Izraeli mbështetje Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Në vijim të angazhimeve për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike mirëpriti sot një delegacion nga Izraeli, në kuadër të një workshop-i të dedikuar për forcimin e bashkëpunimit teknik dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e sigurisë digjitale.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me partnerët izraelitë, si një komponent kyç në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshme dhe të integruar të sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Ai vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën që Izraeli ka ofruar në procesin e hartimit të strategjive dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale, duke e cilësuar këtë partneritet si një model të suksesshëm të bashkëpunimit në dobi të sigurisë kombëtare.
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, nënvizoi rëndësinë e krijimit të besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në përballjen me sfidat digjitale, duke shprehur angazhimin e vazhdueshëm të shtetit të Izraelit për të mbështetur Shqipërinë në këtë drejtim.
Workshop-i u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione kyçe të vendit si Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Mbrojtjes, Parlamenti i Shqipërisë, Policia e Shtetit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, AKSHI, INSTAT dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Pjesëmarrësit ndanë përvoja, diskutuan sfida aktuale dhe analizuan praktika të aplikueshme në forcimin e mekanizmave të reagimit ndaj incidenteve kibernetike.
Ky takim konfirmoi vizionin dhe angazhimin për një bashkëpunim dypalësh afatgjatë, në funksion të një hapësire digjitale më të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme për qytetarët dhe institucionet shqiptare.
/m.m/r.e/
The post Izraeli mbështetje Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.