Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

Horoskopi 7 Gusht, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju

By: M C
6 August 2025 at 23:48

Dashi

Mundohuni që të shikoni përpara, të përvishni mëngët edhe pse mund t’iu duket e vështirë për shkak të shumë gjërave me të cilat duhet të përballeni. Ka ardhur momenti që të ndryshoni kapitull dhe të lini pas krahëve çdo gjë që ju shqetëson. Keni nevojë për forcë dhe kurajo.

Demi

Kjo e mërkurë do të jetë shumë më e mirë në raport me ditët e kaluara, ku humori do të jetë më i përmirësuar. Mundohuni që nervozizmin e akumuluar në punë apo në raportin në çift të mos e shfryni kudo. Përpiquni që të relaksoheni, pasi keni nevojë, pas tensionit me të cilin jeni përballur gjatë ditëve të fundit.

Binjakët

Mundohuni që të mos shpërtheni në nervozizëm dhe acarim. Ndoshta ka disa përgjigje të cilat po vonojnë të vijnë, ndaj mundohuni që të bëni kujdes. Bëni mirë që të shmangni stresin dhe të gjeni momente për veten tuaj për tu relaksuar.

Gaforrja

Duhet të mundoheni që të jeni më pak hermetik sa i takon ndjenjave, pasi është e vërtetë që vetëm në dashuri mund të kuptohesh me një shikim, por është më mirë që ta lini veten në lirë. Keni nevojë për dikë që t’iu lexojë përtej fjalëve. Mundohuni që të hapeni më shumë në këto ditë, pasi dashuria do ju dhurojë qetësinë që iu mungon.

Luani

Kjo ditë do të jetë mjaft pozitive, pavarësisht se mund të hasni në të papritura, do të arrini që ti kapërceni më së miri. Kjo gjë vlen si në sferën profesionale, edhe në atë personale dhe dashuri. Ndoshta do të keni një lloj dëshire për të ndryshuar diçka në jetën tuaj, ndaj mundohuni që të kuptoni se çfarë ju bën të pakënaqur.

Virgjëresha

E mërkura do ju gjejë nën humorin e duhur dhe disi nervoz. Mundohuni që të mos e humbni toruan pasi mund të dështoni. Po ashtu bëni mirë që të qëndroni larg provokimeve dhe çështjet e rëndësishme shtyjini për në ditët në vijim.

Peshorja

Kjo ditë do të jetë perfekte për ti dhënë më shumë hapësirë dashurisë. Do të jetë pikërisht dashuria ajo që do ju “ngushëllojë”, nëse do të hasni probleme në sferën profesionale. Sa i takon punës, gjërat nuk do të ecin në mënyrë shumë pozitive, ndaj mundohuni që të kapni çdo mundësi në mënyrë që të mos bllokoheni.

Akrepi

E mërkura do të sjellë me vete të reja të bukura. Paralajmërohet një periudhë e mirë, e cila do të zhdukë çdo energji negative. Mundohuni që të mos mendoni shumë për të kaluarën por të shihni përpara, pasi ju pret diçka mjaft pozitive. Dashuria do të ecë mjaft mirë.

Shigjetari

Në sajë të ndikimit tranzit të Hënës në shenjën tuaj, kjo ditë do të jetë mjaft pozitive. Jeni mjaft të favorizuar sa i takon dashurisë, kështu që jepuni më shumë hapësirë ndjenjave dhe qëndroni sa më larg diskutimeve. Edhe në punë do të jeni të mbrojtur nga yjet, ndaj mund të çoni përpara një projekt i cili premton sukses.

Bricjapi

Kjo ditë do të jetë disi e komplikuar për shkak të ndikimit negativ të Marsit i cili do ju bëjë disi nervoz dhe rrezikoni që të tregoheni mjaft agresiv ndaj të tjerëve. Mund të keni probleme në punë, ndoshta për shkak të çështjeve ekonomike, por mundohuni që të mos nervozoheni shumë. Në dashuri ka ardhur momenti që të lëvizni.

Ujori

Mundohuni që të qëndroni me këmbë në tokë dhe të tregoheni më të kujdesshëm në çështjet materiale dhe të mbani nën kontroll shpenzimet, shkruan noa.al. Sa i takon ndjenjave, mund të rikuperoni një histori në krizë.

Peshqit

Kjo ditë do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë keqkuptime, tensione dhe kundërshti. Duhet të mundoheni që të rrini të qetë dhe të mos përfshiheni në debate për shkak të qëndrimeve impulsive. Mendohuni mirë para se të flisni.

The post Horoskopi 7 Gusht, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju appeared first on Albeu.com.

Sa para dhe mallra mund të sillni me vete kur udhëtoni? Ja rregullat e reja doganore

By: M C
6 August 2025 at 23:40

Udhëtarët që hyjnë në territorin shqiptar mund të sjellin me vete mallra për përdorim vetjak ose në formë dhurate, pa detyrime doganore, duke respektuar kufijtë e përcaktuar në legjislacionin doganor në fuqi.

Vlera maksimale e mallrave që mund të përfitojnë nga përjashtimi doganor është 300 euro për udhëtarët që vijnë nëpërmjet rrugëve tokësore, 430 euro për ata që udhëtojnë me rrugë ajrore apo detare dhe 150 euro për udhëtarët nën moshën 15 vjeç.

Në kuadër të mallrave të lejuara për konsum personal pa taksa doganore përfshihen edhe sasi të kufizuara të produkteve si duhani dhe pijet alkoolike. Konkretisht, udhëtarët mund të sjellin deri në 200 cigare, ose 100 cigarillo, ose 50 puro, ose 250 gramë duhan. Për pijet alkoolike, lejohet të sillet një litër pije me përqindje alkooli më shumë se 22% ose dy litra pije me përqindje më të ulët se 22%, përveç dy litrave verë pa gaz dhe deri në dhjetë litra birrë.

Gjithashtu, mund lejohen deri në tre kilogramë kafe për përdorim personal. Megjithatë, udhëtarët nën moshën 17 vjeç, nuk përfitojnë nga përjashtimet që lidhen me alkoolin dhe duhanin.

Në rastet kur udhëtarët sjellin mallra që e tejkalojnë kufirin e lejuar, është e detyrueshme që ato të deklarohen pranë autoriteteve doganore. Për mallrat që nuk kanë karakter tregtar, zbatohet një procedurë e thjeshtuar deklarimi. Autoritetet doganore kanë të drejtën të kontrollojnë bagazhet dhe mallrat e udhëtarëve në çdo moment, për të verifikuar përputhshmërinë me ligjin dhe për të parandaluar futjen e paligjshme të mallrave në territorin shqiptar.

Këto masa janë vendosur për të siguruar një administrim të drejtë të kufijve dhe për të lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve që respektojnë rregullat.

The post Sa para dhe mallra mund të sillni me vete kur udhëtoni? Ja rregullat e reja doganore appeared first on Albeu.com.

Sa shqiptarë paguajnë për të pasur internet në shtëpi?

By: M C
6 August 2025 at 23:20

Kur vjen çështja tek interneti, shumë shqiptarë zgjedhin të abonohen në kompani të cilat ofrojnë si shërbimin e internetit, ashtu edhe atë të televizorit apo të telefonisë në shtëpi. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në krahasim me vitin e kaluar, ka pasur një rritje të qytetarëve dhe bizneseve që përdorin shërbimet nga rrjetet fikse, me përjashtim të telefonisë fikse.

Në krahasim me tremujorin e parë 2024, këtë vit rezulton që shqiptaët të kenë instaluar një numër më të madh pajisjesh që ofrojnë internet në shtëpi. Numri i pajtimtarëve me akses Broadband në internet nga rrjete fikse arriti në rreth 682 mijë, që përbën një rënie me 0.7% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, por një rritje me rreth 7.1% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2024.

Ndërkohë, numri i atyre që paguajnë për të pasur telefoni, internet dhe televizor bashkë, në shtëpinë ose biznesin e tyre, arriti në rreth 296 mijë në fund të marsit, një rënie kjo me 1.1% në krahasim me tremujorin e fundit 2024, por është rritur me 0.9% vlerësuar me tremujorin e parë të 2024-ës.

Nga ata që zgjedhin paketa të integruara, 47.6% abonohen për paketa dyfishe (internet dhe televizor), 29.9% paguajnë në një kompani të vetme për paketa dyfishe (internet dhe telefoni), ndërsa 22.5% abonohen për paketa trefishe (internet, televizor dhe telefoni).

Për sa i përket telefonave të vjetër me kabëll, përdorimi i tyre vijon të bjerë. Sipas statistikave zyrtare, numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të parë 2025 është raportuar rreth 159 mijë, duke rënë me 6.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

The post Sa shqiptarë paguajnë për të pasur internet në shtëpi? appeared first on Albeu.com.

Shumë pranë paqes? Mediat: Donald Trump do të takojë javën e ardhshme Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyn

By: M C
6 August 2025 at 22:47

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump po planifikon që të takohet me dy homologët e tij, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky.

Sipas asaj që New York Time ka raportuar këtë të mërkurë mësohet se Trump është duke shqyrtuar mundësinë e një takimi me presidentin e Rusisë dhe atë të Ukrainës.

Takimet priten që të zhvillohen javën e ardhshme dhe do të mbahen njëra pas-tjetrës.

Më herët, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff pati një takim “shumë produktiv” me presidentin rus.

Ishte vetë Donald Trump ai i cili përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh optimist duke bërë me dije se përgjatë atij takimi pati përparim të madh për bisedimet e paqes.

Sipas asaj që presidenti amerikan tha të dyja palët mesa duket kanë rënë dakord që kjo luftë duhet të përfundojë dhe për të arritur këtë qëllim ai është zotuar që do të punojnë në ditët dhe javët në vijim.

“Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt këtij qëllimi në ditët dhe javët në vijim”, shkruante Trump në Truth Social. Ndërkohë që pas këtij postimi telefonoi menjëherë Zelenskyn, se për çfarë biseduan ende nuk është bërë me dije.

Por, një reagim lidhur me këto zhvillime të fundit erdhi dhe nga presidenti ukrainas. Ai iu drejtua popullit të vet duke iu thënë se Rusia duket “më e gatshme” të vazhdojë me një armëpushim.

“Presioni që po ushtrohet mbi ta po jep fryte”, theksoi presidenti ukrainas.

Megjithatë, ai nuk e fshehu skepticizmin e tij në lidhje me qëllimet e fshehta të rusëve, duke vënë në dukje në mënyrë karakteristike: “Gjëja e rëndësishme është të mos mashtrohemi në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara”.

The post Shumë pranë paqes? Mediat: Donald Trump do të takojë javën e ardhshme Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyn appeared first on Albeu.com.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Kuvendit bën publike datën zyrtare

By: M C
6 August 2025 at 22:39

Në një intervistë për një televizion lokal, Gashi shprehu pritshmëritë për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, një fushatë dinjitoze, kulturë politike të lartë, garë të ideve dhe vizioneve, si dhe përkushtim ndaj interesave të qytetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të planifikuara për këtë vjeshtë do të shpallen të premten ose të shtunën, më 8 ose 9 gusht.

Zgjedhjet për këshillat komunalë dhe raundi i parë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë për zgjedhjet e kryetarëve të komunave do të zhvillohet më 2 nëntor.

Partitë politike duhet të dorëzojnë kandidaturat e tyre për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në komisionet zgjedhore komunale jo më vonë se 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve lokale.

The post Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Kuvendit bën publike datën zyrtare appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në Durrës/ Gruaja bie nga dritarja e tualetit, humb jetën në vend

By: M C
6 August 2025 at 22:15

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes të kësaj të mërkure në qytetin e Durrësit ku një grua ka rënë nga lartësia.

Sipas informacioneve paraprake mësohet se një grua rreth 65 vjeç është rrëzuar nga dritarja e tualetit në katin e tretë të banesës së saj, në një zonë pranë Spitalit Rajonal të Durrësit.

Si pasojë, fatkeqësisht kjo shtetase, identiteti i të cilës ende nuk dihet ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj, ndërkohë që deri më tani nuk dihen detaje të tjera.

*Për më shumë informacione pritet një njoftim zyrtar nga Policia e Durrësit.

The post Tragjedi në Durrës/ Gruaja bie nga dritarja e tualetit, humb jetën në vend appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 6 August 2025Main stream

Ish-banori i “Big Brother VIP” zbulon bisedat e çuditshme me ChatGPT

By: M C
6 August 2025 at 21:28

Këngëtari i njohur, Tiri Gjoci, është mjaft aktiv në rrjetet e tij sociale, ku ndan me ndjekësit herë pas here foto dhe video shumë ‘funny’. Disa të realizuara vetëm, e disa ku është edhe partnerja e tij, Krisa Çaushi.

Ditën e sotme, ish-banori i edicionit të katërt të “Big Brother VIP”, ka publikuar në “Instastory” dy fotografi ku tregon një bisedë që ka bërë me ChatGPT.

“Më thuaj një fjalë të vështirë në shqip dhe unë do ti gjej kuptimin”, i ka shkruar Tiri dhe përgjigja nga ana e ChatGPT-së është:

“Fjala: shkabërdhyes. Suksese! Më thuaj çfarë mendon se do të thotë”.

“Nuk ka fjalë të tillë në fjalor. E di që do të më kapësh mat, po provo përsëri”, i ka shkruar më pas këngëtari i njohur.

E këtu ChatGPT ka habitur me përgjigjen, pasi i ka shkruar se ishte një krijim i qëllimshëm për t’a provokuar pak.

“E drejtë, shkabërdhyes ishte një krijim i qëllimshëm për të të provokuar pak. Tani luajmë seriozisht”, i kthen përgjigje ChatGPT, Tirit.

Ndërkohë kujtojmë se ekspertët kanë dhënë këshilla të shumta në lidhje me ChatGPT-në, të mos ndahen kurrë biseda që përmbajnë të dhëna personale, informacione pune apo çështje familjare. Nëse dëshironi të ndani një ide apo këshillë nga një bisedë me AI, përdorni vetëm pjesë neutrale duke fshirë çdo element që mund të identifikojë personin apo kontekstin.

The post Ish-banori i “Big Brother VIP” zbulon bisedat e çuditshme me ChatGPT appeared first on Albeu.com.

Zjarr masiv përfshin varrezat e fshatit turistik të Dhërmiut, rrezikohen banesat pranë

By: M C
6 August 2025 at 21:10

Një vatër zjarri ka shpërthyer mbrëmjen e sotme edhe fshatin turistik të Dhërmiut, në Himarë.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë rënë pranë varrezave të fshtatit, ku janë përhapur me shpejtësi dhe përbëjnë rrezik, pasi aty pranë ndodhen edhe banesa të banuara.

Flakët kanë djegur sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, shkurre e pemë, ndërsa janë njoftuar edhe autoritetet vendore dhe zjarrfikësja për ndërhyrje të menjëhershme.

The post Zjarr masiv përfshin varrezat e fshatit turistik të Dhërmiut, rrezikohen banesat pranë appeared first on Albeu.com.

Zjarr në afërsi të uzinës së Poliçanit, flakët shumë pranë magazinës me lëndë plasëse/ Ndërhyjnë ekipet zjarrfikëse, ushtria dhe një helikopter

By: M C
6 August 2025 at 20:26

Një vatër zjarri është aktivizuar këtë të mërkurë në pyllin pranë uzinës së Poliçanit në Berat.

Burime bëjnë me dije se zjarri është përhapur pranë zonës C, në të cilën ndodhen magazinat me lëndë plasëse.

Në vendngjarje kanë shkuar ekipet zjarrfikëse, ushtria si edhe një helikopter i Bazës Kuçovës.

The post Zjarr në afërsi të uzinës së Poliçanit, flakët shumë pranë magazinës me lëndë plasëse/ Ndërhyjnë ekipet zjarrfikëse, ushtria dhe një helikopter appeared first on Albeu.com.

Shqipëria përditëson sanksionet/ Qeveria miraton vendimet e reja të BE-së

By: M C
6 August 2025 at 20:14

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përditëson kuadrin ligjor të masave shtrënguese ndërkombëtare në Shqipëri, duke reflektuar katër vendime të reja të Bashkimit Evropian për sanksione.

Me propozimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, qeveria ka integruar vendimet më të fundit të Këshillit të BE-së (CFSP 2025), që përfshijnë lista të përditësuara me individë dhe subjekte të sanksionuara për terrorizëm apo çështje të sigurisë.

Ky hap tregon angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur në kohë reale zhvillimet në politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si pjesë e procesit të integrimit. Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga autoritetet përkatëse sipas ligjit Nr. 72/2019 për masat shtrënguese ndërkombëtare.

Ky reagim nga ana e qeverisë shqiptare nënvizon përkushtimin ndaj harmonizimit me politikën e jashtme evropiane dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve ndërkombëtare.

The post Shqipëria përditëson sanksionet/ Qeveria miraton vendimet e reja të BE-së appeared first on Albeu.com.

Sherr mes katër grave në Pogradec/ 42-vjeçari ndërhyn për t’i ndarë, por vihet nën hetim

By: M C
6 August 2025 at 19:54

Një konflikt mes katër grave është regjistruar sot në qytetin e Pogradecit.

Gjatë këtij sherri ka ndërhyrë edhe një 42-vjeçari për të ndalur konfliktin, por në përpjekje për të qetësuar situatën ka shtyrë një nga gratë e përfshira, e cila ka pësuar dëmtime të lehta. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetaset B. B., 42 vjeçe, S. F., 22 vjeçe, J. L., 20 vjeçe dhe E. P., 28 vjeçe, si dhe për shtetasin V. N., 42 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, 4 shtetaset janë konfliktuar fizikisht dhe i kanë dëmtuar sende personale, njëra-tjetrës, ndërsa 42-vjeçari, gjatë përpjekjes për të neutralizuar konfliktin, ka shtyrë fizikisht, 42-vjeçaren, e cila është dëmtuar lehtë”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

The post Sherr mes katër grave në Pogradec/ 42-vjeçari ndërhyn për t’i ndarë, por vihet nën hetim appeared first on Albeu.com.

Vijojnë zjarret në Finiq, Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, evakuohen banorët e rrezikuar

By: M C
6 August 2025 at 19:32

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar së fundmi se ekipet zjarrfikëse, të mbështetura nga Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe ndërhyrja nga ajri, po punojnë për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit në bashkinë Finiq.

Sipas autoriteteve, efektivët ndodhen prej orësh në terren duke “luftuar” me intensitet për të shuar vatrat e zjarrit dhe duke ndihmuar në evakuimin e përkohshëm të banorëve që ndodhen brenda perimetrit të rrezikut.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vazhdon të monitorojë nga afër situatën, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve.

Zjarri në Finiq është një nga vatrat më aktive në vend, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po e vështirësojnë ndërhyrjen nga toka.

The post Vijojnë zjarret në Finiq, Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, evakuohen banorët e rrezikuar appeared first on Albeu.com.

FOTO/ Prej shtatorit do ulen në Kuvendin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane pret deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit

By: M C
6 August 2025 at 19:12

Ambasada Amerikane ka hapur dyert këtë të mërkurë për deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

Ka qenë vetë ambasada ajo e cila përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale ka shpërndarë pamje nga takimi i përfaqësuesve të saj me të sapozgjedhurit e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas tyre këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit. Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Të pranishëm në këto takime ishin deputetët demokratë, si Igli Cara dhe Besart Xhaferri. Por, nuk munguan as ata të kampit socialist si Ilva Gjuzi dhe nga “Mundësia”, Erald Kapri.

The post FOTO/ Prej shtatorit do ulen në Kuvendin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane pret deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit appeared first on Albeu.com.

Ngërçi me konstituimin e Kuvendit! Albin Kurti: Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses

By: M C
6 August 2025 at 18:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm I madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.

Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.

Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Në prag të vendimit të Kushtetueses, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të martën e tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban. Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm” për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

I pyetur për këtë nga gazetarët, Kurti tha se presidentja Osmani “nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Llabanin, atëherë kur ai pati aplikuar për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Asokohe, Albulena Haxhiu nga partia jonë i pati shkruar letër zyrës së presidentit, mirëpo as presidenti i atëhershëm më 2018 e as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë parë të arsyeshme të ndalnin emërimin e tij”, theksoi ai.

Kurti shtoi se “është absurde që dikush, sipas informacioneve nga institucionet tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues, të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018. Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i

Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë. Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet./REL/

The post Ngërçi me konstituimin e Kuvendit! Albin Kurti: Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses appeared first on Albeu.com.

Zjarr masiv në pyllin me pisha në fshatin Gjinoqarë/ Era favorizon flakët, terreni i thyer vështirëson izolimin e vatrës

By: M C
6 August 2025 at 18:06

Një vatër zjarri ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos.

Flakët janë favorizuar edhe nga era e fortë dhe si pasojë janë përhapur masivisht. Gjithashtu ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse është e pa mundur për shkak se terreni është shumë i thyer.

Alket Halimi, shef i zjarrfikëseve në Bashkinë Patos thotë se në vëndngjarje janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, por ndërhyrja është e pamundur.

Po ashtu po luftohet me mjete rrethanore, teksa ndihmojnë zjarrfikëset edhe banorë të zonave apo struktura të bashkisë.

The post Zjarr masiv në pyllin me pisha në fshatin Gjinoqarë/ Era favorizon flakët, terreni i thyer vështirëson izolimin e vatrës appeared first on Albeu.com.

NATO miraton dërgimin e armëve, Rusia bombardon kampin turistik ukrainas

By: M C
6 August 2025 at 17:45

NATO ka filluar koordinimin e dërgesave të rregullta të armëve në Ukrainë, pasi Holanda tha se do të ofrojë pajisje të mbrojtjes ajrore, municione dhe ndihmë tjetër ushtarake me vlerë 500 milionë euro.

Suedia njoftoi gjithashtu të martën se do të kontribuojë me 275 milionë dollarë në një përpjekje të përbashkët së bashku me fqinjët e saj nordikë, Danimarkën dhe Norvegjinë për të siguruar mbrojtje ajrore, armë antitank, municione dhe pjesë këmbimi me vlerë 500 milionë dollarë.

Dy dërgesa pajisjesh, shumica e të cilave të blera në Shtetet e Bashkuara, priten këtë muaj, megjithëse paketa nordike pritet të mbërrijë në shtator. Pajisjet furnizohen bazuar në nevojat prioritare të Ukrainës në fushën e betejës. Aleatët e NATO-s më pas i gjejnë armët dhe municionet dhe i dërgojnë ato.

“Paketat do të përgatiten me shpejtësi dhe do të lëshohen rregullisht”, tha NATO të hënën.

Sistemet e mbrojtjes ajrore kanë nevojë më të madhe. Kombet e Bashkuara kanë thënë se bombardimet e pamëshirshme të Rusisë në zonat urbane pas vijës së frontit kanë vrarë më shumë se 12,000 civilë ukrainas.

Ushtria e Rusisë po bën gjithashtu përparim të ngadaltë, por të kushtueshëm përgjatë vijës së frontit prej 1,000 kilometrash (620 milje). Aktualisht, ajo po zhvillon një operacion për të marrë qytetin lindor të Pokrovskut, një qendër logjistike, rënia e së cilës mund t’i lejojë asaj të depërtojë më thellë në Ukrainë.

Sakaq, të paktën dy persona u vranë në një sulm me bombë ruse në një kamp pushimi në jug të Ukrainës. Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në sulmin pranë qytetit të Zaporizhias, njoftoi guvernatori Ivan Fedorov në Telegram. Ai nuk e specifikoi vendndodhjen e saktë. Ndër ndërtesa të tjera, u dëmtuan nëntë vila të vogla pushimi.

Sipas burimeve ukrainase, sulmet me dronë dhe artileri ruse gjatë natës dëmtuan gjithashtu biznese dhe një shtëpi në rajonin fqinj të Dnipropetrovskit. Sulmet synuan gjithashtu qytete në jug të Ukrainës përgjatë Danubit. Sipas raporteve të medias, një zjarr i madh u vu re edhe nga qyteti rumun i Tulceas në deltën e Danubit.

The post NATO miraton dërgimin e armëve, Rusia bombardon kampin turistik ukrainas appeared first on Albeu.com.

Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës/ Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit

By: M C
6 August 2025 at 17:27

Pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati mbi tre orë dhe që u drejtua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, u vendos paraprakisht miratimi i planit për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës.

Në takim morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

Pavarësisht miratimit politik, shefi i ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Eyal Zamir, shprehu kundërshtime të forta ndaj planit, duke theksuar rrezikun për jetën e pengjeve izraelite, të cilët besohet se mbahen në disa zona të banuara nga civilët në Gaza.

Ai propozoi një alternativë operative që konsiston në rrethimin e zonave të caktuara, me qëllim detyrimin e Hamasit të çarmatoset dhe të lirojë pengjet pa një ofensivë të përgjithshme.

Sipas burimeve të brendshme, Netanyahu refuzoi kategorikisht propozimet e gjeneralit Zamir dhe e kritikoi atë ashpër për zbulimin e planeve të tij për dorëheqje në mediat lokale. Klima e tensionuar mes drejtuesve të shtetit dhe të ushtrisë ka marrë jehonë të madhe në mediat izraelite.

Ministri i Mbrojtjes Katz u përpoq të ulë tensionet me një deklaratë pajtuese, duke theksuar se “në një takim të mbyllur, shefi i ushtrisë ka të drejtën dhe detyrimin të shprehet lirshëm”.

Mbledhje vendimtare nesër

Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër pasdite (7 gusht), në orën 18:00, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të prezantohen edhe plane të reja operative të përgatitura nga ushtria në përputhje me kërkesat e Netanyahut.

Reagimi i opozitës dhe protestat publike

Vendimi për pushtimin e plotë të Gazës është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, veçanërisht nga lideri Yair Lapid, i cili paralajmëroi për pasoja të rënda humanitare dhe ndërkombëtare.

“Një pushtim i tillë do të sjellë humbje të mëdha në radhët e ushtrisë dhe civilëve, dhe rrezikon jetën e pengjeve që mund të ekzekutohen nga Hamasi ose të humbin jetën nga zjarri i ushtrisë apo mungesa e ndihmës,” u shpreh Lapid për radion shtetërore.

Mbrëmjen e djeshme, qindra protestues u mblodhën në qendër të Tel Avivit, në një demonstratë të organizuar nga të afërmit e pengjeve. Slogani kryesor i protestës ishte: “Pushtimi i Gazës do të thotë dënim me vdekje për pengjet”.

The post Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës/ Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit appeared first on Albeu.com.

Paralajmëron sinoptikani: Bëhuni gati, ja deri kur do të zgjasë vala ‘afrikane’

By: M C
6 August 2025 at 17:10

Ndryshimet klimatike kanë bërë që shprehja “gusht e gunë” të mos gjejë më zbatim në Shqipëri. Kjo pasi, duke nisur nga fundjava, vendi ynë do të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan me temperatura 40 gradë në hije.

“Do të vijojnë gradualisht të rriten temperaturat e ajrit si pasojë e kësaj vale të të nxehtit, duke bërë që fundjava të jetë ajo e cila do të ketë temperaturat më të larta për sa i përket kësaj jave, duke bërë që në dy qarqet Elbasan dhe Berat pritet që temperaturat të jenë në vlerat 40 gradë të matura në hije.” – tha Hakil Osmani.

Vala e të nxehtit do të prekë edhe bashkitë e tjera, përfshi edhe Tiranën.

“Po ashtu, me temperatura të larta do të jenë kryeqyteti, Shkodra, Gjirokastra, po ashtu në vlerën 39 gradë. Edhe ultësira do të luhatet në vlerat 36–38 gradë.”

Kjo valë e të nxehtit do të vijojë deri në mesin e javës tjetër.“Do të vijojë kjo valë e të nxehtit edhe përtej javës që vjen, duke bërë që maksimalet të luhaten 39–40 gradë në zona të izoluara. Temperaturat e larta do të zgjasin deri në 7 ditë.”

Sipas sinoptikanëve, muaji gusht po shënon temperatura 6 gradë mbi normalen, duke bërë që vendi të jetë i përfshirë nga ditë të tëra të nxehti.

The post Paralajmëron sinoptikani: Bëhuni gati, ja deri kur do të zgjasë vala ‘afrikane’ appeared first on Albeu.com.

Në pritje të ndihmave gjejnë vdekjen, përmbyset kamioni, 20 të vdekur në Gaza

By: M C
6 August 2025 at 16:58

Të paktën 31 palestinezë kanë humbur jetën në të gjithë Rripin e Gazës, dhe 20 të tjerë u vranë pasi katër kamionë me ndihma u përmbysën mbi një turmë njerëzish.

Mes viktimave të sulmeve izraelite ishin edhe 10 persona që po kërkonin ndihma, të vrarë në zona të ndryshme të territorit, pavarësisht njoftimit të ushtrisë izraelite për “pauza taktike” në luftime për të lejuar shpërndarjen e ndihmave.

Incidenti ndodhi në Gazën qendrore, ku një numër i madh palestinezësh ishin mbledhur në kërkim të ushqimeve dhe furnizimeve bazë, mes një krize humanitare gjithnjë e më të rëndë.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Bassal, tha se dhjetëra njerëz u plagosën ndërsa qindra civilë po prisnin ndihmë, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

“Pavarësisht lejimit të kufizuar të disa kamionëve me ndihma kohët e fundit, pushtimi pengon qëllimisht kalimin dhe shpërndarjen e sigurt të këtyre ndihmave”, tha Zyra Qeveritare për Media në një deklaratë.

“Kjo i detyron shoferët të lundrojnë në rrugë të mbipopulluara me civilë të uritur që kanë pritur me javë të tëra për nevojat më themelore. Kjo shpesh rezulton në turma të dëshpëruara që mbushin kamionët dhe sekuestrojnë me forcë përmbajtjen e tyre.”

Ngjarja vjen në një kohë kur organizatat humanitare paralajmërojnë për përhapjen e urisë dhe sëmundjeve në të gjithë enklavën palestineze, ndërsa numri i viktimave nga uria dhe kequshqyerja vijon të rritet si pasojë e kufizimeve të ashpra të vendosura ndaj ndihmave.

The post Në pritje të ndihmave gjejnë vdekjen, përmbyset kamioni, 20 të vdekur në Gaza appeared first on Albeu.com.

BKH kryen kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit

By: M C
6 August 2025 at 16:34

Oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqirit.

Deri më tani nuk dihet nëse këto kontrolle lidhen me tenderat e përfituar nga kompania apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë.

“Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Beqiri u bë i njohur për publikun në vitin 2021, kur ai ishte një inxhinier elektronik dhe drejtor i IT-së në Universitetin e Tiranës dhe u thirr si ekspert në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë.

Ai së bashku me një grup kolegësh, kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”.

Ekspertiza arriti në përfundimin se videoja ishte e përpunuar dhe se përmbajtja e saj ishte nxjerrë nga konteksti dhe u përdor si provë në vendimin e Gjykatës së Lartë për shpalljen e Metës të pafajshëm./LAPSI

The post BKH kryen kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit appeared first on Albeu.com.

❌
❌