndihmua menjëherë nga stafi sepse kishte pësuar një episod të “laugh syncope”.

🎬 3. Komediani britanik, Tim Vine

Tim Vine, i famshëm për batutat e tij të shkurtra dhe të shpejta, ka treguar në një intervistë se gjatë një shfaqjeje në Edinburg, një zonjë në rreshtin e parë ra në dysheme nga të qeshurat.

Stafi ndërhyri menjëherë. Pas pak minutash, zonja u rikthye në vetëdije dhe kërkoi të vazhdonte shfaqjen, “nuk doja të humbisja asnjë batutë”, tha ajo më vonë.

Në historinë mjekësore është përshkruar edhe një term tjetër i rrallë, “gelastic seizure”, që nuk është qeshje nga diçka komike, por një formë epilepsie që shkakton të qeshura të pakontrolluara. Kjo ndodh më shpesh tek fëmijët dhe lidhet me një tumor të rrallë në hipotalamus të quajtur “hamartoma”.

Në fund të ditës, e qeshura është ilaç, por si çdo gjë tjetër, edhe ajo me tepricë mund të bëhet… e fortë për zemrën! 😄

/iconstyle.al

The post Jo, nuk është shaka! Njerëzit bien vërtet pa ndjenja nga të qeshurat appeared first on iconstyle.al.

Kur fëmijët abuzohen seksualisht… A duhet të rikthehet dënimi me vdekje?

By: Iconstyle
1 July 2025 at 18:30

Një ngjarje makthi ka tronditur Shqipërind. Në Patos, një vajzë vetëm 12 vjeçe ka denoncuar babain e saj, duke rrëfyer përdhunim sistematik që në moshën 5-vjeçare.

Në dëshminë e saj, e mitura ka treguar para një psikologeje se abuzimi ka ndodhur edhe kur familja ndodhej në Gjermani. Ajo u largua nga banesa në orët e para të mëngjesit dhe kërkoi ndihmë te fqinjët. Në polici, tregoi gjithçka. Ndërkohë, babai, 36-vjeçari Zamir Meta, ka pranuar marrëdhënien seksuale me vajzën, por pretendon se ka ndodhur “vetëm një herë”.

Nëna e vajzës, me lot në sy, deklaroi: “Vajza më tregoi gjithçka. Është vetëm 12 vjeç. E kishte përdhunuar që kur ishte 5 vjeçe. Dua të kalbet në burg. Unë nuk e dua më.”

Ky rast është një ndër më të rëndët që është raportuar ndonjëherë. Por, për fat të keq, nuk është i vetmi. Ngjarje të tilla, ku fëmijët abuzohen seksualisht nga vetë prindërit, të afërmit apo kujdestarët, po shtohen ndjeshëm.

Dhe jo vetëm në Shqipëri. Ky është një fenomen global që po rritet me shifra alarmante. Në shumë vende të botës, qytetarët kërkojnë ndëshkime maksimale, pa mëshirë dhe pa asnjë ulje dënimi për përdhunuesit e fëmijëve. Disa kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje.

Por a është kjo një zgjidhje?

Në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq përfundimisht në vitin 2007, në përputhje me Protokollin nr. 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon këtë formë ndëshkimi në çdo rrethanë. Që prej asaj kohe, burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i rëndë i parashikuar në Kodin Penal.

Në Europë, dënimi me vdekje është i ndaluar në të gjitha vendet. Në SHBA, ai aplikohet në disa shtete, por jo për përdhunim fëmijësh, përveçse kur akti përfundon me vrasje/vdekje.

Pra, edhe pse ndjesia e drejtësisë kërkon ndëshkimin më ekstrem për raste si ky, ligji ndërkombëtar dhe angazhimet e shtetit shqiptar nuk lejojnë më rikthimin e tij.

Atëherë, çfarë zgjidhje kemi?

A është momenti për të kërkuar burgim të përjetshëm pa kusht, pa ulje, pa dalje me sjellje të mirë?

A duhet të aplikohen masa të jashtëzakonshme, ku autorët e krimeve seksuale ndaj fëmijëve të izolohen përgjithmonë, pa kontakt me jashtë, pa shpresë për liri?

A duhet të investohet më shumë në parandalim, psikologji, edukim dhe identifikim të hershëm të viktimave?

A mundet një shoqëri që hesht, të mbrohet nga barbaritë që ndodhin në heshtje, brenda familjes?

Në këtë pikë, duam t’ju pyesim ju, lexuesit tanë:

A është i nevojshëm rikthimi i dënimit me vdekje në raste abuzimi seksual me të mitur?

Na tregoni mendimin tuaj. Sepse vetëm kur shoqëria reagon, ligji mund të ndryshojë. Dhe vetëm kur drejtësia vihet në vend, viktimat mund të fillojnë të shërohen.

The post Kur fëmijët abuzohen seksualisht… A duhet të rikthehet dënimi me vdekje? appeared first on iconstyle.al.

Zëri i Pedonales, Krist Karkanaqe rikthehet mes kalimtarëve

By: Iconstyle
30 June 2025 at 20:18

Kristi Karkanaqe, i lindur më 25 Dhjetor 1992, i njohur si artisti i parë që këndoi në rrugët e Shqipërisë është rikthyer sërish në pedonalen e qytetit të Tiranës, aty ku vite më parë nisi rrugëtimin e tij si këngëtar. Sot, rreth një dekadë më pas, ai qëndron sërish me mikrofon në dorë dhe një boks të zi pranë tij, duke kënduar për këdo që kalon e dëshiron ta dëgjojë.

Njerëzit, sado larg të shkojnë, gjithmonë do të kthehen te e vjetra, aty ku ka rrahur më fort zemra dhe ku pasioni i tyre ka lënë gjurmën më të thellë.

E prandaj Kristi tregon se pavarësisht viteve që kanë kaluar që prej momentit të fundit kur ai ka kënduar në rrugë, emocionet që ndjen sot janë po aq të forta sa në fillim. Edhe fitimet, sipas tij, janë të ngjashme, si në aspektin financiar edhe në mënyrën se si ai vlerësohet nga njerëzit. Ai thotë se paratë që mblidhen në kapelën e tij janë më të sinqerta se çdo pagesë tjetër, sepse vijnë nga publiku i drejtpërdrejtë, pa filtra dhe pa ndërmjetës.

Për Kristin, zgjedhja për t’u rikthyer në rrugë është një veprim i mirëmenduar dhe se kjo është forma më e vërtetë e të shprehurit dhe e lidhjes me publikun që ka provuar në jetë. E këtë e kuptoi më qartë gjatë viteve që e ndërpreu dhe e la pas.

“Pedonalja, qyteti, arti i rrugës ka rregullat e tij,” thotë ai. Për të, kjo hapësirë publike nuk është thjesht një vend për të kënduar, por një vend që kërkon cilësi. Artistët që këndojnë këtu duhet të dinë të sjellin një muzikë që i shkon për shtat një qyteti europian si Tirana. Kristi pas gjithë këtyre viteve përvojë e vëzhgim mendon se jo kushdo mund të performojë aty, sidomos kur përballesh çdo ditë me turistë dhe kalimtarë të panjohur që kërkojnë diçka ndryshe. Edhe pse pamja e tij ka ndryshuar me kalimin e viteve, mbetet po aq i njohur dhe i afërt për kalimtarët. Njerëzit ndalen, e njohin dhe e dëgjojnë me të njëjtin kuriozitet dhe ndjeshmëri si dikur.

Kristi Karkanaqe është ndër artistët e parë që ka bërë art në rrugët e vendit tonë. Por marrëdhënia e tij me publikun nuk ka filluar në pedonale, por në moshën 6-vjeçare, në cirkun e Tiranës, ku ai ishte pjesë e trupës për fëmijë, një pasion që e vazhdon edhe sot. Që nga ajo kohë, publiku nuk ishte më diçka e panjohur për të.

Duke u rritur, ai kishte gjithmonë dëshirën për të ndihmuar veten e familjen, prandaj për një periudhë gjatë fillimit të adoleshencës, Kristin e vogël mund ta shihje me një tufë me tullumbaca shumëngjyrëshe, duke shitur në hapësirën e gjelbër buzë Liqenit Artificial të Tiranës.

Aty kur u rrita pak, vendosa që t’i kërkoj mamit lekë të ble një boks muzike dhe me të kam shëtitur jo vetëm Shqipërinë por shumë vende në botë”, tregon ai për nisjen e artit të rrugës.

Fillimisht, djali aventurier i familjes Karkanaqe udhëtoi drejt Napolit, duke marrë me vete boksin e blerë me lekët e të ëmës, si edhe mikrofonin. Ai gjeti një mënyrë më efikase për të shkuar “rehat dhe lirë”, dhe ajo ishte udhëtimi me traget.

Vetëm me traget mendova që mund ta merrja boksin dhe mikrofonin atëherë, dhe prandaj preva biletën dhe u nisa.”  

Ai tregon se artin e tij e ka shëtitur edhe në rrugët e Kosovës, Malit të Zi, Italisë, Spanjës, Zvicrës e Gjermanisë.

Kristi pati kulmin e famës në moshën 22-vjeçare, atëherë kur ishte një djalë ende shumë i ri dhe nuk e kishte menduar se gjithë Shqipëria do ta njihte. E puthnin vajza, gra, nëna; e komplimentonin shumë gjyshër dhe mbi të gjitha, të gjithë linin diçka në kapelen e tij të vendosur në rrugë. Sot, kur Kristi ka kaluar të 30-at, i referohet famës si diçka e lodhshme dhe mendon se fama në moshë të vogël është pak problem prandaj edhe sot është disi i distancuar.

Bëra shumë lekë”, tregon Kristi. Gjithashtu ishte vetë ai që menaxhonte karrierën e tij. Pikërisht ky vetëmenaxhim e bënte situatën ndoshta disi të komplikuar. “Është një pasojë e mungesës së mbështetjes profesionale që u mungon shpesh artistëve të rinj”, pohon këngëtari.

Kur bie fjala te arti e artistët mesa duket Kristi Karkanaqe që prej fillimeve të karrierës e deri më sot është ndeshur disi me mbështetjen e pakët të tregut muzikor ndaj tij. Ka pasur momente që në karrierën e tij, artistët janë gjendur kundër njëri-tjetrit dhe jo krah për krah, siç një artist i ri mendon se duhet të jetë. Ai ka marrë pjesë në disa emisione në televizionet shqiptare, por pas këtyre viteve shkëputje do t’i rikthehej vetëm nëse do të ishte një projekt që ai, si një karakter emocional, do ta ndjente.

E ndërkohë që flasim për kohët e vjetra, kthejmë sytë nga jeta e tij momentale. Jetesa në Shqipëri nuk është shumë e lehtë për këdo, prandaj ai punon dhe disa punë paralele që ia lehtësojnë jetën Kristit por edhe familjes së tij. Dikur një djalë i ri, Kristi Karkanaqe sot ka pranë vetes një djalë 3-vjeçar, Noin. Një vogëlush me flokë ngjyrë të artë, duket se tashmë do të trashëgojë aftësinë dhe pasionin e të atit. “Fjalët e tij të para kanë qenë në formën e një melodie, dhe në kohën e lirë që kalojmë së bashku, mundohem që t’i këndoj, pavarësisht se ai është ende i vogël”, shton Kristi.

I referohet dashurisë si një ndjenjë të cilën nuk e drejton dot, por është ajo që të drejton ty. Ai mendon se njerëzit sot kanë humbur ndjeshmërinë ndaj dashurisë së vërtetë dhe janë më të prirur drejt gjërave të shpejta dhe sipërfaqësore. Ndërsa vetë e konsideron veten një person emocional dhe tepër të ndjeshëm, që i përjeton thellë gjërat.

Kur flasim për emocione, mendojmë ngjarjet ndoshta disi të vështira në jetë që mund të kalojë kushdo. Kristi Karkanaqe ka një karakter të brishtë, por shumë aventurier, që nuk e lejon veten të bëhet shpesh pre e emocioneve negative. Ai ka pasur vetëm një moment të vështirë në 33 vitet e jetës, por për të psikologu më i mirë i vetes je vetë, duke bërë gjërat që do.

Ai adhuron të udhëtojë dhe të njohë kultura të reja, prandaj në mendjen e tij vërtitet një plan për të pasur një camper, i cili do të bëhet pasioni i tij i tretë që do ta ndjekë këmba këmbës. Ndoshta ky pasion, së bashku me këngën e shfaqjet e cirkut, do të “qetësojnë” jetën momentale të Kristit, i cili i referohet jetës së tij si “lëmsh”.

Disa vite të jetës së tij Kristi Karkanaqe ka ndjekur një shkollë jo shpesh të dëgjuar, Teologjinë. Teologjia është shkenca që merret me studimin e Zotit, fesë dhe besimeve fetare. Një periudhë kohe ai ka ndjekur rregullisht fenë e tij të krishterë, atje ku gjente paqe e qetësi, por tani nuk e viziton më Kishën, ashtu siç për vite me radhë ai si artist nuk vizitoi pedonalen e kryeqytetit.

Në një jetë që shpesh ngjan si “lëmsh”, ai gjen rregull dhe qetësi sapo në pedonale vendoset mikrofoni dhe boksi që e kanë shoqëruar për vite me radhë. Pedonalja nuk është thjesht një vend pune për të, por është një mënyrë jetese, një formë e të qenit i lirë, i sinqertë dhe i vërtetë me veten.

Nuk e di se për sa vite do të jem këtu,” thotë ai me një buzëqeshje të qetë, “por çdo ditë kur vij, ndjej se jam pikërisht aty ku duhet.”

Shkruar nga: Rafaela Xhaja    

The post Zëri i Pedonales, Krist Karkanaqe rikthehet mes kalimtarëve appeared first on iconstyle.al.

Kur fëmija bërtet, kush dëgjon? Shqipëria që sheh, por nuk reagon

By: Iconstyle
19 June 2025 at 12:27

Një djalë i vogël, vetëm 4 vjeç, ndalet për të luajtur disa hapa larg prindërve të tij që shëtisin buzë detit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Një i ri i afrohet, e merr në krahë me rrëmbim dhe largohet në drejtim të kundërt. Në pak sekonda, pushimi familjar kthehet në makth. Pamjet e filmimit amator janë tronditëse. Prindërit e kuptojnë çfarë po ndodh, reagojnë me vrap dhe arrijnë ta ndalojnë. I riu thotë se “e ngatërroi, mendoi se djali kishte humbur”. Por askush nuk e di nëse ky ishte një keqkuptim i tmerrshëm… apo një tentativë që për pak nuk u kthye në tragjedi.

Pak ditë më parë, në një zonë të banuar të Tiranës, një tjetër rast rrëqethës tronditi shoqërinë. Vajza 6-vjeçare e detektives private, Shkënda Lili, bie pre e një tentative rrëmbimi. Një grua e panjohur, rreth të pesëdhjetave, i afrohet të miturës në hyrje të pallatit, i ofron çokollata dhe më pas përpiqet ta tërheqë me forcë. Ndërhyrja e disa fqinjëve shmang më të keqen. Autorja largohet. Policia është ende në kërkim të saj.

Tabloja bëhet edhe më e zymtë, kur në rrjet qarkullon një video eksperimentale e realizuar në Tiranë me lejen e Policisë së Shtetit. Një aktor mashkull simulon rrëmbimin e një vajze të mitur, gjithashtu aktore. Vajza bërtet për ndihmë, ai e tërheq me forcë. Dhjetëra kalimtarë e shohin skenën, asnjëri nuk ndërhyn. Askush nuk afron një hap. Nuk pyet, nuk nxiton, nuk thërret për ndihmë. Disa flasin mes tyre. Disa shikojnë të hutuar. Por asnjë nuk guxon të veprojë.

 

@homelandalbania Vogëlushja “rrëmbehet” në mes të ditës në Tiranë, si reagojnë kalimtarët? __ ⚠ Kujdes: Ky është një eksperiment social! Të gjitha skenat janë të simuluara. Fëmija dhe i rrituri janë aktorë dhe janë pjesë e eksperimentit. Asnjë person nuk ka qenë realisht në rrezik. Ky projekt është realizuar me lejen dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit, me qëllim edukimin dhe informimin e qytetarëve për të reaguar si duhet në situata të ngjashme. 📞 Në rast se jeni dëshmitarë të një situate të ngjashme reale, kontaktoni menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129. __ Për të ndjekur videon e plotë klikoni në kanalin tonë zyrtar në Youtube të “Homeland Albania” #homelandalbania #schocking #socialexperiment #tirana #albania #kidnapped #experiment ♬ original sound – HomelandAlbania

Dhe ja ku jemi. E vërteta e dhimbshme është kjo: kemi ndalur së ndjeri!

Jo vetëm ndaj fëmijëve. Por ndaj gjithkujt. Ndaj hallit të tjetrit. Ndaj dhimbjes që nuk na përket drejtpërdrejt. Ndaj padrejtësive që nuk na kapin ne vetë për krahu. Edhe kur dikush bërtet në rrugë për ndihmë, nuk afrohemi. Edhe kur dikush proteston për drejtësi, nuk bashkohemi. Edhe kur një qytetar, një grua, një nënë, një fëmijë është në rrezik, nuk guxojmë të ndërhyjmë.

Kemi krijuar një iluzion sigurie në vetvete, ku gjithçka jashtë vetes është “punë e tjetrit”. Nuk reagojmë se “s’ka ç’na duhet ne”. Nuk flasim se “s’na përket”. Jemi shkëputur nga ideja më e thjeshtë: që për të qenë njerëzor, nuk të duhet asnjë ftesë zyrtare. Të duhet vetëm zemra.

Fatkeqësisht, kemi mbërritur në një pikë ku askush nuk e ndjen më urgjencën morale për të bërë diçka. Për të vepruar. Për të marrë përgjegjësi jo ligjore, por njerëzore. Kjo është më e rrezikshme se çdo ligj i munguar. Sepse, në fund të fundit, ligjet nuk shpëtojnë jetë, reagimi i menjëhershëm i njerëzve po.

Sepse jo, nuk është vetëm detyra e policisë të ndalojë një rrëmbyes. Është detyra e parë e qytetarit që ndodhet pranë. Është refleksi i një shoqërie të shëndetshme që reagon menjëherë kur sheh rrezik. Dhe nëse ky refleks mungon, atëherë ne nuk kemi më shpresë për drejtësi, për siguri, për dinjitet.

Nëse nesër është fëmija yt, a do të duash që të tjerët të mbyllin sytë?

Ndaj, nuk mund të presim më që tragjeditë të na trokasin në derë që të kujtohemi për njerëzinë. Duhet të ndërgjegjësohemi. Të ngrejmë zërin. Të guxojmë. Të veprojmë. Të hapim zemrën. Të bashkohemi. Nuk është turp të ndërhysh. Turp është të shohësh dhe të mos bësh asgjë.

Nëse shihni një situatë të dyshimtë, nëse dikush sillet në mënyrë të pazakontë me një fëmijë, nëse një i mitur duket i frikësuar, i vetëm, i tërhequr apo po thërret për ndihmë, mos prisni që ta bëjë dikush tjetër.

📞 Telefononi menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129.

Telefonata jote mund të jetë gjithçka që bën dallimin mes frikës dhe shpëtimit. Një shoqëri e vërtetë nuk ndërtohet me heshtje, por me zemër, me reagim, me guximin për të thënë: po, është edhe puna ime!

The post Kur fëmija bërtet, kush dëgjon? Shqipëria që sheh, por nuk reagon appeared first on iconstyle.al.

Kur bebet kthehen në “content”: Loja e gjinive, rrjetet sociale dhe një reflektim i munguar

By: Iconstyle
17 June 2025 at 14:50

Në epokën ku çdo moment personal transmetohet “live”, edhe lindja e një fëmije nuk i shpëton dot ekranit. Influencuesja Eliona Pitarka është bërë nënë për herë të tretë, një gëzim i madh që padyshim ka emocionuar shumë ndjekës. Por ajo çfarë pasoi pas këtij lajmi të bukur, ndezi një debat publik për një çështje më të madhe: deri ku shkon ekspozimi i fëmijëve në rrjet?

Pasi mbajti të fshehtë gjininë gjatë gjithë shtatzënisë (një zgjedhje personale dhe e respektueshme) Eliona publikoi menjëherë pas lindjes një quiz në Instagram ku ndjekësit ftoheshin të gjenin: është vajzë apo djalë?

Një moment që për disa u duk si një mënyrë kreative për të ndarë lajmin, për shumë të tjerë u perceptua si një vazhdim i lojës me ndjenjën e kuriozitetit, tashmë në kurriz të një foshnje të porsalindur.

Ndarje gëzimi apo ndarje për algoritmin?

Në një shoqëri ku emocionet ndahen me filtra, është gjithnjë e më e vështirë të kuptohet nëse një postim është reflektim i një ndjenje të sinqertë, apo një strategji për angazhim. Kjo ndarje bëhet edhe më e ndjeshme kur përfshihet një fëmijë, një qenie që ende nuk ka mundësi të japë pëlqimin apo të kuptojë çfarë ndodh me imazhin e tij në internet.

Pjesa më e madhe e komenteve nën postimin e Elionës nuk ishin as urime, as kritika personale, por reflektime të shoqërisë ndaj një fenomeni që po përhapet gjithnjë e më shumë: kthimi i bebeve në pjesë të pandashme të “content-it” ditor.

 

Influenca si profesion dhe kufijtë e ekspozimit të të miturve

Askush nuk mohon që të qenit influencues është sot një profesion më vete. Por, një pjesë e ndjekësve në Shqipëri po ngrenë shqetësimin se përdorimi i fëmijëve si pjesë e këtij “produkti online” po tejkalon çdo kufi. Komente si “i kanë kthyer bebat në biznes”, “nuk janë më fëmijë, janë quiz-e online”, apo “shijojeni për vete, jo për botën” janë shenja të një lodhjeje kolektive ndaj spektaklit të pandërprerë në rrjet.

Po jashtë Shqipërisë, çfarë ndodh? A ka pasoja ligjore?

Në vende si Franca dhe Gjermania, mbrojtja e privatësisë së fëmijëve është e rregulluar ligjërisht. Prindërit që publikojnë në mënyrë të tepruar apo komerciale imazhin e fëmijëve mund të përballen me sanksione, ndalime publikimi apo dhe gjoba, veçanërisht në rastet ku postimet perceptohen si shkelje të të drejtave të të miturve.

Në Francë, Kodi Civil parashikon të drejtën e fëmijës për të mbrojtur imazhin e tij – dhe në të ardhmen, një fëmijë mund të kërkojë edhe dëmshpërblim ndaj prindërve, nëse ndihet i cënuar nga postimet e fëmijërisë së tij.

Në Shqipëri? Ky debat është ende në hapat e parë.

Ky artikull nuk ka për qëllim të gjykojë një nënë të re në ditët e para të gëzimit të saj. Përkundrazi, është një ftesë për të gjitha nënat, prindërit, dhe sidomos për figurat publike që ndikojnë në opinion: të ndalemi dhe të pyesim veten: po e ndaj këtë moment për vete apo për botën? Për gëzim apo për klikime? Për kujtim apo për shikueshmëri?

Sepse përpara se të jetë “content”, një fëmijë është një shpirt i pastër që ka nevojë për mbrojtje. Jo për kureshtjen e publikut. Dhe sigurisht, jo për algoritmin.

Lindja është mrekulli. Dhe nëse zgjedhim ta ndajmë këtë moment me të tjerët, le ta bëjmë me dashuri. Me maturi. Dhe mbi të gjitha, me ndjeshmëri njerëzore, që shpesh harrohet pas ekranit.

/iconstyle.al

The post Kur bebet kthehen në “content”: Loja e gjinive, rrjetet sociale dhe një reflektim i munguar appeared first on iconstyle.al.

Kur fjala të kushton miliarda: Elon Musk ‘u pendua’ papritur për deklaratat ndaj Trump, por ç’luhet pas?

By: Iconstyle
11 June 2025 at 13:42

Ashtu siç filloi si një miqësi e papritur, përplasja mes Elon Musk dhe Donald Trump mori një kthesë të re, befasuese, por shumë amerikane: falje publike, heshtje strategjike dhe sinjale për një ribashkim të mundshëm. Pas disa javësh tensionesh, akuzash të ashpra dhe humbjesh marramendëse në tregje, duket se gjërat po kthehen në shinat e vjetra.

Musk, i cili vetëm pak ditë më parë quante projektligjin e Trump-it “një abominacion të neveritshëm” dhe mbështeste hapur thirrjet për shkarkimin e tij, papritur ndaloi. Në një postim të sotëm, ai shkroi:

“Më vjen keq për disa nga postimet që bëra për Presidentin Trump javën e kaluar. E teprova.”

Një frazë e shkurtër, por me shumë peshë politike dhe biznesi.

Por pendesa nuk u kufizua vetëm në fjalë. Musk filloi të ndryshojë edhe tonin e përmbajtjes që shpërndan në rrjet. Një nga postimet e tij më të spikatura pas faljes ishte një video nga protestat në Los Angeles, ku shkruante:

“Kjo është ajo që ndodh kur mungon rendi dhe ligji.”

Një frazë që përputhet plotësisht me diskursin politik të Trump-it mbi sigurinë dhe kontrollin publik – dhe që u interpretua gjerësisht si një sinjal për afrim të qëllimshëm pas përplasjes.

Me këtë lëvizje, Musk nuk u tërhoq vetëm nga konflikti, por dha një mesazh të heshtur se është gati të rihyjë në orbitën politike të Trump, ndoshta për të mbrojtur interesat e tij, ndoshta për të ruajtur fuqinë e ndikimit të vet personal.

Falja nuk erdhi pa arsye. Gjatë përplasjes, aksionet e Tesla-s ranë me 14%, duke i zhdukur Musk-ut rreth 34 miliardë dollarë pasuri në një javë të vetme. Ndërkohë, Trump kërcënoi me anulim kontratash qeveritare për kompanitë e tij, përfshirë Starlink dhe SpaceX. Gjithashtu, akuzat e Musk për përfshirjen e Trump në dosjet e Epstein, të publikuara në X (ish-Twitter), krijuan një tronditje të panevojshme që ndikoi si në imazhin e Musk, ashtu edhe në sigurinë e bizneseve të tij me Pentagonin.

Nga ana tjetër, Trump nuk i ngacmoi më tej plagët. Ai reagoi me një lloj falënderimi të heshtur: sipas burimeve pranë stafit të tij, “e vlerëson kthimin e Elon-it në arsyetim të shëndoshë.” Në disa deklarata të fundit, presidenti nuk e ka përmendur më Musk-un në kontekst negativ, dhe madje ka ripostuar disa publikime që lavdëronin sukseset e SpaceX.

Kjo zbutje mes palëve nuk ka kaluar pa u vënë re. Një takim telefonik mes tyre është në diskutim dhe analistët nuk përjashtojnë mundësinë që Musk të rikthehet si një zë me ndikim në orbitën politike të Trump për zgjedhjet e vitit 2026. Ai mbetet një nga individët më me ndikim në teknologji, opinion publik dhe, pavarësisht gjithçkaje, një aset i vlefshëm për çdo fushatë që kërkon të shfaqet “pro-biznes” dhe “anti-establishment”.

Por ky rikthim i marrëdhënies ka edhe hijet e veta. Shumë ndjekës në rrjete sociale e kanë kritikuar Musk-un për këtë kthesë, duke i kërkuar llogari për deklaratat e mëparshme, veçanërisht për përmendjen e dosjeve të Epstein-it. Një koment viral nën postimin e tij ishte: “A gënjeve për Trump-in apo po të kërcënojnë? Zgjidh një. Ai nuk ka dhënë ende një përgjigje të qartë.

Një gjë është e sigurt: aty ku ndërthuren politika, biznesi dhe egot më të mëdha të epokës moderne, gjithçka është e mundur – madje edhe që Musk dhe Trump të bëhen sërish aleatë në emër të interesit të përbashkët. Dhe nëse kjo ndodh, do të jetë më shumë se një pajtim personal. Do të jetë një lëvizje që mund të rishkruajë dinamikën e pushtetit në SHBA.

The post Kur fjala të kushton miliarda: Elon Musk ‘u pendua’ papritur për deklaratat ndaj Trump, por ç’luhet pas? appeared first on iconstyle.al.

‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd

By: Iconstyle
11 June 2025 at 12:40

“Ju lutem, hajdeni!”. Klithma vjen nga Jala, nga një grua që filmon me duar që i dridhen ndërsa dikush tjetër nxirret me barrelë nga rrënojat e një ndërtese pa leje në bregdet, të shembur nga shteti. Në video, malli ende brenda. Pluhur, zhurmë, panik. E ndërsa zëri i saj përhapet në rrjet, një pyetje qëndron pezull: Kush të vijë?

Sepse në këtë vend, thirrjet për ndihmë janë të shumta, por përgjigjet gjithmonë të pakta. Nuk mungojnë rastet, por ndjeshmëria kolektive. Ajo ndjenjë që të shtyn të lësh shtëpinë, të dalësh në rrugë, të qëndrosh për dikë që nuk je ti.

Në Shqipëri, rrallëkush shfaqet kur diçka nuk e prek drejtpërdrejt. Kjo është fytyra e shoqërisë sonë: protestat janë gjithmonë me pak njerëz dhe shumë arsye. S’kanë munguar thirrjet për mësuesit, për TikTok-un, për fëmijët e helmuar në Gramsh, për bypass-in e Kaninës, për ujësjellësin e Dukatit, për banorët e Krujës e Fushë-Krujës që kërkonin dalje në autostradë, për gratë e dhunuara, për fshatrat që betoni po i gërryen. Por kush ka dalë për këto kauza, kur nuk është ndjerë i prekur personalisht?

Shqiptarët presin që dikush tjetër të shfaqet për ta. Dhe kur nuk shfaqet askush, tërhiqen edhe ata që ndoshta do donin të besonin. Të vetmit që qëndrojnë janë disa aktivistë të palodhur, zëri i të cilëve mbytet shpesh nga indiferenca e përgjithshme.

Në këtë realitet, thirrja e dëshpëruar “Ju lutem, hajdeni” është pasqyra ku shohim atë që jemi bërë: një shoqëri që ka humbur ndjeshmërinë e përbashkët, ndjesinë e bashkëjetesës në komunitet.

Brenda kësaj amullie, ka vend edhe për votën e shitur. Jo si çështje politike, por si simptomë e së njëjtës krizë. Sepse kur voton për një thes miell, nuk mendon për të nesërmen e askujt, as për tënden. Mjafton të jesh rehat tani. Pastaj, kur vjen rrëzimi, thërret. Por askush nuk përgjigjet.

Kështu ndodhi edhe në Jalë. Sot është ajo, nesër një tjetër. Por drama është njësoj. Klithma është e njëjtë. Heshtja është e zakonshme.

Shqipëria është një vend ku askush nuk vjen për askënd. Sepse të gjithë janë të zënë duke menduar për veten. Solidariteti nuk është një rrugë që shkel vetëm kur të djeg ty. Sepse kur ti nuk je për të tjerët, askush nuk do jetë asnjëherë për ty!

The post ‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd appeared first on iconstyle.al.

“Gjenerata që po i thotë ‘jo’ alkoolit”: Si Gen Z po ndryshon kulturën e konsumit dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen

By: Iconstyle
10 June 2025 at 18:39

Në një kohë kur imazhi i të rinjve me gotën në dorë ishte thuajse universal, Gjenerata Z po përmbys pritshmëritë. Të lindur mes viteve 1997 dhe 2012 nuk po pinë si brezat e mëparshëm. Të dhënat e publikuara nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës flasin qartë: Boomers shpenzojnë mbi 25 miliardë dollarë në vit për pije alkoolike, ndërsa Generation X dhe Millennials rreth 23 miliardë. Ndërkohë, Gen Z? Vetëm 3.13 miliardë dollarë. Një diferencë që nuk mund të justifikohet vetëm me moshën.

Në rrënjët e kësaj rënieje qëndron një ndryshim thelbësor në mënyrën si të rinjtë e sotëm i konceptojnë marrëdhëniet, argëtimin, dhe vetë idenë e “të qenit mirë”. Nuk është më një akt rebelimi apo pjekurie të porosisësh një birrë. Në fakt, për shumë të rinj sot, përfshirja në një stil jetese pa alkool është më shumë një deklaratë për vetëdije, mirëqenie dhe kontroll personal. Gjenerata Z e lidh alkoolin me ankthin, depresionin, dhe shpesh me vendime të pakujdesshme që rrjedhin prej konsumit të tij. Një pjesë e madhe e tyre, mbi 45% sipas disa sondazheve, thjesht nuk pinë fare. Jo për shkak të ndalimeve ligjore, por sepse nuk e ndjejnë si pjesë të jetës së tyre.

Shifrat tregojnë se shqetësimi për shëndetin mendor është në qendër të këtij ndryshimi. Gati gjysma e të rinjve që shmangin alkoolin thonë se e bëjnë për të ruajtur balancën psikologjike. Për më tepër, ata që përfshihen në zakone të kontrolluara si “zebra striping”- alternimi i pijeve me alkool dhe pa alkool në të njëjtin event. Rritet kërkesa për mocktails, kombucha, pije artizanale jo-alkoolike dhe alternativa që nuk të lënë kokën të rëndë e llogarinë bosh.

Ekonomia luan gjithashtu një rol kyç. Gjenerata Z është gjenerata më e ngarkuar me borxhe studentore, me çmime të papërballueshme qirash dhe me perspektiva të paqarta punësimi. Në këtë kontekst, ideja e të shpenzuarit qindra dollarë në natë me gota alkooli e humb shpejt shkëlqimin. Një sondazh tregoi se 55% e të rinjve pendohen për shpenzimet që kanë bërë me alkool dhe 29% janë përballur me borxhe pikërisht prej tyre. Në këtë realitet, zgjedhja për të mos pirë nuk është vetëm një vendim etik apo shëndetësor, është edhe një akt ekonomik i vetëdijshëm.

Ky ndryshim po trondit themelet e industrisë globale të alkoolit. Markat tradicionale, nga birrat deri tek verërat luksoze, po përpiqen të përshtaten me shijen e një brezi që nuk është më i interesuar për imazhin klasik të “fun me gotën në dorë”. Disa marka kanë nisur të hedhin në treg produkte pa alkool, me zero sheqer dhe me dizajn që flet gjuhën vizuale të Gen Z.

A është ky ndryshim i përkohshëm, apo po përballemi me një transformim të pakthyeshëm kulturor?

Nga njëra anë, reduktimi i konsumit të alkoolit mund të sjellë pasoja pozitive madhore për shëndetin publik. Më pak aksidente rrugore, më pak dhunë në familje, më pak raste varësie. Një shoqëri me më shumë vetëdije për trupin dhe mendjen. Nga ana tjetër, lindin pyetje të reja. A do të zëvendësohet alkooli me substanca të tjera si marihuana, që gjithashtu po fiton terren mes të rinjve? A po i largohemi vërtet problemeve apo thjesht po i zëvendësojmë me forma të reja?

Megjithatë, ajo që po ndodh me Gen Z është një kthesë filozofike ndaj mënyrës si ne e kuptojmë mirëqenien, argëtimin dhe maturinë. Është një sinjal se kultura e “të zbrazurit shishen për t’u ndjerë të plotë” nuk funksionon më. Pozitive apo negative? Ndoshta është thjesht ndryshe. Dhe ndoshta, ndryshe është ajo që i duhej prej kohësh edhe kulturës sonë të konsumit!

The post “Gjenerata që po i thotë ‘jo’ alkoolit”: Si Gen Z po ndryshon kulturën e konsumit dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen appeared first on iconstyle.al.

“I hedhin me motor turistët”/Gjarpërinjtë dhe teoritë sabotuese po kafshojnë turizmin shqiptar

By: Iconstyle
10 June 2025 at 17:00

Në një vend ku vera është sinonim i turizmit, pushimit dhe gjallërisë në bregdet, pak kush do të imagjinonte se në qendër të vëmendjes do të viheshin… gjarpërinjtë. E megjithatë, ky është realiteti që ka shpërthyer në Shëngjin e Velipojë këto ditë. Qytetarë të shqetësuar po ndajnë video, foto dhe përshkrime të detajuara mbi një prani të pazakontë të gjarpërinjve nëpër rrugë, trotuare dhe madje pranë zonave të frekuentuara nga pushuesit.

Një qytetare që po udhëtonte me makinë në këtë aks rrugor tregoi se gjatë një pjese të rrugës pa të paktën shtatë apo tetë gjarpërinj që kalonin asfaltin në qetësi të plotë. Në një tjetër rast, një grua ka deklaruar se është pickuar dhe ka kaluar 12 ditë në reanimacion në gjendje të rëndë. Tashmë, kjo është një situatë që po shqetëson publikun dhe po krijon ndjesi të forta pasigurie.

Ajo që bie menjëherë në sy, përveç vetë rrezikut fizik, është mosbesimi masiv ndaj institucioneve dhe mungesa totale e një sqarimi zyrtar. Në komente, qytetarët nuk ngurrojnë të shprehen se ky është një sabotim i qëllimshëm. Disa fajësojnë turistët me motorë që “kanë sjellë gjarpërinjtë në çanta”, të tjerë përmendin shërbime sekrete të huaja që duan të pengojnë zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Këto teori nuk janë të reja. Qarkullojnë prej vitesh, sidomos gjatë stinëve të verës, kur gjarpërinjtë shfaqen në mënyrë më të dukshme. Prej më shumë se një dekade, në rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme përmenden Serbia dhe Greqia si burime të mundshme të një “importi të qëllimshëm” të zvarranikëve. Problemi madhor qëndron tek pasojat e futjes së një specieje në një mjedis që nuk e ka evoluar natyrshëm për ta përballuar.

Gjarpërinjtë, sado të rëndësishëm të jenë në një ekosistem të vetin, kur futen në një ekosistem të huaj mund të bëhen jashtëzakonisht të dëmshëm. Përshtatja ekologjike kërkon mijëra vjet, dhe futja e një specie të re, qoftë edhe një zvarraniku, mund të destabilizojë balancën biologjike të një territori të tërë.

Gjarpërinjtë janë grabitqarë natyralë. Ata mund të zhdukin zogj të vegjël, bretkosa, brejtës të vegjël që luajnë rol të rëndësishëm në shpërndarjen e farave apo në ciklin e tokës. Në zona rurale, mund të përbëjnë rrezik për blegtorinë, për fëmijët dhe për ata që punojnë tokën. Nëse pickimet fillojnë të shtohen, ngarkohet sistemi shëndetësor, rritet paniku dhe krijohet një klimë mosbesimi që përhapet më shpejt se vetë zvarranikët.

Kjo ka ndodhur në shumë vende të botës: gjarpërinjtë invazivë kanë zhdukur zogj, brejtës dhe zvarranikë autoktonë, kanë ndryshuar ciklet e riprodhimit të specieve të tjera dhe kanë shkaktuar një varfërim të ndjeshëm të biodiversitetit. Në një vend si Shqipëria, ku kontrolli ekologjik dhe monitorimi i faunës janë minimalë, futja e një specieje të re është rrezik serioz që mund të kalojë pa u kuptuar deri sa të jetë shumë vonë.

Ka edhe nga ata që mendojnë se ndokush nga brenda vendit po i hedh qëllimisht për të krijuar panik, për të frenuar zhvillimin lokal apo për të zhvendosur interesat turistike diku tjetër.

Një pushues që has në rrugë një zvarranik, nuk do të kthehet më aty. Ndikimi është zinxhir. Turistët ikin. Sipërmarrjet humbasin të ardhura. Të rinjtë humbasin besimin në zhvillimin e zonës. Mediat e huaja kapin rastin dhe e shpërndajnë, duke zbehur imazhin e Shqipërisë si destinacion i sigurt.

Heshtja krijon mjegull. Dhe mjegulla, në Shqipëri, mbart gjithmonë rrezik. Por përtej heshtjes, ka një problem më të madh: mungesa totale e investimeve për monitorimin e biodiversitetit, mbrojtjen e florës dhe faunës, dhe kontrollin ekologjik të territorit. Shqipëria shpenzon miliona euro çdo vit në tendera që kanë më shumë interes financiar se publik, në projekte luksi, në fasada dhe spektakël, ndërkohë që nuk arrin të mbulojë nevojat minimale për studime mjedisore, për pastrim terreni, apo për reagim të specializuar ndaj fenomeneve të tilla. Institucionet që duhet të jenë në terren, janë shpesh vetëm në letra. Ndërsa qytetarët përballen me pasoja të drejtpërdrejta, më shumë përfitojnë ata që vjedhin me letra, jo ata që mbrojnë me dije.

Askush nuk është i sigurt që kemi një komplot ndërkombëtar. Por as nuk mund të përjashtohen veprime dashakeqe nga individë apo grupe që duan të shkatërrojnë një potencial ekonomik. Shqipëria nuk është e paprekshme. Dhe as nuk ka imunitet nga sabotimet.

Gjarpërinjtë mund të jenë pjesë e natyrës. Por paaftësia për t’i kontrolluar është pjesë e gabimeve tona. Dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë një tjetër verë, një tjetër potencial, një tjetër betejë, as nga “armiqtë”, por as nga vetja.

/iconstyle.al

The post “I hedhin me motor turistët”/Gjarpërinjtë dhe teoritë sabotuese po kafshojnë turizmin shqiptar appeared first on iconstyle.al.

Golat flasin vetë: Kush është Nimet Spahiu, djaloshi që po ndez futbollin shqiptar

By: Iconstyle
9 June 2025 at 16:36

Nuk ka pasur zhurmë rreth emrit të tij. As tituj të mëdhenj, as fjalë të zbukuruara. Vetëm një djalë nga Peshkopia, me këpucët gjithmonë të pluhurosura nga fusha dhe sytë gjithmonë drejt portës. Nimet Spahiu nuk ka ardhur për të bërë zhurmë. Ka ardhur për të bërë gola. Ai është një prej atyre që jo vetëm premton shumë, por tashmë po i vërteton me statistika dhe përkushtim ato që shumë të rinj i ëndërrojnë.

I lindur më 17 korrik 2004, ai është shembulli i djalit të thjeshtë që ka nisur rrugëtimin e tij nga fushat modeste të qytetit të vogël, për të ngritur sot kokën lart si një nga qendërsulmuesit më efikas të sezonit.

Aktualisht pjesë e ekipit FC Albanet, Nimet ka zhvilluar një sezon mbresëlënës 2024-2025. Në 21 ndeshje, ai ka shënuar plot 15 gola dhe ka dhuruar 5 asistime, shifra që flasin vetë për një lojtar me instinkt të lindur për portën dhe një sy të hollë për lojën në grup. Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshme performancën e tij është faza e dytë e sezonit, ku në vetëm 11 ndeshje ka realizuar 14 gola, një ritëm thuajse i pabesueshëm që e veçon mes bashkëmoshatarëve të tij.

Jo rastësi. Jo fat. Por ritëm, punë, besim. Qendra e sulmit është bërë vendi ku ai dominon.

Rruga e Nimetit në futboll ka qenë me djersë dhe përparim të vazhdueshëm. Ai nisi tek grupmoshat e KF Korabit, duke shfaqur që në hapat e parë ndjesinë për lojën dhe dëshirën për të bërë diferencën. Debutimi i tij në arenën më serioze erdhi me ekipin U21 të Vorës, ku kalimi nga të rinjtë në ekipin e parë u bë në mënyrë organike, si pasojë e punës së tij këmbëngulëse dhe aftësive të padiskutueshme. Prej aty, nisi një tjetër kapitull i rëndësishëm me FC Albanet, një skuadër ku jo vetëm ka gjetur vendin e duhur për të shpërthyer, por edhe po rritet në mënyrë të pandalshme.

Synimi i tij është i qartë dhe i patundur: të veshë fanellën kuqezi dhe të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. E pse jo, t’i hapen dyert drejt ekipeve jashtë vendit, një objektiv i arsyeshëm për dikë që po tregon se ka gjithçka që kërkohet për të bërë emër në botën e madhe të futbollit. Tashmë kërkon vetëm një mundësi. Talente të tillë janë thesaret që ende nuk kanë marrë nga vendi ynë vëmendjen, mbështetjen dhe besimin që meritojnë.

Kur e sheh në fushë, kupton që ky djalë nuk po luan vetëm për rezultatin. Po luan për diçka më të madhe, për një ëndërr që i ka zënë rrënjë në shpirt, për një fanellë kuqezi që ende s’e ka veshur, por që e ndjen sikur e mban çdo herë që shënon. Dhe nuk ka asgjë më të bukur sesa të shohësh një talent që e di saktësisht ku po shkon. Sepse kur pasioni është kaq i pastër, rruga drejt majës nuk është më çudi. Është vetëm çështje kohe!

The post Golat flasin vetë: Kush është Nimet Spahiu, djaloshi që po ndez futbollin shqiptar appeared first on iconstyle.al.

UPS! Pa asnjë kontratë paramartesore: Justin mund të marrë gjysmën e pasurisë së Hailey-t nga shitja e Rhode

By: Iconstyle
9 June 2025 at 15:22

Një divorc mes Justin dhe Hailey Bieber mund të jetë jo vetëm një dramë emocionale, por edhe një përplasje e madhe financiare.

Suksesi i jashtëzakonshëm i markës kozmetike Rhode, themeluar nga Hailey Bieber, kulmoi me një marrëveshje të bujshme: kompania u shit për 1 miliard dollarë tek gjigandi i bukurisë E.L.F. Beauty. Por lajmi i mirë për Hailey-n ka ngritur shqetësime të mëdha te familjarët dhe miqtë e saj dhe arsyeja quhet Justin Bieber.

Asnjë marrëveshje paramartesore: kjo mund të kushtojë shumë

Sipas burimeve për DailyMail, çifti nuk ka nënshkruar një kontratë paramartesore, që do të përcaktonte ndarjen e pasurive në rast divorci. Kjo i hap rrugën Justin-it të kërkojë gjysmën e shumës që Hailey do të përfitojë nga shitja e kompanisë.

Avokatja e njohur e divorcit, Stephanie Blum, shpjegon se si çdo pasuri e krijuar gjatë martesës konsiderohet pronë e përbashkët, në mungesë të një kontrate paramartesore. Pra, sipas ligjit, një gjykatë mund të urdhërojë ndarjen e fitimeve nga Rhode në mënyrë të barabartë mes tyre.

Një burim pranë modeles zbulon se miqtë dhe familja janë të frikësuar se Hailey do të përfshihet në problemet financiare të Justin-it, për të cilat thuhet se përfshijnë miliona borxhe. “Ajo është shumë e përkushtuar ndaj tij dhe e gatshme të ndihmojë. Por njerëzit pranë saj duan që të mbrojë edhe veten,” thuhet në raportim.

Nga ana tjetër, Justin aktualisht nuk është aktiv profesionalisht. Pas anulimit të turneut “Justice” në vitin 2022 për shkak të sindromës Ramsay Hunt, e cila i shkaktoi paralizë të pjesshme në fytyrë, këngëtari ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në shtëpi.

Dinamika e çiftit ka ndryshuar ndjeshëm. Justin, i cili më parë konsiderohej më i pasuri në marrëdhënie, thuhet se ka një pasuri rreth 200 milionë dollarë, ndërsa marrëveshja e Hailey-t e katapulton atë në një tjetër nivel financiar.

Ekspertët theksojnë: “Kur nuk ka marrëveshje paramartesore, bashkëshorti me më pak të ardhura është zakonisht në avantazh në rast divorci.” Në këtë rast, është e mundur që Hailey të jetë në pozicionin më të rrezikuar, pikërisht për shkak të suksesit të saj të fundit.

Kohët e fundit, duket se në martesën Bieber nuk mungojnë tensionet, por vetëm koha do të tregojë nëse Rhode do të jetë bekimi më i madh apo edhe burimi i përçarjes.

The post UPS! Pa asnjë kontratë paramartesore: Justin mund të marrë gjysmën e pasurisë së Hailey-t nga shitja e Rhode appeared first on iconstyle.al.

Historike! Italia, vendi i parë që miraton trajtimin për një nga sëmundjet më vdekjeprurëse te macet: FIP

By: Iconstyle
8 June 2025 at 14:47

Më 6 qershor 2025, Ministria Italiane e Shëndetësisë mori një vendim historik që do të prekë mijëra familje, qindra veterinerë dhe çdo dashamirës kafshësh që ka kaluar netë pa gjumë përballë një qenie të vogël që lufton për jetën e saj.

Pas vitesh heshtje, lutjesh të dëshpëruara dhe një fushate që bashkoi mbi 40 mijë zëra në një peticion, Italia është bërë vendi i parë në Europë që lejon zyrtarisht përdorimin e ilaçit Remdesivir për trajtimin e FIP-it (Peritoniti Infektiv Felin), një sëmundje virale që ka shkaktuar humbjen e kaq shumë maceve, shpesh pa mundësi reale për trajtim.

FIP është një nga sëmundjet më tinëzare që prek macet, me një shkallë vdekshmërie deri në 96%. Ajo mund të shfaqet papritur, shpesh me simptoma që ngatërrohen me sëmundje të tjera. Ndërkohë që pronarët luftojnë për të kuptuar çfarë po ndodh, sëmundja përparon.

Për vite me radhë, ilaçi më i efektshëm kundër saj, përbërësi GS-441524, ishte i paarritshëm, sepse nuk ishte i miratuar nga autoritetet shëndetësore. Njerëzit përpiqeshin të gjenin doza ilegale në tregje të zeza online, shpesh nga Kina, me çmime të larta dhe cilësi të pasigurt. Ishte një luftë e heshtur dhe e pabarabartë mes dashurisë së një pronari dhe një burokracie që nuk e dëgjonte.

Por tani ka shpresë. Falë vendimit të fundit, veterinerët në Itali mund të përshkruajnë Remdesivir, një ilaç i përdorur fillimisht për trajtimin e COVID-19, përmes recetës elektronike veterinare. Ky autorizim i veçantë, i njohur si “përdorim me përjashtim”, u jep mundësi mjekëve veterinerë që të përdorin ilaçin në mënyrë të ligjshme, të sigurt dhe të mbikëqyrur.

Më në fund, sëmundja që dikur ishte sinonim i pashpresës, tani ka një armik të fortë kundër saj. Dhe çdo mace e sëmurë ka një mundësi më shumë për të jetuar.

Kjo është një fitore që nuk i përket vetëm institucioneve apo organizatave si LNDC Animal Protection dhe ENPA, por çdo qytetari që firmosi një peticion, që ndau një histori, që humbi një mace dhe nuk u dorëzua. Është një dëshmi se kur bashkohen zërat e njerëzve, ndryshimi bëhet i mundur.

Përtej Italisë, vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Holanda kanë lejuar përdorimin e këtij trajtimi me përjashtime apo përdorim të jashtëautorizuar, por asnjë nuk e ka formalizuar si Italia.

Ky vendim përbën një precedent që pritet të ndiqet nga të tjera shtete, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të rregullores së re europiane në gusht 2026. Deri atëherë, Italia është bërë fener shprese në një kontinent ku, për vite me radhë, dhimbja e humbjes ka qenë më e fortë se zëri i shkencës.

Kjo është një ditë e madhe për kafshët, për dashurinë pa kushte dhe për gjithë ata që besojnë se edhe një jetë e vogël meriton të shpëtohet. Në një botë që shpesh duket e ftohtë dhe burokratike, ky vendim është një kujtesë e fortë: njerëzimi përparon, sa herë që zgjedh dhembshurinë.

Dhe ndoshta, këtë herë, edhe një përkëdhelje më shumë do të mund të zgjasë një jetë!

The post Historike! Italia, vendi i parë që miraton trajtimin për një nga sëmundjet më vdekjeprurëse te macet: FIP appeared first on iconstyle.al.

Musk vs Trump: Lufta publike që po trazon SHBA-në/ Ç’pritet të ndodhë tani?

By: Iconstyle
6 June 2025 at 12:36

Nëse dikush do të thoshte një vit më parë se marrëdhënia mes Donald Trump dhe Elon Musk do të shndërrohej në një luftë të ashpër publike, shumë do të kishin buzëqeshur me skepticizëm. Por në Shtetet e Bashkuara të vitit 2025, asgjë nuk është më befasuese. Nga “vëllezër të pushtetit” në armiq të betuar, kjo është historia e një përplasjeje që ka tronditur Wall Street-in, politikën amerikane dhe rrjetet sociale.

Dikur, Elon Musk ishte ndër përkrahësit më të zëshëm të administratës Trump. Ai mbështeti publikisht politikat pro-biznes të Trump dhe madje mori një rol këshillues në nismën qeveritare për ristrukturimin e eficiencës së shpenzimeve publike. Në kulmin e kësaj aleance, Trump dhe Musk komunikonin rregullisht dhe ndanin një përbashkësi në fjalor: të drejtëpërdrejtë, provokues dhe shpeshherë të paparashikueshëm.

Por gjithçka ndryshoi kur në Kongres u prezantua “One Big Beautiful Bill Act”, një projektligj i ri që sipas Musk rrezikon ekonominë amerikane dhe shkel mbi çdo parim të inovacionit të qëndrueshëm. Me fjalët e tij, ky është “një abominacion i neveritshëm që do ta zhysë vendin në një borxh të pamenaxhueshëm dhe do të shkatërrojë industrinë e automjeteve elektrike”.

Ai publikoi disa statuse në platformën X (ish-Twitter), ku nisi me thirrjen: Kill the Big Ugly Bill dhe më pas vijoi me një deklaratë tronditëse ndaj presidentit: “Pa mua, do t’i kishe humbur zgjedhjet.”

Trump nuk mbeti pa përgjigje. Në një takim zyrtar me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ai e përmendi Musk: “Nuk e di nëse do të kemi më një marrëdhënie të mirë.” Dhe kjo ishte vetëm pika e parë. Në rrjetet sociale, Trump e quajti Elon “një njeri që po shteron”, duke thënë se “nuk ka më durim për manitë e tij miliardere” dhe deklaroi se po shqyrton ndërprerjen e kontratave qeveritare me kompanitë e Musk, përfshirë SpaceX dhe Starlink.

Musk, i nxitur nga ky qëndrim, e përshkallëzoi më tej luftën. Në një status tjetër në X, ai la të kuptohej se Trump mund të jetë përfshirë në dosje të pazbuluara që lidhen me Jeffrey Epstein, duke shkruar: “E vërteta do të dalë në dritë. Nuk është rastësi që disa dosje nuk janë bërë publike.” Ky aludim u interpretua si një goditje e fortë politike dhe morale.

Përplasja u kthye në një dramë të përditshme për ndjekësit e X. Një status i fundit i Musk pyet publikun: “A ka ardhur koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që përfaqëson realisht 80% të popullsisë?” Kjo është një sfidë direkte ndaj sistemit dy-partiak, por mbi të gjitha, ndaj dominimit të Trump në bazën republikane. Shumë analistë po e konsiderojnë këtë një sinjal se Musk mund të mendojë seriozisht për një lëvizje politike personale.

Ndërkohë, tregjet kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme. Aksionet e Tesla-s ranë me 14% brenda një dite, duke fshirë 34 miliardë dollarë nga pasuria personale e Musk, humbja e dytë më e madhe në historinë e Bloomberg Billionaires Index. Kjo rënie ka ardhur jo vetëm nga paniku i tregjeve, por edhe nga paralajmërimi i Trump për eliminimin e subvencioneve për makinat elektrike, që deri tani kanë qenë jetike për suksesin e Tesla-s në SHBA.

Disa brenda administratës kanë bërë thirrje për qetësi dhe diplomaci, ndërkohë që është raportuar se një telefonatë mes Musk dhe Trump mund të ndodhë në ditët në vijim, për të tentuar një lloj zbutjeje të gjakrave. Por nga mënyra si është zhvilluar kjo histori, pak shpresojnë për pajtim.

Ajo që dikur dukej si një partneritet mes teknologjisë dhe politikës, tani është kthyer në një serial të vërtetë konfliktesh, interesash, hakmarrjeje dhe ambiciesh personale. Në këtë skenë që po lëkund themelet e qeverisë amerikane, publiku është i ndarë në dysh. Tani është radha Musk dhe Trump të vendosin jo vetëm për marrëdhënien e tyre, por ndoshta edhe për drejtimin që do të marrë Amerika në vitet që vijnë.

The post Musk vs Trump: Lufta publike që po trazon SHBA-në/ Ç’pritet të ndodhë tani? appeared first on iconstyle.al.

Nuk ka më firma “me dorë”, por a është Shqipëria gati për nënshkrimin elektronik?

By: Iconstyle
5 June 2025 at 15:31

Shqipëria është drejt një prej hapave më të rëndësishëm të transformimit digjital: nënshkrimi elektronik po bëhet realitet. Një projektligj i ri, tashmë në konsultim publik nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, përcakton kuadrin për identifikimin elektronik, portofolin digjital të qytetarit dhe eliminimin e nevojës për firmën fizike në një sërë procesesh që shkojnë nga aplikimi në universitet, te hapja e një llogarie bankare, regjistrimi i pronës apo edhe kontratat e qirasë apo shit-blerjes.

Në letër, duket se po bëhemi si vendet e Bashkimit Europian. Dhe kjo është një gjë e mirë. Por në praktikë, Shqipëria ka shumë punë përpara për ta bërë këtë sistem jo vetëm të funksionojë, por edhe të besohet.

Përfitimet që do të sillte nënshkrimi elektronik janë të mëdha dhe të padiskutueshme. Duke eliminuar nevojën për firmë fizike dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë në sportele, qytetarët mund të kursejnë kohë, para dhe stres. Administrata publike mund të përqendrohet më shumë në ofrimin e shërbimeve dhe më pak në letrat e pafundme.

Për bizneset, kjo reformë do të thotë më pak burokraci, më shumë efikasitet dhe më pak pengesa në transaksione e kontraktime. Për diasporën, një kategori që shpesh has vështirësi për të kryer veprime administrative nga larg, ky hap përfaqëson një lehtësim real.

Po ashtu, nëse zbatohet siç duhet, sistemi do të jetë i përputhshëm me standardet e BE-së, duke mundësuar identifikim dhe firmosje elektronike edhe përtej kufijve, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar. Është një lloj pasaporte digjitale e qytetarit që i hap rrugën një ere të re shërbimesh.

Por a mund të funksionojë realisht në Shqipëri?

Këtu vjen pjesa më e vështirë. Nënshkrimi elektronik, në vetvete, nuk është vetëm një teknologji. Është një sistem besimi. Dhe këtu Shqipëria ka një histori që i flet vetë.

1. Korrupsioni dhe kapja e institucioneve

Shteti shqiptar ka dështuar në mënyrë të përsëritur në ndërtimin e sistemeve digjitale që janë të pavarura, të besueshme dhe të mbrojtura nga ndikimet politike. Nëse nënshkrimi elektronik do të varet nga punonjës të patronazhuar, institucione të korruptuara dhe tendera të dyshimtë, atëherë ai rrezikon të jetë një “vulë elektronike” që përdoret për të legjitimuar abuzimet, jo për të ofruar drejtësi dhe eficiencë.

2. Hakerime dhe rrjedhje të të dhënave

Në vitet e fundit, qytetarët shqiptarë kanë përjetuar rrjedhje masive të të dhënave personale, nga hakerimet iraniane, numri i sigurimeve shoqërore, paga, targat, e deri te sistemi TIMS. Si mund të kemi besim te nënshkrimi elektronik në një shtet ku të dhënat nuk mbrohen dot dhe ku vetë institucionet janë cak i sulmeve kibernetike?

3. Mungesa e edukimit digjital

Ndërkohë që projektligji flet për “portofol digjital” dhe “shërbime të besuara”, një pjesë e madhe e qytetarëve ende nuk përdor as email, nuk ka akses të sigurt në internet ose nuk është në gjendje të navigojë faqet e administratës publike. Nëse nuk shoqërohet me një fushatë masive edukimi, ky sistem do të mbetet i paarritshëm për një pjesë të madhe të popullsisë.

4. Varësia nga sistemi dhe mungesa e alternativave

Nëse sistemi digjital bie, a kemi një plan B? Në një vend ku edhe uebfaqet e institucioneve bien për orë të tëra dhe ku energjia elektrike ndërpritet rregullisht, një sistem i tillë kërkon një infrastrukturë që Shqipëria ende nuk e ka të garantuar.

Digjitalizimi është i pashmangshëm, por duhet të jetë i besueshëm

Nënshkrimi elektronik është një hap përpara, një mjet që mund ta transformojë marrëdhënien e qytetarit me shtetin. Por ai nuk është një magji që zgjidh vetë problemet. Në një shtet me institucione të forta dhe të paanshme, funksionon si duhet. Në një shtet të dobët dhe të kapur, mund të bëhet një mjet abuzimi më i sofistikuar.

Ajo që i mungon Shqipërisë nuk është teknologjia, por garancia që teknologjia do të përdoret drejt. Kjo kërkon më shumë se një ligj të mirë: kërkon institucione që funksionojnë, vullnet politik, transparencë, edukim dhe mbikëqyrje reale nga publiku dhe media.

Shqipëria nuk mund të ecë drejt së ardhmes me një mouse në dorë dhe një sistem të kalbur në prapaskenë. Nënshkrimi elektronik do të ketë vlerë vetëm nëse ndërtojmë një shtet që meriton të nënshkruhet; digjitalisht apo jo. Deri atëherë, mund të firmosim pa stilolaps, por do të duhet kohë derisa të firmosim me besim.

The post Nuk ka më firma “me dorë”, por a është Shqipëria gati për nënshkrimin elektronik? appeared first on iconstyle.al.

Kirurgët plastikë: “Ju lutemi, mos kërkoni më ndërhyrje në gjoks si të Kylie Jenner”

By: Iconstyle
5 June 2025 at 13:39

Kylie Jenner ndau në Tik-Tok detajet e ndërhyrjes së saj më të fundit në gjoks: 445 cc, profil i moderuar, gjysma nën muskul, silikon, kirurgu Garth Fisher. Dhe rrjeti shpërtheu. Komente, video reagimesh nga kirurgë plastikë, analistë estetikash, dhe me dhjetëra vajza që tashmë futen në konsultë mjekësore duke kërkuar të njëjtën “porosi”.

Duket si diçka e thjeshtë, apo jo? Si një recetë për kek që e lexon në Tik-Tok. Por realiteti është shumë më kompleks dhe shumë më i rrezikshëm.

Kirurgët janë alarmuar. Jo përse Kylie ndau detajet e saj. Por për mënyrën si u trajtua një procedurë kaq serioze; si të ishte një listë pazari: cc, profil, pozicion, silikon. Ka një arsye pse çdo trup është unik dhe çdo ndërhyrje duhet të jetë e personalizuar. Nuk ka asgjë “standard” në kirurgjinë plastike. Nuk ka “i dua si të Kylie-t”. Pikërisht kjo është ajo që shumë vajza po harrojnë.

445 cc është një implant i madh. Shumë më i madh sesa shumica e trupave mund ta përballojnë natyrshëm. Në trupin e Kylie-t, ndoshta nuk duken aq masive, për shkak të përmasave të tjera që ajo ka ndryshuar, përfshirë (siç dyshohet gjerësisht) një Brazilian Butt Lift. Pa këto, gjoksi i saj do të dukej shumë më i madh se ç’është. Trupi i saj është një balancë e punuar me kujdes. Po trupi yt?

Ndërhyrjet e mëdha nuk janë vetëm çështje estetike. Ato sjellin rreziqe për shëndetin: dhimbje në qafë e shpatulla, dëmtime të nervave, deformim të indeve të gjirit, zhvendosje të implantit apo ngurtësim të tyre. Disa gra në të 40-at, vijnë tek kirurgët për t’i hequr implantet pikërisht për shkak të dhimbjeve që kanë pasur për vite me radhë.

Ka edhe një tjetër problem që pak përmendet: veshjet. Me këto përmasa, është shumë e vështirë të gjesh rroba që të rrinë mirë. Asgjë “off the rack” nuk do të përshtatet. Çdo gjë duhet të jetë elastike, shumë e ngushtë pas trupit, ose e qepur me masë. Ndryshe, do të jesh gjithnjë në luftë me dollapin. Për shumë vajza që nuk kanë stilist personal apo buxhet Kardashian, ky është kufizim.

Dikur, vajzat sillnin tek kirurgët fotografi të Pamela Anderson. Pastaj ishte radha e Kim Kardashian. Tani është Kylie. Por çfarë kanë të përbashkët këto gra? Të gjitha kanë trupa që janë modeluar ndër vite me procedura të shumta. Janë jo vetëm të paarritshme përmes dietave dhe palestrës, por edhe të rrezikshme nëse imitohen verbërisht.

Kirurgët nuk janë kundër ndryshimit. Përkundrazi. Janë kundër kopjimit të verbër. Sepse çdo trup është ndryshe. Ka trupa që kërkojnë më shumë projeksion, të tjerë që kanë lëkurë më të lirshme, ka gra që kanë bërë ndërhyrje më parë e të tjera që janë në fillim. Dhe ky ndryshim i vogël në anatomi bën një ndryshim të madh në rezultat.

Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi nuk është të dukesh si dikush tjetër, por të dukesh si versioni më i mirë i vetes tënde.

Kirurgjia plastike nuk është trend TikTok-u. Është një vendim serioz, i shtrenjtë dhe që ka pasoja. Vendosja e një objekti të huaj në trup sjell jo vetëm pamje të re, por edhe përgjegjësi: mirëmbajtje, ndjekje, ndërhyrje të ardhshme. Është diçka që duhet menduar thellë, jo kërkuar si porosi fast food-i.

Mesazhi nuk është “mos e bëj”. Është “dije çfarë po bën dhe pse po e bën”. Mos i jep kirurgut një foto dhe prit që të të kthejë një trup që s’të përket. Fillo duke pyetur: Çfarë dua unë për veten time? Çfarë më shkon mua? Çfarë mund të përballojë trupi im?

Kylie është Kylie. Ti je ti. Dhe kjo është mëse e mjaftueshme!

The post Kirurgët plastikë: “Ju lutemi, mos kërkoni më ndërhyrje në gjoks si të Kylie Jenner” appeared first on iconstyle.al.

Po ndodh: Prindërit mund të zgjedhin embrionin me jetëgjatësinë, inteligjencën dhe pamjen më të mirë përmes një platforme gjenetike

By: Iconstyle
5 June 2025 at 12:46

Në një hap që ndan historinë e riprodhimit njerëzor në “para” dhe “pas”, një teknologji e re po sjell atë që deri dje dukej si skenar i një filmi fantastiko-shkencor.

Kompania amerikane Nucleus Genomics ka krijuar një sistem që u jep prindërve mundësinë të analizojnë dhe të zgjedhin embrionin më të “përsosur” sipas një game të gjerë karakteristikash gjenetike, duke përfshirë jetëgjatësinë e parashikuar, rrezikun për sëmundje si kanceri apo Alzheimer, nivelin e inteligjencës, gjatësinë, ngjyrën e syve dhe më shumë.

Shërbimi kushton 5,999 dollarë dhe përfshin analizimin e deri në 20 embrioneve të krijuara përmes fertilizimit in vitro (IVF). Ajo që e bën këtë teknologji revolucionare është se nuk kufizohet vetëm në identifikimin e sëmundjeve të njohura të trashëgueshme, siç ndodhte deri më sot me testet tradicionale të gjenetikës.

Në vend të kësaj, Nucleus përdor analizë poligjenike, e cila vlerëson mijëra gjene në të njëjtën kohë për të dhënë një pamje të përgjithshme mbi rrezikun, potencialin dhe karakteristikat fizike dhe kognitive të çdo embrioni.

Prindërit marrin akses në një panel dixhital, ku secili embrion renditet në bazë të pikëve të marra për faktorë të ndryshëm. Për shembull, embrioni X mund të ketë rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës, jetëgjatësi të projektuar më të lartë dhe IQ mbi mesataren.

Ky “ranking” gjenetik u jep prindërve mundësinë të zgjedhin, jo më thjesht një jetë të mundshme, por një jetë që, teorikisht, ka avantazhe të dukshme biologjike ndaj të tjerëve.

Sipas informacioneve zyrtare, mbi 120,000 embrione janë analizuar tashmë përmes partneritetit të Nucleus me laboratorin Genomic Prediction, i cili bashkëpunon drejtpërdrejt me klinikat IVF në SHBA. Prindërit mund të kërkojnë të dhënat gjenetike të embrioneve nga klinika ku po trajtohen dhe t’i ngarkojnë në platformën e Nucleus për analizë të mëtejshme.

Ky shërbim i ri është një përmbysje e mënyrës se si kemi konceptuar shtatzëninë, lindjen dhe fatin gjenetik deri tani. Aty ku më parë përzgjedhja e embrioneve kufizohej në eliminimin e sëmundjeve të rënda si sindroma Down apo sëmundja Tay-Sachs, tani kemi të bëjmë me përzgjedhje aktive të potencialit gjenetik, bazuar në algoritme që parashikojnë tipare të ndërlikuara si performanca mendore, prirja ndaj sëmundjeve kronike, gjatësia dhe jetëgjatësia.

Sigurisht që kjo nuk është një shkencë perfekte. Parashikimet janë probabilistike, jo të sigurta, dhe saktësia ndryshon nga një tipar në tjetrin. Megjithatë, gjithçka në mjekësi funksionon mbi bazën e probabiliteteve. Ajo që ofron Nucleus nuk është garancia e përsosmërisë, por një kontroll i ri dhe i pashembullt mbi të ardhmen biologjike të pasardhësve tanë.

Por me këtë avancim ngrihen edhe pikëpyetje të mëdha etike: A po hyjmë në një botë ku fëmijët nuk janë më të papërcaktuar, por të përzgjedhur në mënyrë inteligjente për të qenë më të shëndetshëm, më të gjatë, më të mençur? A po nisim një garë të re biologjike ku “zgjedhja e embrionit” bëhet pjesë e strategjisë për mbijetesë sociale dhe konkurrencë njerëzore?

Një nga komentet më të fuqishme që po qarkullon në rrjet është ky:

“Nuk je i detyruar të zgjedhësh embrionin më të zgjuar apo më të shëndetshëm. Por dikush tjetër do ta bëjë. Dhe kur kjo garë të nisë, nuk ka më kthim pas.”

Po të kishe mundësinë të zgjidhje për fëmijën tënd një jetë më të gjatë, më të shëndetshme dhe më të lehtë, a do ta bëje? Dhe nëse jo… a do ishe i qetë që dikush tjetër ta bënte përpara teje?

Teknologjia është këtu. E ardhmja nuk është më “e largët”. Është në ekranin tënd, në klinikat e fertilizimit, dhe në duart e prindërve të rinj që sot po zgjedhin më shumë se një jetë, po zgjedhin një version të përmirësuar të saj.

The post Po ndodh: Prindërit mund të zgjedhin embrionin me jetëgjatësinë, inteligjencën dhe pamjen më të mirë përmes një platforme gjenetike appeared first on iconstyle.al.

10 milionë euro për një startup të huaj, qeveria kërkon firmën e deputetëve, por jo transparencën

By: Iconstyle
3 June 2025 at 17:25

Investimi prej 10 milionë eurosh në startup-in “Thinking Machines Lab” të bashkëthemeluar nga Mira Murati ka kaluar sot për diskutim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, duke sqaruar se fondi i është kaluar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare, me qëllim financimin e këtij projekti.

Sipas Malajt, ky është një investim që duhet parë në këndvështrimin afatgjatë të përfitimeve ekonomike dhe të “historive të suksesit shqiptar”.

Ministri është përpjekur të sigurojë opinionin publik se deficiti buxhetor nuk preket, dhe se fondi mbulohet përmes rritjes së të ardhurave jotatimore, konkretisht nga të ardhurat e mbledhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara. Ai ka theksuar se urgjenca e aktit normativ erdhi për shkak të një afati të ngushtë kohor dhe për rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes shqiptare në këtë fazë të hershme të një kompanie që mund të arrijë vlera deri në 50 miliardë dollarë në të ardhmen, sipas tij.

Por këto justifikime nuk zgjidhin asnjë nga shqetësimet thelbësore që ka shtruar ky vendim, që nga momenti kur u mor në heshtje totale, pa asnjë debat publik dhe me zero transparencë institucionale.

Kujtojmë se startup-i “Thinking Machines Lab” është themeluar nga Mira Murati, një emër i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inteligjencës artificiale, e cila ka qenë drejtoreshë teknologjike e OpenAI dhe ka luajtur rol kyç në zhvillimin e ChatGPT, DALL·E dhe GPT-4. Së bashku me Sam Altman, ajo krijoi këtë projekt të ri në San Francisko, duke tërhequr një ekip elitë nga kompanitë më të mëdha teknologjike si Meta, OpenAI, Mistral dhe Character.AI.

Për shumëkënd, fakti që një shqiptare është bashkëthemeluese e këtij startup-i është burim krenarie. Por duhet thënë e vërteta: Mira Murati është një histori suksesi e një refugjateje shqiptare që iku nga vendi që nuk ofronte as siguri, as arsim, as mundësi. Ajo është formuar dhe afirmuar në SHBA, jo në Shqipëri. Dhe nëse sot qeveria shqiptare e përdor emrin e saj si justifikim për të shpërndarë 10 milionë euro pa garë, atëherë e gjitha kthehet në një farsë të radhës, ku dështimi i brendshëm maskohet me lavdi të huaj.

Ndërkohë, qindra startup-e të themeluara nga shqiptarë nuk marrin as edhe një aplikim të hapur për fonde. Nuk u jepet mundësia të prezantojnë një ide, një projekt, një plan zhvillimi. Sepse në këtë vend, fondet për startup-e i marrin vetëm patronazhistët, njerëzit e lidhur me pushtetin dhe familjarët e atyre që kontrollojnë thesarin e shtetit.

Mungesa e transparencës është e plotë. Nuk ka një plan biznesi të bërë publik. Nuk dihet se çfarë përfiton Shqipëria nga kjo pjesëmarrje. A merr qeveria shqiptare aksione në kompani? Në çfarë përqindje? Nëse po, kush i administron? Nëse jo, çfarë ka blerë me 10 milionë euro? Askush nuk e di. Nuk dihet nëse ka një analizë risku, një vlerësim ekspertësh, një audit të brendshëm. Thjesht thuhet që është një investim i rëndësishëm dhe kaq duhet të mjaftojë.

Paratë nuk janë marrë nga një program zhvillimi të teknologjisë vendase, por nga pasuritë e sekuestruara, nga një fond që në parim duhet të shkojë për interesa të përbashkëta sociale. Më keq akoma, gjithçka është bërë përmes një akti normativ, që i shmanget Kuvendit dhe kontrollit parlamentar, një metodë që është kritikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare për abuzim të rregullave demokratike.

Nëse këtë e quajmë “strategji të re zhvillimi”, atëherë jemi duke firmosur përfundimisht fundin e çdo iniciative vendase dhe kthimin e shtetit në një arkë xhepi për klientelën e vet. Nuk është hera e parë që qeveria përdor një kauzë të bukur, si teknologjia, për të justifikuar shpërndarjen e parave publike në mënyrë selektive dhe të mbyllur.

Pse u përdor akt normativ dhe jo një ligj i zakonshëm?

Pse nuk u shpall një thirrje publike për kompani të interesuara në fushën e teknologjisë?

Cilat janë detyrimet konkrete të kompanisë përballë shtetit shqiptar?

A është zhvilluar një analizë e pavarur risku dhe përfitimi?

A do të ketë kontroll real mbi mënyrën se si do të përdoren fondet?

Kush është përgjegjës nëse kjo kompani dështon ose nëse shteti shqiptar humb paratë e investuara?

Të kërkosh përgjigje për këto pyetje është kërkesë minimale që një vend normal duhet t’i bëjë qeverisë së vet sa herë që preken miliona euro të qytetarëve. Nëse s’e bëjmë, do të jemi bashkëfajtorë në heshtjen që legjitimon zhdukjen e çdo standardi ligjor në emër të PR-it politik.

The post 10 milionë euro për një startup të huaj, qeveria kërkon firmën e deputetëve, por jo transparencën appeared first on iconstyle.al.

Të pasmet në ofertë: Personazhet shqiptare shesin trupin për algoritëm/ Si na ndikon në psikologji?

By: Iconstyle
2 June 2025 at 21:05

Zgjedhja është e jona. Çdo klik, çdo pëlqim, çdo follow është votë për llojin e kulturës që duam. Ndoshta është koha të riprogramojmë jo vetëm algoritmet e mediave sociale, por edhe ato të mendjes sonë kolektive.

Kur Enca Haxhia u shfaq sërish në një videoklip me të pasmet plotësisht të ekspozuara për të disatën herë, rrjeti shpërtheu. Për disa ishte thjesht një moment artistik. Për të tjerë, një tjetër provokim i tepruar. Por Enca nuk është e vetmja. Artiste të tjera si dhe shumë influencuese të reja që ndërtojnë imazhin publik mbi ekspozimin trupor, janë pjesë e një modeli që po bëhet trend dominant në industrinë e famës.

Ky trend po shndërrohet në një model që riformaton të gjithë mënyrën si përkufizohet vlera dhe suksesi, sidomos për vajzat e reja. Jemi përballë një fenomeni që po prodhon pasoja reale, të dukshme dhe të dokumentuara në mënyrë shkencore.

Në botën e rrjeteve sociale, trupi i zhveshur ka vlerë të matshme. Një analizë e vitit 2021 nga Social Media Examiner tregoi se përmbajtjet me ekspozim seksual gjenerojnë mesatarisht 40 deri në 60% më shumë aktivitet sesa postimet neutrale. Algoritmet favorizojnë këtë lloj përmbajtjeje. Sa më shumë lëkurë, aq më shumë pëlqime, komente dhe shpërndarje. Ky sistem e kthen trupin në instrument për sukses të menjëhershëm dhe të matshëm.

Këngëtaret dhe personazhet publike që ndjekin këtë rrugë janë produkte të një industrie që përfiton direkt nga seksualizimi. Në këtë sistem, zhveshja nuk është më zgjedhje personale, por kërkesë për t’u vënë re. Dhe kur shpërblimi për ekspozimin është fama, vështirë që dikush të zgjedhë të mbulohet pa u zhdukur nga vëmendja.

Pasojat psikologjike dhe vetëobjektifikimi

Raporti i American Psychological Association mbi seksualizimin e vajzave në media ka sjellë disa nga alarmet më të mëdha në dekadën e fundit. Sipas këtij raporti, vajzat që rriten duke konsumuar përmbajtje që paraqet trupin e femrës në mënyrë seksuale janë më të prirura të vuajnë nga vetëobjektifikimi, ankthi, depresioni, çrregullime të të ngrënit dhe rënie të vetëbesimit.

Vajza të moshës 13-17 vjeç ndihen të detyruara të duken “më seksi” në rrjetet sociale për të qenë të pranuara nga rrethi i tyre. Ky presion është një përzierje e nevojës për vëmendje dhe modelit të vazhdueshëm të një sjelljeje që shpërblehet.

Ekspozimi i vazhdueshëm në forma seksuale, kur bëhet mënyra e vetme për të komunikuar me botën, lidhet me çrregullime që janë trajtuar edhe në literaturën klinike.

Ekshibicionizmi, për shembull, është një çrregullim psikoseksual, që shpesh vjen si reagim ndaj traumave, pasigurive të thella dhe mungesës së ndjesisë së kontrollit. Edhe kur nuk flasim për diagnoza të qarta, shumë psikiatër e psikologë bien dakord se sjelljet e këtij lloji janë mekanizma kompensues për boshllëkun emocional dhe varësinë ndaj vëmendjes.

Like-u nuk është më vetëm një klikim, është formë miratimi, është dozë dopamine. Psikologët e zhvillimit e krahasojnë këtë ndjesi me efektin e një substance stimuluese. Sa më shumë like e komente, aq më shumë truri përforcon modelin që i solli ato. Dhe kur modeli është “trego trupin për të marrë dashuri”, çdo herë do të kërkosh ta bësh pak më tepër. Një spirale e rrezikshme që nis si zgjedhje personale, por përfundon si model i imponuar.

Në këtë kuadër, nuk kemi më të bëjmë me liri, por me një detyrim të heshtur për të qenë i dukshëm. Trupi i femrës është kthyer në monedhë sociale. Nëse nuk ekspozohesh, nuk vlen. Nëse nuk të shohin, nuk ekziston. Nëse nuk e përdor trupin, askush nuk të dëgjon mendjen.

Nëse sot një adoleshente mendon se për të qenë e bukur duhet të dalë nudo, kjo është pasojë e një kulture që po rrit fëmijë në një realitet ku seksi është më i rëndësishëm se identiteti. Një kulturë që nuk ofron alternativa, nuk promovon diversitet idesh apo vlerash, por vetëm një standard: tërheqjen fizike. Shoqëria hesht. Media e shet. Ne të gjithë bëhemi bashkëpunëtorë të një gënjeshtre të përmasave kulturore.

Kur ekspozimi i trupit vjen pa edukim për pasojat që sjell, krijojmë një brez që nuk ka më mjete të tjera për të ndërtuar vetveten. Vajzat ndihen më shumë si produkte sesa si persona. Dhe kur arrijnë në një moshë ku kërkojnë kuptim më të thellë, e gjejnë veten të zbrazëta në një shoqëri që vetëm i shikoi, por asnjëherë nuk i dëgjoi.

Zgjedhja është e jona. Çdo klik, çdo pëlqim, çdo follow është votë për llojin e kulturës që duam. Ndoshta është koha të riprogramojmë jo vetëm algoritmet e mediave sociale, por edhe ato të mendjes sonë kolektive.

Ky artikull nuk synon të gjykojë individë specifikë, por të analizojë një fenomen kulturor që na prek të gjithëve. Çdo person ka të drejtën e zgjedhjes së lirë. Por sa të lira janë vërtet zgjedhjet tona në epokën e algoritmeve manipuluese?

The post Të pasmet në ofertë: Personazhet shqiptare shesin trupin për algoritëm/ Si na ndikon në psikologji? appeared first on iconstyle.al.

Kush nuk mban kaskë të përgatitet për gjobë: Monopatinat, rreziku i rrugëve dhe një thirrje për ligj të ri në Shqipëri

By: Iconstyle
2 June 2025 at 15:39

Nëse deri dje qarkullimi me monopatinë elektrike në rrugët e Tiranës shihej si një mënyrë e lirë dhe moderne për të shmangur trafikun, sot ai po shndërrohet në një burim serioz rreziku për jetën. Policia Rrugore ka dhënë alarmin: në rreth 35% të aksidenteve të ndodhura kohët e fundit, fajtorët janë drejtuesit e monopatinave dhe motomjeteve. Për këtë arsye, kushdo që kapet pa kaskë mbrojtëse do të gjobitet, dhe ky nuk është më një paralajmërim.

Sipas shefit të Komisariatit Rrugor të Tiranës, Lorenc Shehu, vetëm këtë vit janë vendosur mbi 7 mijë gjoba për persona që qarkullonin pa kaskë. Kodi Rrugor shqiptar, konkretisht neni 188, parashikon masa administrative që variojnë nga 250 deri në 1 000 lekë për mosmbajtjen e kaskës, si për drejtuesit e motomjeteve, ashtu edhe për ata të monopatinave. Në kuadër të ligjit të ri për trafikun rrugor, i hyrë në fuqi në prill të këtij viti, janë shtuar kufizime të tjera për këtë kategori: ndalohet qarkullimi në trotuare, kufizohet shpejtësia në 25 km/h dhe për të miturit nën 16 vjeç është ndaluar përdorimi i monopatinave. Gjithashtu është në proces ideimi një sistem regjistrimi me kod unik për secilën pajisje.

Por, sa të mjaftueshme janë këto masa? Po të krahasojmë me vendet e tjera, Shqipëria është ende shumë prapa kur bëhet fjalë për disiplinën rrugore në këtë fushë. Italia, për shembull, ka miratuar një ligj të posaçëm që detyron kaskën për të gjithë pa përjashtim, kërkon sigurim civil dhe regjistrim të detyrueshëm për çdo monopatinë, ndërsa gjoba për shkelje të tilla mund të arrijë deri në 3 100 euro. Në Singapor, shkelësit gjobiten deri në 2 000 dollarë dhe monopatina mund të konfiskohet menjëherë. Në Australi, drejtuesit e monopatinave pa kaskë ndëshkohen me afro 400 dollarë, ndërsa në Barcelonë, një gjobë prej 500 eurosh vendoset nëse ecet në trotuar apo pa mbrojtje të detyrueshme.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të përballet me këtë valë aksidentesh me një ligj të butë. Në këtë kontekst, Iconstyle i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin reforma urgjente në legjislacionin rrugor për mikromobilitetin!

Duke u bazuar në nivelin mesatar të të ardhurave në Shqipëri, përllogaritja e gjobave që propozojmë është në një proporcion të arsyeshëm ekonomikisht, por vendimmarrja për masat përfundimtare i takon autoriteteve kompetente; ne si media po ngremë këtë shqetësim dhe japim një sugjerim konkret, duke shpresuar që siguria rrugore të trajtohet me seriozitetin që meriton.

Pra, do të ishte e arsyeshme një gjobitje me 50 000 lekë herën e parë, 75 000 lekë në përsëritjen e dytë dhe 100 000 lekë në shkeljen e tretë, shoqëruar me konfiskim të mjetit për të paktën 15 ditë.

Hera e parë (50 000 lekë): Një gjobë që është rreth 75 % e një page mesatare mujore, do t’i kujtonte menjëherë drejtuesit se bëhet fjalë për çështje jete-a-vdekjeje.

Hera e dytë (75 000 lekë): Një rritje 50 % mbi gjobën e parë, që tregon se shkelësi po insiston në sjellje rrezik-prurëse.

Hera e tretë (100 000 lekë + konfiskim): Masa maksimale, ku shtohet konfiskimi për një periudhë. Kjo tregon se personi nuk meriton të qarkullojë përkohësisht pa treguar disiplinë.

Po kështu, duhet të ndalohet me ligj qarkullimi në trotuar, të bëhet regjistrimi i detyrueshëm i monopatinave dhe të vendoset kufizim maksimal shpejtësie në 25 km/h.

Kjo është një çështje që lidhet me jetën, jo me komoditetin. Nuk mund të flasim për qytete inteligjente e moderne nëse vazhdojmë të lëmë rrugëve dhjetëra të rinj që lëvizin pa asnjë pajisje sigurie dhe pa asnjë pasojë për shkeljet. Ligji duhet të jetë serioz, ndëshkues dhe i padiskutueshëm. Një jetë e humbur në rrugë nga mungesa e kaskës nuk është aksident, por dështim i shtetit. Dhe ky dështim mund të parandalohet tani.

The post Kush nuk mban kaskë të përgatitet për gjobë: Monopatinat, rreziku i rrugëve dhe një thirrje për ligj të ri në Shqipëri appeared first on iconstyle.al.

❌
❌