NJU ORLINS, 15 gusht /ATSH/ – Një juri e madhe federale akuzoi sot kryetaren e bashkisë së Nju Orlinsit, LaToya Cantrell për konspiracion, mashtrim dhe pengim të një hetim mbi dyshimet se ajo u përpoq të fshihte një marrëdhënie romantike me truprojën e saj, sipas AP.
Aktakuza është kulmi i një hetimi të gjatë federal ndaj kryebashkiakes së parë në historinë 300-vjeçare të qytetit.
Truproja i saj, Jeffrey Vappie kërkoi pafajësinë, pas aktakuzës për mashtrim dhe dhënie deklaratash të rreme.
Ai akuzohet për fshehjen e një marrëdhënieje romantike me Cantrell dhe paraqitjen e të dhënave të rreme të pagave duke pretenduar se ishte në detyrë.
Vappie, i cili doli në pension nga departamenti i policisë vitin e kaluar, është planifikuar të dalë në gjyq në janar.
Prokurorët federalë kanë akuzuar Vappie dhe Cantrell për shkëmbim mesazhesh të koduara përmes një aplikacioni për të shmangur zbulimin dhe më pas për fshirjen e bisedave.
Kryetarja e bashkisë dhe Vappie kanë thënë se marrëdhënia e tyre ishte rreptësisht profesionale.
Prokurori i përkohshëm i SHBA-së, Michael Simpson, e quajti atë një “skemë mashtrimi trevjeçare që ne pretendojmë se shfrytëzuan autoritetin dhe pozicionet e tyre publike”.
”Ata u takuan në një apartament ndërsa Vappie pretendonte se ishte në detyrë, dhe ajo organizoi që Vappie të merrte pjesë në 14 udhëtime”, tha Simpson.
”Në vitin 2021, Cantrell dhe Vappie zhvilluan një marrëdhënie personale dhe intime. Për të fshehur marrëdhënien e tyre dhe për të maksimizuar kohën e tyre së bashku, Cantrell dhe Vappie shfrytëzuan pozicionet e tyre publike për të zhvilluar dhe zbatuar një skemë për të mashtruar qytetin”, thuhet në aktakuzë.
Zyra e kryetares së bashkisë nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi telefonik ose emaili nga ”The Associated Press”, që kërkonte koment për ngjarjen.
Cantrell, e cila ka një mandat të kufizuar, do të largohet nga detyra në janar.
Demokratja është përplasur me anëtarët e Këshillit Bashkiak gjatë një mandati të dytë të trazuar dhe i mbijetoi një përpjekjeje për shkarkim në vitin 2022.
Roli i kryebashkiakes është dobësuar pas ndryshimeve të miratuara nga votuesit në statutin e qytetit që synojnë të kufizojnë autoritetin e saj./ a.jor.
The post SHBA – Kryebashkiakja e Nju Orlinsit paditet për fshehjen e marrëdhënieve me truprojën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.